Speciale » Basha
Sabile Basha: Sylë Zarbinca - Forcat anglo-amerikane do të zbarkojnë një ditë dhe së bashku me ne do ta bëjmë Shqipërinë Etnike
E shtune, 16.12.2023, 09:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
SYLË ZARBINCA- FORCAT ANGLO-AMERIKANE DO TË
ZBARKOJNË NJË DITË DHE SË BASHKU ME NE DO TA BËJMË SHQIPËRINË ETNIKE
(1898- e vranë në muajin gusht, 1946)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sylë Zarbinca u lind në fshatin Zarbincë , më 15 maj të
vitit 1898, nga babai Shaban dhe nëna Halime. Fshati ku u lind Syla, shtrihej
në Malësinë e Gollakut.
Dhe, është fshat tipik kodrinoromalor, i tipit të shpërndarë. Zarbinca rreth e
përqark kufizohet me fshatra të banuara me popullsi shqiptare me përjashtim të
fshatit Drenoc i cili është i banuar kryesisht me serbë. Nga ana veriore,
Zarbinca kufizohet me Tërstenën, në perëndim me Pribocin e në jug me Ramabuçën. Për shkak të shpërnguljes
të vazhdueshme në drejtim të Gjilanit dhe Kamenicës (Dardanës), por edhe ikjes në
perëndim, Zarbinca jo vetëm që nuk ka arrit ta shtoj numrin e popullsisë por
gati është përgjysmuar në krahasim me vitet e pas Luftës së Dytë Botërore).
Prindërit e Sylës kishin katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë, si: Syla,
Murseli, Ramizi dhe motra Ilmije. Ai vinte nga një familje mesatarisht e kamur
dhe fëmijëria e tij nuk dallonte shumë nga fëmijëritë e fëmijëve të fshatit. U
rrit me dashuri dhe i përkëdhelur nga të gjithë. Babai Shaban i çmonte njerëzit
e mençur, andaj Sylën e vet e mendonte se një ditë do të bëhej i tillë. Për ta
bërë të zot, mendoi se ai duhet shkolluar. Andaj, e dërgoi për të mësuar në
fshatin Doberçan, fshat që ishte disa kilometra larg nga vendlindja. Në shkollë
mësimi zhvillohej në gjuhën turke, ku
kryesisht mësohej për mësimet e fesë islame. Ai, atje kreu shkollën fillore me
sukses të shkëlqyeshëm, por për të vazhduar më tej nuk kishte mundësi. Shkollat
e nivelit më të lartë ishin në gjuhën serbe, andaj u kthye në fshat por e
ndjente në shpirte se fshatarëve të tij
iu mungonte liria. Kureshtja e djalit e
detyroi babën Shaban, që dal nga dal ta fuste në odat e burrave të
Zarbicës. Aty, në ato oda, kuptoi se tokat shqiptare ishin të robëruar dhe
duhet bërë diçka për ti liruar. Për nga natyra Syla, ishte i urtë, dhe dallohej
për vëmendjen që tregonte për bisedat e burrave më të rritur që bëheshin aty.
Në ato oda, ai u burrërua duke dëgjua histori nga më të ndryshmet. U takua me
njerëz të mençur e atdhetar të kohës dhe dëgjoi shumë për të bëmat e tyre. Aty
dëgjoi se Perandoria Osmane po ikte por ekzistonte rreziku nga një tjetër
armik, që ishte edhe më i zi se ai në ikje. Ky armik planet kaherë i kishte bë
për të gllabërua tokat shqiptare. Serbia, propagandonte se të gjitha këto vise
ishin tokat serbe dhe duhet rimarr përsëri. Kosovën e quante “Stara
Serbia" dhe “Tokë të shenjët serbe”. Veç kësaj si gjithmonë, me bandat e
veta kriminale herë pas here futej në fshatrat shqiptare, plaçkiste, vriste e
tmerronte fshataret e pafajshëm, e qëllimi dihej, të krijonte panik, dhe
fshataret të shpërnguleshin nga aty. Mu kjo, kishte ndikua që Syla i ri të
brumoset me idealin kombëtar dhe patriotik.
Kah fundi i vitit
1918, Serbia përsëri e
okupoi Kosovën. Me Konferencën e Ambasadorëve në
Londër, më 1913, dhe Konferencën e paqes në Paris më 1920, u copëtuan trevat
etnike shqiptare, duke iu dhuruar fqinjëve tanë grekë e sllavë më se 2/3 e
tyre, pra rreth 60 mijë kilometër katrorë ndër to ishte edhe Vilajeti i Kosovës. Ky
okupim zgjati rreth 20 vjet, deri në prill më 1941, kur ushtria gjermane e
dëboi ushtrinë jugosllave, madje vetëm brenda 7 ditëve. Kështu Kosova përsëri
iu bashkua Shqipërisë, siç ka qenë edhe gjatë Luftës së
Parë botërore. Pra, sa herë që ka hyrë Serbia në Kosovë, ajo ka qenë vetëm
okupatore e përkohshme e asgjë tjetër, madje edhe kur ajo vetë ka qenë vasale e
fqinjëve, sidomos e Turqisë .
Gjatë viteve 1918-1941, Serbia mori masa
të ndryshme drastike, e për ti përsëritur edhe më vonë, të njëjtat metoda që sa
më shumë shqiptarë për t’i shpërngulur nga trojet e tyre etnike dhe për
t’i kolonizuar me
kolonë serbë e malazezë. Është i njohur memorandumi
i Vasa Çubrilloviqit, i cili
në atë kohë hartoi planin gjenocidal dhe ia kishte paraqitur qeverisë
mbretërore më 1937, për zhdukjen e shqiptarëve nga Jugosllavia. Këtë referat qeveria
jugosllave, përkatësisht serbe, e ka zbatuar me dhunë të përhershme ndaj tyre,
me taksa të rënda, burgim të njerëzve të pafajshëm, tortura e vrasje, kështu që
më se 250 mijë shqiptarë janë detyruar t’i braktisin trojet e tyre e të
vendosen në shkretëtirat e Anadollit në Turqi dhe pjesërisht
në Shqipëri. Në atë kohë,
vetëm në fillim, janë vendosur në Kosovë, në pronat e uzurpuara shqiptare, më
se 60 mijë kolonë serbë e malazezë. Për ta
kamufluar këtë terror ndaj popullsisë së qetë shqiptare, qeveria e Beogradit deklaronte se kjo është
vetëm ‘’reformë agrare’’,
‘’aksion kundër komitëve dhe armiqve të
shtetit’’ etj.
Këtij terrori dhe kësaj dhune nuk i shpëtoi as familja e
Sylë Zarbicës. Për të shpëtuar nga kjo zallamahi e tmerrit, ata detyrohen që të
largohen nga fshati i tyre për tu vendosur diku në brendi të Kosovës. Pasi
kaloi kjo, familja e Sylës u kthyen përsëri në fshatë për të vazhduar jetën e
zakonshme por tani nën robërinë serbe. Syla në këtë kohë ishte 14 vjeçar dhe
situatën e krijuar shumë mirë e kuptonte. Ata u vendosën në fshat por asnjë
herë dhe në asnjë moment nuk u pajtuan me robërinë nga pushteti i Serbisë, andaj rezistenca
kundër okupatorit ishte fati ynë historik.
Në moshën e adoleshencës, Syla kishte një zë të
mrekullueshëm, dhe shpesh ndodhte bashkë me vëllain Murselin këndonin nëpër
dasma të fshatarëve, e sidomos i këndonin bukur këngët që bënin fjalë për
heronjtë si për Mujin e Halilin, këngët e Nizamëve, këngët e kurbetit e shumë
këngë të tjera që i përmallonin fshataret dhe në një mënyrë indirekte i
motivonte, i nxiste dhe i cyste për të luftua për lirin dhe bashkimin e trojeve
shqiptare. Po ashtu, si i ri, i donte kuajt jashtë mase, ata i rriste dhe i
kultivonte për të bërë gara në fshatra të ndryshme të asaj ane. Bile, flitej
se, njëherë kishte zënë vendin e parë,
në garat që kishin karakter kombëtar e që ishin mbajtur në dasmën e Muharrem
Fejzës, në fshatin Hogosht.
Fshataret duke e parë mençurin dhe autoritetin që e
gëzonte te fshataret, ata e zgjodhën për tri vjet kryeplak të fshatit. Po ashtu
ai njihej si njeri i pa anshëm dhe i sinqertë, dhe mu për këtë e kishin
zgjedhur kryetar të këshillit për pajtimin e gjaqeve. Dihej se gjatë asaj kohe
sa ishte në këshill, shumë plagë u mbyllën dhe shumë ngatërresa u shuan, dhe
për një kohë të gjatë në këtë fshat nuk pati konflikte ndër fshatarë. Populli e
donte dhe e admironte për zgjuarsinë e
tij. Qysh si i ri, paraqitej si mbrojtës
i fshatarëve duke iu dal krah dhe i mbronte ata. Ai edhe për nga pamja, kishte
një fizik, që xhandarët e kralit i kishin frikën. Sidomos, kur ata donin të
arrestonin ndonjë fshatar për hiq gjë, ai ishte i gatshëm ti mbronte. Sidomos
ishte i pa kompromis kur vërente se shqiptarët
fyheshin apo malltretoheshin pa kurrfarë arsye nga pushteti. Syla i ri
ishte aty për ti mbrojtur. Andaj, fshataret serb filluan të bënin plane për ta
likuiduar. Filluan ta përcillnin çdo
kund, dhe vazhdimisht kërkonin ndonjë shkak që ta fusnin në burg e pastaj ti
jepnin leksion duke e rrahur pa mëshirë. Në fshatrat e kësaj ane doli fjala se
Sylë Zarbicën nuk e zë plumbi dhe askush nuk mundet ta arrestoi e më së paku
xhandarët serb që silleshin për rreth. Të tëra këto që fliteshin për Sylë
Zarbicën, pushteti e xhandarmeria serbe nuk mundte me i kollofit dhe
përgatitnin hakmarrjen ndaj tij në momentin e duhur.
Sylë Zarbica u martua dy herë dhe nga këto dy martesa i
pati tre fëmijë- Feratin, Laliferen dhe Eminin. Fëmijët i donte shumë dhe
sidomos me djalin Feratin kishte krijua raporte të lakmueshme babë e birë. Ai,
atë e donte dhe e respektonte se tek ai shihte tiparet e tija dhe ishte krenar
me të. Laliferja ishte e qet dhe e dashur, e dëgjonte babain dhe kujdesej për
të, me aq sa mundej.
Më vonë, koha do të dëshmoi se Sylë Zarbica ishte trim
dhe atdhetar i madh. E ky patriotizëm i pashoq erdhi në shprehje sidomos në
fund të Luftës së Dytë Botërore, kur me aftësitë e veta organizative e
luftarake mbrojti me pushkë në dorë territoret e Shqipërisë Etnike.
Kjo periudhë kohore karakterizohej me një jetë
politike e cila ndonëse ishte e determinuar nga fuqitë e mëdha që ishin
vendosur në Kosovë, por pjesë e saj ishin edhe nacionalistët shqiptare. Kjo
ishte periudhë tejet dramatike, ngase rryma të ndryshme përplaseshin pikërisht
në Kosovë, duke sjellë tensione të vazhdueshme brenda saj. Atdhetarët shqiptar
e kishin kuptuar se në truallin e Kosovës po luhej loja me hile. Komunistet
premtonin që pas luftës Kosova t'i bashkohej Shqipërisë, e cila
pastaj do t'i bashkohej federatës jugosllave ose ballkanike. Këto plane nuk u
realizuan për shkak të ndarjes mes Titos dhe Stalinit.
Siç dihej, Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte
pushtuar dhe ndarë në tri zona pushtuese: Në zonën italiane; në zonën gjermane
dhe në zonën bullgare. Midis viteve 1941 dhe 1945, Mbretëria e Italisë aneksoi
pjesën më të madhe të Kosovës dhe ia bashkoi Mbretërisë Shqiptare të
Shqipërisë, nën protektoratin italian. Dy pjesët tjera të Kosovës u pushtuan
nga gjermanët dhe bullgarët. Italianët e paraqesin veten si çlirimtarët e
shqiptarëve, se ata gjatë sundimit të tyre, në administratën në Kosovë,
lejuan gjuhën shqipe dhe
hapën shkolla në gjuhën shqipe, dhe lejuan përdorimin e flamurit kombëtar. Nga
shqiptarët u formuan njësitë ndihmëse të policisë, një batalion i milicisë
shqiptare dhe formacione të ndryshme vullnetare. Organizimi i administratës në
zonën italiane u bë sipas modelit të Shqipërisë. Efekti ishte i përnjëhershëm,
ngase këto masa ndikuan në forcimin e lidhjeve, të unitetit e të vetëdijes
kombëtare të shqiptarëve. Italianët me politikën e tyre në fushën e arsimit, i
dhanë mundësi popullsisë shqiptare që në “Tokat e Liruara” të çliroheshin nga
shtypja e mëparshme sllave, dhe të krijonin kushtet objektive në interes të
kombit shqiptar, në veçanti në fushën e arsimit shqip.
Në kuadër të zonës gjermane, komfor marrëveshjes së
arritur në Vjenë, hynte rajoni i Mitrovicës, Vushtrria, Podujeva dhe pjesa
tjetër e Veriut të Kosovës, për
shkak të industrisë, minierave të Trepçës dhe pasurisë nëntokësore që ofronte
ky rajon. Sipas dokumenteve rezulton se gjermanët ndiqnin një politikë të
dyfishtë me shqiptarët me qëllim për të gjetur mbështetje në territoret e
pushtuara. Andaj, nga njëra anë njihnin “Shqipërinë e Madhe” dhe u premtonin
shqiptarëve Mitrovicën, nga ana tjetër, lejonin Drazha Mihajloviçin e çetnikët
tjerë të kryenin mizori ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, gjermanët
pushtuan edhe Shqipërinë dhe pjesët tjera të cilat ishin nën kontrollin
italian. Po në atë kohë u formua organizata patriotike Lidhja e Dytë e
Prizrenit, më 16 shtator 1943. Në fund të vitit 1943 dhe në janar 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit, në të
cilën Komiteti Nacionalçlirimtar i Kosovës mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vendimi i
partizanëve të Kosovës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk u zbatua për
shkak të ndikimit të madh të serbëve dhe malazezëve në udhëheqjen komuniste
jugosllave.
Zona e pushtimit bullgar, mund të thuhet se ishte
vazhdimësi e politikës së ndjekur nga bullgarët gjatë Luftës së Parë Botërore. Në
zonën e Kosovës të pushtuar nga bullgarët nuk u lejua që në administratë të
përdorej gjuha shqipe, por për më tepër i gjithë personeli administrativ erdhi
nga Bullgaria, ndërsa gjuha bullgare zëvendësoi serbokroatishten, si gjuhë
zyrtare, në çdo veprimtari duke përfshirë edhe arsimin.
Gjatë kësaj periudhe, Sylë Zarbica u caktua komandant i
xhandarmërisë në Karaqevë dhe pastaj kaloi si komandant i vullnetarëve në
Kamenicë. Forcat vullnetare u krijuan për ta ndihmuar ushtrinë e rregullt në
mbrojtjen e kufirit nga depërtimet e forcave serbe. Forcat vullnetare ishin nën
komandën e drejtpërdrejt të Regjimentit të katërt të ushtrisë Shqiptare i
dislokuar në Prishtinë. Regjimenti në fillim udhëhiqej nga kolonel Rexhep
Gjilani e më vonë nga kolonel Fuad Dibra.
Sylë Zarbica ishte komandant i vullnetarëve për Kamenicë
dhe zëvendës i tij ishte Isen Shehu. Njësi të tjera që komandoheshin nga Sylë
Zarbica ishin në fshatrat Velegllavl, Zajçec, Svircë dhe Hajkobill. Këto njësi
u përballën shumë herë me forcat serbe,
me ç’rastë treguan trimëri dhe vendosmëri në mbrojtje të kufirit, detyrë të
cilën këta ia kishin dhënë vetes me përkushtim dhe vetëmohim. Po përballjet më
të mëdha të njësive vullnetare të Sylë Zarbicës dhe njësive të tjera ishin ato
në Kikë dhe Velegllavë. Lufta e Velegllaves filloi me 28 qershor 1944 dhe
vazhdoi edhe me datën 29 qershor. Sipas disa të dhënave forcat armike të brigadës së divizionit të 13-të,
kishin rreth 200 serb të vrarë, dhe 131 të zënë robër, në mesin e te cilëve
ishin edhe 5 femra. Edhe forcat vullnetare patën humbje, kishin 17 të vrarë,
nga të cilët 2 oficerë dhe shumë të plagosur. Kjo fitore, rriti edhe më shumë
moralin dhe guximin tek forcat vullnetare që i dilnin në mbrojtje kufirit. Në
fund forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin në vijën ku ishin para sulmit.
Lufta e Kikës u zhvillua më datën 26 korrik të vitit 1944 dhe ajo u shtri deri
më 20 kilometra, duke filluar që nga Shahiqi e deri në Tërstenë.
Në këto lufta, dalloheshin sidomos vullnetarët e Sylë
Zarbicës, që nuk kursyen asgjë vetëm e vetëm që të mbronin kufirin nga hordhitë
çetnike që ia kishin mësy fshatrave shqiptare. Me gjithë trimërinë e treguar,
më vonë forcat serbe e thyen kufirin dhe depërtuan në Kosovë. Kosovën e pritnin
ditë të vështira, më 8-10 korrik 1945, në Prizren, u mbajt Mbledhja e Dytë e
Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, e njohur me emrin- Kuvendi i
Prizrenit. Ky kuvend, u mbajt në rrethanat e administrimit ushtarak. Puna e
kuvendit u sigurua nga forca të shumta ushtarake, ku “me dëshirën e popullit”, Kosova iu
bashkua Serbisë, dhe tokat tjera
shqiptare u copëtuan në tri republika të Jugosllavisë.
Nacionalistët
shqiptarë nuk iu besonin partizanëve dhe as çetnikëve komunist. Ata nuk donin
rikthimin e Jugosllavisë, në të cilën ishin të diskriminuar skajshmërisht. Pasi
se Gjermania naziste kishte kapitullua, në dhjetor të vitit 1944, në pjesën më
të madhe të Kosovës ndodhën kryengritjet
e shqiptarëve, të cilët nuk donin të ri okupohen nga Jugosllavia e Serbia.
Pakënaqësitë më të mëdha të shqiptarëve erdhën në shprehje sidomos në
Kryengritjen e Drenicës, të cilën e udhëhoqi patrioti i madh Shaban Polluzha.
Për ta shuar këtë kryengritje Shtabi Suprem i LNÇ të Jugosllavisë kishte
dërgua mbi 30.000 luftëtar për të shuar kryengritjen. Masakrat dhe gjenocidi që
bënë forcat jugosllave në Drenicë ndikoi që Shtabi i Zonës IV Mbrojtëse të
Kosovës e që vepronte në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kishte për
obligim të mbrojë zonën Ferizaj-Gjilan-Kaçanik. Në Kuvendin e Tërpezës më 1
dhjetor 1944, u formua Shtabi Suprem i Kosovës dhe u mor vendimi për ta sulmuar
Ferizajn dhe Gjilanin për t’i çliruar nga sllavo-komunistët. Në krye të shtabit
për sulm në Gjilan ishte caktuar Mulla Idrizi, sekretar Muharrem Fejza dhe
anëtarë ishte Sylë Zarbinca dhe Shefki Haliti i Desivojcës. Por duhet theksua
se, nuk ishte vetëm Drenica që ishte e pakënaqur, po ashtu pakënaqësinë e tyre
e shprehen shqiptarët gati në të gjitha pjesët ku jetonin. Janë të njohura
luftërat që u zhvilluan në Gjilan, më 23 dhjetor 1944, në Ferizaj, më 2 dhjetor 1944 e vende të tjera. Gjatë luftimeve kishte reprezalje
të mëdha ndaj popullatës që mbështeti kryengritjen. Me këto masa të
ndërmarra, u arrit që vetëm në mars 1945 të thyhej rezistenca kryesore e shqiptarëve të
Kosovës.
Sylë Zarbica me shok ishte nacionalist i përbetuar kundër
komunizmit, por edhe ishte properëndimor, se gjerë në fund, shpresonte se,
anglo amerikanët nuk do i lënë vetëm dhe do angazhohen për një Shqipëri Etnike.
Ata luftonin me aspirata të çarta për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit sllavo
komunist dhe për bashkimin kombëtar të trojeve etnike të ndara dhe të copëtuara
në pesë shtete. Ata kurrë nuk pranuan pushtimin e Kosovës duke luftuar e
përballur me një armik që ishte shumë më i përgatitur se ata. Sylë Zarbica pas
shpartallimit të forcave nacionaliste, pati oferta të shumta që të largohet bashkë
me vullnetaret e tij, për të shkuar për Greqi. Një gjë të tillë, trimi i
Zarbicës nuk e pranoi. Vendosi të qëndronte në tokën nënë bashkë me vullnetarët
e vet, të cilët e kishin dhënë besën që në fillim, se kurrë nuk do të largohen
nga trojet e veta.
Pas kësaj ai u tërhoq në malësinë e Zarbicës për të marr
vendim se çka duhej bërë më tej. Ai, pas
dështimit të forcave nacionaliste,
kryesisht strehohej në Desivojcë, Suharrnë, Novosellë, Priboc dhe
rrethin. Edhe pse ishte në fshatrat që i njihte në çdo pëllëmbë të tyre, edhe
pse i njihte fshataret e vet në të cilët kishte besim të plotë, megjithatë
OZN-a, e përcillte në çdo hap. Kishte angazhuar persona shqipfolës, mjerisht që
ta përcillnin dhe ti informonin ata. Rrethi i ngushtohej Sylë Zarbinces. Ai edhe
pse ishte i izoluara në këto pak fshatra, dhe lufta kishte përfunduar, ai ende
shpresonte dhe besonte tek aleatët, duke i bindur shokët, se “forcat
anglo-amerikane do të zbarkojnë me siguri një ditë dhe s bashku me ta, do ta
bëjmë Shqipërinë Etnike”. Edhe kur ishte në rrezik ai nuk i humbte shpresat
duke iu dhënë kurajo shokëve se
Shqipëria Etnike do të bëhet. Por ndodhi e kundërta, OZN-a e kishte
zbulua vendndodhjen e tij dhe diku kah fundi i muajit gusht, të vitit 1946, në
fshatin Gjergjec, në malësinë e Bujanocit e vranë tradhtisht. Mendohet se Syla
u vra me një plumb në shpinë nga përcjellësi i tij. Pas vrasjes, kufoma e tij u
zhduk pa gjurmë, gjë që edhe sot nuk dihej se ku është varri i atdhetarit.
Thonë se është varrosur në malet e Gjergjecit, por nuk ka kurrfarë dëshmie për
këtë.
Pas vrasjes së
Sylë Zarbicës, OZN-a për të fshehur gjurmët e krimit dhe bashkëpunëtorin e
tyre, në Gjergjec , organizon manovra ushtarake dhe me këtë rast trumbetonte se
Sylë Zarbica, u rrethua dhe u vra nga forcat ushtarake. Populli kurrë nuk
gaboi, ai me zgjuarsinë e tij e nuhati vrasësin, dhe nga ajo ditë, kjo familje
u bojkotua dhe u shpall antikombëtar.
Me rënien e tij, Sylë Zarbica, me të gjitha të bëmat kaloi në legjendë edhe
pse trimat nuk kanë nevojë për to. Se vet trimëritë e tyre janë legjenda që nuk
vdes kurrë. Pas vdekjes, pushteti ia konfiskoi pasurin
Dhe krejt në fund, Sylë Zarbica i takon plejadës së atyre
luftëtarëve të devotshëm që ndjenjën më të fortë kombëtare e lidhi me lirinë
dhe çlirimin e atdheut të vet. Këtë dashuri dhe këtë dëshirë e shohim në tërë
veprimtarinë patriotike të Sylë Zarbicës, i cili me veprën e vet patriotike u
ngrit në piedestalet më të larta të kombit të vet.