Speciale » Basha
Sabile Basha: Metush Krasniqi - Shqiptarët do të jenë të lirë vetëm kur Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë
E shtune, 27.01.2024, 08:59 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
METUSH
KRASNIQI- SHQIPTARËT DO TË JENË TË LIRË DHE TË BARABARTË, VETËM ATËHERË KUR
KOSOVA DO TË JETË PJESË E PANDASHME E SHQIPËRISË
(1927-
vdiq nga torturat e UDB-es më 15.10.1986)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në
kohën kur lindi dhe u rrit Metush Krasniqi, Ishin kohë të vështira dhe të rënda
për Kosovën. Kohë kur shpërnguljet e shqiptarëve për Turqi po intensifikoheshin
dhe dhuna e terrori ndaj shqiptarëve nuk kishte të ndalur. Metush Krasniqi si
intelektual që ishte nuk e ndjente veten mirë, andaj qëndrimi duarkryq i dukej
i papranueshëm dhe vendosi për dashurinë e madhe që kishte ndaj vendit dhe ndaj
lirisë, të ndërmerrte diçka, të organizonte në një mënyrë rezistencën ndaj
okupuesit.
Bacë
Metush Krasniqi u lind më 19.08.1927 në fshatin Dajkoc, komuna e Dardanës (ish
Kamenicës), shkollën fillore katër klasat e para i kreu në gjuhën shqipe në
fshatin Hodanoc, ndërsa katër klasat tjera gjatë viteve 1942-1946 i kreu në
Gjilan në gjuhën shqipe. Gjatë viteve 1947-1949, e kreu një kurs pedagogjik në
Pejë dhe Gjakovë. Ndërsa në vitin 1950 diplomoi në Shkollën Normale të
Gjakovës. Në vitin 1950-1951 filloi punën si mësues në shkollën fillore në
Shipashnicë të Epërme. Autoritetet e arsimit vetëm një vit më vonë Metush
Krasniqin e transferojnë në shkollën fillore të Strezovcit fshat ky në komunë
të Dardanës. Aty punoi një vit dhe u transferua në Hogosht. Pas një viti Metush
Krasniqin e transferuan në shkollën fillore në Muçivercë, por në vitin shkollor
1955/1956 me vendimin e organeve arsimore të Rrethit të Dardanes
(ish-Kamenicë), shkolla 8 klasëshe e Muçivërcit me gjithë arsimtarët dhe mjetet
mësimore bartet në Roganë dhe për çudi po me atë vendim Metush Krasniqin e
emërojnë drejtor të shkollës, në këtë shkollë e cila sot mban emrin e këtij
atdhetari të denjë. Në vitin 1957 pas ndjekjeve dhe burgosjeve detyrohet të
shpërngulet në Shkup. Atje krahas punës në arsim me një përkushtim të veçantë
vepron në lëvizjen ilegale patriotike shqiptare.
Baca
Metush, për herë të parë u burgos në
Lubjanë në pranverë të vitit 1947, sa
ishte në shërbim Ushtarak. Për here të dytë u burgos më 1948, në Gjakovë para
nxënësve të Shkollës Normale ku ishte duke i ndjekur mësimet përfundimtare. Për
here të tretë e burgos më 1956, gjatë aksionit të armëve dhe e dënojnë me 60 ditë
burg. Ky dënim iu shqiptua për mos dorëzimin e armëve dhe e akuzonin se po bënë
propagandë kundër rendit Kushtetues të Jugosllavisë, për shpërnguljen e
Shqiptareve për në Turqi si dhe iu zunë disa shkrime me Planë Programe
Shkollore në Gjuhën shqipe që ishin të ndaluara sipas pushtetit. Për here të
katërt e burgosin më 03.11.1958, ku i ngritën Aktakuzën dhe i nxorën para
Trupit Gjykues në Gjyqin e Qarkut në Gjilan më 01- 07 mars të vitit 1959. U
akuzua për formimin e organizatës ilegale-patriotike “Partia Revolucionare për
Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”.
Gjatë
tërë këtyre burgosjeve, baca ishte i vetëdijshëm se vetëm ai nuk ishte i
pakënaqur në këtë shtet të krijuar artificialisht, dhe ndaj një okupimi e
kolonizimi klasik, duhet të reagonte. Për të formuar një organizëm që do të
reagonte ndaj padrejtësive të shumta që iu bënin shqiptarëve ai mori shumë
iniciativa. Së pari i njoftoi disa koleg-mësues, që po ashtu mendonte se kanë
mendim të njëjtë. Së pari, u takua me Sejdi Kryeziun, me të cilin zhvillonte
biseda që zakonisht përfundonin se si populli shqiptar po vuan shumë nën
okupimin serb, dhe e vetmja zgjidhje e kësaj situate të nderë ekziston në
bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ngase edhe ashtu me tradhti iu është marrë
asaj. Pasi se ishte i bindur në aspiratat e Sejdi Kryeziut dhe pasi pajtohen se
duhet formuar një organizatë, e cila do t’i koordinonte punët në teren dhe do
të angazhohej për kryengritje të armatosur për të rrënuar sistemin komunist,
ata bashkërisht angazhohen që të bisedojnë edhe me bashkëmendimtarë të tjerë.
Duke e ditur se Metë Dërmaku edhe më herët ishte shquar për veprimtari
anti-jugosllave, vendosin që të takoheshin me te dhe të bisedonin për formimin
e organizatës. Metë Dërmaku edhe pse më herët kishte qenë i dënuar si armik i
popullit më 1947, dhe ishte dënuar me 5 vite burg të rëndë, ai përsëri pranon
që të punojë me ta dhe iu jep përkrahjen e plotë në të gjitha qëndrimet e tyre.
Po ashtu, Metush Krasniqi, në ndërkohë kishte krijuar lidhje edhe me referentin
e arsimit në Preshevë, me Marko Gashin. Me të kishte zhvilluar biseda lidhur me
organizatën ilegale dhe se nuk kishte pasur shumë nevojë për ta bindur atë për
padrejtësitë e shumta që iu bëheshin shqiptarëve, se për Markon këto të dhëna
nuk ishin të panjohura, e aq më tepër kur të flitet për trajtimin e popullit
shqiptar në Preshevë dhe në rrethinë. Njoftimin për formimin e një organizate
ilegale që do të punonte kundër Jugosllavisë dhe sistemit okupues të saj në Kosovë,
Marko e kishte prit me entuziazëm.
Pas
të gjitha këtyre takimeve e bisedave që kishte pasur me njerëzit që kishte
besim tek këta, fillimisht ai takohet me Sejdi Kryeziun, Metë
Dërmakun-Nuredinin dhe Marko Gashin. Sipas të dhënave që kemi del se organizatën
“Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” u
themelua në muajin qershor të vitit 1957, në fshatin Roganë (Rogaqicë). Takimi
është mbajtur në shtëpinë e Sejdi Kryeziut dhe në të kanë marrë pjesë: Metush
Krasniqi, Sejdi Kryeziu, Metë Dërmaku-Nuredini, Marko Gashi dhe Qemajl Kallaba.
Për këtë takim ishin bërë përgatitjet e duhura, ishin marrë masa të mëdha për
të mos rënë në sy nga të tjerët. Për mbledhjen e shumë pritur ishte caktuar
rendi i ditës me këto pika : 1. Leximi i referatit , të cilin e kishte
përgatitur Metush Krasniqi, 2. Leximi i disa poezive që i kishte shkruar vet
Metush Krasniqi, por edhe poezi të tjera , që kryesisht kishin përmbajtje
patriotike dhe nën 3. Sqarimi i një strukture organizative të një formacioni
ushtarak.
Në
referatin politik, ai kishte përfshirë periudhën që nga përfundimi i LDB e deri
më 1958. Në të kishin paraqitur qëndrimet dhe kishin bërë propozime për grupin.
Në të u fol dhe u konsiderua se shqiptarëve në Kosovë po iu shkeleshin të drejtat
dhe se ata nuk janë të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Kishin
folure shtruar për persekutimet,
arrestimet, torturat dhe pushkatimet që ishin kryer dhe po kryheshin ndaj
popullit shqiptar nga ana e “partizanëve” të Jugosllavisë, që nga lufta e deri
më sot. Ndërsa, për shpërnguljen e shqiptarëve baca thoshte se vet pushteti
jugosllav ka organizuar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, me të vetmin
qëllim që shqiptarët në Kosovë dhe në
Jugosllavi të mbetën pakicë në raport me popujt tjerë të Jugosllavisë. Ai
njëherë parasheh se shqiptarët do të jenë të lirë dhe të barabartë, do të kenë
flamurin e tyre, do të mësojnë në gjuhën e tyre, do të kenë pushtetin, administratën në duar të veta, do të kenë ushtrinë
e tyre dhe do të gëzojnë lirinë e plotë, vetëm atëherë kur Kosova do të jetë
pjesë e pandashme e Shqipërisë.
Rëndësi
të veçantë i kishte kushtuar formimit dhe aktivizimit të formacionit ushtarak,
duke iu treguar skemën organizative dhe në momentin e duhur do të vepronin me
qëllim të realizimit të qëllimeve të këtij grupi.
Pas
mbajtjes së takimit të parë, anëtarët e grupit ishin edhe më aktivë. Takoheshin
më shpesh dhe propagandonin në popull idenë e bashkimit me Shqipërinë dhe në
mënyrë indirekte iu tregonin se kjo jetë nën okupim është e padurueshme. Pas
një viti pune të frytshme konspirative, ftuan mbledhjen e dytë (korrik 1958),
duke e mbajtur në shtëpinë e anëtarit të organizatës- Marko Gashit në Preshevë.
Në të u diskutua për aktivitetin e organizatës dhe për angazhimin e personave të
rinj që kishin aderua në të. U bë fjalë gjithashtu për angazhimin sa më të madh
të anëtarëve në propagandimin e rezistencës, për sigurimin e mjeteve për
aktivitet propagandues, për hartimin, shtypjen dhe shpërndarjen e afisheve dhe
të proklamatave, për krijimin e lidhjeve
me ndonjë përfaqësi dhe përfaqësues të diplomacive të huaja që
ndodheshin në Shkup, me qëllim të përkrahjes dhe të ndihmës materiale, po ashtu
edhe të përkrahjes morale për punë dhe
organizim në kushte tejet të vështira.
Në
këtë mbledhje u bë edhe ndarja e detyrave në mes anëtarëve, si : Metush
Krasniqi mori për sipër që të mbulonte
sektorin e propagandës. Të shkruante sa më shumë parulla e trakte, t’i
shumëzonte ato dhe t’i shpërndante në fshatrat e Kamenicës, si në Hogosht e
Muçivërc, pastaj në fshatrat e Preshevës dhe në Bujanovc. Sejdi Kryeziut iu
caktua detyra për grumbullimin e
ndihmave vullnetare në të holla, me qëllim të blerjes së një shaptilografi, të
makinave të shkrimit etj. Marko
Gashi u obligua të vendoste kontakte me përfaqësi
të huaja diplomatike. Posa u caktua në këtë detyrë, Marko filloi aktivitetin e
dendur politik e diplomatik. Menjëherë kishte udhëtuar për Shkup dhe për
Prizren, me të vetmin qëllim që atje nëpër mes personave që i njihte, dhe në
bisedat e mëhershme i kishin premtuar për të vu kontakte me përfaqësi
diplomatike në Shkup e Beograd. Njëherë kishin planifikuar për qëllime
pune të takoheshin edhe me Legatën e
Shqipërisë që ishte e vendosur në Beograd. Për takimin me personelin e Legatës
ishte caktuar që të shkonte Metë Dërmaku-Nuredini.
Pas
përfundimit të mbledhjes, Metush Krasniqi mori përsipër që të hartonte tekstin
e një “proklamate” që do ta shpërndanin anëtarët e grupit në vende të ndryshme
të Kosovës. Nëpër mes “proklamatës”, ata iu bënin thirrje popullit shqiptar që
të ngritët në kryengritje kundër rendit okupues në Jugosllavi, dhe bashkimin e
Kosovës me Shqipërinë. Metush Krasniqi, veç këtyre dokumenteve kishte hartuar
edhe një referat politik mbi emigracionin shqiptar në Perëndim. Në të kishte
përfshirë politikën e jashtme të emigracionit dhe aktivitetin e tyre në luftën
kundër pushtetit jugosllav. Atdhetari Krasniqi, në mungesë të flamurit kombëtar
kuqezi, ai me dorën e vet kishte vizatuar shqiponjën dykrenore dhe e kishte
prerë duke e vënë si flamur gjatë mbledhjeve që i mbante në ilegalitet. Para
këtij flamuri të improvizuar jepej betimi i anëtarëve të organizatës dhe
anëtarët e saj merrnin pseudonimet në veprimtarinë ilegale.
Në
mbledhjen që u mbajt në Preshevë u mor edhe qëndrimi që të gjithë anëtarët të
kenë shifrën në letërkëmbimin e ndërsjellë; që të formoheshin grupe të vogla
veprimi në teren. Për njerëzit që do të
angazhohen në ilegale, ata duhet të jenë katërçipërisht të pakënaqur me
pushtetin dhe me gjendjen okupuese që
mbretëronte te populli shqiptar. Duhet të ishin njerëz të besueshëm dhe
atdhetarë të devotshëm. Në mbledhje ishte biseduar edhe për maskimin e
anëtarëve të grupit, me qëllim që gjatë veprimtarisë të jenë më të lirë dhe të
panjohur për rrethin ku kryenin veprimtari ilegale. po ashtu ata do të ishin
edhe më të sigurtë në shpërndarjen e trakteve, të bartjes së materialeve ose të ndonjë detyre tjetër të ngjashme. U
arrit qëndrimi që për anëtarët e grupit të siguroheshin edhe letërnjoftime
false në rast të ndonjë zbulimi nga ana e organeve të ndjekjes.
Dhe,
arrestimi i katërt ndodhi, më 03.11.1958, kur edhe ngritën Aktakuzën dhe i
nxorën para Trupit Gjykues në Gjyqin e Qarkut në Gjilan më 01- 07 mars të vitit
1959. Janë të njohura masat torturuese që i aplikonin hetuesit ndaj të
burgosurve politikë shqiptarë. Por masat që u përdorën ndaj Metush Krasniqit
dhe grupit të tij, ishin të veçanta. Në bazë të të dhënave vijmë në përfundim
se qëndresa e Metush Krasniqit ndaj torturave që i bënin udbashët ishte shumë e
fortë dhe asnjëherë nuk i kishte dhënë shokët pa marrë parasysh se çfarë masash
merreshin ndaj tij. Andaj edhe është e pritur se në këtë organizatë u zbuluan
vetëm 6 veta, edhe pse dihej se ajo kishte një numër të konsideruar anëtarësh.
Në hetuesi, qëndronte Metush Krasniqi me shpirt në dhëmbë, por çka ishte e
vërteta qëndronin edhe shokët e tij.
Masat
ndëshkuese nuk u aplikuan vetëm ndaj Metushit, ata nuk kursyen as të tjerët.
Duke e llogaritur mirë del se, Metush Krasniqi në hetuesi i kishte kaluar
gjithsej 18 muaj e 6 ditë në burgun e Gjilanit. Gjatë kësaj kohe torturat ndaj
tij ishin shtazarake dhe të tmerrshme. Ndaj tij dhe të gjithë atyre u përdor
dajaku, shkelmi, fyerja, thyerja e dhëmbëve, thyerja e brinjëve. U aplikua dhe
u përdorën masat e dhunës psikologjike, lëshimi i minjve në qeli, reflektimi i
dritave për të mos i lejuar që të flinin. Qëndrimi me orë të tëra në këmbë, por
edhe duke mos iu dhënë ujë të pijshëm. Me rastin e arrestimit të tretë, rrëfen
bacë Metushi se : “në burgun e Kamenicës më morën në pyetje tri ditë e tri net
rresht. Pastaj më sollën në burgun hetues në Gjilan dhe më futën në një birucë
të pistë e të errët. Katër muaj nuk më nxorën në dritë. Të ftohtit ishte i
padurueshëm e lagështia më kishte bllokuar kraharorin. Natën më merrnin në pyetje
dhe përdornin dajakun ndaj meje, më sillnin me kërbaç, me shqelma dhe me shufra
hekuri. Më rrihnin dhe më pyetnin për veprimtarinë time ilegale dhe të shokëve,
unë nuk folja, çile gur gojën, e guri gojë nuk kishte. Pas dërrmimit e
rraskapitjes, ata më hidhnin në birucë. Posa hyja aty më zinte gjumi, porse ata
nuk do të ishin udbash po të më linin që të flija. Mbi qeli kishin rregulluar
një sistem të çuditshëm të pikjes së ujit të ftohët akull në çdo dy-tre
sekonda. Posa mbyllja sytë, uji fillonte të mi lagte gjymtyrët e trupin dhe më
gjumë nuk mund të kisha. Ndërsa me rastin e katërt të arrestimit, në burgun e
Gjilanit, të burgosurit i kishin shkallmuar kërbaç. Familjarët kur i merrnin
rrobat e tyre u tmerronin duke i parë ato të mbuluara me gjak. Atyre iu hyri
frika se mos ndoshta do t’i mbysin aty, ngase nuk ishte befasuese se shumë të
burgosur shqiptarë nuk dilnin të gjallë nga qelitë e tyre.
Në
procesin gjyqësor, para trupit gjykues, Metush Krasniqi mohoi disa të dhëna që
i kishte dhënë në hetuesi, gjykatësi iu kundërvu duke i thënë, pse atëherë ke
thënë kështu e tani po e mohon. Ai siç ishte i patrembur, ngre këmbën e
pantallonave, dhe të pranishmit panë një skenë të llahtarshme, këmba iu ishte
bërë gjak e qelb dhe kishte ngelur vetëm asht e lëkurë, pas kësaj tregoi edhe
këmishën dhe nga të pranishmit u dëgjua një ofshamë e madhe. Trupi i Bacës,
ishte i larë në gjak. Gjykatësi heshti, ndërsa më vigjilentët ishin policët
serbë të cilët reaguan ndaj të pranishmëve duke iu thënë se po qe se edhe
njëherë reagojnë në këtë mënyrë do të zbrazin sallën.
Pas
marrjeve të gjata në pyetje, dhe pas torturave të mëdha që iu bënin të
arrestuarve në hetuesi, shëndeti dhe jeta e tyre ishte në rrezik. Të gjithë
anëtarët e organizatës që i kishin zbuluar edhe pse vepronin e punonin në
qendra të ndryshme jashtë Kosove, ata i grumbulluan dhe i sollën në burgun
hetues të Gjilanit. Sipas të dhënave thuhej se për Metush Krasniqin familja më
tepër se dy muaj nuk e kishte ditë se a është i gjallë a i vdekur. Vëllai i tij
Osman Krasniqi nëpër mes disa lidhjeve që kishte krijuar enkas për këtë rast, e
kishte zbuluar se Metush Krasniqi ndodhej në burgun e Gjilanit. Pas këtij lajmi
të gëzueshëm, të gëzueshëm i thënçin, familjarët fillojnë ta vizitonin dhe t’i
dërgonin ushqime e rroba të pastra. Në një rast kur gruaja e Metushit- Havisha,
ia kishte marrë për t’i pastruar rrobat e Metushit, që i kishin sjell nga
burgu, kishte ngel e shtangur, ngase rrobat e tij ishin krejtësisht të mbuluara
me gjak. E shqetësuar tej mase për jetën e burrit, i kishte treguar
kunatit-Osman. Me rrobat në duar Osmani shkon në Gjilan dhe kërkon që të
takohet me prokurorin publik të Prokurorisë së Qarkut në Gjilan. Prokurori
Tahir Ibrani e pranon, por kur dëgjon rrëfimin e vëllait të Metushit dhe kur
sheh se rrobat e tij ishin të lara në gjak, atij i shkojnë lotët dhe i premton
të vëllait se e vetmja mënyrë për ta shpëtuar nga këto tortura të mëdha ishte
që ta shpejtoj procesin gjyqësor ndaj tyre, ngase aty ku janë ai nuk kishte
kurrfarë mundësie që ta ndihmonte. Osman Krasniqi i ishte shumë mirënjohës për
këtë gjest të prokurorit. Dhe, nuk vonoi shumë u organizua procesi gjyqësor
ndaj anëtarëve të organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e
Tokave Shqiptare me Shtetin amë”.
Gjykata
e Qarkut në Gjilan, kolegjin gjyqësor e kishte caktuar nga këta persona :
kryetar ishte caktuar Ratomir
Patërnogiq, ndërsa gjyqtarët -Mustafë Hoxha dhe gjyqtarët porotë ishin Vehbi
Memeti, Sefë Sherifi dhe Tuna Tomiq, si anëtarë të kolegjit dhe procesmbajtës i
procesit ishte Slobodan Jeftiq. Aktakuzën nga Prokuroria Publike e Qarkut të
Gjilanit e paraqiti prokurori Tahir Ibrani. Ai e kishte mbajtur fjalën dhe e
kishte përshpejtuar procesin. Procesi gjyqësor filloi më 1-7 mars të vitit
1959.
Para
trupës gjykuese dolën atdhetarët e njohur të Anamoravës, por edhe më gjerë si:
Metush Krasniqi, mësues nga Shkupi, Marko Gashi, nëpunës i PPRr në Preshevë,
Sejdi Kryeziu, mësues nga Topanica e Kamenicës; Metë Dërmaku-Nuredini, bujk nga
Shipashnica e Epërme; Qemal Kallaba, mësues nga Strezovci dhe Memet Ajeti,
mësues nga Konçuli. Të gjithë këta atdhetarë akuzoheshin se kishin kryer vepër
penale politike nga neni 117, paragrafi 1 dhe 2, të LP ( bashkim kundër
popullit dhe shtetit), dhe të veprës penale mosparaqitja e veprës penale ose e
kryesit të veprës penale nga neni 280, paragrafi 1, i LP.
Ditën
e procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve, Kadrush Sylejmani e përshkruan kështu :
“Në orët e hershme të 1 marsit të vitit 1959, forca të mëdha policore e
rrethuan ndërtesën e Gjykatës së Qarkut, ku duhej të fillonte procesi gjyqësor
kundër Metush Krasniqit dhe shokëve të tij. Dera e sallës ku do të mbahej
gjykimi u hap në orën e caktuar. Anëtarët e
familjeve të të akuzuarve , pas kontrollit rigoroz, hynë në sallën e
gjyqit. Pas pak hynë avokatët-mbrojtësit e të akuzuarve, e mandej i sollën
duarlidhur të akuzuarit :Metush Krasniqin, Sejdi Kryeziun, Mark Gashin, Mehmet
Dërmakun-Nuredinin, Qemal Kallabën e Mehmet Ajetin, të shoqëruar me një dyzinë
policësh të armatosur me automatik e revole” Pasi kishin zënë vend të
pranishmit, erdhën gjykatësit dhe prokurori. Dhe pasi u krye procedura zyrtare,
prokurori lexoi aktakuzën dhe kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit të
dënohen “për veprimtari të inkriminuar të bashkimit kundër popullit e
shtetit...”
Në
procesin gjyqësor të mbajtur nga 1-7 marsi 1959, me aktgjykimin P. nr. 19/ 59
iu shqiptohet dënimi dhe shpalli aktgjykimin:
1.
Metush A. Krasniqi, mësus, ( 1926 ), Dajkoc, neni 117/ 1 LP. 7.03.1959. (18 vjet burg)
2.
Mark A. Gashi, nëpunës, ( 1912 ), Zhegër, neni 117 / 1 LP. 7 03. 1959. (10 vjet burg)
3.
Sejdi Z. Kryeziu, mësues, ( 1927 ), Rogaçicë, neni 117/ 1 LP.7. 03. 1959. (10 vjet burg)
4.
Metë N. Dërmaku , bujk,( 1907), Shipashnicë, neni 117/ 1 LP. 7.03.1959.
(2 vjet burg)
5.
Qemajl Kallaba, mësues, ( 1926 ), Rogaçicë,
neni 117/ 1.7.03.1959. LP. (1,6
vjet burg)
6.
Mehmet Ajeti, mësues, (1921 ), Zarbicë ,
neni 117/ 1 LP 7.03.1959. ( 1,6 vjet burg)
Pas
e kishte përfunduar burgun e katërt, ai nuk e ndali veprimtarin ilegale. Bacën, përsëri e burgosin për here të pestë
në nëntor të vitit 1969, pas demonstratave të vitit 1968! Akuzohej për
organizimin e Demonstratave dhe bashkëpunimin me organizatorët e demonstrative të vitit
1968. Por, në mungesë të fakteve e liruan ngase asnjëri nga organizatorët nuk e
zuri në gojë emrin e tij. Në realitet, bacë Metush Krasniqi, ishte ideolog i
Demonstratave të vitit 1968, dhe e kishte
bashkëpunëtorë të ngushtë Ismajl Dumoshin, nëpër mes të cilit takoheshin
edhe me të tjerë.
Se
puna e tij ishte në frymën e Bashkimit Kombëtar e vërteton edhe e dhëna se ai,
me 2, 3 e 4 shtator të vitit 1974, organizon një pritje të ngrohtë në shtëpinë
e vet, në Dajkoc të Dardanës, bashkë me Adem Demaçin, Mulla Ramë Govorin,
Hyrije Hanën, Ahmet Haxhiun, Selman Ramadanin, Fehmi Bajramin, Sylë Krasniqin,
Hazir Krasniqin. Në këtë takim ishin edhe Ilmi Ramadani, student, si dhe Emin e
Besnik Krasniqi, nxënës. Nga këto bisedime u arritë marrëveshja e Pajtimit, në
ide e në veprime, dhe u vendos që të vazhdohet Lufta Nacional Çlirimtare e
Kosovës e Viseve të tjera në ish-Jugosllavi vetëm me një “Platformë Politike
Kombëtare”, as të majtë e as të djathtë, nga i cili takim do lind edhe ”Lëvizja
Nacional Çlirimtare e Kosovës”, më 1974, dhe më vonë LNÇKVSHJ, më 1976/77.
Për
here të gjashtë e burgosin në prill të vitit1981, pas Demonstratave gjithë
popullore, e mbajnë 4 muaj të izoluar në burgun e Gjilanit. Gjatë qëndrimit në
burg, nga baca Metush Krasniqi, udbashët kërkonin që ta nënshkruaj një Kërkesë
për ta liruar nga burgu, mirëpo, ai pa hezitim iu ishte përgjigjur: kur më keni
burgosur ju, unë nuk bëra kërkesë për burgosje, por, ju më burgoset, andaj, po
ashtu duhet edhe të më lironi pa Kërkesë!. Pas daljes nga burgu Metush
Krasniqin e shohim duke bashkëpunuar me organizatat ilegale të Kohës dhe
bashkëpunimi me ta për ta arritur Qëllimin Themelor, për Themelimin e
Republikës së Kosovës, por kurrsesi të mos ndalet ideja e Bashkimit të Trojeve
Shqiptare me Shqipërinë.
Për
here të shtatë e burgosin më 04.11.1985 dhe e mbajnë në burg gjeri më
17.6.1986! Sa e mbajtën në burgjet e
Prishtinës e të Mitrovicës, atë e rrahin dhe e torturojnë në mënyrën më mizore.
Pasi e kishin rrahur e dërmuar për vdekje UDB-a më 16 qershor 1986, Bacën Metush e liron nga burgu por,
familjarët duke e parë gjendjen e rënduar, e dërgojnë në spital ku dhe ndërroi
jetë nga pasojat e dhunës e torturave çnjerëzore që kishin bërë udbashët mbi
trupin e tij. Jeta e tij e bujshme prej heroi u shua me 15.10.1986. U varrosur
në fshatin e lindjes në Dajkoc me nderime të larta ashtu siç e meritonte heroi
i Kosovës.