Speciale » Basha
Sabile Basha: Musli Dumoshi - Ky shtet është i huaj dhe do ta luftojë deri në fund të jetës
E diele, 03.12.2023, 09:04 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
MUSLI
DUMOSHI-PODVORICA-KY SHTET ËSHTË I HUAJ DHE KURRË NUK E PRANOJ PËR TIMIN, DO TA
LUFTOJË DERI NË FUND TË JETËS
(1904-u
likuidua nga OZN-a, më 21.3.1948)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Musli
Dumoshi u lind me 1904 në fshatin Dumosh të Podujevës, nga babai Sadri Dumoshi,
i cili edhe të parët e tij kishin luftua dhe ishin angazhuar për ruajtjen e
kufijve etnik shqiptarë. Në kohën kur kishte ndodhur dëbimi i Shqiptarëve gjatë
viteve 1877-1878 me dhunë të popullatës shqiptare nga zonat që iu bashkëngjiten
Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi, në vitin 1878. Këto
luftëra, së bashku me Luftën Ruso-Osmane (1877-1878) përfunduan me disfatën e
Perandorisë Osmane. Si pasojë, Perandoria Osmane humbi territore te gjera
bazuar ne vendimet e Kongresit të Berlinit. Mu në këtë kohë familja e Musli
Dumoshit vinte nga Podvorica e Toplicës dhe vendoset në fshatin Dumosh të
Podujevës. Kjo shpërngulje që kishte ndodhur në ato vite ishte bë me një të
vetëm qëllim- largimin e popullsisë shqiptare nga këto rajone që të bënte
pastrimin etnik të tyre. Kjo popullsi (refugjat) shqiptare e ikur nga Toplica
dhe pasardhësit e tyre u bënë të njohur si Muhaxhirë, një term i përgjithshëm
për refugjatët myslimanë që kishin ardhur në Kosovë e gjetiu. Ngjarjet e kësaj
periudhe siç dihej më vonë gjeneruan shfaqjen e konfliktit serbo-shqiptar dhe
marrëdhëniet e tensionuara midis të dy popujve që kishte për qëllim spastrimin
e atyre viseve nga shqiptarët dhe të popullimit me popullsi sllave,
përkatësisht serbe.
Sadri
Dumoshi, duke e parë se djali i tij ishte i etur për dije, vendos që ta
shkolloi. Por, pasi se shkollat ishin të pakta në Kosovë, e ato që ekzistonin, ishin në gjuhën serbe. Megjithate
ai vendos që ta dërgoi në mejtepin e Sibovcit, te Mulla Hajdar Kutleshi. Musliu
pasi përfundon mejtepin në afat të caktuar, atë e dërgojnë që të vazhdoi
shkollimin në shkollën fillore në gjuhën
serbe e që zgjati katër vite. Këtë shkollë e përfundoi gjithashtu me afat
rekord, ku për shokë kishte edhe dy nxënës shqiptarë, ndërsa të tjerët
ishin serb. Musli Dumoshi pas
përfundimit të kësaj shkolle, kishte lëshua shtat dhe ishte burrëruar. Në atë
kohë si në shumë vite më të mëvonshme, shqiptaret e urrenin ushtrinë e huaj,
andaj edhe bënin çmos vetëm e vetëm të mos shkonin në të. Një fat të tillë e
pati edhe djaloshi nga Dumoshi, i cili vetëm për të mos shkua ushtar, babai e
vendos që ta largojë nga Kosova duke e dërguar për shkollim në Stamboll. Atje
Musliu i kishte vëllezërit e njerkës dhe mu nga ata gjeti përkrahje dhe u
përshtat shumë mirë. U regjistrua në shkollën e mesme fetare-Medresen, të cilën
e kreu me sukses shumë të mirë. Po ashtu, aty mësoi edhe gjuhën turke që e
fliste dhe e shkruante pa asnjë problem.
Musliu
në Stamboll qëndroi tri vite, dhe pasi e përfundoi shkollën u kthye në
vendlindje për pushime. Në shtëpi e pritën familjarët, të cilët u gëzuan shumë.
Ky gëzim nuk zgjati shumë, dikush kishte lajmërua tek pushtetarët okupator, dhe
pas një kohe vijnë në shtëpinë e tij dhe e arrestojnë duke e detyruar me dhunë
që të shkoi ushtar. Shërbimin ushtarak e kreu në qytetin e Suboticës, i cili i
zgjati dy vite.
Musli
Dumoshi gjatë tërë jetës ishte nisur nga një parim: “Çfarëdo pune që kryen,
kryeje mirë”. Edhe pse ishte me një ushtri që nuk ishte e tija, ai me
përkushtim i kryente të gjitha obligimet ushtarake. Gjatë shërbimit u dallua
për perfeksionim dhe kujdes të jashtëzakonshëm gjatë obligimeve që bënte. Mu
kjo ndikon që për punën e treguar, mori edhe gradën e dhjetarit. Kohën e lirë
në ushtri e shfrytëzonte për mësime ushtarake, se ai për kah natyra ishte
vizionar dhe mendonte, një ditë populli shqiptarë do e ketë ushtrinë e vet dhe
do të kenë nevojë për ushtarak të mirë e profesionist. Përfundoi me sukses
shumë kurse ushtarake.
Musli
Dumoshi pas dy viteve në shërbimin
ushtarak kthehet në vendlindje. Por nuk vonon shumë përsëri Musliun e thërrasin
që të paraqitet në komunë. Atij, nëpunësit serb me kujdesin më të madh i kishin
lexua biografin dhe sukseset e treguara atje. Andaj kishin vendosur që përsëri
ta angazhojnë diku ku kishte të bëjë me mbrojtje dhe siguri të përgjithshme të
qytetarëve. I propozojnë që të punësohej si komandir i policisë në qytetin e
Maqedonisë, në Shtip, diku në afërsi të Bullgarisë. Musliu heziton të japi menjëherë përgjigje,
dhe merr qëndrim që të konsultohet me babain. Pas bisedës që bënë me baba
Sadriun, ai e miraton shkuarjen e tij në Shtip.
Musliu me rinin e pa rini dhe me lirin e pa liri, niset në Shtip dhe aty
qëndron deri me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Me
fillimin e luftës, në Kosovë, në këtë pjesë të Llapit vendoset pushteti
shqiptaro- gjerman, dhe për shqiptaret
fillon një etapë e favorshme historike.
Ai i ndikuar edhe nga qarqe përparimtare të kohës vendos të paraqitej në
komunë duke iu treguar për shkollimin e
tij. Pas informatave që marrin nga ai, e emërojnë komandant të policisë, në
fshatin Dumnicë e pastaj në Herticë. Si komandantë policie punoi edhe në
Podujevë.
Musli
Dumoshi kishte gradën e nëntogerit dhe ishte ushtarak i suksesshëm. Fjala e
mirë për ushtarakun e ri ishte përhapur shpejt dhe një ditë në zyrë i troket
edhe Xhafer Deva, duke e urdhëruar që ti grumbulloi rreth 400 ushtar- vullnetar
dhe të nisën për Shqipëri për ta luftuar komunizmin shqiptaro serb. Në këtë
mision ai merr me vete dy shokët e tij më të mirë: Hasan Seferin e Llapashticës
dhe Kajtaz Zherovën. Nuk vonon shumë dhe Dumoshi kthehej në Podujevë, dhe për
sukseset e treguara, Xhafer Deva e gradon me urdhër të Klasit të Parë. Musli
Dumoshi edhe pse kishte pozita të ndryshme dhe me përgjegjësi, ai gjente kohë
që të mbante kontakte të vazhdueshme me njerëzi më trima të kohës si: Gjon
Serreqin, Ajet Gurgurin, Bahtir Dumnicën, Mulla Ramë Govorin, Ahmet Selacin,
Azem Bellaqevcin e shumë veprimtarë të organizatave të ndryshme ilegale
patriotike shqiptare.
Me
mbarimin e Luftës Dytë Botërore, Kosova
e dërrmuar nga Pushteti i Administrimit ushtarak , do të arrij në Kuvendin e Prizrenit
që u mbajt, me 8-10 korrik 1945, në qytetin e Prizrenit. Ky kuvend, duhet
theksuar se nuk ishte as i pari, e, as i fundit i cili solli vendime, që Kosova
të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi federale kishte
filluar qysh më herët, ndërsa nga ky Kuvend, pushtetarët jugosllav kërkonin
formalisht vetëm një “verdikt të popullit”. Në shkurt të vitit 1945, në KQ të
Partisë Komuniste Jugosllave, u organizua një mbledhje, ku veç debateve tjera,
u fol edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë kjo doli se
zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte se, citoi: “Kosova e Metohija t’i
bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria të hyjë në federatën jugosllave, por,
meqenëse rrethanat ndërkombëtare nuk ishin të favorshme për një hap të tillë,
Kosova e Metohija duhet ti bashkohen Serbisë”. Kishte edhe aso propozime që
Kosova ti takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një “histori të ngjashme” dhe
një mentalitet të përafërt me shqiptarët.
Në
dokumentet e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që u mbajt
me 7-9 prill të vitit 1945, në Beograd, thuhej se nga Kosova merrnin pjesë si
mysafirë: Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët në seancë, kishin diskutuar
dhe sipas dokumentit thuhej se kishin shprehur “dëshirën” në emër të popullit
të Kosovës, që “Kosova të jetë nën Serbinë federale”. Nga këto diskutime që u bënë në Beograd, mund
të konkludohet se Kosova iu bashkua Serbisë në mënyrë arbitrare, në bazë të
diskutimeve që u bënë nga dy mysafir, e dihej se në bazë të dokumenteve, se
Kosova dhe populli i saj, asnjëherë nuk diskutoi, nuk u pyet dhe nuk votoi që
ajo të ngeli në kuadrin e Serbisë federale. Për të qenë “çdo gjë në rregull dhe
e ligjshme”, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojit edhe ana formale për të marrë
“pëlqimin, e popullit në një Kuvend” sado formal që të jetë, meqë para
opinionit të gjerë donte që ta justifikojë tradhtinë e menduar me aq dinakëri.
Kjo gjendje e saj, u legjitimua më 10 korrik 1945, në Kuvendin, që në popull më
tepër njihej si Kuvendi i Prizrenit. “Kuvendi i Prizrenit”, ishte një tubim i
një trupi jo të zgjedhur nga populli, dhe në të morën pjesë 137 delegat dhe të
ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptar.
Sipas
të dhënave thuhej se, rreth rezolutës dhe përmbajtjes së saj nuk u hap ndonjë
debat. Shumë pak delegat diskutuan në mbledhje. Ata, që ishin dhe shprehen
pakënaqësinë dhe kundërshtimin e bashkimit me Serbin, më vonë, patën pasoja të
mëdha. Ata, u përcollën nga organet e OZN-es, e më vonë të UDB-së, u arrestuan,
u dënuan me vite të shumta burgu. Bile, disa nga ata, edhe u likuiduan
fizikisht. Më 8-10 korrik 1945, Kosova
edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia.
E
tërë kjo që pasoi, ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër
për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare. Aneksimi i Kosovës nga
Serbia, do të shohim më vonë se, ishte vetëm një pjesë e padrejtësive që u
bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Sepse, çështja e Kosovës nuk ishte
krejt çështja shqiptare. Padrejtësia që i bëhej popullit shqiptar në
Jugosllavi, e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave, në të cilat,
shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërmuese në tri republika
jugosllave: si në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.
Kosova, jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkoqën, jo, vetëm
trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë
Veri-Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në
të cilat shqiptarët ishin shumicë dërmuese.
Ato
forca nacionaliste dhe ata patriotë, që kishin luftuar gjatë tërë kohës për një
Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar,
legalisht, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e
tokave shqiptare. Ata u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe
bashkëpunimin e forcave demokratike në vendet perëndimore. Ilegalja shqiptare
duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan
organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre. U formuan shumë
organizata patriotike shqiptare, e, që manifestoheshin sidomos pas vitit 1944
dhe në fillim të vitit 1945.
Pas
aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një
kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme,
dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë.
Duke
ditur se Musliu ndodhej në male, Selim Obraça e merr për sipër për ta dorëzuar
tek pushteti dhe të kthehej në shtëpi. Ai-Selim merr përsipër për ktë të
bisedoi me Qeda Topalloviqin. Topalloviqi pranon po vetëm me një kusht që
Musliu paraprakisht ta njohë pushtetin komunistë. Me ti treguar Musliut
kushtin, ai nuk pranon duke i thënë Selimit se” Ky shtet është i huaj dhe kurrë
nuk e pranoj për timin, do ta luftojë deri në fund të jetës”, dhe pas
kësaj pushtetarët komunist e burgosin.
Me të, burgoset edhe miku i tij Ajvaz Podvorica. Me këtë rast, Musliut i
shqiptohet dënimi me vdekje- pushkatim, Ajvazit i shqiptohet dënimi me 15 vite
burg të rëndë. Por fati, nga njëherë është mbreti i botës, Musliun nga
pushkatimi i sigurt e shpëton roja e burgut- Avdullah Kutleshi duke e ndihmuar
që të iki nga kulmi i burgut. Pasi, Musli Dumoshi pati sukses që të ik nga
burgu, ai vendoset në fshatin Kaqubek, dhe strehohet tek nipi, dhe nga aty i
dërgon fjalë gruas që ti sjell rrobat dhe orën.
Musliu,
këtu u frikonte se do e kërkonte policia, andaj largohet duke u strehuar tek
motra e tij në fshatin Batllavë, tek
Sheqë Boshnjakut. Sheqa i gëzohet ardhjes së tij e Musliu e lut Ahmetin që ti
siguroi një pushkë deri sa ta bëjë të vetën, e atë do ia kthej. Ahmeti pranon.
Musliu me pushkën e mikut del në mal dhe së shpejti i ndodhë një përleshje me
dy ushtarë të “Mbrojtjes Popullore”, të cilët i vranë dhe iu merr armatimin dhe pasi armatoset,
mikut ia kthen pushkën, të cilën ia kishte huazuar. Musliu ishte i vetëdijshëm
se po i ngushtohej rrethi, andaj shokëve iu propozon që të dalin në
Shqipëri. Në këtë rrugë me Musliun nisën
edhe atdhetaret Aziz Zhilivoda dhe Sherif Tërstena. Por rruga për Shqipëri
ishte me plotë të papritura, atyre iu ndodh një përleshje me forcat e OZN-es.
Pastaj duke ecur drejt kufirit, në atë pjesë malore e përfshin një mjegull e
dendur sa nuk dukej asgjë. Atdhetaret e lodhur ecin e ecin, dhe në fund
mendojnë se kishin kalua kufirin, por ja, ata përsëri ishin në Kosovë.
Pas
këtij dështimi, grupi ndahet. Musliu përsëri kthehej në vendlindje dhe këtu i
bashkohen edhe Zymeri i Tafë Shajkovci. Në ndërkohë, Azem Bellaqevci, zbulohet
nga organet e ndjekjes dhe arratiset në mal. Në ndërkohë merr vesh se Musli
Dumoshi po jeton në një bunker në fshatin Shajkovc, në familjen e Babatincëve.
Aty takohen Azemi me Musliun dhe nga ai moment ata jetojnë maleve, duke
rezistuar kurdo që haseshin në pengesa dhe natën strehoheshin në bunker.
Pushteti e përcillte Musli Dumoshin dhe Azem Bellaçevcin në çdo hap. Por assesi
që ti arrestonte. Andaj ata bënë një plan: ti arrestojnë të gjithë anëtarët e
familjes së Musliu. I arrestuan gratë, fëmijët dhe të moshuarit në shtëpinë e
Ramadan Podvoricës. Burrat i kishin burgosur në odë, të cilët i malltretojn
brutalisht ushtria dhe policia e Milija
Kovaqeviqi, kriminel i njohur serb. Ai me dhunë e dërgon vëllain e Musli
Dumoshit- Sejdi Podvoricën, te bunkeri i Musliut dhe Azemit me porosi, që këta
duhej të dorëzoheshin tek organet e shtetit. Musliu dhe Azemi edhe pse e dinin
çfarë po ndodhë me familjaret e tyre, nuk paranojën që të dorëzohen.
Malltretimet edhe më tej vazhdonin ndaj familjarëve të tyre. Ata , Musliu e Azemi
erdhën në përfundim se në Shajkovc qëndrimi i mëtejmë ishte i pamundur, atëherë
Musliu propozon për me u strehua tek një shok i tij, në Prapashticë, tek Maliq
Kallapaku. Vëllai i Maliqit,( R. K.) ishte aktivist i SKOJ-it, dhe posa
vendosen këta të dy në familjen e Maliqit, lajmëron OZN-en. Musli
Dumoshi-Podvorica dhe Azem Bellaçevci-Jashanica, duke qenë të bindur se besa
shqiptare është virtyt i shenjtë i popullit tonë para se të ulën për të ngrënë
bukë në sofër lirohen nga armët. OZN-a, posa këta strehohen aty, ajo bënë
planin: Ata dy, duhet zënë me tradhti, dhe kështu u veprua. “Miku” i ofron
mikpritjen dhe si e donte rendi, iu shtron sofrën me ushqime, ndërsa pushkët iu
largojnë duke iu thënë se këtu janë të sigurt. Dhe, posa fillojnë të darkojnë ata
lidhën dhe punëtorët e OZN-s kryen punën e vet. Me disa rafalë i pushkatojnë
trimat e atdheut Musli Dumoshin dhe Azem Bellaqevcin.
Pas
pushkatimit, që ndodhi më 21 mars 1948, Musli Dumoshit oznashet ia marrin
kufomën, siç e kishin bërë zakon në atë kohë, kufomën e tij e ekspozojnë në
Podujevë duke i detyruar shqiptaret që të shohin të vrarë e dërmuar nga plumbat
e shumtë. Pas kësaj pushtetarët urdhëruan që kufomën e tij ta dërgojn diku larg
dhe të humbin çdo gjurmë të tij. Por, Rashit Hoxha s bashku me Hetem
Podvoricën, Shahin Podvoricën, Behë Hysenin, nip nga Batllava nuk lejojnë një
gjë të tillë. Ata i përcjellin oznashët dhe kufomën e Musliut, pasi largohen
ata, fshehtas e varrosin Musliun në një fushë të Obrançës, duke e kufizuar
varrin me gur që mos ta zhdukin vitet. Pas 60 vitesh, djali i tij, Osman
Dumoshi e zhvarros babain e vet dhe e rivarrosin në fshatin ku kishte lindur,
në Dumoshin e tij të dashur të Podujevës.