Speciale » Basha
Sabile Basha: Ibrahim Banush Sedllari - Pa Kosovë nuk ka Shqipëri
E merkure, 24.01.2024, 09:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
IBRAHIM
HOXHA- SEDLLARI- PA KOSOVË, NUK KA SHQIPËRI, DO TË FITOJMË KUR BËHEMI NJË
(1909-
gjatë muajit shtator e likuiduan në burg, 1946)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ibrahim
Banush Sedllari u lind më 1909, në fshatin Shalë të Drenicës së Epërme. Baba
kishte patriotin e njohur të kësaj ane, Banush Sedllarin, ndërsa, nëna Bahtije
e rriti dhe e edukoi me një dashuri të jashtzakonshme djalin e saj trim.
Familja e tij ishte e kamur dhe Ibrahimi u rrit pa brenga në fëmijërinë e tij.
Ibrahimi i vogël ishte fëmija i parë në familje nga tetë vëllezërit që i kishte
(Rexha, Hasani, Ramadani, Hyseni, Kadriu, Ademi, Isufi dhe Aliu) dhe dy motra (
Veziren dhe Eminen). Ibrahimi posa i mbushi 7 vjet ai filloi të shkoi në odën e
babait dhe me vëmendje të madhe dëgjonte muhabetet e të rriturve dhe që nga kjo
kohë filloi edhe të mendoi dhe të rritet me frymën e atdhetarisë. Qysh si
fëmijë dëgjonte tregime të shumta për trimat e asaj kohe siç ishin: Isa
Boletinin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Haxhi Zekën etj. Në kullën e babait
pati rast që të takohet me trimat siç ishin: Tahir Berisha, Osman Maloku, Qazim
Bajraktari, Ramë Bllacën, Ferat Dragën, Nazim Gafurrin, Hajrë Karaçicën, Fetah
Bylykbashin, Abdyl Canin e shumë të tjerë. Babai Banushi ishte arsimdashës i
madh, andaj posa i bëri 7 vjet e dërgoi Ibrahimin që ti kryej katër klasë të mejtepit sa kishte në fshat. Në mejtep
mësoi shkrim leximin në alfabetin arab. Por duhet përmendur se ishte një gëzim
i madh kur një i afërm Bajrush Shtimja i kishte sjell si dhuratë, Abetare në
gjuhën shqipe. Me entuziazmin që kishte, ai shumë shpejt i mësoi germat, mësoi
të lexonte dhe shkruante pa gabime në gjuhën shqipe.
Pas
një takimi që kishin pasur Banush Sedllari, Tahir Berisha dhe Fetah Bylykbashi,
vendosin bashkërisht që ti dërgojnë fëmijët e tyre: Ibrahim Banushin, Rifat
Berishën dhe Shefqet Bylykbashin, për të vazhduar mësimin në Tiranë. Pas
përfundimit të mësimeve me sukses të shkëlqyeshëm në mënyrë të shpejtuar. Ata
kryen katër klasë të shkollës fillore dhe semimaturën, për të vazhduar
gjimnazin në Tiranë. Por, baballarët e djemve kërkuan që ata të regjistrohen në
shkollën ushtarake. Ashtu edhe u bë. Mbreti Zog atyre iu kishte sigurua bursa
dhe vendosjen. Shkollën ushtarake e përfunduan me sukses të shkëlqyeshëm, dhe
fituan gradën ushtarake –aspirant. Më 1933, u caktuan në vendet e punës, por
përsëri kërkuan që të vazhdonin shkollimin për në Itali- Romë. Po ashtu me
sukses përfunduan Akademinë Ushtarake në Romë, më 1936, dhe pas gjashtë muajsh
pune në Shqipëri, Ibrahim Hoxha mori gradën e kapitenit. Ibrahimi u caktua të
shërbej në Ushtrinë Shqiptare në Durrës. Por krahas Akademisë, Ibrahimi kishte
përfunduar edhe Fakultetin Juridik. Pas punësimit në Ushtri, duke e ditur se ai
kishte të përfunduar edhe fakultetin e drejtësisë, i ofruan vende të ndryshme
të punës në Tiranë e Shkodër, dhe në fund e caktuan sekretar në bashkinë e
Koplikut, të cilën e pranoi me dëshirë. Pas tre muajsh e caktuan kryetar
komune. Pas kësaj e emëruan sekretar të prefekturës në Shkodër.
Më
7 prill 1939, Italia sulmoi Shqipërinë dhe pas kësaj Ibrahim Hoxha nuk pranoi
që të punonte në ushtrinë italiane. Më 1940, ai dha provimin e avokaturës, por
pushteti pushtues italian nuk e lejoji që të punonte si avokat. Ai filloi që të
punonte me avokat të tjerë të cilët kishin leje për punë. Ibrahimi edhe pse nuk
punonte më në ushtri ai mbante lidhje me shumë eprorë ushtarak nga anë të
ndryshme të Shqipërisë. Takohej me Abaz Kupin, Muharrem Bajraktarin, Mon
Tahirin, Rifat Berishën, Shefqet Bylykbashin, Spiro Mojsiun dhe me shumë të
tjerë. Ibrahimi shoqërohej me nacionalist e atdhetar të shumtë. Ai asnjëherë
nuk shikonte orientimet politike të tyre. Për Ibrahimin shqiptarë të mirë ishin
të gjithë ata që luftonin kundër armikut të Shqipërisë, të gjithë ata që
luftonin për çlirimin e Kosovës dhe për bashkim kombëtar. Nga ky qëndrim i tij
parimor e kombëtar, Ballistët e konsideronin si të vetin, po ashtu edhe Legaliteti
e konsideronte të vetin, por edhe komunistët e llogaritnin në anën e tyre.
Vitet
1940/1941 për Ibrahimin ishin vite të vështira. Ibrahimi nuk donte të ndodhej
në administratën italiane, kërkonte me këmbëngulje armatosjen e popullit dhe të
luftonte kundër okupuesve. Ai edhe në këto kohë i kishte ruajtur lidhjet me
atdhetarët e rrethit të Bedri Pejanit. Më 7 mars 1941, Bedri Pejani kishte
ftuar një mbledhje në Tiranë. Në të kishte marr pjesë edhe Ibrahim Hoxha. Në
këtë takim të rëndësishëm u shtrua nevoja e bashkimit të të gjithë atyre që
mund të ndihmonin në luftë për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe
bashkimin e tyre me Shqipërinë qoftë edhe e pushtuar nga Italia fashiste. Dhe
nga ata u kërkua që të ktheheshin në mënyrë të organizuar në Kosovë.
Ibrahim
Hoxha, pasi se në Tiranë e kishte gati tërë familjen dhe katër vëllezërit ishin
në shkollim, ai priti që të përfundonte viti shkollor dhe me 5 gusht 1941 me
tërë familjen pas 17 viteve u kthye në Shalë të Drenicës. Kthimi i Ibrahimit,
toger ushtarak, avokat dhe njeri me virtyte të larta, bëri bujë të madhe.
Njerëzit donin ta takonin, të bisedonin me te, të qanin halle, të merrnin
këshilla nga ai. Ai si gjithmonë modest, nuk e kapte euforia, nuk krekosej por
me urti bisedonte me ta dhe i këshillonte se në këto kohë të vështira duhet të
qëndrojmë, duhet të mbrojmë njeri tjetrin dhe duhet të mbrojmë vendin nga
sulmet dhe okupimi i serishëm. Në Mitrovicë u takua me atdhetarë të njohur si:
Ferat Dragen, Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën, Ago Agaj, Pajazit Boletinin,
Adem Vocën, Ibrahim Lutfiun e shumë të tjerë.
Pas
një kohe të shkurtër bashkë me vëllain Ramadanin vije në Prishtinë dhe hapi
avokaturën, me të cilën pati mundësi të njihej me parin e qytetit si me: Hysen
Begun, Shasivar Aliun, Iljaz Agushin, Beqir Bajgoren, Bahtir Dumnicen, Luan
Gashin, Ahmet Gashin e shumë të tjerë. Po ashtu mbante lidhje edhe me prijës të
njohur të LANÇ-it të Kosovës e të Dukagjinit. Ibrahimi kishte një veti të
shkëlqyeshme, asnjëherë nuk vinte në përfundime të parakohshme, por me një
mençuri të pashoqë analizonte, mësonte dhe gjykonte. Kështu edhe lidhjet me
njerëzit e ndryshëm i mbante dhe i gjykonte drejt.
Vitet
1943/1944 patën kthesë të madhe për Ibrahimin. Rrethanat si në Kosovë po ashtu
edhe në Shqipëri kishin ndryshuar në dobi të organizimit të LANÇ-it. Kishte
takime të shpeshta me shok e miq që
kishte në Lëvizjen antifashiste. Mirëpo shërbimi sekret italian dhe gjerman
erdhën deri të të dhënat se Ibrahimi po bashkëpunonte me partizan. Pas kësaj,
Ibrahimi përcillej nga shërbimi italian dhe një ditë me rastin e varrimit të
mikut të tij- Murat Pacin, që ishte anëtar i LANÇ-it, italianet i kërcënohen
edhe Ibrahimit, andaj ai nxjerr revolen dhe vret një karabinier italian. Ai
arrestohet dhe dërgohet në burg. Bashkë me të arrestohet edhe vëllai i tij
Ramadani. Në hetuesi, italianet i thanë se ata janë shpëtimtarët e shqiptarëve.
Ndërsa Ibrahimi iu kishte thënë se shumë më i lumtur do të ishte sikur ata të
ishin në Itali e shqiptaret të luftoni kundër Serbisë dhe të bënim bashkimin
kombëtar. Pa Shqipëri Etnike jeta ime do të ishte si flluska e ujit, iu tha
italianëve.
Pas
burgosjes së djemve, Banush Sedllari nuk la gur pa lëvizur e për këtë ishin të
informuar edhe italianet, andaj pasoi lëvizja e Ibrahimit me të vëllain nga burgu
i Prishtinës, më 18 mars 1943, i dërguan në burgun e Prizrenit. Më 25 mars
1943, nga Prizreni ata i dërguan në Burgun e Tiranës. Gjykata Ushtarake
italiane shpalli aktgjykimin dhe Ibrahim e Ramadan Hoxha u dënuan me pushkatim.
Dënimi i tyre pati jehon të madhe si te ballistet, gjithashtu edhe te
komunistët shqiptar. Menjëherë pas informatës se do të pushkatohen Ibrahim e
Ramadan Hoxha, filluan përgatitjet për ti shpëtuar ata. Por me ndikimin e madhe
të shqiptarëve në pushtet dhe të forcave atdhetare iu falet jeta. Pas dy-tri
dite Ibrahimi bashkë me vëllain kthehen në Shalë dhe fillon aktivitetin e vet
luftarak. Ai vetes i kishte vu për detyrë që të luftojë kundër çdo pushtuesi të
trojeve etnike shqiptare. Kërkonte një formë të përbashkët për luftë kombëtare
për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai si rrezik permanent e shihte Serbinë.
Luftën e vlerësonte si të detyrueshme për të krijuar kushte që në bazë të të
drejtës për vetëvendosje të sendërtohej ideali i të gjithë shqiptarëve për
bashkim kombëtar.
Qëllimet
dhe parimet primare të ONDSH-së ishin, që anëtarët apo simpatizantët e saj në mënyrë të
organizuar, të përfshihen në radhët e pushtetit popullor, në ushtri, në organet
partiake dhe në organizata të rinisë komuniste. Zaten me një punë të tillë, kjo
organizatë arriti që nga radhët e veta të ketë edhe kapiten e ushtarak në
Ushtrinë Jugosllave siç ishin: Ibrahim Banush Sedllari, Ejup Binaku, Hysni Rudi
e shumë të tjerë. Ibrahimi ishte i njoftuar për këto parime dhe i aplikoi një
jetën e tij.
Më
31 dhjetor 1943- 1-2 janar 1944, në Bujanë u mbajt mbledhja e quajtur
“Konferenca e Bujanit”, e cila solli shumë vendime, në mesin e të cilave
dallohej Rezoluta e konferencës, e miratuar në konferencë, ku në mes tjerash
përcaktoi bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë në bazë të drejtës për vetëvendosje dhe se për këtë
garantonte UNÇ e Jugosllavisë, UNÇ e Shqipërisë dhe aleatët dhe dokumentet e
tyre të miratuara si Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit.
Pas kësaj, duke u nisur nga këto vendimi, Ibrahim Hoxha bisedoi me Rifat
Berishën që e kishte shok fëmijërie e shkollimi, dhe erdhën në përfundim se po
qese nuk sendërtohet Rezoluta e Bujanit,
edhe ai bashkë me nacionalist të tjerë do të luftonin kundër Jugosllavisë dhe
qëllimeve djallëzore të saj për mbrojtjen e Kosovës. Ky edhe ishte momenti kyç
në mes Ibrahim Hoxhës dhe Rifat Berishës dhe përcaktimi i tyre në luftë për
bashkim kombëtar. Ibrahim Hoxha me vëllain Ramadanin dhe me babain Banushin,
kurrë nuk ishin dhe nuk u bënë anëtarë të Partisë Komuniste. Ai thoshte se unë
njëherë kam dhënë një betim për të luftuar për mbrojtjen e atdheut- Shqipërinë.
Shqipëri për Ibrahimin ishin të gjitha tokat që nga Mavriqi e deri në Janinë,
nga Kumanova e deri në Ulqin. Historia dëshmoi se Ibrahim Hoxha e mbajti besën,
në momentin kur vërejti tradhtinë u vu kundër tyre.
Duhet
përmendur se Ibrahim Hoxha, si ushtarak i shkolluar që ishte, u aktivizua në
LANÇ, vetëm atëherë kur u mbajt Konferenca e Bujanit, dhe u soll Rezoluta për
bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjatë angazhimit të tij në LANÇ pati pozita
të ndryshme. Ai, kur u inkuadrua në UNÇ pati gradën e kapitenit. Fillimisht u
emërua komandant i UNÇ të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit për Drenicën e
Epërme, ku edhe formoi njësitin e UNÇ në nivel të Batalionit, e cila numëronte
mbi 500 ushtar, të cilët u sistemuan në Brigadën VII të UNÇ të Kosovës dhe
Rrafshit të Dukagjinit, por edhe në Batalionin partizan “Meto Bajraktari”,
komandant i së cilës ishte Mustaf Hoxha. Por udhëheqësit e UNÇ-së, duke i parë
qëndrimet e Ibrahimit i cili me çdo kusht mbronte vëllavrasjen në mes të
shqiptarëve, filluan të bënin plane për anashkalimin dhe likuidimin e tij.
Andaj e caktuan në Shtabin Operativ të UNÇ të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit.
Ky emërim u bë me të vetmin qëllim që Ibrahimin ta ndajnë nga UNÇ-ja. Ibrahimi
jashtëzakonisht shumë i pengonte OZN-es së Prishtinës. Mu nga ata doli
propozimi që ai të dërgohej në ndonjë vend tjetër sa më larg Prishtinës. U
dërgua në Pejë duke iu dhënë grada e majorit dhe duke iu dhënë pozita e
zëvendëskomandantit në Qarkun e Pejës. Në Pejë situata politike ishte kaotike.
Ibrahimi mori shumë informata kur filloi punën aty. I treguan se shqiptaret
arsye e pa arsye futen në burg, nuk i regjistrojnë fare, nuk mbahen procese
gjyqësore, por natën Oznashet i marrin dhe i pushkatojnë pa iu ditur varri.
Ibrahimi ishte i shqetësuar dhe i revoltuar për atë që dëgjonte. Ai sa mundi
shpëtoi shumë shqiptar nga vdekja e sigurt, e për këtë pushtetarëve serb iu bë
halë në sy. Për të gjitha këto padrejtësi bisedoi me Rifat Berishën, Fadil
Hoxhën, por edhe Milladin Popoviqin. Por ajo më e rënda që i ndodhi Ibrahim
Hoxhës, ishte Lufta e Drenicës.
Më
23 janar 1945, u informua se shqiptaret po vriten nga forcat serbe dhe të rinjtë shqiptarë po
arrestohen dhe po dërgohen në burgjet e Prishtinë, Pejës, Istogut, Ferizajt
etj. Ibrahimi menjëherë ndërmori masa për të shpëtuar të arrestuarit. I lironte
ata dhe i sistemonte në brigada. Këtë e vërenin pushtetarët serb dhe me shumë
kujdes e përcillte OZN-a. Kulminacioni i pakënaqësisë tek Ibrahimi arrit kur më
8 shkurt 1945 u vendos Administrimi Ushtarak në Kosovë dhe u bënë ndryshime të
mëdha në Shtabin Operativ për Kosovë e Metohi, në të cilën komandant u caktua
koloneli Sava Dërleviqi, e zëvendëskomandant Fadil Hoxha. Dhe se Shtabi
Operativ vihej nën komandën e Shtabit Suprem të UNÇ dhe AP të Jugosllavisë.
Ibrahimi konstatonte: Në Administrimin Ushtarak nuk ishte emërua asnjë
shqiptar; Në SHO të Kosovës vetëm një shqiptarë-Fadil Hoxha i cili ishte
s’postua nga komandanti në zëvendëskomandant; Në shtabin e Divizionit të
Kosovës asnjë shqiptarë. Dëshpërimi dhe zhgënjimi kishin arrit pikën e vlimit.
Milladin
Popoviqi më 30 nëntor 1944, kishte hartua disa teza lidhur me situatën politike
në Kosovë të cilat iu kishte shpërndarë komisarëve politik. Në mes tjerash ky
vlerësim ishte një ndër vlerësimet më të zeza që i kishte bërë ndokush deri
atëherë. Milladini nga e tërë ajo që kishte vlerësua vinte në përfundim se,
Kosova nuk ishte ende e çliruar, duke anashkaluar çdo sukses që kishte arritur
LNÇ në Kosovë dhe kontributin e shqiptarëve në luftën antifashiste. Duke u
nisur nga kjo Gjyqet ushtarake ishin jashtë çdo kontrolli të kuadrove
shqiptare. Gjykimet e vrasjet ishin masive. Rreth 50.000 veta u likuiduan në
forma të ndryshme. Pas tërë kësaj Ibrahimi bisedoi me babanë e tij Banushin.
Babai aspak i befasuar i tha se fajet janë tek koka, pa u këputur koka nuk mund
të ndryshojë asgjë këtu.
Ibrahim
Hoxha, edhe pse ishte në UNÇ, ai asnjëherë si ndërpreu lidhjet me patriotët
shqiptar si me prof.. Ymer Berishën, Luan Gashin , Adem Gllavicën, Halim
Spahinë e me shumë të tjerë. Ai asnjëherë gjatë jetës së vet nuk bëri ndarje në
baza ideologjike. Ai ishte patriot i madh dhe asgjë nuk kërkonte as më shumë e
as më pak, veç bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një Shqipëri etnike.
Pas
dështimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit, organizatat patriotike
ilegale shqiptare u aktivizuan edhe më tepër. Në terren u bë bashkimi i tyre.
Besa Kombëtare me prof. Ymer Berishën u bë krahu ushtarak i LNDSH-së. U
konstatua se të gjitha të këqijat që i ndodhën Kosovës ishin si pasojë e
ardhjes së Milladin Popoviqit në Kosovë. Shumë grupe e individ kishin propozua
se duhet likuiduar Milladin Popoviqi. Ibrahim Hoxha lidhur me likuidimin e
Milladin Popoviqit kishte bisedua me krerët e ilegales, të gjithë ishin pajtuar
se kjo punë duhet kryer sa më shpejt. Sipas disa shënimeve thuhej se për
atentatin ndaj Milladinit ishin mbajtur disa takime. Në fund me kërkesën
këmbëngulëse u vendos që atentatin ta kryej Haki Taha. Më 13 mars 1945, në ora
11 e 50 minuta në ndërtesën e Kuvendit Krahinor të PKJ-së, u dëgjuan krisma
revoleje. U kry atentati në Milladinin.
Vrasja
e Milladin Popoviqit pati jehon te madhe në Kosovë, në Jugosllavi, në Shqipëri
dhe në vende tjera. Po atë ditë, në këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në
të gjitha territoret shqiptare këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër
ushtarake e udhëhequr nga grupet e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav
duke bërë hetime e hulumtime për vrasjen e Milladinit. Sidomos, terrori e
gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së
Milladin, i cili ishte një alibi i mirë që OZNA haptas justifikonte terrorin
dhe likuidimin e intelektualëve shqiptar. Hetimet vazhduan edhe gjatë vitit
1945, 1946, 1947, por ato vazhduan edhe 10 vite më vonë.
Ibrahim
Hoxha u arrestua mu atë ditë, më 13 mars 1945, para kazermës, nga ushtaret e
Batalionit të Sh.O dhe njerëzit e OZN-es, të udhëhequr nga Çedo Topalloviqi dhe
Jovo Bajata. Ai u arrestuan bashkë me rojat e tij: Asllan Vojvoden e Rasim
Elezin. Po ashtu u arrestua vëllai i tij Aliu si dhe babai i tij Banush
Sedllari. Më 14 mars 1945 u arrestuan shumë veta duke i akuzuar secilin se ti
je vrasësi i Milladin Popoviqit.
Në
burgun e Prishtinës u mbante Ibrahim Hoxha, hetimet ndaj ti vazhduan deri në prill të vitit 1946, kur Prokuroria e
Kosovës ngriti aktpadi, të cilën ia dorëzoi Gjyqit të Qarkut në Prishtinë.
Ibrahimin e rrahën e e malltretuan në mënyrën më shtazarake. Sipas librit të
Prof.dr. Fehmi Pushkollit, Ibrahim Banush Hoxha (1909-1946), Prishtinë 2002, thuhej se brenda 13 muajve hetimi,
Ibrahimi u mor në pyetje 299 herë, dhe dosja e tij ka mbi 800 faqe të
daktilografuara me shkrim dhe është ruajtur në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror
të Kosovës. Por, pas vitit 1981, shumë materiale u zhdukën, u asgjësuan dhe u
vodhën.
Më
26 prill 1946, filloi procesi gjyqësor ndaj Ibrahim Hoxhës. Kryetar gjyqi ishte
Smajl Softiqi, prokuror ishte Ali Shukrija dhe disa avokat të caktuar nga gjykata.
Trupi gjykues shpalli aktgjykimin në të cilën u dënuan 1. Ibrahim Hoxha, me
pushkatim, 2. Qazim Vula u dënua me pushkatim, 3 Asllan Vojvoda u dënua me 10
vite burg të rënd dhe 4 Rasim Elezi me 5 vite burg të rëndë. Në ankesën që bënë
avokatet e Ibrahimit, në Gjyqin e Lartë të Serbisë, atij iu vërtetua dënimi me
pushkatim, ndërsa me ankesën e avokatëve në Presidiumin e Kuvendit Federativ,
Ibrahimit dhe Qazimit iu fal dënimi për vdekje dhe iu zëvendësua me dënim prej
20 viteve burg të rëndë. Ibrahimi pas faljes së dënimit, nuk ishte i lumtur. Ai
i kishte thënë të vëllait- Aliut se “jeta në robëri nuk i vyente askujt. Rinia
duhet të frymëzohet me sakrificën dhe flijimin tonë për të vazhduar rezistencën
luftarake deri në çlirimin dhe bashkimin kombëtar- pa Kosovë nuk ka as
Shqipëri”.
Më
1 shtator 1946, vëllai Aliu shkon në burgun e Prishtinës, për ti dërgua
veshmbathje dhe ushqim, por përgjigjja e gardianëve ishte se Ibrahimi nuk është
në këtë burg. Familjaret vazhduan ta kërkonin gjithandej në burgjet e Kosovës
dhe gjithandej ku mendonin se mund të ishte. Pa rezultat. Edhe ish shokët e
Ibrahimit i pyeten, iu kërkuan ndihmë, askush asgjë nuk dinte. Ibrahim Banush
Hoxha u likuidua tinëzisht, në një natë skëterrë për Kosovën dhe popullin
shqiptarë. Edhe sot nuk dihet se kur dhe ku u likuidua dhe e varrosën trimin e
patrembur, që si maksimë jetësore e kishte thënien “Pa Kosovë, nuk ka Shqipëri,
do të fitojmë kur bëhemi një”. Lavdi atdhetarit Ibrahim Banush Hoxhës.