Speciale » Basha
Sabile Basha: Bislim Bajgora - Shaljani që iu përkushtua mbrojtjes, çlirimit dhe Bashkimit Kombëtar
E shtune, 04.11.2023, 08:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
BISLIM KADRI BAJGORA-SHALJANI QË IU
PËRKUSHTUA ME TËRË QENIEN MBROJTJES, ÇLIRIMIT DHE BASHKIMIT KOMBËTAR NË NJË
SHQIPËRI ETNIKE
(1890- u vetëvra në dimrin e vitit 1947)
Nga Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Trimi i madhi Shalës, Bislim Bajgira u lind më 1890, në
fshatin Kçiq i Vogël të Shalës së Bajgorës. Ishte i biri i Kadriut dhe nënës
Tahire, të cilët kishin edhe dy fëmijë të tjerë: Eminin e Sadriun. Familja
Bajgora duke kërkua kushte më të mira për jetë, ishte shpërngulur nga fshati
Bajgorë për në Podujevë e nga atje ishte vendosur në fshatin Kçiq i Vogël, komuna e Mitrovicës e
më vonë në një paralagjë të Mitrovicës- Shupkofc, që edhe tani jetojnë
pasardhësit e tyre.
Bislim Bajgora u lind e u rrit në një familje të njohur
shaljane që kurrë nuk u pajtuan të jenë të robëruar dhe të nënshtruar në tokën
e tyre. Si i ri kishte dëgjuar për të bëmat e patriotëve shqiptar andaj i
kishte idhuj dhe ishte i përgatitur për lufta në mbrojtje të atdheut. Tradita
patriotike në familjen e bajgoreve nuk ishte e panjohur. Vite më parë, më 1904,
iu kishin vrarë dy xhaxhallarët e Bislimit në luftën e Mitrovicës. Ngase
pushteti turk kishte fillua reformën agrare në dëm të shqiptarëve dhe kishte
lejuar që të hapet në Mitrovicë konsullata Ruse. Në Mitrovicë u zhvillua një
luftë e madhe në të cilën morën pjesë shumë atdhetar anë e këndë Kosovës e
Dukagjinit dhe duhet përmendur se gjilanasi Ibrahim Halit Popovci vrau vet
konsullin rus Shqerbinin. Sipas Avni Bilallit, i cili shkruan për biografin e
Bislim Bajgorës, thotë se gjatë kësaj lufte u vranë mbi 100 shaljan dhe 200
patriot të tjerë nga vendet e ndryshme që kishin ardhur për ti ndihmuar
vëllezërit e tyre.
Bislim Bajgora gjatë tërë jetës së vet njihej si një
njeri trim dhe i pamposhtur. Nuk e duronte robërinë dhe e urrente komunizmin.
Gjatë tërë luftërave që u zhvilluan në këtë pjesë të Kosovës, ai ishte i
pranishëm dhe luftonte pa u trembur për Mitrovicën, Kosovën e Shqipërinë Etnike
që ëndrra e tij ishte që ta bëjë një dhe të vërtetë. Ishte i pandashëm me
luftëtar të tjerë të kësaj ane si: Xhafer Devën, Rexhep e Xhelal Mitrovicën, me
vëllezërit Boletini, Bedri Gjinnaj, Ferta Dragën, Ukshin Kovaçicën, Ahmet
Selacin, Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën e shumë e shumë të tjerë.
Duhet theksuar se detyrë mbi detyra për Bislim Bajgoren
ngeli dëbimi i okupatorit nga tokat
shqiptare, kësaj radhe nga okupimi sllavë. Gjithashtu, pavarësia kombëtare dhe
bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare ishin thelbësore për atdhetarët
shqiptar. Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për
të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë. Nuk gjendet në Evropën e
sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë dhe që t’i jetë bërë
një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët gjatë Luftës së Dytë
Botërore.
Sllavët e jugut, të ardhur nga veriu i Karpateve, që nga
dita kur u dukën në portat e Perandorisë bizantine nuk bënë asgjë tjetër veçse,
u përpoqën me të gjitha mjetet e mënyrat për të zgjeruar hapësirën e tyre në
kurriz të popujve të tjerë autoktonë evropianë e ballkanikë. Sllavët e invaduar
në këto treva synim të përhershëm kishin spastrimin etnik dhe sllavizmin e
trojeve arbërore – shqiptare nga banorët e saj të lashtë iliro-shqiptarë. Ata,
përveç shfrytëzimit ekonomik, përdornin të gjitha mjetet mizore si vrasjet,
terrorin, shpërnguljen e një numri sa më të madh shqiptarësh nga atdheu i vet
dhe shkombëtarizimin e atyre që mbeteshin deri në asimilimin e plotë, si dhe në
anën tjetër kolonizimin e atyre trojeve me elementin serbo-sllavë. Ata donin që
ti shpërngulnin shqiptarët me të gjitha format e dhunës.
Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shumë shekuj më herët,
atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan
të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat
shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët,
metoda këto të njohura të pushtuesve të djeshëm e të sotëm serbosllavë. Por,
duhet cekur se çdo dhunë e terror që aplikohej ndaj shqiptarëve ishte i
legjitimuar dhe i shkruar në programet e tyre antishqiptare. Politika serbe
antishqiptare dëshmohet nëpër mes të 32 programeve të shkruara që gjenden në
arkiva të ndryshme të ish-Jugosllavisë e të Serbisë.
Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër
shqiptarëve e Shqipërisë ishin shkrua në kohët më të hershme të periudhave
historike, megjithatë aplikimi i tyre vije në shprehje edhe pas Luftës së Dytë
Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe krime të papara.
Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më perfide, bile
urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e shkencave e
Arteve Serbe, duke shkrua dhe specifikua si dhe në çfarë mënyre duhet të
eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre. Për copëtimin, uzurpimin,
shpërnguljen, eliminimin e shqiptarëve nga ana e intelektualëve të njohur serb
është shkrua shumë , por edhe tani shkruhet më të madhe. Por, pas përfundimit
të LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë, programet serbe në mënyrë
institucionale u futen në sistem dhe tërësisht u legalizuan. Më vonë, çdo gjë
që u punua dhe katrahurat që përjetoi populli shqiptar në Jugosllavi ishin
prodhim i programeve antishqiptare.
Por atdhetari Bislim Bajgora duke e parë rrezikun nga
shpërngulja e popullit shqiptar, ndërmori masa urgjente duke u organizuar me
patriot të tjerë, duke shkuar derë më derë duke iu treguar qëllimin e
okupatorit. Dhe ndodhi çudia, shumë familje shqiptare edhe pse kishin shitur
tërë pasurin i ranë pishman dhe vendosën që të qëndronin në shtëpitë e tyre.
Pas kapitullimit të Jugosllavisë, Kosova u nda në tri
zona. Gjermanët kishin marrë Mitrovicën dhe Shalën. Ata deri sa e pushtuan
Mitrovicën dhe Shalën pothuajse nuk patën fare vështirësi, pasi se ky vend
ishte i pushtuar nga forcat sllave me te cilët luftonin shqiptaret qe një kohe
te gjate, dhe hyrja e forcave gjermane në Mitrovicë e Shalë nuk u pengua nga
nacionalistët shqiptarë. Mitrovica në atë kohë udhëhiqej nga njerëzit më
autoritativë siç ishin Bislim Bajgora, Ahmet Selaci, Ukshin Kovaqica, etj.
Për kohën, Bislim Bajgora ishte njeri që asgjë nuk kursente
për vendin e vet. Ai dallohej për trimëri, burrëri dhe ishte strateg i njohur i
luftës dhe në të gjithë rajonin por edhe më gjerë gëzonte një respekt të madh
nga të gjithë. Edhe pas pushtimit gjerman, ishte krejt e natyrshme që gjermanet
të bashkëpunonin me të. Një njeri autoritativ dhe me qëllime të qarta siç ishte
Bislim Bajgora iu konvenonte gjermanëve, ngase shqiptaret luftonin për çlirimin
e popullit shqiptarë nga okupimi sllav dhe bashkimi i trojeve shqiptare këto
ishin qëllime të përafërta me ato të forcave gjermane, pasi që edhe gjermanëve
iu nevojiteshin aleatët kundër sllavëve.
Për një bashkëpunim sa më të mirë në mes gjermanëve dhe
shqiptarëve, me 21 prill 1941 u mbajt një mbledhje në hotelin “Jadran” në
Mitrovicë ku Xhafer Deva kërkoi që pushtetin vendor në Mitrovicë ta kryejnë
vetë shqiptarët, kështu që gjermanet e pranuan këtë kërkesë.
Duke e njohur trimërinë dhe ndikimin e madh të Bislim
Bajgorën nga afër, gjermanet filluan edhe më tepër të avanconin në plotësimin e
disa kërkesave të shqiptarëve. Pas 21 prillit të 1941, dukshëm ndryshoi situata
në Mitrovicë e rrethin. Shkollat filluan të funksiononin në gjuhën shqipe, pushtetin
vendor e kontrollonin shqiptarët dhe përkrah forcave gjermane u formuan
njësitet e armatosura në Shalë të Bajgorës e Mitrovicë me komandant Ahmet
Selacin si dhe Xhandarmëria Shqiptare me komandant Pajazit Boletinin.
Xhandarmëria Shqiptare kishte selinë në Mitrovicë por në
ndërkohë hapi edhe disa stacione të
tjera në Shalë të Bajgorës ku si komandantë u emëruan Bislim Bajgora, Ukshin
Kovaqica, Mehmet Gradica, Shaban Polluzha, Sylejman Vuçiterna, etj. Xhandarmëria
Shqiptare patrullonte në qytet dhe kujdesej për qetësinë, por gjithashtu ata
mbronin edhe kufijtë shqiptarë dhe popullatën shqiptare.
Kontributi atdhetar i Bislim Bajgorës nuk ishte i
koncentruar vetëm në Shalë të Bajgorës, ai kishte kalua kufijtë e saj dhe
luftonte pa u kursyer gjithandej ku kishin nevojë shqiptarët. Këtë patriotizëm
të pashoq e dëshmojnë edhe betejat e shumta që i zhvilloi bashkë me shokë si
ajo e Kolashinit 1941, beteja e Pazarit të Ri -1943, etj.
Sipas të thënave të asaj kohe, del se Kollashini ishte i
banuar nga shumica shqiptare. Ky numër i madh i banorëve shqiptar normalisht se
nuk i konvenonte serbomëdhenjëve, andaj shumë shpesh sulmoheshin nga çetnikët,
vetëm e vetëm që të zbrazet nga qenia
shqiptare. Kështu në vitin 1941 shqiptarët e Koloshinit rrezikohen nga çetnikët,
të cilët donin të djegin tërë fshatin dhe t’i vrisnin e t’i keqtrajtonin
popullin shqiptarë të atij vendi.
Për këto kërcënime kishin dëgjuar patriotët shqiptarë në
Kosovë e më gjerë. Bislim Bajgora posa merr këtë informatë, mobilizon njerëzit
më luftëtarë të Kosovës për të shpëtuar shqiptarët e Koloshinit. Falë ndihmës
së trimave Shqiptarë si Idriz Rexha nga Koshtova e Bobit, Bislim Bajgora nga
Shala e Bajgorës dhe patriotëve nga e tërë Kosova, nuk është djegur asnjë
shtëpi në Kolashin gjatë atyre sulmeve nga çetnikët serb.
Më 1943, Çetnikët ia mësynë Pazarit të Ri, ku mbi
popullatën shqiptare e boshnjake të pambrojtur, shfrynë egërsinë e tyre. Duke
urdhëruar njerëzit e tyre që të djegin, plaçkitin, dhe të vrasin sa më shumë
shqiptarë e boshnjak, madje edhe gra e fëmijë.
Shqiptarët e tjerë nga trojet shqiptare ishin të njoftuar
për gjendjen e keqe që kishin vëllezërit shqiptarë nga Pazari i Ri, dhe
rrezikun që po iu kanosej nga çetnikët, kështu u organizuan dhe iu dolën
përballë hordhive çetnike, duke luftuar mbi shtatë javë në mbrojtje të
vëllezërve të tyre.
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, si në Kosovë,
gjithashtu edhe në botë, pati ndikim të
madhe. Shumë patriotë të mëdhenj të organizatave të shumta ilegale, qen të
detyruara të lëshonin Kosovën, duke u strehuar në vende të ndryshme të botës,
ku ndjeheshin të sigurt, si në SHBA, Angli, Turqi, etj. Po kjo nuk vlente për
Bislim Bajgorën. Edhe pse shokët e sugjeruan që të shkonte në Greqi, ai nuk
pranoi. Dua të vdes në vendin tim iu thoshte trimi shaljan.
Pasi që përfundoi lufta, më 9 maj 1945, partizanët
jugosllav morën qeverisjen, atdhetarët që ishin angazhua për një Shqipëri
Etnike, si dhe Bislim Bajgora, ishin të rrezikuar. Andaj, Bislim Bajgora, me
shokët e tij të mbetur, kaluan në ilegalitet të thellë, me qellim të
organizimit të luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Atëherë, filloj terrori i madh kundër popullatës
shqiptare. Nacionalistët ndiqeshin hap pas hapi dhe vriteshin në prita të
ndryshme. Mitrovica u kthye prapë nën robërinë serbo-sllave në vitin 1945,
kështu që Ahmet Selaci me Bislim Bajgoren e me Ukshin Kovaqicën vendosën të
përgatisin një plan dhe strategji të re të luftës në rrethana krejt të reja.
Në ilegalitet të thellë vepronin shumë organizata
patriotike shqiptare, e që duhet përmendur Organizatën Nacional Demokratike
Shqiptare, Besën Kombëtare e shumë të tjera më të vogla. Këto organizata më 25
korrik 1946, organizuan dhe mbajtën Kongresin e V të NDSH-es. Po në këtë kongres u bë edhe ndryshimi
i emrit nga Ushtria e Ballit Kombëtar në Ushtria Nacional Demokratike
Shqiptare.
Në korrik 1946, ishte marrë iniciativa për themelimin e
" Divizionit të Ibrit" të Ushtrisë Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe
si përgjegjës ishte caktuar Ahmet Selaci, ndihmës i tij ishte caktua Jusuf
Boletini. Ndërsa pjesë komanduese ishte edhe Bislim Bajgora. Komandant i Grupit
të parë ishte caktua Faik Boletini, zëvendës Agjutant Bislim Bajgora. Komandant
i Grupit të dytë u caktua Osman Bunjaku, zëvendës Agjutant Hashim Basholli.
Komandant i Grupit të tretë u caktua Ukshin Kovaica, zëvendës Agjutant Smajl
Svarqa. Komandant i Grupit të katërt u caktua Avdi Tashevci, zëvendës Agjutant
Musli Dumoshi. Komandant i Grupit të pestë u caktua Ilmi Zariqi, zëvendës
Jetullah Rezalla.
Nuk kishin kalua 2-3 vite nga riokupimi jugosllave mbi
Kosovën dhe trojet tjera shqiptare jashtë kufirit të Shqipërisë politike
komuniste, situata politike në Kosovë ishte e rënduar. Forca të mëdha të OZN-es
e të UDB-es, ishin angazhuar të pastronin terrenin nga “Armiqtë e popullit” dhe
“bandat kriminele” siç i quanin atdhetarët shqiptarë pushteti i atëhershëm
jugosllav. Bislim Bajgora, me shokë në ato kushte të vështira aktivitetin e vet
e zhvillonte në Mitrovicë dhe rrethinën e saj. Në dimrin e vitit 1947, Bislim
Bajgora me grupin e vet zbulohet dhe fillojnë ndjekjet e UDB-es ndaj grupit.
Pas një lufte të gjatë, i gjithë grupi i Bislim Bajgorës vriten. Ndërsa, në një
shkrim kam hasur se Bislim Bajgora, pasi se plagoset rëndë nga policia që i
kishte zënë pritën dhe rrethi vinte duke u ngushtua, për mos me iu rënë në dorë
udbashëve, ai nxjerr revolen dhe
vetëvritet. Pas vdekjes, udbashët, kufomën e Bislim Bajgorës e të shokëve të
tij i ekspozojnë ( e që ishte bërë traditë tek pushteti jugosllav), para ish–Hotel
“Jadrani” në qendër të Mitrovicës. Vetëm e vetëm që të fusin frikë e panik tek
qytetarët. Populli i Mitrovicës, i rrethinës e më gjerë, i nderoi bijtë e vet,
në heshtje duke parakaluar në nderim të tyre. Thuhet, që Bislim Bajgora dhe
shokët e tij, ishin varrosur në afërsi të kalasë së Zveçanit në një varr masiv.
Edhe sot, sikurse që ndodhë me shumë atdhetar anë e këndë Kosovës, nuk u dihen
varret e tyre.