Speciale » Basha
Sabile Basha: Rexhep Elmazi - Edhe sikur të më vrasin, nuk do të heq dorë nga liria e vendit tim
E marte, 27.02.2024, 09:35 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
REXHEP
ELMAZI- EDHE SIKUR TË MË VRASIN, UNË NUK DO HEQ DORË NGA LIRIA E VENDIT TIM
(1938-
u vra me 16 maj 1978)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Rexhep
Elmazi u lind më 3 janar 1938, në
fshatin Malishevë, komuna e Gjilanit. Vinte nga një familje mesatarisht e
kamur, por pasuria për ta nuk ishte gjithçka, ata bënin një jetë të qet dhe
tepër modeste. Skamjen e robërinë e urrenin, por edhe në këto kushte të
vështira të jetës donin të shkollonin djalin e tyre, që e donin shumë. Rexhep
Elmazi lindi në kohën kur mbretërisë jugosllave po i ofrohej fundi. Me fillimin
e Luftës së Dytë Botërore, kapitullon Mbretëria jugosllave dhe Kosova pushtohet
nga italianët, gjermanet dhe bullgaret. Andaj, Rexhep Elmazi pati një fëmijëri
që e përcolli lufta dhe varfëria ekonomike por edhe rezistenca gjithë popullore
për të formuar një Shqipëri Etnike. Gjatë katër viteve të luftës, Kosova doli e
shkatërruar dhe më 1945, u fut në një fazë të re të okupimit mbi 50 vjeçar.
Duhet thënë se, menjëherë pas përfundimit të LDB-së, dhe ri okupimit të
Kosovës, nga ana e serbëve dhe malazezve filluan të grisen maskat. Ata,
urrejtjen dhe luftën kundër shqiptarëve e manifestonin pa ngurrim. Filluan
ngadalë, të zhdukeshin e të vriteshin atdhetarët të cilët kishin rezistuar
kundër okupimit. Likuidimet e shqiptarëve kishin filluar hapur. Bandat
çetnike bënin kërdinë tek popullata e
pafajshme shqiptare. Me të madhe kishte
filluar të realizohej memorandumi i Vasa Çubrilloviqit.
Kosova
më 1945, po përjetonte natën e Shën Bartolomeut. Më 8-10 korrik 1945, në
Prizren u mbajt Kuvendi i Prizrenit, ku edhe zyrtarisht Kosova u aneksua nga
ish-Jugosllavia dhe Serbia. Lajmi, për aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë,
tek nacionalistët shqiptarë u prit me indinjatë. Shumica prej tyre mospajtimin
me këtë e shprehen hapur, dhe mu për këtë, pushteti i “ri”, mori masa të rrepta
kundër tyre. Shumë prej tyre u arrestuan, por pati nga ata, të cilët i
likuiduan tinëzisht.
Shtypja
dhe presioni nga pushteti njerkë ishte shndërrua në përditshmëri. Edhe në
fshatin Malishevë ndjehej kjo barbari. Malisheva është një fshat në komunën e
Gjilanit, 3-4 km. në juglindje të Gjilanit. Fshati ka disa lagje që kryesisht
janë të banuar me shqiptar, por ajo që duhet përmendur është se në një lagësi
prej 1.5 km, në veri-lindje të fshatit, gjendet lagjja (mëhalla) e Muhaxhirëve.
Kjo lagje ka qenë e banuar me popullatë të ardhur nga vendbanimet shqiptare të
Vilajetit të Nishit në vitin 1877/78, të cilët me punën e madhe të tyre e kanë
shndërruar malin në tokë të pëlleshme të bukës. Po më 1956, nga presioni i
aksionit për grumbullimin e armëve, shumica e tyre janë shpërngulur për në
Turqi dhe në tokat e tyre janë vendosur kolonët serb e malazez. Si zakonisht,
që ka ndodhur me këta ardhacak, rreth viteve 1950-60, këta kolonë e kanë shitur
këtë pasuri të dhuruar nga Reforma agrare dhe sërish e kanë blerë shqiptarët e
ardhur nga Gallapi i Dardanës. Kolonizimi i Kosovës me banorë joshqiptarë,
kryesisht me serbë , ishte një proces, i cili ishte realizuar me plan nga
qeveria beogradase në periudhën mes dy luftërave botërore. Shpërnguljet pas
Luftës së Parë Botërore e në vijim për Kosovën kanë pasur përpos karakterit
ekonomik edhe karakter politik e strategjik. Për çdo komunë të Kosovës para
vitit 1940 mesatarisht kanë imigruar nga 2536 imigrues. .Komuna e Gjilanit ka
qenë në këtë mesatare , në krahasim me Prishtinën, Ferizajn, Mitrovicën, Pejën
etj., që kanë pas imigrues mbi mesataren
e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe më pak të imigruar ka pasur në komunën e
Dragashit, Kaçanikut dhe Leposaviqit etj.
Andaj,
duhet shtuar se në këto kushte të pa kushte, u rrit Rexhep Elmazi, i cili gjatë
tërë rritës së tij u përball me të gjitha padrejtësitë e mundshme që bënte një
okupator ndaj popullit që nuk e trajtonte të barabartë me veten e tij.
Menjëherë
pas luftës së Dytë Botërore, ndaj familjes së Rexhep Elmazit, zullumi dhe
presioni shtohej dita më ditë, andaj një ditë vendosën që të shpërnguleshin nga
fshati, por fillimisht vendosen në Gjilan, për të vazhduar pasja në karvanin e
gjatë të shqiptarëve që shkonin për Turqi. Të ikësh nga atdheu e vendlindja nuk
ishte e leht, po në të njëjtën kohë nga qarqet intelektuale shqiptare të kohës
ishte marr një fushat që të pengonin shpërnguljen, Kjo ndodhi edhe me familjen
Elmazi e cila hoqi dorë për të mos shkua në Turqi. Ata vendosën që të qëndronin
në Gjilan dhe mu nga kjo del e dhëna biografike se Rexhepi shkollën fillore e
mbaroi në Gjilan, në shkollën “Musa Zajmi”. Po ashtu i vazhdoi edhe mësimet në
shkollën e mesme po të këtij qyteti. Ai dallohej nga shokët e gjeneratës ngase
ishte i urtë, i kujdesshëm me të tjerët dhe mësonte shumë. Mësuesit e
lavdëronin para shokëve dhe shkrimet e
tija lexoheshin nga klasa në klasë. Poeti i ardhshëm, filloi të shkruaj vjersha
fillimisht për fëmijë, të cilat botoheshin
në “Rilindjen për fëmijë”, pastaj në revistën “Zëri i Rinis”, në
revistën letrare “Jeta e re” dhe në të gjitha gazetat e revistat shqipe, që
botoheshin në atë kohë në Jugosllavi.
Gjatë
shkollimit pati fatin të njihet me shumë të rinj përparimtar, të cilët jeta në
okupim ishte një padrejtësi e madhe historike dhe një ankth i vërtet. Ata
mendonin se të rrish duarkryq në këtë kohë, ishte gabimi më i madh historik,
andaj menduan që të bënin diçka. Kishin dëgjua se anë e këndë Kosovës po
vepronin grupe e organizata ilegale shqiptare që po angazhoheshin për bashkimin
e Kosovës me Shqipërinë. Kishin rënë në kontakt me shumë atdhetar të kohës. E
njihni mësuesinë nga Dajkoci atdhetarin e njohur Metush Krasniqin, kishin
dëgjua për profesorin Ymer Berishën, ishin bashkë ndjerë me fatin e shumë
atdhetarëve që i kishte likuidua OZN-a famëkeqe.
Gjatë
viteve të terrorit e të dhunës, më 1962 në Gjilan, ishte formuar një organizatë
ilegale “Mujo Ulqinaku”, e cila udhëhiqej nga poeti Rexhep Elmazi. Organizata
në programin e saj kishte si qëllim suprem angazhimin dhe luftën për çlirim dhe
bashkim kombëtar. Brenda dy viteve sa veproi organizata , anëtarët e saj e që
ishin kryesisht të rinj kishin kryer disa aksione në Gjilan e rrethin siç
ishin: Shkrimi dhe shpërndarja e parullave të shumta, kishin ngritur flamujt
kombëtar dhe kishin shpërndarë në shumë lagje e fshatra shumë afishe.
Po
ashtu, në vazhdën e shumë organizimeve ilegale atdhetare, duhet përmendur se më
vitin 1963, në Kosovë formohet edhe një organizatë tjetër atdhetare me emrin
“Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e udhëhequr nga atdhetari i
njohur Adem Demaçi. Mendoi se ky organizim ilegal në kuptimin e plotë të fjalës
e meriton që të quhej lëvizje, ngase si në aspektin vertikal po ashtu edhe në
atë horizontale i plotësonte të gjitha kriteret që e karakterizojnë një lëvizje
politike. Se nën 1. LRBSH-ja ishte organizata më e njohur e kohës që kishte
ndikim të pamohueshëm dhe programin e saj e kishin miratuar dhe përvetësuar
edhe disa organizata ilegale më pak të njohura. 2. Numri i anëtarëve ishte i
konsiderueshëm ngase pas formimit të komiteteve të qyteteve të LRBSH-së në Prishtinë,
në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup dhe në Stamboll,
parashihej që të vazhdohej me formimin edhe të komiteteve të tjera më të vogla;
3. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve për një kohë të shkurtër
do të ketë programin politik të saj po ashtu edhe Statutin, dhe, kjo bëri që
LRBSH-ja të jetë një lëvizje që i karakterizonin të gjitha lëvizjet e mëdha.
Andaj,
si imperativ i kohës ishte shtruar domosdoshmëria që të shkruhej Statuti dhe
Programi i Lëvizjes. Pas konsultimeve paraprake të kryetarit të LRBSH- së , me
anëtarët e tjerë të Komitetit Revolucionar në nivel të vendit, fillojnë
përgatitjet që t`i hyhet kësaj pune me shumë interes. Për t`i ikur përcjelljes
nga Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe UDB-ja, u propozua që të shkohet në Pejë.
Kryetari i Lëvizjes Adem Demaqi në bashkëpunim me Ramadan Shalën bëjnë
përpilimin e dokumenteve.3
E
veçanta e këtij programi ishte se kishte dy pika kryesore në të cilat
prezantohet karakteri i luftës së kësaj lëvizjeje ishte me: 1. Karakter të
bashkimit kombëtar dhe 2. Karakter të çlirimit kombëtar. Por në katër pika të
tjera ishte përfshirë plotësimi i kushteve themelore, që po ashtu kishin
vazhdimësinë nga kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: 1. Me qenë i
bashkuem territorialisht; 2. Me pas nji treg të përbashkët ekonomik; 3. Me pas
nji gjuhë të përbashkët letrare; 4. Me qenë i përshkuam nga ndjenjat e
dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror.
Programi
politik i LRBSH-së veç që ka rëndësi historike, duhet shtuar se ai kishte
vizion gjë që edhe sot ka rëndësi aty-këtu aktuale.
Më
1964, në muajin prill, organizata “Mujo Ulqinaku”, me propozimin e udhëheqësish
të organizatës LRBSH-së, respektivisht pas kontaktit që kishte Rexhep Elmazi me
Zeqir Gërvallën dhe pas njohjes me programin e organizatës anëtarët e Gjilanit
me një qëndrim unanim vendosin që t’i bashkohen organizatës më të madhe që
degët e saja i kishte në tërë Kosovën. Komiteti Revolucionar i LRBSH-së më vonë
do ti emëroj udhëheqësit e disa qyteteve dhe territoreve të Kosovës. Për
kryetar të Komitetit të Prishtinës do të caktohet Kadri Kusari, për Gjilan
Rexhep Elmazi, për Mitrovicë Zeqir Gërvalla, për Pejë Ramadan Shala, kurse për
territorin e Drenicës Fazli Grajçevci. Gjithashtu, në këtë mbledhje themeluese,
vendoset që kryetar i lëvizjes të jetë Adem Demaçi, organizata të quhet
“Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” dhe caktohet anëtarësia
mujore për anëtarët e LRBSH-së në lartësi prej 500 dinarësh.
Komitetin
e ri të organizatës të sapo formuar, siç duket në bazë të dokumenteve e udhëheq
përsëri Rexhep Elmazi, duke bërë edhe anëtarësimin e shumë studentëve e
nxënësve nga Gjilani. Posa formohet komiteti fillohet edhe me aktivitete të
shtuara. Merret qëndrimi që më 12 e 13 prill 1964, në Gjilan të ngritin flamujt
kombëtar gjithsej pesë copë nga Rexhep Elmazi, Fehmi Elmazi, Isa Bajrami dhe
Abdyl Qerimi. Në komitet për aktivitetin e treguar dallohen: Rexhep Elmazi,
Fehmi Elmazi, Isa Bajrami, Abdyl Qerimi, Beqir Musliu, Isa Azizi, Elmaz
Bajrami, Mehdi Bajrami, Rafet Bajrami, Gani Ahmeti, Shefki Hoda, Vehbi Hoda
etj.
Më
31 maj 1964, Komiteti i LRBSH-së në Gjilan mbajti edhe një mbledhje në të cilën
u konstituan organet udhëheqëse të saja. Rexhep Elmazi, zgjidhet kryetar i
Komitetit të Gjilanit dhe merr pseudonimin “Luli”, Isa Bajrami, zgjidhet
sekretar, dhe i vejn pseudonimin “Koka”, Abdyl Qerimi , emërohet sekretar për
informim dhe merr pseudonimin “Shyti”
dhe Fehmi Elmazi, emërohet
arkatar dhe mer pseudonimin “Hakiu”.
Ç
‘është e vërteta, komiteti i Gjilanit veproi shumë shkurt, por bije në sy
aktiviteti i dendur i anëtarëve të saj, vetë disiplina dhe angazhimi i madh në
kryerjen e aksioneve të ndryshme. Komiteti u zbulua shpejt dhe shumë anëtarë të
saj u dënuan me shumë vite burg. Rexhep Elmazi arrestohet me 8 qershor të vitit
1964. Më 10 e 11 gusht 1964, u organizua procesi gjyqësor kundër anëtarëve të
këtij komiteti.
Rexhep
Elmazi u dënua me 9 vite burg të rëndë,
Fehmi
Elmazi me 4 vite burg të rëndë,
Isa
Bajrami me 7 vite burg të rënd dhe
Abdyl
Qerimi me 3 vite burg të rëndë.
Pas
vuajtjes së dënimit, ai lirohet nga burgu i Pozharecit, më 8 nëntor të vitit
1968. Pas burgut Rexhep Elmazi kryen Fakultetin Filozofik-drejtimi i Gjuhës dhe
letërsisë shqipe në vitin 1975, por për shkak të “lustracionit “ në biografinë
e tij ai detyrohet të punon si përkthyes. Meqë pushteti i atëhershëm Rexhep
Elmazin e konsideronte si personalitet të rrezikshëm për regjimin, atij i
kurdisen plot kurthe dhe më 16 maj të vitit 1978 edhe vritet mizorisht në
rrethana që shërbimi sekret e kualifikoi me "maskim".
Dhe,
ishte krejt e pritur se në një sistem totalitar siç ishte Jugosllavia, që të
vërehen, që të survejohen dhe që të hetohen poetet siç ishte Rexhep Elmazi,
Beqir Musliu e shumë të tjerë. Duhet thënë se qysh në shkollë të mesme ata që
ishin dhe punonin kundër sistemit të instaluar okupues në Kosovë, u morën në
biseda informative, u malltretua dhe u burgosën e disa nga ata edhe u likuiduan
fizikisht. E sot, mund të shprehemi edhe kështu se disidenca e par e klasës
politike okupuese ishin patriotet e shumtë dhe ishin, pikërisht poetët.
Poetet
ishin ata që me një gjuhë tjetër e shprehen urrejtjen ndaj robërisë dhe
dashurin e madhe ndaj lirisë. Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e
përdorura në shkrimet e tij, atë menjëherë e kishin renditur në rangun e
shkrimtarëve të rebeluar që nuk ishte i kënaqur me rrethanat që mbretëronin por
në anën tjetër paraqitej si një i ri me një talent të theksuar dhe të dalluar.
Ata në këto katrahura e vorbulla të historisë nuk kursyen as jetën. Andaj,
sistemi komunist jugosllav i frikësohej tej mase zërit të poetëve, ndaj kishte
vendosur të përdorte grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre punëtoret e
UDB-es dhe hetuesit e shumtë për t’i ndjekur ata. Në ish-Jugosllavi, nuk
dënoheshin vetëm poetët e shkrimtarët, por në të dënoheshin edhe veprat e tyre,
madje përdhoseshin edhe varret ku preheshin eshtrat e tyre. Kush zinte në gojë
emrat e “poetëve antijugosllav” kryente një herezi të madhe e mund të
përfundonte në biruca, pa gjyq. Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i
tmerrshëm dhe rrëqethës. Vendi ishte kthye në një Had të vërtet e të
llahtarshëm. Nëpër këtë rrugë kishin kalua shumë penda të ndritura të letërsisë
shqipe si: Adem Demaçi, Fazli Grajqevci, Rexhep Elmazi, Hydajet Hyseni, Zeçir
Gërvalla, Bajram Kosumi, Sabit Rrustemi, Hajdin Abazi, Dibran Fyelli, Arif
Demolli, Bedri Zyberaj e shumë të tjerë. Lista e poetëve të dënuar e të
përndjekur është e gjatë, tmerrësisht e gjatë. Dënimet kapitale që u
shqiptoheshin ndaj tyre, shpesh i linte vendin vrasjes apo burgimit të
përjetshëm. Në fund të fundit, ishte po e njëjta gjë. Mbyllur në qelitë e
kobshme, Adem Demaçi, e shumë poet të tjerë të burgosur lanë nëpër birucat e
burgjeve anë e kënd Jugosllavisë, vitet më të bukura të jetës, duke u kthyer në
shtëpi me kockat e mplakjes dhe vragat e torturave mizore. Shumë prej tyre
s’arritën ta gëzonin as lirinë e vonuar.
Rexhep
Elmazi kishte ndikim të madh tek dashamirët e krijimtarisë letrare në Gjilan,
dhe disa penda të njohura të letërsisë shqipe e konsiderojnë si baba të
letërsisë për Gjilan dhe Anamoravë. Gjatë punës si përkthyes në Entin e
Sigurimit Social në Gjilan, vazhdoi krijimtarinë poetike dhe librin e parë me
poezi “Frymëmarrje” e botoi, më (1972).
Ndërsa pas vdekjes, shokët e tij ia përgatiten dhe ia botuan veprën e dytë me
poezi që e titulluan “Fryma”, më (1994).
Ndërsa,
studiuesi Tahir Arifi, më 2008, mbrojti me sukses në Universitetin e
Prishtinës, temën e magjistrature që ia kishte kushtua veprimtarisë krijuese të
poetit Rexhep Elmazit me titull: "Poezia e Rexhep Elmazit”. Siç dihej në
këtë segment jete Rexhep Elmazi jetoi pak, por edhe pse jetoi pak, këtë e jetoi
aktivisht dhe pas vete la një opus të pasur letrar. Pas vrasjes pushtetarët gjatë bastisjes në
familjen e tij, shumë shkrime me qëllim ia kishin asgjësuar. Se udbashët edhe
pas vdekjes atë e llogarisnin si njeri të rrezikshëm dhe ia kishin frikën. Sot,
në Gjilan, një shkollë fillore, në shenjë nderimi mban emrin e tij “Rexhep
Elmazi”.