Speciale » Basha
Sabile Basha: Hamdi Gashi - Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria
E merkure, 18.10.2023, 08:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
HAMDI
GASHI- RROFTË KOSOVA, RROFTË SHQIPËRIA
(1903-
e varën më 23 qershor 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Trimi
i Drenicës, Hamdi Gashi, ishte i lindur më 1903. Ishte i biri i Hisen Gashit
dhe nipi i Mulla Alisë, të fisit Gash të Dubofcit të Drenicës. Ai u lind në
qytetin e Vushtrrisë. Shkollën fillore e kishte kryer në Vushtrri, në gjuhën
turke dhe shkollën e mesme ushtarake në Stamboll, në vitin 1912. Për të
vazhduar më 1921, në Torino të Italisë Akademinë Ushtarake, (drejtimi policor).
Pas përfundimit të shkollës, Hamdi Gashi e ndjen si obligim dhe atdhedashuri që
të mbrojë vendin e tij nga terrori serbe e malazeze, që kishin sulmuar Kosovën.
Ai mori pjesë aktive në kryengritjen e Llapit më 1912. Pas kthimit nga lufta në
Llap, ai jetonte në Vushtrri, por qarqet serbe e kërkonin dhe donin që të
arrestonin e ta likuidonin trimin e madh Hamdi Gashin. Hamdiu kur e zbulon se
serbet kishin shpallur edhe shpërblim
për nxënien e tij, ai me ndihmën e shokëve kalon në Drenicë për të
vazhduar jetën në ilegalitet të thellë.
Pas
fillimit të Luftës së Parë Botërore, më 1914, kur Austro-Hungaria sulmon
Serbin, forcat serbe edhe njëherë ia mësyn shtëpisë së Hamdi Gashit për ta arrestuar. Hamdiu i zbulon me kohë
xhandarmerinë, dhe me ndihmën e gruas Myrvelasë dhe motrës Fatime, ik nga
rrethimi, duke u vendosur në xhamin e qytetit. Nga aty me ndihmën e Miftar
Galicës kalon në Drenicë, në fshatrat Galicë dhe Dubofc. U strehua dhe qëndroi
ilegalisht mbi një muaj në familjen Gashi e familje të tjera. Gjatë qëndrimit
në fshatrat e Drenicës, vinin lajme jo të mira nga terreni, andaj Miftar Galica
e ndihmoi Hamdiun që të kaloi në Shqipëri. Pas disa muaj qëndrimi në Shqipëri,
familja e Ahmet Bekteshit nga Mitrovica i ndihmojnë që edhe gruaja e tij të
kaloi tek Hamdiu. Ai atje vendoset në Fier, ku qëndron deri me fillimin e
Luftës së Dytë Botërore. Sa ishte aty, Hamdi Gashi ra në kontakt me shumë
patriot që kishin ikur nga Kosova dhe ishin vendosur në Fier dhe fshatrat për
rreth. Sidomos ishte i pa ndarë me familjet e Zija, Hetem e Ehat Prekazit.
Pastaj, ishte shoqërua edhe me familjen e Azem Bivolakut, që ishte i njohur si kaçaku i Azem Bejtë Galicës. Duhet
përmendur se Hamdi Gashi nuk kishte fëmijë, ndaj Azem Bivolaku, në shenjë
respekti e dashurie i fal për adaptim Hamdiut vajzën e tij të posalindur-
Hyrijen. Hyrija deri në fund të jetës e ndjeu vetën të privilegjuar që ishte e
bija e Hamdi Gashit, dhe pas pushkatimit të babait të saj siç e quante ajo,
emrin e tij ia vuri djalit të saj, duke e pagëzuar-Hamdi.
Duke
e parë mençurin dhe aktivitetin luftarak të trimit nga Drenica, e emërojnë më
1939, nënprefekt të Fierit. Por, me fillimin e LDB, Hamdiu së bashku me
Komitetin e Kosovës merr pjesë në shpalljen e bashkimit të Kosovës me
Shqipërinë. Por Mitrovica, Vushtrria, Jeni Pazari dhe një pjesë e Drenicës
kishin ngelur jashtë kufijve shqiptar. Andaj, ai edhe më tej vazhdon luftën dhe
angazhohej që ti bashkojë këto toka me shtetin amë. Më 1941, Hamdiu caktohet
nënprefekt i Vushtrrisë. Më 1943, në vendin e tij caktohet Asllan Boletini, dhe
ai kalon po në të njëjtën pozitë në Skenderaj.
Hamdi
Gashi ishte një orator i madhe, dhe kudo që delte para popullit për të mbajt
ndonjë fjalim, masat i bënte për vete. Kishte ndikim të theksuar tek popullata.
Ishte antikomunist i përbetuar dhe kudo që shkonte propagonte kundër
komunistëve dhe ushtrisë jugosllave. I u tregonte popullatës se si me tradhti Kosova
ngeli nën okupimin serbë. Ishte simpatizant i organizatës së Lidhjes së Dytë të
Prizrenit që u mbajt me 16-19 shtator 1943. I përkrahte vendimet e kuvendeve që
i solli Lidhja.
Pasi
se përfundon Lufta e Dytë Botërore më 1945, dhe në Jugosllavi, Kosovë e
Shqipëri vendoset pushteti komunist, Hamdiu nga Skenderaj kthehej në Vushtrri.
Më 1945, si gjithkund në Kosovë njashtu edhe në Mitrovicë, bandat kriminele
serbe bënin kërdinë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, se si qëllim suprem
i tyre ishte realizimi i planit makabër i Vasa Qubrilloviqit dhe shumë të
tjerëve, ku thoshin se koha më e përshtatshme për ti asgjësuar shqiptarët është
periudha e luftës, kur askush për asgjë nuk di dhe askush për asgjë nuk jep
ndonjë llogari për krim. Situata politike për çdo ditë vinte duke u rënduar,
andaj shokët e këshillojnë që të largohet nga Kosova, por ai assesi nuk pranon.
Një natë të vonë OZN-a, e rrethon shtëpinë e tij dhe e arrestojnë. Fillimisht e
dërgojnë në burgun e Prishtinës, e pastaj e dërgojnë në burgun e Mitrovicës,
respektivisht në burgun famëkeq të hotelit “Jadran”, ku ishin vendosur
një
numër i madh i të burgosurve-intelektual nga Mitrovica dhe rrethina. Këtu
zhvillohet hetuesia ndaj tyre, megjithëse, kaherë ishte vendosur për fatin e
tyre.
Andaj,
procesi gjyqësor, thënë ndryshe procesi jo gjyqësor, i cili u bë në formë të
grumbullimit të njerëzve më të devotshëm dhe më atdhetar të Mitrovicës dhe
rrethinës më tepër i ngjante një plojës së përgatitur më herët se sa një
procesi të mirëfilltë gjyqësor. Procesi makabër gjyqësor u organizua dhe u
mbajt në Mitrovicë, me gjasë ishte parapërgatitur shumë më herët. Ishin bërë
planet si dhe sa veta do të arrestoheshin, kur dhe kush do të arrestohet, sa
dhe si do të dënohen. U befasova kur në dosjen e tyre hasa hiq më pak se emrat
e dymbëdhjetë (12) vetave, të cilët në një mënyrë ishin ajka e atdhetarëve dhe
e intelektualëve të rrethit dhe qytetit
të Mitrovicës.
Para
trupit gjykuese, dolën njëri pas tjetrit të akuzuarit shqiptar, që të gjithë të
prangosur në duar dhe këmbë, por, që të gjithë ishin krenar dhe të patrembur.
Ishte elita e popullit të Mitrovicës e rrethinës, që dënohej pa fakte e
argumente: 1. Ethem Ferati, nënprefekt i Mitrovicës, 2. Xhevdet Bajrami, 3.
Osman Solidi, tregtar, 4. Tefik Bekteshi, adjutant i Pajazit Boletinit, 5. Musa
Çollaku, tregtar, 6. Shaban Mustafa, kryetar i Bashkisë së Mitrovicës. 7.
Ramadan Rexha, Komisar i Batalionit IV të Brigadës së Drenicës, 8. Abdyl Zhubi,
shef i logjistikës së regjimentit të Kosovës, nga Mitrovica, 9. Nebih Hoda-Kuçi,
udhëheqës financiar në nënprefekturën e Vushtrrisë nga Vushtrria, 10. Hamdi
Gashi, nënprefekt i Nënprefekturës së Vushtrrisë nga Skenderaj, 11. Bahri
Abdyrrahmani, tregtar nga Pazari i Ri,
dhe 12. Todor Cvetkoviq, mjek i punëtorëve të Trepçës.
Në
data të ndryshme të pranverës së vitit 1945, dymbëdhjetë veta ishin arrestuar
në shtëpitë e tyre, në natën skëterrë, me
tradhti duke i quajtur “armiq të popullit”, për arsye se kërkonin dhe
luftonin për një Shqipëri Etnike. Për çështje siguria, arrestimin dhe dënimin e tyre e kishte marr për sipër që ta
kryente Gjykata Ushtarake e Mitrovicës. Procesin gjyqësor e kishte përgatitur
Gjykata Ushtarake në Mitrovicë me trupin gjykues në përbërje: Mirko Peroviq,
major nga Bllaca, ishte caktuar për kryetar, Millosh Gjudoviq, gjykatës,
(komandant i rajonit), Hasan Çerkezi, (kapiten) dhe porotët: Mustafë Xhabiri, Muharrem Alija, nga
Mitrovica, ndërsa prokurori që përfaqësonte aktakuzën, ishte Vllada Popoviqi,
major nga Gjilani, djali i Tomë Popoviqit, që ishte në zë për krimet dhe
terrorin që kishte ushtrua ndaj shqiptarëve me qetat çetnike në Anamoravë.
Në
ora tetë të mëngjesit kishte filluar procesi gjyqësor, dhe masa e tubuar me të
madhe kishte brohoritur: “Smrt-kolac-konopac”( “vdekje, në hu, në litar”). Nga
të gjitha fshatrat për rreth e më larg, kishin ngarendur serbët që të shohin,
se si pushteti “popullor”, po i dënon “armiqtë e popullit”.
Salla
e hotelit ishte shumë e vogël për ti zënë të tërë ata, që kishin ardhur me
urdhër të udbashve nga fshatrat e ndryshme për rreth, vetëm e vetëm që ta bënin
këtë proces gjyqësor sa më “madhështor”.
Pa
tjetër duhet përmendur se me këtë grup ishin arrestua edhe Idriz Rexha dhe
atdhetari i njohur Bedri Gjinaj. Porse,
për këta dy, udbashët, më herët ishin përkujdesur që ti nxirrnin nga birucat e
burgut, dhe në mënyrën më misterioze ti likuidonin, e sot nuk dihet as për
varret e tyre.
Sipas
një dokumenti që e disponon Arkivi i Kosovës, të cilën e kishte lëshuar Gjykata
e Lartë Ushtarake Jugosllave thuhej se
disa të akuzuarve që iu kishte shqiptua dënimi, më herët me 20 vjet
burg, ajo këtë dënim iu ngriti në dënimin me vdekje-pushkatim. Këtë e dëshmon
edhe Ramadan Rexha, kur thotë se me 22 qershor 1945, në ora 15, kryetari i
trupit gjykues, Mirko Peroviq bashkë me gardianin iu ofrua derës ku ishim
vendosur të dënuarit prej 10-20 vjet burg, aty, ai e hap derën dhe na njoftoi
se Gjykata e Lartë Ushtarake e Jugosllavisë, personave me dënime kohore siç
ishte: Hamdi Gashi, Xhevdet Bajrami dhe Musa Çollaku iu shndërrohet në dënimin
nga 20 vjet burg, me vdekje-pushkatim. Menjëherë gardianët, ata të tre i morën
dhe i vendosën në qelit ku ishin shokët e tjerë që ishin të dënuar me vdekje.
Ishin shtatë veta që prisnin vdekjen. Ishin shtatë veta që prisnin momentin më
të trishtuar që të përshëndeteshin me familjet e tyre për të fundit herë. Ata,
ishin të njoftuar se, që nesër do të kryhet ekzekutimi (23 qershor 1945), në
ora 10 të ditës.
Është
për tu habitur, se në këtë proces gjyqësor, nuk pati mbrojtës, nuk pati
dëshmitar, nuk u mbajt procesi verbal. Nuk kishte edhe as një të vetmen provë
që vërtetonte fajin e tyre. Mund të themi se sigurisht, edhe është e vërtet se
të pandehurit ishin dënuar shumë më herët, ndoshta ende pa u zënë, ngase një
fshatar dëshmonte më vonë, se varrezat e të akuzuarve ishin të hapura shumë
ditë më herët se sa të mbahej procesi gjyqësor. Nga këto të dhëna, mund të
konkludojmë se i tërë procesi gjyqësor ishte vetëm një lloj farse që më vonë u
përcoll dhe u aplikua shumë shpesh në proceset gjyqësore që u organizonin ndaj
shqiptarëve, e që më së shumti erdhi në shprehje pas vitit 1981, kur
gjykatësit, dënimet i nxirrnin të gatshme nga sirtarët e tavolinave.
Më
23 qershor 1945, në ora 10 të ditës, të dënuarit i hipën në kamionë. Kamionët
dhembshëm morën rrugën në të majtë në lindje të qytetit, dhe pasi kaluan Urën e
Sitnicës, u ndalën tek një bregore e vogël, afër varrezave të serbëve. Edhe sot
kujtojnë fshatarët e Shupkovcit me dhembje, se si ata i rendojnë njërin pran tjetrin dhe i varin në shtyllat e
përgatitura më herët, dhe që të shtatit i varin në litarë. Por, para se të
binin në litarë, edhe njëherë si bubullimë u dëgjua thirrja e tyre “Rroftë
Kosova, Rroftë Shqipëria...” dhe ranë në tokën-nënë për të cilën kishin flijuar
edhe jetën. Krismat e pushkëve jo vetëm që thyen heshtjen e asaj dite qershori,
por ata edhe njëherë bënë aktin më
makabër ndaj atdhetarëve që nuk luftuan vetëm për vete por, për tërë
shqiptarin.