E diele, 28.04.2024, 03:11 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Hoxhë Visoka – Unë dhe populli im nuk jemi turq, jemi shqiptarë

E enjte, 30.11.2023, 09:04 PM


T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

HOXHË VISOKA- SHAQIR (HALIL) VISOKA-“UNË DHE POPULLI IM NUK JEMI TURQ, NE NË PAZAR NUK KA MUNDUR TË NA QES  EVROPA E LERE MË BOGOLUB JEFTIQI, NE JEMI SHQIPTAR DHE SHTETI JONË ËSHTË SHQIPËRIA

(1881- u likuidua në janar 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari i madh Hoxhë Visoka (Shaqir Halil Visoka), u lind më 1881, në fshatin Ballovcë të  Podujevës. Ishte i biri i Halil Visokës, i një atdhetari dhe një burri, i cili karakterizohej me ndershmëri dhe trimëri të rrallë. Si i vogël, Shaqiri pati rastin që në shtëpinë e tij, të takojë dhe të njihej me njerëz atdhetar dhe të mençur të kohës. Si i vogël e më vonë, me kujdesin më të madh i përcillte bisedat e tyre dhe merrte mësime që më vonë ishin shumë të vlefshme për jetën. Ai herët e kuptoi se për shqiptarët dhe Kosovën, liria ishte e largët, por për ta arritur atë duhet angazhim permanentë, mençuri e hollë dhe trimëri e madhe. Shaqiri vinte nga një familje mesatarisht e kamur dhe dëshira që fëmijët e tij të jenë të shkolluar, për babain Halil ishte prioritet. Andaj, në moshë të vogël e dërgoi te hoxha në mejtepin e fshatit. Pas përfundimit me sukses të mejtepit, ai vazhdoi studimet në Stamboll dhe në Kajro.

Pushtetarëve e pushteteve okupuese në Kosovë iu pengonin shqiptaret e shkolluar, atyre iu kishin frikën. Andaj shkollimi i Shaqirit jashtë vendit, okupuesit i futi tmerrin. Shaqirin filluan ta përcjellin dhe bënin plane për likuidimin e tij. Kthimi i tij në familje i shqetësoi pushtetarët serb dhe nuk ishin të qet. Djaloshi nga Llapi ishte burrëruar, ishte i pjekur dhe çdo gjë analizonte me qetësi dhe konsultohej me shokët e shumtë që kishte. Armën më të fortë të karakterit të tij e kishte durimin.

Si i shkolluar që ishte, fitoi besimin e fshatarëve, dhe duke e parë se vendi i tij: Kosova, Podujeve e Ballovca e tij po lëngonin në okupimin e hekurt. Në atë kohë, analfabetizmi ishte i madh, varfëria ishte e tejskajshme, ai rreth vetes grumbulloi njerëzit më të ngritur dhe më trima të kohës. Shoqërohej dhe trajtonte tema nga më të ndryshmet. Bashkërisht kërkonin një zgjidhje për të dal nga ky okupim. Në fshatra propagonte për shkollimin e fëmijëve pa dallim gjinie, kërkonte nga ata që mos të shpërngulën për Turqi, ngase vendi i tyre ashtë aty ku kanë lind dhe ku flitet gjuha shqipe. Aktiviteti i tij, nuk iu pëlqente pushtuesve serb. Me aktivitetin e shtuar të Hoxhë Visokës, shtohej edhe ndjekja e tij nga pushtetarët. Serbo çetnikët ishin të vetëdijshëm se intelektuali i Ballovcit, me kohë por sigurt do iu prish hesapet në këtë pjesë të Kosovës. U ndoq dhe u arrestua nga organet e pushtetit okupues serb më 1914, më 1935, më 1939 dhe më 1941. E dërguan dhe e mbajtën të burgosur në kazamatet më të rënda e më të pista të këtij pushtuesi. Burgosjet e shpeshta Hoxhë Visokën nuk e dobësonin, por përkundrazi ai ishte edhe më i fortë dhe më këmbëngulës në kërkesat e tij.

Qeveria jugosllave, siç dihet, më 1926 kishte përfunduar një Marrëveshje me Turqinë për riatdhesimin e popullsisë turke nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Por, në fakt, dispozitat e kësaj Marrëveshje u shfrytëzuan për të dëbuar popullsinë shqiptare nga Kosova për në Turqi, duke e konsideruar atë si turke. Sipas shtypit turk të datës 7 prill 1926, nga Jugosllavia për në Turqi, në bazë të kësaj marrëveshje, duhet të emigronin 300-400 000 vetë. Ndërsa, sipas një llogaritje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi gjendeshin 27-30 000 mijë familje shqiptare të shpërngulura nga Kosova duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.

Më 1938, u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje midis Jugosllavisë dhe Turqisë, në bazë të së cilës parashikohej riatdhesimi i 250 000 vetave të ashtuquajtur turq. Gazeta turke “Vatan” e datës 12 korrik 1938 me rastin e mbylljes së kësaj marrëveshje publikonte një komunikatë zyrtare si dhe një artikull në të cilën thuhej se: “250 000 emigrantë do të arrinin nga Jugosllavia dhe se transporti i tyre do të fillonte pas 6 muajsh”. E njëjta gazetë botonte edhe një deklaratë të delegacionit jugosllav që nënshkroi marrëveshjen, në të cilën gjithashtu përmendej shifra e lartë përmendur si dhe njoftime të tjera mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshje. Nga të dhënat që dispononte qeveria shqiptare emigrimet më të shumta të shqiptareve për Turqi bëheshin nga krahinat e Maqedonisë e nga Kosova (rrethi i Prizrenit, Gjilanit, i Prishtinës, Mitrovicës, Pejës) etj.

Ndryshimet politike në prag dhe gjatë LDB-së, shovinistët serbë e malazezë i shfrytëzuan që të shpërngulin dhe të zhdukin sa më shumë shqiptarë. Me rastin e mobilizimit të fshehtë e të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave shqiptarët kurrë nuk u trajtuan si qytetar të barabartë të Jugosllavisë. Me ushtaret shqiptarë u sollën si ndaj armikut. Në ditët e para të luftës shumë ushtar shqiptar u vranë nga eprorët ushtarak dhe ushtaret serbë.

Për të dëbuar sa më shumë shqiptar serbo çetnikët shpikën lloj-lloj formash e mënyrash presionesh, vetëm e vetëm t’iu bëjë sa më të zezë qëndrimin në trojet e tyre. Aksioni i dytë i mbledhjes së armëve në Kosovë u organizua  më 1938-1941, qëllimi dihej, dëbimi dhe serbizimi i tyre. E tërë kjo kishte për bazë Elaboratin e njohur të Vasa Qubrilloviqit, të vitit 1937 “Shpërngulja e shqiptarëve” që kërkonte nga monarkia që të përdor ndaj shqiptarëve metodat e mëhershme të presionit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve.

Në elaboratin e tij të parë, Vasa Qubrilloviqi shkruante: “Një masë tjetër është detyrimi me zor, i ushtruar nga aparati i shtetit. Ky i fundit duhet të shfrytëzojë ligje të egra, në mënyrë që t’ua bëjë shqiptarëve të padurueshëm qëndrimin në vendin tonë, si gjuha, burgimi, zbatimi me ashpërsi të madhe i të gjitha masave konceptive të policisë, dënime për çfarëdolloj kontrabande, shpyllëzime, dëme të shkaktuara në bujqësi, kundërvajtje për mos mbajtjen e qenve lidhur, marrja e një mase sa më të madhe njerëzish në punë angari, përdorimi i të gjitha mjeteve që mund të bëjë një politik e zgjuar... “ për të vazhduar më vonë duke thënë se “Shqiptarët janë shumë të ndjeshëm në çështje fetare, prandaj duhet që të preken edhe në këtë pikë. Do të rrihen dhe do të persekutohen hoxhallarët, duke prishur varrezat, duke iu ndaluar rreptësishtë poligamia, dhe sidomos duke zbatuar pa mëshirë ligjin e regjistrimit të detyrueshëm të vajzave në shkollë a fillore apo kudo tjetër Andaj, nën këtë trysni u aktivizua aksioni i mbledhjes së armëve tek shqiptaret. Vetëm gjatë vitit 1938-1941 sa edhe zgjati aksioni u vranë 3.000 veta, u rrahën 20.000 veta, u lënduan dhe që patën pasoja të rënda fizike 5.000 veta, u malltretuan 20.000 veta, u burgosën 5.000 veta dhe u dëbuan mbi 21.195 veta thuhej në dokument.

Me punën e palodhur dhe me angazhimin e madh të tij, Hoxhë Visoka në fshatrat e Llapit dhe jo vetëm, tek populli i kësaj ane fitoi një respekt dhe një besim të madh. Duke e parë fshataret se tek ai gjenin mbrojtësin e tyre, e propozuan dhe e zgjodhën  deputet të parlamentit të Mbretërisë jugosllave më 1934. Intelektuali dhe atdhetari i shquar, duke e parë se shqiptaret po shpërngulen me të madhe për Turqi duke u deklaruar se ishin turq, ai kishte reaguar ashpër në parlament duke kërkuar që kjo dukuri të ndërpritet sa më parë. Në një seancë parlamentare kishte deklaruar: “Unë dhe populli im nuk jemi turq. Ne në pazar nuk ka mundur të na qes  Evropa e lere më Bogolub Jeftiqi, ne jemi shqiptar dhe shteti jonë është Shqipëria ”.

Pas këtij fjalimi, Hoxhë Visoka e trazoi Serbin dhe Beogradin. Shovenistët serb, morën masa urgjente për ta larguar atdhetarin e madh llapjan. Megjithatë, për ta larguar kërkoheshin zgjedhje popullore, andaj me propagandën e madhe dhe me angazhimin e klubeve serbe, organet e pushtetit serb penguan rizgjedhjen e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 1935.

Hoxhë Visoka, krahas aktivitetit politik legal, ilegalisht ishte veprimtar i Komitetit të Kosovës. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ishte themelua në ilegalitet të plotë, më 1 maj 1918 dhe më 7 nëntor 1918 u vendos përfundimisht në Shkodër nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Më 21 prill të vitit 1941 mori pjesë në takimin e krerëve shqiptarë të Mitrovicës, Podujevës, Vushtrrisë, Pazarit të Ri, Drenicës dhe të Podgurit me komandantin gjerman të Divizionit 60-t të këmbësorisë, Fridrih Gregor Eberhard. U zgjodh nënprefekt i Podujevës (1941-1943) dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë edhe pse Podujeva ishte jashtë kufijve politik të shtetit shqiptar, e cila i takonte zonës gjermane të pushtimit.

Duke e parë se gjakmarrja ishte e madhe në tokat shqiptare, Hoxhë Visoka angazhohej si anëtar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve (Islihatit) për Nënprefekturën e Podujevës. Gjatë Kohës sa veproi në këtë këshill, pajtoi disa ngatërresa, u falen disa gjaqe dhe u pajtuan shumë familje për mosmarrëveshje të vogla dhe e tëra kjo ishte meritë e jashtëzakonshme e Hoxhë Visokës.

Dihej se, arsimi shqip në Kosovë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore pati një zhvillim të hovshëm, sidomos nga viti 1941. Prandaj me të drejtë mund të konkludojmë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në gusht të vitit 1941 është arsyeja kryesore dhe më e fuqishme që ndihmoi në zhvillimin e shpejt të arsimit shqip në Kosovë. Po ashtu, afër 300 mësues të ardhur nga Shqipëria, jo vetëm që hapën shkollat, por dhe mbanin kurse për zhdukjen e analfabetizmit në të gjitha qendrat e Kosovës, me grup-mosha të ndryshme. Në këtë vazhdë, Hoxhë Visoka u angazhua me të madhe edhe për shkollën shqipe në fshatrat e Llapit, duke sjell rreth 50-60 mësues nga Shqipëria.

Popullata e Llapit duke e parë punën e palodhur të Hoxhë Visokës, më 1943, 16-20 shtator, trimin e madh të tyre e caktojnë që bashkë me Jahja Fushën të jenë delegat në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Jahja Fusha dhe Hoxhë Visoka merren vesh që të përgatisin një fjalë për kuvend. Fjalën e mbajti Jahja Fusha dhe me të, bëri bujë të madhe duke kërkua që edhe kjo pjesë e Kosovës ti bashkëngjitet Shqipërisë.

Më 18-19 nëntor 1944 forcat gjermane largohen nga Kosova, dhe në vend të tyre u vendosën çetnikët që ishin konvertuar në partizan. Siç dihej pjesa më e rrezikuar në Kosovë ishte zona e Llapit ngase ajo ndodhej në pjesën kufitare me Serbin, andaj çetniket i kishin duart e lira që të vrisnin e të plaçkitnin shqiptaret dhe pasurin e tyre. Me qëllime të caktuara ndaj shqiptarëve Titoja kishte shpall amnisti më 21.11.1944, për të gjithë ata që nuk kishin bërë krime, të kthehen në shtëpitë e tyre dhe se atyre nuk do iu ndodhë asnjë e keqe. E qëllimi dihej. Në këtë mënyrë mendonin se do i joshin patriotet dhe brenda një kohe të shkurtër do i likuidonin ata. Qëllimi ishte që në mënyrën më të lehtë ta arrestonin Jahja Fushën e Hoxhë Visokën e shumë të tjerë.

Hoxhë Visoka ishte komandant i zonës verilindore të kufirit etnik shqiptar me Serbinë. Mbas vitit 1944 mbeti në Podujevë. Edhe pse u shpall amnistia, Hoxhë Visoka nuk pranoi që të dorëzohej në pushtetin partizano- çetnik. Synimi  i pushtetarëve serbë ishte që të inskenonin ndonjë rast që kishin për qëllim arrestimin dhe nxënien të gjallë të Hoxhë Visokës dhe Jahja Fushës, Shaban Tenezhdollit e shumë bashkëmendimtarëve të tyre, të cilët bashkë me shumë llapjan ndodheshin në Prishtinë.

Qarqet shoviniste  serbe që udhëhiqnin Podujevën kërkuan kthimin e llapjanëve në Podujevë të cilëve  duhet tu prinin Hoxhë Visoka e Jahja Fusha. Gjatë kthimit, në janar të vitit 1945 OZN-a (OZN-a-Odeljenje za zastitu naroda-Dega e Mbrojtjes së Popullit (Sigurimi i Shtetit ) u formua më 14 maj 1944. Ajo veproi në kuadrin e Seksionit të Mbrojtjes Popullore të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (KANÇJ), e cila kishte të drejtat dhe detyrat e Qeverisë. OZN-a ishte e organizuar në parime ushtarake. Pas formimit të të ashtuquajturës Qeveri e Jugosllavisë Demokratike, në mars të vitit 1945, OZN-a hyri në përbërjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse më 1946 u shndërrua në UDB-a (Uprava drzavne bezbednosti-Drejtoria e Sigurimit të Shtetit), që tani quhet DB (Drzavna bezbednost-Sigurimi i Shtetit ). OZN-a qe dhe mbeti një mekanizëm monstruoz për luftimin e veprimtarëve liridashës të të gjithë popujve të Jugosllavisë pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë kundër atyre shqiptarë). e arrestoi dhe e mbyti pa gjurmë të varrit, ndërsa Jahja Fusha arratiset për një kohë.



(Vota: 78 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Salih Sadiku - Jataku më besnik i Mulla Idrizit në historinë shqiptare Sabile Basha: Hazir Gjaka - Ideali ynë gjithmonë ka qenë Qëndresa dhe Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë Sabile Basha: Ukshin Kovaçica - Gjithmonë në mbrojtje të lirisë Sabile Basha: Intelektuali e atdhetari Jahja Fusha (1919-1944) Sabile Basha: Mehmet Bushi, matjani që luftoi për Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Ahmet Selaci - Një jetë e tërë për Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Kolonel Fuad Dibra – Kosovë e Shqipëri jemi Një Sabile Basha: Mulla Haki Sermaxhaj - Vetëm duke e luftuar okupuesin do të jeni të vleshëm për kombin dhe veten Sabile Basha: Bislim Bajgora - Shaljani që iu përkushtua mbrojtjes, çlirimit dhe Bashkimit Kombëtar Sabile Basha: Xhemë Hasa-Gostivari - Bini burra, djem të ri, për Bashkimin me Shqipni Sabile Basha: Musa Shehzade - Legjendë Trimërie Sabile Basha: Ethem Ferati-Prekazi – Rroftë Kosova, Rroftë Shqipëria Sabile Basha: Isuf Gilani - Mbi të gjitha Shqipëria Etnike Sabile Basha: Muharrem Fejza - Nuk njoh luftë për çështje ideologjike, përveç luftës për Shqipëri Etnike Sabile Basha: Sylë Hotla - Do të luftoj për Bashkimin e Tokave Shqiptare deri sa të më marrë plumbi Sabile Basha: Kolonel Sylejman Vuçitërna dhe 'gjyqi special' i Tiranës Sabile Basha: Hamdi Gashi - Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria Sabile Basha: Mulla Iljaz Spahiu - Broja - 'Pa atdhe nuk ka fe' Sabile Basha: Azem Jashanica - Muhaxhiri që u flijua për Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Kolonel Qazim Komoni - Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap jetën për Kombin

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora