Speciale » Basha
Sabile Basha: Jusuf Gërvalla - Përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën
E enjte, 18.01.2024, 09:05 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
JUSUF
GËRVALLA- NË BALLË TË KËTIJ POPULLI DHE TE KËMBËT E KËTIJ POPULLI, FLIJIMI DHE
VDEKJA PËR REALIZIMIN E ASPIRATAVE TË TIJ, DO TË NA VIJNË SI PËRJETIMI MË I
BUKUR E MË FISNIK NË GJITHË JETËN...
(1945-
e vranë më 17 janar 1982)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Aneksimi
i Kosovës nga Serbia (1945), do të shohim më vonë se, ishte vetëm
një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste.
Çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësinë që i bëhej
popullit shqiptar në ish Jugosllavi e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave në
të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërrmuese në tri
republika jugosllave: në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Kosova, u shkëput nga trungu amë, por asaj iu
shpërbënë jo vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën
shqiptare në Maqedoninë Veriperëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë
dërrmuese.
Duke
u nisur nga të gjitha ngjarjet që e karakterizojnë fillimin e fundin e vitit
1945, e duke vazhduar në periudhat e mëvonshme që nga fillimi i rezistencës
ilegale të shqiptarëve e deri tek organizimi i demonstratave studentore të
vitit 1968 e më vonë. Mu në këtë kohë të
egër e barbare, në fshatin Dubovik të Deçanit, më 1 tetor 1945, u lind heroi i
kombit Jusuf Gervalla. Familja Gervalla ishte
një familje me tradita atdhetare. Dhe ishte absurde të mos binte në sy të
okupuesve. Andaj pushtetarët ndaj familjeve dhe individëve të tillë ishte e
pamundur që të mos merrte masa të jashtëzakonshme ndëshkimi e presioni. Një gjë
e tillë kishte ndodh edhe ndaj familjes Gërvalla. Jusufi ishte djali i Bardhosh
Gërvallës dhe nënës Ajshe Gërvallës e lindur Buzhala. Nëna Ajshe ishte martuar e re, dhe thuhej se fisnikëria,
virtytet dhe trimëria e saj erdhën, dhe u bënë më të shprehura, kur u martua me
trimin e njohur të asaj ana-Bardhosh Gërvallën. Ajo ishte e lindur në
Kryeshec, komuna e Deçanit. Ishte e bija e Jusuf
Buzhalës, i cili për shkak të
rrethanave të rënda politike e ekonomike detyrohej që të shpërngulej në Pejë. Nëna Ajshe me një
devotshmëri të pashoqe u kujdes për rritjen e fëmijëve dhe që të gjithë i
edukojë në tabanin kombëtar, ruajti me krenari postulatet e të parëve për
luftërat kundër robërisë, mbrojti familjen si gjënë më të shenjët.
Ajo-
nënë Ajshja, pati një rrugë të vështirë dhe me plotë sakrifica, por në çdo kohë
ajo rrezatonte amësi dhe trimëri, ishte burim frymëzimi për shumë atdhetar e
atdhetare në përpjekjet sublime për liri. Duhet përmendur se karakteristik e
imazhit të saj nëpër vite ishte shamia e bardhë që e mbante në kokë. Nëna
lajmëronte paqen nëpër mes shamisë, por ajo atdheut i kishte falur edhe dy
bijtë e saj trima: Jusufin e Bardhoshin, që i quante se ata ishin bijtë e
Kosovës, bijtë e shqiptarisë. Nënë Ajshja në martesë
kishte lindur katër djem. Avdylin, Jusufin, Hysenin dhe Bardhoshin. Djemtë e
Gërvallve, me kalimin e viteve u rritën dhe me kohë u bënë rrezik për pushtetin
dhe okupuesin.
Jusufi kur kishte vetëm gjashtë vjet, i vdesë babai
dhe gjatë tërë jetës e ndjeu mungesën e tij. Në moshën shtatëvjeçare e dërguan
në shkollën fillore, në Prapaçan, të cilën e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm.
Ndërsa atë të mesmen e
përfundoi në Pejë. Më 1959 familja e tij shpërngulet
për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, në Pejë, te daja i tij , për të
mbaruar shkollimin. Studimet
e larta i përfundoi mes Prishtinës e Lubjanës. Më 27 shkurt 1967, kur Jusufi
ishte vetëm 21 vjeçar vendose të martohet me dashurinë e jetës së tij, Suzanës,
ku si fryt i asaj dashurie janë tre fëmijët: Premtoni, Donika dhe Ergoni.
Gjersa studionte në Prishtinë, kushtet e vështira
ekonomike e detyruan që ai të kërkoi ndonjë punë. Fillimisht angazhohet të
punoi si pëshpëritës në Teatrin e Kosovës. Si pëshpëritës që ishte në teatër,
më 1969, bashkë me Trupën e Teatrit, i caktuan që të shkonin në Nish për të
dhënë shfaqjen “Duke pritur Godon” para të burgosurve në burgun e Nishit. E dihej se Burgu i Nishit ishte njëri ndër
burgjet më të tmerrshme për të burgosurit politik shqiptarë. Jusufi kishte njohuri
për këtë, andaj mezi priste që ti vizitonte të burgosurit. Para se të shkonte
atje, ai kishte përgatitur një letër që t’iu dorëzoi atyre dhe kështu u bë. Pas
shfaqjes shfrytëzoi rastin dhe njërit nga të burgosurit shqiptarë ia jep
fshehtas letrën. Ajo kishte këtë porosi “Mbahuni
e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona.
Liria po vjen”. Mirëpo, udbashët nuk do të ishin udbash, sikur mos ta
kishin parapa edhe këtë të papritur.
Ata, aktorët shqiptarë i përcillnin në çdo hap, dhe e kishin zbulua letrën që
iu kishte dhënë Jusuf Gërvalla. Jusufi i entuziazmuar kthehet në Prishtinë, por
shpejt e kupton se letra kishte përfunduar në duart e gardianëve dhe të
hetuesve të burgut. Një mëngjes herët e marrin në polici, i bëjnë presion, e
malltretojn lidhur me letrën dhe pas kësaj e largojnë nga puna.
Më 1971 punësohet në Shkup, si përkthyes në “Flakën e
vëllazërimit”. Më 1972/ 1973 shkon në
shërbimin ushtarak. Më 1973 fillon të punojë në
“Rilindje”, ku më 1978 bëhet redaktor i faqes për radio dhe televizion. Ishte
këngëtar me emër në estradën e Kosovës. Ishte edhe poet. Më 1975 botoi
përmbledhjen e parë “Fluturojnë e bien”,
më 1978 “Kanjushë e verdhë”, më 1979 “Shenjat e shenjta”. Ndërkaq, romanin e
parë “Dy florinj të një dashurie” e
shkroi më 1975, por nuk u botua. Edhe romani tjetër “Rrotull” u botua vetëm pasi e vranë. Gjithashtu, pas vdekjes u
botua edhe drama “Procesi”.
Ndërsa, në lëvizjen ilegale
atdhetare e gjejmë që në rinin e hershme. Fillimisht ishte aktivist në
organizatën e Adem Demaçit, në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve
(LRBSH). Ishte njoftuar dhe bashkëpunonte me Sabri Novosellën. Ata shpërndanin
trakte të ndryshme dhe parulla kundër okupuesit. Traktet i shpërndanin në këtë
mënyrë, djali i Jusufit- Premtoni, shkollën e kishte afër rrobaqepësisë të
Sabriut, andaj çantën e tij të shkollës e mbushnin me trakte të cilat ai më pas
i dorëzonte te atdhetari tjetër Sabri Novosella. Kështu vazhdoi shpërndarja e trakteve
e parullave për vite me radhë, derisa një ditë iu ra në sy të armikut më vitin
1979. Me të zbuluar këtë veprimtari, forcat policore jugosllave bastisen
shtëpinë e familjes Gërvalla në Dubovik, nga ku të arrestuar përfunduan
vëllezërit e Jusufit: Hyseni dhe Avdyli.
Më 14 dhjetor 1979, kur u bënë arrestimet e
pjesëtarëve të Lëvizjes Nacionale Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare
në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), kupton se e pret arrestimi dhe largohet nga Kosova.
Me ndihmën e Bardhoshit, nëpërmes tunelit të Goricës kalon në Austri dhe pastaj
në Gjermani, ku kërkon strehim politik. Pas ikjes nga Jugosllavia, shkrimtari e
gazetari Jusuf Gërvalla bie në kontakt me Ibrahim Kelmendin, i bashkëngjitet
atij në veprimtarinë ilegale. Me angazhimin e tij në këtë organizatë
intensifikohet puna dhe aktiviteti organizativ. Kjo organizatë veprimtarinë e
vet planifikonte ta zhvillonte në tri etapa. Në etapën e parë ishte planifikuar
që të demaskohej udhëheqja dhe sistemi jugosllav, të ngrihej vetëdija ideore
dhe politike e anëtarëve të organizatës me anë të literaturës dhe të
materialeve të ndryshme ilegale. Në etapën e dytë planifikohej që të bëhej
presion i vazhdueshëm me anë të demonstratave, kurse në fazën e tretë dhe të
fundit ishte paraparë që të fillonte lufta e armatosur.
Në verë të vitit 1980 bie në kontakt me një grup të
organizuar ilegal në rrethin e Deçanit, konkretisht me Ismail Haradinajn nga
Gllogjani. Këtij grupi Jusuf Gërvalla i dërgon materiale ilegale dhe disa
qindra kopje të gazetës “Lajmëtari i lirisë” dhe përmes tij formon Komitetin e
LNÇKVShJ-së për Komunën e Deçanit. Kjo organizatë ishte vazhdimësi e organizatës
ilegale “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” që nga vitit 1964. Ajo
kishte “paraprojektin e statutit” me 15 pika dhe dokumente të tjera që
dëshmojnë se organizata kishte Komitetin Qendror dhe Komitetin e Rinisë. Kishte
një organizim shumë të mirë, një konspiracion të thellë dhe një numër të
caktuar komitetesh të vendeve, që vepronin në pjesë të ndryshme të Kosovës e
jashtë saj. Në statut cekej se qëllimi kryesor i saj ishte “çlirimi i të gjitha
krahinave të ndara dhe të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimi i tyre me
shtetin amë - Shqipërinë”. Komiteti Qendror ishte organ udhëheqës, i cili në
vete ngërthente komitetet qarkore, të vendit dhe lokal. Anëtarët e kësaj
organizate, para se të pranoheshin në të, jepnin betimin para shokëve dhe
kishin emra konspirativë për veprim. Komitetet e vendeve që vepronin në Kosovë
ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me “Frontin e Kuq Popullor”, që vepronte në
Gjermaninë Federale, të cilin e udhëhiqte Ibrahim Kelmendi. Kjo organizatë
kishte edhe organin e vet që quhej “Bashkimi”. Më herët Ibrahim Kelmendi kishte
nxjerrë edhe gazetën ”Gazeta Punëtore”. Siç dihej, në Gjermaninë Federale
vepronte edhe grupi më i vogël ilegal “Zëri i Kosovës”, që e udhëhiqte Hysen
Gegaj. Ndërkohë ky grup bie në kontakt me udhëheqësin e “Frontit të Kuq”,
Ibrahim Kelmendin, dhe më 1980 bashkojnë organizatën dhe grupin me emër të
përbashkët “Fronti i Kuq Popullor”.
Në
kuadër të Lëvizjes për Çlirim Kombëtar të Kosovës gjatë vitit 1981 u zbuluan dy
komitete të vendit: njëri që vepronte në Deçan, e tjetri në Gllogoc. Në kuadër
të tyre u zbuluan edhe nëntë grupe ilegale, të cilat ishin të lidhura
drejtpërdrejt ose tërthorazi me Lëvizjen dhe pjesërisht me Frontin e Kuq
Popullor në RF të Gjermanisë, me gjithsej 162 anëtarë.
Largimin
nga atdheu, Jusufi e përjetoi rëndë, e këtë më së miri e shprehte nëpër mes
poezisë, ku shkruante: “E kam braktis
vendlindjen/E kam braktis shtëpinë/ Shkrepave tuaja të larta/ Peng ua lashë
fëmijërinë...”; Ose poezia të cilën ia kushton nënës: ”N ‘vendlindje ishte vjeshtë/ Tani
vonë/ Të presin të korrat e brengat/ N ‘mendime më ke tretur/ Tani, o nanë/ Për birin që të la në vetmi/ Shikim imi kah
dera, kah dera më përgjon/ Trokitje të lehta dëshiron/ Ktheu shpejt më ke pas
thënë...”
Edhe sot ruhet letra e Jusufit dërguar nënës, e cila me
përmbajtjen e vet asnjë njeri nuk e lë indiferent, me mallin dhe dhembjen që
shpreh në këtë letër.
Më 17 janar 1980, bashkohet me familjen, tek ai shkon:
e shoqja Syzana dhe fëmijët Premtoni, Donika dhe Ergoni. Në mërgim Jusufi
merret aktivisht me publicistikë. Do të ndihmojë në nxjerrjen e gazetës
“Bashkimi”, më vonë të gazetës “Liria”. Në gusht të vitit 1980 nxjerr gazetën
“Lajmëtari i Lirisë” (tre numra). Më 1 tetor 1981 nxjerr gazetën “Zëri i
Kosovës” (dy numra). U angazhua dhe punoi deri në çastet e fundit të jetës për
lirinë e Kosovës dhe
trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi. Udbashët sllavë e
kishin hetuar veprimtarin dhe angazhimin e madh të tij për zgjidhjen e çështjes
kombëtare shqiptare, dhe në një mënyrë ciklike po iu prishte llogarit të bëra
gabimisht për Kosovën. Rezistenca
shqiptare që vepronte në perëndim pati fat që në radhët e veta pati edhe
atdhetarin e devotshëm, organizatorin e mirëfilltë të veprimtarisë ilegale
atdhetare.
Me
angazhimin e Jusufit në veprimtarin atdhetare në diasporë, që kryesisht
angazhohej në organizimin e tyre që në rrugën e nisur të rezistencës, që të
jenë sa më unik dhe më të bashkuar. S bashku me Kadri Zekën e Bardhoshin
organizonin dhe merrnin pjesë në shumë demonstrata anë e kënd Gjermanisë. Ata me të madhe
angazhoheshin dhe punonin në bashkimin e organizatave ilegale shqiptare për të
cilën UDB-eja jugosllave ishte tej mase e shqetësuar. Andaj rrjeti i krimit dhe
i kriminelëve me të madhe u sensibilizua. U dërguan me urgjencë edhe jashtë
shtetit gjithandej ku vepronte Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre.
Veprimtaria
liridashëse dhe atdhetare e heronjve, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të
pengonte shërbimet jugosllave brenda dhe jashtë vendit. Ata, që të tre në mes
veti kompletoheshin e harmonizonin veprimet, sa që një lëvizjes atdhetare do ti
nevojiteshin vite për të pasur këso kuadrosh në radhët e tyre. Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos
organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi
fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe kishte krijuar raporte të
shkëlqyeshme edhe me organizata të tjera të shteteve të huaja që luftonin për
liri dhe pavarësi të popujve të tyre. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur
me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.
Dhe,
nuk shkoi gjatë, një ditë të ftohët janari (17 Janar 1982), nënë Ajshja mori
lajmin e zi, se në vendin e quajtur Untergrupenbach afër Shtutgardit ishin likuiduar atdhetarët
Jusuf e Bardhosh Gervalla dhe Kadri Zeka, të cilët në historinë e re të
popullit shqiptar mbeten si figurat më madhore të Kombit tone. Më 17 janar të vitit 1983 në Untergrupenbach të
Gjermanisë, dy vrasës të panjohur kryen një atentat ndaj një veture të tipit
BMW 316, ku mbesin të vdekur Bardhosh Gërvalla (32 vjeç) dhe Kadri Zeka (29
vjeçar) mbetën të vdekur, pasi dy persona të panjohur sulmuan veturën e tyre
dhe i vranë ata me breshëri plumbash, ndërsa Jusuf Gërvalla (37 vjeç), plagoset
për vdekje dhe vdes pas katër orësh në spitalin e Heilbronn-it.
E përditshmja gjermane “Der
Spiegel” në botimin e datës 25 janar të vitit 1982 do të shkruante se
identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin
politik të tyre: “….jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë Shqiptare nga
provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër
qeverisjes së Beogradit”, kishte shkruar aso kohe gazeta gjermane.
Dhe, duhet thënë krejt në
fund dhe do e përmbyll këtë shkrim me një citat të shkruar nga vet Jusuf
Gërvalla i cili thotë: ”Në ballë të këtij
populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e
aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë
jetën. Dhe s'do të ketë forcë që do të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”,
dhe
vërtet ashtu ndodhi. Nënë Ajshja ngeli pa dy djemtë e saj, por një shqiptari e
tërë ishte e saja dhe i qëndroi pranë deri në ditët e fundit.
Bijtë
e Kosovës: Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, vërtet shkuan në
amshim, por burrat trima si ata nuk vdesin kurrë, dhe në kujtimet, në dashurin
dhe në historinë e kombit ruhen ashtu të mëdhenj siç
ishin.