Speciale » Basha
Sabile Basha: Rexhep Gjeli – Çlirimi i Kosovës dhe Bashkimi me Shqipërinë
E hene, 18.12.2023, 08:58 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
REXHEP
GJELI- PËR NE, ÇLIRIMI I KOSOVËS DHE BASHKIMI ME SHQIPËRINË, ËSHTË I PA
KOMPROMIS
(1906-
u vra më 3 tetor 1946)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Trimi
i madh, Rexhep Gjeli, u lindi në Likoshan të Drenicës, më 16 maj 1906. Rexhepi
lindi në një familje të varfër fshatare, por atdhedashuria ishte mbi të gjitha.
U edukua bashkë me brezin e vet në oda që ishin universitetet më të mira të
kohës. Në këto oda pati rastin të takohej me burra të urtë e të mençëm, trima e
atdhetar të pashoq. Nga ata mori edukimin, u frymëzua e motivua se pa luftë nuk
ka atdhe e as liri. Andaj, rruga e vetme ishte që ai të vazhdoi me traditën e
të parëve duke bërë rezistencë ndaj bandave çetnike e atyre partizane gjatë
ripushtimit të territoreve shqiptare. Babai i Rexhep Gjelit kishte edhe tre
djem të tjerë Qerimin, Mehmetin e Muharremin.
Vëllai
Qerim Gjeli ishte ushtar i Hasan Prishtinës i cili duke luftuar kundër
pushtuesve bullgar, vritet më 1916. Po ashtu edhe vëllai tjetër i Rexhep
Gjelit, Mehmet Gjeli ishte njeri ndër prijësit e çetave të Azem Bejtës në
betejën te Guri i Bardiqëve (1921) kundër pushtuesve serb mbetet i plagosur
rëndë. Pushtuesit sllav shpallin amnisti për luftëtarët e Azem Bejtës dhe një
pjesë e luftëtarëve kthehen në shtëpitë e tyre. Kështu veproi edhe luftëtari
trim Lutë Gllanasella, por me të u kthyer xhandarmëria e arreston Lutën dhe e
dërgon në drejtim të Rezallës së Re, gruaja e Lutës Azemine Kiqina shkon në
Likoshan e informon Mehmet Gjelin, i cili arrin ta liroj Lutë Gllanasellën.
Mund
të thuhet se në fillim të vitit 1945 në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare
u koncentruan forca të shumta ushtarake, policore dhe një aparat shumë i
dhunshëm represiv. Udhëheqja jugosllave kishte planifikuar nënshtrimin e plotë
të shqiptarëve dhe me pas shpërnguljen e tyre, prandaj qysh gjatë depërtimit
forcat e shumta partizane dhe struktura e OZN-së ushtruan dhunë dhe terror të
paparë ndaj tyre. Prandaj, edhe kundërvënia e shqiptarëve dhe lufta për
mbrojtjen e vatanit mori karakter të thuash epik.
Dhuna
dhe terrori i ushtruar në Drenicë në vitin 1944 bëri që popullsia e kësaj treve
të organizohet për mbrojtje, më qëllim të ruajtjes së jetës, nderit, pasurisë
së popullit, e sigurimin e rendit publik. Në dhjetor, 1944 u formua Brigada e
Drenicës me Komandant Shaban Palluzhën, dhe zëvendës komandant të parë Rexhep
Gjelin. Më tu kthyer nga fronti i Shalës 10.02.1945, Mehmet Gradicës i caktohet
detyra e zëvendës komandantit të parë, kurse Rexhep Gjelit komandant i Gardës
së Shtabit Suprem.
Shtabin
e brigadës e përbënin: Azem Aruqi, Rexhep Gjeli, Feriz Boja, Hamëz Istogu.
Hazir Xhaka, Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari, Mulla Ilias Broja, Rifat
Maloku, Sadik Lutani dhe Ukë Sadiku. Brigadën e përbënin 7 batalione, çdo
batalion përbëhej nga 4 kompani sipas sistemit të ushtrisë shqiptare. Po ashtu
ishte formuar dhe Garda e Shtabit Suprem. komandant i Batalionit të Parë ishte
caktua Isa Zymberi; komandant i Batalionit të Dytë- Sadik Zeka nga Vushtrria;
komandant i Batalionit të Tretë-Miftar Llausha-Bajraktari; komandant i
Batalionit të Katërt- Aziz Xheku nga Oshlani; komandant i Batalionit të Llapit-
Rifat Maloku; komandant i kompanisë së Çetës ishte caktua Iliaz Muli; komandant
i kompanisë ishte caktua Hakif Rimanishta; komandant i Çetës së Llapit-
Abdullah Mihaliqi (prej të gjithë regrutëve 25% ishin pa armë); komandant i
kompanisë Islam Vatofci nga Qyqavica; komandant i kompanisë përcjellëse të
Shaban Polluzhës- Ajet Qezi. Pasi që kjo Brigadë do të kthehet nga rruga në
Podujevë për në Drenicë, duke mos iu bind urdhrave të Shtabit Operativ, me të
drejtë sepse në prapavijë, sidomos në Drenicë, OZNA-a kishte bërë mizori, do të
zhvillohen sulme ndaj saj nga ana e Divizionit 52 që e drejtonte krimineli
Petar Brajeviq, nga 10-23 shkurti 1945.
Brigada
e Shaban Polluzhës ishte mjaft mirë e organizuar ngase në të merrnin pjesë
njerëzit me virtyte të larta kombëtare, të guximshëm dhe të besës. Paria e
brigadës së Shaban Palluzhës me ftesën e partizanëve jugosllav kishin shkuar në
Mitrovicë për bisedime, për shkuarjen e tyre në frontin e Sremit. Takimi kishte
dështuar ngase Shaban Polluzha nuk ishte pajtuar. Por, duhet theksuar se shumë
i zëshëm kundër shkuarjes në Srem ishte atdhetari i madh Rexhep Gjeli. Për të
kishte rëndësi çlirimi i atdheut pa marrë parasysh se kush ishte pushtuesi
qoftë gjerman serb apo ndonjë tjetër.
Për
të realizuar më me efikasitet likuidimin e “bandave” dhe “ballistëve”
shqiptarë, repartet ushtarake jugosllave krijuan një rrjet të gjerë spiunazhi.
Të besuarit e regjimit evidentonin njerëzit ”që posedonin armë”, caktonin
llojet dhe numrin e tyre dhe përpilonin listat e ”ballistëve”, që duheshin
eliminuar. Të gjithë këta arrestoheshin, kryesisht natën, dërgoheshin në kampe
përqendrimi ose në burgje, por shpesh pushkatoheshin sapo nxirreshin nga
shtëpitë. Kundër banorëve, që u detyruan të braktisnin shtëpitë e të fshiheshin
pyjeve, pasonin urdhrat për t’u konfiskuar kafshët dhe pasurinë, me pretekstin
se ishin marrë me kriminalitet. Qçllimi i tyre ishte që Kosova të zbrazet nga
shqiptaret.
Rexhep
Gjeli nuk donte të dilte jashtë Kosove, ngase e parandiente se shqiptaret ishin
në rrezik nga hordhitë çetnike. Forcat partizane nga spiunët e ndryshëm kishin
kuptuar se kush ishte më i zëshmi, andaj për ta bindur Rexhep Gjelin, me një
shpejtësi organizojnë shkuarjen në Likoshan dhe kidnapojnë djalin e vetëm të
Rexhep Gjelit, duke e marr peng. Forcat e Lëvizjes ishin duke u kthyer nga
Mitrovica, ku Rexhep Gjeli vëren se partizanët kishin marrë një djalë të ri, pa
e ditur se ishte djali i ti, shkon drejt tyre dhe e nxjerr djalin nga njësiti
partizan. Gëzimi ishte edhe më i madh kur e sheh se ai ishte djali i tij. Ata-
partizanët kishin vendosur që djalin e kidnapuar ta çonin në burgun e
Skenderajt për ta likuiduar. Djalin e nxjerr me dhunë, duke detyruar
komanduesin e këtij njësiti t’i dorëzojnë armët. Duke mos pasur zgjedhje
tjetër, partizanët largohen (gjithnjë) nën komandën e Rexhep Gjelit dhe kështu
shpëton djalin. Ndërsa më pas këta partizan i liron Shaban Polluzha.
Se
ishte luftëtar i madh, dëshmon edhe lufta në Gradicë, në një moment derisa
lufta zhvillohej më intensitet të madh Rexhep Asllani i drejtohet Rexhep Gjelit
dhe Brahim Lutës me fjalët ”O Rexhep Gjeli e Brahim Luta do të luftojmë në këtë
kullë përderisa themelet e saj nuk do rrafshohen më tokë, nga granatat, topat e
mortajat e armikut dhe asgjë nuk më dhimbet të jap jetën për lirinë e vatanit”.
Vlen të theksohet së më vonë njësitet e Lëvizjes në Gradicë u pozicionuan me
një përpikëshmëri të caktuar strategjike e luftarake, ashtu të maskuar pritnin
kundërsulme të forcave të armikut. Më 14 shkurt 1945 Rexhep Gjeli dhe Brahim
Luta organizojnë mbledhje me eprorët e njësive ushtarake më të cilët shqyrtonin
gjendjen e krijuar dhe konstatuan se; Me pushtimin e Kozhicës, Krasmirocit (në
Krasmiroc ishte i vendosur Shtabi Suprem pjesë e të cilit ishte dhe Rexhep
Gjeli) dhe të disa vendeve strategjike ne Gradicë u shkëput lidhja me njësitet
të tjera dhe Shtabin Suprem, po ashtu është vërejtur edhe koncentrimi shumë i madh
i forcave armike në këto anë. Më 14 Shkurt në oren 20:00 pas përgatitjeve dhe
në befasi sulmohen pozicionet e armikut në pjesën lindore të Gradicës më një
gjatësi frontale 5 km në dy drejtime: ne krahun e majtë në rajonin e rrafshit
të Bardiqëve njësitet ushtarake të udhëhequra nga Regjep Gjeli, Ajet Qirezi,
ndërsa nga malete Litkocit njësitet e udhëhequra nga Asllan Lladrovci e Beqir
Vinarci. Mbas këtij sulmi u vu lidhja me njësitet e tjera dhe Shtabin
Rexhep
Gjeli e dinte se besë me çetnikët e konvertuar në partizan nuk kishte, andaj,
duke u nisur nga ky fakt, ai do të luftoi kundër tyre dhe do të angazhohej edhe
më tepër në luftë kundër armikut. Ishte çdo kund ku e kërkonte atdheu. Ishte
krahu i djathtë i Shaban Polluzhës dhe do të luftojë me të, deri në fund. Gjatë
Luftës së Drenicës tregoi një aftësi të rrallë luftarake, në shumë raste do të
udhëheqë shumë aksione dhe do të fitojë autoritetet në mesin e
bashkëluftëtarëve të vet.
Në
Terstenik u zhvillua beteja e fundit e udhëhequr nga Shaban Polluzha dhe Mehmet
Gradica. Sipas Shtabit Operativ të Kosovës të ushtrisë jugosllave thuhet se
aksioni më i madh luftarak kundër forcave të Shaban Polluzhës është zhvilluar
me 21 Shkurt 1945 në Tërstenik. Beteja vendimtare ishte të Dvoranet e
Tërstenikut, dhe duhet thënë se kjo betejë i dërgoj këta komandant në
përjetësi. Nga të shtënat e artilerisë plagoset rëndë Komandanti Suprem i
forcave të Lëvizjes Shaban Polluzha. Komanda kalon të Mehmet Gradica, i cili së
bashku me anëtarët e tjerë të Shtabit Suprem merr vendim se qëndrimi i
mëtutjeshëm në këtë vend paraqet rrezik të madh. Merret vendim që në mbrëmje
forcat e Lëvizjes të tërhiqen duke sulmuar armikun në tre drejtime: Në lindje,
të sulmoj njësiti ushtarak nën komandën e Mehmet Gradicës, Jusuf Gjilanit,
Brahim Lutës, Ajet Gjelit. Në Juglindje, të sulmoj njësiti ushtarak nën
komanden e Azem Aruqit, Hamëz Istogut e Rifat Galicës. Krahu i majtë i njësitit
të parë nën komandën e Regjep Gjelit, Ajet Qirezit, Shasivar Alisë.
Para
se të filloj sulmi, Mehmet Gradica u bëri vizitë të gjitha pozicioneve të
lëvizjes duke u konsultuar individualisht me eprorët kryesorë, por për fat të
keq në momentin e parë kur filloj sulmi një predhë artilerie e godet Mehmet
Gradicen. Granata i kishte këputur këmbën e djathë mbi gju Mehmet Gradicës,
ndonëse mungonin mjetet sanitare, Mehmetit ju dha ndihma e parë dhe e strehuan
në një vend të përshtatshëm deri sa të ndërmerrej hapi tjetër.
Pas
vrasjes së Shaban Polluzhës e plagosjes së Mehmet Gradicës, Rexhep Gjeli ishte
emëruar komandant i Shtabit Suprem të Brigadës së Shaban Palluzhës. Në atë
gjendje si ishte Mehmet Gradica, i plagosur rëndë, ftoi anëtarët e tjerë të
Shtabit Suprem të lëvizjes në konsultë. U vendos unanimisht që komandën e
përgjithshme ta merrte Rexhep Gjeli, anëtar i Shtabit Suprem. Më të marr
komandën Rexhep Gjeli vendos të veproi sipas planit të miratuar më parë,
shpërthimin e rrethimit të trefishtë. Para se të fillonte sulmi ishte bërë edhe
plani për tërheqjen e Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës, qe planifikuar ti
hipën në kuaj dhe në mbrojtjen e zjarrit të armëve të nxirren prej rrethimit.
Për këtë punë u angazhua Rexhep Gjeli, Ajet Qirezi, Isuf Gjilani e të tjerë.
Forcat ushtarake të Lëvizjes nën komandën e Rexhep Gjelit shpërthyen rrethimin
dhe nisen në drejtim të Gllogovcit (Drenasit), në fshatin Qikatovë e Vjetër. Si
pasojë e plagëve te marra Komandanti Shaban Polluzha ndërroi jetë, të cilin e
varrosin nën akull të Lumit Drenica, tek vendi i quajtur Bresillë në Çikatovë.
Nga këtu, Mehmet Gradicën e plagosur, e bartin bashkëluftëtarët e tij Brahim
Luta, Rexhep Gjeli, Isuf Gjilani e Xhemë Zeqiri, në drejtim të fshatit
Dobroshevc, tek shkolla e këtij fshati ndërroi jetë në mbrëmje të po kësaj
dite.
Rexhep
Gjeli ishte ai i cili pas vrasjes së Mehmet Gradicës, së bashku me Isuf Gilanin
dhe Brahim Lutën do ta varrosin në një vend të fshehtë në Gllanasellë, në
mënyrë që të mos bjerë kufoma në duar e atyre që e kishin vrarë. Pasi varros
Mehmet Gradicën do të dalë në Çiçavicë për të vazhduar rezistencën kundër
komunistëve.
Komandanti
Rexhep Gjeli dhe shokët e tij e mbajtën besën e dhënë, duke vazhduar luftën e
armatosur, por tani në një formë tjetër, më luftë guerile. Kështu, Rexhep Gjeli
vazhdon më beteja të tjera. Më vonë në
një përleshje me njësitin e OZN-së mbi Krasmirovc (Çiçavicë) do t’i vritet
djali që e kishte shpëtuar në Serbicë. Megjithëse e kishte shpërthyer
rrethimin, me të hetuar se djali ka mbetur i vdekur do të kthehet përsëri në
front dhe do të vritet më 3 tetor 1946, gjatë përleshjes në të njëjtin vend.
Më
pas do të vriten bashkëluftëtarët nga Gradica: Milazim Leci, Vesel e Lam
Dervishi, Bahtir Muja, Maliq Hykolli, Hisen e Maliq Bardhi. Ndërsa, Smail Muja
vritet pabesisht në fshatin Nekovc.
Andaj,
akti i tyre i vetëmohimit dhe i sakrificës qëndron në themel të qëndresës së
përgjakshme kundër politikës shoviniste, që tashmë ishte veshur me petkun
komunist. Në krye të kësaj lufte u vunë prijës të thjeshtë popullorë, patriotë
të shquar, të cilët, mbështetur në përvojën historike, u treguan shumë më
largpamës se udhëheqësit shqiptar me bindje komuniste. Qëndresa e armatosur
kundër zgjedhës jugosllave, lufta për çlirim kombëtar, e radhiti Kosovën dhe
trevat e tjera shqiptare, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, në kampin e
forcave më të avancuara demokratike të Ballkanit dhe të Evropës Lindore.
Mu
për këtë thuhej se, Rexhep Gjeli ishte njëri nga këta luftëtar, i cili luftën
për çlirimin e vendit dhe bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një
Shqipëri Etnike i zhvilloi në këtë frymë, të udhëhequr nga Shaban Palluzha e
Mehmet Gradica. Ishte luftëtar i pa kompromise, dhe emri e trimëritë e tij
kishin marr dhen. Ai ishte bërë ankth i komunistëve çetnik serb, që ngadalë po
sigurt hyri në analet e historisë shqiptare e më gjerë. Sot, shumë rrugë
qytetesh e fshatrash të Kosovës, për nder të tij mbajnë emrin e Rexhep Gjelit,
duke përfshirë dhe shkollën e Likoshanit.