E premte, 01.03.2024, 08:35 AM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Mulla Iljaz Spahiu - Broja - 'Pa atdhe nuk ka fe'

E hene, 16.10.2023, 07:00 PM


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

MULLA ILJAZ SPAHIU – BROJA-“PA ATDHE NUK KA FE”

(1892-e pushkatojnë me 8 shkurt 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Mulla Iljaz (Hysen) Broja u lind më 1892, në fshatin Kastriot. Shkollën fillore e kreu në Vushtrri, ndërsa të mesmen, në Medresenë e Pejës, të cilën e kryen me sukses të shkëlqyeshëm. Pas përfundimit të medresesë, më 1916, në moshën 24 vjeçare, filloi të punoi si imam dhe mësues në Xhaminë e Brojës në Drenicë. Po, njëherë shërbeu edhe në disa vende tjera të Drenicës. Mulla Ilaz Broja në popull njihej si në veprimtar i madh i çështjes kombëtare. Dihej se xhamia e Brojës pas formimit të shtetit SKS (1918), ajo ishte strehimore për  shumë trima të kësaj ane.  E sidomos duhet përmendur patriotin e madh të Drenicës, Azem Bejtën, i cili u strehua një kohë në xhami. Azem Bejta përndryshe ishte daja i Mulla Ilazit.

Si njeri i ngritur dhe shumë i interesuar për çështjet e atdheut, Mulla Ilazi mbante kontakte me burrat elitar të kombit. Mbante lidhje të ngushta me Hoxhë Kadri Prishtinën, i cili drejtonte organizatën “Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës”. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ishte themelua në ilegalitet të thellë më 1 maj 1918 dhe më  7 nëntor 1918 u vendos përfundimisht në Shkodër nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Pasi se ishte kuptua se ai po mbante lidhje më të , xhandarmeria serbe e burgosin hoxhën. Edhe pse në burg e kishin torturua dhe malltretua Mulla Ilazin, ai nuk ishte dorëzua. Krenar dhe i pamposhtur kishte qëndruar ndaj të gjitha torturave që i bënë xhandarët serb. Për arrestimin e tij kishin marr informacione edhe patriot të tjerë në shtetin Serbo-Kroat-Slloven. Duke e ditur mençurin dhe shkathtësinë e hoxhës, për lirimin e tij nga burgu kishte ndikua kryemyftiu i Mbretërisë SKS, dhe ai pas pak lirohet nga burgu me ç ‘rast populli e priti si hero, dhe për trimërinë e tij u fole e u përfol në të gjitha tokat shqiptare.

Atdhetari i madh Mulla Ilazi iu kundërvu me tërë fuqinë fetare e politike propagandës serbe për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Ai si hoxhë që ishte pa hezituar shkoi nga fshati në fshat për ti bind fshataret se e tërë kjo ishte propagandë serbe, vetëm e vetëm që Kosova të ngeli pa shqiptarë dhe Serbia të trumbetojë se Kosova është tokë serbe, siç edhe bëri dhe bënë edhe sot.

Deri sa Kosova ishte e okupuar nga Mbretëria SKS, Ferat Draga kishte formua organizatën “Xhemijeti” (Bashkimi), ishte parti legale politike e shqiptarëve mysliman të Kosovës dhe Republikës të Maqedonisë, e formuar në muajin dhjetor të vitit 1919 në Shkup. Ajo përfaqësonte shqiptarët në Parlamentin e Mbretërisë SKS. Mula Ilazi ishte patriot dhe në këtë drejtim punoi deri në fund të jetës. Ky e njihte mirë Ferat Dragën dhe përkrahte pa rezervë deri në fund idetë e tij për çështjen shqiptare. Andaj edhe formimin e kësaj organizate e mirëpriti dhe punoi për të.

Mulla Iljaz Spahiu – Broja, më 1941, së bashku me Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën, Qazim Bajraktarin e Astrazubit, e të tjerë organizoi rreth 5000 luftëtarë për të mbrojtur Sanxhakun e Novi Pazarit, që po rrezikohej nga çetnikët serbë.

Mulla Ilaz Broja, ishte angazhua dhe mori pjesë në formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mbledhja u organizua në shkallë kuvendi dhe mendohej që edhe kjo të ishte në frymën e Lidhjes së Parë të Prizrenit 1878. Ajo zhvilloi punimet në Prizren më 16 – 20 shtator 1943 në praninë e 42 delegatëve që përfaqësonin Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Plavën, Vuthajn, Rozhajën, Novi Pazarin, Senicën, Prishtinën, Gjilanin, Mitrovicën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Ohrin dhe Ulqinin. Kryetari i parë i saj zgjidhet Rexhep Mitrovica, por me zgjedhjen e tij kryeministër të Shqipërisë Mulla Iljaz Spahiu –Broja, zgjidhet deputet i Drenicës në Parlamentin e Shqipërisë në Tiranë(1943-1944).

Gjatë viteve 1941-1944 mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e trojeve etnike nga sulmet çetnike. Më 1945, Mulla Iljazi ishte pjesëmarrës në të gjitha betejat që u zhvilluan në Drenicë, të udhëhequra nga Shaban Polluzha. Ai ishte krahu i djathtë i tij dhe ideolog i kryengritjes.

Në këto rrethana të krijuara, pas vrasjes së Shaban Polluzhës, momenti historik shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha këtyre grupeve-lëvizjeve, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Mulla Iljazi Iljaz Spahiu –Broja së bashku me prof. Ymer Berishën morën përsipër që të themelonin organizatën “Besa Shqiptare”, e cila do të përpiqej për një aleancë me anglo-amerikanët kundër komunizmit për një rend demokratik. Pra, siç shihet, hoxha ishte ndër ata atdhetarë që nuk u pajtua asnjëherë me aneksimin e Kosovës nga Serbia, nuk pranoi pushtetin e Serbisë e Jugosllavisë në Kosovë, kështu që aktivitetin e tij për lirinë e Kosovës vendosi ta vazhdojë edhe në forma të tjera.  Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse u caktua vendi- fshati Dobërdol, dhe data e mbajtjes 4-5 gusht 1945.

Sipas vlerësimeve që vinin nga tereni, situata për mbajtjen e Kuvendit të Dobërdolit ishte e volitshme. Në bisedë me Ukë Sadikun, prof. Ymer Berisha takimin ndërmjet krerëve  të ilegales e kishte caktuar për muajin gusht të vitit 1945, në fshatin Dobërdol, në malet e Martin Pjetrit. Më 24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales. Në të merrnin pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit prej Roxhaje dhe Pazarit të Ri gjithsejtë 158 veta.

Aty u takuan udhëheqësit siç ishin : Mulla Ilazi Broja, Ukë Sadiku, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gjin Doda, Zeqë Sokoli,Qazim Bajraktari, Shaban Sadik- Rama, Sadik Lutani, Alush Smajli, Ferat Kotorri , Adem Shala, Njazi Alishani, Zhukë Haxhia, Islam Tabaku, Rexhë Xhela, , Biko Dresheviq ( i cili me vete kishte sjell edhe katër të arratisur nga Sanxhaku ), dhe shumë të tjerë. Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte edhe një garanci se grupet do të aktivizohen dhe do të veprojnë edhe më tepër në teren sipas direktivave të udhëheqësish qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve ushtarak edhe udhëheqësit politikë. Meqenëse Kosova dhe Dukagjini u ndan në  12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politikë për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12 këshilltarët”

Organizata politike-patriotike “Besa Kombëtare” gjatë veprimtarisë së vet arriti të ketë një strukturë organizative, që i përshtatej kushteve dhe rrethanave në të cilat vepronte. Përveç Shtabit Udhëheqës që ishte i përbërë prej 12 vetash, në të u caktuan edhe udhëheqësit politik e ushtarak në rrethet e caktuara. Për rrethin e Drenicës ishte caktua si udhëheqës politik Mulla Ilaz Broja, ndërsa si udhëheqës ushtarak u caktua Sadik Lutani.

Përfaqësuesit nga rrethi i Vushtrrisë, Podujevës, Mitrovicës, nuk merrnin pjesë për hir të situatës së vështirë, por profesori ata i kishte njoftuar me kohë për detyrat dhe organizimin e punës së tubimit. Përfaqësuesit nga Ferizaj, Gjilani e Kaçaniku për arsyen objektive , e që ishin objektive nuk kishin prezantuar në takim. Kuvendi i Dobërdolit sipas dëshmive që kemi  kishte zgjatur dy ditë. Gjatë tërë punës së kuvendit, në kodër mbi Llugë afër Dardhës së Madhe siç e quanin vendasit, u vendos flamuri me shqiponjën dykrenore dhjetë metra i gjatë, që e ruante roja e nderit Alush Smajli i Llazicës.

Më 22 tetor 1945, prof.. Ymer Berisha, e informonte shefin e misionit ushtarak anglez, për përfundimin e luftës së Drenicës dhe për gjendjen në Kosovë. Por ky raport kishte rënë në duart e OZN-es, sepse korrieri ishte bashkëpunëtor i tyre e që nuk ishte hera e parë që një njeri i tillë ishte infiltruar në radhët e lëvizjes. Profesori ishte i shqetësuar për situatën që mbretëronte pas aneksimit të Kosovës Serbisë. Sepse për nga përmasat, qëllimet, metodat që përdoreshin, propaganda që zhvillohej, dhuna që zbatohej mbi shqiptarët ishte e njëllojtë me atë që ushtrohej dhe përdorej në vitet e sundimit të dinastisë mbretërore të paraluftës. Përpara luftës shqiptarët ishin element destabilizues për Jugosllavinë, ndërsa pas lufte ishin separatistë, e çka jo tjetër. Duke e vërejtur pakënaqësinë e popullit, Ymer Berisha vënë lidhje me të gjitha organizatat ilegale, që vepronin në Kosovë dhe intensivisht punoi për të bërë bashkimin e tyre. Sipas Gjon Serreqit, që i jep deklaratë hetuesit në burg, thotë se “ Me organizatën “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës kemi pasur lidhje prej qershorit të vitit 1946, nëpër mjet të Rexhep Lushit, korrierit të Hilmi Zariqit. Aksione të përbashkëta nuk kemi pasur. Ata kanë kryer aksione në Dukagjin, kurse ne këtu. Ymer Berishën të gjithë ne e kemi nderuar si organizatorin më të aftë. Ai na pat njoftuar se është i ndërlidhur me Muharrem Bajraktarin me konsullin anglez në Tiranë, Hadsonin”, përfundon Gjoni para organeve hetimore. Këtë deklaratë ai e jep diku në orët e hershme të mëngjesit.

Në letër më tutje vihet në pah se si ushtria serbe ka mbytur 26.000 njerëz të pafajshëm, kanë djegur mbi 150 shtëpi, 6.000 familjeve shqiptare u është grabitur tërë pasuria. U bë rikolonizimi i tokave shqiptare. Nga populli me tradhti është bërë grumbullimi (mbledhja) e armëve. Meqenëse me sukses u krye ky aksion, në vend të lirisë së premtuar, filluan të robëronin atë, duke zbatuar mbi ta torturat e terror të paparë në historinë e popullit. Pasi i mblodhën armët, i burgosën të gjithë krerët, bajraktarët dhe personalitetet e njohura i hodhën në burgjet më të këqija, në të cilën shumë prej tyre vdiqën nga uria. I merrnin natën nga burgu nga 10-15 veta dhe duke luajtur me muzikë pas torturave të mëdha i vrisnin duke i rrahur e pushkatuar, duke i therur, duke i vrarë, e në disa raste duke iu rënë me çekiç në kokë, duke i u vënë nën thonj gjilpërat, duke u rënë brinjëve, duke ua prerë pjesët e trupit derisa ata ende ishin gjallë...[34] Raporti që i dërgohet gjeneralit Hadson ishte shumë më i gjatë. Ai përmbante më tepër se 2500 fjalë. Këtë letër e nënshkruan profesor Ymer Berisha, si kryetar i organizatës “Besa Kombëtare”, ndërsa si anëtarë të këshillit të organizatës nënshkruajnë edhe Mulla Ilaz Broja, Hysen Bajraktari, Ndue Përlleshi, Feriz Boja, Ndrec Lleshi, Mehmet Aga, Sokol Dini, Shaqë Gaca, Zeqir Lutani, Bardhec Rogani, Jetullah Rrezalla dhe Zef Doda.

Aktivitetet ushtarake e politike të Mulla Ilaz Brojës ishin të mëdha deri në dhjetor të vitit 1946. Mulla Ilaz Broja gjithë jetën përdori sloganin: “Pa Atdhe nuk ka Fe”. Ky slogan u bë imperativ i kohës. Për pjesëmarrjen në Kuvendin e Dobërdolit, për strehimin e kaçakëve dhe për përkrahjen e lëvizjes për çlirimin kombëtar dhe për një Shqipëri etnike, udhëheqësit e këtij kuvendi  si dhe shumë veprimtar të kësaj ane u dënuan me burg shumëvjeçar. Iu plaçkitën dhe iu dogjën shtëpitë, u maltretuan familjet dhe bënë akte genocidale ndaj tyre.

Më 8 shkurt 1946, Mulla Iljaz Spahiu –Broja rrethohet nga OZN-a jugosllave në fshatin Leqinë dhe pushkatohet në fshatin Zllakuçan, së bashku me bashkëluftëtarët e tij. Më 9 shkurt 1946, Jetish Aliu nga Buroja të cilin Mulla Iljaz Spahiu e kishte nip e mori trupin e pajetë të hoxhës, dhe e varrosën me nderime në oborrin e Xhamisë së Brojës, ku edhe sot vazhdon të nderohet nga njerëz nga e gjithë Kosova.



(Vota: 92 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Azem Jashanica - Muhaxhiri që u flijua për Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Kolonel Qazim Komoni - Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap jetën për Kombin Sabile Basha: Kurban Sabile Basha: Mehmet Gradica - Trimi që u kthye në legjendë për mbrojtjen e tokave shqiptare Sabile Basha: Shaban Polluzha – Simbol i Qëndresës Gjithëkombëtare Sabile Basha: Smail Dragusha - Bashkimi Kombëtar duhet të bëhet me hir e me pahir Sabile Basha: Fetije Kelmendi-Dragusha - Heroina që luftoi pa u trembur për Bashkimin Kombëtar Sabile Basha: Haqif Blyta - Patrioti që iu tha çetnikëve: Jo në tokat shqiptare Sabile Basha: Ibrahim Lutfiu, atdhetari që u vetëflijua për tokat shqiptare Sabile Basha: Agush Mehmeti, atdhetari i patrembur i Anamoravës Sabile Basha: Sefedin Ahmeti, djaloshi që sakrifikoi jetën që Kosova një ditë të jetë e Lirë Sabile Basha: Veprimtaria atdhetare e Prof. Kolë Parubit Sabile Basha: Kadri Veli Halili - Atdheu mbi të gjitha Sabile Basha: Prof. Dr. Sylejman Lleshi, nacionalisti i përbetuar për Bashkim Kombëtar Sabile Basha: Mustafë Koka - Dora e djathtë e Hasan Remnikut Sabile Basha: Ndue Përlleshi - Deri në vdekje në mbrojtje të tokave shqiptare Sabile Basha: Bedri Gjinaj - 'Djemtë me shkollë shohin me katër sy' Sabile Basha: Osman Bunjaku - Patrioti i pa kompromise për Kosovën e Lirë Sabile Basha: Bedri Pejani - Atdhetari i pakompromis për Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Gjergj Martini – Shkodrani që u flijua për Kosovën

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora