Speciale » Basha
Sabile Basha: Asllan Pireva - Duam Bashkimin e Trojeve Shqiptare
E marte, 26.03.2024, 10:26 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
ASLLAN
PIREVA – ”DUAM BASHKIMIN E TROJEVE
SHQIPTARE”
(1961
– 1981)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Asllan
Shahin Pireva u lind në vitin 1961, në fshatin Prapashticë. Prapashtica është
fshat në verilindje të Kosovës që shtrihet në një rrafshnaltë të Gallapit,
mjaft karakteristike, me një relief të hapur dhe shumë të përshtatshëm për
banor. Ky vendbanim kufizohet në veri me fshatin Serbinë, në verilindje me
Dabishecin, në juglindje me Gllogovicën dhe Marecin, në jug me Zllashën, në
perëndim me Keçekollën dhe Nishecin. Gjatë rrjedhave historike, ky është
përfshirë në shumë komuna të krijuara sipas shijes dhe dëshirës së atyre që
sundonin. Në bazë të të dhënave dihet se Prapashtica, një herë dhe një kohë
ishte e përfshirë në Komunën e Koliqit, pastaj në atë të Keçekollës, Orllanit
dhe tani, i takon Komunës së Prishtinës. Por,
për shkak të kushteve më të mira, babai i tij Shahin Pireva, më 1966 me
krejt familjen shpërngulet në Prishtinë. Në vitin vijues shkollor Asllani
regjistrohet në shkollë fillore “Emin Duraku” të Prishtinës.
Asllani
u lind në një familje atdhetare, që ëndërronin dhe luftonin për një atdhe të
lirë nga okupuesit dhe të bashkuar me Shqipërinë. Ai u rrit me tregimet e
gjyshit, duke i treguar, se si kishte
qenë dëshmitar që në moshën shtatëvjeçare, kur regjimi serb kishte
organizuar dhe kishte kryer njërën ndër masakrat më barbare të kohës, duke
vrarë e masakruar qindra shqiptarë të fshatrave Prapashticë e Keçekollë. Më
saktësisht me 7- 11 janar 1921 në Prapashticë ishin masakrua 1570 qytetarë
civil të kësaj ane, një mizori e tmerrshme e pashembullt ndonjëherë e bërë nga
këto anë. Ploja serbe mbi popullsinë shqiptare të Prapashticës e të Keçekollës
e gjetkë në “festën” e Bozhiqit serb, pati për qëllim që të fusë frikën dhe të
krijojë panik ndër fshatar, të shfaros e tmerroj popullsinë shqiptare, dhe të
ndikojë në shpërnguljen e tyre nga këto anë. Andaj, gjyshi i Asllanit këtë e
kishte përcjell gjeneratë pas gjenerate duke iu treguar barbarit e tyre dhe
masakrat e bëra mbi fshataret. Këto rrëfime i kishte dëgjua edhe Asllani i
vogël dhe që nga atëherë kishte urrejtjen ndaj tyre, e edhe më vonë e dinte se
me këta nën okupim, jeta do të ishte ferr dhe e padurueshme.
Asllan
Pireva, në shkollën fillore “Emin Duraku”, në Prishtinë, u regjistrua më 1968,
dhe aty dëshmoi se ishte nxënës shembullor, i urtë dhe kategorik në qëllimet
dhe kërkesat e tija. Pas tetë viteve (1977), përfundoi shkollën fillore me
sukses të shkëlqyeshëm dhe u regjistrua në Shkollën e mesme elektroteknike
“Miladin Popoviq”, në Prishtinë. Gjatë kësaj kohe, Asllani ishte rritur e
burrërua, në shkollë njohu shumë shokë të mirë me të cilët ishin s bashku çdo
kund. Po në këtë shkollë njihej me të riun Naser Hajrizin, me të cilin zbuluan
se kishin ideale të përbashkëta. Naser Hajrizi, vinte nga një familje e cila e
tëra ishte aktive në Lëvizjen ilegale të Kosovës, natyrshëm ishte që edhe ai të
ishte pjesë e saj. Naseri, në biseda të shpeshta me shokun e mikun e tij
Asllanin, i kishte tregua se ishte i organizuar, andaj edhe Asllani iu bashkua
atij dhe formuan një grup, që vepronte në kuadër të Organizatës Ilegale
patriotike Shqiptare “Grupu Revolucionar i Kosovës”. Anëtarë të këtij grupi
ishin: Naser Hajrizi nga Prishtina, Asllan Pireva nga Prishtina, Sylë Loshi nga
Padalishta e Drenicës , Isuf Hajrizi nga Hajvalia e shumë të tjerë. Ata fillimisht u angazhuan
në bartjen dhe ruajtjen e materialeve ilegale e pastaj bënin propagandimin në
mesin e shokëve në shkollë, shkruanin parulla, shpërndanin trakte e shumë
veprimtari të rëndësishme për çështjen shqiptare.
Në
vitet në vijim, zullumi ishte i padurueshëm ndaj shqiptarëve, edhe pse
publikisht pushteti okupues trumbetonte për shumë të drejta që iu kishte dhënë
shqiptarëve. Në Kosovë ishin formua dhe vepronin shumë organizata ilegale
shqiptare që në programet e tyre kishin kërkesën Kosova të shpallej Republikë,
apo duhet thënë se zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur
fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por, si më e sforcuar u paraqit në
formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989. Kjo kërkesë
ishte shtruar madje edhe në diskutimet publike që u bënë menjëherë pas rënies
së Rankoviçit. Këto biseda, sipas dokumenteve, dëshmojnë se janë zhvilluar edhe
midis udhëheqësve të Kosovës me udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë.
Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve midis veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare
ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981,
1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe
në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë. Kërkesa për Republikë, për
kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim
kombëtar me shtetin amë - Shqipërinë. Prandaj, këtu edhe qëndron çelësi i
zgjidhjes së problemit të quajtur Kosovë. Latinët e vjetër thonë: “Nuk mund të
qetësohet një popull në qoftë se nuk dëgjohet zëri i tij, “Voks populi- voks
dei”. Andaj, ngjarjet në vijim hapën një kapitull të ri brenda kombit shqiptar,
hapën një proces të ri politik edhe për shtetin shqiptar.
Asllan
Pireva ishte në klasën e Katërt të Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë. Ai
ndodhej në paralelet e shkollës që mësimin e zhvillonin në objektin e Shkollës
Normale, në hyrje të Gërmisë. Në kohën kur shpërthyen demonstratat studentore
të vitit 1981, ai ndodhej në këtë shkollë.
Ai
ishte rritur e edukuar me fjalët e babait e të gjyshit duke i treguar për
vuajtjet e tyre, se si padrejtësitë e shumta historike, Kosovën e kishin lënë
nën okupimin serbo-sllavë aty ku nuk e kishte vendin. Asllani kishte lexuar
shumë literaturë që vinte nëpër rrugë ilegale nga Shqipëria dhe tani i riu
ishte brumosë me shumë dije dhe me shumë të vërteta historike. Ai kishte lexua
shumë për Azem Bejtën e Shaban Polluzhën, Shaban Shalen e Fazli Grajçevcin e
për shumë atdhetar të tjerë që për të parë vendin e tyre të lirë e të bashkuar
me Shqipërinë, nuk kishin kursyer as jetën e tyre.
Asllan
Pireva, edhe pse ishte i ri, ai e kishte nda mendjen, që bashkë me shokë do të
luftoi dhe do të qëndroi për çlirimin e Kosovës. Ai me shokë ishte përgatitur
për të marr pjesë në aksione që do organizonte Lëvizja.
Demonstratat
e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, nuk e befasuan Asllanin. Ai s bashku me
shokët Naser Hajrizin, Ilaz Zhitin që e kishte shok klase, si dhe shokët e
tjerë si Fatmir Graiçevci, Rrahim Rama, Naim Mahmudi, Lutfi Maqedoni e shumë të
tjerë mezi prisnin që të dalin në rrugë dhe të shpalosnin kërkesat e tyre.
Andaj, Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 nuk ishin rastësi në historikun e
popullit shqiptarë. Ato kishin një vazhdimësi qysh nga orët e para të Lëvizjes
për liri dhe pavarësi kombëtare. Dhe, ato do të paraqesin edhe një hallkë të
rëndësishme në përpjekjet për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës dhe të
viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Më 11 dhe më 26 mars të vitit
1981, shpërthyen demonstratat e studentëve të Universitetit të Kosovës. Ishte kjo një revoltë e akumuluar ndër breza
shekuj me radhë, duke kaluar nga veprimtaria e organizatave dhe e grupeve
ilegale, që ishin sakrifikuar, ne kërkesa të hapura dhe legale. Studentët e
nxënësit e atij brezi u gjakosën, dolën përballë armatës jugosllave vetëm me
forcën e shpirtit shqiptar. Rezistenca e tyre u parapriu të gjitha çështjeve të
pazgjidhura etnike, për të cilat u njoftua bota në vitet që pasuan. Rinia shqiptare në ish-Jugosllavi zbuloi jo
vetëm gjendjen kritike të popullit të vet, por edhe konfliktin që ekzistonte i
mbuluar në shkallë universale historike njerëzore dhe kombëtare në Ballkan. Në
mënyrë ciklike studentët e populli, në forma të ndryshme, nëpër dekada shprehën
e manifestuan pakënaqësinë e tyre. Dhe, mbeti i vetmi popull që më së shumti u
ballafaqua me kërkesën legjitime për liri dhe pavarësi, si një çështje e drejtë
historike, e krijuar në ciklin kohor të padrejtësive historike. Ata, dy dekada
para përfundimit të këtij mileniumi do të kërkonin vetëm atë që u takonte - të
drejtën e tyre, kërkonin që kjo pjesë e robëruar të fitonte lirinë e merituar.
Kjo kërkesë shteteve të botës do t'u trokasë në ndërgjegje si një vonesë
historike. Vetëm pesë ditë pas, më 1 e
më 2 prill, me kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli. Sipas
të dhënave zyrtare të asaj kohe gjatë këtyre demonstratave pati 9 të vrarë dhe
15 të plagosur, ndërsa forcat e policisë serbe patën 2 të vrarë dhe 17 të
plagosur. Ato zgjatën gjatë gjithë pranverës së vitit 1981 dhe konsiderohet se
ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore
pas Luftës së Dytë Botërore. Në to në forma të ndryshme mori pjesë i gjithë
populli shqiptar. Demonstratat e vitit 1981 ishin referendumi më i suksesshëm
dhe më bindës i nënshkruar me gjakun e popullit tonë.
Shkencat
historike i vlerësojnë ngjarjet, para së gjithash, sipas qëllimeve të tyre, që
në mënyrë të përmbledhur shprehen në parullat që dominojnë. Në kërkesat e
demonstratave të rinisë në pranverën e vitit '81 dominuan parullat për
“Kosovën-Republikë”. Këtë e argumentojnë edhe parullat e tjera, siç ishin:
”Kosova kosovarëve”, ”Duam Republikë”, ”Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me
luftë", ”E duam flamurin kombëtar”, ”Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e
të tjera. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja
jugosllave iu përgjigj me zjarr e me hekur. Ngjarjet e sipër theksuara qenë një
paralajmërim që shënuan kthesë në historinë e ideologjisë komuniste dhe, në
fund, përmbysjen e saj.
Asllan
Pireva me Naser Hajrizin dhe me shokët e shkollës mori pjesë në të gjitha
demonstrata që u organizuan në Prishtinë. Ishin aktivë dhe i nxisnin shokët që
të marrin pjesë sa më shumë ne to. Beogradi duke e parë se sa të fuqishme dhe
të organizuara ishin demonstratat, më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e
jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në
vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në
universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa
të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, më 2
prill 1981, në Prishtinë tërë ditën vazhduan demonstratat masive shqiptare. Në
këto demonstrata nuk kishte se si të mungonte Asllan Pireva me shokë.
Më
2 prill 1981 Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi
ishin në krye të organizatorëve të
demonstratave të shkollës elektroteknike. Drejtoria e shkollës, kishte
marr urdhër që të mbyllen dyert e shkollës, pasi se ishte shpall gjendje e
jashtëzakonshme . Mirëpo, shtrohet pyetja a mund të ndaleshin Asllani, Naseri,
Fatmiri, Ilazi e qindra të tjerë që ishin përgatitur për këtë ditë. Ata kishin
kërcyer nga dritaret dhe ishin nisur
drejt qytetit duke brohoritur parulla të ndryshme kundër pushtetit. Në
përleshjen e parë me kordonin e policisë, Naser Hajrizi plagoset, por pasi e
lidhë plagën në familjen e Adem Kurteshit, iu bashkëngjitet shokëve për në
qytet. Pasi se nxënës kishte shumë, paraqitet nevoja që ata të ndahen në disa
grupe për të depërtuar më lehtë tek demonstruesit që kaherë kishin dal në
rrugë. Grupi ku ndodheshin Asllan Pireva
dhe Naser Hajrizi, ishte më i zëshme, dhe vazhdimisht ishin në sulm. Asllani e
Naseri nuk tërhiqeshin. Ata brohorisnin parulla të ndryshme. Grupi ishte pozicionuar në sheshin midis Bankës Popullore
( Sot Kryeministria), Shtëpisë së Mallrave dhe Postës (që u bombardua gjatë
luftës dhe tani nuk ndodhet më aty). Aty, rreth orës nëntë të paradites, u
goditën me armë zjarri dy djelmoshat trima Asllan Pireva e Naser Hajrizi, nga
oficerë ushtarakë, të vendosur në objektin e Bankës Qendrore. (A.Q.)
Ndonëse
opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i cilësoi paqësore, ndonëse këto
demonstrata kishin karakter demokratik, kombëtar e paqësor, në Kosovë nga çdo
republikë jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër
demonstruesve duarthatë u përdorën: bomba me gaz lotsjellës, shkopinj gome e
kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopterë, autoblinda,
aeroplanë luftarakë, bile-bile edhe të
tipit “MIG-21”. Në marshin protestues pati të vrarë dhe të plagosur, të
arrestuar dhe të arratisur jashtë atdheut, madje vetëm në shtetet perëndimore,
atje ku shpresohej në demokraci dhe assesi në shtetet lindore dhe komuniste.
Gati një brez i tërë ne forma të ndryshme
gjenocidi u flijua në altarin e shenjtë të atdheut - për
Kosovën-Republikë.
Megjithëse
kërkesat që u shtruan në demonstrata ishin të drejta, të ligjshme dhe nuk
dilnin jashtë kornizave të Kushtetutës së RSFJ-së, megjithatë ato u cilësuan si
“kundërrevolucionare”, ndërsa studentët dhe pjesëmarrësit u cilësuan
"armiq”, ”kundërrevolucionarë” dhe “irredentistë shqiptarë”. Këto
epitete shërbenin si kategori themelore
me të cilat përcaktoheshin,
karakterizoheshin dhe dënoheshin demonstratat dhe demonstruesit. Këto
epitete u përdorën vetëm e vetëm që të legjitimoheshin dhe të justifikoheshin
masat e mjetet e dhunës që i zbatonin në këto ngjarje. Ndaj “armiqve të
popullit”, okupuesi përdori masat më drastike: i rrahu, i keqtrajtoi, i
torturoi, i arrestoi dhe i dënoi me burg të rëndë deri në 15 vjet, ndërsa ndaj
familjeve të tyre u aplikuan edhe masa
izolimi etj.
Arrestimet
e popullatës shqiptare vazhduan edhe në vitet e mëvonshme, por respekti e
admirimi për aktivitetin e kësaj lëvizjeje patriotike nuk u shua kurrë, si në
kujtesën kolektive, ashtu edhe në atë të individëve. Nën hirin e këtyre
ngjarjeve të bujshme historike të së kaluarës sonë të afërt, u ruajt i gjallë
dhe gjithmonë i ndezur prushi patriotik. Ai nuk u shua kurrë, por vijimisht u
mbajt gjallë dhe më vonë u zgjerua e rrezatoi në mbarë popullin. Ky zjarr u
aktivizua dhe mori hov pikërisht në kohën kur okupatori shekullor serb mendonte
se shqiptarët ishin pajtuar të bënin një jetë pacifiste dhe të kënaqeshin me
atë që u ofronte vazhdimisht Serbia dhe Beogradi.
Parulla
e asaj pranvere të vitit '8l “Republikë, kushtetutë - ja me hatër, ja me
luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, edhe do
të luftohet por edhe do të vdiset. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh
atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, Ushtria
Çlirimtare e Kosovës, do të shfaqet në momentin me të duhur historik, për
mbrojtjen si të popullit, ashtu edhe të tokave shqiptare, që ishte përpjekje
dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.