Speciale » Basha
Sabile Basha: Ahmet Krajku - Për Shqipërinë Etnike na nevojitet një bashkim i të gjitha forcave shqiptare
E merkure, 03.01.2024, 08:59 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
AHMET
KRAJKU-PËR SHQIPËRINË ETNIKE, NA NEVOJITET NJË BASHKIM I TË GJITHA FORCAVE
SHQIPTARE DHE SHQIPËRINË ETNIKE DO TA KEMI TË SIGURT
(-
u likuidua me 1 prill 1946)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ahmet
Krajku u lind në qytetin e Gjakovës nga babai Mustafa dhe nëna Ajshe (bijë e
Tahir Fejzës nga Gjakova). Dy prindërit e rinj, Ahmetin e rritën dhe e edukuan
me tradita të lashta patriotike. E rritën me dashuri të madhe dhe u kujdesën
për të deri sa u burrërua. Sidomos, nëna Ajshe ndaj djalit të saj, tregonte
kujdes të veçantë, ngase asaj i dukej se ishte i brishtë dhe i urtë. Kur u rrit
Ahmeti, familjarët thoshin se për trimëri e burrëri i kishte ngjarë babait e
për ndjeshmëri e urtësi kishte trashëguar tiparet e nënës fisnike. Shkollën
fillore e kreu në Gjakovë për të vazhduar shkollimin në Korçë të Shqipërisë.
Gjatë shkollimit mësoi gjuhët: italishte,
anglishte, ,frëngjishten dhe serbo kroatishten. Familja e Ahmet Krajkut
e kishte prejardhjen nga fshati Krakë i krahinës së Hasit. Por kishin shumë
dhjetëvjeçar që ishte shpërngulur në Gjakovë dhe ishte një familje mesatarisht
e kamur. Familja Krajku siç dëshmojnë të dhënat historike, thuhej se ishte
familje patriotike dhe nuk duronte okupator në vendin e tyre. Është i njohur
rasti kur gjyshi i tyre i kishte vra dy çaush turq. Rrugën e gjyshit e kishte
vazhdua babai i Ahmetit- Mustafë Krajku. Ai duke grumbulluar dhe duke pasur
miqësi me shumë patriot të mëdhenj të kohës, bashkëpunonte ngushtë me Isa
Boletinin, Sadik Ramën e Gjurgjevikut, Ejup Binakun me shokë etj. Ata vinin
shpesh në shtëpinë e Mustafës dhe në odën e tyre trajtonin shumë çështje të
mprehta për atdheun. Nëna e tij si grua e fisme, përgatiste kafet e drekat e
shumta, duke i dëgjuar me kureshtje të
madhe bisedat e tyre. Ajo i përkrahte ata dhe veten e ndjente me fat që i
kishte takua trimat shqiptar. Më vonë ishte krenare që edhe djali i saj Ahmeti
kishte fillua rrugën e babait e gjyshit. Ahmeti u martua me një vajzë të
edukuar, por në martës fëmijë nuk pati. Pas likuidimit të Ahmetit ajo kurrë nuk
u martua, deri në fund të jetës, jetoi vetë në shtëpinë e tyre në Gjakovë.
Ahmeti,
nga natyra ishte i zgjuar dhe duke u shoqëruar me atdhetar të mëdhenj mori edhe
shkollën e burrave të mëdhenj. Ishte punëtor i pakrahasueshëm dhe nuk donte që
ti qonte ditët kot, andaj filloi të
punonte në një sharrë druri në Deçan, që ishte ortak me njëfarë Mirosh
Bozhoviqin. Bozhoviqi duke e parë sinqeritetin dhe aftësitë e tij të punës, dhe
duke e parë se fitonte shumë nga puna e tij, ai merr një vendim se, Ahmetin
duhet likuiduar. E thamë se ai ishte intelektual dhe i hetonte hilet kur i
bëheshin atij. Me kohë mori informatën se ortaku i tij, përgatitej për ta vra.
Pas kësaj informate, Ahmeti askund nuk shkonte pa revole. Një ditë kur
Bozhoviqi ishte përgatitur që ta vriste Ahmetin, dora e Ahmetit ishte më e
shpejt dhe e vrau Bozhoviqin dhe plagosi një Riston.
Kjo
kishte ndodhur në vitin 1936, dhe Ahmeti nga kjo ditë kaloi kufirin ilegalisht
për tu vendosur në Shqipëri. Ahmeti kudo që shkonte lente përshtypjen e një
njeriut fjalë pak, por të mençur e trim. Njerëzit e Ahmet Zogut, duke i
vërejtur këto tipare të tij të trimërisë luftarake e intelektuale, menjëherë e
inkuadrojnë në ushtrinë shqiptare dhe i dhanë gradën e kapitenit. Edhe sot
dëshmon libreza e ushtrisë e nënshkruar nga Kolë Bibë Mirakaj, ministër i
Mbrojtjes në Qeverinë Italiane. Në Shqipëri qëndroi deri më 1940, kur Kosova me
Shqipërinë nuk kishin kufij, ai u kthye në Gjakovë. Menjëherë filloi me
aktivitete ushtarako-politike duke bashkëpunua me patriot siç ishin: Avdyl
Durën, Jup Binakun, Abdullah Hoxhën, Ethem Stubllen, Ali Bajraktari e Junikut,
Demë Ali Pozharin e shumë të tjerë.
Në
vitin 1942, kur u bë sulmi nga ana e çetnikëve në kufirin verior të Kosovës, ai
u inkuadrua me luftëtarët e Dukagjinit në mbrojtje të Plavës e Gucis,
Kollashinit, Sanxhakut etj. Duke e ditur për trimëritë e tij, enkas luftëtarët
e Plavës e Gucisë kërkonin ndihmë nga ai, për ti mbrojtur ato toka të shenjta
shqiptare.
Pjesëmarrja
në luftëra anë e këndë Kosovës për Ahmet Krajkut ishin të shumta. Edhe në vitin
1944, me trimat e Dukagjinit mori pjesë në mbrojtje të Kollashinit. Në këtë
luftë u njoh me trimin Shaban Polluzha dhe trimat e tjerë që vinin nga Drenica
e Llapusha si dhe me Muharrem Fejzën që vinte nga Anamorava.
Gati
të njëjtin rrugëtim për Shqipëri e kishte pasur edhe trimi i Llapushës Alush
Smajli- Qerrataj. Dhe fati e kishte dashur që ai të takohej në Shqipëri me të,
dhe nga ajo kohë u bënë shokë e miq të pa ndarë. Ahmeti shoqërohej edhe me
Muratin, vëllain e Alushit në Rrashbull. Ata tre, qëndronin bashkë çdo ditë dhe i zinte mëngjesi duke
biseduar dhe bërë plane se si një ditë do të kthehen në Kosovë dhe do të
luftojnë deri në fund për lirinë e saj.
Takimet
e shpeshta me vëllezërit Smajlaj, dhe zgjerimi i rrethit me patriot të shumtë,
shtëpia e vëllezërve u bë strehim për të gjithë kosovarët që kishin ikur nga
terrori serb dhe ishin vendosur në tokën e shenjët- Shqipërinë. Ata bënë plane
që të kthehen shpejt në Kosovë dhe të fillonin luftën kundër serbit që donte ti
gllabëronte tokat e tyre. Kushtet ishin plotësuar, rreziku në kufi nuk
ekzistonte, ata u kthyen në Kosovë.
Ahmet
Krajku ishte djalë me një shoqëri të gjerë. Dhe, nuk ishte befasi që disa shokë
të tij nga Gjakova ishin inkuadruar në aradhet partizane. Pas kthimit në
Gjakovë, me takimet e shpeshta me ta, ata e bindën që të futet në Brigadën VII
Partizane të Shaban Haxhisë, e cila ishte formua në Gjakovë më 11 nëntor 1944.
Me këtë brigadë, Ahmeti shkoi deri në Srem, por në grupin e ushtarakëve të
kthyer ishte edhe Ahmet Krajku.
Me
të dëgjuar se Brigada e Shaban Polluzhës, ishte kthyer nga rruga që ishte nisur
për Srem, Ahmet Krajku i shkon në ndihmë në Drenicë bashkë me nipin Ahmet Meçën
nga Gjakova. Pas luftimeve të rrepta që u zhvilluan në Drenicë, e cila përfundon me 22 shkurt 1945, Ahmet Krajku nuk
u kthye kurrë më në Gjakovë, por iu bashkëngjit çetës së Alush Smajlit-
Qerratas.
Gjatë
luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit e PKJ-së kishin
premtuar se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhej duke u respektuar
Deklarata e Moskës, Karta e Atlantikut, Deklarata e Teheranit dhe Letra e Titos
e botuar në gazetën “Proleter” e shumë dokumente të tjera me rëndësi
historike. Në Jugosllavin e pasluftës u deklaruan se kriteri kombëtar do të
vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas
përfundimit të luftës këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin, dhe
si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse viset shqiptare përbënin një tersi
territoriale, ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e
shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja gjeopolitike gjatë kufirit me
trungun amtar dhe me republikat e tjera të Jugosllavisë, u ndanë
midis njësive federale Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Që më
vonë të gjitha këto ndikuan që në popullatën shqiptare të rritet pakënaqësia.
Fill
pas Luftës së Dytë Botërore, në Kuvendin e Prizrenit ( 8-10 korrik 1945),
Kosova u shpall se “me dëshirën e vet popullsisë së saj, i bashkohej Serbisë
Federale në kuadër të Federatës Jugosllave”. Një zgjidhje e tillë e çështjes
“me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit
objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e me
vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte
historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje
në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan.
E tërë kjo ndikoi që në Kosovë të formohen dhe të veprojnë shumë organizata
patriotike-politike shqiptare. Një ndër këto organizata që zhvilloi veprimtari
të dendur, që la gjurmë, e bëri jehon por që e tërë veprimtaria e saj ishte
afatshkurtër ishte organizata politike-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” e
udhëhequr nga patrioti dhe atdhetari i shquar profesor Ymer Berisha.
Organizata
ilegale-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare”, që ishte e formuar kryekëput
kundër ideologjisë komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte bashkimi i tokave
shqiptare. Alush Smajli ishte mik e shok i prof.. Ymer Berishës, andaj edhe
ishte bashkëpunëtor i ngushtë në themelimin e organizatës dhe pjesëmarrës i
Kuvendit të Dobërdolit.
Sipas
disa të dhënave që kam, thuhej se organizata u formua në mars të
vitit 1945, në fshatin Llapçevë, në kuvendin e udhëheqësve të grupeve të
armatosura të trekëndëshit Klinë-Rahovec-Gjakovë. Kuvendi i Llapçevës pati një
jehon të madhe, ku masat patriotike shqiptare e argumentuan më së miri këtë me
pjesëmarrjen e shumtë të patriotëve në këtë takim, siç ishin: Ukë Sadiku, Ndue
Përlleshi, Muharrem Bajraktari, Alush Smajli etj. Përndryshe fillet e kësaj
organizate sipas disa të dhënave i hasim edhe më herët,
më 28 nëntor 1944. atëherë kur prof. Ymer Berisha me disa nxënës të Normales
“Sami bej Frashëri” të Prishtinës organizojnë një mbledhje me fshatarët në Obri
të Epërme. Në këtë tubim të madh me fshatarët, jo vetëm që u shënua
dita historike e Flamurit dhe e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por u
proklamua edhe formimi i organizatës ilegale politike e ushtarake me
emrin “Besa Kombëtare”, kryetar i së cilës ishte zgjedhur prof. Ymer
Berisha. Por, deri në mars të vitit 1945 shumë pak ose fare pak zhvilloi
ndonjë aktivitet në teren, ndërsa pas vitit 1945, në pjesën e dytë të vitit
zhvillon një aktivitet të dendur, dhe luajti një rol të rëndësishëm në ilegalen
shqiptare.
Në
këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha territoret shqiptare
këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e udhëhequr nga grupet
e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav. Sidomos, terrori e gjenocidi ndaj
popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së Milladin
Popoviqit ( 13 mars 1945), i cili ishte një alibi i mirë që OZNA haptas
justifikoi terrorin dhe likuidimin e intelektualëve shqiptar. Prijësit e
Mbrojtjes Kombëtare dhe të njësiteve vullnetare të Frontit Nacional Shqiptar ,
të cilët i kishin shpëtuar ndjekjes, bënin përpjekje të vazhdueshme në
grumbullimin dhe në konsolidimin politiko-ushtarak të forcave shqiptare për
formimin e Ushtrisë Demokratike Popullore Shqiptare. Nëpër mes kësaj patriotët
synonin të bënin lidhjen e të gjitha forcave antikomuniste, që më vonë do të
shndërrohen në një ushtri me karakter gjithëkombëtar shqiptar.
Kuvendi i Dobërdolit u mbajt me 24 gusht
1945. Me këtë datë kishte filluar tubimi i madh i ilegales shqiptare, në malet
e Martin Pjetrit të fshatit Dobërdol. Në të morën pjesë 19 grupe me
përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit nga Rozhaja dhe Pazari
Ri, gjithsej 158 veta. Pas përfundimit me sukses të kuvendit pjesëmarrësit në
grupe të vogla shpërndahen pa asnjë problem.
Për
të gjitha këto që ndodhnin në Kosovë ishin të njoftuar Mithat Frashëri dhe
Muharrem Bajraktari. Ishte krejt e natyrshme, që në fillim të
shtatorit 1945, nga këta të vijë një kërkesë për kalimin e forcave
të rezistencës për në Greqi. Për këtë ekziston edhe një e dhënë tjetër e cila
dëshmon se Ukë Sadiku me luftëtarët e vet më të ngushtë, po në këtë kohë kishte
pas një takim me Muharrem Bajraktarin, ku shtruar kishte biseduar për largimin
e tyre nga Kosova. Kuptohet, këtë planë nuk e kishte pranua Ukë Sadiku, por
ishte pajtuar se lidhur me të do të merren mendimet edhe të krerëve të tjerë në
Kuvendin e Mirditës, të 10-11 shtatorit 1945. Ndaj kësaj kërkese,
reaguan shumë personalitete të nacionalizmës, por ndaj saj reagoi edhe
KQ i NDSH-së në Shkup.
Lufta
e Qelisë kishte ndodhur me 12 shtator 1945, në mes të luftëtarëve të Çetës së
Ukë Sadikut, të cilëve iu printe i vëllai Shaban Sadiku dhe Brigadës III Bokele
të Kotorrit nga Mali i Zi. Sipas një dëshmitari që i kishte shpëtuar kësaj
masakre sllavo-çetnike, Ali Metës, ai thekson se: Luftimet zgjatën tërë ditën
deri në orën 21 të mbrëmjes kur filloi të binte një rrebesh shiu, i cili e
pamundësoi vazhdimin e luftimeve. Aty atë ditë, nga çeta e Ukë Sadikut u vranë
32 luftëtar, të cilët i printe baci Shaban, ndërsa për partizanët të vrarë dhe
të plagosur nuk ka të dhëna. Dëshmitarët e mëvonshëm thonë se edhe nga ta janë
vrarë afro 200 e më dhjeta të tjerë janë plagosur...”. Sipas Jetish Kadishanit,
i cili e ka hulumtuar terrenin për të vrarët e Qelisë, ai arrin që të
identifikojë 21 shqiptarë të vrarë si: 1. Mujë Ahmeti, 2. Isuf Bajrami, 3.
Smajl Hajdari, 4. Sadik Lutani, 5. Fetë Ukella, 6. Hasan Miftar Abazi, 7. Adem
Zenun Shala-Çitaku, 8. Rexhep Ismaili-Kapterr Rexhepi, 9. Tafil Murati, 10. Met
Dini, 11. Ramë Murati, 12. Selim Sokoli, 13. Pjetër Tomë Berisha, 14. Zefë
Sokoli, 15. Mark Sokoli, 16. Bajram Coli, 17. Xhemë Hoti, 18. Musli Hoti,
19. Isa Hoti, 20. Brahim Rogani, 21. Halit Rogani. Ndërsa 11 të tjerëve nuk iu
dihen emrat dhe veç këtyre kishte shumë të plagosur që i mbijetuan luftës së
Qelisë. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Alush Smajli dhe
Ahmet Krajku. Pas shërimit, Alush Smajli sërish iu rrek maleve
mbi fshatin e tij bashkë me të vëllain Muratin dhe bashkëluftëtarin besnik,
Ahmet Krajkun.
Më
1 prill të vitit 1946, ata ishin të strehuar në dy bunker, në vendin e quajtur
Lugu i Lajthisë (në lindje të fshatit Gullboc), nga një brigadë
partizane-çetnike. Pas një qëndrese të
madhe, megjithatë ata bënë luftë të pabarabartë, ngase armiku ndaj tyre përdori
bomba dore e mitraloza, ata i likuiduan. Më parë vritet i vëllai i Alush
Smajlit-Murati dhe bashkëluftëtari Ahmet Krajku, e pastaj edhe Alush Smajli.
Ushtarët që morën pjesë në sulm nuk guxonin ti afroheshin bunkerëve, ngase nuk
besonin se i kishin likuidua trimat. Pasi se një jevg e fusin me dhunë që të
shoh se a i kishin vra trimat, atëherë hyjnë ushtarët dhe i nxjerrin kufomat,
duke i dorëzuar tek familjaret për ti varrosur. Edhe pas vdekjes së dëshmorit
Ahmet Krajkut, edhe sot janë aktuale fjalët e tij që iu thoshte shokëve: “Për Shqipërinë Etnike, na nevojitet një
bashkim i të gjitha forcave shqiptare dhe Shqipërinë Etnike do ta kemi të
sigurt”