Speciale » Basha
Sabile Basha: Haki Taha – Vdekje për tradhtarë, Liri për Shqiptarë
E hene, 05.02.2024, 09:00 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
HAKI
TAHA- VDEKJE PËR TRADHTAR, LIRI PËR SHQIPTARË
(1914-
e vranë më 14 mars, 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Patrioti i
madh Haki Taha, u lind në një familje atdhetare e arsimdashëse të Gjakovës, më
1914. Shkollën fillore e nisi në Gjakovë, për ta vazhduar në shkollën “Kosova”
në Krumë të Hasit në Shqipëri. Derisa ishte në vendlindje dhe në këtë qytet për
çdo ditë si fëmijë e përjetoi robërinë dhe e kuptoi se çfarë do të thotë të
jesh nën okupim. Babai i tij kishte dëgjua se në Krumë ishte hapur konvikti për
fëmijët shqiptarë që vinin nga Kosova e vende tjera shqiptare që ishin nën
okupim, andaj pa hezituar e dërgoi Hakiun për të vazhduar shkollimin. Pas
përfundimit të shkollës fillore, ai nuk u kënaq me aq. Gjimnazin
e ulët e përfundoi në Shkodër. Dhe, përsëri Hakiu vazhdoi të kërkonte shkolla
të tjera që të ecte përpara në fushën e arsimit. Ministria e Arsimit e
Shqipërisë i mundësoi regjistrimin në Shkollën Normale të Elbasanit, të cilën e
përfundoi në vitin 1939. Në këtë shkollë për mësimdhënie kishte profesorët më
të mirë të kohës. Nga ata mori mësimet por edhe dashurin për atdheun dhe për
letërsinë. Në shkollën Normale botohej revista “Normalisti”, ku Hakiu botoi
edhe shkrimet e para letrare. Në shkollë filloi të flitet për të, dhe për poezitë
atdhetare që i shkruante. Shkollën Normale e përfundoi me sukses të
shkëlqyeshëm. Po atë vit që u diplomua u emërua mësues në Shënavlash të
Shqipërisë. Sa punoi në këtë fshat, u njoh me shumë patriot dhe mbante lidhje të vazhdueshme me shumë poet të
njohur të kohës. Por për zemër e kishte Lazgush Poradecin dhe me te takohej e
bisedonin gjatë për poezinë e atdheun. Ishte antifashist i përbetuar. Ishte tej
mase i revoltuar kur Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë. Kjo e shtyri që të
mbante afëri me të gjithë ata që e luftonin fashizmin. Ndonëse antifashist për
nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare,
për shkak të mosbesimit ndaj bashkëpunimit me serbët e malazeztë. Por, as nuk u
hodh në luftë të drejtpërdrejtë kundër kësaj Lëvizjeje. Kështu, gjatë tërë
kohës së luftës mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt. Shok të
ngushtë e kishte Fadil Hoxhën dhe me te i ruajti raportet e mira deri më 1945,
kur e vrau Milladin Popoviqin.
Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha. Në ato vite, analfabetizmi në Kosovë ishte i madh, ndërsa dëshira e Hakiut ishte, që sa më shumë shqiptarë të mësonin shkrim leximin në gjuhën shqipe. Përsëri, ai, njeri i aksioneve që ishte, mori iniciativën bashke me mësuesit (shokët e shkollës), si: Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj, që të hapin kurse verore gjatë verës. Ata e përkrahën në qëllimin e mirë të tij. Në mënyrën më të mirë të mundshme organizuan kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe. Këto kurse ndikuan që të ngjallet ndër të rinjtë ndjenjat patriotike dhe frymën e atdhedashurisë. Ishte ndër organizatorët kryesor të demonstratës së 28 Nëntorit më 1941 që u mbajt në Gjakovë.
Ishte nacionalist i përbetuar se, mbi të gjitha e
donte Shqipërinë dhe të gjitha tokat shqiptare donte ti shihte në një shtet- në
një Shqipëri Etnike. Ishte veprimtar dhe njëri ndër themeluesit e Komitetit
Nacional Demokratik Shqiptarë së bashku me Halim Spahin, Ejup Binakun, Prof.
Selman Rizën, Qazim Bllacën, Hasan Remën, Tahir Dedën e shumë të tjerë.
Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit
dhe shumë i nderuar nga populli. Një meritë të jashtëzakonshme Haki Taha ka
edhe në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë. Në vitin 1942, kur Mustafa Kruja,
kryeministër i Shqipërisë, kishte vizituar Kosovën, Haki Taha ishte njëri nga
ata që i organizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat
fashiste të "liktorit", t'i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që
në Gjakovë të hapej Shkolla Normale. Kërkesën për hapjen e shkollës e kishte bë
nxënësi i gjimnazit të Prishtinës, Vehap Shita, të cilën gjithashtu e kishte iniciuar
dhe mundësuar pikërisht Haki Taha, atëherë mësues në Gjakovë. E pas kësaj kërkese,
kryeministri Mustafa Kruja, posa mbërrin në Tiranë, miraton vendimin që të hapet
edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, në Gjakovë. Një kohë të
gjatë, Haki Taha, u sëmur rëndë dhe mbeti i shtrirë në shtrat pothuaj deri në
ditët kur mori rrugën për në Prishtinë, ku edhe e gjeti vdekja në mars të vitit
1945.
Haki Taha e kishte njohur Enver Hoxhën, me të cilin
kishte pasur dy herë takime. Bile thuhej se në takimin e parë me Enver Hoxhën
kishte qenë i pranishëm edhe Milladin Popoviqi. Dhe mu nga ky takim, Hakiu njihej me Milladinin dhe me të më vonë kishte
pasur disa takime në Gjakovë dhe në Prishtinë.
Haki Taha, më 1944 ishte takua edhe me Bujar Hoxhën
kur ai me brigadat e UNÇ të Shqipërisë kishte ardhur në Gjakovë e Deçan. Me atë
rast Hakiu i kishte propozua Bujar Hoxhës që të bëhen bashke nacionalistë e
komunistë shqiptarë që të mbrojnë Kosovën e vendin nga robëria, ngase ai kishte
hetua se Kosova përsëri do të pushtohet dhe do të okupohet nga Serbia e
Jugosllavia. I kishte tregua se në Kosovë vepron Organizata Nacional
Demokratike Shqiptare, dhe se ajo do të luftoi deri në fund. I kishte dhënë
edhe programin e organizatës, të cilën e kishte lexua Bujar Hoxha, por në fund
ishin ndarë si miq pa marr asnjë premtim nga ky i dyti.
Më 1944/45, Haki Taha ishte në kontakt të vazhdueshëm
me nacionalistët e njohur. Kishte marr pjesë edhe në tubimin popullor në Carallukë, në të cilën kishte mbajtur një
fjalë. Në këtë fjalim ai kishte shpalosur programin e ONDSH-së, që ishte edhe
kërkesë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë sipas Rezolutës së Bujanit. Gjatë
këtyre viteve Haki Taha jetonte e vepronte intensivisht, gjendej gjithandej si
në Gjakovë, Prishtinë, Prizren. Takohej me nacionalist të përbetuar si me Haim
Spahin, Hajdar Planen, At Bernard Llupin, Luan Gashin, Osman Bunjakun, Imer
Berishën etj. Takohej me antifashist si Fadil Hoxhën, Sadik Tafarshikun, Qamil
Hoxhën etj. Ndërsa Ibrahim Hoxhën-
Sedllarin e kishte mik e shok si dhe me Enver Sudin.
Në qarqet e atdhetarëve bisedohej dhe shihej hapur se
Jugosllavia doli kundër vendimeve të Bujanit. Ende pa përfunduar lufta (1945), në Kosovë, Pushteti i Administrimit ushtarak në Kosovë u vendos në
kohën kur organet më të larta të PKJ-së
dhe të LANÇ-së, vendosën që Kosova, si
njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë nuk ishte
e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që qëndronin përpara tij.
Qëllimet e këtij pushteti ishin:
1.
Administrimi ushtarak synonte t’u
mohonte shqiptarëve arritjet dhe të
drejtat që kishin realizuar gjatë luftës,
2.
T’u impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të
Jugosllavisë së pasluftës.
3.
Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet
shpërthimin e pakënaqësisë tek
shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme
popullore,
4.
Të thyente rezistencën e popullit shqiptarë që kishin filluar në anë të
ndryshme të Kosovës.
5.
Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare që do ti vije në
ndihmë Kosovës, dhe
6.
Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për
luftimin e forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë.
Administrimi
ushtarak në Kosovë u vendos me 8 shkurt 1945, me propozimin e J.B.Titos dhe e
tërë kjo u konceptua edhe si riorganizim i formacioneve ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua me formimin e brigadave dhe të divizioneve të
reja, ndërmarrjen e masave për thyerjen sa më të shpejt të rezistencës në
Kosovë, që u organizua në disa pjesë të saj. Gjatë ekzistencës së pushtetit
ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin e kontingjenteve të të rinjve shqiptar nga
këto treva, të cilët për këtë shkak u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në
radhët e “brigadave të punës”. Rruga që përshkuan këta të rinj ishte shumë e
vështirë, për arsye të presioneve të shtabeve jugosllave.
Ndryshime
të shumta u bënë në organizimin e reparteve ushtarake, në kuadrin komandues të
këtyre reparteve dhe të seksioneve të shtabit të qarkut. Për drejtimin e tyre u
caktuan kuadro serbe e malazeze, të cilët në shumë raste u thirrën nga rajonet
e tjera të Jugosllavisë. Nga detyra u shkarkua Fadil Hoxha, i cili në këtë kohë
ishte komandant i Shtabit Kryesor, e më pas i Shtabit Operativ të Kosovës. Shef
i Shtabit Operativ për Kosovë u emërua Dushan Vukotiqi, i cili deri në atë kohë
kishte qenë zëvendës komandant i Divizionit të 46- të jugosllav. Shef i
prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq, i cili u dërgua nga Shtabi Kryesor i
Serbisë.
Mu
nga këto ndryshime që u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në
riorganizimin e ri nuk u emërua asnjë nga shqiptarët, vetvetiu kuptohet edhe
qëllimi i administrimit ushtarak. Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë
autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet ajo jepte përgjigje vetëm para Komandantit
Suprem. Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në Kosovë, gjenocidi ndaj
popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës së rëndomtë, populli
filloi të jetojë në ankth, për ditët që do të vijnë.
Ndërsa
me 19 shkurt 1945 (11 ditë pasi u vendos administrimi ushtarak), në Prishtinë,
OZNA dhe ushtarakët thirrën mbledhjen e Komitetit Krahinor të PKJ- së dhe morën
vendim që organizata partiake e Kosovës t’i bashkëngjitej organizatës partiake
të Serbisë. Për të gjitha këto ndërmarrje populli e as anëtarësia nuk pyetej
fare. Por, edhe sikur të pyeteshin, përfaqësimi i shqiptarëve në radhët e
PKJ-së ishte shumë i vogël. Nga kjo del se pas luftës aspiratat kombëtare të
popullit shqiptar në ish—Jugosllavi nuk u morën parasysh, por u shtypen me dhunë e terror. Udhëheqja e PKJ-së
dhe politika serbe i shfrytëzuan si marrëdhëniet që u krijuan ndërmjet PKJ-së
dhe PKSh-së ashtu dhe parullat për
“vëllazërimin, bashkëpunimin e internacionalizmin”, për realizimin e
qëllimeve të veta grabitqare ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar që u
manifestua edhe më vonë.
Haki Taha me
shokë e kishin kuptuar se e ardhmja e Kosovës do të rivendosej me dhunë,
pushkatime, masakra e dëbime masive të popullatës shqiptare nga trojet e
veta, ashtu edhe siç kishin filluar. Me qëllim për ta dhënë kontributin e vet,
ai kontakton disa qarqe partizane të besueshme si Xheladin Hanën, Ibrahim
Banush Sedllarin, Rifat Berishën e të tjerë dhe shfaq hapur kundërshtimin e tij
për masakrimin e Drenicës dhe vrasjen e kryekomandantit Shaban Palluzha. Për
këtë qëllim, pasi ishte konsultuar sidomos me Ibrahim Hoxhën - Sedllarin, ai
merr vendim për ta vrarë kreun komunist të Kosovës, sektarin e PK të PKJ
për Kosovë, Milladin Popoviq, i cili në dukje përkrahte partizanët shqiptarë,
por pas shpine realizonte projektet antishqiptare si ato të Vasa Çubrilloviqit,
Ivo Andriqit, Ivo Vukotiqit, Rankoviqit e shumë të tjerëve.
Haki Taha,
Milladin Popoviqin e vrau me 13 mars, në zyrën e tij, në ndërtesën e Komitetit Krahinor,
në Prishtinë. Pasi kreu atentatin ai doli nga ndërtesa pa u vërejtur, por
ndërkohë e kishin vërejtur duke ikur drejt Xhamisë së Madhe ku edhe ishte futur
në një shtëpi. Pas një rezistence, deri sa i kishin mbaruar fishekët, ishte
vrarë nga milicia serbe, në rrethim, në një pleme të një qytetari të
Prishtinës. Presioni, dhuna e terrori
serbe ndaj shqiptarëve në
përgjithësi, e i atyre të Kosovës në veçanti, erdhi edhe më tepër në shprehje
pas vrasjes së Milladin Popoviqi. Vrasja e Milladin Popoviqit, u mor pretekst për
fillimin e likuidimit të një numri të madh të kuadrove komuniste shqiptare të
Kosovës, në mesin e tyre, Ibrahim Banush Hoxha i Sedllarit, pastaj Xheladin
Hana nga Gjakova, më vonë Rifat Berisha nga fshati Berishë e shumë të tjerë. Po
ashtu vrasja e Milladinit u mor pretekst edhe për likuidimin e mijëra shqiptarëve
të mobilizuar në brigadat, batalionet e divizionet e armatës jugosllave që i
nisën në Drejtim të Tivarit e Dalmacisë dhe të tjerët që i nisën në drejtim të
Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë.
Në
të gjitha këto vite, dekadë pas dekade, shqiptarët përjetuan dhunë politike,
dhunë shpirtërore e dhunë materiale. Të gjitha këto forma të dhunës barbare
serbe, kishin objekt represionin fizik e shpirtëror, kishin shtypjen e
substancës shqiptare, ndjenjave kombëtare dhe vlerat shpirtërore e njerëzore të
tyre, me të vetmin qëllim përmbajtjesor, dëbimin dhe pastrimin etnik të
shqiptarëve nga këto troje. Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër
shqiptarëve e Shqipërisë ishin shkrua në kohët më të hershme të periudhave
historike, por që duket gjithmonë aktual, nëse e gjykojmë se çka ka ndodhur në
Kosovë dhe në Jugosllavi përgjithësisht edhe në vitet e më vonshme, duke u
nisur edhe nga vitet 1968, 1981, 1989
dhe me luftën e fundit në Kosovë 1999. Megjithatë aplikimi i tyre vije në
shprehje sidomos pas Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke
bërë gjenocid dhe krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u
aplikuan në mënyrat më perfide, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u
përfshi edhe Akademia e Shkencave e Arteve Serbe, duke shkrua dhe specifikua si
dhe në çfarë mënyre duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre shkruhet
në të gjitha programet e elaboratet serbe të kohës.
Për vrasjen
e Milladin Popoviqit janë ngritur shumë dilema dhe janë dhënë shumë versione
të ndryshme. Por ekziston edhe një dokument i CIA-së, ku thuhej se “Dusan
Mugosa dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Miladin Popoviç, këta dy serbë, janë
kryesisht përgjegjës për disfatën komuniste prej shqiptarëve të Kosovës. Kthimi
i Jugosllavisë në Kosovë dhe politikat të cilat ata i paraqitën hasën në një
përgjigje të shkurtër por të butë. Më 14 mars 1945, Haki Taha, një mësues,
ekzekutoj Popoviqin në Prishtinë. Si rezultat i kësaj, Taha u arrestua, u
ekzekutua dhe u tërhoq zvarr nëpër rrugë, ai mbante një sllogan në gjoksin e
tij: “Vdekje tradhtarëve” dhe “Liri për shqiptarët”.
Komunistët sllavë u hakmerren për vdekjen e Popoviqit, duke vrarë 1.600
shqiptarë të Kosovës nga pjesëtarët e brigadave komuniste të stacionuara në Bar
të Malit të Zi, siç njihet si “Masakra e Tivarit”. Ky dokument, na zbulon edhe diçka shumë të rëndësishme, që në
historiografi njihej ndryshe. Në shumë shkrime e dokumente thuhej se pas
ekzekutimit të atentatit, Haki Taha vrau vetën për të mos ra në duar të
okupuesit. Ndërsa Dokumenti i CIA-së, thotë se “Si rezultat i kësaj, Taha u
arrestua, u ekzekutua dhe u tërhoq zvarre nëpër rrugë...”.
Si do që të jetë, mendoi se
e vërteta është e vërtet se nacionalisti e atdhetari i madh Haki Taha e vrau
Milladin Popoviqin i cili para shqiptarëve paraqitej si internacionalist dhe
“Vëlla “ i shqiptarëve ndërsa pas shpine realizonte projektet
antishqiptare.