Speciale » Basha
Sabile Basha: Omer Çerkezi - Qëndresa e tij heroike për Shqipërinë Etnike
E hene, 29.01.2024, 08:59 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
OMER
ÇERKEZI- QËNDRESA E TIJ HEROIKE PËR SHQIPËRINË ETNIKE
(1919-
e mbytën në det 1954)
“Unë
bashkë me ju jemi duke e bërë detyrën që na takon, për popullin dhe atdheun nuk
duhet ta kursejmë as pikën e fundit të gjakut”
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Omer
Çerkezi, u lind më 3 qershor 1919, në Mitrovicë të Kosovës, nga babai Ibrahim
Çerkezi. Familja e Omerit ishin të kamur. Shkollën fillore e mbaroi në
vendlindje. Gjimnazin e kishte vazhduar në Shkup dhe e kishte mbaruar më vitin
1939. Në po të njëjtin vit ishte regjistruar në Fakultetin Bujqësor-Pylltarisë
në Zemun. Në universitet edhe kishte studiuar por edhe kishte punuar dhe kishte
marr pjesë në lëvizjet studentore përparimtare. Kishte qenë anëtar i udhëheqjes
profesionale, anëtar i këshillit aksionar të shoqatave të studentëve të
Universitetit të Beogradit. Anëtar i kryesisë të këshillit të Spanjës. Në fund
të vitit 1940, e deri në gjysmën e muajit mars 1941, kishte qenë i internuar në
llogoren e Smederevska Pallankës. Më tej, pas kapitullimit të Jugosllavisë
kishte qenë udhëheqës i LNÇ-së në rrethin e Mitrovicës. Ndërsa në muajin gusht të
vitit 1941 kishte kaluar në Kollashin të Ibrit për të formuar aradhet
partizane. Më 1942, në muajin korrik arrestohet nga forcat italiane, më vonë iu
dorëzohet forcave bullgare, dhe nga aty ik. Në fund të vitit 1942, ai kalon në
Bosnjë, dhe angazhohet përsëri në LNÇ në Banjallukë, pastaj kalon në Kozarë në
radhët e UNÇ-së dhe qëndron deri në ofensivën e VI.
Me
largimin e forcave partizane nga Bosnja, Omer Çerkezi kapet nga forcat gjermane
në fshatin Jabllan, dhe e depërtojnë në Gjermani. Pas çlirimit, në kampet
gjermane, Omer Çerkezi formon Këshillin antifashist të të liruarve jugosllav në
Gjermani. Aty ishte zgjedhur sekretar i këtij këshilli, në Bremen, te llogoret
“BASSUM”. Ky këshill merrej kryesisht me organizimin, transferimin dhe bartjen
e të gjithë të burgosurve që ishin nga ish-Jugosllavia. Pas çlirimit (1945), ai
përsëri kthehet në Kosovë dhe gjerë më 1948,e angazhuan në shumë funksione si
në Mitrovicë, ashtu edhe në Prishtinë. Ishte drejtor i gazetës së parë shqipe
“Rilindja” dhe në shumë funksione me përgjegjësi në Lidhjen e Sindikatave.
Dashuria
ndaj atdheut dhe bashkëkombësve të vet tek ai ishte vërejtur qysh herët.
Ndoshta edhe më herët se në vitin 1939, derisa ishte student i agronomisë në
Universitetin e Beogradit. Dihej se më 1938 në mes Turqisë dhe Jugosllavisë
nënshkruhej Konventa e njohur për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Por,
intelektualët e paktë e hetuan mashtrimin e politikës jugosllave, andaj ata më
të guximshmit reaguan hapur. Vlen të përmendët reagimi i studentëve shqiptarë
që studionin në Beograd. Studentët shqiptarë nënshkruan kërkesën kolektive, në
të cilën kërkohej anulimi i kësaj marrëveshjeje. Fillimisht kërkesën e kishte
shkruar e nënshkruar vetë Omer Çerkezi. Por, pastaj, kësaj kërkesë i bashkohen
edhe nënshkrimet e këtyre studentëve, si : Zenel Hajdini (Topallë, Medvegjë),
Meto Bajraktari (Mitrovicë), Abdullah Presheva (Preshevë), Shaip Mustafa
(Preshevë), Selim Selimi (Preshevë), Jahja Osmani (Vaksinë, Kumanovë),
Abdyrrahman Hajdarpasha (Gjakovë), Hivzi Sylejmani (Topallë, Medvegjë)), Aziz
Sylejmani (Tupallë, Medvegjë), Esad Ymeri dhe Mexhid Shala.
Siç
është veç e ditur, se për të qenë në ndonjë vend udhëheqës e të rëndësishëm
politik e partiak në Jugosllavin komuniste, pushtetarët aplikonin metodën
vertikale e horizontale të hulumtimit familjarë, vetëm e vetëm për të ardhur
deri të të dhënat biografike se sa besnik ishin dhe do të jen ndaj shtetit të
“ri komunist jugosllav”. Andaj, Omer Qerkezit, kurr nuk ia harruan dhe
asnjëherë nuk iu falën reagimin dhe nënshkrimin që e kishte bë kundër Konventës
për shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi.
Në
kohën kur Omer Çerkezi ishte në zenitin e famës, kur populli e donte, i besonte
dhe e respektonte, më 1948, në një dokument thuhej se, Pavle Joviqeviqi
kërkonte nga organet përkatëse që Omer Çerkezit, t’i ndërpritej dhënia e punës
dhe çdo aktiviteti tjetër politik. Që nga kulmi i fuqisë së tij, ky atdhetar u
desh që të shfytyrohej në vetëm pak ditë në një njeri të urryer nga pushteti.
Po në këtë kohë, Omer Qerkezi bashkë me shokët e idealit si: Xheladin Hana,
Rifat Berisha, Faik Pruthi, nuk qëndruan duarkryq, pa hezituar krijuan një
bërthamë organizative në Prishtinë, të
cilën e kishin quajtur “Fronti Kombëtar”, të legalizuar në kuadrin e Frontit
Popullor, e cila shërbente si maskim i të parit. Pas konstituimit të grupit,
anëtarët e saj u angazhuan që kjo organizatë të formojë degët e veta edhe në
qendra tjera në Kosovë. Një qendër e tillë u formua në Ferizaj më 27 shtator të
vitit 1948, në shtëpin e Idriz Kupinës, ku merrnin pjesë: Rifat Berisha,
Xheladin Hana, Ibrahim Muhaxheri, Rexhë Balaj, Vesel Rexhepi, Kurtesh Agushi,
Omer Çerkezi, Faik Pruthi, Muhedin Hadri dhe Hajdar Pruthi, qëllimi i së cilës
ishte sendërtimi i Programit të Lëvizjes Popullore për Bashkimin e Trojeve Shqiptare.
Pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje nuk e dinin se ishin të përcjell në çdo
lëvizje dhe në çdo hap, andaj, nuk ishte aspak e papritur kur edhe u bë
arrestimi i disave nga ata. U burgosën Faik Pruthi, Omer Çerkezi dhe Muhedin
Hadri. Duke e parë se çfarë po ndodhë me anëtarët e grupit, Ibrahim Muhaxheri e
Xhafer Vokshi kalojnë kufirin dhe vendosen në Shqipëri. Në ndërkohë organet e
UDB-es, Xheladin Hanën e vrasin
tinëzisht, ndërsa Rifat Berishën e likuidojnë s’bashku me vëllezërit e
tij. Nuk shkoj gjatë edhe Omer Çerkezi u ndodh prapa grilave duke i ngritur
aktakuzën nga prokurori Ali Shukriu, se ai kishte zhvilluar veprimtari kundër
popullit dhe kundër shtetit.
Pas
arrestimit të Omer Çerkezit (1948), udbashët kërkuan që ai të bashkëpunonte me
ta, t’i tregonte shokët. Ishte fyerje një sjellje e tillë ndaj atdhetarit,
andaj, ai ishte edhe më këmbëngulës në qëndrimet e veta. Kurrë dhe asnjëherë
nuk bashkëpunoi me ta, nuk i tradhtoi shokët dhe qëndroi stoik duke mbrojtur
edhe me jetë, aspiratën e idealin e tij dhe të të gjithë shqiptarëve për një
shtet gjithë shqiptarë.
Në
burgjet jugosllave ndaj tij u përdor dhuna që gjerë më atëherë nuk ishte
dëgjuar. Atë e rrahën me shkopinj gome dhe kondak dyfekësh, dhe thonjtë e
gishtave ia shkulën. E detyruan që të lëpinte kripen nga dyshemeja dhe nuk e
lejonin që të pinte një gllënjkë ujë. E përplasën në mes të ujit që ishte me
akull dhe mundoheshin me korrent elektrik t’i shtonin edhe më tepër të
dridhurat. Do duhej të përmendsha edhe torturat fizike; kërcënimin që iu bënte
se në burg do t’i futeshin edhe familjaret e tjerë. Udbashët në mënyrën më
perfide ndaj tij krijonin atmosferën psikologjike se ai përgjithmonë ishte i
humbur, dhe nuk kishte asnjë shans shpëtimi. Është interesante se në organet e
UDB-es, ishte si një lloj qëndrimi se sa më i lartë të kishte qenë pozicioni i
personit në shoqëri, ai edhe më barbarisht torturohej. E po, Omer Çerkezi,
ishte një njeri që kishte pasur funksione të larta në pushtet, e mbi të gjitha
kishte qenë edhe partizan, gati-gati kishte luftuar anë e kënd Jugosllavisë.
Ishte njeri që gëzonte autoritet dhe njerëzit e rëndomtë i besonin.
Do
t’i referohesha të dhënave që na i ofron një bashkëvujtës i tij i burgut, një
mik e atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare -Ali Aliu-Kelmendi, që së
bashku kishin përjetuar të gjitha katrahurat e burgut në Golli Otok. Nuk kemi
ndonjë të dhënë se sa vite e dënojnë me burg Omer Çerkezin, por miku i ngushtë
i tij- Ali Aliu, dëshmon se në burgun e
Goli Otokut qëndroi deri më 1951. Pas “lirimit”, lirim i thënçin, ai nuk
kthehet në Kosovë, por shkon në Beograd gjëja për të përfunduar studimet. Sipas
të gjitha gjasave dhe ngjarjeve që pasojnë më vonë del se Omer Çerkezin
asnjëherë nuk e liruan plotësisht, ngase hijet udbashe e përcillnin në çdo vend
ku shkonte ai. Nuk vonoi shumë pas dy viteve, më 1953, ata përsëri e arrestojnë
Omer Çerkezin, kësaj radhe për të mos
dal fare nga aty. Përsëri e akuzuan se ishte “armik i përbetuar i
shtetit”. Përsëri e hedhin në llogoren-burg, në Golli Otok. Torturat e dhuna ndaj
tij tani ishin edhe më të mëdha dhe më të egra. Në fillim ia thyen një bri, por
më vonë i thyen edhe këmbën e majtë e pastaj të djathtën, i thyen edhe duart e
kurrizin, pastaj i nxjerrin edhe sytë, e në fund edhe kokën ia përplasin për
gurë. Ashtu si një copë mishi, që e karakterizonin vetëm sytë me një shikim të
rreptë, qëndronte në një birucë i vetmuar. Të gjithë shokët e donin dhe ndjenin
dhembjen për të, porse ishte e pamundur që ta ndihmonin, shkruan baca Ali. Për
të vazhduar me një respekt të veçantë për të se “kur ne e admironim për
qëndresën heroike, ai nuk mburrej por vetëm shtonte “Unë bashkë me ju jemi duke
e bërë detyrën që na takon, për popullin dhe atdheun nuk duhet ta kursejmë as
pikën e fundit të gjakut”, dhe vërtet ashtu ndodhi. Udbashët e spiunët duke e
parë se Omer Çerkezi ishte i admiruar nga të burgosurit politikë, e sidomos nga
komuniteti shqiptarë, vendosën që ta likuidonin në mënyrën më mizore. Omer
Çerkezin, i cili pas një angazhimi titanik për të drejtën e vetëvendosjes për
shqiptarët në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, pas
LDB=së, ai arrestohej, dënohej dhe dërgohej në burgun famëkeq të Goli Otokut,
dhe më 1954, pasi e masakrojnë duke i thyer duart, pastaj këmbët, brinjët, e
duke i nxjerr sytë e hedhin në detin Adriatik për të humbur gjurmët e krimit.
Më
1954, fshehtas, në natën e zezë fut, e hedhin në ujërat e Detit Adriatik, për
të humbur gjurmët e krimi.
Jeta
e atdhetarit përfundoi në mënyrën më tragjike, ku së bashku me të u zhduk i
tërë dokumentacioni dhe shkrimet e tij prej poeti. Dosje të veçantë në Arkivin
e Kosovës nuk ekziston për të, përveç një fashikull, e cila dëshmon për shumë
të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tij prej luftëtari të paepur që u
angazhua deri në momentet e fundit të jetës, për një liri universale e mbi të
gjitha për të drejtat shqiptare, që pa dashjen e tyre u copëtuan dhe u ndanë
padrejtësisht.