Speciale » Basha
Sabile Basha: Rrethanat historike dhe politike në Kosovë, kur u themelua GRK
E enjte, 29.06.2023, 07:18 PM
Kumtesë e lexuar në Simpoziumin shkencore “RËNDËSIA POLITIKE DHE HISTORIKE E THEMELIMIT TË GRUPIT REVOLUCIONAR TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJEN E PAZGJIDHUR SHQIPTARE”, më 8 qershor 2023, Prishtinë
Nga Prof. Dr.
Sabile Keçmezi- Basha
RRETHANAT HISTORIKE
DHE POLITIKE NË KOSOVË, KUR U THEMELUA ORGANIZATA ÇLIRIMTARE “GRUPI
REVOLUCIONAR I KOSOVËS (GRK)”-ORGANIZATA
MARKSISTE-LENINISTE E KOSOVËS (OMLK)
Pas vitit 1945, Kosova përsëri u robërua. Shqiptarët,
vendosën të qëndronin dhe të rezistonin. Edhe më tutje në rend të obligimeve
historike mbeti obligimi dhe qëllimi suprem i lëvizjes ilegale-çlirimi i
trojeve të mbetura nën sundimin e huaj dhe bashkimi i tyre me shtetin amë. Kjo
dëshmon se, lufta e armatosur që nisën djemtë e vashat më të mira të Kosovës më
1998, i kishte rrënjët qysh më herët që nga programi i Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit (1878), kur populli shqiptar u ngrit si një për ta çliruar vendin, e
për t‘u vënë krah popujve të Evropës dhe të Ballkanit me shtetin e vetë
kombëtar.
Ndër sfidat më të mëdha ishte viti
l945, dhe periudha që pason. Ishte koha kur shqiptarët, pa dëshirën e tyre,
mbetën në kuadër të Serbisë e të ish-Jugosllavisë. Andaj, rezistenca ishte fati
ynë historik. Deri vonë historiografia shqiptare nuk u mor me këto ngjarje, jo
vetëm pse okupuesi u kujdes që t'i shpallte tema tabu, siç e patën shpallur të
tillë tërë rezistencën shqiptare kundër robërisë, por edhe pse, ende nuk ishte
mbyllur fleta e fundit e kësaj historie.
Vendosja e administrimit ushtarak
(8 shkurt l945) dhe, në vitet që pasuan, bëri që monarkia jugosllave të vishej
me këmishë të re. Shovinistët serbo malazias me yllin partizan në ballë, e
kthyen Kosovën në një kasaphanë të paparë. OZN-a famëkeqe, e më vonë UDB-ja,
fillojnë ekspeditat e tyre kriminale. Kryengritja e Drenicës u shua me gjak. E
përgjakur deri në asht, e lidhur këmbë e krye nga dhuna e pushtetit ushtarak,
Kosova arriti në Kuvendin e Prizrenit, që u mbajt më 8-l0 korrik l945.
Pa dashjen e saj Kosova u aneksua
nga Serbia e ish-Jugosllavia. Pas këtij kuvendi, pasoi një periudhë edhe më e
egër, edhe më e rëndë. Qeveria e re jugosllave,
vazhdonte me përpjekje të ethshme që në çdo pore të jetës të shuante çdo
ndjenjë kombëtare dhe liridashëse tek populli shqiptarë. Edhe pse presionet
vazhdonin, populli gjeti një mënyrë tjetër të rezistencës, që ishte shumë më kuptimplotë,
ama ishte edhe me shumë rreziqe.
Në ilegalitet të thellë filluan të
vepronin organizatat e shumta patriotike shqiptare, si: Komiteti Nacional
Demokratik Shqiptar, Besa Kombëtare dhe disa të tjera më të vogla. Duhet thënë
se Lëvizja patriotike shqiptare në Kosovë, kishte një shtrirje të madhe në kohë
dhe në hapësirë, që përfshinte vitet l945-l998. Ajo ishte e mbushur me
aktivitete dhe me problematikë të larmishme, me momente kulmore dhe herë-herë
shpërthyese, që dilte nga suazat e ilegalitetit, si në vitet l968, l981, l989 dhe në fund më l997, kur iu vu
ballë për ballë regjimit të Beogradit.
Qëndresa e popullit shqiptar, ndaj
dhunës koloniale të Beogradit, ndaj shfrytëzimit ekonomik, shtypjes politike
dhe diskriminimit kombëtar në vitet e pasluftës, '50-'60, gjithnjë e më shumë
po hynte në një etapë të re të stoicizmit dhe po e hapte në perspektivë një
luftë të re në pajtim me rrethanat e kohës.
Në vitet l955/l956, Ministria e
Punëve të Brendshme organizoi aksionin për mbledhjen e armëve, të cilat
popullit shqiptar i kishin mbetur gjoja nga lufta e fundit dhe paraqisnin
rrezik për sigurinë e rendit shtetëror, me pretekst se UDB-ja kishte ”njoftime”
të bollshme se në Kosovë po përgatitej të shpërthente një kryengritje kundër Jugosllavisë
dhe sistemit të saj.
Sipas revistës zagrebase, “VUS”,
thuhej se “pas Plenumit të Brioneve, vetëm gjatë periudhës së aksionit të
armëve, për në Turqi janë shpërngulur rreth 300 mijë shqiptarë, l00 mijë të
tjerë janë likuiduar, 30 mijë kanë mbetur me pasoja të rënda fizike e
shpirtërore. Masat represive e të dhunës në një masë të madhe u shtuan sidomos
gjatë vitit l958 e këndej. Populli shqiptar, i bindur deri në fund se duhej të
qëndronte në trojet e veta, kishte ngulur këmbë që të kalonte në një rezistencë
më të organizuar dhe më masovike.
Zemërimi i popullit arriti kulmin,
sidomos kur u burgosën një numër i madh i anëtarëve të organizatave patriotike
ilegale, të cilët i kishin shpallur luftë të hapur dhe të pa kompromis
pushtetit dhe shërbëtorëve të tyre. Në një dokument “Tepër sekret”, të
Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, me numër rendor 4000/1, tetor
l986, thuhet: “Intensifikimi i veprimtarisë
propagandistike-subversive dhe i formave të ndryshme të veprimtarisë
armiqësore ilegale, janë karakteristikat për vitet l974 dhe 1975, e posaçërisht për vitet l979
dhe l980, me ç ‘rast u zbuluan dhe u gjykuan 8 grupe nacionaliste e
irredentiste, u identifikuan 618 persona, ndaj të cilëve u ndërmorën masa
adekuate”. Grupet që u zbuluan, sipas po
atij dokumenti, ishin si: Grupi i Kadri Osmanit; Grupi i Adem Demaçit; Grupi i
Agim Sylejmanit; Grupi i Shefqet Jasharit; Grupi i Ymer Graincës; Grupi i
Hajdin Abazit dhe Grupi “Fronti i Kuq” nga RFGJ-ja me lidhje në vend gjatë
vitit l980; pastaj Grupi i Ibish Nezirit, lidhje e Grupit “Fronti i Kuq” në
vitin l981.
Kundër anëtarëve të këtyre grupeve
u ngritën aktakuza penale: U dënuan 89 persona në kohëzgjatje prej 1-15 vjet
burg; Kundër 51 personave, për shkak të rrethanave të ndryshme, u ndërpre aktakuza
e mëtejshme; 40 persona u dënuan për kundërvajtje; ndërkaq 453 personave iu
tërhoq vërejtja. Pos kësaj, në këtë periudhë, për kundërvajtje janë ndjekur 503
persona.
Pas arrestimeve të shumë të anëtarëve të organizatave
ilegale, në trojet shqiptare të okupuara nga ish federata jugosllave, u krijuan
një numër i konsideruar i organizatave ilegale si: Organizata ilegale “Bashkimi
Shqiptar”; Votra Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare; Grupi i Aziz Spahisë;
Grupi i Njazi Malokut; Grupi i Gjakovës; Organizata ilegale patriotike
shqiptare “Vuajtja” në Prekaz të Epërm; Organizata ilegale “Partia
Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”; Formimi i Organizatës “Komiteti Revolucionar
për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”; Grupi Demokrat Shqiptar Kosovar; Grupi
Shqiptar Revolucionar i Maqedonisë; Grupi Demokrat Indipendent Shqiptar i
Kosovës; Grupi “Veteranët e Luftës Shqiptare” - Rezistenca malësore -; Shoqëria
Demokratike Shqiptare “Ismail Qemajli”; “Lidhja e Vardarit - Besa Demokrate Shqiptare”; “Lidhja Shqiptare e Sharrit” etj. Kurse me
1964 doli në skenën politike ilegale të Kosovës organizata e Adem Demaçi me
emër: “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”; “Grupi Revolucionar”
i Kadri Osmanit, që më vonë u quajt OMLK, që e udhëhoqi atdhetari i njohur
Mehmet Hajrizi (1974-1981), e shumë e shumë organizata të tjera. Llogaritej se
vetëm në periudhën 1955-1960, nga ana e organeve të ndjekjes të Jugosllavisë në
Kosovë, janë zbuluar 69 grupe e organizata ilegale me mbi 600 anëtar. Gjatë
kësaj periudhe janë arrestuar mbi 420 veta ndërsa janë dënuar 250 anëtarë të
organizatave ilegale.
Pas mbajtjes së Plenumit të
Brioneve (1966), Kosova filloi të frymonte më lehtë, ndonëse askush nuk
ushqente ndonjë iluzion të veçantë lidhur me përmirësimin e gjendjes dhe të
pozitës së shqiptarëve që jetonin në trojet e veta. Në situatën e re, krahu
përparimtar i kuadrove dhe i inteligjencies popullore, që tashmë, pas një mijë vuajtjesh e sakrificash, kishte
arritur të dilte nga bankat e shkollave të mesme dhe të fakulteteve të
ndryshme, ngre zërin edhe legalisht, duke kërkuar të drejtat politike,
demokratike, kulturore dhe arsimore, të sanksionuara me kushtetutë.
Këto kërkesa u paraqitën publikisht
dhe u përkrahën masovikisht nga shtresat e gjera popullore. Mirëpo, punët rreth
kërkesave të popullit shqiptar të Kosovës po zvarriteshin qëllimisht, qeveria e
Beogradit po e bënte veshin të shurdhër e syrin qorr ndaj kërkesave të këtij
populli. Punën vendimtare për organizimin dhe shpërthimin e demonstratave të
vitit l968 e bëri Lëvizja përparimtare studentore, që në vazhdë iu
bashkëngjiten masat e gjera popullore.
Shuarja me gjak e demonstratave të
vitit 1968, lëndimi i truallit të Kosovës
nga zinxhirët e tankeve dhe nga çizmja e policisë dhe e ushtrisë së
ardhur nga Nishi e nga Shkupi, vrasja e të riut Murat Mehmeti, plagosja e shumë
djemve dhe e vajzave kosovare, arrestimet e shumta që vazhduan më vonë,
megjithatë, nuk mundën ta shuanin rezistencën e popullit liridashës shqiptar.
Kaluan vite të tëra, por lëvizja nuk e ndali hovin.
Në vitet 1980/81, diçka me të madhe
lëvizte, dhe diçka më e madhe pritej që të ndodhte, dhe ndodhi. Kosova e vitit
1981 po hynte në vitin më të nxehtë politik. Parandjenja se Kosovës po i pritej
qefini i ri në Beograd, po e shqetësonte masën studentore. Më 11, më 25 e më 26
mars, më 1 e më 2 prill, studentët e Universitetit të Kosovës dolën në
demonstrata. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm kundër shtypjes,
shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave në
robërinë serbe. Në demonstrata morën pjesë studentët, nxënësit e shkollave
fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë, të
cilët formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm
dhe më të bindshëm, të nënshkruar me gjak.
Më vonë, ndaj pjesëmarrësve në
demonstrata u zbatuan masat më drastike, duke i gjakosur e duke i keqtrajtuar,
duke i torturuar në mënyrat më barbare dhe duke i dënuar me burg të rëndë edhe
deri në l5 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua masa e izolimit të
plotë. Ngjarjet tragjike të Kosovës më 1981, popullin shqiptar as nuk e
dobësuan, dhe as nuk e luhatën për asnjë moment nga rruga e tij e nisur.
Përkundrazi, populli ynë i pajtuar me fatin e rezistencës dhe i bindur thellë
në kauzën e vet të shenjtë, qëndroi me besim të patundur në drejtësinë e
amshuar për ditët e bardha të lirisë dhe të pavarësisë.
Kosova e robëruar - binom, që s'u
pajtuan kurrë. Sa më e rëndë që ishte robëria, aq më e fuqishme ishte urrejtja
dhe dëshira për lirinë e merituar. Ndonëse okupatori mendoi se me arrestimin
dhe me zbulimin e grupeve të ndryshme patriotike ia kishte arritur që ta
shuante edhe dashurinë e gjakimin për lirinë, keq u mashtrua. Sa për ilustrim,
po cekim se vetëm gjatë viteve l981-l982, në një dokument “Tepër rezervat” të
Sekretariatit Krahinor të Judikaturës, të Gjykatës Supreme të Kosovës, të
Prokurorisë Publike, të Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, më 8
qershor l982, ndër të tjera, thuhej se gjatë dy muajve do të organizoheshin 44
procese gjyqësore në gjykatat e qarkut, si: në Prishtinë, në Gjilan, në
Prizren, në Pejë, në Mitrovicë.
Arrestimet e popullatës shqiptare
vazhduan edhe në vitet e mëvonshme, por respekti e admirimi për aktivitetin e
kësaj lëvizjeje patriotike nuk u shua dhe nuk do të shuhej kurrë, si nga
kujtesa kolektive, po ashtu edhe nga ajo e individëve. Sepse, nën hirin e
këtyre ngjarjeve të bujshme historike të së kaluarës sonë të afërt, u ruajt i
gjallë dhe gjithmonë i ndezur prushi patriotik. Ai nuk u shua kurrë, por
vijimisht u mbajt i gjallë. Ky zjarr u aktivizua dhe mori hov pikërisht në
kohën kur okupatori shekullor serb, mendonte se shqiptarët ishin pajtuar të
bënin një jetë pacifiste dhe kënaqeshin me ato që u ofronte Serbia dhe Beogradi.
Mirëpo, pakënaqësia shpërtheu më fuqishëm, së pari në Prekaz e në Drenicë, më
vonë përfshiu gjithë Kosovën, për të arritur drejt sendërtimit të synimeve dhe
aspiratave shekullore me bijën e saj, me flakën e dalë nga prushi i ruajtur nën
hirin e së kaluarës - Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si bijë e denjë e
Lëvizjes Patriotike, e cila e dëshmoi vazhdimësinë drejt realizimit të synimeve
dhe të aspiratave të saj – Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Ju faleminderit për vëmendjen.
Prishtinë, 8 qershor 2023