E enjte, 10.10.2024, 03:44 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Bardhosh Gërvalla – Betohemi mbi eshtrat e të vrarëve shqiptarë se Shqipërinë do e bëjmë, në kufijtë e saj Etnik

E shtune, 20.01.2024, 09:00 PM


T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

BARDHOSH GËRVALLA- BETOHEMI MBI ESHTRAT E GJITHË TË VDEKURVE E TË VRARËVE SHQIPTARË, SE SHQIPËRINË DO E BËJMË, ASHTU SIÇ E DOMI NE, NË KUFIJTË E SAJ ETNIK

(1951 – e vranë më 17 janar 1982)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Më 17 janar 1982, gazeta “Rilindje”, pa pasur kurrfarë informatash se çka po përgatitej në prapaskenat e UDB-es, shqiptaret i informonte se çfarë kohe do të mbretërojë atë ditë në Kosovë. Ajo shkruante se “Pas mëngjesit të ftohtë e me mjegull, gjatë ditës në një pjesë të madhe të vendit do të marrë kohë mesatarisht e vranët dhe e thatë. Aty këtu do të ketë mjegulla gjatë gjithë ditës... temperaturat do të sillen nga -2 deri në + 2...”, mbyllte informatën gazeta shqipe “Rilindja”. Ndërsa në faqet e politikës shkruante se si “Duhet përforcuar aktivitetin në mes vendeve të painkuadruara” e shkrime të tjera, për sukseset e mëdha të vëllazërim bashkimit. Edhe pse shkruheshin të gjitha këto shkrime propagandistike, populli e dinte dhe e përcillte me kujdes, çdo gjë që ndodhte në Kosovë e sidomos pas vitit 1981.

Por duhet theksuar se shkaqet kryesore që nxitën aktivitetin dhe punën ilegale të shqiptarëve në vitet e 70 e 80 ishin po ato të vitit l945 e këndej: politike, ekonomike, arsimore, sociale e padrejtësitë e shumta që ushtroheshin mbi kurrizin shqiptar. Papunësia e madhe që goditi Kosovën, më së shumti e trandi rininë. Ajo në vitet 1975-1978 me të madhe migroi në botën e jashtme. Kontaktet e shumta me patriotë të ndryshëm ndikuan në formimin e organizatave ilegale. Lidhja e emigracionit kosovar me patriotët e mëhershëm kurorëzohet me formimin e organizatave jashtë vendit, siç ishte “Fronti i Kuq Popullor”, që gjatë tërë veprimtarisë së vet luajti një rol të rëndësishëm për propagandimin dhe inicimin e shumë problemeve. U aktivizua për shpërndarjen e literaturës së marrë nga Kosova, si dhe nga Shqipëria, u organizuan manifestime të ndryshme antijugosllave, si demonstrata, greva, protesta dhe ligjërata të ndryshme.

Kthesën më të madhe në ilegalen shqiptare që vepronte jashtë atdheut e bënë ikja e Jusuf Gërvallës dhe lidhja e tij me Ibrahim Kelmendin. Pastaj ikja e Kadri Zekës dhe njohja e tij me vëllezërit Gërvalla. Puna e përbashkët e këtyre veprimtarëve intensifikon dukshëm veprimtarinë patriotike jashtë vendit. Dukshëm aktivizohet organizata “Fronti i Kuq Popullor”, e më vonë del fletushka me titull “Bashkimi”, “Zëri i Kosovës” dhe “Lajmëtari i Lirisë”. Në krijimin e grupeve dhe të organizatave ilegale dukshëm angazhohen edhe ish-të dënuarit politikë. Një numër i të dënuarve politikë, pas vuajtjes së dënimit, përsëri angazhohen në veprimtarinë ilegale, por tani janë më të kujdesshëm dhe veprojnë në një konspiracion më të thellë. Ata veprojnë në qarqe të mbyllura e të verifikuara mirë për patriotizëm.

Në mesin e mërgatës shqiptare vepronte edhe Bardhosh Gërvalla, vëllai i Jusuf Gërvallës. Ai kishte lindur një javë pasi kishte ikur nga kjo jetë babai i tij, trimi i madh Bardhosh Gërvalla, kaçak  në zë. Andaj djalit të posa lindur i ven emrin Bardhosh. Ai u lind më 23 shkurt të vitit 1951, në fshatin Dubovik të Deçanit. Vdekja e hershme e babait e kishte rënduar shumë familjen Gërvalla. Kushtet e rënda ekonomike e detyruan nënën e madhe, nënë Ajshen që të merr rrugën e mërgimit, për të shkuar në Jesenicë të Sllovenisë, për të mbijetuar. Bardhoshi i vogël ishte tetëvjeçar kur me familje mërgon në Slloveni. Klasën e parë të shkollës fillore e mbaroi në Prapaçan, në të cilën ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Që atëherë u dallua në mësime dhe ishte shumë i afërt me fëmijët tjerë. Ishte fëmijë i hareshëm dhe i lumtur. Ndërsa vitet tjera të shkollës fillore i vijoi në Jesenicë të Sllovenisë, atje ku kishte mërgua me familjen. Atje mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën sllovene ku edhe ishte nxënës i dalluar, mu për këtë nga arsimtarët e tij shpesh kishte marr edhe mirënjohje. Bardhoshi ishte nxënës i zgjuar, por në mësime dallohej sidomos në mësimin e gjuhëve të huaja. Ai ishte një i ri poliglot. Fliste dhe shkruante në shumë gjuhë të huaja. Ai i fliste dhe i shkruante: gjuhën sllovene, angleze, gjermane, frënge, italiane, daneze, maqedonase  dhe atë serbokroate. Pastaj u kthye në Kosovë dhe u regjistrua me korrespodencë në Universitetin e Prishtinës, ku studioi anglishten. Gjatë kohës së studimeve ai këndoi e kompozoi këngë bashkë me të vëllain, Jusufin. Më gjithë dëshirën e madhe për ti kryer studimet, ai detyrohej që të marri rrugën e kurbetit, i ndërpret studimet dhe në  moshën 23 vjeçare ai emigron në Gjermani.

Më 1974 shkoi në Gjermani, ku u punësua si punëtor social në Ludwigsburg. Aty pati rastin të takojë dhe të njohë shumë mërgimtarë nga Kosova, të cilëve vazhdimisht u doli në ndihmë, duke u bërë këshilltar e mbrojtës i tyre.
Me daljen e Jusufit jashtë, ai u bë krah i djathë i tij. E vuri atë në kontakt me mediat dhe institucionet gjermane, i ndihmoi në sigurimin e mjeteve teknike për radhitjen dhe botimin e gazetave.

Ai, organizoi e udhëhoqi bashkë me të vëllain, Jusufin, një mori tubimesh e manifestimesh të mërgimtarëve që kishin për synim zgjerimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe sensibilizimin e opinionit të huaj lidhur me çështjen e Kosovës. Ishte i mbrujtur me një kulturë të mirëfilltë perëndimore gjë që i mundësonte të komunikojë me të huajt e të gjitha rangjeve lirshëm dhe me shumë kompetencë. Ishte organizator i shkathtë, njeri i vendosur dhe i guximshëm.

Duhet theksuar që më 1974, ishte i organizuar në organizatën ilegale të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ). Si anëtar i saj ai kishte dhënë betimin dhe e kishte marr pseudonimin “Besniku”. Në vitet e mëvonshme zhvilloi aktivitet të dendur ilegal, dhe në një mbledhje të organizatës atë e caktuan që të ishte sekretar i degës në mërgim. Bardhoshi veç që ishte i mençur ai në ADN-në e tij kishte gjak trimërie, dhe shpesh ndodhte të përballej edhe fizikisht me spiun e konsuj jugosllavë, kur këta donin të fotografonin demonstruesit ose përpiqeshin në mes të Evropës t'i pengojnë edhe me grushte aktivistët e Lëvizjes gjatë veprimtarisë së tyre. Dihej se gjatë viteve të 70 e 80, mërgata shqiptare kryesisht ishte punëtore, andaj ata edhe kishin nevojë për përkrahje e ndihmë ngase gjuhën nuk e dinin. Andaj, shtëpia e Bardhoshit në Gjermani ishte e hapur për të gjithë.

Gjatë jetës në mërgim, ai zhvilloi takime me mërgatën dhe ndodhej gjithandej ku e kërkonte mërgata dhe puna e lëvizjes. “Besniku” i Kosovës, siç e quanin shokët e tij, me emrin e ilegales u bë krahu i fortë i familjes, i vëllait dhe mërgimtarëve. Ai ishte i pandashëm nga mërgimtarët, i ndihmonte dhe i këshillonte kur e kërkonte nevoja. Shpesh iu fliste se si duhet të jenë të bashkuar, të përkrahin njëri tjetrin, të mos durojnë padrejtësitë dhe të luftojnë të keqën si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Iu thoshte shpesh se të gjithë ne betohemi mbi eshtrat e gjithë të vdekurve e të vrarëve shqiptarë, se Shqipërinë do e bëjmë, ashtu siç e domi ne, në kufijtë e saj etnik.

Ishte i gëzuar, kur në mërgim iu bashkëngjit edhe Jusufi, veten e ndjente më të plotnuem. Bardhoshi i qëndroi gjithmonë pranë të vëllait, Jusufit. Vepronin e punonin bashkë. Në shumë raste ai ishte edhe përkthyesi i vëllait, në takimet e shumta zyrtare që mbante me të huaj. Ata, koordinoni dhe punonin bashkërisht për të mirën e popullit dhe të vendit. Sa ishin  gjallë, kurrë dhe në asnjë moment nuk e ndërprenë veprimtarin e tyre atdhetare. Veç që bashkëpunonte me mërgimtarët ai, njëkohësisht përkthente traktet, parullat dhe letrat në gjuhën gjermane ngase e shihte të nevojshme që për padrejtësitë, hallet dhe problemet e shqiptarëve të njoftohen edhe qarqet e huaja përparimtare, e përkrahja nga populli gjerman nuk mungonte. Bardhoshi kishte shumë shokë  gjerman të cilët e ndihmonin në veprimtarin e tij për çlirimin e Kosovës.

Bardhoshi ishte edhe njeri i penës, e këtë më së miri e dëshmon me ndihmën që dha në shkrimin e shumë temave në shtypin  të cilin e nxirrte mërgata shqiptare. Po ashtu ndihmoi në botimin dhe shpërndarjen e saj. Puna e shumëllojshme dhe e rëndë, gjendja e tij shëndetësore (për shkak të një tumori në kokë duhej të operohej në çdo pesë vite) nuk i dhanë mundësi që ai të shkruante aq shumë në shtypin ilegal, megjithatë e provoi me shumë sukses penën e tij në gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Kosovës” dhe “Lajmëtari i Lirisë”, organe këto të Lëvizjes çlirimtare që botoheshin nën përkujdesjen e vëllait të tij , Jusuf Gërvallës. Të gjitha këto me angazhimin e Bardhoshit, organizohej shpërndarja e tyre falas tek mërgimtarët. Në Gjermani nuk ishte e lehtë të botoje një  gazet, ngase çmimet për të ishin të larta, por për të sigurua mjete të mjaftueshme për to, Bardhoshi me një grup të rinjsh gjerman, këndonte nëpër lokale të ndryshme deri në orët e vona të natës, për ti ndihmuar të vëllait për të nxjerr gazetën.

Më 1981, si njëri ndër anëtarët dhe njëri ndër udhëheqësit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ-së), luajti rol të rëndësishëm koordinues. Ai në tetor të vitit 1981, përfaqësoi këtë organizatë në takimin e Stambollit, në bisedimet që u bënë në mes Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), dhe Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK).

Bardhoshi bashkë me Kadri Zekën dhe vëllain Jusufin, gjatë kësaj kohe në Perëndim, sensibilizuan mërgatën, dhe e njoftonte opinionin e gjerë gjerman se në Kosovë po kryhej gjenocid dhe po shkeleshin me të madhe të drejtat elementare njerëzore. Me kalimin e muajve, Ata kishin fituar respektin e të gjithë atyre që e donin një Kosovë të lirë dhe të çliruar nga tutela jugosllave. Ata kishin fitua besimin, andaj edhe përkrahja ishte e madhe. Mjaftonte vetëm një fjalë dhe sheshet e qyteteve gjermane të gumëzhinin nga demonstruesit shqiptar, e shpesh ndodhte që atyre t’iu bashkoheshin edhe qytetar të tjerë jo shqiptar.

Bardhoshi sa ishte në Kosovë ishte i martuar me vajzën nga Gllogjani i Deçanit, Tushë Mustafën, me të cilën kishte dy fëmijë, por pas vrasjes së trimave, Bardhoshit i lind edhe një vajzë, të cilën e pagëzuan me emrin Bardha, në një mënyrë i përtërin emrin e babait.

Pas vrasjes së Bardhoshit, Tusha bashkë me fëmijët kishte mbetur në Kosovë, edhe pse kishte tentua disa herë që të kalonte kufirin, por ikja e saj jashtë vendit pushtetarët e konsideronin se ishte me rrezik të madh, ngase mërgimtarët do e ndjejnë edhe më shumë mungesën e Jusufit, Kadriut dhe të Bardhoshit dhe mund të vinte deri te trazira të mëdha. Andaj, ata e kishin zgjedhur që ta pengonin atë me çdo mjet që mos të largohet nga vendi duke i ngritur lloj-lloj kurthesh. Tusha shumë herë kishte tentua që të ik, por pa rezultat.  Më në fund, me ndihmën e një studenti nga Lubeniqi, Mal Morina, arrijnë që të kalojnë kufirin vetëm dy fëmijët e mitur, ndërsa Tusha s bashku me Malen arrestohen. Malen e arrestojnë me 27 nëntor 1986 dhe më në fund e likuidojnë mizorisht me varje më 14. 12. 1986. Tushën e lirojnë nga burgu, dhe vetëm në tentimin e katërt, ajo arrin që të largohet nga Kosova dhe të bashkohet me fëmijët që jetonin në Gjermani.

Bardhoshi veç që ishte veprimtar i devotshëm i çështje kombëtare, ai njihej edhe si kompozitor e këngëtar. Ai këndonte bashkë me vëllain, dhe zëri i tyre melankolik i përjetësuan në këngë mallin e dashurin e madhe që kishin për vendlindjen dhe nënën që kishte mbetur në Dubovik. Ata na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshme talentin dhe zërin e tyre. Kënga e tyre e përmallshme i këndon dashurisë ndaj vendlindjes dhe na e rrëfen porosinë e saj që poeti e kishte për lirinë dhe diellin që na mungonte. Megjithatë, vendlindja për Gërvallën nuk mbeti vetëm frymëzim mes rreshtave, por ajo u shndërrua edhe në këngë me përplot mall. E tillë është kënga ‘’Do të kthehem, nënë’’, të cilën e kënduan bashkërisht vëllezërit Gërvalla, teksti i së cilës thotë:

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë

Që kur ti e ndjell veç një kthim

Nëse vetë nuk do të mundem

Do i them birit tim

Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë

Se dikush një ditë do të trokllojë

Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi

Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë.

Angazhimi, veprimtaria dhe puna e madhe që bënin Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, tmerrësisht i frikonte udbashët jugosllav, andaj ata i përcilleshin në çdo hap, një rrjet i gjerë spiunësh ishin angazhuar për të likuiduar atdhetarët. “Besniku” i lëvizjes ilegale patriotike shqiptare s bashku me vëllain e mikun e tyre të idealit, në një natë të errët-burg, nga atentatorët kriminelë të UDB-së më 17 janar 1982 qëllojnë mbi tre lajmëtarët e lirisë,  në fshatin Untergrupenbah të Gjermanisë. Shteti i Jugosllavisë, nuk u mjaftua vetëm më këtë, por policia jugosllave nuk i lë të qetë edhe pas vdekjes. Për tri javë ata qëndrojnë në morg, në pritje të lejes për t’u varrosur në Kosovë e cila nuk u dha. Duhet thënë se, edhe pse vitet do të kalojnë, ato kurrë nuk do të mund ta zbehin kujtimin e veprës heroike të Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës e Jusuf Gërvallës, të cilët u angazhuan në mënyrë të palodhur, e të patrembur për çështjen e Kosovës.

Populli i Kosovës u deshtë të pres dy ditë për të mare një informatë prej disa rreshtash që e botoi, gazeta shqipe “Rilindja”, e që e kishte përgatitur Agjencia e Lajmeve jugosllave “TANJUG”. Në shkrimin “U vranë tre emigrant”, (Sipas kumtesës së policisë këta janë Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka. Bonë, 18 janar (TANJUG), ku në mes tjerash thoshte se “Policia e Shtutgardit  kumtoi se  gjatë natës së kaluar në vendin Untergrupenbah, në krahinën  Baden- Virtenbergut u vranë tre emigrant me prejardhje jugosllave . Këta janë Bardhosh Gërvalla (31), Jusuf Gërvalla (36)dhe Kadri Zeka (28). Policia ende po i gjurmon dorasit, por mund të supozohet se është fjala për qërim tipik hesapesh midis emigrantëve të nëntokës së RFGJ, të cilëve siç mendon policia i kanë takuar edhe viktimat e kësaj përleshje. Ky supozim jipet nga rezultati i parë hetimeve të policisë, i cili nuk është definuar në mënyrë plotësisht të qartë, por që është mjaftë indikativ. Konsiderohet në të vërtet se “fjala është për krim me prapavijë politike” sepse ndërmjet emigrantëve të këtij lloji të orientuar armiqësisht ndaj Jugosllavisë, ka më shumë “rryma” dhe “grupacione”, për të vazhduar se “Bardhosh e Jusuf Gërvalla siç merret vesh, janë vëllezër. Ata tash, sipas të gjitha gjasave, janë bërë viktima të mesit, të cilit i kanë takuar. Viktima e tretë, Kadri Zeka, siç pohon policia, para kësaj ka jetuar në Zvicër, ku ka pas marr azil. Nuk ka dyshim se të vrarët tash një kohë të gjatë kanë jetuar në RFGJ. Policia e Shtudgardit kumtoi se ka organizuar ndjekje përmasash të gjera për zënien e vrasësve të mundshëm. Qeveria e Bonit, siç deklaroi përfaqësuesi i saj për shtyp, e dënon rreptë vrasjen e tre personave. Ky përfaqësues shtoi në Konferencën për shtyp se “qeveria shpreh keqardhje për shkak të përleshjeve të tilla” (Rilindja, 19 janar 1982). Kështu në ato ditë të rënda për Kosovën, Tanjugu i dezinformonte shqiptaret duke e hedhur dyshimin se kjo e tëra ishte qërim hesapesh, në mes mërgimtarëve, por populli i cili nuk harronte dhe mbante në mend, e dinte të vërtetën.

Ndërsa gazeta gjermane “Der spiegel”, më 25 janar 1982, bënte një analizë më të thukët për vrasjen e atdhetarëve shqiptar, duke thënë se: “Pas kroatëve në ekzil, si duket, qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve në ekzil … Krahas kroatëve, tashmë në shënjestër të shtetit jugosllav janë edhe shqiptarët. Që nga pranvera e fundit, (fjala është për demonstratat studentore të vitit 1981), kur shqiptarët rezistuan në provincën jugosllave në Kosovë, ku u bënë trazira të përgjakshme, Beogradi i ka zbuluar shkaktarët jashtë vendit … Gërvallajt kanë qenë të njohur në skenën e jashtme. Vëllai, Jusufi, i cili para pak kohe ia kishte dhënë një intervistë një gazete ditore, në të cilën thoshte se ishte për luftën e armatosur kundër shtetit jugosllav, ka qenë, sipas njoftimeve të policisë, edhe redaktor i gazetës ‘Zëri i Kosovës’ në ekzil. Bardhosh Gërvalla kishte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëmarrësit jugosllavë, në Solitudestrashe 44, në Ludvigsburg …”

Për këtë ngjarje makabër do të shkruante edhe Gazeta “Zëri i popullit” me 20 janar 1982, shkrimin me titull: ”Serbomëdhenjtë po ia vrasin djemtë Kosovës” e kishte shkruar vet sekretari i parë i PPSH-s, zoti Enver Hoxha. Edhe pse kanë kaluar vite dhe do kalojnë edhe shumë vite të tjera, populli kurrë nuk do i harron bijtë që ranë në altarin e shenjët të lirisë.



(Vota: 46 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Jusuf Gërvalla - Përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën Sabile Basha: Kadri Zeka - Të luftojmë për Liri dhe Bashkim Kombëtar Sabile Basha: Nuhi Berisha - Rinia jonë do t'i sjellë Kosovës rrezet e lirisë Sabile Basha: Rexhep Mala – Ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë, e ju serbët jeni kriminelë... Sabile Basha: Shyt Mareci – Trupi im i gjallë kurrë nuk do të dorëzohet tek okupuesi Sabile Basha: Haxhi Jahja Daci – Vetëm me pushkë e dije formohet Shqipëria Etnike Sabile Basha: Adem Voca – Oso Kuka i Shalës së Bajgorës Sabile Basha: Ahmet Krajku - Për Shqipërinë Etnike na nevojitet një bashkim i të gjitha forcave shqiptare Sabile Basha: Alush Smajl-Qerrataja - Formimi i Shqipërisë Etnike ishte dhe mbeti qëllimi i gjithë forcave nacionaliste shqiptare Sabile Basha: Mefail Mehmeti - Ne nuk mundëm ta bënim Shqipërinë Etnike, por bijtë tanë patjetër një ditë do e bëjnë Sabile Basha: Mustafë Ibishi - Shqipëria Etnike do të bëhet me ne të gjallë, o me ne të vdekur Sabile Basha: Rexhep Gjeli – Çlirimi i Kosovës dhe Bashkimi me Shqipërinë Sabile Basha: Sylë Zarbinca - Forcat anglo-amerikane do të zbarkojnë një ditë dhe së bashku me ne do ta bëjmë Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Haradin Vidishiqi - E keqja më e madhe e kësaj toke janë okupuesit dhe zullumqarët partizano-çetnikët Sabile Basha: Mefail Shehu – Udha jonë është Shqipëria Etnike Sabile Basha: Arif Shala – Shqipëria Etnike vetëm me neve brenda ka peshën e vet Sabile Basha: Islam Damaneku - Të vdesësh por dhe të jetosh për një Shqipëri Etnike Sabile Basha: Musli Dumoshi - Ky shtet është i huaj dhe do ta luftojë deri në fund të jetës Sabile Basha: Hoxhë Visoka – Unë dhe populli im nuk jemi turq, jemi shqiptarë Sabile Basha: Salih Sadiku - Jataku më besnik i Mulla Idrizit në historinë shqiptare

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora