E diele, 10.11.2024, 08:34 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Ndue Përlleshi - Deri në vdekje në mbrojtje të tokave shqiptare

E hene, 18.09.2023, 07:00 PM


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

NDUE PËRLLESHI- DERI NË VDEKJE NË MBROJTJE TË TOKAVE SHQIPTARE

(1908- u likuidua më 1949)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Lagjes së madhe të atdhetarëve pa dyshim, se i takon edhe atdhetari i madh Ndue Përlleshi. Ndue Perlleshi ishte i lindur më 1908 në fshatin Paskalicë, në Lug të Drinit, nga babai Gjon dhe nëna Prenë, e lindur Krasniqi në Nepolje. Ishte fëmija i dytë në familje të ngushtë. Qysh në fëmijëri vërehej se ishte fëmijë i shkathët, i zgjuar, dinamik dhe shumë i afërt me fëmijët dhe shokët në shkollë. Thonë se alfabetin e gjuhës shqipe e kishte mësuar para se të fillonte shkollën.  Ndërsa u shkollua në Zllakuqan, në shkollën e kishës që ishte hapur më 1879 nga at Shtjefan Gjeçovi. Pas një rrite të shpejt, Ndou i vogël lëshoi shtat andaj, shpejt hyri në odën e burrave, aty ku flitej për fatin e kombit dhe të atdheu. Ndue si i ri, filloi të merrej me situatën politike në vend. Që nga viti 1939, kur Shqipëria u okupua nga Italia fashiste, dhe për herë të parë u hap kufiri shqiptar Kosovë-Shqipëri, nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë dr. Mark Gjonmarku, Ndue Përlleshi, u emërua kryetar i Komunës në Rogovë të Hasit, (ku qëndroi 18 muaj), që ndodhej në vijën kufitare Kosovë-Shqipëri, ai pati mundësi që të njihej me shumë personalitete të kohës, si me : Xhafer Devën, Muharrem Bajraktarin, Abaz Kupin, Mark Gjon Markun, vëllezërit Kolë e Pashuk Bibën etj. Pastaj u emërua kryetar në komunën e Becit të Gjakovës. Më vonë u emërua kryetar në komunën e Budisalcit, edhe këtu qëndroi vetëm 4 muaj, nga korriku 1944 e deri në mbarim të nëntorit të vitit 1944 kur doli në mal.

Qëndresa e popullit shqiptar nuk është e njohur vetëm në dekadat e fundit të shekullit XX. Mirëpo, ndër sfidat më të mëdha ishte viti l945 dhe periudha që pason. Ishte koha kur shqiptarët, pa dëshirën e tyre, mbetën në kuadër të Serbisë e të ish-Jugosllavisë. Nuk ishte hera e parë që shqiptarëve iu mohua një e drejtë e ligjshme e tyre, por ky do të jetë mashtrimi më i madh që komunistët jugosllavë ua bënë shqiptarëve. Andaj, rezistenca ishte fati ynë historik.

Në këto rrethana të krijuara, momenti historik shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha këtyre grupeve-lëvizjeve, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse u caktua vendi- fshati Dobërdol, dhe data e mbajtjes 4-5 gusht 1945.

Sipas vlerësimeve që vinin nga tereni, situata për mbajtjen e Kuvendit të Dobërdolit ishte e volitshme. Në bisedë me Ukë Sadikun, prof. Ymer Berisha takimin ndërmjet krerëve  të ilegales e kishte caktuar për muajin gusht të vitit 1945, në fshatin Dobërdol, në malet e Martin Pjetrit. Më 24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales. Në të merrnin pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit prej Roxhaje dhe Pazarit të Ri gjithsejtë 158 veta.

Aty u takuan udhëheqësit siç ishin : Ukë Sadiku, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gjin Doda, Zeqë Sokoli,Qazim Bajraktari, Shaban Sadik- Rama, Sadik Lutani, Alush Smajli, Ferat Kotorri , Adem Shala, Njazi Alishani, Zhukë Haxhia, Islam Tabaku, Rexhë Xhela, Mulla Ilazi, Biko Dresheviq ( i cili me vete kishte sjell edhe katër të arratisur nga Sanxhaku ), dhe shu Në mënyrë solemne Kuvendin e hapi Ukë Sadiku. Ai i përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi prof. Ymer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues i organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike foli vetë profesori. Ai tha para të pranishmëve se “Situata politike është shumë e rëndë dhe me ndihmën e aleatëve priten ndryshime të mëdha, por theksoi se , ne duhet të jemi të gatshëm që në momentin e duhur të marrim pushtetin”. U kërkua që edhe në terren të bëjmë mobilizimin e duhur të masave, dhe të jenë të gatshëm për aksione konkrete. Kuvendi i Dobërdoli zgjati dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte Marie Shllaku, shkodrane. Gjatë tërë kohës tubimi ishte i siguruar shumë mirë, sepse e ruanin luftëtarë të spikatur, njëherit edhe tërë fshati bënte roje, por dalloheshin Smajl Hajdari, Halil Sadria, Zef Përlleshi, Martin Pjetri dhe luftëtar të tjerë të Ukë Sadikut dhe Ndue Përlleshit[8]. Kuvendi pasi zgjodhi udhëheqësit ushtarak, mori vendim që të sulmohen njësitë e “UNÇ” në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, ku ishin inkorporuar forcat çetnike pas rehabilitimit të tyre. Kjo luftë ishte një goditje e rëndë për armikun. Në këtë kuvend u mor edhe qëndrimi që të formohet organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, e cila do të udhëhiqet nga kryesia e përbërë  prej 12 vetave. Po ashtu u caktuan edhe udhëheqësit politikë e ushtarak në rrethet e Kosovës. Ndue Përlleshi bashk me Zef Gji Dodën u caktuan të udhëheqin rrethin e Pejës.

Vlen të cekët se puna që bëhej për këtë organizatë dhe në këtë organizatë ishte tepër konspirative dhe çdo veprim ishte i matur. Për tërë punën që bëhej në terren organet e OZN-es nuk kishin njohuri, ndonëse vijimisht gjurmonin grupe të shumta dhe kishin një numër të madh spiunësh në terren, që i kishin angazhuar për zbulimin e tyre. Edhe pse në disa shkrime thuhej se në grupin e Ukë Sadikut, UDB-eja kishte njeriun e vet, ai disi ishte filtruar në grup, por prapëseprapë  personi spiun nuk kishte guxim ti lajmohej qendrës. Kemi të dhëna se edhe pasi se ishte kryer tubimi, OZNA kishte mbledhur informatat për grupet ilegale, kahet e shkuarjes së tyre, njerëzit më aktiv etj.

Më 9 shtator 1945, organet e OZN-es  në bashkëpunim me ushtrinë sulmojnë pjesën më kryesore të organizatës, në fshatin Jashanicë, prej nga sulmi bartet në Siçevë dhe në Drenicë. Në këto përleshje u vranë 28 ilegal, në mesin e tyre humbi jetën edhe vëllai i patriotit të njohur- Ukë Sadikut, Shaban Sadiku, dhe Adem Shala. U plagosën 4 veta nga grupi, ndërsa nga Brigada e Bokelit  u vranë 14 veta.

Kuvendi i Mirëditës ishte caktuar që të mbahet në shtator, por për shkak të sulmeve që i bënë organet e OZN-es dhe brigadat e UNÇ-së, ata qenë të detyruar që takimi i Mirditës të mbahet pa prezencën e kosovarëve. Pas takimit të Mirëditës , prof. Ymer Berisha mori letër nga Muharrem Bajraktari, ku njoftohej për punën e Kuvendit dhe nga ai kërkonte që së bashku me Ukë Sadikun të takohen në Shqipëri për detajizime të punëve e detyrave që dolën nga aty. Kryetari i organizatës “Besa Kombëtare”, prof. Ymer Berisha, Ukë Sadiku në përcjellje të 12 luftëtarëve u nisën për në Shqipëri në takim me Muharrem Bajraktarin. Me ta shkuan edhe Qazim Bajraktari, Mehmet Aga, Demë Alia dhe Ndue Përlleshi. Megjithatë takimi nuk u bë për shkak të një mosmarrëveshjeje të vogël për vendin e takimit.

Aktiviteti luftarak i çetës së Ndue Perlleshit shtrihej nga fshatrat e Lugut te Drinit, Podgurit, Llapushës dhe të rrethit të Gjakovës. Gjatë veprimtarisë së saj pati mjaftë aksione,ku armiku u demtua shumë por edhe nga ana e çetës se Ndue Perlleshit pati të vrarë dhe të plagosur. Aksionet e kësaj çete shpesheherë kordinoheshin me aksione të përbashkëta me çetat e Ukë Sadikut e profesor Ymer Berishës, Qazim Bajraktarit, Alush Smajlit, por edhe të Mustafë Ibishit nga Anadrini. Në gusht të vitit 1945 profesor Ymer Berisha kalon nga çeta e Ukë Sadikut në çetën e Ndue Perlleshit takimi u mbajt të kroni i hajnave në kodrën e Kastratit mbi fshatin Dollc ndërsa Zef Sokoli me të birin Markun kalon në çetën e Ukë Sadikut.

Sipas të dhënave që i jep Gojko Medenica, me 10 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, i rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe e milicisë jugosllave”, u vra në udhëtim prof. Ymer Berisha, me 8 patriotë, dhe 12 të tjerë plagosën rëndë. Së bashku me ta vritet edhe mësuesi Fehmi Kura.

Ndue Perlleshi e përjetoi shumë rëndë vrasjen e prof. Ymer Berishës, se me vdekjen e tij Lëvizja Popullore për Lirimin e Tokave Shqiptare, kishte humbur strategun, ideologun, atdhetarin e trimin e pa kompromis për bashkimin e tokave shqiptare. Ukë Sadiku, Gjon Serreqi e Ndue Përlleshi kishin mbetur pa këshilltarin e tyre. Lëvizja u ndodhë para një udhëkryqi, ilegalen shqiptare e pritnin ditë të vështira. Shumë grupe ilegale e jatakë të tyre u zbuluan, filluan gjithandej Kosovës e Dukagjinit procese të gjata gjyqësore, anëtarët e tyre dënoheshin me vite marramendëse burgimi, ata më autoritativë në popull i pushkatonin dhe i ekspozonin në qytete të ndryshme. Njerëzit likuidoheshin dhe humbnin pa gjurmë.

Çeta e Ndue Përlleshit kishte mbetur të veprojë thuajse e vetme maleve, me pak luftëtarë dhe shumë e ndjekur nga OZN - a. Më 8 shkurt të vitit 1948, së bashku me dy shokët e tij, Ndrec Nikollën e Shaban Demën u rrethuan nga OZN - a. Ata mbas disa orë luftimesh mbetën të vrarë dy shokët e tij Ndrec Nikolla dhe Shaban Dema ndërsa Ndou i plagosur qëndroi në mesin e pyllit deri në orët e para të mëngjesit, ku me një breshëri plumbash çanë rrethimin duke lënë në fushë të betejës shumë të vrarë e të plagosur nga partizanët vullnetarë.

Pas një qëndrimi në familjen e Pren Gjokës, Ndou, largohet me disa bashkëluftëtarë për në Shqipëri, ku bashkohet me çetën e Ndoc Mirakës në viset e Pukës, të cilët vepronin në atë territor. Por, sipas një të dhëne që na e lë Ernest Koliqi të botuar në "Shejzat", thuhej se: "Ndue Përlleshi së bashku me Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën, u vra nga forcat partizane të Shqipërisë në Bjeshkët e Iballes, në vendin e quajtur Boset, me datën 29 gusht të vitit 1949. Ata, një ditë më parë ishin nisur të largoheshin (arratiseshin) për në Greqi".



(Vota: 125 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora