Speciale » Basha
Sabile Basha: Gjergj Martini – Shkodrani që u flijua për Kosovën
E marte, 12.09.2023, 08:00 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
GJERGJ
MARTINI- SHKODRANI QË U FLIJUA PËR KOSOVËN
(1917-
u pushkatua më 24.XI. 1946)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Mësuesi
atdhetar, Gjergj Martini u lind më 29 gusht 1917 në Hot të Shkodrës. Baba
kishte Martinin dhe nënën Pashkë. Qysh herët mbeti jetim, për të u kujdesën
kushërinjtë e tij. U shkollua në Shkodër, në të cilën e kishte dërgua
famullitari i fshatit. Gjergj Martini kishte kryer gjimnazin e ulët, për të
vazhduar më vonë Normalen e Elbasanit dhe pas përfundimit të normales, ai punoi
si mësues , së pari në Vlorë, pastaj në Shkodër e Kukës. Gjatë kohës sa punonte
si mësues në Vlorë, njihej me një vajzë të bukur, e quajtur Zografe. Zografja
gjithashtu ishte mësuese dhe punonin s’bashku në të njëjtën shkollë. Në
Zografen, Gjergji do të gjej shpirtin e vet binjak dhe pas një kohe ata
martohen. Zografja, për kohën, ishte një intelektuale, e cila lexonte shumë dhe
fliste disa gjuhë të huaja. Ajo, në Tiranë kishte përfunduar gjimnazin, ndërsa
në Shkodër kishte kryer me sukses të shkëlqyeshëm shkollën “Academia d’Italia”.
Pas
kapitullimit të Jugosllavisë, më 1941, Kosova bashkohej me shtetin shqiptarë.
Andaj Ministria e Arsimit e shtetit shqiptar kishte marr vendimin që në Kosovë
të dërgonte mbi 300 mësues e arsimtar për të hap shkolla shqipe në tërë
territorin e Kosovës. Sikurse edhe miqtë e tij, Gjergj Martini ishte ndër të
parët që paraqitet vullnetarisht s bashku me të shoqen që të vijnë në Kosovë,
për tu inkuadruar në sistemin arsimor. Ata ishin të betuar që të punonin për të
mirën e saj, dhe deri në frymën e fundit të jetës të angazhohen për lirinë saj.
Në fillim, s’bashku me gruan fillojnë të punojnë si mësues së pari në
Mitrovicë, pastaj në Gjakovë, në Prizren, në Prishtinë e përsëri kthehej për të
vazhduar në Gjakovë. Në fillimin e vitit 1945, i ndodhë një tragjedi e madhe,
nga tifoja i vdes bashkëshortja- Zografja, shoqja e jetës, duke i lënë vajzën e
tyre të vogël. Zografja kishte vetëm 25 vjet. Dhembja ishte tepër e madhe për
Gjergjin e ri.
Pas
një kohe martohej për herën e dytë, me një grua që quhej Lina Shkreli, dhe Lina llogaritej se ishte njëra ndër
mësueset e para në Kosovë. Lina Shkreli, Gjergjin e përshkruan si njeri të
gjithanshëm. Në kujtimet e saja, ai duket kësisoj: “Gjergji jashtëzakonisht
shumë e donte muzikën, teatrin, sportin, bile ai e kishte shkruar edhe një
dramë që e quajti “Kosovarja” dhe e kishte vu në skenën e Teatrit të Gjakovës.
Këndonte bukur”. Duke e parë punën e madhe që bënte Gjergj, ajo shton se, “atë
e caktojnë drejtor të shkollës në Gjakovë. Drejtor e kishin emërua edhe në
Prizren dhe përsëri edhe në Gjakovë”. Gjatë kohës së shkurtër martesore, Lina
do të mbetet shtatzëne, mu në kohën kur do të arrestohej Gjergji. Ajo lindi një
djalë , deri sa Gjergji ndodhej para gjykatësve në Prizren. Djalin e pagëzoi me
emrin Anton, ngase kështu kishte dëshirua Gjergji. Edhe Antoni, kishte pasur
fatin e njëjtë si të babait, vdiq në moshën 20 vjeçare.
Gjergj
Martini duke e parë se Kosova përsëri u okupua, pa hamendje ai iu bashkua
Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, në të cilën dha një kontribut të
jashtëzakonshëm si në aspektin intelektual edhe në atë patriotik. Angazhimi i
tij kryesor ishte në formimin e Komitetit Qendror të Rinisë të LNDSH.
Angazhim të madh zhvilloi në formonin e
komiteteve të rretheve, qyteteve e fshatrave anë e kënd Kosovës. Qëllimi ishte,
që nëpër mes tyre të bëhet sensibilizimi i popullatës për situatën e krijuar
dhe për çdo rast të fillohej me përgatitjet për një kryengritje të armatosur
kundër pushtetit jugosllav, dhe të punohej për bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë. Po ashtu, të fillohej me grumbullimin e ndihmave për grupet e
atdhetarëve që ishin në male.
Organizimin
e Komitetit Qendror e kishin bërë në këtë mënyrë: Kryetar komiteti ishte caktua
Hajdar Pllaneja. Ndërsa, për sektorin propagandistik ishte caktua Kolë Parubi;
për sektorin e informimit ishte caktua që ta udhëheqë Gjergj Martini; sektorin
e armatimit- Enver Sudi; dhe sektorin e shëndetësisë ishte caktua Marsel Vuçaj.
Ata nën direktivat e prof. Ymer Berishës, mbanin takime të rregullta dhe
merrnin vendime për punët që i pritnin. Aktiviteti i tyre nuk zgjati shumë.
Veprimtaria e tyre shpejt u zbulua. Gjergj Martini u arrestua s bashku me at
Bernard Llupin, Marie Shllakun, Kolë Parubin etj. Gjatë burgut në hetuesi,
Gjergji u mor në pyetje pesë herë. Ai haptas iu tha hetuesve se ishte i
pakënaqur me sistemin komunist andaj edhe ishte angazhua në Lëvizjen Nacional
Demokratike Shqiptare. E pranoi se kishte bashkëpunua me Kolë Parubin, Hajdar
Planejen etj. Kishte marr pjesë në grumbullimin e armatimit, ngase ishin
përgatitur për tu mbrojtur nga hordhitë çetnike e partizane dhe me çdo kusht të
bënin bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet.
Procesi
më i madh gjyqësor, dhe që zgjoi interesimin e masave të gjëra shqiptare, pa
dyshim ishte Procesi gjyqësor i At Bernard Llupit, Kolë Parubit, Gjergj
Martinit, Marie Shllakut e shumë të tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e ngushtë
të prof. Ymer Berishës. Procesi i lartpërmendur filloi me 29 qershor 1946 dhe
përfundoi me 11 korrik po të njëjtit vit, që dot thotë se zgjati gjithsej 13
ditë pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror publik i këtij
procesi, siç ishte bërë rregull si në çdo proces tjetër ishte Ali Shukriu.
Procesi u mbajt në Prizren. Para trupit gjykues, që e përbënin kryetari i
trupit gjykues- Dragutin Janjiq, gjyqtar porotë ishte Ismet Mulla dhe Selajdin
Ahmeti. Procesmbajtës ishte Branisllav Kijari. Mbrojtës të të akuzuarve ishin
Bozhidar Zuleviq dhe Hysamedin Ejupi, Jovo Poznanoviq dhe Urosh Golluboviq me
të vetmin avokat edhe ai ishte një rus i mbetur pas lufte këtu, Vlladimir
Znamenski nga Gjakova.
Me
29 qershor, Prizreni i bukur kishte ditë zie. Para trupit gjykues të okupuesit,
në bankën e zezë u ulën 27 të akuzuar shqiptarë. Ata akuzoheshin ve vetëm pse
kishin dashur vendin e tyre, lirinë dhe një Shqipëri Etnike.
Dënimin
me vdekje e kreu seksioni i Punëve të Brendshme, pran Këshillit Popullor, përmes
organeve të policisë më 24 nëntor 1946, në Prizrenin e heronjve. Në ekzekutim
ishin prezent: 1. Udhëheqësi i Seksionit të Punëve të Brendshme pranë Këshillit
Popullor të vendit në Prizren Njazi Maloku; 2.Udhëheqësi i S,P.B. pranë
Këshillit Popullor të Krahinës Autonome të Kosovës, delegat i emëruar nga
M.P.B. të R.P. të Serbisë- Gligorije Sharanoviq; 3. Ndihmësi i Prokurorit
publik për Kosovë- Sadri Doqi; 4. Mjeku i rrethit- Luciano Matroni. Pushkatimi
është kryer saktësisht në ora 6 e 30 minuta në mëngjes, pa prani të publikut.