Speciale » Basha
Sabile Basha: Haradin Vidishiqi - E keqja më e madhe e kësaj toke janë okupuesit dhe zullumqarët partizano-çetnikët
E premte, 15.12.2023, 09:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
HARADIN
VIDISHIQI- E KEQJA MË E MADHE E KËSAJ TOKE JANË OKUPUESIT DHE ZULLUMQARET
PARTIZANO-ÇETNIKËT, QË DONË TË GLLABËROJNË ÇDO GJË SHQIPTARE
(1895-e
mbytën në shkurt 1947)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Haradin
Vidishiqi u lind më 1895 në fshatin Vidishiq të Shalës së Bajgores. Ishte
fëmijë i dytë i Kahriman Fazliut dhe Shahes, e lindur Bahtiri. Qysh në fëmijëri
familjarët e vërejtën se sa i zgjuar ishte fëmija i tyre. Ndaj librave e
tregimeve tregonte dashuri të madhe. Vinte nga një familje e kamur fshatare.
Andaj, oda e Vidishiqëve ishte çdoherë e hapur për mysafiret që ishin të
shpeshtë në këtë shtëpi. Si fëmijë, Haradini pati fatin të takohej me shumë njerëz
të mençur e patriot të kombit, të cilët lanë gjurmë të thella në jetën e tij.
Si i ri i donte edhe armët, që babai i tij i kishte në shtëpi, të cilat ishin
tepër të nevojshme për familjen ngase mbroheshin nga sulmet çetnike që ishin të
shpeshta në atë anë. Mu nga këtu lindi edhe dashuria e madhe ndaj lirisë dhe
atdheut, dhe urrejtja e madhe ndaj okupuesit dhe robërisë. Para mbarimit të
Luftës së Parë Botërore, kalon për katër
vjet në Shkodër dhe përsëri ilegalisht
kthehej në Vidishiq. Më 1932 martohet me Mihane Berishën, me një grua
bujare nga Lushta e Mitrovicës. Me të pati dy djem. Fillimisht merrej me
bujqësi. Por, duke e parë se atdheu i tij ishte në rrezik, merr pushkën për ti
mbrojtur tokat shqiptare.
Haradin
Vidishiqi qysh i ri filloi të shoqërohej me trima të kohës siç ishte Bislim
Bajgora, Ukshin Kovaçica, Adem e Hetem Voca e shumë të tjerë. Me një trimëri të
rrallë, ata mbrojtën kufirin etnik verior nga çetnikët dhe morën pjesë në të
gjitha luftërat që ndodhën në Novi Pazar, Kollashin e vende të tjera ku jetonin
shqiptarët.
Lufta
e Dytë Botërore, Haradinin e gjeti të përgatitur për të mbrojtur vendin. Ishte
kundër komunizmit dhe i luftonte partizanet dhe thoshte shpesh se e keçja më e
madhe e kësaj toke janë okupuesit dhe zullumqaret partizano-çetnikët, që donë
të gllabërojnë çdo gjë shqiptare. Por, nuk do ia dalin, premtonte trimi i
Shalës së Bajgores.
Pushteti i cili u instalua në Mitrovicë, duke e parë
guximin e pashoq të Haradinit, e emërojnë komandant të Postëkomandës së
Xhandarmërisë Shqiptare në Sanxhak, por ndodhte shpesh që ai ndërronte zyrat
gati në tërë zonën që ishte nën pushtetin gjerman. Miqësia e madhe me shokët e
pa ndarë me Bislim Bajgoren e Hetem
Vocën solli edhe rezultatet e para ngase këmbë çetniku për një kohë nuk kaloi
kufirin për të sulmuar fshatrat shqiptar. Është i njohur sulmi çetnik që bënë
çetnikët në verën e vitit 1943, afër fshatit Keçekollë. Të cilët me një befasi
të madhe sulmojnë kosëtarët në livadhet e Keçekollës. Në këtë sulmi vriten dy
kosëtar shqiptarë, ndërsa falë trimërisë së Haradin Vidishiqit, i cili posa
kupton për këtë, del në vendin e sulmit, dhe reagon shpejt. Çetniket duke parë
rrezikun, strehohen në një shpellë, të cilët me atë rast, Vidishiqi i likuidon
që të gjithë. Haradin Vidishiqi ishte luftëtar dhe strateg i sulmeve guerile,
andaj çetniket posa kuptonin se në anën tjetër të sulmeve ndodhej Vidishiqi,
largoheshin dhe nuk ktheheshin më.
Haradin
Vidishiqi, në veprimtarin patriotike, ishte mik e shok i madh i Profesor Ymer
Berishës. Mori pjesë në të gjitha aksionet e veprimtarit atdhetare që
organizonte profesori. Ymer Berisha. Dhe duhet përmendur se njëra ndër
organizatat që zhvilloi veprimtari të dendur, që la gjurmë, e bëri jehon por që
e tërë veprimtaria e saj ishte afatshkurtër, ishte organizata politike-patriotike
shqiptare “Besa Kombëtare” e udhëhequr nga patrioti dhe atdhetari i shquar
profesor Ymer Berisha. Organizata patriotike “Besa Kombëtare” u formua
me 28 nëntor 1944, ne fshatin Abria e Epërme të komunës së Skenderajt, ne
ndërtesën e Shkollës fillore te këtij fshati. Profesor Ymer Berisha, me shumë
patriot dhe me shumë nxënës të Shkollës Normale-Gjimnazit “Sami Frashëri”
kishin ardhur nga Prishtina, për të organizuar dhe mbajtur: Kuvendin e parë të
organizatës “Besa Kombëtare”
Ky
Kuvend u mbajt si rrjedhojë e parapërgatitjeve të bëra qysh ne Mbledhjen
konstituive të 12 shtatorit 1943-ës, të mbajtur në Pejë. Në Kuvendin
e Drenicës, morën pjesë shumë delegatë të “Besës Kombëtare” si dhe
mysafirë e te ftuar, ne radhët e te cilëve dalloheshin : kolonel Sylejman
Shkoza-Vuçiterna, tribuni Shaban Polluzha, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica,
Ahmet Selaci, Adem Voca, Haradin Vidishiqi, Mulla Mustafë Fazliu, Sherif
Tërstena, Aziz Zhilivoda, Lahë Luboveci, Ismail Murtez Lushta, Miftar
Bajraktari, Mehmet Gradica, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari i Astrazupit, Zef
Gjidoda me çeten e tij luftarake, Marije Shllaku, e cila edhe e mbajti
procesvërbalin e Kuvendi, si dhe mbajti
një fjalim. Mehmet Gradica, Ukë Sadiku me Çetën e tij i siguroi rojet për
mbajtjen e këtij Kuvendi pa pengesa. Aty ishin edhe Sadik Lutani, Rexhep Gjeli,
Sadik Zeneli, Hamit Emini – “Doktorri”, Alush Smajli – “Qerrataja”, Feriz Boja,
Mulla Ilijaz Broja e shumë të tjerë e sidomos përfaqësuesit e Drenicës së
Epërme. Ne Kuvend u ftuan edhe mysafirë të tjerë, kështu që numri i
pjesëmarrësve ne këtë Kuvend arriti ne 243 veta. Në këtë tubim madhështor rol
të dukshëm pati Haradin Vidishiqi i cili ishte i pa ndarë me prof.. Ymer
Berishën.
Në
Kuvend u vendos qe te punohej për shkëputjen e Kosovës dhe viseve të tjera
shqiptare nga Serbia dhe Jugosllavia; te sabotohej çarmatimi i popullit
shqiptar nga pushtuesit e rinj, e që do të bashkohej me Ushtrinë e ardhshme
kombëtare shqiptare. Këtu, në këtë Kuvend u zgjodh edhe Kryesia e Organizatës
“Besa Kombëtare”, me kryetar prof. Imer Berishen, sekretar Ismail Ymer Thaçi
nga Zakuti i Podujeves, si dhe u aprovua një program i qartë kombëtar dhe u
caktuan kahet e organizimit për shtrirjen organizative te saj, sidomos ne
radhët e rinisë kosovare
Shkuarja
e prof. Ymer Berishës nga Prishtina në Drenicë, kishte për qëllim zhvillimin e
aktivitetit politik e ushtarak në ato fshatra, dhe kishte mshtetjen, ngase
kishte fjalën e Haradin Vidishiqit, i cili kishte bërë sigurimin e sigurt për mbarëvajtjen
e Kuvendit. Qëllimi i kuvendit ishte edhe për të bërë aktivizimin e lidhjeve të
vjetra të luftës së përbashkët të Drenicës dhe anës se Rrafshit të Dukagjinit,
por edhe të Mitrovicës, Vushtrrisë, Shalës së Bajgores dhe Llapi. Ndërsa në
Prishtinë kishte vënë lidhje edhe me Adem Gllavicën, ngaqë ai ishte kryetar
komiteti. Prof. Ymer Berisha në Prishtinë bëri përgatitjen e nevojshme: siguroi
armatim të nevojshëm dhe njerëz që do të shkonin në Drenicë. Haradin Vidishiqi
e dinte se organizata ilegale-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare”, ishte e
formuar kryekëput kundër ideologjisë komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte
bashkimi i tokave shqiptare. Andaj, nuk kursente asgjë që e tërë ky
aktivitet të kishte suksese. Por, deri në mars të vitit 1945, organizata shumë
pak ose fare pak zhvilloi ndonjë aktivitet në teren, ngase kushtet ishin tepër
të vështira, por në pjesën e dytë të vitit 1945, situata ndryshoi, anëtarët e
saj zhvillojnë një aktivitet të dendur, dhe luajti një rol të rëndësishëm në ilegalen
shqiptare.
Në
këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha territoret shqiptare
këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e udhëhequr nga grupet
e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav. Sidomos, terrori e gjenocidi ndaj
popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së Milladin
Popoviqit (13 mars 1945), i cili ishte një alibi i mirë që OZN-a, haptas
justifikoi terrorin dhe likuidimin e intelektualëve shqiptar. Prijësit e
Mbrojtjes Kombëtare dhe të njësiteve vullnetare të Frontit Nacional Shqiptar,
të cilët i kishin shpëtuar ndjekjes, bënin përpjekje të vazhdueshme në
grumbullimin dhe në konsolidimin politiko-ushtarak të forcave shqiptare për
formimin e Ushtrisë Demokratike Popullore Shqiptare. Nëpër mes kësaj patriotët
synonin të bënin lidhjen e të gjitha forcave antikomuniste, që më vonë do të
shndërrohen në një ushtri me karakter gjithëkombëtar shqiptar.
Prof.
Imer Berisha, edhe pse në kushte tejet të vështira, zhvillonte një aktivitet të
dendur në çdo pëllëmbë të Dukagjinit dhe në Kosovë në tersi. Ai punonte me
ngulm e vendosmëri që të bënte lidhjen e të gjithë krerëve të rezistencës si në
Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri. Këtij qëllimi ia arriti me kontaktimin e
Pashkë Bibë Mirakajt, i cili ishte njëri ndër udhëheqësit më me ndikim në
lëvizjen e rezistencës që zhvillohej në Shqipërinë Veriore. Të njëjtat qëllime
dhe dëshira për një unitet sa më të madh të lëvizjes, i ushqente dhe i
përkrahte edhe Pashkë Bibë Mirakaj, që ishte vëllai i Kolë Bibë Mirakajt, i
cili ishte ministër gjatë kohës së Italisë, dhe ndodhej në mërgim në Itali. Që
të dy, edhe prof. Imer Berisha e edhe Pashkë Bibë Mirakaj ishin të vetëdijshëm
se pa një unitet të përbashkët të të gjithë ilegales shqiptare nuk do të ketë
Shqipëri Etnike. Në mars të vitit 1945, Pashkë Bibaj i dërgon një letër
profesorit, me të cilën kërkon të takohet me të. Korrieri duke e dërguar letrën
në rrugë e sipër bie në pritë, dy prej tyre vriten, por megjithatë letra bie në
duart e profesorit. Takimi ndërmjet tyre realizohet, por me shumë vonesë ngase
që pritej dhe çdo vonesë në takim ishte shumë e dëmshme për lëvizjen.
Pas
takimit që pati prof. Imer Berisha me Pashkë Bibën, më 20 korrik të vitit 1945,
në fshatin Vogovë, afër Gjakovës, aktiviteti që u zhvillua më vonë nga anëtarët
e lëvizjes ishte i pamohueshëm. Pas kthimit nga takimi profesori u takua me
mikun dhe shokun e idealit, Ukë Sadikun, që llogaritej se ishte njeriu më me
ndikim në ilegalen kosovare. Po në këtë takim u morën vesh që ata të dy të
përfaqësojnë grupet ilegale në tubimin, që u caktua të mbahet në shtator në
vendin Mirëditë, në veri të Shqipërisë. Po aty u mor qëndrimi që të formojnë
organizatën politike, respektivisht të riorganizojnë punën në organizatën
ilegale-politike të NDSH-es. Pas kësaj mbledhjeje u dërguan korrierët, në çdo
grup ilegal që t’i dërgojnë përfaqësuesit në takimin që do të mbahet në
Dobërdol.
Haradini
mori pjesë edhe në Kuvendin e Vidishiqit, që u organizua më 22 janar 1945. Pasi
në fillim të Janarit 1945, udhëheqësit e lartë në Prishtinë, kërkonin të
takoheshin në Prishtinë e të bisedonin me Parinë e Shalës. Adem Voca atyre u
parashtroi këto kushte: 1. Brigadat kosovare të komandoheshin nga shqiptarët;
2. Komandimi të bëhen në gjuhën shqipe; 3. Brigadat kosovare të luftonin vetëm
nën Flamurin shqiptar; 4. Në të gjitha vendbanimet, ku shumica e popullatës
është shqiptare, Kryetari, Sekretari dhe Komandanti të jenë shqiptarë.
Udhëheqja e lartë në Prishtinë i kishin
pranuar formalisht kërkesat e shaljanëve dhe Adem Vocës, por në të vërtetë kjo
qe edhe një tradhtia e radhës, dhe kjo " marrëveshje " nuk u
respektua, nga ana e tyre dhe tregoi qartë fytyrën dhe pabesinë e tyre. Kështu
që shaljanët në Vidishiq, mbajtën më 22 Janar 1945, Kuvendin, në të cilin u
morën vendime të rëndësishme. E këto vendime ishin: 1. Batalioni i komanduar
nga Ahmet Selaci, t'i sulmoi forcat partizano-çetnike dhe ta çliroi Mitrovicën.
2. Batalioni i komanduar nga Adem Voca, të siguronte rrugën Vushtrri -
Mitrovicë, nga sulmet eventuale që do të vinin nga ajo anë. Siç u tha më sipër
kushtet e mjerueshme ekonomike dhe atmosferike i detyruan Ahmet Selacin dhe
udhëheqësit tjerë të qëndresës të përpilonin një strategji të përshtatshme për
të mundur ta vazhdonin rezistencën dhe ta çlironin Shalën. Andaj ata vendosen
që të veprohet në grupe, kështu që u themeluan:1. Grupi i Ahmet Selacit-
numerikisht ishte më i madh; 2. Grupi i Ukshin Kovaçicës; 3. Grupi i Bislim
Bajgorës; 4. Grupi i Boletinëve; 5. Grupi i Osman Bunjakut dhe 6.Grupi i Hazir
Gjakës. Haradin Vidishiqi në ndërkohë
bashkë me Bislim Bajgorën kishin krye shumë aksione kundër bandave çetnike dhe
atyre komuniste. Haradin Vidishiqi, Bektesh Mehmeti dhe Sadri Isufi, që të tre
ishin nga fshati Vidishiq, dhe përbënin treshen më besnike të Organizatës “
Besa Kombëtare”, në emër të së cilës këta kishin krye disa aksione me rëndësi
të veçantë.
Më
vonë Haradin Vidishiqi hyri në grupin e Vocajve, që zgjati deri më 9 shkurt
1945, kur ata vendosën të shkojnë në kullat e tyre, në Pasomë, afër Vushtrrisë,
ku u ngujuan dhe për tri ditë luftuan trimërisht. Ademi, si komandant e kishte
vendos ashtu dhe urdhri duhet zbatuar. Pas likuidimit të Adem Vocës dhe
familjarëve të tij dhe vrasjes në pusi të dy shokëve të Haradinit dhe pas
vrasjes së prof. Ymer Berishës, në vjeshtë të vitit 1946, Haradini e kalon
natën në fshatin Novosell e Begut të
Vushtrrisë te vëllezërit Rizah, Rifat e Ferat Bunjaku. Bunjakët ishin një
familje e ndershme, të besës dhe Haradinin e kishin mik, ngase motra e tij
Shaha ishte fejuar për djalin e tyre Feratin. Ata e pranuan ashtu siç pritet
miku, nuk hezituan fare se pranimi i tij në shtëpi sillte edhe rreziqe të
mëdha. Atij, ia ndërtuan një bunker në ahurin e bagëtive duke e siguruar me një
gyp për ajrosje që nga jashtë nuk dukej, sepse ishte i maskuar mirë. Aty
Haradini qëndroi tetë muaj derisa një spiun nga fshati Vidishiq, e lajmëron tek
OZN-en e Mitrovicës dhe shpreh dyshimin, se njeriun që po e kërkonin, mund të
jetë strehuar tek familja Bunjaku. Posa shprehet ky dyshim, komandanti i
divizionit ndëshkues-Milija Kovaqeviqi, i njohur me nofkën “Çiça”, urdhëron një
batalion çetniko-komunist që të nisen për fshatin Novosellë e Begut dhe
rrethojnë shtëpinë e vëllezërve Bunjaku.
Dimri
i acartë i muajit shkurt, i vitit 1947, mbrëmje e ftohët- akull, me plotë borë
dhe stuhi, do të mbahej gjatë në mend nga fshataret e fshatit Novosellë e Begut
e më gjerë. Shtëpia u rrethua në të katër anët. Oznashët hynë në odën e
mysafirëve, ku i zoti i shtëpisë, axha Rizah, ishte duke marrë abdes për të fal
akshamin. Njerëzit e OZN-es e rrëmbejnë pa paralajmërim duke e sjelltë zbathur
dhe e lidhin në oborr bashkë me dy vëllezërit tjerë. Ndërsa, gratë e fëmijët të
tmerruar i kapin, i qesin në oborr duke i kërcënuar se do ti vrasin të gjithë
me radhë nëse nuk e dorëzojnë Haradin Vidishiqin. Duke e parë situatën e nderë
që u krijua, e merr përsipër vet axha Riza që ta njoftoj Haradinin se çfarë
kishte ndodhur. Por paraprakisht i tregon se ata nuk e kishin tradhtua “dhe na
nuk të kemi dhanë bukë me sherr, por ti sa për neve mos u dorëzo, sepse na qysh
në fillim e kemi llogarit edhe me këtë. Pra, jemi gati që të vdesim i madh e i
vogël, por besën e dhënë nuk e thejm”. Haradini, duke e parë situatën e pa
rrugëdalje dhe në anën tjetër nuk deshi që ta rrezikojë mikun më besnik që kishte
pasur, vendosi që të dorëzohej. Por, ai pati një të vetme kërkesë për
komandantin e atyre ushtarëve, që mos të përdorin dhunë ndaj tij, para grave,
fëmijëve dhe burrave të shtëpisë. Ata i premtuan se do të jenë shumë korrekt gjatë arrestimit të tij por, i thanë se po
qese ndodhë që ai të tentoj që të përdor armët, i thanë se tërë familjen do e
pushkatojnë.
Haradini
doli nga bunkeri dhe hodhi pushkën dhe katër bomba dore në tokë. Ushtaret e
lidhen. Dhe ashtu të lidhur e vendosen në një trinë se bora ishte tepër e madhe
dhe nuk kalohej dot. E nisën për Vushtrri por nuk e futën në burg. Milija
Kovaqeviqi urdhëroi që ky batalion, bashkë me Haradin Vidishiqin të nisën për
Shalë të Bajgores. Arrijnë në fshatin Tërstenë. Komandanti me disa xhelatë të
tjerë vendosen në kullën e Mustafës,
ndërsa trimin e Shalës e kishin lënë në mëshirën e dy xhelatëve, një jevgu e
një serbi nga Gojëbula, të cilët për tri ditë rresht e kishin rrahur dhe malltretuar si është më
keq. Po ashtu, edhe për ekzekutimin e tij u kujdesën ata dy xhelatët famëzinj.
Ekzekutimi i Haredinit u krye në një kodër mbi Tërstenë, përkatësisht ndërmjet
Gumnishtës dhe Tërstenës. Trupin e pa jetë të atdhetarit të madh, OZN-a, e
lejon tek pas tri javëve, që ta sjellin në shtëpi. Dhe, është për tu habitur,
se trupi i pa jetë i Haradin Vidishiqit, ishte i ruajtur dhe thuajse ishte në
një gjumë të thellë, veç 72 therjeve me
thikë që kishin mbetur si dëshmi në trupin e tij, që tregonin se Haradinin e
kishin mbytur në mënyrën më mizore. Varrimi i tij u bë pas tri javësh, ndërsa
djemtë e tij pas 54 vjetësh ia ngritën një lapidar në vendin atëherë ku është
varrosur.