Speciale » Basha
Sabile Basha: Një monografi shkencore për Minierën e Trepçës
E diele, 11.12.2022, 08:56 PM
NJË MONOGRAFI SHKENCORE NDRYSHE PËR MINIERËN E TREPÇËS
Mustafë
Haziri, Miniera e Trepçës në Stantërg gjatë shekullit të XX, Prishtinë, 2022,
259
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Fillimisht
desha të them se autori i librit, Dr. Mustafë Haziri, para pak ditësh më thirri
në telefon dhe mu lutë që të shkruaja disa fjalë për librin e tij që e kishte
përgatitur për botim. Megjithëse isha tepër e zënë, por pranova, se tema e
punuar edhe si punim doktorate në dorëshkrim (ngase isha anëtare e komisionit
në mbrojtjen e doktoratës në Fakultetin Filozofik- dega e Historisë), më kishte
bë përshtypje mbarështimi dhe analizat e tija lidhur me Minierën e Trepçës.
Libri
i dr.sc Hazirit, duhet thënë se është një befasi e këndshme për shkencat e
historisë, por jo vetëm për to. Besojë se libri do iu shërbej të gjithë atyre
që sadopak donë të dinë për rezistencën, sakrificat, punën dhe luftën, që bënë
minatorët e Trepçës për ekzistencën dhe mëvetësinë e saj.
Autori,
Mustafë Haziri, me një korrektes shkencore, na ofron të dhëna të bollshme që
gjerë më tani nuk janë shënuar në literaturën e historisë së Minierës së
Trepçës. Ai ka përdorur fund e krye argumente të bollshme të dorës së parë, që
kryesisht janë të vjela në arkivin e Minierës, në arkivin komunal të
Mitrovicës, po ashtu edhe në Arkivin e Kosovës. Ka hulumtuar gjatë edhe në
Arkivin Shtetëror të Shqipërisë. Në libër nuk mungojnë as të dhënat autentike e
të rëndësishme nga arkivat jugosllave si
dhe të dhënat nga entet statistikore si nga ai i Jugosllavisë, i Serbisë dhe
ai i Kosovës.
Monografia
“Miniera e Trepçës gjatë shekullit XX”, ka një strukturim të shkëlqyeshëm e të
sakët. Është e konceptuar në mënyrën më të kapshme, se paraqitja e të dhënave
në bazë të dokumentacionit arkivor, është mënyra më e drejtë e mundshme, që
lexuesi shumë lehtë do të gjendej, për të ardhur deri te të dhënat që i
interesojnë. Nga referencat e shumta që i hasim në monografi, na bind
katërçipërisht se ka përdorur një literaturë të shumtë dhe relevante, që e
sforcon bindjen e çdo kujt, se, vërtet, shqiptaret në ish-Jugosllavi kanë
kaluar dhe kanë bërë një jetë prej robi dhe një jetë lufte për të ruajtur dhe
për të zotërua të mirat e këtij vendi. Autori, për të ardhur deri tek rezultatet
që na i ka ofrua, kryesisht, ka përdorur të dhënat statistikore, dhe me një
mençuri të rrallë ka vendosur drejt e saktë çështjen e qëndresës dhe të
organizimit të minatorëve shqiptar për të protestuar, për të drejtat e popullsisë shqiptare në Kosovë dhe
gjithandej ku jetonin ata në tokat e veta shqiptare në Jugosllavi.
Libri
në fjalë, përveç parathënies, hyrjes, përfundimit, treguesit të emrave, ka edhe
katër kapituj voluminozë, që janë të punuar me shumë kujdes, dhe, të
argumentuar me shumë burime arkivore e kujtime të pabotuara e të botuara gjer
më tani. Me të madhe është shfrytëzuar shtypi i vendit dhe i jashtëm, sidomos
gazeta ”Rilindja” e ai jugosllav i atyre viteve, si dhe një literaturë e begatë
historiografike nga autorë shqiptarë e të huaj.
Z.
Mustafë Haziri, në këtë monografi na sjell dëshmi të bollshme se si populli
shqiptar nëpër vite rezistoi dhe luftoi për të ruajtur tërësinë e vet
territoriale dhe pasurit e veta nëntokësore qysh nga Lufta e Parë Ballkanike e
gjer te fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e okupimit total e më
vonë. Trajtimi dhe analizat e këtyre problemeve në monografi, përfshijnë një
hark kohor që nis me hapjen e minierës së Trepçës e duke ecur shkallëve të
historisë autori na prezanton zhvillimin historik të Minierës. Brenda këtij
intervali kohor, sa të mbështetur aq edhe të argumentuar nga pikëpamja kohore
dhe e problematikës, është organizuar nëpërmjet kapitujve, nënkapitujve e
sythave e gjithë lënda e punimit, e cila fillon natyrshëm me një histori të
shkurtër të minierës së Trepçës në Stanterg, vijon me kapitujt që trajtojnë, në
bazë të kronologjisë: Miniera e Trepçës midis dy luftërave botërore; Miniera e
Trepçës në Stan-tërg gjatë luftës së Dytë Botëror; Miniera e Trepçës në Stanterg pas luftës së
Dytë Botërore e deri me administrimin e OKB-së., për të vazhduar me grevën e
minatorëve e deri te intervistat me akterët kryesor të ngjarjeve.
Librin
e bën edhe më të pasur fakti se në shumë faqe, krahas kujtimeve e mbresave të
autorit, jepen intervistat e personaliteteve të kohës, që argumentojnë me shumë të dhëna aktivitetin e
minatorëve dhe, nga ana tjetër, e bëjnë më të fuqishëm karakterin dhe qëndresën
e tyre prej minatorëve. Për të flasin dhe japin mendimet e tyre, si: Avdi
Uka–minator; Ramadan Rifat Gjeloshi; njëri ndër akterët kryesorë në Grevën e
Minatorëve të Trepçës në Stanë-tërg; Drejtori z. Burhan Kavaja; Kaqusha Jashari, Kryetare e Kryesisë së
Kosovës gjatë Grevës së Minatorëve të “Trepçës” në Stanterg (1988 – 1989); Aziz
Abrashi, ish kryetar i Këshillit Punë drejtues të Kombinatit “Trepça” gjatë
kohës së Grevës së Minatorëve të Trepçës në Stanterg (shkurt 1989); dhe
ish-funksionari i lartë i Kosovës, Azem Vllasi .
Në
këtë libër autori shpeshherë kalon edhe nëpër kohë dhe rrjedha historike, të cilat të dhëna e bëjnë edhe më të plotë
veprën e Hazirit. Është për t’u lavdëruar qasja që u bëhet periudhave, që nga
hapja e minierës, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore; Periudha pas Kuvendit të
Prizrenit (1945), kur Kosova edhe një herë ri-okupohet nga Serbia; Koha e
Byrosë Informative; Aksioni i mbledhjes së armëve; Shpërnguljet e shqiptarëve
për Turqi; Demonstratat e vitit 1968; Ndërrimet kushtetuese; Demonstratat e
vitit 1981 të cilat analiza dhe të
gjitha këto e pasurojnë edhe më tepër monografinë. Të tëra këto, trajtohen në
funksion të ndriçimit të rrethanave paraprake dhe shoqëruese të ecurisë të
organizimit të Minierës së Trepçës dhe luftës çlirimtare të popullit shqiptar
për liri dhe pavarësi.
Duke
e përmbyllur këtë recension për librin e Z. Mustafë Hazirit, “Miniera e Trepçës
gjatë shekullit XX”, duhet shtuar edhe faktin se kjo monografi, për nga stili
është e veçantë dhe fjalori i përdorur në të është adekuat dhe shumë i
përshtatshëm, që e bën edhe më të afërt me lexuesin, që vepra të lexohet me
kënaqësi jo vetëm nga studiuesit që merren me këtë periudhë, por edhe nga të
tjerët.
Dhe,
krejt në fund, autori meriton përgëzimet dhe urimet më të mira për këtë vepër
të vyer, që e nderon atë si studiues serioz.