E diele, 25.02.2024, 04:16 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Kolonel Qazim Komoni - Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap jetën për Kombin

E enjte, 12.10.2023, 07:00 PM


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

KOLONEL QAZIM KOMONI - ''GJITHMONË KAM QENË I GATSHËM TË JAPË JETËN PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS DHE PËR MËMËN SHQIPËRI”.

(1895- e mbytën në tortura më 1950)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Kolonel Qazim Komoni u lind në Gjakovë më 17 janar, 1895, në një familje të njohur për atdhetari dhe dashuri ndaj vendit. Ai ishte djalë i Mehmet Komonit dhe nënës Rukije, e lindur në Junik. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe asaj të mesme, Qazim Komoni merr rrugën për në Itali fillimisht regjistrohet në Akademinë Ushtarake e pastaj studion dhe e përfundon atë me sukses të shkëlqyeshëm. Prindërit ishin adhurues të shkollës dhe ëndërr kishin që ti shkollojnë fëmijët. Në ato vite të vështira për kombin, babai i Qazimit kishte pas kontakte me shumë njerëz të ditur të kohës të cilët kishin pas ndikim tek ata. Andaj nuk është e rastësishme që Qazimi përfundon me sukses kolegjin Italo-Shqiptar te “San Demetrio Corona” të cilin e mbaroi në gusht 1918 dhe mbas kësaj kreu studimet e larta për oficer këmbësorie. I tërë ky shkollim iu mundësua me bursën që i siguroi shteti shqiptar.  Veç fakultetit ai pati rastin dhe e shfrytëzoi atë duke mësuar shumë gjuhë të huaja. Në kohën kur u arrestua ishte i martuar dhe kishte 6 fëmijë të vegjël.

Pas përfundimit të studimeve më 1922, në muajin shkurt u emërua toger dhe 2 muaj më vonë për merita te posaçme gradohet kapiten. Për aftësi dhe përkushtim në detyrë do të bëhet që në moshë të re major, nënkolonel, kolonel. Më 1920, mori pjesë në forcat mbrojtëse të Kongresit të Lushnjës. Nga 1925 deri 1928 punoi si mësues në Normalen e Elbasanit. Nga 1928 deri 1939 ishte oficer karriere me detyra të rëndësishme në ushtrinë shqiptare ku u dallua për frymë të lartë patriotike dhe krenarie kombëtare. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste u burgos për disa muaj e në vazhdim u internua në Itali për dy vjet mbasi nuk pranoi të bëjë betimin dhe të shërbejë në ushtrinë italiane. Me kthimin nga internimi qëndroi pa punë gjatë gjithë viteve të pushtimit italian. Më 1943, në tetor, kolonel Qazim Komani u kthye në Kosovë ku kishte pranuar detyrën Komandant i “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” me komandë ne Prizren. Detyra e “Mbrojtjes Kombëtare te Kosovës” ishte që me forcat e saj të organizuara si ushtri e rregull shqiptare dhe me oficerë krejtësisht shqiptarë të mbrojë territorin e Kosovës duke mbrojtur kufijtë prej forcave çetnike prej Bihorit-Plaves-Gucisë e deri në Përpallac –Merdan -Prapshticë drejt Preshevës.

Kurse, me 15 mars 1944 mori pjesë në mbledhjen e Rogovës, e cila ishte thirr me iniciativën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në të cilën kishin marr pjesë kryetari i Lidhjes- Bedri Pejani dhe disa anëtarë të tjerë të Lidhjes. Po ashtu, në mbledhje kishin marr pjesë nga dy anëtarë të Komiteteve të rretheve, si dhe tribun të njohur popullor nga e tërë Kosova, të cilët ishin simpatizant të politikës së Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Po në këtë mbledhje kishte marr pjesë edhe Qazim Komoni, i cili ishte komandant i sektorit për gjithë Kosovën, bashkë me një oficer të tij. Në këtë mbledhje u morën vendime shumë të rëndësishme për kohën si: të mobilizohen e tërë popullata nga mosha 20 vjeçe e deri në atë 35 vjeçe dhe kjo ushtri të quhej “Kreshnikët”; ndërkaq të mobilizuarit nga mosha 35 vjeçe deri në moshën 50 vjeçe të quhen “Vullnetarët”. Kjo ushtri duhet të rrinte nëpër vende të veta por vetëm të ishte e organizuar dhe e gatshme për çdo rast. Përgjegjësin për këtë organizim e kishte marr  mbi vete komandanti i sektorit që ishte Qazim Komani.

Kjo ushtri nën komandën e Qazim Komonit, dhe me pjesëmarrjen e “Kreshnikëve” e “Vullnetarëve”  bëri shumë luftëra duke e mbrojtur kufirin nga çetnike e Kollashin, pastaj kishin bër dy luftëra në Çakorr e në Rozhajë, ndërsa nga partizanët kishin mbrojtur Plavën e Gucin. Duke mbetur besnik i “Besa-Besës” Qazim Komani do të vendosë që me të gjitha mjetet dhe forcat njerëzore në Nëntor, 1944, ta mbrojë Kosovën nga depërtimi i forcave çetniko-komuniste. Në bazë të vlerësimit që kishte bërë, kishte vendosur që forcat shqiptare të përqëndroheshin në Drenicë. Pas suprimimit të sektorit “Kosova” të Ushtrisë Shqiptare u kthye në Tiranë dhe mbeti në dispozicion të Komandës së Ushtrisë në Tiranë.

U arrestua nga regjimi komunist në Shqipëri, dhe në fillim të vitit 1945, e dorëzuan te kryekrimineli Spasoje Gjakoviç i cili do t’ia organizojë një proces gjyqësor në Prizren. Ata do të organizojnë një proces gjyqësor ku do të dënojnë patriotin Qazim Komonin. Në këtë gjyq Koloneli do te akuzohet pse ka organizuar mbrojtjen e trojeve te Rozhajës, Bihorit, Plavës, Gucisë, Llapit, Gjilanit – tërë Kosovës. Do të akuzohet gjithashtu pse në fshatin Rogovë, më 15 mars 1944 kishte organizuar themelimin e Ushtrisë shqiptare me emrin “Kreshnik” ku përfshiheshin te rinjtë prej 20 deri ne 35 vjeç dhe njësitë me emrin “Vullnetar” ku përfshiheshin personat prej 35 deri ne 70 vjeç.

Gjykata e Prizrenit, me 15 maj, 1946, i shqiptoi dënimin me vdekje, dënim i cili më vonë iu shndërrua në 20 vjet burg të rëndë. Kjo ulje e dënimit iu bë me ndikimin e disa personaliteteve antifashiste perëndimore me të cilët ishte shkolluar në Evropë, por edhe se në bazë të ankesës që kishte bë Qazim Komoni, gjykata nuk kishte mjaftueshëm fakte për ta dënuar me pushkatim. Vërtet me 1946 ia zbritën dënimin por, më 1950, e likuiduan me tortura të vazhdueshme në burgun e Mitrovicës së Sremit.

Atdhetarin Kolonel Qazim Komanin, pasi se e dënojnë, për mbajtje të dënimit e dërgojnë në burgun më famëkeq, në Mitrovicë të Sremit, ku në të e pritnin patriotët si: Shaqir Curri, Kolë Margjini, Rrustem Statovci e të tjerë. Dhe në një rast, në burg, koloneli i kishte thënë Rrustem Statovcit këto fjalë: “Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap jetën për dy parime të shenjta – për çlirimin e Kosovës dhe për mëmën Shqipëri”.

Vdiq nga torturat dhe kushtet e rënda në burgun e Mitrovicës së Sremit më 1950, e varrosen po aty, në varrezat e burgut të cilat nuk kanë kurrfarë shenje dhe ashtu konstatohet se eshtrat e tij janë humbur përgjithmonë. Është e dhembshme dhe prekës letra që i dërgon gruas nga burgu, në të cilën i shkruan:

“...Une jam në spital ka tre muaj dhe përveç fatkeqësive çdo dite më asht më keq. Ndonjë lajm katastrofik për mua mos të të kapi në befasi, sepse për ju ka kohë që nuk jam. Nuk të kam lënë as pasuri, as borxh. Te jeni në mëshirën e Zotit.

I yti...

Dhe... vërtet çfarë ndodhi me familjen e Qazim Komonit?, do të citoja një shkrim që ishte i shkëputur nga arkiva e Televizionit Shqiptar, rubrika “Kujtesë” thuhej se: Zoti pati mëshirë për atë familje, por jo regjimi i Enver Hoxhës i cili këtij patrioti ia nxori gruan me 6 fëmijë të vegjël në rrugë të madhe. Për ta do të vazhdonte dënimi jugosllav, por tashmë në shtetin shqiptar.



(Vota: 91 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora