E diele, 21.04.2024, 02:27 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Ukë Sadiku 'Dardan Iliri', trimi që nuk diti për frikën

E marte, 29.08.2023, 07:59 PM


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

UKË SADIKU “DARDAN ILIRI”, TRIMI QË NUK DITI PËR FRIKËN

(1903- u pushkatua më 31 gusht 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari i madh Ukë Sadiku u lind më 1903 në fshatin Gjurgjevik i Madh, Rrethi i Rahovecit. Ishte i biri i Sadikut dhe nënës Fadile. Shkollën fillore e kishte të mbaruar në Shkodër. Për shkak të pjesëmarrjes aktive në luftën e armatosur kundër pushtuesëve serb, babai i tij me familje më 1919 shpërngulet për në Shqipëri. Aty kryesisht ishin marr me bujqësi. Në vitin 1929, Ukë Sadiku ishte emëruar për sekretar të komunës në Krujë të rrethit të Durrësit. Pastaj më 1933, emërohet sekretar i komunës në Kryevidh të rrethit të Kavajës, ku qëndrojnë deri më 1939. Me ardhjen e italianëve në Shqipëri, atë e përjashtojnë nga puna për shkaqe politike. Në prill të vitit 1941 kthehet në Kosovë dhe emërohet kryetar komune në Dollc të Klinës, e më pas nënprefekt në Rahovec e më pas arratiset në male. Ishte i martuar me Fatime Shabanin nga fshati Mrasor. Kishte 7 fëmijë. I pa dënuar. Sa ishte në ilegalitet mbante pseudonimin “Dardan Iliri”. Ndërsa organet e ndjekjes e arrestuan më  21 shkurt 1947.

Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945, dhe pas ngritjes së kufirit ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështja e Kosovës dhe e trojeve tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbeten të pazgjidhura. Në Kuvendin e Prizrenit, (8-10 korrik 1945), Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945, çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur. Pavarësisht se gjatë LANÇ-it ishin marrë shumë vendime, dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit shumicë, ato, jo vetëm që nuk u respektuan, por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën kërkesa e vendime armiqësore, kurse njerëzit, që i përpiluan apo i përkrahën ato, u quajtën armiq të popullit, të cilët si të tillë u ndoqën dhe u persekutuan. Duke e parë tradhtinë e madhe  që ndodhi në Kuvendin e Prizrenit, forcat atdhetare shqiptare u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin  e forcave demokratike në vendet perëndimore. Atdhetarët shqiptarë duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre. Në këto momente kritike të historisë, atdhetarët shqiptarë ende zotëronin një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta  po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën. Pas formimit të Komitetit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës më 1 dhjetor 1944, lindi ideja që në Kosovë, dhe në të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi të formohen organizatat dhe grupet më të vogla të rezistencës shqiptare. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste  siç ishin:  “LNDSH”, “Besa Kombëtare”, “Organizata nr. 2” dhe “Këshilli i të Dymbëdhjetave”, me atdhetarin e shquar në krye Ukë Sadikun, e disa të tjera më pak të njohura. Gjatë kësaj kohe, u shtrua nevoja  e ngutshme  dhe, e domosdoshme që krerët e lëvizjes  të vepronin në ilegalitet të thellë. Kjo do të thoshte që duhej të bëhej një organizim tjetër, të cilën e impononte rrjedha e ngjarjeve, nga ai i mëparshmi. Gjatë kësaj periudhe, u formuan, vepruan dhe njëherë u zbuluan shumë patriot të shquar. Shumë veta u pushkatuan dhe shumë të tjerë u dënuan me shumë vite burgu. Kështu  me 15-16 gusht të vitit 1945, Adem Gllavica si komandant i Shtabit Suprem të Kosovës mori qëndrim që t’i ftojë krerët e rezistencës shqiptare, dhe përfaqësuesit e të gjitha organizatave  të NDSH-së. Tubimi u mbajt në Kopilaçë, me 15-16 gusht, vend ndërmjet Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit. Në këtë takim kishin ardhur krerët kryesor të forcave nacionaliste si: Hysen Terpeza, Adem Gllavica, Ibrahim Haki- Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi, Dinë Hoxha, Qazim Llugaxhiu, Sylë Hotla etj. Po ashtu në këtë tubim merrnin pjesë edhe shumë anëtar të LNDSH-së si: Qemal Ali Skenderi, Mexhid Haki –Zyberi, Xhemail Bllaca etj, që përfaqësonin KQ të NDSH-së  në Shkup. Në këto rrethana momenti historike shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha grupeve ilegale, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse  ishte caktua vendi (fshati Dobërdol) dhe data e mbajtjes (muaji gusht). Prof. Ymer Berisha në bisedë me Ukë Sadikun, situatën politike në atë anë e vlerësuan si të mirë. Andaj Kuvendi i Dobërdolit u mbajt me 24 gusht 1945, këtë të dhënë në hetuesi e dëshmon edhe vetë Ukë Sadiku. Me këtë datë kishte filluar tubimi i madh i ilegales shqiptare, në malet e Martin Pjetrit të fshatit Dobërdol. Në të morën pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit nga Rozhaja dhe Pazari Ri, gjithsej 158 veta. Në mënyrë solemne Kuvendin e kishte hapur Ukë Sadiku, Ai i kishte përshëndet të pranishmit dhe kishte prezantuar Prof. Ymer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues të organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike fletë vet profesori. Kuvendi kishte zgjatë dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte shkodrania trime Marie Shllaku. Në mes tjerash në këtë kuvend u mor edhe vendimi që të formohej organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare” e cila do të udhëhiqej nga kryesia e përbërë prej 12 vetave. Kuvendi kishte zgjedhur Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa prof. Ymer Berishën ishte caktuar udhëheqës i sektorit politik. Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte garanci se grupet do të veprojnë: unanimisht si mbas direktivave të udhëheqjes qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve  ushtarakë edhe udhëheqësit politik. Meqenëse Kosova e Dukagjini u ndan në 12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politik për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12 këshilltarët”

Më 9 shtator 1945, organet e OZN-ës në bashkëpunim me ushtrinë jugosllave sulmojnë pjesën më vitale të organizatës, në fshatin Jashanicë, prej nga sulmi bartet në Siçevë dhe në Drenicë. Lufta e Qelisë kishte ndodhur me 12 shtator 1945, në mes të luftëtarëve të Çetës së Ukë Sadikut, të cilëve iu printe i vëllai Shaban Sadiku dhe Brigadës III Bokele të Kotorrit nga Mali i Zi. Për të gjitha këto që ndodhnin në Kosovë ishin të njoftuar Mithat Frashëri dhe Muharrem Bajraktari. Ishte krejt e natyrshme, që në fillim të shtatorit  1945, nga këta të vijë një kërkesë për kalimin e forcave të rezistencës për në Greqi. Për këtë ekziston edhe një e dhënë tjetër e cila dëshmon se Ukë Sadiku me luftëtarët e vet më të ngushtë, po në këtë kohë kishte pas një takim me Muharrem Bajraktarin, ku shtruar kishte biseduar për largimin e tyre nga Kosova. Kuptohet, këtë planë nuk e kishte pranua Ukë Sadiku, por ishte pajtuar se lidhur me të do të merren mendimet edhe të krerëve të tjerë në Kuvendin e Mirditës, të 10-11 shtatorit 1945. Ndaj kësaj kërkese, reaguan  shumë personalitete të nacionalizmës, por ndaj saj reagoi edhe KQ i NDSH-së në Shkup. Në bazë të aktvendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Ukë Sadiku akuzohej se prej 27 tetor 1943 e deri më 15 nëntor 1944 ishte nënprefekt në Rahovec, në të cilin post ka ardhur si bashkëpunëtor i dalluar i ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme në Tiranë dhe të Xhafer Devës, ka marr pjesë në luftën kundër partizanëve në Çakorr, në Mal të Zi, në Kollashin, në Mitrovicë dhe në Lumë. Me rastin e aksionit në Lumë, në vitin 1944 edhe vet ka komanduar me një batalion të përbërë prej 400 ushtarësh. Ka bërë rezistencë të madhe si komandant i Sektorit Ura e Shejtë-Prizren etj. Në fund të janarit 1945, së bashku me Shaban Polluzhën ka marrë pjesë në përgatitjen dhe udhëheqjen e aksioneve të armatosura në Drenicë, në të cilën luftë për disa ditë janë vrarë shumë luftëtarë të ushtrisë jugosllave. Me qëllim që të vazhdoi punën e tij patriotike, u arratis menjëherë pas okupimit të Kosovës, në nëntor të vitit 1844, duke u bërë në fillim prijës i një grupi të arratisur, e pastaj Komandant i shumë grupeve të lidhura në mes vete. Në këtë cilësi mbeti deri në kohën kur u arrestua, më 21 shkurt 1947.

Në procesin Gjyqësor të Prishtinës që u mbajt me 22-27 prill 1947, me numër rendor  P.nr.66/47, Ukë Sadikut s bashku me Ajet Gërgurin, Gjon Serreqin, Hilmi Zariqin dhe Osman Bunjakun iu shqiptohet dënimi me vdekje- pushkatim dhe me humbjen e përhershme të të drejtave politike dhe individuale, të disa të drejtave qytetare, përveç atyre familjare. Ekzekutimi i dënimit u krye me 31 gusht 1947, në orën 3 të mëngjesit në Tauk bahqe në Prishtinë.



(Vota: 135 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora