E diele, 13.10.2024, 04:40 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Ibrahim Lutfiu, atdhetari që u vetëflijua për tokat shqiptare

E diele, 01.10.2023, 07:59 PM


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

IBRAHIM LUTFIU “Bajrami”- ATDHETARI QË U VETËFLIJUA PËR TOKAT SHQIPTARE

(1913- u vetëflijua më 18 janar 1950)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Patrioti i madh nga Prizreni, Ibrahim Lutfiu u lind më 1913 në qytetin e bukur të Prizrenit. Ibrahimi vinte nga një familje patriotike e cila më herët ishte shpërngulur nga Opoja dhe ishte vendosur në Prizren. Babai i tij, Hëzëri ishte hoxhë me autoritete në qarqet atdhetare të kohës. Gëzonte respekt për punën që bënte në shkollimin e të rinjve. Ibrahimi sa ishte i vogël i vdes nëna dhe hoxha i nderuar u martua për të dytën herë. Ibrahim i vogël u rrit nën përkujdesjen e njerkës dhe të babait. Me gruan e dytë hoxha pati fëmijë të cilët u rritën bashkë me vëllain Ibrahim. Ibrahim Lutfiu, mësimet fillestare i mori nga babai. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kishte përfunduar në Prizren, ndërsa Fakultetin Juridik e përfundoi më 1938 në Universitetin e Beogradit, ku u takua me studentë shqiptar ku kishin formuar organizatën politike “Besa”. Ai veproi në kuadër të saj. Pas përfundimit të fakultetit ishte angazhuar si sekretar i përgjithshëm në Zyrën Qendrore të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, në qytetin e Sarajevës. Ibrahim Lutfiu, mund të thuhej se ishte njeriu poliglot, njihte disa gjuhë të huaja të cilat i fliste dhe i shkruante mirë. Ai si intelektual që ishte,  bashkëjetonte me vuajtjet e popullit të vet dhe duke e parë se Kosova mbeti përsëri nën kthetrat e Serbisë, ishte shumë i pakënaqur dhe pakënaqësinë e tij e shprehte hapur në qarqet patriotike të kohës. E më tepër e shqetësonte skamja e analfabetizmi që mbretëronte në popull. Zgjidhjen e vetme e shihte që populli të shkollohej se vetëm të ditur e të shkolluar, do t’iu bëjë ballë ndeshtrashave që vinin nga okupatori. Andaj, u angazhua që t’i bindte fshataret që të shkonin në shkollë.

Gjatë viteve 1941-1944, Ibrahim Lutfiun e hasim prefekt të prefekturës së Mitrovicës. Po ashtu ishte i dalluar në mbrojtjen e kufijve verior të Kosovës nga sulmet e çetnikëve. Gjatë jetës dhe veprimtarisë patriotike u njoh dhe bashkëpunoi me shumë personalitete e atdhetar të kohës. Veproi ngushtë me Xhafer Devën, Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën, Ferhat Dragën, (Ibrahimi ishte i martuar me vajzën e Feratit, -Fahrijen). Më 16 shtator, 1943, mori pjesë në kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ai i kishte përkrahur të gjitha vendimet që u morën në të. Pas përfundimit të LDB-së, Ibrahimi largohet nga Mitrovica dhe kalon në Prizren. Pas një kohe i heton se po e përcillnin organet e OZN-es, dhe nuk shkoi gjatë, atë e arrestojnë. Nga Prizreni për ta sjell në Prishtinë, e hipin në një xhip. Por duke kaluar nga Ferizaj, dihej se në vitin 1945, forcat patriotike në Kosovë ishin ende të fuqishme, andaj forcat e Adem Gllavicës e ndalin xhipin. Dhe kur kuptojnë se në të ishte patrioti i madh Ibra Ibrahim Lutfiu, ai iu tregon se çfarë kishte ndodhur dhe ku po e dërgonin. E zbresin nga xhipi dhe me dorën e vet i ekzekuton oznashët. Nga këtu, ai kalon në malet e Suharekës, nga mbante lidhje me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare si :Adem Gllavicën, Prof. Ymer Berishën, Ukë Sadikun, Ndue Përlleshin, Ajet Gërgurin e shumë të tjerë. Për të humbur gjurmë ai përdorte pseudonimin “Bajram”. Po me këtë emër merr pjesë edhe në Kongresin e Pestë të LNDSH-së, më 25 korrik 1946 në Blinaj.

Pasi se kishte tentua disa herë të kalonte kufirin për Greqi, ai ishte strehuar në shtëpinë e  Zenun Kepës, në fshatin Budakovë. Ai ishte intelektual i mirëfilltë dhe i shkolluar në kryeqendrën serbe- Beograd, andaj edhe i dinte hilet e atij pushtet dhe OZN-es. Me një mjeshtri të rrallë, sa ishte në ilegalitet, shkruante letra dhe i dërgonte nëpër mes të miqve të vet, hallës së tij në Prizren, gjëja se po i dërgonte nga Turqia. Pushteti  i kishte rënë në gjurmë letrave, andaj edhe e merrte në pyetje hallën e tij, duke e kërcënuar e malltretuar keq. Me kalimin e viteve të ilegalitet, grupeve ilegale po iu ngushtohej rrethi. U zbuluan grupe të shumta atdhetarësh, u likuiduan e u pushkatuan me gjyqe e pa gjyqe shumë patriot, u arrestuan shumë bashkëpunëtor të Ibrahim Lutfiut. Më 1947, Ibrahim Lutfiu qëndronte ilegal në shtëpinë e atdhetarit Zenun Kepës, por me zbulimin e grupeve të ndryshme ilegale, edhe Ibrahim Lutfiut po iu ngushtohej rrethi. Udbeja i kishte rënë në gjurmë se në anenë e Suharekës po strehohej Ibrahim Lutfiu. Udbashët filluan të përcillnin e të shtonin presionet ndaj fshatarëve vetëm e vetëm të tregonin se ku po fshihej Ibrahim Lutfiu. Intelektualit të madh UDB-eja ia kishte frikën, andaj në ethe ishin për aktivitetin e tij. Arritën në shtëpinë e Zenun Kepës, e morën atë duke i bërë presion për të tregua se ku ndodhej Ibrahim Lutfiu. Po patrioti i madh, qele gur gojën, nuk tregoi asnjë gjë. E rrahën në mënyrën më mizore, ai nuk foli. I thyen eshtrat, e theren me bajoneta, e futën në ujë të akullt dhe në fund të vetmet fjalë që i tha ishin :Rroftë Shqipëria e bashkuar...” dhe rafalët e shumta jehuan kobshëm, Zenun Kepa kaloi në amshim.

Fatkeqësisht, siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë kombëtare, personazhet e shumta të lëvizjeve patriotike kishin një fat tragjik, duke kërkuar lirinë e cila u mungonte. Duke u nisur nga këto ngjarje, veprimtaria ilegale-patriotike ishte e kufizuar dhe ai gjakim si i tillë ndrydhte vullnetin e popullit. Në këto kushte të pakushte, jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë patriotike edhe intelektuali Ibrahim Lutfiu.

Për një kohë Ibrahim Lutfiu jetonte maleve, pastaj u vendos në shtëpinë e Behlul Bajramit të Budakovës. Edhe pse ishte i kujdesshëm atdhetari, dhe shumë pak për të  thënë aspak nuk lëvizte. Në vitin 1950, UDB-eja i bie në gjurmë. Forca të mëdha e rrethojnë shtëpinë e Behlulit. Në mesin e forcave jugosllave kishte edhe shqipfolës si: Mehmet Maliqi e Hajdar Mula dhe gjakpirësi i shqiptarëve Çedo Mijoviqi. E thërrasin Ibrahimin që të dorëzohet. Ai duke e parë se shtëpia ishte e rrethuar, dhe në shtëpi ndodheshin anëtarët e familjes  si Nënë Zyra me shtatë fëmijët e saj. Ai kërkoi një afat për tu dorëzuar. Në ndërkohë, fshehu tërë dokumentacionin që e kishte dhe me 18 janar vrau veten me një plumb. Dëshira e udbashëve ishte e madhe për ta zënë Ibrahim Lutfiun të gjallë, që ta malltretonin dhe të krijonin spektakël nga gjykimi i tij, por ngelën të befasuar kur hynë dhe gjetën trupin e pajetë të atdhetarit. Dëshpërimi nuk kishte skaj. Fshataret e fshatit Budakovë e qanë në heshtje trimin e madh Ibrahim Lutfiun dhe me sajin e përgatitur kastile për të kishin ardhur për ta marr kufomën për ta varrosur me ritet fetare. Udbashët nuk lejuan. Ata e ngarkuan trupin e pa jetë të Ibrahimit, dhe urdhëruan që ta hedhin në një përrua për ta mbulua me balt, dhe tërë këtë e paraqitnin dhe trumbetonin se si ata janë të pa kompromise ndaj “armikut”, dhe vdekjen e tij e paraqitnin si trofe të forcave jugosllave.

Jeta e Ibrahim Lutfiut ishte një jetë që e karakterizonte energjia vullkanike, intensiteti i reagimit dhe i punës këmbëngulëse, me të cilat u kundërvihej rrethanave okupuese deri në fanatizëm. Atë e dallonte objektiviteti i gjykimit dhe arsyetimi racional, Ai shpesh pohonte se “Kosova tani është në luftë”, dhe bënte përpjekje të vazhdueshme që  të gjente mënyra e forma për t’i dalë zot kohës së rëndë, duke u mbështetur në të kaluarën dhe duke preferuar si mjetet luftën e armatosur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.



(Vota: 117 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora