Speciale » Basha
Sabile Keçmezi-Basha: At Bernard Llupi, deri në vdekje për Atdhe
E enjte, 24.08.2023, 09:17 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
AT BERNARD LLUPI- DERI NË VDEKJE PËR ATDHE
(7.II.1886- U PUSHKATUA MË 24.XI. 1946)
Nga Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Fillimi i vitit 1946 në Kosovë fillon me një valë të paparë ndjekjesh e arrestimesh. Hijet e zeza të UDB-ës e OZN-ës, shpërndahen dhe trokasin shtëpi me shtëpi, zanë pritat. Fillojnë reprezaljet që do të mbeten kujtimi më i hidhur në histori. Kosova jetonte natën e Shën Bartolomeut, pas së cilës do të lindin shumë procese gjyqësore, dëshmi e dhembshme e kohës nën robërinë jugosllave.
Jemi në qershorin e vitit 1946, mezi që
kishte ecur një vit i “Çlirimit” nga fashizmi. Në Prizrenin legjendar
përgatitej kontingjenti prej 27 vetave për të dalë në bankën e të akuzuarve dhe
në emër të ashtuquajturit “gjyqi i popullit” të marrin dënimin. Duhet theksuar
se pas këtij kontingjenti, që kryesisht përbëhej prej nxënësve e
intelektualëve, ku më vonë do të pasohet nga dhjetëra e qindra të tjerë, po
ashtu shqiptarë të shkolluar, e liridashës, që grupe-grupe do t’i nënshtrohen
“vëllazërim-bashkimit” jugosllav.
Procesi gjyqësor i 27
vetave ose “Procesi i At Bernard Llupit” nuk ishte as i pari e as i fundit për
shqiptarët e Kosovës. Burimet që disponojmë për këtë qëllim flasin se nga
pushtimi i Kosovës më 1913, regjimi shoven serb kurrë nuk ka pushuar ndjekjen
sistematike të shqiptarëve. Megjithatë dënimet dhe proceset
e shumta gjyqësore politike, nuk munden të shuajnë idealin e shqiptarëve për
liri dhe bashkim kombëtar. Sipas
disa hulumtimeve dhe analizave që kam bërë, vetëm nga viti 1945 e deri më 1989
kundër shqiptarëve janë shqiptuar hiq më pak se 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj
burg.
At Bernard Llupi, u
lind në Shkodër me 7 shkurt 1886, nga babai Filip dhe nëna Luçia Llupi. Ishte i
pagëzuar me emrin Mati, ndërsa emrin Bernardin e mori kur u shugurua për prift.
Vjen nga një familje e vjetër, me tradita qytetare shkodrane. Pas përfundimit
të rregullt të shkollimit, ai i vazhdon studimet në Insburg të Austrisë dhe për
rezultate të shkëlqyeshme ai dekorohej me medalje nderi si studenti më i mirë i
gjeneratës. Shugurohet meshtar në Romë dhe pas kësaj vjen e shërben në Palç
(Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrësit, Vlonë dhe Shkodër. At Bernard Llupi
njihej si një poliglot, i cili njihte shumë gjuhë të huaja. Si klerik që ishte,
duhet përmendur punën e tij për t’iu dhënë mbështetje grave, të cilat kërkonin
të drejtat dhe liritë njerëzore. At Bernard Llupi, në vitin 1941 ishte drejtor
i Urdhrit të Motrave Katolike “Bijat e Zonjës së Bekueme”, me kuvendin e tyre
në qytetin e Shkodrës. Po nga ky vit, fillon edhe njohja me heroinën shqiptare Marie Shllakun, me të
cilën do të bashkëpunoi deri në fund të jetës për përmbysjen e regjimit komunist
në Kosovë dhe për bashkimin e trojeve shqiptare.
At Bernard Llupi, kur
u arrestua ishte famullitar i kishës katolike në Pejë, dhe deri në fund i ishte
mirënjohës at Anton Arapit për emërimin e tij famullitar në këtë qytet. Pas
arrestimit të At Bernard Llupit, ai u mor në pyetje shtatë herë. Tri hetimet e
para iu bënë menjëherë pas burgosjes, më 20, 27, dhe 28 mars 1946. Për të
vazhduar me katër hetimet e tjera më 14, 15, 19 dhe 20 maj 1946.
At Bernard Llupi nga
gjykata Popullore e Prizrenit akuzohej se ishte bashkëpunëtor i forcave
patriotike shqiptare dhe luftonte kundër regjimit jugosllav dhe sistemit
komunist në Jugosllavi; Ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Marie Shllakun qysh
nga ditët e para të okupimit të Kosovës. Po ashtu bashkëpunonte dhe i ndihmonte
organizatat patriotike ilegale në Kosovë si ONDSH-në dhe Besën Kombëtare që e
udhëhoqi Prof. Ymer Berisha. Gjithashtu duke e ditur rendësin e Marije Shllakut
që e epte nëpër fshatra të Kosovës, ai porosiste dhe urdhëronte njerëzit e vet
që ta ruajnë dhe ndihmojnë atë. Maries i dërgonte të holla dhe e ndihmonte me
gjëra ushqimore, veshmbathja gjithandej ku kishte nevojë. Me rastin e plagosjes
së Marie Shllakut ai i shkruan letër kuraje duke i thënë :”I lumtun ai që bjen
për atdhe, me gjakun e të pavdekshmit ndërtohet atdheu”.
Pas gjysmës së vitit
1945, me qëllim që të jep ndihmën e vet sa më të madhe për çlirimin e tokave
shqiptare, ai merr iniciativën që të formoi sa më shumë komitete ilegale me
qëllim të zhvillimit dhe përgatitjes organizative kundër rregullimit dhe
sistemi jugosllav dhe përgatitjen e popullit për të mos u nënshtrua nga bandat
jugosllave. Me ndihmën e Atit, në bazë të direktivave të tija, me anën e Marcel
Vuçajt u formua organizata e rrethit e Besës Kombëtare në Pejë, e cila kishte
për detyrë të riorganizohej dhe të udhëheqë me organizatën e rinisë, formoi dhe
udhëhoqi komitetet e fshatrave në grumbullimin e mallrave për t’iu dërgua
luftëtarëve në mal. Po ashtu bëri grumbullimin e armëve dhe përgatitjet për
kryengritje kundër sistemi jugosllav. Si mbas direktivave të tij dhe në bazë të
marrëveshjeve që ekzistonin më parë
ndërmjet tij dhe prof. Kolë Parubit, në Prizren u formua edhe Komiteti Qendror,
i cili kishte për qëllim bashkëpunimin e komiteteve të rrethit dhe
përgjithësisht udhëheqjen e të gjitha organizatave ilegale dhe bashkëpunimin e
grupeve të armatosura. Që kishin për qëllim ngritjen e popullit në luftë të
armatosur kundër rregullimit federativ të Jugosllavisë.
Procesi më i madh gjyqësor, dhe që zgjoi interesimin e masave të gjëra
shqiptare, pa dyshim është Procesi gjyqësor i At Bernard Llupit, Kolë Parubit,
Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumë të tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e
ngushtë të prof. Ymer Berishës. Procesi i lartpërmendur filloi me 29 qershor
1946 dhe përfundoi me 11 korrik po të njëjtit vit, që dot thotë se zgjati
gjithsej 13 ditë pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror publik i
këtij procesi, siç ishte bërë rregull si në çdo proces tjetër ishte Ali
Shukriu. Procesi u mbajt në Prizren. Para trupit gjykues, që e përbënin
kryetari i trupit gjykues- Dragutin Janjiq, gjyqtar porotë ishte Ismet Mulla
dhe Selajdin Ahmeti. Procesmbajtës ishte Branisllav Kijari. Mbrojtës të të
akuzuarve ishin Bozhidar Zuleviq dhe Hysamedin Ejupi, Jovo Poznanoviq dhe Urosh
Golluboviq me të vetmin avokat edhe ai ishte një rus i mbetur pas lufte këtu,
Vlladimir Znamenski nga Gjakova. Me 29 qershor, Prizreni i bukur kishte ditë
zie. Para trupit gjykues të okupuesit, në bankën e zezë u ulën 27 të akuzuar
shqiptarë. Ata akuzoheshin vetëm pse kishin dashur vendin e tyre, lirinë dhe
një Shqipëri Etnike.
Prof. Ymer Berisha, Marie Shllaku, Atë
Bernard Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini e shumë të tjerë, ishin atdhetar që
nuk i përkisnin vetëm një vendi apo krahine, dhe biografitë e tyre përzihen me
biografitë shpirtërore të një kohe të tërë, që zëri i tyre është pranë të
gjithëve. Robëruesit u munduan ta mbysnin zërin e tyre, gjakimin e tyre, donin
t’ia ngushtonin rrethin, dhe donin që t’i asgjësonin, duke i pushkatuar. Ata
mendonin se do t’i zhduknin duke bërë krimin më të madh më 24 nëntor 1946. Dhe një filozof (Pëtefi) me të drejt thotë “
Po që se duhet vdekur, le të vdesim më mirë Ne, se sa Atdheu ynë i shtrenjtë. E
këta kështu vepruan, për të mos vdekur kurrë as ata e as atdheu i tyre.