Speciale » Basha
Sabile Basha: Shaqir Ali Keçmezi - Kosova do të bashkohet me Shqipërinë
E enjte, 14.03.2024, 09:22 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
SHAQIR
ALI KEÇMEZI “SHAQA”- KOSOVA NJË DITË DO TË BASHKOHET ME SHQIPËRINË DESHI O
S’DESHI JUGOSLLAVIA
(1927-
e mbytën më 28 nëntor 1968)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Shaqir
Ali Keçmezi ishte i lindur më 1927, në fshatin Koretin, Komuna e Dardanës (Ish-Kamenicë),
nga babai Ali dhe nëna Humë, e lindur Kryeziu (Roganë). Ishte i pa martuar. Merrej me bujqësi dhe
vinte nga një familje mesatarisht e kamur. Qysh në rinin e hershme ai kishte
përjetuar dhunë e terror që kishte ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore
(L.D.B). Po ashtu mu në këtë kohë ai bie në kontakt me shumë të rinj
përparimtar dhe atdhetar. Njihej me Qemajl Kallabën, ngase dajat i kishte në
Roganë dhe takohej shpesh me të, po ashtu edhe me Ismet Dërmakun, ngase ai,
vinte shpesh në fshat tek kushërirat që
ishin të martuar për dy kushëri të Shaqir Keçmezit.
Gjatë
Luftës së Dytë Botërore, në Anamoravë, pikërisht në fshatin Koretin të
Kamenicës, flitet për trimërinë dhe ndihmën që iu kishte dhënë fshatarëve Fuat
Dibra, gjatë një ploje nga ana e bullgarëve. Tregonte gjyshja ime- Huma Keçmezi
se si bullgaret kishin hy në fshat dhe kishin marr të gjithë burrat e fshatit
për ti pushkatua tek xhamia e fshatit. Në mesin
e fshatrave ndodhej edhe Shaqir Keçmezi, s bashku me babain e vet Aliun.
Në ndërkohë, në fshat ia behin forcat e Fuad Dibrës dhe gratë e fshatit i dalin
para dhe i tregojnë se burrat i kanë grumbullua dhe në çdo moment pritet ti
pushkatojnë bullgaret. Tregojnë se me një shpejtësi prej vetëtime dhe me një
mllefi të pa parë e rrethojnë fshatin, bullgaret e mjerë dorëzohen, ndërsa
burrat e fshatit, kthehen në shtëpi. Për të falënderuar kolonelin Fuad Dibrën,
për shpëtimin e fshatarëve, ato përgatisin ushqime dhe iu japin me vete, në
këtë mënyrë shprehin falënderimin e tyre të thellë, ndaj Kolonelit dhe
ushtarëve të tij. Pasi i shpëtojnë pushkatimit, Shaqir Keçmezi iu ofrua
kolonelit dhe e luti që ta merrte me veti si luftëtarin e tij. Ai nuk pranon,
ngase i dukej tepër i ri, por megjithatë i premton se një ditë do të kthehej
dhe do e marri me vete. Në ndarje me djaloshin e ri, nga ai kishte kërkua që ta
dojë vendin dhe ta mbroj me çdo kusht. Shaqir Keçmezi i kishte premtua se do e
vazhdoi rrugën e tij. Thellë në vete u betua se do ec gjurmëve të këtij trimi
dhe ashtu ndodhi. Nga ajo ditë ai u angazhua që të vepronte kundër bandave
çetnike- partizane, duke veprua në ilegalitet me shokët e idealit.
Duke
u larguar nga aty, Fuat Dibra me ushtaret e tij, gjyshja e kishte pyet se prej
nga ju kemi o trim, ai i tregon se ishte nga Shqipëria. “Nga larg paske ardhur
o bir”, i thotë gjyshja me dhembshuri dhe me një krenari për kolonelin.
Koloneli trim, Fuad Dibra duke e falënderuar për ushqimet e shumta që iu kishin
përgatitur, dhe i entuziazmuar për shpëtimin e fshatarëve ia kthen “Oj loke, po
Kosovë e Shqipëria jemi një”. Shpesh në netët e vona më fliste gjyshja për të,
dhe me krenari thoshte, ai ishte si luan, i guximshëm dhe i pa trembur nga
askush. “Bullgaret e frikësuar e lutnin që tu falte jetën dhe për çudi i fali”
mbyllte tregimin gjyshja ime.
Atdhetari
i ri nga Koretini, ishte takuar edhe me Lam Breznicën, dhe mu nga ai kishte
dëgjua se në fshatrat e Kamenicës vepronte një komitet ilegal dhe ai pa
hezituar ishte ofrua që të punonte për të mirën e popullit të vet. Ishte
angazhua që në fshatrat për rreth të formonte komitete të NDSH-së dhe bënin
propagandë se jeta e këtij pushteti okupues është e shkurtër dhe nuk duhet ti
nënshtroheshin. Para se të zbulohej organizata, Shaqirin e ri organet ushtarake
të Jugosllavisë një ditë të ftohët dimri e kishin marr me dhunë dhe e kishin
detyrua që të udhëtonte me një grup të rinjsh për Prizren e nga aty të shkonin
në frontin e Adriatikut, apo siç thoshte Shaqir Keçmezi, për “të mbrojtur”
Triesten.
Në
gjysmën e dytë të vitit 1944, udhëheqja jugosllave shfrytëzoi rrethanat për
luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës.
Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, ajo, në fillim të janarit 1945
urdhëroi mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për "nevojën e forcave të
armatosura jugosllave". Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën
e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi
Operativ i Kosmetit” urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të
nisej në drejtim të Podujevës për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po
marshonte për Serbi.
Të
rinjtë shqiptarë nga Kosova u mobilizuan nga partizanët jugosllavë me
arsyetimin se po shkonin në frontet e Sremit të Vojvodinës dhe atë të
Adriatikut, në veriperëndim të Jugosllavisë, kundër forcave gjermane. Të gjithë
të rinjtë u grumbulluan në qytetin e Prizrenit, deri ku ata u drejtuan nga
oficer shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me
arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të
pajiseshin me armë moderne angleze. U nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri
grupe, ku në Tivar - sipas burimeve malazeze - do të stërviteshin para se të
shkonin në front. Grupi i parë prej 3,700 vetash ishte nisur më 24 Mars 1945.
Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën
Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në
disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen.
Fati
e deshi që Shaqir Keçmezi të jetë në grupin (Eshaloni) e tretë, me 2700 veta
dhe nga Prizreni ishin nisur më 27 mars 1945, të shoqëruar nga Brigada famëkeqe
XXVII. Shumë shqiptarë të mobilizuar në këtë grup, gjatë rrugëtimit të gjatë e
të mundimshëm, për mungesë të ushqimit e të higjienës u sëmuren rëndë nga tifoja
dhe për pasojë dhjetëra prej tyre vdiqën rrugës. Më 1 prill (ditën kur në Tivar
- u masakruan pamëshirë shqiptarët e grupit të dytë) këtij eshaloni gjatë
kalimit të lumit Buna, iu përgatit një incident me ç ‘rast u vranë disa prej
tyre. Ndërkaq në mbrëmjen e 2 prillit ky grup arriti në Tivar dhe iu dorëzua
Divizionit të IX-të dalmatin. Nga Tivari me anije u transportuan në Dubrovnik,
ku u vendosën në disa objekte me destinime të ndryshme, mirëpo një grup prej
800 vetash që ishin vendosur në një depo baroti, në një mëngjes u gjetën të
ngulfatur nga një lloj helmi dhe vdiqën të gjithë sa ishin aty. Ndërsa, Shaqir
Keçmezi me disa të tjerë kishin vazhdua rrugën për Istri.
Histori
e veçantë ishte shkuarja e tyre në rrugën për Tivar. Por fati e deshi, që
eshaloni i tretë ku ishte i riu Shaqir Keçmezi, me shumë të tjerë kishin
shpëtua nga masakra, por nga dhuna e terrori i mëtejshëm jo. Në Tivar, tregonte
më vonë se kishte pa shumë gjak dhe shumë ushtar të cilët pastronin rrugët nga
gjurmët e krimit që kishte ndodhë një natë më herët.
Pas
shumë peripecive, arrin në afërsi të Triestes. Tani më, urrejtja e
pakënaqësia kishin arritur kulmin.
Shpejt njihet me disa të rinj shqiptarë, njëri nga këta ishte nga Maqedonia me
emrin Xhesko, dhe me propozimin e Shaqës, si e quanin shokët, formojnë
komitetin ilegal të NDSH-es. Pas një veprimtarie të shkurtër që sa më shumë
shqiptarë të anëtarësojnë në grupin e tyre, ata spiunohen nga dikush në organet
ushtarake. Dikur, e hetojnë edhe ata, se janë të përcjellë nga ushtarakët jugosllav
dhe vendosin që i tërë grupi që të arratisën duke kaluar kufirin për Itali.
Zbulohen dhe arrestohen në kufirin slloveno-italian. Pas zënies i dërgojnë në
burgun hetues të Koprit. Aty i shpërndajnë në burgje të ndryshme ushtarake.
Gjykata Ushtarake e Koprit, e mbajtur me 5 janar 1946, i shqipton dënimin me 6
vjet burg të rëndë dhe me punë të detyrueshme. Pas 5 viteve të kaluara në këtë
burg, (kur familjaret kishin humbur shpresat se ai do të kthehej ndonjëherë i
gjallë) ai lirohet nga aty, por me vete merr edhe gjithë eksperiencën e burgut.
Duhet
përmendur se, në një dhomë në burg kishte qenë me një ushtarak të lartë gjerman
që e kishin arrestua jugosllavët. Në ditët në vijim, Shaqiri bëhet mik me të.
Ai i ofron që ti mësoj gjuhën gjermane dhe matematikën. Shaqiri pranon.
Gjermani i venë një kushte që ai të jetë i përpiktë në detyrat që i epte dhe të
mësonte shumë. E parapërgatit se ndodhë se edhe do i bërtas, por nuk ka
hidhërim për këtë. Për disa muaj Shaqiri kishte përparua dukshëm në mësime. Me
ushtarakun gjerman fliste gjermanisht dhe matematikën e kishte përvetësua
dukshëm mirë. Por kurrë nuk do e harron një flakaresh që i kishte dhënë
gjermani i nervozuar, që nuk i kishte kryer detyrat e marra nga ai. Shaqa nuk
kishte reaguar, por edhe më tej kishte vazhdua mësimin sikur mos të kishte
ndodhur asgjë. Për tri vite kishte mësua me të dhe rezultatet nuk kishin
mungua. Që sot e atë ditë, në fshat e mbajnë në mend si një matematikanët të
shkëlqyeshëm dhe gjuhën gjermane e fliste e e shkruante bukur. Dhe, deri në
fund të jetës i ishte falënderues gjermanit që e kishte mësua me një durim të
jashtëzakonshëm duke e mësuar dhe u ushtruar pa ndërpre sidomos në detyrat e
matematikës. Pas daljes nga burgu, dhe ardhjen e tij në shtëpi, atë e befason
edhe më tepër gjendja e mjeruar e
shqiptarëve. Përsëri fillon të veproj si i vetëm, duke iu folur fshatarëve se
kjo situatë nuk durohet më.
E
donte Shqipërinë dhe fliste hapur se një ditë Kosova do i bashkohet asaj. Se
vetëm e bashkuar me shtetin amë, Kosova do të
gëzojë lirinë e merituar dhe situata politike do të ndryshonte. Ai
fliste, por edhe udbashet e përcillnin hap pas hapi. Pas daljes nga burgu, shoqërohej me mësuesin
e fshatit Halit Maliqin, të cilin në një vit, organet e UDB-es, deshën ti
montonin një të bëme antishtetërore, vetëm e vetëm që ta fusin në burg. Shaqir
Keçmezi duke e ditur se sa i rëndësishëm ishte mësuesi për fshataret, organizon
mbrojtjen e tij, duke shkuar deri në komunë për të dëshmuar se Halit Maliqi
ishte i pafajshëm. Shaqir Keçmezi ia arrin qëllimit ta shpëtojë mësuesin, por
kurrsesi nuk arriti që të shpëtonte vet nga përcjelljet e udbashëve.
Për
çdo festë shtetërore ose ndonjë vizitë të ndonjë funksionari jugosllav në
Kosovë ai ndodhej prapa grilave në burgun e Gjilanit, ose ishte i izoluar dhe
nën vëzhgimin e spiunëve. Jeta për çdo ditë bëhej e vështirë e më e vështir për
të.
Pas
një kohe, ai martohej me një vajzë të fisme, të mirë dhe të bukur, Hyrije
Kastrati nga Karaqeva e Epërme. Me të, pati një vajzë dhe një djalë (djali i
vdes menjëherë pas lindjes). Pas lindjes së vajzës, Hyrija e re, sëmuret rëndë,
dhe pas një kohe, në moshën 20 vjeçare, i lë lamtumirën burrit e fëmijës, duke
ikur në amshim. Dhembja për gruan ishte shumë e madhe, por të vetmin ngushëllim
e gjente te vogëlushja që i kishte mbetur dhe me dashurin më të madhe u kujdes
që ta rriste. Jeta iu bë shumë e rëndë pa gruan e dashur. Assesi jeta për ta
përkëdhelur Shaqir Keçmezin. Pas një kohe martohej me një grua të mirë, e cila
për vajzën e vogël u bë me të vërtet nënë e dytë dhe e përkrahte burrin në çdo
nismë të tij. Edhe me këtë pati një vajzë dhe një djalë. Djali, menjëherë pas
lindjes i vdes. Pas vdekjes së djalit, ai u ndje i trishtuar dhe assesi ti ikte
dhembja.
Presionet
e shumta gjatë aksionit të armëve i bënë jetën edhe më të padurueshme. I
kërkonin pushkë, po ai atë nuk e kishte. Ndaj tij përdorën lloj-lloj presionesh
e torturash, duke e marr nga shtëpia vonë në natë, e duke e lejuar të
shkallmuar që të kthehej vonë në mëngjes. Më në fund, për të shpëtuar nga rrahjet
sistematike që i bënin, detyrohet ta blej një pushkë nga një dhëndër i tyre dhe
shpëton nga kontrollet e çdo ditshme që i bënin familjes së tij. Pas dorëzimit
të pushkës, thuajse për një kohë u qetësuan përcjelljet. Por ai ishte gabua. Në
të vërtet asnjëherë përcjelljet nuk ishin ndërpre, por mënyra e përcjelljes
kishte ndryshua. Përcjellja ishte më perfide, se tani kishin angazhuar civil që
ishte më vështir për ti njohur.
Familja
e Shaqir Keçmezit ishte shumë anëtarësh, kishte edhe tre vëllezër dhe katër
motra. Ata i donte shumë dhe ishte në merak për të ardhmen e tyre. Kishte
vendosur për të humbur gjurmë, të shpërngulej nga fshati i vet. Të shkojë diku
larg, ku nuk e njihnin dhe ti shkollonte vëllezërit e motrat. Bie në kontakt me
komshiun e tij që edhe ishin shok të fëmijërisë- Bajrush Gagicën, që kishte
vite që jetonte në Sarajevë, dhe e kishte lutur që ti gjente një shtëpi për ta
blerë. Por, fal nënës së tij, shpërngulja nuk ndodhë, ngase ata ishin familje e
madhe e nëna frikohej se atje në një vend të huaj do të katandiseshin.
Ngadalë,
tmerrësisht ngadalë Kosova kishte arritur në vitin 1965. Një mëngjes të hershëm
forca të mëdha të policisë, me një ekskavator kishin arritur në shtëpinë e tij,
për ti rrënuar shtëpinë, që të hapnin një rrugicë në oborrin e tij. Ai ishte
befasuar dhe tmerruar nga presioni i tejskajshëm që kishte ndërmarr pushteti.
Tani në shtëpi kishte pushkë, por për ta përdorur ishte me rrezik të madhe. E
qetëson familjen duke iu premtuar se çdo gjë do të jetë në rregull. Me ndihmën
e disa fshatarëve, shtëpinë e shpëtojnë nga rrënimi, por plemen, ahurin,
hambarin dhe shumë pjesë ndihmëse të shtëpisë i bëjnë rrafsh me tokë. Ai reagon
hapur, duke iu thënë policëve shqiptarë, se një ditë kjo tokë do të jetë
Shqipëri, po ju o faqezinjtë ku do të përfundoni. Policët menjëherë e
arrestojnë duke i thënë hapur, se ti duhesh të ikësh nga këtu, “shko në Turqi
se je mysliman, apo qe ku e ke Shqipërinë, ik, se atë më shumë e donë”. Pastaj,
i kishin mëshua me kondak pushke
fytyrës, e kishte mbulua gjaku dhe ai ishte alivanosur. Udbashët nuk do ishin udbash,
poqese e kishin dërgua tek mjeku. Ata, ashtu të përgjakur e hipin në “maricë”,
(kështu iu thoshin veturave të policisë), duke e dërguar në burgun e Gjilanit.
Një
ditë e qesin para gjyqit, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, dhe i shqiptojnë dënimin me 5 muaj burg. Gati
tërë kohën e kishte kalua në një birucë të pistë, ku kohë pas kohe gardianet në
qeli i venin një mi-pacov, i cili në mungesë ushqimi i kishte hëngër dy gishta.
Viti
1968, ishte vit më pak i vështirë për shqiptarët. Njerëzit kishin filluar hapur
të flisnin për presionet, maltretimet dhe keqpërdorimet që kishte bërë Sigurimi
i Shtetit ndaj shqiptarëve. Në këto deformime ishin të përfshirë edhe shumë
shqiptarë të cilëve pushteti iu kishte ofrua
të mira materiale. Shaqir Keçmezi nuk kishte qëndrua duarkryq. I kishte
demaskua punëtorët e sigurimit dhe bashkëpunëtorët e tyre. E kishte iniciua
përsëri rastin e mësuesit Halit Maliqit. Ishte i zëshëm edhe pse u kërcënua nga
disa spiun të pushtetit. Ai edhe më tej hapur fliste pa kursyer askënd. Në
Kosovë ndodhën ndryshime të mëdha, dhe pritej se diçka e mirë do të ndodhë. U
mban shumë debate e konferenca politike për një autonomi më të madhe për
Kosovën dhe hapur u kërkua që Kosova të jetë Republikë. Ai ishte përkrahës i
madh i saj, ngase thoshte se me shpalljen - Kosova Republikë, me kushtetutën e
Jugosllavisë është e siguruar se republika ka të drejtë të bashkohej me këndë
të dojë. Kështu shpresonte!
Merrte
pjesë aktive në tubimet që organizoheshin në fshat po gjithashtu edhe në qytet.
Njerëzit që ishin të komprometuar dhe kishin bërë keqpërdorime ndaj fshatarëve,
i frikoheshin atij, andaj edhe planifikonin si ta eliminonin. Pa pritur me 27
nëntor, në mbrëmje, vije një fshatar serb nga fshati dhe e lut që natën vonë të
shkonin që të sjellin një traktor gurë nga një fshat tjetër, ngase ai kishte
vendosur të bënte një shtëpi në fshat. Vëllai i tij pranon që të shkoi, por
Shaqir Keçmezi, dyshon në serbin dhe i thotë të vëllait se edhe ai do të shkonte
me të. Pas ngarkimit të gurëve, Shaqiri bashkë me serbin hipin në rimorkio të
traktorit dhe kur vijnë tek vendi në “Qafë të Topanicës”, ai bie nga traktori
në rrugë, por i vdekur. E gjejnë me kokën e përgjakur e të shkërmoqur. Ai
(serbi), i tregon shoferit (vëllait të Shaqirit), se ai- Shaqiri, ra nga
traktori pa prit e kujtuar (Çudi, si kishte rënë ai nga traktori pa pasur as më
të voglën trandje, shpejtësi të madhe, apo ndonjë ndeshje me ndonjë automjet
tjetër ???). Organet e policisë dhe mjeku kishin konstatuar vdekjen, por kurrë,
asnjëherë nuk u bë ndonjë hetim i detajuar për vdekjen dhe shkaktarin e vdekjes
së tij. Ndërsa, që të nesërmen serbi që donte të bënte “shtëpinë” u zhduk diku
në Serbi dhe kurrë askush nuk e di se ku
shkoi dhe ndodhej. Me 28 nëntor
1968, mu në ditën e flamurit, ai u mbytë nga dora e zgjatur e UDB-es
jugosllave, pa lënë asnjë fjalë dhe asnjë amanet.
Gjyshja
e kishte qarë e vajtuar shumë të birin dhe në një moment kishte thënë: ”Ma
vranë ata që e përcollën si hijet për çdo ditë, për çdo natë, hap pas hapi,
zoti i dënoftë në mënyrën më të rëndë...”.