E shtune, 12.10.2024, 08:24 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Murat Mehmeti - Duam vetëvendosje deri në shkëputje

E diele, 03.03.2024, 09:00 PM


T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

MURAT MEHMETI-“DUAM VETËVENDOSJE DERI NË SHKËPUTJE”

(1952- 27.11.1968)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Më 5 gusht 1952, në Prishtinë, u lind Murat Mehmeti. Ai ishte djali i Qazimit dhe nënës Shefkije Mehmetit. Ishte fëmija i katërt në familje, pas motrave: Fatime, Nazmije dhe Naxhije. Ata bënin një jetë të qetë dhe të lumtur. Babai i tij punonte si punëtor ndihmës në shëndetësi dhe deri diku i iu siguronte një mirëqenie. Babai i Muratit ishte një atdhetar i devotshëm dhe arsimdashës i madh. Gjithmonë kishte ëndërruar që një ditë ti shkollonte fëmijët dhe si të tillë do të ishin të dobishëm për vendin. Kështu edhe ndodhi. Me atë pagë të vogël që merrte, të gjithë fëmijët i dërgoi në shkollë. Edhe Murati i vogël posa i bëri  shtatë vjet e dërguan në klasën e parë, në shkollën fillore të qytetit “Meto Bajraktari” në Prishtinë. Qysh si fëmijë Murati tregonte interesim të madh për shkollën dhe librat. Por, me të madhe i interesonte historia, gjeografia dhe poezitë e rilindësve tanë. Bile nga ato poezi disa edhe i kishte mësuar përmendësh. Murat Mehmeti si fëmijë ishte dëshmitar i shumë padrejtësive të shumta që ndodhnin ndaj popullit shqiptar. Shpeshherë e dëgjonte babanë me shok duke biseduar për shqetësimet e tyre se si do të vazhdonin më tej.

Në harkun kohor 1966-1981, mendohej se shqiptarët patën sadopak një jetë më të durueshme dhe morën frymë më lirshëm. Po themi lirshëm ngase krahasuar me kohën e para plenumit, gjithsesi ishte më e durueshme. Do të ishte gabim po të besohej se në këtë kohë shqiptarët ishin liruar plotësisht prej shtypjes, dhunës politike dhe shtetërore. Edhe pas Plenumit të Brioneve, Jugosllavia kishte mbetur shtet policor, dhe diktaturën e saj e shprehte pikërisht ndaj popullatës shqiptare duke i bërë përsëri të njëjtin terror dhe të njëjtat padrejtësi. Por, në këtë kohë bie në sy sidomos një politikë më perfide dhe më dinake që Titoja filloi ta aplikonte me një mjeshtri ndaj pjesës më të prapambetur dhe më të shfrytëzuar të ish-Jugosllavisë- Kosovës. Bie në sy, menjëherë pas Plenumit të Brioneve, se gjoja ajo e revidoi politikën e “gabimeve” ndaj shqiptarëve, dhe gjoja po hapte “dyert e perspektivës” për ta. Plenumi, ia hodhi fajet gjoja nacionalizmit serb apo më shkurt, ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Aleksandër Rankoviçit. Po qe se Rankoviçi ishte xhelati që bëri të gjitha ato krime, shtrohet pyetja ku ishte KQ i PKJ-së, KQ i PKS-së, e mos të ndalemi në anëtarët e kryesisë partiake të Kosovës. A thua si mund të shpjegohet shpërngulja qindra e mijëra shqiptarëve nga trojet e veta, aksioni i mbledhjes së armëve, dhe krejt në fund kush e nënshkroi dhe e aktivizoi  Konventën Jugosllave - Turke të vitit 1938, që statistikat dëshmojnë se nga viti 1953-1960 nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare në ish Jugosllavi u shpërngulën mbi 283.000 veta.  E gjithë kjo edhe njëherë vërteton se politika jugosllave edhe pas plenumit, s’ishte politikë e parimeve dhe e lirisë, por thjeshtë, ishte politikë e parimeve mashtruese dhe e lirisë manipuluese.

Për të bindur opinionin e gjerë të vendit e aq më tepër atë ndërkombëtar, se shteti jugosllav, është demokratik dhe të gjithë popujt që jetojnë në të gëzojnë të gjitha të drejtat, Titoja mori përsipër që të përgatiten e të miratohen disa amendamente kushtetuese në vitet 1967 dhe 1968.

Murat Mehmeti, po në këto vite kishte përfundua shkollimin fillor dhe ishte regjistrua në shkollën e mesme teknike “19 Nëntori”  e sot kjo shkollë mban emrin, “28 Nëntori” në Prishtinë. Në këtë kohë Murati kishte lëshua shtat, ishte i kujdesshëm dhe modest për nga natyra, fjalë pak, i dashur me shokët dhe i guximshëm në veprime.

Ç ‘është e vërteta, edhe pas vitit 1966 dhe në veçanti pas ndryshimeve kushtetuese, u bënë disa hapa e ndryshime pozitive në përmirësimin e pozitës së Kosovës dhe tërë popullit shqiptar në RSFJ, por analizuar drejt, as ato nuk kishin të bënin me  ndonjë zgjidhje të drejtë e fatlume të çështjes së Kosovës.

Edhe më tej, autonomia vazhdonte të ishte tepër formale dhe tepër e kufizuar. Në mënyrë më perfide përsëri vazhdonte shtypja kombëtare dhe prapambetja e gjithanshme ekonomike, kulturore e arsimore etj. Lirshëm mund të thuhej se edhe vetë shteti jugosllav që funksiononte si federatë ishte në gjendje krize të gjithanshme. Klima politike ishte në tension e sipër dhe në çdo moment pritej që të shpërthente.

Në këto kushte të tendosjes në Beograd dhe Zagreb, më 1967, kishin shpërthyer demonstrata të fuqishme. Ndërsa në Kosovë, pasi  u bindën se me rrugë institucionale nuk do të arrihej e të sigurohej një autonomi më e gjerë, që Kosova të shpallej Republikë, e vetmja rrugë që kishte mbetur ishin demonstratat paqësore. Masat shqiptare në Jugosllavi përmes demonstratave vendosën që të kërkonin ato që atyre u mungonin gjithmonë në krahasim me popujt e tjerë në Jugosllavi. Tek kërkesat e demonstruesve shqiptarë, përveç tjerash do të ndikonte edhe kjo e dhënë, se sa ishte premtuar dhe çfarë nuk ishte zbatuar, por që ishte shkuar në të kundërtën nga pushtetarët.

Andaj mund të thuhej se demonstratat e vitit 1968, nuk kishin filluar rastësisht. Për organizimin dhe mbajtjen e tyre ishte punuar gjatë dhe me përkushtim. Sipas të dhënave që kemi, thuhej se “Grupi Politik” i tyre ishte formuar dhe kishte vepruar qysh nga viti 1964, atëherë porsa ishte zbuluar organizata ilegale e quajtur  Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), dhe ishte arrestuar Adem Demaçi me shokë. Por, siç ndodhte gjithmonë  në këto raste nuk ishin zbuluar të gjithë anëtarët e organizatës. Të pazbuluar ngelën të rinjtë Selatin Novosella, Ibrahim Gashi dhe Shemsi Hoxha, të cilëve më vonë iu bashkohen edhe Osman Dumoshi, Adil Pireva dhe Ilaz Pireva.   Në muajin gusht 1967, grupit iu bashkëngjitën edhe Xheladin Rekaliu, Afrim Loxha dhe Skënder Muqolli. Fillimisht grupin e përbënin atdhetarë të dëshmuar dhe patriotë të pa kompromis. Anëtarët e grupit kryesisht ishin studentë e ca nga ata edhe me fakultete të mbaruara. Ishin të rinj, por qysh në fëmijëri kishin pasur kontakt me dhunën dhe terrorin e ushtruar nga okupuesi. Andaj, urrejtja për të dhe dashuria për lirinë thuajse në mënyrë të shkëlqyer kishin gjetur baraspeshën.

Pasi  me rrugë institucionale nuk u arrit të sigurohet një autonomi më e gjerë, që Kosova të shpallej Republikë, e vetmja rrugë që kishte mbetur ishte ajo e  demonstratave paqësore. “Grupi politik” kishte mbajtur shumë mbledhje për organizimin e demonstratave me të vetmin qëllim që puna e filluar të dilte sa më e përgatitur, dhe sa më me nivel. Deri në detajet më të imta kishte shkuar organizimi. Ishin caktuar detyrat që përfshinin të gjithë grupin.

Dita e festës së flamurit po ofronte dhe anëtarët e grupit shtuan edhe më tepër intensifikimin e mbledhjeve. Mbledhja që  vlen të përmendet është ajo e 16 tetorit 1968, e cila  u mbajt në shtëpinë e Osman Dumoshit në Prishtinë. Në të merrnin pjesë: Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Adil Pireva, Afrim Loxha, Tefik Çitaku, Ramadan Ramadani, Ilaz Pireva, Xheladin Rekaliu dhe Skender Muqolli. Në këtë mbledhje u sollën dhe u morën vendime të rëndësishme, që me gjuhën e historianëve, koha pas ngjarjeve të rëndësishme për popullin shqiptar, do të quhej koha para demonstratave dhe pas demonstratave. Kohë, kur asgjë në politikën kosovare nuk do të jetë si më parë. Kohë, kur shqiptarët do të mendojnë ndryshe dhe do të veprojnë ndryshe.

Sipas organizatorit dhe pjesëmarrësit aktiv të demonstratave, Selatin Novosellës, thuhej se në këtë mbledhje u vendos:

1. Demonstratat të mbahen me 27 nëntor 1968, në orët e paradites në Podujevë, në Gjilan, në Ferizaj dhe eventualisht në ndonjë vend tjetër të Kosovës, kurse në orën 15 e 55 minuta të mbahet në Prishtinë;

2. Në demonstrata të mos përdorët dhuna, përveç në mbrojtje;

3. Të shumëzohet dhe të shpërndahet vjersha “Ejani në demonstrata”, të shkruar nga Adil Pireva, me pseudonimin Arbën Kosova;

4. Adil Pireva të mos marrë pjesë në demonstrata, por mundësisht të ngeli i pazbuluar për të marrë pjesë si gazetar në mbledhjet e ndryshme pas demonstratave, për të parë se çfarë thuhej në organet e ndryshme për demonstratat dhe çfarë vendimesh do të merreshin në organet e pushtetit;

5. Mbledhja e ardhshme të mbahet me 23 nëntor në shtëpinë e Selatin Novosellës.

Në ditën e caktuar, pra më 27 nëntor 1968, në Prishtinë çdo gjë ishte gati për të filluar. Organizatorët ishin në ethe, jo nga frika por nga një gëzim që në ato çaste vendimtare ishte i pambarim. Vjersha mobilizuese “Ejani në demonstrata” e shkruar nga Adil Pireva ishte shpërndarë tek studentët. Parullat ishin shkruar dhe bërë gati. Fjalimi kishte marrë formën përfundimtare. Selatin Novosella me Skënder Muqollin po bënin përgatitjet e fundit për t’i bartur flamujt dhe transparentet, çka do të thotë se çdo gjë shkonte  ashtu siç e kishin parashikuar. Dhe, duke shfletuar materialet e shumta për demonstratat e vitit 1968, me vëmendje shikoj fotografitë e atyre djemve, sa të rinj, po sa të guximshëm; sa me vizion ishin për të ardhmen. Ishin studentë e nxënës dhe kishin marrë përsipër për të ndryshuar rrjedhat historike.

Në orë të caktuar, arrijnë flamujt dhe transparentet midis Institutit Albanologjik dhe Bibliotekës Krahinore. Me shpejtësi rrufe shpërndahen në mes pjesëmarrësve. Vendi i nisjes së demonstratave ishte caktuar oborri i Fakultetit Filozofik.

Itinerari ishte caktuar që demonstruesit të qarkullonin nga Fakulteti Filozofik për në rrugën kryesore “Marshall Tita”, për të vazhduar në drejtim të Komitetit Krahinor deri tek Teatri dhe para Kuvendit. Me një vëmendje të jashtëzakonshme organet e rendit përcillnin zhvillimin e ngjarjeve. Në ora 16 pa pesë minuta, pa asnjë sekondë vonese, filluan të grumbulloheshin studentët e shumtë nga të gjitha fakultetet, nga të gjitha rrugët qytetarët iu bashkoheshin demonstruesve. Nxënësit e shkollave të mesme në fillim kishin zënë radhën pas turmës studentore por më vonë me vrullin e tyre depërtuan  në rreshtat e para të demonstruesve. Pushtetarët të shqetësuar shikonin nga dritaret e zyrave  duke mos guxuar që të dalin përballë demonstruesve. Gjatë rrugës policia kishte vënë shumë barrikada. Por, shtrohet pyetja, a thua vallë kishte ndonjë barrikadë që ndalonte studentët e nxënësit e guximshëm që ishin tej mase të mllefosur me politikën jugosllave, e sa vinte mllefi shtohej edhe më tepër.

Rruga kryesore “Marshall Tita”, që atë kohë ishte e kalueshme për automjete, pas një kohe, posa demonstruesit dolën në rrugë, automjetet nuk qarkullonin më. Turma ishte drejtuar drejt vendit ku ishte paraparë që të mbahet fjalimi. Vendi ishte caktuar pjesa e përparme para Teatrit Krahinor, tarraca mbi kioskën e “Optikës”. Fjalimin ishte caktuar ta lexonte Osman Dumoshi, por më vonë e kishte vazhduar së lexuari Skënder Kastrati.

Deri sa lexohej fjalimi, masa kohë pas kohe brohoriste parullat e caktuara. Thuhej se ndikim të dukshëm dhe përkrahje të madhe në organizimin e demonstratave në Kosovë kishte pasur Baca Metush Krasniqi, atdhetar i njohur.

Shumë njerëz nga shërbimi i Sigurimit, ishin futur në mes të demonstruesve dhe mundoheshin që t’i shpërndanin ata. Por ishte e kotë. A ndalet lumi i rrëmbyeshëm vallë?

Ashtu siç ishte pritur, nga masa doli dhe mori dhen parulla “Kosova-Republikë”. Populli ishte përgatitur për një kërkesë të tillë, andaj edhe masa e përkrahu dhe e shpalosën me krenari. Afrohej nata, demonstruesit brohoritnin “Vetëvendosje... Vetëvendosje” dhe aty për aty doli parulla “Bashkohuni ... Bashkohuni...”.

Policia kishte humbur durimin, kur masa u drejtua nga burgu i qarkut të Prishtinës, dhe kërkonin që të lirohen të gjithë të burgosurit politik. Në radhët e para ndodhej i riu Murat Mehmeti, i cili kishte organizua një grup të rinjsh nga lagjja e tij  dhe suleshin pa pikë frike, duke brohoritur “Duam vetëvendosje deri në shkëputje”, dhe shkonin drejt policëve që ishin barrikadua jo larg nga burgu i Prishtinës.  Policia përdori dhunën, ndërsa nga banesat ku kryesisht jetonin serbët dhe malazezët,  thuhej se aty ndodheshin edhe disa ish pjesëtarë të UDB-ës, që hidhnin me gjësende të forta nga tarracat e tyre. Fillimisht u dëgjua një zhurmë e trishtueshme pushke, pastaj një i ri me duart e ngritura lart u rrëzua për tokë. Demonstruesit shpejt u mobilizuan për t’i dhënë ndihmë, por ishte e kotë. I riu Murat Mehmet, nxënësi i shkollës së mesme teknike të Prishtinës ishte i pari që ra në mënyrën më të denjë në altarin e lirisë. Aty u plagosën edhe shumë të tjerë. Sipas disa të dhënave, mbi demonstruesit   kishin shtënë policia, por edhe persona të paidentifikuar, të cilët qëndronin në një nën kulm të një godine pranë burgut. Për këtë ngjarje të kobshme, kurrë dhe asnjëherë nuk u hulumtua sa duhej, dhe kurrë nuk u zbuluan vrasësit.

Pas sulmeve që bëri policia dhe ushtria, masa filloi të shpërndahej në drejtime të ndryshme për t’u ndalur përsëri para Fakultetit Filozofik. Masa e mllefosur për intervenimin e policisë dhe për vrasjen e Murat Mehmetit, brohoriste sa mundte “Gjakatar...Gjakatar”, “Vrasës, Vrasës”  e shumë të tjera. Shumica e demonstruesve deri herët në mëngjes nuk u shpërndanë. .

Më 27 nëntor 1968, dita kur ra dëshmor i riu shtatëmbëdhjetë vjeçar Murat Mehmeti, e si gjithmonë pas vrasjes udbashët u munduan të fshehin krimin, siç kishin bërë edhe më herët me mësuesin Fazli Grajçevcin e Shaban Shalen e shumë e shumë të tjerë. Hetuesit e UDB-es, të urdhëruar nga lart kishin ftuar babain e Murat Mehmetit, Qazim Mehmetin, duke e kërcënuar që varrimin e djalit ta bënte menjëherë, pa pranin e familjarëve dhe të askujt, dhe ceremoninë e varrimit ta kryente dikur natën vonë. Qazim Mehmeti nuk ishte burrë që frikësohej dhe me një krenari dhe urrejtje të pa parë nuk e pranon këtë lloje varrimi, ngase nata ishte kohë e pa kohë dhe nuk kishte mundësi të siguronte hoxhën për varrimin e të birit, pastaj nuk kishte mundësi të siguronte pëlhurën e nevojshëm- qefinin, dërrasat e shumë gjëra të tjera. Por, të tëra këto nuk mjaftonin që udbashët të hiqnin dorë nga kërkesa e tyre. I than babait të dëshmorit se të gjitha këto do i sigurojnë, por gjithsesi varrimi duhet të kryhet. Qazim Murati nuk tërhiqej nga kërkesat e tij. Po në një moment, kërcënimi  arriti pikën e vlimit, sa ata i thanë se po qese nuk pranon ta kryente varrimin në këtë kohë, ata do e marrin trupin e djalit të tij dhe do e zhdukin pa gjurmë. Qazimi, duke e ditur se për çfarë janë të aftë ata të bëjnë, megjithatë vendos që të kryhej varrimi në prani të disa familjarëve (Qazim Mehmeti-babai, Kadri Muli- gjyshi, Halit Mehmeti- axha, Mehmet Mehmeti- djali i axhës, Hajriz Selmani- kushëri, Ilaz Selmani- kushëri, Ragip Mehmeti- djali i axhës, Habib Mehmeti- djali i axhës, Ahmet – djali i axhës, Hakif Mehmeti- djali i axhës, Rexhep Rafuna- fqinjë, Musli Shala- fqinjë, Kadril Leci – nga Barileva, Nebi Selmani- fqinjë dhe Hashim Tahiri- nip i dëshmorit).

Sipas disa të dhënave që na i ofron Selatin Novosella, ai thotë se ”Pas vrasjes së dëshmorit Murat Mehmetit, me iniciativën e Isa Kastratit dhe Hasan Dërmakut, të cilët pas demonstratave ende nuk ishin burgosur e shtypin dhe e shpërndajnë një trakt me titull “Lajmërim”, me të cilën u ftuan qytetarët që të bojkotojnë mësimin në shenjë pikëllimi për këtë vrasje, si dhe deri sa të lirohen nga burgu organizatorët e demonstratave, të cilët mbaheshin në burgjet e pushtetit. Në trakt, thuhej : “Lajmërohen vllaznit shqiptarë dhe motrat shqiptare, studentët dhe studentet, nxënësit dhe nxënëset, që me rastin e vrasjes së shokut, vëllait dhe birit tonë, Murat Mehmeti, i cili dha jetën duke i kërkua të drejtat tona nga bishat e egra, në shenjë pikëllimi, të mos vijohet mësimin deri më 7 dhjetor 1968. Mbas datës së përmendur, po qe se nuk lirohen të burgosurit, mos vijimi do të vazhdoi deri sa të lirohen të burgosurit!”

Pas vrasjes dhe varrimit të Murat Mehmetit, pushtetarët ishin të frikësuar dhe të tmerruar nga guximi i rinisë shqiptare, andaj ata u munduan që ta heshtin vrasjen e të riut.  Por , a mund të ndalet lumi në rrjedhën e tij, kështu vepruan edhe populli duke mos u frikësuar nga pushtetarët dhe ata organizuan homazhe tek varrezat dhe vizita tek familjaret e dëshmorit. Ata, në këtë mënyrë i tregonin pushtetarëve se populli nuk frikohej nga ata dhe ishin të vendosur në luftën për të drejtat e tyre.

Duhet përmendur se me rastin e 6-mujorit të e vrasjes së dëshmorit Murat Mehmetit, Metush Krasniqit, Sabri Novosella, Shefqet Jashari, Gani Xhafolli, dhe Avdi Limani, kishin organizua shkuarjen e shumë nxënësve, studentëve dhe të rinjve te varri i dëshmorit Murat Mehmeti. Më vonë këtë homazh të organizuar organet e pushtetit do ta cilësojnë si veprim armiqësor  dhe do të merren masa ndaj organizatorëve. ndërsa Avdi Limani do të dënohej nga Gjyqi për Kundërvajtje në Prishtinës.



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Heroi i Kombit Prof. Xhemajli Berisha Sabile Basha: Rexhep Elmazi - Edhe sikur të më vrasin, nuk do të heq dorë nga liria e vendit tim Sabile Basha: Hysni Rudi - Kapiteni që jetoi e vdiq në mbrojtje të tokave shqiptare Sabile Basha: Fazli Grajçevci - Për të mbrojtur kombin duhet të falet jeta Sabile Basha: Shaban Shala – Rroftë Shqipëria Etnike! Poshtë klika e Titos dhe e Rankoviqit Sabile Basha: Tahir Deda - Shqiptarët dolën në luftë për të Bashkuar Kosovën me Shqipërinë Sabile Basha: Betimi i Jasharajve para varrit të Tahir e Nebih Mehës Sabile Basha: Tahir Meha - Pushteti jugosllav nuk është i imi dhe nuk e pranoj kurrë si të tillë Sabile Basha: Xheladin Hana - Nuk e bëmë luftën për të ngelur përsëri të okupuar nën Serbi Sabile Basha: Haki Taha – Vdekje për tradhtarë, Liri për Shqiptarë Sabile Basha: Nexhat Agolli - Martir i Bashkimit Kombëtar Shqiptar Sabile Basha: Rifat Berisha - Atdhetari që i tregoi Serbisë se Kosova është Shqipëri Sabile Basha: Omer Çerkezi - Qëndresa e tij heroike për Shqipërinë Etnike Sabile Basha: Metush Krasniqi - Shqiptarët do të jenë të lirë vetëm kur Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë Sabile Basha: Asim Luzha - Nëse nuk merren masa të ngutshme, mund të ndodhë një plojë e tmerrshme Sabile Basha: Ibrahim Banush Sedllari - Pa Kosovë nuk ka Shqipëri Sabile Basha: Zija Shemsiu - Armatimin e kemi futur për të iu shporrur nga trojet tona, derisa të bashkohen në një Shqipëri Etnike Sabile Basha: Bardhosh Gërvalla – Betohemi mbi eshtrat e të vrarëve shqiptarë se Shqipërinë do e bëjmë, në kufijtë e saj Etnik Sabile Basha: Jusuf Gërvalla - Përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën Sabile Basha: Kadri Zeka - Të luftojmë për Liri dhe Bashkim Kombëtar

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora