Speciale » Basha
Sabile Basha: Fetije Kelmendi-Dragusha - Heroina që luftoi pa u trembur për Bashkimin Kombëtar
E merkure, 04.10.2023, 09:23 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
FETIJE
KELMENDI-DRAGUSHA-HEROINA QË LUFTOI PA U TREMBUR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR
(1926-
e theren me thika më 1947)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Fetije
Kelmendi-Dragusha, ishte e lindur në fshatin Ribar i Vogël, komuna e Lipjanit,
nga babi Qazim dhe nëna Gjyzide Kelmendi. Në të dhënat biografike që i kam
hasur ( e që janë të pakta, sa i përket atdhetares Fetije Kelmendi). Familja
Kelmendi ishte një familje me tradita atdhetare. Dhe ishte absurde të mos binte
në sy të okupuesve. Andaj pushtetarët ndaj familjeve dhe individëve të tillë
ishte e pamundur që të mos merrte masa të jashtëzakonshme presioni. Një gjë e
tillë ndodhi edhe ndaj familjes ku ishte martuar vajza krenare e Kelmendëve.
Prindërit
e saj duke e parë se sa e zgjuar ishte Fetija, ata vendosin që ta dërgojnë në
shkollë. Edhe pse në atë kohë, shkollimi i femrës ishte herezi, ata e dërgojnë
në një fshat tjetër që të kryente atë. Në fshatin Rufcë e përfundoi shkollën me
sukses të shkëlqyeshëm. Si e vogël ishte fëmijë i zgjuar dhe e hareshme, por
kjo lumturi fëmijërore nuk i zgjati shumë, ngase i vdes nëna, dhe mu nga ky
moment, fillon jeta kur Fetija e kupton se çfarë do të thotë të humbësh më të
dashurit tuaj. Babai i saj pas një kohe martohej me Zepën, që njëherë veç që
ishte gruaja e babait, ajo u mundua që të jetë edhe nënë e dytë e Fetijes. Ajo
e donte njerkën dhe ishin shumë të afërta në mes veti. I besonte shumëçka dhe u
këshillonte me të, por, megjithatë nënën askush nuk mund të zëvendësonte për
të. Me rriten e saj ajo dallonte nga moshataret e saja. Bëhej më e kujdesshme,
më e pjekur, më trime dhe më e bukur. Kishte një bukuri të rrallë mahnitëse të femrës
shqiptare. E gjatë si lis, fytyrë të mprehtë e inteligjente, flokët korb të
zeza dhe si mal i dendur. Fliste qetë dhe kishte një sjellje të urtë që të
ofronte qetësi dhe në të njëjtën kohë siguri. Për të afërmit sakrifikonte shumë
dhe ishte e gatshme të ndihmonte çdokënd. Robërinë, luftërat dhe skamjen nuk i
duronte dot. Andaj filloi të mendoj nga të gjitha këto ndeshtrasha për të
afërmit dhe popullin e saj në përgjithësi. Mendonte se gjithsesi se duhet të
ketë zgjidhje për të gjitha këto. Dhe e gjeti zgjidhjen, duhet luftuar dhe
çliruar nga okupuesi që kishte marr me dhunë trojet shqiptare.
Fetije
Kelmendi u martua e re, thuhej se i kishte 18 vjet dhe thuhej se fisnikëria,
virtytet dhe trimëria e saj erdhën, dhe u bënë më të shprehura, kur u martua me
trimin e njohur Ismail Dragushën. Në martës ishte e lumtur dhe bisedat e
gjata me burrin e binden se çlirimi, liria dhe jeta e mirëqenë vijnë vetëm po
qese e dëbojnë okupuesin që iu kishte marr çdo gjë, e mbi të gjitha iu kishte
rrëmbyer lirin që nuk e kishin. Pas njohurive që mori nga burri për ri okupimin
e Kosovës, ajo e ndjente veten ngushtë, diçka e ngufaste, andaj bashkë me të,
kapi pushkën dhe doli maleve për të luftuar për çdo pëllëmbë të Kosovës. Ajo e
donte mbi të gjitha lirin dhe çlirimin e tokave shqiptare. U betua se do e
largoi okupuesin edhe me çmimin e jetës. Ismail Dragusha ishte anëtar i
organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, andaj edhe pritej që edhe Fetija të
jetë pjesë e saj. Shpejt u anëtarësua dhe ishte aktive duke punuar fortë në
organizatë e NDASH-së.
Duhet
theksuar se një kaptin të veçantë në historinë e popullit shqiptarë pa dyshim
zënë edhe gratë. Ajo, asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë, që i ndodhën
gjatë historisë. Jo vetëm që nuk u pajtua me të, por lirisht mund të thuhet se
ishte pjesëmarrëse aktive në të gjitha lëvizjet dhe organizimet, që u ndërmorën
për daljen nga robëria shekullore, që populli shqiptar me sakrifica të mëdha
pagoi çdo gjakim të lirisë. Në mesin e këtyre grave zëntë vend meritor edhe
Fetija e jonë. Ajo me dashurin që kishte për lirinë, gjeti mënyra dhe mundësi
për tu aktivizuar në të gjitha format e rezistencës që u ndërmorën për lirinë e
popullit, herë në mënyrë direkt, e herë në prapavijë, ajo me një dinjitet të
lartë ishte aty, ku ishin burrat dhe ku vendosej për fatet e mprehta të vendit.
Më
1945 Kosova dhe viset e tjera shqiptare përreth pa vullnetin e tyre mbetën nën
kthetrat e sllavëve. Mu nga kjo kohë filloi edhe një aktivitet i dendur për
ruajtjen e unitetit kombëtar. Në moshën 20 vjeçare ajo u anëtarësua në radhët e
ONDSH-së. Gjatë kësaj periudhe ajo nuk deshi të jetë vetëm vështruese
indiferente e ngjarjeve që ndodhnin në vend. Me aftësitë që kishte mori pjesë
drejtpërdrejt në aksione që organizonte ilegalja shqiptare. E dinte se
aktiviteti i saj në organizatën ilegale shqiptare kishte synim kryesor çlirimin
dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet-Shqipëri. Shumë gra nga OZN-a e
UDB-eja u zbuluan dhe u pushkatuan, e disa vepruan me stoicizëm në ilegalitet
dhe duke iu ndihmuar shokëve ilegalistë.
Vlen
të përmendim se edhe porosia e profesor Ymer Berishës, (patriot i shquar dhe
ideolog i Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Kosovë) dhe e krerëve tjerë të
Lëvizjes kombëtare ishte dhe kërkonin me këmbëngulje që në radhët e NDSH-së të
angazhohen dhe të përfshihen sa më shumë gra. Dhe si detyrë primare shtrohej që
ato të angazhohen në bartjen e postës, në mbledhjen e ndihmave, në shpërndarjen
e tyre, në shpërndarjen e afisheve në qytet, në grumbullimin e materialit
sanitar, në vizitat e shumta që do t’u bëhen familjeve të anëtarëve që ishin të
arratisur në male, që ishin të pushkatuar etj. Gruaja shqiptare rol të veçantë
luajti në aspektin e propagandës, duke iu dhënë zemër grave të tjera se liria
është afër dhe shumë shpejt do ta gëzojmë atë.
Pas
vitit 1945, Gruaja shqiptare ishte po ajo grua e Rilindjes Kombëtare, vetëm ca
më e avancuar në kuptimin e ngritjes arsimore. Ajo nuk mundi të qëndronte
duarkryq duke i parë sulmet e një pas njëshme dhe masakrat e shumta, që
ndodhnin ndaj popullsisë shqiptare. U angazhua duke treguar trimëri të rrallë
në organizatat nacionaliste dhe luftoi me këmbëngulje për realizimin e
qëllimeve më të larta kombëtare.
Numri
i tyre, që dolën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe lirin aq shumë të pritur
ishte i madh. Vepruan ato, në mënyrë të organizuar, por edhe aty ku e lypte
nevoja. Me formimin e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, në kuadrin e
saj, në komitete komunale të NDSH-es, si formë organizimi, u aplikuan edhe
komitetet e grave të NDSH-së, që vepronin kryesisht me gra, ndonëse ato
vepronin edhe në forma të tjera, ngase në disa pjesë të Kosovës organizimi i
tyre nuk ishte edhe aq i mundshëm.
Sipas
shumë shënimeve që kemi, në shumë pjesë të Kosovës nuk kishte ndonjë organizim
të veçantë të grave. Por, duke hulumtuar në terren, del se gratë e këtyre
anëve, ku mungonte organizimi, më tepër vepronin në kuadër të NDSH-së, por
aktiviteti më i madh i tyre vije në shprehje në prapaskenat e veprimtarisë së
NDSH-së, duke iu ndihmuar burrave në mënyra të ndryshme.
Situata
e krijuar si brenda ashtu edhe jashtë kufijve ndikoi që organizata e NDSH-së të
mbante tri kongrese partiake brenda një viti. Kongresi V, u thirr të mbahet më
25 korrik 1946 në malet e Lipovicës (Blinajë), në Drenicë, por për të humbur
gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç.
Kjo taktikë nga ana e udhëheqësve të
ONDSH-së u tregua e suksesshme, sepse kongresi u mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në
kongres merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte më masivi në historinë e
NDSH-së. Në kongresin e pestë kishte
marr pjesë edhe Ismail Dragusha, andaj do të
ishte krejt e natyrshme dhe e drejtë se në kongres ka marr pjesë edhe
Fetija trime, ngase ajo ishte e pandarë nga burri. Gjatë zhvillimeve të
punimeve do të vijnë në kundërthënie dy rryma politike, të cilat artikulonin
mënyrat specifike të luftës. Rryma e parë përfaqësohej nga Osman Bunjaku, i
cili konsideronte se atdhetar është ai luftëtar që nuk e lëshon Kosovën, dhe
këtu zhvillon luftën; ndërsa rrymën e dytë e përfaqësonte Ajet Gurguri i cili
konsideronte se në vitet e pasluftës nuk kishte kushte për të zhvilluar luftën
në atdhe, prandaj duhet përgatitur për luftë nga jashtë dhe më përkrahjen e
forcave demokratike në mënyrë të organizuar të kthehen në atdhe për të vazhduar
rezistencën aktive.
Fetija
bashkë me burrin ishte në grupin e Ajert Gërgurit dhe Gjon Serreqit. Ismail
Dragusha ishte komisar, dhe në rrugën për largim nga Kosova për Greqi, UDB-eja
i përcillte hap pas hapi dhe kishte njohuri të mjaftueshme se kah do të shkonin
luftëtaret. Më 1946, në muajin gusht, forcat e mëdha jugosllave i zunë pritën.
Në Bilushë, afër Hoqës së qytetit të Prizrenit bënë rezistencë duke luftuar me
udbashët. Aty u zhvillua një luftë e madhe, ku u vranë shumë atdhetar por edhe
nga ana jugosllave mbetën shumë të vrarë. Këtu Fetija tregoi heroizëm të paparë
duke luftuar bashkë me burra. Duhet përmendur se në të gjitha këto rrugëtime
Fetija ishte shtatzënë dhe më vonë kishte lindur, por kjo gjendje e krijuar
edhe më tepër i epte kurajë për të qëndruar dhe luftuar për vendin e vet.
Pas
kësaj, grupet e rezistencës shpartallohen dhe Ismail Dragusha bashkë me gruan
Fetije, gjatë vitit 1946/47 strehohen në Krojmir në shtëpinë e Xhemë Islamit.
Aty, te kjo familje kishin besim dhe ndjeheshin të sigurt. Ata ishin informua
se UDB-eja i përcillte, andaj ishin të detyruar që të ndërronin kohë pas kohe
vendstrehimin e tyre. Në fund ishin strehuar në një plevicë të lagjes Tërpeza,
të Ribarit të Madh. Familjen atdhetare tre anëtarësh e zënë në gjumë: Udbashët
e çartur Ismail e Fetije Dragushën dhe fëmijën e tyre që nuk kishte më shumë se
gjashtë muaj i therin me thika e bajoneta, më 1947, duke i mbytur dhe varrosur
në një vend afër fshatit, “Te lisat”, në dalje të Ribarit të Madh, duke i humbur
çdo gjurmë. Lavdi trimes shqiptare Fetije Kelmendit- Dragushës.