Speciale » Basha
Sabile Basha: Ajet Gërguri, atdhetari që luftoi për Shqipërinë Etnike
E hene, 21.08.2023, 09:00 PM
TI KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
AJET
FAZLI GËRGURI, ATDHETARI QË LUFTOI PËR SHQIPËRINË ETNIKE
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ajet
Gërguri ishte i biri i Fazliut dhe i Mihanes. Ishte i lindur më 1906 në fshatin
Dubovc, komuna e Prekazit të rrethit të Vushtrrisë. Ka qenë nëpunës në
Këshillin Popullor të Rrethit të Podujevës. Ishte anëtar i LNDSH-së, vepronte
në kuadrin e rrethit të Komitetit të NDSH-së, të Prishtinës dhe mbante lidhje
të rregullta me KQ të NDSH-së në Prizren. Ndërsa, si terren pune e aktiviteti
kishte territorin e Drenicës së Epërme.
Me
marrjen veshë se organet e OZN-es po e përcillnin dhe i kishin rënë në gjurmë
aktivitetit të tij, ai me një grup shokësh arratiset në mal. Nga atje filloi
një jetë e re për patriotin e madh Ajet Gurgurin. Prej maleve mbante lidhje të
ngushta me Adem Gllavicën dhe bënin koordinimin e punëve ndërmjet gueriles
shqiptare. Mirëpo pas qëndrimit të vështirësuar në male, Adem Gllavica së
bashku me Hysen Tërpezën dhe të tjerë vendosin që përkohësisht të largohen nga
Kosova dhe kalojnë në Greqi. Në Greqi, Adem Gllavica udhëhoqi organizatën Nr-1
të NDSH-es, ndërsa Ajet Gurguri që vepronte në Drenicë udhëhoqi organizatën
Nr-2 të NDSH-es dhe nga bashkëpunimi i ndërsjellë i këtyre dy organizatave,
Ajet Gurguri mbante lidhje të drejtpërdrejta me KQ të NDSH-se në Shkup. Sipas
direktivave që merrte nga lartë, Organizata Nr-2 ishte e angazhuar në formimin
e Komiteteve, të rretheve, vendeve, fshatrave e qyteteve në terren. Me
aktivitetin e kësaj organizate u formuan Komitetet e rretheve të NDSH-së si: në
Prishtinë, Drenicë, Vushtrri e vende të tjera. Komitetet e fshatrave të NDSH-së
u formuan në Komoran, Tërstenik Prilluzhë, Siçevë etj. Me direktivën e marrë
nga KQ i NDSH-së në Shkup, në bashkëpunim me Gjon Serreqin, Hilmi Zariqin, kanë
hartuar Programin dhe kanë bërë organizimin për mbajtjen e Kongresit të Pestë
të NDSH-së në Malet e Lipovicës (25 korrik 1946). Pas përfundimit me sukses të
punimeve të kongresit, Ajet Gurguri duke u kthyer nga kongresi bie në prit dhe
me 3 shkurt 1947, arrestohet dhe në procesin gjyqësor të Prishtinës me 22-27
prill 1947, akuzohej se në fillim të vitit 1945, si nëpunës i KPRr-së në
Podujevë, duke pasur qëndrim antiserbi dhe anti jugosllavi, kishte marr pjesë
në organizimin dhe ka formuar komitetin ilegal në rrethin e Prishtinës, i cili
ishte i ndërlidhur me Komitetin Nacional Demokratik Shqiptar në Prizren, duke e
marr si teren të aktivitetit të tij territorin e Drenicës së Epërme. Po ashtu,
me 23 korrik, 1945, kur informohet se
organet e ndjekjes jugosllave i kanë rënë në gjurmë veprimtarisë së tij
patriotike, ai është arratisur në malet e Drenicës dhe me këtë rast është bë
prijës i një grupi atdhetarësh dhe s bashku me ta ka vazhduar veprimtarin e tij
atdhetare deri më 3 shkurt 1947, kur edhe është zënë nga bandat kriminele
serbe. Gjatë kohës sa ishte në male me të madhe angazhohej në ndërlidhjen e
grupeve patriotike që ishin arratisur, për organizimin e tyre në baza
ushtarake, ka bërë sensibilizimin e fshatarëve kundër okupimit jugosllav dhe
kundër rendit shtetëror, ka punuar fortë për të njoftuar masat e gjera për
okupimin nga Serbia e Jugosllavia pa dashjen e popullit shqiptarë në Kosovë.
Në
muajin tetor 1945, para se të nisej Adem Gllavica për Greqi, Patrioti Ajet
Gërguri është marr vesh me të që të mbaj lidhje të përhershme me të dhe të
bashkëpunojë ngushtë me të. Sipas aktgjykimit thuhej se Adem Gllavica ka marrë
përsipër që në Greqi të organizojë organizatën nr. 1, të NDSH-së, kurse Ajet
Gërguri të formojë në Kosovë organizatën nr. 2. Të NDSH-es. Ndërlidhja ndërmjet
këtyre, sipas marrëveshjes, duhej të realizohej përmes Organizatës ilegale
patriotike Nacional Demokratike Shqiptare, me seli në Shkup. Me këtë, mbante
vazhdimisht lidhje, qoftë me shkrim, qoftë nëpër mes vizitave që i bënin
personalisht anëtarët e këtij komiteti, si: Kemal Skenderi dhe Hasan Bilallin.
Në këtë mënyrë mbahej lidhja dhe realizohej bashkëpunimi me Adem Gllavicën, por
edhe me patriot të tjerë të ikur në Greqi, të cilët vepronin për të organizuar
sulme ndaj Jugosllavisë.
MË
1946, sipas direktivave të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar në Shkup,
Ajet Gërguri, punonte në formimin e komiteteve ilegale patriotike në fshatrat e
rretheve të Drenicës, të Prishtinës dhe të Vushtrrisë. Në këto komitete
përfshiheshin individ e grupe për të cilët dihej se janë atdhetar të përbetuar
dhe do ta luftojnë okupatorin deri në çlirimin e tokave shqiptare. Në këtë
periudhë u formuan komitetet në Komoran, në Tërstenik, në Prilluzhë, në Siçevë
dhe në disa fshatra të tjera. Këto komitete kishin për qëllim që të ndihmojnë
patriotët që ishin në male me ushqim, me veshmbathje, ti strehojnë në vende të
sigurta anë e këndë Kosovës, të vëzhgojnë lëvizjet e ushtrisë dhe për këtë ti
informojnë patriotet që ishin në male, pastaj të informojnë popullatën se kjo
luftë shpejt do të përfundoj dhe këto komitete do të marrin pushtetin.
Po
ashtu, në marrëveshje me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup, si dhe në
bashkëpunim me patriotët Gjon Serreqin dhe Hilmi Zariqin, ata bënë përgatitje,
kanë hartuar programin dhe kanë ftuar luftëtaret e armatosur dhe simpatizantët
e tyre në Kongresin e Pestë të NDSH-es, i cili u mbajt me 25 korrik 1946 nën
udhëheqjen e tyre në malet e Lipovicës, Rrethi i Prishtinës. Ky kongres ka
pasur për qëllim të krijoj lidhje sa më të ngushta me të gjithë atdhetaret, ti
organizojë ushtarakisht, tua caktojë një udhëheqësi të përbërë ushtarakisht dhe
të pengoi shpartallimin eventual të grupeve çlirimtare, dhe këta luftëtar të
formojnë një fuqi ushtarake me emrin “Ushtria Nacional Demokratike Shqiptare”.
Gjykata
e Qarkut në Prishtinë, pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor publik në ditët 22-27
prill 1947, aktakuza kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të
gjykohen me dënime maksimale. Me 30 prill 1947 gjykata shpalli publikisht
Aktgjykimin me Nr. 66/47, duke i shqiptuar Ajet Gërgurit dhe tre shokëve të
idealit: Ukë Sadikun, Gjon Serreqin,
dhe Osman Bunjakun, dënimin me vdekje- pushkatim. Dënimin me vdekje e ka kryer
seksioni i punëve të brendshme pranë Këshillit Popullor të qytetit përmes
organeve të policisë popullore. Në ekzekutimin e dënimit me vdekje prezent
ishin:1. Udhëheqësi i seksionit të punëve të brendshme pran Këshillit Popullor
të qytetit, Hashim Mustafa. 2. Eprori i i seksionit të punëve të brendshme pran
KAKM -Glisho Sharanoviq, major, si i deleguar i Ministrisë së punëve të
Brendshme të Republikës Popullore të Serbisë. 3. Zëvendësi i prokurorit publik
për Kosmet Sadri Doqi; dhe 4. Mjeku i rrethit Dr. Vaso Jovanoviq. Ekzekutimi
është kryer saktësisht me 31 gusht 1947, në ora 3 të mëngjesit, pa pjesëmarrjen
e publikut në Tauk Bahqe- Prishtinë