Speciale » Basha
Sabile Basha: Bedri Gjinaj - 'Djemtë me shkollë shohin me katër sy'
E shtune, 16.09.2023, 08:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
BEDRI
GJINAJ- “DJEMTË ME SHKOLLË SHOHIN ME KATËR SY”
(1913-
u likuidua në qershor 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Mësuesi,
patrioti i madhe Bedri Gjinaj, u lind më 21 maj 1913 në qytetin e Mitrovicës.
Nga babai Ibrahim Vela. Babai i Bedriut ishte njeri që e donte shkollën dhe
donte gjuhën shqipe, andaj dëshira më e madhe e tij ishte që ti shkollonte
fëmijët, dhe shpesh thoshte se vetëm të shkolluar jemi të dobishëm për vendin.
Andaj, me propozimin e Hasan Prishtinës, Bedriun e vogël e dërgojnë në Tiranë
ku përfundon shkollën fillore, e më pastaj vazhdon Shkollën Teknike Amerikane
Harry Fulcit, dhe e përfundon me sukses. Ai shpejt u adaptua, dhe dallohej në
mësime si në lëndët shoqërore po ashtu edhe në ato matematikore. Ai ishte i
gjithanshëm. Donte letërsinë, lexonte shumë, donte artin, pikturonte pa u
ndalur, donte muzikën e këngën, këndonte kurdo që kishte mundësi. Donte
sportin, luante me shokë të gjitha llojet e sportit. Në shkollën e mesme pati
rastin të njoftohet edhe me nxënës të tjerë që vinin nga Kosova. Aty u njoh dhe
u bë mik me Sadik Stavilecin, Mehmet Gjakovën, Rasim Spahiun, Nijazi Xharren,
Nazmi Këpuskën e shumë të tjerë. Pas përfundimit të shkollës, Bedriun e
caktojnë të punoi si ekonomist në Konviktin e Burrelit në Mat. Aty bashkëpunoi
ngushtë me mësuesit Mehmet Gjevorin, Rifat Spahiun, Omer Beshirin. Aty punoi
deri më vitin 1941, kur edhe kapitulloi Jugosllavia.
Bedri
Gjinaj deri sa jetonte në Tiranë e kishte të ndaluar që të kthehej në Kosovë,
por me fillimin e LDB, ai bashkë me shumë bashkëkombës të vet organizojnë që të
kthehen në Kosovë. Bedriu u kthye në Kosovë me 120 shokë të idealit. Këtij
grupi i printe Bedri Pejni i cili ishte kryetari Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, Rexhep Mitrovica,
Xhelal Mitrovica, me vëllezërit Bahriun e Zenelin, përkatësisht u kthyen në
Mitrovicë. Kthimi i tyre në vendlindje çetnikëve serb iu prishën hesapet. Me
ardhjen e tyre pushtetin vendor e morën shqiptaret.
Me
21 prill 1941 u formua xhandarmëria shqiptare, e cila u vu nën komandën e
kapiten Pajazit Boletinit. Në Mitrovicë, u formua shkalla e lart gjyqësore; u
formua pleqësia, e cila kishte për qëllim pajtimin e familjeve të gjakosura dhe
për të ndalua ngatërresat që shpinin në vëllavrasje; u hapën shkollat në gjuhën
shqipe. Megjithatë popullata shqiptare ishte e pakënaqur, ngase kishte ngelur
jashtë trungut kombëtar, andaj ishin të shpeshta protestat dhe pakënaqësitë e
popullatës. Ata kërkonin me ngulm që të bashkoheshin me Shqipërinë. Është i
njohur tubimi i madh e fshatarëve që ishte organizua në fshatin Maxhunaj , afër
Vushtrrisë, më 6 maj 1941. Në të cilin tubim morën pjesë elita e Mitrovicës dhe
rrethinës. Në tubim, një fjalë rasti e kishte mbajtur prefekti i
Mitrovicës-Ibrahim Lutfiu. Pas tij, në foltore ishte ngjitur Bedri Gjinaj, i
cili hapur kishte shpreh mllefin për ndarjen me kufij të Mitrovicës,
Vushtrrisë, Podujevës e Jeni Pazarit. Kishte tregua se çfarë pasoja do të ketë
kjo ndarje etj. Pas kësaj Bedri Gjinaj ishte angazhuar me të madhe për hapjen e
shkollave në gjuhën shqipe gjithandej në prefekturën e Mitrovicës. Veç kësaj ai
duke e parë situatën e rënduar politike, angazhohej në organizimin e çetave të
armatosura vullnetare në zonat kufitare me Serbin. Ai kishte dhënë edhe idenë
për formimin e forcave të rregullta mbrojtëse, të cilën e kishin mbështetur
Xhafer Deva, Ago Agaj dhe patriot të tjerë.
Bedri
Gjinaj ishte anëtar i organizatës ilegale “Lidhja Popullore Shqiptare”, me ç
‘rast, ai, ishte caktua kryetar i Rinisë së organizatës. Bedri Gjinaj ishte
patriot i përgatitur, andaj pati ndikim të madh në rinin e kësaj ane.
Bedri
Gjinaj kishte marr pjesë në takimin përgatitor për mbajtjen e Kuvendit
Themelues për Lidhjen e Dytë të Prizrenit që ishte mbajtur me 11 shtator 1943,
në Prizren. Sipas Qazim Bllacës, Mbledhjen themeluese të Këshillit
organizues e kishte kryesuar Asllan Boletini. Në takim kishin marr
pjesë: Xhafer Deva, Musa Sheh Zade, Sheh Hasani, Tahir Zajmi, Lukë S.
Mjeda, Qazim Bllaca e Pjetër Vuçaj. Në të dhënat autentike të pjesëmarrësve në
Kuvendin themelues ky Këshill quhet Grup nisjatuer i Lidhjes së Dytë të
Prizrenit. Në ditën e parë këtë Këshill e përbënin patriotët: Sheh Musa
Shehzade (kryetar), ( i cili me sukses e udhëhoqi komitetin Qendror të
Lidhjes së Dytë të Prizrenit prej datës 26 shtator deri në Kuvendin e Dytë më
12 tetor 1943[6]), Shefqet Shkupi, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Qazim Bllaca,
PjetërVuçaj, Tahir Zajmi, Hevzi Meraku, Luk Simoni, Qemal Balila, Haxhi Fahriu
dhe Sokol Dobroshi (anëtarë).
Në
këtë takim ishte vendosur që Kuvendi Themeluesi i Lidhjes të mbahet me 16
shtator 1943, dhe vendimet e marra nga ana e delegatëve në mbledhjen e datës 11
Shtatorë 1943, kishin rëndësi të madhe për zhvillimet e mëvonshme politike e
luftarake, që përmblidhen në këto pika: a) Thirrje e një mbledhjeje të
përgjithshme popullore me shpirtin dhe me frymën e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën
të përfaqësohen të gjitha krahinat e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Tuzit
dhe të Ulqinit, përmes delegatëve të zgjedhur nga ana e popullit; b) Për derisa
të themelohet e të caktohet një autoritet suprem nga mbledhja e përgjithshme
dhe për me mbajt qetësin dhe rendin publik, si edhe me i përgjigj kërkesave që
impononin rrethanat e interesat e atdheut; c) Me krijua këshille autonome-
ekzekutive ; ç) Ngarkim i këshillit ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e
mbledhjes së Kuvendit, hapja e të cilit parashihej të bëhej më
së voni, deri me 16 Shtatorë 1943. Dhe menjëherë pas
përfundimit të takimit të parë iniciues, anëtarët e saj fillojnë përgatitjet
për mbledhjen e Kuvendit. Konsultohet populli dhe bëhen zgjedhje te rregullta.
Gati në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët u caktuan delegatet që të marrin
pjesë në Kongres.
Kongresi
ishte mbledhur në Prizren, nga data 16 deri me 20 shtator 1943. Në te morën
pjese 45 delegate te zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresi
punimet i kishte zhvillua në Shkollën “Bajram Curri”. Atë e kishte hapur
kryetari i Këshillit organizues, Musa Sheh Zade. Në të merrnin
pjesë: 120 përfaqësues të popullit nga: Ohri, Struga, Gostivari, Dibra,
Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani (Luma), Rahoveci,
Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica,
Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e
Gjakovës u vunë themelet e Lidhjes.
Punimet
e Kongresit i kishte hapur Musa Sheh Zade, duke tregua për arsyen e këtij
tubimi, dhe masat e nevojshme që duhet ndërmarr kundër okupuesve të atdheut. Në
kryesi të punës së Kongresit u zgjodhën: Musa Sheh Zade- kryetar, Aqif
Blyta-Nënkryetar, Prof. Rexhep Krasniqi- Nënkryetar, Bedri Gjinaj -
Sekretar. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes se Dyte te Prizrenit,
organizatë politike kombëtare, e cila do te angazhohej për bashkimin dhe
mbrojtjen e trojeve etnike.
Pas
4 ditë pune të madhe u propozua dhe u zgjodh kryesia e Komitetit
Qendror të Lidhjes së Dytë Prizrenit prej 7 vetave: Rexhep Mitrovica
(kryetar), Musa Sheh Zade dhe profesor Kolë Margjini (nënkryetarë), Sheh
Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca, anëtarë. Pas përfundimit
të kuvendit, lidhja filloi me aktivitetet e saja dhe brenda një afati të shkurtër
arriti që të themelojë në të gjitha rrethet komitetet e rretheve, ndërsa
nëpërmjet tyre edhe ato komunale dhe të fshatrave
Më
23 nëntor 1944 forcat jugosllave hynë në Mitrovicë. Andaj OZN-a filloi
arrestimet ndaj patriotëve të shumtë të Mitrovicës e të rrethinës. Hamzë
Mehmeti, në fshatin Lubovec, në shtëpinë e tij
e kishte strehua patriotin e madh Bedri Gjinën, ku qëndruan mbi dy javë.
Gjatë asaj kohe Ali Shukriu, kishte lëshua urdhëresë për arrestimin e Bedri Gjinajt. Deri sa ishte në ilegalitet Bedriu kishte
shpreh dëshirën që të takohet me Shaban Palluzhën. Takimit i tij me Shaban
Palluzhën u bë në mbledhjen e Shtabit të mbajtur më 30.11. 1944, në
Palluzhë, ku, pos tjerash, u vendos që Bedri Gjinaj të emërohet
këshilltar i komandantit të Brigadës së Drenicës – Shaban Palluzhës.
Menjëherë,
Bedriu fillon të punojë me një vullnet të madh në punimin e shkresave,
informatave, raporteve dhe analizave mbi situatën politike dhe
ushtarake, duke e konsultuar rregullisht dhe duke e informuar komandantin e
Brigadës së Drenicës, Shaban Palluzhën.
Më
vonë Shaban Palluzha thuhet t’i kishte thënë Bedri Gjinajt “ Djemtë me shkollë
shohin me katër sy”, prandaj angazhimi i tyre për liri është i domosdoshëm.
Dihej se në Brigadën e Shaban Polluzhës, OZN-a kishte arrit të fuste spiunët e
vet, të cilët raportonin në bazë për çdo lëvizje që bënte Brigada. Ata kishin
raportuar se në Brigadën e Shaban Polluzhës, kishin ardhur Bedri Gjinaj dhe
Abdyl Zhubi. Njerëzit e OZN-es, posa morën këtë informatë hartuan planin se si
do i zënë ata. I zunë me tradhti, në odën e Jetullah Gashit në Kryshec. Ali
Shukriu kishte urdhërua që ti lidhin këmbë e duar me tela duke i dërgua në
Mitrovicë.
I
dërguan në burgun famëkeq të Mitrovicës që ndodhej në hotelin “Jadran”, ata i
rrahën dhe i malltretuan në mënyrën më çnjerëzore. I rrahën deri në alivani.
S’bashku me Bedri Gjinen ishte edhe atdhetari i madh Idriz Rexha. Po këta
atdhetar nuk i dënuan e as nuk i ekzekutuan me grupin e të dënuarve prej 12
vetave. Për këta dy, udbashët, më herët ishin përkujdesur që ti nxirrnin nga
birucat e burgut, dhe në mënyrën më misterioze ti likuidonin në një natë
qershori më 1945, e sot nuk dihen as për varret e tyre.