Speciale » Basha
Sabile Basha: Marie Shllaku - shkodranja e dashuruar me Kosovën
E merkure, 09.08.2023, 08:00 PM
TI KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
MARIE
SHLLAKU - SHKODRANIA E DASHURUAR NË KOSOVËN
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Vend
të rëndësishëm, në Lëvizjen Ilegale Patriotike të Kosovës zë shkodrania Marie
Shllaku. Ajo u lind me 22 tetor 1922, nga babai Mark Simon Shllaku dhe e ëma
Dile Shllaku. Ishte studente e filozofisë në Universitetin e Romës. Ishte
e pamartuar. Një kohë punoi ndihmëse në Çelen e Fishtës mandej ishte
sekretaresh e Iliaz Agushit dhe Xhafer Devës. Ndërsa sipas deklaratave të dhëna
në hetuesi, aji kishte deklaruar se “Jam shqiptare, me nënshtetësi shqiptare, e
pa martuar, studente e filozofisë, flasë e shkruaj shqip, latinisht, italisht,
frëngjisht, gjermanisht, greqishten e vjetër dhe nga pak serbisht”. Maria ishte
njëra ndër ato femra e cila me një guxim të rrallë doli në male krah për krah
me burrat për ta ndalur copëtimin e Shqipërisë etnike.
Një
kohë ajo ishte bashkëpunëtore e ngushtë e prof. Ymer Berishës. Qysh në fillim
kur u detyrua të kaloi në ilegalitet, iu bashkëngjit grupit të Ukë Sadikut dhe
Ndue Përlleshit. S’bashku me profesorin Ymer Berisha mori pjesë në themelimin e
organizatës politike-patriotike “Besa kombëtare” në Dobërdol. Përndryshe në
Kuvendin e Dobërdolit, ajo kishte mbajtur proces-verbalin e tubimit. Ishte e
dashuruar në Shqipërinë etnike, andaj edhe tërë punën dhe veprimtarin
patriotike ia kishte kushtua asaj, sa që në fund edhe u flijua për të. Kosovën
e deshi me shpirt, punoi për Kosovën, doli në male të Kosovës, mori pjesë
në shumë aksione luftarake kundër okupuesit në Kosovë. Në betejën e Siçevës, më
12 shtator 1945 u plagos rënd, por edhe në atë gjendje ajo nuk ishte dorëzua.
Edhe
pse e plagosur rëndë, qëndronte stoike dhe me të gjitha ato plagë arriti që të
çante rrethimin. Ishte strehuar strehuar në një shtëpi të fshatit. Ku më vonë u
zbulua nga bashkëpunëtorët e OZN-es. Pas arrestimit të Maries filloi edhe një
etapë e re e jetës së saj me plotë ankth dhe vuajtje të rënda. Ajo në fillim
nuk kishte pranua asgjë, nuk iu përgjigjët asnjë pyetjeje që i bënin hetuesit.
Ata ishin shumë të pakënaqur, nga ajo kërkonin më tepër, kërkonin që të dinin
për rrjetin e ilegales, kërkonin luftëtarët, bashkëpunëtorët, jatakët e tyre e
shumëçka tjetër. Ndaj asaj përdorën metoda të rënda torturuese nga ato më të
ndryshmet e shkuan aq larg sa edhe i premtuan se poqese flet atë do e lirojnë.
Marie Shllaku edhe pas të gjitha këtyre premtimeve, kishte heshtur, asnjë fjalë
nuk kishte nxjerr nga goja.
Për
të nxjerr diç nga kjo vajzë 23 vjeçare, kishin kurdisur një kurth makabre,
gjëja se do të “Sulmohet” burgu ku gjendej ajo. Sulmin gjëja se do ta
organizonin “Ballistët” dhe ate do e lirojnë nga duart e oficerëve të OZN-së
dhe llogaritnin se me këtë akt tek Maria do të fitohet besimi dhe sigurisht, më
vonë ajo edhe do të flasë dhe ata do të mësojnë çdo gjë që iu interesonte me të
madhe. Nuk kishte kaluar shumë kohë dhe plani i planifikuar u realizua. U realizua
ngase ata nuk kishin kohë për të humbur se ilegalja shqiptare ishte aq aktive
në terren dhe frikoheshin se verrlet do iu rrëmbenin Marien. Nga organet e
ndjekjes u siguruan “ballistët”. OZN-ashtët e UDB-ashët vunë plisa në koka dhe
“thyen” burgun. E “liruan” Marie Shllakun, trimen shkodrane, më vonë e vendosën
në një banesë të “sigurt”, me një “ballist” edhe më të “sigurt”. Nga
dokumentacioni shihej se megjithatë Maria tërë kësaj çka kishte ndodhur, nuk i
besonte. Në fillim çdo gjë mori me rezervë, por më vonë me kujdesin e shtuar të
“ballistit” disi filloi të mendonte ndryshe. Vajza trime që kishte marrë pjesë
në shumë luftëra, iu duket e pamundur që një shqiptar, siç ishte nikoqiri i saj
ta tradhtonte. E ai “nikoqiri” ishte një bashkëpunëtor i OZN-es famëkeqe, që
kishte bërë shumë për Jugosllavin komuniste. Kapiteni “Nisin” siç e quanin me
emrin konspirativ, nuk ishte askush tjetër por vetë – N. K, e që e quante veten
shqiptar. Andaj u angazhua që sa më tepër të marrë informata nga Maria. Edhe
pse e “çliruar” nga burgu, edhe pse “ballisti” paraqitej një shqiptar i
devotshëm, ajo me shumë vështirësi lëshohej në ndonjë bisedë më të thellë.
Marie Shllaku nga një vajzë finoke e urtë e e sjellshme, në këtë banesë ishte
shndërruar në një ujkonjë të heshtur, dhe asesi të hapte gojën për të folur për
bashkëpunëtorët e saj. Nikoqiri, me kohë filloi të humbte durimin, por
punëdhënësit i thoshin se qëllimi arsyeton mjetin dhe e kthenin përsëri te
Maria, për të vazhduar lojën e mirësjelljes dhe të patriotit. Maria foli,
më në fund foli kur “ballisti” i tregoi se së shpejti kishte marrë urdhër për
ta përcjell për në mal. Por, gjithsesi ai duhet ditur kujt ti drejtohej dhe ku
do të jetë më e sigurt. Në atë moment diçka tek vajza ndryshoi. Ajo kërkoi
letër e laps për të shkruar, dhe e porosit nikoqirin se kujt duhet ti
drejtohej. Si shenjë njohjeje dhe besimi ajo nikoqirit i ep medaljonin e vet që
e mbante rreth qafe. Marie Shllaku mbante lidhje me Atë Bernard Llupin, fratin
nga Peja. Andaj për kapitenin e ri të OZN-së filloi një rol i ri, një rol prej
korrieri, që do të bartte letra nga Maria për ke frati dhe anasjelltas. Mirëpo,
letra e parë e Maries kishte ngelur pa përgjigje, por letra e dytë do të sjellë
rezultate shumë më të mira. Frati në letrën që i dërgon, e këshillon Marien që
të sillet në bazë të këshillave që i epte “ballisti” ngase ai, kapiteni i
OZN-ës kishte arritur ta bindte edhe fratin se ishte atdhetar.. Frati asgjë më
tepër nuk shkruante në letrën- porosi. Mirëpo edhe kjo mjaftoi që të zbulohet
rrjeti më i gjerë i njerëzve që ishin të këqyrë në Lëvizjen e NDSH-es. Marie
Shllaku me vonesë e zbuloi tradhtinë e madhe që iu kishte bërë, por edhe pas
kësaj ajo nuk u pendua për punën dhe aktivitetin që kishte bërë. Pas letrës që
i kishte dërgua fratit dhe pas letrës së dytë dhe përgjigjes që i dha frati,
atë e kthyen në burgun e Prizrenit, duke e malltretuar e rrahur edhe më shumë.
Ajo më vonë u morë në pyetje shtatë herë, duke filluar nga 19 dhjetori 1945 e
deri më 20 maj 1946. Gjatë procesit të hetimeve, në seancën e parë e mori në
pyetje N. K. alias kapiteni Nisin dhe M. N. Ndërsa në procesverbalet e hetimeve
të datave 1 janar 1946, 20 dhe 29 janar dhe me 8 maj 1946 në pyetje e kishte
marr Misha Popoviqi.
Aktgjykimi i Marie
Shllakut
Në
aktgjykimin e Marie Shllakut, thuhej se ajo akuzohej: 1. Se Marie Shllaku ishte
sekretaresh e Ministrit të Punëve të Brendshme Iliaz Agushit. Ajo edhe pse pas
vitit 1945 kishte ikur Xhafer Deva, ajo kishte mbetur në Kosovë për të punuar
kundër sistemit të ri shoqëror 2. Ajo s’bashku me disa fshatar, i kishte
organizuar ata dhe kishte dal në male për të luftuar kundër partizanëve dhe
kundër sistemit të ri duke penguar UNÇ-në të ndërtojë pushtetin popullor. 3.
Gjatë vitit 1944, duke shfrytëzuar njohësit e mëhershme me bandat balliste, ajo
bëri lidhjen e ndërsjellë të tyre me Ismail Goranin dhe Ukë Sadikun të cilët
pastaj sulmuan Gjilanin, Ferizajn dhe vende të tjera. 4. Në fillim të vitit
1945, pasi doli në mal ajo propagandoi që shqiptarët nuk duhet ti përgjigjen
thirrjes për të shkuar në Armatën Jugosllave, por të dalin në mal për të
zhvilluar luftë kundër partizanëve. 5. Se në janar 1945, mori pjesë në Kuvendin
e Drenicës, s’bashku me prijësit e tjerë siç ishin: Ymer Berisha, Mehmet
Gradica, Ahmet Shala, Ukë Sadiku, Shaban Polluzha, Met Dina etj, ku u vendos të
sulmohen njësit e UNÇ-së në Drenicë dhe çdo kund tjetër. 6. Se me të mbaruar
lufta e Drenicës, e deri sa u burgos, në vjeshtë të vitit 1945, ajo vazhdoi të
jetoj në mal duke i nxitur luftëtarët e rezistencës antikomuniste, mori pjesë
në shumë kuvende, ku u morën qëndrime për të vazhduar rezistencën me armë, e
bindte popullin që të dilte në male, tu bashkohej luftëtarëve të Shqipërisë
Etnike. 7. Se mori pjesë në Kuvendin e Dobërdolit në gusht të
vitit 1945, ku u vendos që Ymer Berisha të jetë udhëheqës politik, Ukë Sadiku
udhëheqës ushtarak i gjithë luftëtarëve të rezistencës në Kosovë. 8. Se mbajti
lidhje të vazhdueshme dhe të pandërprera me prof. Ymer Berishën dhe me prijës
të tjerë të rezistencës. 9. Se mori pjesë në betejat kundër Njësive Ushtarake
Jugosllave dy herë me radhë, ndërsa në luftën e Siçevës, u vranë mase 11 oficer
dhe ushtar të APJ-së ( ku edhe e akuzuara u plagos). 10. Se mbajti lidhje të
vazhdueshme me Fratin e Pejës Atë Bernard Llupin, nga ai mori të holla, letra
dhe porosi të tjera. 11. Se Marie Shllaku edhe pse e plagosur ajo
kujdeset për grupet ilegale shqiptare, mbante lidhje me ta, dhe u
kujdeske për tërheqjen e tyre jashtë kufijve të vendit, duke bërë krime që
sanksionoheshin me nenin 3 pika 7 dhe 12 të ndëshkueshme sipas nenit 4 alineja
1 të Ligjit mbi vepra penale kundër popullit dhe shtetit.
Nga
e tërë kjo që u tha më lart, prokurori Ali Shukrija kërkoi që kjo e re 23
vjeçare të dënohej me dënimin më të rëndë: Me vdekje- pushkatim. Në këtë proces
u shqiptuan dënime drakoniane: 4 vet u dënuan me pushkatim: Marie Shllaku, At
Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini, të cilët me 24 nëntor u
ekzekutuan nga eskadroni i vdekjes jugosllave, në Prizrenin e bukur, ndërsa të
tjerët u dënuan prej 1- 12 vjet burg. Është e vërtet se ajo jetoi pak, por pak
kush e jetoi jetën aq intensivisht e trimërisht si ajo. Jeta dhe vepra e saj u
vunë pa luhatje në shërbim të atdheut dhe të lirisë dhe kështu me sakrificën e
vet, mbajti gjallë në shpirtin e kombit dëshirat e shpresat liridashëse deri në
fitore.