Speciale » Basha
Sabile Basha: Atdhetari i Madh i Kaçanikut - Avdyl Dura
E merkure, 23.08.2023, 09:18 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
ATDHETARI
I MADH I KAÇANIKUT- AVDYL DURA (1893-vritet 1949)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Patrioti
Avdyl Dura me shokë, për opinionin e gjerë shqiptar nuk është i panjohur.
Prandaj Avdyl Zejnullah Zenuni, apo siç njihej në popull me emrin Avdyl Dura,
që e kishte marr mbiemrin nga vetë fshati ku kishte lindur Duraj të Kaçanikut,
ishte i lindur më 1893, nga babai Zejnullah dhe nëna Hatixhe. Më 1926 populli i
kësaj ane, falë autoritetit që kishte e emëruan kryetar të komunës së Sllatinës
së Lepencit që në kuadrin e vet përfshinte 11 fshatra të kësaj ane. Shok e mik
të ngushtë Avdyl Dura, gjatë tërë jetës kishte patriotin e shquar të kësaj ane,
Ramë Bekën ( Ramadan Bektesh Vogliçin), i cili ishte i lindur me 1892 në
fshatin Gërlicë e Epërme e Kaçanikut. Bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtar tjetër
i patriotit ishte edhe Din Hoxha (Abedin Selman Krasniqi), i lindur më 1892, në
fshatin Kaçanik i Vjetër nga babai Selmani dhe nëna Mehreme e lindur Imishti të
Dubravës.
Avdyl
Dura lirshëm mund të thuhej se ishte një luftëtar i pa epur i kauzës kombëtare
që një jetë të tërë ia kushtoi luftës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Gjatë hulumtimeve të shumta që kam bërë në dokumentet e lëvizjes ilegale
shqiptare, atë, Avdyl Durën e hasim gati në të gjitha tubimet e saja, ku
merreshin qëndrimet e vendimet për luftë të mëtejshme ndaj okupuesve të rinj
dhe të vjetër të trojeve shqiptare. Ai me punën e angazhimin e tij i kishte
rënë në sy të gjithë okupatorëve të Kosovës. Një përndjekje të tillë pati si
gjatë luftës së Dytë Botërore nga Bullgarët, po ashtu edhe pas luftës (1945),
nga pushtetarët serbë të Ish-Jugosllavisë.
Në
shtator të vitit 1944, me iniciativën e Avdyl Durës u organizua dhe u mbajt një
tubim madhështor, ku u diskutua gjerësisht për ruajtjen e flamurit dhe për
mbrojtjen e trojeve etnike. Ky edhe ishte hapi i parë për organizimin e
vullnetarëve jo vetëm në Kaçanik e rrethin, por edhe në Anamoravë dhe fshatrave
për rreth të Kumanovës për të marrë pjesë vullnetarisht në Luftën e Karadakut
kundër forcave partizane, gjëja “nacionalçlirimtare”, të organizuar në Brigadën
e 16-të dhe të forcave antikomuniste shqiptare.
Pas
përfundimit të luftës dhe pas aneksimit të Kosovës Serbisë (Kuvendi i Prizrenit
më 1945), gjenocidi dhe reprezaljet ndaj popullatës shqiptare u intensifikuan
edhe më tepër. Dihej se, gjatë tërë kohës e në periudha të ndryshme, nga ana e
okupuesit në shënjestër ishin vazhdimisht familjet e njohura patriotike që
kishin organizuar dhe kishin bërë rezistencë të pa kompromis kundër tyre. Në
mesin e këtyre familjeve ishte familja shumë e njohur e Avdyl Durës me shok nga
Durajt e Kaçanikut.
Në
vitin 1945, Avdyl Dura vonë e kupton tradhtinë e komunistëve dhe nën ndikimin
dhe premtimin e disa komunistëve shqiptar niset për të çliruar tokat nga
fashizmi e pastaj do të luftojë për lirin e Kosovës, siç edhe ishte premtua nga
udhëheqësit komunist. Edhe pse më vonë e kishte kuptuar tradhtinë që i kishin
kurdisur, rrugë tjetër nuk kishte për tu larguar ngase, Brigadën e tij e kishin
caktuar që të shkonte për Vojvodinë. Me kthimin e tij nga Vojvodina, ai nga
disa shqipfolës arrestohet në korrik të vitit 1945. Pas presioneve dhe dhunës
që përdornin hetuesit ndaj grupit të Avdyl Durës, dhe me marrjen e informatës
se ata do të likuidoheshin, ata në fillim të nëntorit 1945, marrin vendim që të
arratiseshin nga burgu i Ferizajt. Andaj pas okupimit të Kosovës, Avdyl Durës
me shokë nuk i kishte ngelur tjetër veçse të kërkonte rrugë tjera ose të
arratisej në male ose të kërkonte ndonjë lidhje tjetër për të kalua kufirin për
Greqi e Shqipëri siç kishin veprua shumë patriot të tjerë. Qëllimi ishte që nga
andej të organizonin rezistencën dhe në rastin e parë më të përshtatshëm, në
mënyrë të organizuar të ktheheshin në vendin e tyre.
Ikja
e tij nga burgu ishte një dështim i madh i forcave të UDB-së, andaj pas një
viti ndjekjeje të kota, udbashët i arrestojnë, më 6 maj 1946, 26 anëtarë të
familjes, duke e kushtëzuar që të dorëzohej ai për lirimin e tyre. Është rast
unik në burgjet jugosllave, që një familje e tërë e përbërë prej 25 vetave, të
qëndrojë në burg pa kurrfarë gjykimi apo urdhërese nga organet kompetente për
36 muaj.
Pas
shumë përcjelljeve e ndjekjeve nga organet e UDB-së, dhe tradhtisë që pason
ndaj tyre, sipas autorit të monografisë për Avdyl Durën, Ramadan Asllani, Avdyl
Dura me shokun e jetës Ramë Bekën, likuidohen më 28 qershor 1949, tek Arat e
bijave dhe të Hanit të Ri nga ana e policisë dhe të udbashëve. Kufomat e tyre u
bartën në Ferizaj dhe u ekspozuan në qendër të qytetit duke krijuar frikë e
huti tek qytetarët e kësaj ane. Me likuidimin e këtyre patriotëve, mund të
themi se mori fund edhe faza më e ndritshme e kaçakëve të fundit të kësaj ane.
Me vrasjen e tyre në këto anë, nuk do të thotë se mori fund edhe terrori ndaj
popullatës së pafajshme shqiptare. Nga kjo datë, lirshëm mund të thuhej se
filloi një periudhë e ndjekjeve dhe e arrestimeve ndaj të gjithë atyre që dinin
diçka për ta, i kishin strehuar, përkrahur dhe mbajtur patriotët.