Speciale » Basha
Sabile Basha: Xhemë Hasa-Gostivari - Bini burra, djem të ri, për Bashkimin me Shqipni
E enjte, 02.11.2023, 09:17 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
XHEMË
HASA – GOSTIVARI – BINI BURRA, DJEM TË RI, PËR BASHKIMIN ME SHQIPNI, ME KOSOVË
DHE ÇAMËRI..
(1908-u
likuidua me tradhti, më 15 maj 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
Xhemë Hasa-Gostivari, u lind më 1908, në fshatin Simnicë, në afërsi të
Gostivarit. Ai kishte lindur në një familje të varfër fshatare, andaj nuk pati
kushte për të vazhduar shkollimin. Xhema, kur u rrit, filloi të merrej me
bujqësi, e në veçanti me blegtori pasi se fushat e livadhet e kësaj pjese të
tokave shqiptare ishin shumë të përshtatshme për mbajtjen e bagëtive. Djaloshi
i urtë e trim kishte lindur në një familje me tradita të mëdha patriotike,
andaj nuk ishte e rastësishme që nga rinia e hershme, pushteti filloi ta
vëzhgonte dhe ta mbante nën shënjestër. Si i ri shpesh ballafaqohej me shumë
padrejtësi që i bënin serbët familjes së tij dhe tërë popullit shqiptar të
kësaj ane. Ai ishte i pakënaqur dhe plotë mllef për terrorin serbo- sllav që
bënin mbi ta. Me kalimin e viteve ai u bë një nacionalist i përbetuar dhe u
betua se do ta luftonte në çdo kohë okupuesin që në këto anë kishte shtua
zullumin në pa skajshmëri.
Me
punën e palodhur dhe me guximin e madh, Xhemë Gostivari në një mënyrë tërë
fshatin e tij që njihej për trimëri e shndërroi në bastion të atdhetarisë
shqiptare.
Shtypja
e presioni ndaj fshatarëve të kësaj ane nga xhandarmeria serbe ishte i
shumëllojshëm. Popullata e pafajshme rrihej e malltretohej për hiq gjë.
Ndodhte
shpesh, që fshatari i gjorë, që nuk e përshëndeste xhandarin, ai e rrahtë dhe në
ditën tjetër e përshëndeste, ai përsëri e rrihte, pse kishte marr guximin me e
përshëndet atë. Vepronin kështu, ngase ndjeheshin më superior. Urrejtja kishte
mbërri pikën e vlimit, kur në mungesë të Xhemës në shtëpi, xhandari kishte
ardhur për të marr taksat, dhe nëna e Xhemës iu kishte përgjigj se ai nuk ishte
në shtëpi. Me atë rast xhandari serb i kërcënohej nënës, duke i thënë po qese
nuk ka djali para, le ti shesin stolit e gruas. Xhema merr vesh për mesazhin që
i kishte lënë polici, dhe të nesërmen e likuidon me një plumb dhe arratisej nga
shtëpia. Nga aty, kalon në Shqipëri dhe me ndihmën e patriotëve shqiptar, ai
vendoset në Elbasan. Pushteti i fal pak tokë dhe ky fillon të siguronte jetesën
duke punuar atë tokë. Po në ndërkohë, në Simnicë, familjen e tij, pas një
egërsie të pa përshkruar e torturojnë dhe e nisin për ta shpërngulur me dhunë
për në Turqi. Në Selanik, patriotët shqiptarë intervenojnë, duke e kthyer
familjen e tij nga atje dhe e sjellin aty ku ishte vendosur Xhemë Hasa-
Gostivari, në Elbasan. Për Trimin e Gostivarit fillon një jetë më e qetë dhe më
stabile s ‘bashku me familjen.
Në
ndërkohë, më 1936-1938, në Shqipërinë e Jugut përkeqësohej gjendja, ngase
Greqia fillon sulmet për të uzurpuar tokat shqiptare dhe për të formuar Greqinë
e Madhe. Shteti shqiptar fillon të organizoj çeta vullnetare për të mbrojtur
pjesën jugore të vendit. Në këto çeta paraqitet edhe Xhema bashkë me dy
vëllezërit: Musliun dhe Abdullahun, për të shkua në mbrojtje të kufirit në Jug.
Xhema, shkuarjen e tij në Jug të Shqipërisë e ndjente si nevojë, si obligim
patriotik për ti mbrojtur tokat shqiptare kudo që ishin ato. Në ndërkohë, trimi
nga Simnica, formon grupin e vet vullnetar për mbrojtjen e jugut të Shqipërisë.
Gjatë luftës së zhvilluar, ai tregon trimëri dhe guxim të pashoqë në luftime.
Pas kësaj, duke e parë aftësinë, përgatitjen dhe gjeturin e tij në luftë, më 28
nëntor 1937, Komanda e Lartë e Ushtrisë Shqiptare, për meritat e treguara,
e gradon në kapiten të klasit të parë.
Më
7 prill 1939, Italia fashiste okupon Shqipërinë, Xhemë Hasa ende ndodhej në
Elbasan, por me shkatërrimin e Jugosllavisë monarkiste në prill të vitit 1941,
ai kthehej në vendlindje. Duke e ditur për të
bëmat e tij në Shqipëri, qytetaret e qytetit të Gostivarit dhe paria e
qytetit të asaj kohe, e emërojnë përgjegjës në burgun e Gostivarit. Ai e pranon
menjëherë këtë detyrë, duke pasur qëllime të tjera. Qëllimet e tija i realizon
në mars të vitit 1942, kur nga burgi i liron të burgosurit politikë shqiptarë,
në mesin e të cilëve edhe Shetki Përshevcën nga rrethi i Tetovës. Me këtë rast,
Xhema me një numër të burgosurish arratiset në mal, duke themeluar njësinë
vullnetare, fillimisht prej 37 vetash. Duke u largua për në mal. Xhemë Hasa në
derën e burgut kishte lënë një letër, me të cilën i bënte me dije organet e
qytetit se ai së bashku me shokë, tani e tutje do të luftoi për një Shqipëri
Etnike.
Letra
e Xhemë Hasë Gostivarit krijoi shqetësim tek italianët, ngase ata e dinin se
Xhema ishte një njeri që atë që e thoshte edhe e realizonte. Në ndërkohë trimi
nga Simnica organizoi shumë sulme kundër ushtrisë italiane e që e vlen të
përmendim aksionin ushtarak në rrugën Gostivar-Tetovë, në të cilën italianëve
iu shkaktoi shumë dëme materiale dhe mbrapa la shumë ushtar të vrarë.
Lufta
e Dytë Botërore kur ishte në vlugun e saj, andaj, ishte krejt e natyrshme se
prezenca dhe aksionet e Xhemë Gostivarit ishin edhe pengës për partizanet e
komunistët maqedonas dhe gjithashtu edhe të atyre shqiptarë. Në njësitet
partizane filluan përgatitjet për neutralizimin e Xhemë Hasës ose orientimin e
tij nga forcat partizane. Komunistet sllavë angazhuan shumë personalitete të
kohës që ta bindin trimin që të orientohet nga ata. Në takim për të biseduar me
Xhemën, partizanët kishin caktuar shqiptarin Ahmet Perën. Xhema ishte bindur
për një marrëveshje që të luftonin bashkërisht kundër ushtrisë okupuese
italiane. Pas disa përballjeve me italianët, Xhema edhe pse nuk priste ndonjë
mrekulli nga bashkëpunimi me komunistet, ngase e dinte se ata nuk luftonin për
një Shqipëri Etnike, ai përsëri u takua me Ahmet Perën në shtëpinë e tij. Pas
këtij takimi të dështuar, Xhema edhe më me vullnet filloi ti luftonte
komunistët maqedonas po edhe komunistët shqiptarë.
Çështjes
kombëtare shqiptare, Xhemë Gostivari i kushtoi rëndësi shumë të madhe. E themi
këtë, ngase edhe në kohën e luftës në mes grupeve vullnetare e partizanëve, kur
e dinte se në mesin e tyre kishte edhe shqiptarë, ai bënte të pamundurën dhe i
ruante ata që mos të vije deri te ndonjë gjakderdhje vëllavrasëse. Për ti
ruajtur luftëtaret shqiptar ai kishte pranua që të bisedonte edhe me Tomë
Gjelaj, partizan nga Shqipëria, por më kotë, bisedimet dolën të pasuksesshme.
Ngase ata luftonin dhe kishin krijua bindje për një vëllazërim- bashkim, i cili
më vonë doli se ishte iluzion.
Dëshpërimi
më i madh, ndodhi tek forcat nacionaliste, kur dështoi Marrëveshja e Mukjes, më
1943, kur komunistët dolën me dekrete të ndryshme kundër qëndrimeve të Ballit
Kombëtar. Komunistët nën ndikimin e komunistëve jugosllav akuzuan, etiketuan
dhe njollosen me të gjitha epitetet antikombëtare Ballin Kombëtar, se gjoja
Balli Kombëtar qe shkaktar i prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, dhe se nuk
është për bashkëpunim për një luftë të përbashkët. Pas kësaj ngjarjeje të
dhembshme kombëtare, Xhemë Hasa duke e ndjerë se bashkëpunimi në mes
nacionalistëve e komunistëve po hynte në fazën më kritike, ai shkon në Tiranë për
tu takuar me kryetarin e kësaj organizate Mitëhat Frashërin. Pas një bisede të
gjatë me Frashrin, ai e këshillonte që në çdo pjesë të vendit të formohen degët
e Ballit Kombëtar dhe të luftojnë me vendosmëri kundër të gjithë komunistëve
shqiptar, maqedonas, serb e të tjerë, që pengojnë në bashkimin e tokave
shqiptare në një Shqipëri Etnike. Gjithashtu e këshillon që të formohen grupe
për pajtimin e gjaqeve në mes shqiptarëve ngase kjo ishte një plagë e rëndë
ndër ta.
Të
gjitha këto udhëzime që i mori Xhemë Hasa nga Mitëhat Frashëri i përcolli tek
grupet e veta dhe tek udhëheqësit e tyre, që nuk ishin të pakët. Po ashtu duhet
theksuar se Xhemë Hasa Gostivari përveç me personalitetet e kohës që
bashkëpunonte për çlirimin dhe bashkimin kombëtar, bashkëpunonte ngushtë edhe
me patriotin e madh të Anamoravës me Mulla Idriz Gjilanin.
Pas
mbledhjes së Mukjes (1943), shumë qytete shqiptare në Maqedoni u shndërruan në
qendra kryesore të lëvizjes kombëtare. Pas themelimit të Lidhjes së Dytë të
Prizrenit (16 shtator 1943), kryetari i
saj-Xhafer Deva, e viziton Tetovën dhe Gostivarin, ku u prit në mënyrë
madhështore nga paria e nacionalistëve dhe qytetarët. Pas një fjalimi përmbajtjesor e patriotik,
Xhafer Deva para qytetarëve, foli edhe për mbrojtjen e vendit nga përhapja e
komunizmit, dhe se kjo luftë, për ne shqiptarët është luftë për çlirim dhe
bashkim kombëtar.
Xhemë
Gostivari, ishte i vetëdijshëm se për të pasur sukses në luftime duhet të ketë
edhe një strategji luftarake duke u takuar me njerëzit e rezistencës. Sipas
prof.dr. Vehbi Xhemajlit, thotë se Xhema thërret Kuvendin Qendror të njësive të
Ballit Kombëtar, në vendin e quajtur në Malin e Sharrit, mbi Tetovë, në të
cilin marrin pjesë personalitete të shquara të nacionalizmës shqiptare si:
Xhemë Hasa Gostivari, Mefail Shehu, Mefail Mehmeti-Zajazi, Arif Dragomanci,
Sylë Hotla, Mulla Idriz Gjilani, Hajez Xhemail Efendiu, Shaip Kamberi, Abaz
Abazi, Gajur Deralla, Vehap Lushi, Kadri Saliu, Jusuf Kuliku dhe Xhevat
Kallajxhiu.
Në
këtë Kuvend themelohet Komiteti Ushtarak dhe merren këto vendime:
l.
Komandant i përgjithshëm emërohet Xhemë Gostivari, zëvendës Arif Kapetan
Tetova.
2.
Të mbrohet me luftë çdo pëllëmbë toke nga të gjitha forcat antishqiptare.
3.
Të çlirohet Shkupi, të ngrihet flamuri kombëtar dhe të shpallet kryeqytet i
Shqipërisë.
Xhemë
Gostivari gjatë viteve 1943-1944, duke e parë intensitetin e shtuar të
luftimeve, së bashku me luftëtaret e vet merr pjesë gati në të gjitha vendet ku
zhvilloheshin betejat. Xhemë Hasë Gostivari, gjatë vitit 1944, edhe më tej
mbante lidhje me Sylë Hotlen dhe Mulla Idriz Gjilanin, me të cilët morën pjesë
në luftime të ashpra, jo vetëm kundra forcave komuniste partizane, por edhe
kundër njësive çetnike serbe dhe profashiste bullgare në rrethin e Kumanovës
dhe Karadakut. Duhet theksuar se Xhemë Has Gostivari si betim apo moto të
luftës së tij e kishte këtë këngë:
–
Bini burra, djem të ri,
Për
bashkimin me Shqipni,
Me
Kosovë dhe Çamëri..
E
përmendëm edhe më lartë se Xhemë Gostivari ishte luftëtar që u ruante nga
gjakderdhja në popullin e vet. Luftoi heroikisht me grupet e veta deri më 1944,
por me hyrjen e brigadave partizane komuniste të Shqipërisë në territoret e
Maqedonisë Perëndimore, për mos me ardhur deri te lufta vëllavrasëse me përmasa
të mëdha në mes të popullit shqiptar, qendrat e rezistencës kombëtare fillojnë
gradualisht të shuhen me dorëzimin në besim brigadave shqiptare të një numri të
konsiderueshëm të luftëtarëve të Ballit Kombëtar; një pjesë e lëshojnë
vendlindjen dhe emigrojnë në vende të ndryshme të botës, kurse një numër më
besnik i luftëtarëve të Ballit Kombëtar iu bashkëngjiten udhëheqësve të tyre
dhe dolën në mal për të vazhduar rezistencën kundër regjimit komunist në vitin
1945.
Në
mesin e atyre që vazhduan rezistencën për idealet kombëtare ishte edhe udhëheqësi
i Ballit Kombëtar në Maqedoninë perëndimore, Xhemë Hasë Gostivari, i cili me
një grup të vendosur ballistësh luftoi kundër regjimit komunist deri më 15 maj
1945, kur e vrau me tradhti OZNA maqedonase nga dora e shqipfolësit në malet e
Sharrit. Pas disa ditësh trupin e pajetë do ta gjejnë barinjtë e këtyre anëve,
do ta varrosin, duke e vënë trupin e tij të pushojë thellë në malet e Sharrit
që aq shumë i deshi. E varrosën barinjtë atje, ku këmba armike kurrë nuk
shkeli. Varrin do ta shënojnë me dy gurë të bardhë. Ishin këta gurë lapidarë pa
shkronja, mbi varrin e heroit kombëtar që luftoi aty ku e deshi nevoja, për të
mbrojtur Shqipërinë Etnike.