Speciale » Basha
Sabile Basha: Islam Damaneku - Të vdesësh por dhe të jetosh për një Shqipëri Etnike
E marte, 05.12.2023, 09:10 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
ISLAM
DAMANEKU- PËR NJË SHQIPËRI ETNIKE I'A VLEN TË VDISET POR EDHE TË JETOHET
(1905-
e pushkatuan më 12 janar 1947)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
Islam Damaneku u lind më 1905, në fshatin Grackë të Lypjanit. Ishte i biri i
Mehmet Damanekut, i cili në atë anë të Kosovës, njihej për trimëri të rrallë
dhe burrëri të madhe. Familja e Damanekëve ishte një familje mesatarisht e
kamur. Por, duhet përmendur se Mehmeti, Babai i Islamit kishte një jetë të
vështirë si të gjithë shqiptarët nën okupimin serbë. Andaj, duke mos u pajtuar
me pushtetin okupues, pati shumë ecejake,
duke u shpërngulur nga vendi në vend, e nga fshati në fshat, e shkaktari
kryesor ishte zullumi i madh që e kishte nga pushteti serb. Mehmet Damaneku
kishte tre djem: Osmanin, Islamin dhe Xhemajlin, por këtu duhet përmendur edhe
nipin e tij trim Mustafën, që ishte djali i Osmanit, dhe që të gjithë këta
dalloheshin për trimëri të pashoq dhe duke parë presionin që bënte pushtuesi
ndaj shqiptarëve, që të gjithë këta trima u vunë në shërbim të kombit dhe
atdheut, duke luftuar deri në fund të jetës për bashkimin e trojeve shqiptare
në një shtet sovran dhe të pavarur, në një Shqipëri Etnike.
Mehmet
Damanekut me familje qysh herët kishte ardhur nga Damaneku i Llapushës (komuna
e Malishevës), qysh në kohën e Turqisë, në vitin 1870. Ishte vendosur në
fshatin Grackë të Vogël të Lypjanit. Ai njihej për trimëri të pashoq, por edhe
fjala e tij e matur zinte vend në shumë kuvende që u mbanin në oda të
fshatarëve. Duke e parë mençurin, urtësinë dhe zgjuarsinë e tij, fshataret e
propozuan që të jetë në krye të Islihatit. Islihati ishte një shoqatë, e cila
bënte pajtimin e gjaqeve, ngatërresave e konflikteve të ndryshme në mes
fshatarëve. Ai me punën e madhe që bënte në këtë shoqatë arriti që të pajtoj
shumë gjaqe e shumë konflikte të cilat mundnin të merrnin përmasa më të mëdha.
Veç që u angazhua në fshatin e tij, atë, filluan ta thirrin edhe në fshatrat
tjera që kalonin kufirin e fshatrave të Llapushës. Mehmeti si pajtimtar shkonte
edhe në Drenicë e gjetkë, ngase atje e priste miku i tij, Xhemajl Obrija,
pajtimtar nga Drenica
Veprimtarin
e vet atdhetare familja Damaneku e vazhdoi edhe në fshatin e ri ku u vendosën,
në Grackën e Vogël. Duke e parë aktivitetin e tij, familjeve kolone serbe iu
pengonte ajo. Ata filluan të ndjehen të rrezikuar dhe ishin të pakënaqur që
ishin të pa përfillshem. Filluan të shprehin arrogancën ndaj familjes së ardhur
dhe të bënin presion ndaj tyre. Mehmet Damaneku iu kishte tërhequr vërejtjen se
kjo nuk kalon te ai. Kjo është tokë shqiptare dhe, ata janë vendosur në tokat
shqiptare me dhunë, andaj, duhet të kenë kujdes se si po sillen. Por, vërejtja
e tij nuk u përfill. Dhe një ditë vije deri te konflikti në mes tyre. Damanekët
si trima e atdhetar që ishin nuk duruan sjelljen barbare të serbëve ndaj
fshatarëve shqiptar. Një ditë pika e vlimit kishte mbërritur kulmin. Mehmet
Damaneku vrau një farë Zhivkun, dhe
plagosën një tjetër serb nga një fshat i afërt. Pas kësaj ngjarjeje, filloi
presioni i madh i pushtetit të kralit serb dhe familja Damaneku, ishin të
detyruar që ta lëshonin fshatin dhe të shpërnguleshin për Turqi përmes Shkupit.
Rrugën
për Turqi nuk e miratoi Mehmet Damaneku. Por, presioni i pushtetit e detyruan
që të shkonte në Shkup. Aty blen një shtëpi dhe qëndruan për tri vite. Vitet e
kishin bërë të vetën dhe një ditë vdes Mehmet Damaneku. Aty e varrosin me
mallin e pashuar për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Por
rrugën e tij e vazhduan të bijtë e tij dhe nipi.
Me
kapitullimin e Jugosllavisë nga Gjermania, më 6 prill 1941, shqiptarët këtë
kapitullim e përjetuan si rilindje për ta. Në Kosovë, shumë gjëra ndryshuan,
shqiptarët e shpërngulur filluan të ktheheshin në vendet e tyre. Kosova filloi
të merrte frymë paksa më lirshëm. Edhe bijtë e Mehmetit Damanekut u kthyen me
familjet e tyre sërish në Kosovë, por tash jo më në Grackë të Vogël, ku kishin
qenë të vendosur më parë, por në fshatin Topliçan të Lypjanit. Aty, Islamin e
caktuan kryeplak të fshatit.
Në
Topliçan, për familjen Damaneku, filloi një jetë e re. Me ndihmën e gjermanëve
e italianëve në Kosovë u krijuan kushtet më të mira për shqiptarët. Duke e ndjerë përsëri rrezikun nga bandat çetnike
serbe, ata u angazhuan në forcat vullnetare për të mbrojtur kufijtë e Kosovës
Lindore. Osmani, Xhemajli, Islami dhe nipi- Mustafa, dhanë një kontribut të
madh në luftërat që ndodhen në këto anë.
Pas
kthimit të shqiptarëve të shpërngulur, përsëri serbet ishin të pakënaqur. Bënin
ankesa të shumta ndaj shqiptarëve se ata
(shqiptarët) janë vendosur në tokat e tyre. Në të vërtet ndodhte e kundërta,
ata ishin vendosur me dhunë në tokat e shqiptarëve. Në këtë drejtim Islam
Damaneku kishte luajtur një rol të madh duke i mbrojtur shqiptaret dhe duke i
çjerrë maskat kolonëve serb tek pushtetarët shqiptar. Bile, kishte ndodhur
shumë herë kur Islam Damaneku me parin e vendit kishte shkuar në Prishtinë duke iu treguar të vërtetën qeveritarëve shqiptar.
Islam
Damaneku nuk ishte i shkolluar, por llogaritej si më i ngrituri politikisht në
fshat e rrethin. Andaj, për çështje të rëndësishme kombëtare shpesh kishte
udhëtuar edhe në Tiranë. Në atë kohë, mbante lidhje të shumta me njerëz atdhetar
të kohës si: Gjon Serreqin, Ajet Gërgurin, Ibrahim Lutfiun, Hysen Tërpezën,
Adem Gllavicën, Azem Jashanica-Bellaçevcin, Kadri Bebën, Salih Rexha e të
tjerë.
Më
16-20 shtator 1943, kur u mbajt kuvendi themelues për Lidhjen e Dytë të
Prizrenit, në Prizren, Islamin e kishin caktuar që të marri pjesë në të. Ai
gjatë tërë kohës ishte aktiv dhe i
përkrahu vendimet që u morën në Kuvend.
Gjithashtu
ishte i pranishëm në Aktin e konsolidimit të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare
të Tiranës, më 1943, gjatë muajit tetor. Islam Damaneku ishte angazhuar tërë
jetën e vet për një Shqipëri Etnike, por duke e parë situatën dhe luftërat që
zhvillonin njësit partizane, ai ndjeu se Kosova do të jetë e tradhtuar dhe
përsëri do të jetë e okupuar nga partizano- çetniket serb. Një gjë të tillë
forcat nacionaliste nuk mundën të lejonin. Në vjeshtën e vitit 1944, vëllezërit
Damaneku dolën në mal dhe iu bashkuan
çetave vullnetare për të mbrojtur tokat shqiptare.
Angazhimi
i vëllezërve Damaneku në luftërat për liri dhe kundër partizanëve, iu kishte
fut datën serbo-çetnikëve të Lypjanit e më gjerë. Në janar të vitit 1945,
partizanët i kishin arrestuar dy vëllezërit Damaneku: Osmanin dhe Xhemajlin.
Dhe kusht për lirimin e tyre ishte, që Islam Damaneku, të ndërpres luftën
kundër partizanëve dhe të kaloi në anën e tyre. Islami nuk pranoi. Në shenjë
hakmarrjeje, partizanët të dy vëllezërit ia pushkatuan pa gjyqe në vendin e
quajtur Tauk Bahshqe, në Prishtinë, të cilëve as sot nuk iu dihet varri.
Ilegalja
shqiptare, vrasjen e dy vëllezërve Damaneku e përjetuan rëndë, dhe duke u nisur
nga kjo ata u angazhuan edhe më tepër në luftë kundër partizanëve. Ndërsa,
partizanët me këmbëngulje kërkonte që Islami të kthehej kah partizanët. Por më
kot. Partizanet, nuk e dinin se ata- Damanekët, iu kishin dhënë besën atdheut
se do luftojnë deri në çlirimin e tij, dhe deri të bëjnë bashkimin me
Shqipërinë. Kur dështuan që të përfitonin Islamin në anën e tyre. Partizanët,
në shenjë hakmarrjeje e rrethuan fshatin Topliqan dhe filluan luftimet. Nga
mbrëmja deri në mëngjes luftuan trimat e damanekëve, pa kursyer asgjë. Në të
zbardhur të dritës, u panë shumë kufoma
në fusha për rreth. Dhe nga ajo ditë, Islami s bashku me nipin e tij Mustafë
Damanekun kaluan në ilegalitet të thellë duke rënë në kontakt me çetën e Kadri
Bebës dhe Sali Rexhë Grejçevcit.
Me
kalimin e tyre në ilegalitet, ata iu bashkuan grupeve të tjera ilegale dhe
lufta e tyre ishte e vazhdueshëm me luftëtaret e nacionalizmës shqiptare të
Krahinës së Llapushës, si: Qazim Bajraktarin e Astarzubit, dy bijtë e Sadik
Ramës nga Gjurgjeviku i Madh, Ukë e Shaban Sadikun, Alush Smajlin e Llazicës,
pastaj Ndue Përlleshin e Zefë Gjidodën nga Lugu i Drinit etj.
Anëtarët
e Komitetit Qendror të ONDSH-es, paraprakisht kishin filluar përgatitjet për
mbajtjen e një takimi. Iniciativën për këtë e kishin marrë: Ajet Gërguri, Gjon
Serreqi, Kemal Skenderi dhe sekretari Mulla Arif Shala, i cili edhe ishte
sekretar i komunës në Komoranit. Sipas dokumenteve të Organizatës Nr. 2. Shihej
se përgatitjet kishin fillua së paku një
muaj më herët. Më datë 18-19 qershor, 1946, mbajtën një mbledhje te Mulliri i
Ali Brahimit në Qylagë, bashkë me udhëheqësit e lartë të NDSH-së. Nga njësiti i
Kadri Bebës për pjesën udhëheqëse të Kongresit, u caktua Islam Damaneku, i cili
luajti rol të rëndësishëm gjatë mbajtjes dhe pas këtij Kongresi. Në kongres
kishte marr pjesë edhe nipi i Islamit, Mustafë Damaneku. Që të dy dhanë një
kontribut të konsiderueshëm për mbarëvajtjen e kongresit.
Kongresi
V, i ONDSH-së, u thirr të mbahet më 25 korrik 1946 në malet e Lipovicës
(Blinaj) në Drenicë, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav
lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Kjo taktikë nga ana e
udhëheqësve të ONDSH-së u tregua e suksesshme, sepse kongresi
u mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në kongres merrnin
pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte më masivi në historinë e
NDSH-së. Gjatë zhvillimeve të punimeve do të vijnë në kundërthënie
dy rryma politike, të cilat artikulonin mënyrat specifike të luftës. Rryma e
parë përfaqësohej nga Osman Bunjaku, i cili konsideronte se atdhetar është ai
luftëtar që nuk e lëshon Kosovën, dhe këtu zhvillon luftën; ndërsa rrymën e
dytë e përfaqësonte Ajet Gërguri i cili konsideronte se në vitet e pasluftës
nuk kishte kushte për të zhvilluar luftën në atdhe, prandaj duhet përgatitur
për luftë nga jashtë dhe më përkrahjen e forcave demokratike në mënyrë të
organizuar të kthehen në atdhe për të vazhduar rezistencën aktive.
Gjon
Serreqi me Ajet Gërgurin, të përkrahur nga Islam Damaneku dhe Kadri Beba, ishin
për daljen në Greqi, kurse kundër tyre, gati i pa kompromis do të jetë Osman
Bunjaku i ndjekur fuqimisht nga Hilmi Zariqi, Jetullah Rrezalla, Imer
Radisheva, Zeçir Lutani i Turiçevcit e shumë të tjerë. Me krahun e Ajetit e të
Gjon Serreqit ishte edhe grupi i Shemsi Mramorit dhe i Bajram Çukofcit nga
Mirashi. Pas shumë debateve që herë-herë kishte edhe tensione, fitoi opsioni-
Të mos lëshohet Kosova dhe të zgjidhet Shtabi Suprem i Ushtrisë Nacional
Demokratike Shqiptare. Ku do të emëroheshin komandanti dhe katër udhëheqës-
komandantë të Zonave.
Duhet
përmendet se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan
të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht
kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizata e
cila bëri bujë dhe emër me veprimtarin e saj patriotike gjatë viteve 1945 e
deri më 1956 ishte LNDSH-në, e cila veprimtarin e saj e shtrinte në Kosovë dhe
në pjesën Lindore të Maqedonisë, duke u përcaktuar për luftë të armatosur kundër
robërisë së re jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e
veta. Kishte një politik nacionale e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht
udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu,
Selman Riza, Gjon Serreqi e shumë të tjerë. Programi i
saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat e
LSHP.
Pas
përfundimit të punimeve të kongresit, filluan të shpërndaheshin delegatët. Ajet
Gërguri, Gjon Serreqi, Islam Damaneku, Kadri Beba, Shemsi Mramori, gjithsejtë
97, si dhe gra e motra të luftëtarëve. Në njësitin pararojë bënin pjesë
luftëtaret më të regjur e më të sprovuar si : Salih Rexha nga Ribari i Madh,
Kadri Beba, Azem Bellaqevci, Islam e Mustaf Damaneku nga Topliçani i Lypjanit,
Ismail Dragusha me bashkëshorten Fetije Dragushën, Nezir Buja, Ahmet Selaci nga
Selaci i Bajgorës, Beqir Gjurkovci, Isuf Muharremi nga Petrova e Shtimes, Emin
Saraqi e trima të tjerë.
Në
rrugë e sipër, në malin Billush, që shtrihej mbi Hoqë të Gjytetit, në
relacionin Prizren- Dragash. Luftëtarët e Lëvizjes Shqiptare më 8 gusht 1946,
ishin rrethuar nga forcat e mëdha serbo-çetnike. Gjatë përleshjeve me ushtrinë
partizano- serbe, kishin rënë në fushë të betejës: Isuf Muharremi nga Petrova e
Shtimes, Emin Saraçi nga Bivolaku i Vushtrrisë dhe predha ia kishte shkurtuar
dy këmbët Beqir Zeqirit nga Gjurkovci i Shtimes. Aty ishte plagosur rëndë edhe
Sadri Duhla me dhjetëra luftëtar të tjerë. Pas luftimeve të rrepta, ishte
urdhri i Gjon Serreqit, Ajet Gërgurit dhe Ibrahim Lutfiut për tërheqje. Rrugën
e tërheqjes po e siguronin Islam e Mustafë Damaneku bashkë me tre luftëtar
tjerë, që kishin marrë përsipër minimin dhe asgjësimin e pritave të armikut.
Ata, me bomba e asgjësuan bunkerin e armikut, ku u vranë shumë partizanë. Pas
sigurimit të largimit, luftëtarët e rezistencës dolën nga rrethimi në grupe dhe
secili grup iu rrek maleve të Sharrit për të kaluar sërish në terrenet e tyre,
në rrethin të Ferizajt e vende tjera të Kosovës.
Islam
e Mustaf Damaneku, pas kthimit nga rruga për Shqipëri, ishin strehuar në një
shtëpi në fshatin Ribar të Madh. Pas sulmit që kishte ndodhur, OZN-a, ishte
shumë më tepër vigjilente dhe me kujdesin më të madh i përcillte luftëtarët. Më
7 janar 1947, punëtorët e OZN-ës serbe kishin arritur ti zbulonin dhe se ku
strehoheshin Islam e Mustafë Damaneku. I zunë në befasi dhe i arrestuan. U zu
tradhtisht nga UDB-ja, më 12 janar të vitit 1947 në Ribar të Madh dhe u vra në
Lypovicë. Trupat e pa jetë të dy atdhetarëve Islam e Mustafë Damanekut (axhë e
nip), kurrë nuk u gjetën.
Dhe
krejt në fund, edhe përkundër vrasjeve dhe masakrave që i bënë OZN-a serbe
lëvizjes ilegale, ata kurrë nuk arritën ta vrisnin idealin dhe gjakimin e tyre,
për liri dhe bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare.