E premte, 01.03.2024, 08:41 AM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Kolonel Sylejman Vuçitërna dhe 'gjyqi special' i Tiranës

E premte, 20.10.2023, 06:59 PM


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

KOLONEL SYLEJMAN VUÇITËRNA DHE “GJYQI SPECIAL” I TIRANËS

(1898- u likuidua më 15 tetor 1948)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Më kishte rënë edhe më herët të lexoja e dëgjoja për Sylejman Vuçitërnën- kolonelin e devotshëm nga Kosova, dhe sa e sa herë kisha menduar se për këtë figurë të ndritur kombëtare duhet shkruar që mos ta mbuloi pluhuri i harresës. Bindjen  time e sforcoi edhe më shumë një takim i rastësishëm që pata në vitin që e lëmë pas (2005), me një grup kosovarësh që pata në Tiranë. Ata, me rrëfimet e tyre lidhur me sakrificën dhe vetëmohimin e Sylejman Vuçitërnës, dhe duke u kthyer edhe një herë në të kaluarën, me një farë mënyre më inspiruan që të kërkoja të dhënat e nevojshme për të, dhe të bëja së paku një shkrim, që opinionit të gjerë të iu bëjë më të njohur dhe më të afërt këtë personalitet të shquar e të lavdishëm të kombit. Dhe derisa bisedonim për vuajtjet dhe mundimet që kishte përjetuar koloneli, në fytyrat e bashkëvendësve tanë vëreja dhembjen dhe pikëllimin për humbjen e madhe që kishte pasur populli i ynë. Me të drejt, mu kujtua një e thënë nga poeti disident Visar Zhiti se “ka një çast që dhembja e tjetrit bëhet njëlloj si e jotja” e kjo mu duk se ngjante edhe me ata por edhe me mua kur flisnin për torturat që kishte përjetuar koloneli vet.

Në kohën kur Partia Komuniste në tokat shqiptare po lëshonte shtat, ishin djemtë e saj, që kryesisht ishin shkolluar në shtetet e perëndimit, që u munduan të bënin rezistencë dhe ti ndalnin hovin asaj për të mos depërtuar në tokat shqiptare. Edhe ata, komunistët që vepronin në Shqipëri, e ndjenin se komunizmi për shqiptarët ishte “trup i huaj“ për ndërgjegjen e mentalitetin shqiptar dhe e dinin se urrehej nga shumë prej tyre. Nën petkun e një humanizmi  dhe solidariteti universal më 1945, erdhi në pushtet duke eliminuar nga rruga atdhetarët më të devotshëm.

Po, me këtë shkas, u organizua dhe u mbajt me 1 mars 1945, procesi më i madh gjyqësor  në Shqipëri, i quajtur “Gjyqi special”,  ku para trupit gjykues dolën hiq më pakë se gjashtëdhjetë (60) veta, ( që të gjithë shqiptarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë etnike). Ata, pjesa më e zgjedhur, më e arsimuar e më e përgatitur, u pushkatuan, vuajti në mundime të papara e të padëgjuar, në tortura të papërshkrueshme në burgjet e kampet e shfarosjes, shumë prej tyre humbën jetën ndër torturat më barbare e, edhe më shumë, u vranë dhe u pushkatuan zajeve e përroskave pa ju ditur ende as vendi i eshtrave të shenjta.

Do të kalojnë vite e vite, shqiptarët si në shtetin amë, po ashtu edhe jashtë saj do të vuajnë gjatë egërsinë e shfrenuar të ideologjisë komuniste me pabesitë, gjyqet dhe tradhtitë duke lënë rrugës së gjatë të kalvarit 50-vjeçar një nga një martirët e vetë të lavdishëm.

Të gjithë ata shqiptar: ushtarak, profesor, intelektual të profesioneve të ndryshme, gjatë tërë jetës së tyre dhanë prova të pakrahasueshme trimërie dhe burrërie, bese e guximi, por mjerisht për ti ruajtur ato iu desh të përvijojë riga gjaku në gjithë historinë e saj. Patriotët shqiptarë që ishin shkolluar në perëndim gjatë gjithë kohës shpirtin, mendjen dhe zemrën e patën gjithnjë në Evropë, por zilia, smira dhe urrejtja e ankoruan vazhdimisht në Lindje që duel shekullor ishte vazhdimisht fati i saj.

Procesi gjyqësor për “Gjyqin special” u mbajt në Tiranë, në sallën e ish- kinemasë “Kosova”, dhe si çdo kund në vendet ish- komuniste, ato u organizonin nën diktatin e partisë. Për të marrë pjesë në gjykatore, u ftonin njerëzit e caktuar, dhe të gjithëve iu caktonin rolet për gjykatore. Dikush e kishte për detyrë për të thirrur parulla siç ishin të njohura “tradhtarët duhet vrarë”, “banda të mallkuara të popullit”, e shumë të tjera. Bile në këtë proces, në sallën e kinemasë kishte nxënë vend edhe vetë Enver Hoxha. Trupin gjykues të procesit gjyqësor e përbënin : Koçi Xoxe, Halim Budo, Gaqo Floqi, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Medar Shtylla, Faik Shehu, Bilbil Klosi dhe prokuror ishte Gjeneral major Bedri Spahiu. Bilanci përfundimtar i procesit gjyqësor ishte: shtatëmbëdhjetë (17 ) veta u dënuan me pushkatim, tetë (8 ) veta u dënuan me burgim të përjetshëm, dhjetë ( 10) veta u dënuan me tridhjetë vjet burg, 3 veta me nga 20 vjet burg, pesë të tjerë me nga 15 vjet burg, me nga dhjetë vjet burg u dënuan 5 veta, me nga 5 vjet burg gjithashtu u dënuan 5 veta, dy veta u dënuan me nga 3 vjet burg, me nga 2 vjet burg u dënuan 3 veta, ndërsa për pafajësi u liruan  2 persona.

Shënime biografike

Në mesin e të dënuarve me nga tridhjetë vjet burg, ishte edhe kolonel Sylejman Vuçitërna, nga fshati Verbovc, komuna e Vushtrrisë. Atdhetari i devotshëm u lind me 11 shtator 1898, në një familje ku për traditë kishin atdhetarin dhe luftërat e pa ndërprera për liri të vendit. Edhe pse vinte nga familja e Kastratëve, ai gjatë tërë jetës mbajti mbiemrin e qytezës- Vuçitërna (tani Vushtrri). Sylejman Vuçitërna shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në gjuhën turke, pasi se në atë kohë shkolla shqipe ende nuk kishte në atë pjesë të Kosovës, por në shkollimin e tij ndikim të dukshëm pati babai i tij i cili ishte imam i fshatit, dhe vëllai i tij më i madh -Rexhepi, dhe po ashtu edhe vëllai i tij më i vogël- Isufi,  (që të dy ishin hoxhallarë të diplomuar).

Forcat serbe duke e vërejtur angazhimin e tij, vëllait të vogël- Isufin, marinë një fushatë ndaj tij, të cilin pas një kohe e nxënë dhe e groposin të gjallë, dhe në ndërkohë si shenjë hakmarrjeje për luftërat e tyre që bënin kundër Serbisë iu djegin tri herë kullën, por edhe pas saj dashurin për atdheun dhe lirin nuk arrijnë ta shuajnë në këtë anë të Kosovës.

Vlen të thuhej se babai i Sylejmanit ishte një atdhetar i shquar, dhe merrte pjesë aktive në Lëvizjen Kaçake, gjë që ndikoi që në moshë të re, si gjashtëmbëdhjetë vjeçar, Sylejmani ti ndërpresë mësimet dhe t’iu bashkohet qetave kaçake. Edhe pse në moshë të re, me të madhe angazhohet për nënshkrimin e një peticioni që kishte për shqyrtim rishikimin e kufijve të Shqipërisë, ku më parë nënshkrimet e tyre i kishin vu Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe shumë atdhetar të tjerë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, bashkëluftëtarët e vejnë në ballë- komandant të Çetës së Vërbovcit, e cila në kuadrin e vetë përfshinte mbi 400 burra- luftëtar. Në këtë çetë merrnin pjesë luftëtar të dalluar nga rrethi i Mitrovicës, Vushtrrisë, Drenicës dhe vende të tjera të Kosovës.

Aktiviteti dhe luftërat kaçake në atë pjesë të Kosovës kishin marr hov, dhe shovinizmi serbomadh e kishte vërejtur këtë, sidomos angazhimin, organizimin dhe vrullin e Sylejmanit të cilat binin në sy dhe i futnin frikën okupuesit, andaj   hakmarrja dhe urrejtja ndaj tij ishin të pa evitueshme. Në mungesë të luftëtarit ( thoshin se ai ishte i pa kapshëm nga bandat serbe), atë e dënuan me vdekje. Edhe pse ishte i dënuar me vdekje, patriotin ky dënim aspak nuk e trembi, por përkundrazi u mobilizua dhe u angazhua që edhe më tepër luftëtar të çështjes kombëtare të ofrojë rreth vetes, por qëndrimi i tij dhe veprimtaria në rajonin e Vushtrrisë ishte me plotë pasoja, andaj u detyrua që të lëshojë Kosovën e tij të dashur dhe të kërkojë strehim në Shqipërinë- Nënë. Më 1922, në mes rafalëve të plumbave, kalon me not liqenin e Shkodrës, për të jetuar në Shqipëri deri më 1941.

Atdhetari Sylejman Vuçitërna, veç që luftonte për lirin, ishte edhe dashamirë i arsimit, andaj duke përfituar nga një bursë shtetërore prej kontingjentit të nxënësve kosovarë, që paguheshin nga Hasan Prishtina ai  regjistrohej në Shkollën Normale të Elbasanit të cilën e mbaron me sukses më 1929. Pas mbarimit të Normales, u vendos në Tiranë përkohësisht  ku dhe u martua me Faika Spatharën ( me të cilën pati katër djem e një vajzë), që ishte vajza e ushtarakut të njohur nga Skrapari, kolonel Mustafa Spathara, i cili ishte i diplomuar në Akademinë Turke “Erqani Hark”. Për të vijuar më vonë mësimet në Shkollën Ushtarake në Itali, në Akademinë Ushtarake të Torinos, të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e këmbësorisë. Më vonë kthehet në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare. Një vit më vonë fitoi të drejtën e një specializimi njëvjeçar për në Gratz të Austrisë për degën e prapavijës, të cilën e mbaroi në qershorin e vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi emërohet në prapavijat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas pedagog në Shkollën Mbretërore të oficerëve në Tiranë dhe komandant i saj deri në prillin e vitit 1939.

Pas viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar (XX), figura e Sylejman Vuçitërnës sa vije e bëhej më e afërt për bashkëkombësit e tij. Me hapjen e arkivave në Shqipëri, edhe një tis i hollë drite dukej në horizont për të njohur dhe mësuar për figurën emblematike të tij. Emri i Sylejman Vuçitërnës u përmend në shumë libra dhe nga shumë shkencëtar. Dr. Elmas Leci, në librin e tij  “Eliminimi i lidershipit ushtarak”, botuar me 2002 në Tiranë, në mes tjerash për figurën e atdhetarit shkruan apo citon Dashnor Kaloçin, publicistë i njohur nga Tirana se “Në mesnatën e 14 nëntorit, skuadrat speciale të partizanëve arritën të arrestonin dhe kolonel Sylejman Vuçitërnën, që ndodhej në shtëpinë e tij ( sot ambasada greke), diku afër lagjes periferike “Zogu i Zi”” duke e justifikuar marrjen e tij para familjes gjëja se po e marrin “vetëm sa për tu sqaruar në komandë”. Dhe pas këtij “sqarimi”, atdhetari Sylejman Vuçitërna nuk i shpëtoi dot gjyqit ushtarak, torturave të vazhdueshme në hetuesi, më vonë burgut, internimit e pastaj vdekjes në kënetën e Vloqishtit.

Aktiviteti luftarak i Sylejman Vuçitërnës

Koloneli Vuçitërna gjerë në fund të jetës së vet ngeli luftëtar i denjë për rezistencën dhe kauzën për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të përbashkët- Shqipërinë. Duke filluar që nga qetat kaçake dhe pas mbarimit të akademisë ushtarake në Itali e Austri, (edhe pse i kishin ofruar vende pune aty ku kishte mbaruar shkollimin), ai përsëri kishte zgjedhur Shqipërinë. Rënkimi i atdheut e përcillte çdo kund. Kishte parandjenjë se do të lëndohet rëndë trungu i Shqipërisë. Më 1935 inkuadrohet në prapavijë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas emërohet pedagog në Shkollën Mbretërore të Oficerëve në Tiranë dhe komandant i saj deri në prillin e vitit 1939.

Më 1939, duke e parë situatën e tensionuar në Ballkan, dhe duke e ndjerë rrezikun që po i kanosej Kosovës, ai me 7 prill të të njëjtit vit e lëshon Shqipërinë dhe vendos që të kthehej në Kosovë. Më 1941, angazhohet me forcat tjera nacionaliste që kishin vendosur që ti dalin zot Kosovës së robëruar. Krahas detyrës ushtarake që kryente, ai pa hezituar aspak i bashkohet Komitetit Mbrojtja e Kosovës. Duke e parë angazhimin e tij të madh, atë e emërojnë komandant të Komandës së Mbrojtjes së kufijve verilindor të Shqipërisë, që fillonin nga Mali i Zi, Serbia e deri në krahinën e Llapit dhe përfundonin atje në kufirin me Bullgarinë. Këtë detyrë mjaftë me përgjegjësi, të rëndësishme dhe shumë të rrezikshme e kreu deri në vitin 1944, kur edhe mori titullin e kolonelit. Fill pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme kolonel Sylejman Vuçitërna ,  përsëri kthehej në Tiranë, me besimin se nga atje, më tepër do të kontribuojë për çështjen e Kosovës, dhe asnjëherë nuk i kishte shkuar ndër mëndë  se me 14 nëntor ( 1944), do të gdhihej në një qeli të ftohët të burgut të Tiranës.

Profesorin dhe drejtorin e Shkollës Ushtarake të Mbrojtjes në Tiranë, me 1 mars 1945, në procesin gjyqësor “Gjyqi special”, Sylejman Vuçitërnën  e dënojnë me 30 vjet burg edhe pse prokurori kishte kërkua që ai të dënohet me burg të përjetshëm.

Absurd mbi absurdet, në seancën e fundit gjyqësore ( gjithsejtë kishte 31 seanca gjyqësore), prokurori deklaronte se kosovari Sylejman Vuçitërna “Nuk ka përgjegjësi të madhe se s’ka vrarë e prerë njeri...”, megjithatë ai u dënua me 30 vjet burg sikur të ishte kriminel e tradhtar i përbetuar i popullit të vetë.  Dhe s’kishte si të ishte ndryshe, njëherë i kishte shpëtuar vdekjes, që e kishin dënuar serbet në Serbi, tani gjyqi i Tiranës i shqiptonte dënimin pothuajse me vdekje, ngase rrallë ndodhte që një i dënuar me aq vite burg sa ishte Sylejman Vuçitërna të dal i gjallë nga atje.

Koloneli, asnjëherë nuk e pati të vështir dënimin që i shqiptuan, se vazhdimisht në zemrën e tij të madhe gjeti forcë që ti arsyetonte ata. Por, kurrë nuk mundi të gjente arsye se pse ata që e njihnin biografin e tij të bujshme patriotike, e quajtën “armik i popullit”

Pas torturave nga më çnjerëzoret në hetuesi dhe vuajtjeve nga më mizoret të punës së rëndë fizike në kampin ç ‘farosësh e famëkeq të Vloçishtit ( ish-këneta e Maliqit), në Korçë, ai u detyrua të priste me bel gishtat e këmbës dhe të mbaronte tragjikisht nga hemorragjia në atë kamp varr. Me 15 tetor 1948, duke e dërguar gjëja se për ndihmë mjekësore, e varrosën ashtu gjysmë të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e kolonelit, por edhe në të njëjtën kohë duke e futur në listat e gjata të atyre që s’u dihet ende varri, madje, madje duke mos figuruar as edhe në listat e të vdekurve.

Pas likuidimit, familja e tij u internua dhe u torturua nga organet e sigurimit, u ndjek nga Tirana dhe shumë të afërt të tyre nuk kishin guximin ti futnin në shtëpitë e tyre, dhe kjo ishte e arsyeshme, ngase menjëherë pasonin ndëshkimet. Ky lloj terrori zgjati me vite deri sa  u bë përmbysja e këlshedrës komuniste.

Edhe pse kanë kaluar dekada e dekada, emri i kolonel Sylejman Vuçitërnës, e sfidoi kohën, i rezistoi harresës historike dhe tani vjen si ushtimë e piskamë që tregon se ç ’far idealesh madhështore, ç’ far zemrash të dëlira, ç ’far atdhetar e patriot të mëdhenj u dënuan dhe u vranë në bankat e ndyra të gjyqeve komuniste, pa hequr kurrë dorë nga qëllimet e tyre të shenjta, që një ditë ta shohin të lirë atdheun e tyre- Shqipërinë etnike.



(Vota: 92 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Hamdi Gashi - Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria Sabile Basha: Mulla Iljaz Spahiu - Broja - 'Pa atdhe nuk ka fe' Sabile Basha: Azem Jashanica - Muhaxhiri që u flijua për Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Kolonel Qazim Komoni - Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap jetën për Kombin Sabile Basha: Kurban Sabile Basha: Mehmet Gradica - Trimi që u kthye në legjendë për mbrojtjen e tokave shqiptare Sabile Basha: Shaban Polluzha – Simbol i Qëndresës Gjithëkombëtare Sabile Basha: Smail Dragusha - Bashkimi Kombëtar duhet të bëhet me hir e me pahir Sabile Basha: Fetije Kelmendi-Dragusha - Heroina që luftoi pa u trembur për Bashkimin Kombëtar Sabile Basha: Haqif Blyta - Patrioti që iu tha çetnikëve: Jo në tokat shqiptare Sabile Basha: Ibrahim Lutfiu, atdhetari që u vetëflijua për tokat shqiptare Sabile Basha: Agush Mehmeti, atdhetari i patrembur i Anamoravës Sabile Basha: Sefedin Ahmeti, djaloshi që sakrifikoi jetën që Kosova një ditë të jetë e Lirë Sabile Basha: Veprimtaria atdhetare e Prof. Kolë Parubit Sabile Basha: Kadri Veli Halili - Atdheu mbi të gjitha Sabile Basha: Prof. Dr. Sylejman Lleshi, nacionalisti i përbetuar për Bashkim Kombëtar Sabile Basha: Mustafë Koka - Dora e djathtë e Hasan Remnikut Sabile Basha: Ndue Përlleshi - Deri në vdekje në mbrojtje të tokave shqiptare Sabile Basha: Bedri Gjinaj - 'Djemtë me shkollë shohin me katër sy' Sabile Basha: Osman Bunjaku - Patrioti i pa kompromise për Kosovën e Lirë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora