Speciale » Basha
Sabile Basha: Afrim Abazi - Duhet ndryshuar kjo histori, Kosova e Bashkuar me Shqipërinë
E diele, 17.03.2024, 09:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
AFRIM
ABAZI - DUHET NDRYSHUAR KËTË HISTORI QË KOSOVA NJË DITË TË JETË E BASHKUAR ME
SHQIPËRINË
(1963
– e mbytën me 19.03.1982)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Afrim
Abazi u lind më 7 qershor 1963 në fshatin Slivovë, komuna e Ferizajt. Babai i
Afrimit, ishte Kadri Abazi, i cili ishte mësues i dalluar dhe nënë kishte Ajshe
Abazin, e cila ishte një grua e zonja dhe shumë atdhetare. Duhet përmendur se
në kohën kur lindi Afrimi, në Kosovë populli ishte i pakënaqur dhe kërkonte
rrugë të ndryshme për të realizuar ëndrrën e tyre shekullore. Masat represive e
të dhunës në një masë të madhe u shtuan sidomos gjatë vitit l958 e këndej.
Populli shqiptar, i bindur deri në fund se duhej të qëndronte në trojet e veta,
kishte ngulur këmbë që të kalonte në një rezistencë më të organizuar dhe më
masive, duke shpërndarë afishe, trakte dhe flamuj kombëtarë. Zemërimi i
popullit arriti kulmin sidomos kur u burgosën një numër i madh i anëtarëve të
organizatave patriotike ilegale, të cilët i kishin shpallur luftë të hapur dhe
të pakompromis pushtetit dhe shërbëtorëve të tyre. Në një dokument “Tepër sekret”
të Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, me numër rendor 4000/1, tetor
l986, thuhet: “Intensifikimi i veprimtarisë
propagandistike-subversive dhe i formave të ndryshme të veprimtarisë
armiqësore ilegale janë karakteristikat për vitet l974 dhe 1975, e posaçërisht për vitet l979
dhe l980, me ç`rast u zbuluan dhe u gjykuan 8 grupe nacionaliste e
irredentiste, u identifikuan 618 persona, ndaj të cilëve u ndërmorën masa
adekuate”. Grupet që u zbuluan, sipas po
atij dokumenti, ishin: Grupi i Kadri Osmanit (l974), Grupi i Adem Demaçit
(l975), Grupi i Agim Sylejmanit, Grupi i Shefqet Jasharit, Grupi i Ymer
Graincës, Grupi i Hajdin Abazit dhe Grupi “Fronti i Kuq” nga RFGJ-ja me lidhje
në vend gjatë vitit l980, pastaj Grupi i Ibish Nezirit, lidhje e Grupit “Fronti
i Kuq” në vitin l981. Kundër anëtarëve të këtyre grupeve u ngrenë aktakuza
penale; u dënuan 89 persona në kohëzgjatje prej 1-15 vjet burg, kundër 51
personave, për shkak të rrethanave të ndryshme, u ndërpre aktakuza e mëtejshme,
40 persona u dënuan për kundërvajtje, ndërkaq 453 personave iu tërhoq vërejtja.
Pos kësaj, në këtë periudhë, për kundërvajtje janë ndjekur 503 persona.
Megjithatë, edhe pse e dëmtuar në masë të konsiderushme, lëvizja nuk e pushoi
veprimtarinë as në të ardhmen. Aktiviteti i lëvizjes u rrit përherë e më shumë,
duke depërtuar në shtresat e gjera të popullit dhe në të gjitha poret e jetës
politike e shoqërore të Kosovës e jashtë saj.
Një
vit pas lindjes së Afrimit, në vitin 1964 në bankën e të akuzuarve si anëtarë
të organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” u nxorën
Adem Demaçi me shokë. Simboli i
rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçi, rënia e Rankoviçit e gjen në burg. Për
këto akte kriminale populli u zemërua shumë. Këtë zemërim ai e ktheu në urrejtje
dhe në mënyrë edhe më të organizuar filloi t’i godasë forcat shoviniste serbe.
Organizatat ilegale patriotike shqiptare gjatë kësaj periudhe u fuqizuan dhe u
masivizuan duke inkuadruar në radhët e veta forca të reja. Me arrestimet e
njëpasnjëshme që bënte UDB-ja, lëvizja ilegale përfitoi terren. Ndonëse u
dëmtua një numër i konsideruar intelektualësh shqiptarë, mbetën të paprekura
forcat e organizuara dhe u shtua urrejtja ndaj atyre që e shtypnin dhe e
arrestonin popullin e pambrojtur. Ky popull u bind edhe një herë se pa
shkëputjen nga Serbia nuk mund të ketë liri të mirëfilltë. Si rezultat i kësaj
erdhi duke u përforcuar edhe ideja për formimin e Republikës Shqiptare në
Jugosllavi. Duke u nisur nga fakti se forcat patriotike kanë qenë dhe ishin
udhërrëfyese të popullit nga i cili edhe dolën, ato e përqafuan kërkesën për
Republikë dhe u angazhuan pa u kursyer për realizimin e saj.
Afrimi
Abazi u rrit dhe u edukua në një familje atdhetare, ngase edhe babai i tij
kishte qenë ilegalist i njohur i cili kishte veprua në radhët e Organizatës
Nacional Demokratike Shqiptare. Afrimi i vogël u rrit me një dashuri të madhe
nga familja dhe si i vogël kishte njohuri për trimin e papërsëritshëm Mic
Sokolin. Ai e adhuronte trimrin e Micit, dhe në imagjinatën e tij prej fëmije
shpesh ëndërronte se një ditë do bëhet si ai. Nga respekti që kishte për
trimin, shpesh ndodhte që ai bashkë me babain ia rregullonte varrin Heroit dhe
mbillte lule mbi varrin e tij. Me bisedat e gjata që zhvilloheshin në familje,
Afrimi kuptoi se Kosova ishte e okupuar dhe për të qenë të lirë duhet punuar
dhe angazhuar kundër tij. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes dhe
gjatë asaj periudhe dallohej në mësime dhe ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Të
gjitha lëndët i kishte pesa, por historinë e kishte më për qejfi. Duhet
ndryshuar këtë histori që Kosova të jetë e bashkuar me Shqipërinë, shpesh iu
thoshte shokëve edhe si nxënës i shkollës fillore. Gjatë shkollimit të mesëm në
Ferizaj, ku i ndiqte mësimet në Shkollën Teknike, shpeshherë u thoshte shokëve:
“Slivova ka një nder të veçantë, që mban në gjirin e vet Heroin kombëtar, Mic
Sokolin”, e për të qenë të lirë nga okupuesi duhet të kemi shumë Mic Sokola.
Në
vitet 1980/81, diçka me të madhe lëvizte, diçka pritej që të ndodhte. Këto
vëreheshin në shqetësimet e okupuesit në çdo tubim partiak. Kosova e vitit 1981
po hynte në vitin më të nxehtë politik. Parandjenja se Kosovës po i pritej
qefini i ri në Beograd, po e shqetësonte masën studentore. Më 11, më 25 e më 26
mars, më 1 e më 2 prill, studentët e Universitetit të Kosovës dolën në
demonstrata. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm kundër shtypjes,
shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave në
robërinë serbe. Në demonstrata morën pjesë studentët, nxënësit e shkollave
fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë, të
cilët formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm
dhe më të bindshëm, të nënshtruar me gjak. Më vonë, ndaj pjesëmarrësve në
demonstrata u zbatuan masat më drastike, duke i gjakosur e duke i keqtrajtuar,
duke i torturuar në mënyrat më barbare dhe duke i dënuar me burg të rëndë edhe
deri në l5 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua masa e izolimit të
plotë. Ngjarjet tragjike të Kosovës më 1981, popullin shqiptar as nuk e
dobësuan, as nuk e luhatën për asnjë moment nga rruga e tij e nisur,
përkundrazi, populli ynë i pajtuar me fatin e rezistencës dhe i bindur thellë
në kauzën e vet të shenjtë, qëndroi me besim të patundur në drejtësinë e
amshuar për ditët e bardha të lirisë dhe të pavarësisë.
Demonstratat
studentore, të vitit 1981, u përhapën shpejt në tërë Kosovën. Ato u organizuan
edhe në Ferizaj ku Afrimi ishte nxënës në shkollën e mesme teknike. Dhe, bashkë
me shokë, ndodhej në krye të demonstratave. Në këto demonstrata në mënyrë
aktive kishte marr pjesë edhe nëna e Afrimit- nëna Ajshe, e cila çdo kund,
ishte me t djalin Afrim. Demonstratat ishin më të fuqishme sidomos me 3 prill
1981. Kur pushtetarët morën masat më të rrepta ndaj Kosovës dhe popullit të saj
dhe kur menduan se demonstruesit ishin zmbrapsur nga dalja në rrugë, ndodhi e
kundërta. Afrim Abazi me flamur në dorë iu printe demonstruesve.
Në
Ferizaj, në oborrin e Kombinatit të Drurit në Ferizaj, rreth orës 9. 00 të
mëngjesit, para drejtorisë së kombinatit ishin grumbulluar me qindra punëtorë.
Megjithëse aktivistët partiak u munduan që ti bindin dhe të kthehen në vendet e
tyre të punës, ishte e kotë. Ata me pankarta të shkruara u nisen në drejtim të
qytetit. Gjatë rrugës brohoritshin parulla si” Duam kushte më të mira”, “
Demobilizoni Njësinë e Mbrojtjes Territoriale të Kombinatit, sepse nuk na
duhet”, “I duam shokët nga burgu”, “Nuk duam tanke në Krahinë”, “Duam
republikë”, “Nuk duam që të na rrahë fëmijët e studentët policia jashtë Kosove”
dhe shumë të tjera. Në orën 13:30, një grup tjetër prej një numri të
konsideruar punëtorësh u larguan nga oborri i Kombinatit dhe kishin shkuar për
të demonstruar në qytet. Këtij grupi iu bashkuan edhe një numër mjaft i madh i
nxënësve dhe i studentëve, pastaj dhe një numër i madh i qytetarëve. Caku i
tyre kishte qenë ndërtesa e SPB-së, para së cilës ishin ndalur duke brohoritur “Lironi
shokët tanë nga burgu”. Para ndërtesës së SPB-së ndodhi një përleshje e madhe
në mes policisë dhe demonstruesve. U shti me armë zjarri nga të dy palët.
Bashkë
me Afrim Abazin, në demonstratat e Ferizajt të 3 prillit 1981, u dalluan edhe
dëshmorët Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu. Gjatë demonstratës, Afrimi, së
bashku me shokët e tij dhe me nënë Ajshen, ishte në ballë të tyre. Në orët e
pasdites së 3 prillit, kur forcat e mëdha të policisë speciale kishin ardhur
nga Serbia, pothuaj e kishin vënë qytetin e Ferizaj në shtetrrethim të plotë.
Atë ditë, sipas informatës interne të zyrtarëve të KK të Ferizajt, u vranë dy
demonstrues dhe pati së paku 15 të plagosur
Po
atë ditë filloi edhe arrestimi i demonstruesve, duke e parë se çfarë po
ndodhte, organizatorët vendosën që demonstruesit të shpërndaheshin, duke mos iu
ekspozuar edhe më tutje rreziqeve të mëdha nga policia kriminale
serbo-jugosllave.
Afrim
Abazi ishte anëtari i Organizatës Ilegale Patriotike Shqiptare “Partia
Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” (PKMLSHJ). Si
anëtarë i OR së PKMLSHJ dhe Komitetit Drejtues të saj u angazhua aktivisht në
organizimin e demonstratave. Atdhetari i
njohur Osman Osmani, në një shkrim të tij thotë se “Afrimi me kohë u bë njëra
nga shtyllat kryesore të veprimtarisë atdhetare ilegale në kuadër të
Organizatës së Rinisë (të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve
në Jugosllavi), bashkë me shokët dhe me shoqet e tij më të ngushtë, si: Faton
Topalli, Ymri Ilazi, Fehmi Hajrullahu, Sejdi Sejdiu, Fatmir Bajrami, Rafi
Haliti, Fatime Gjinollin, Lumnije Azemin, Naim Ramadani, Lirie dhe Fitim
Ramadani, Agron Ramadani, duke e zgjeruar rrethien edhe me Teuta Zymberin,
Fatmir Avdullahun, Naim Nuredinin, Halit Osmanin, Xhevahire Avdullahun,
Hanumshahe dhe Isak Begeshollin, Mikreme Demirin, Shyqeri Gjinollin, Vehadin
Azemin,e të tjerë, veprimtarinë e të cilëve e koordinonte drejtuesi i ORK (dhe
sekretari për rini i PKMLSHJ) Faton Topall...”
Organizata
e PKMLSHJ-së, u formua në vitin 1975, duke kaluar nëpër rrugë normale të
krijimit të organizatave politike nga bërthama e parë, nëpër krijimin e degëve
dhe të resorëve, deri në nivel që ajo të mund të fillonte të vepronte si
organizatë.
Në
fillim organizata për bazë teorike kishte platformën politike, nxori dokumentet
e Partisë në një përmbledhje e cila titullohej “Teoria dhe praktika e
revolucionit”, në të cilën përmbajtje ishin edhe Programi, Statuti dhe
Instruksionet për punë praktike. Ato si tërësi përbënin Platformën për
Republikën e Kosovës, sepse qëllimi kryesor i ekzistimit të PKMLSHJ-së ishte
krijimi i kushteve për arritjen e qëllimit të pavarësisë së popullit shqiptar
në RSFJ; të gjithë shqiptarët që jetonin në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në
Serbi, të jetonin në një republikë të përbashkët gjithëshqiptare në kuadrin e
Jugosllavisë dhe të barabartë me republikat e tjera. Kjo organizatë ishte mjaft
aktive rreth qëllimit që të bashkonte të gjitha organizatat ilegale politike që
vepronin në Kosovë dhe jashtë saj. Për këtë qëllim publikoi Programin e saj në
mënyrë që populli të përgatitej e të mobilizohej rreth kërkesës për Republikë
dhe të bëhej presion i vazhdueshëm mbi faktorin shtetëror si dhe mbi politikanë
vendës.
Pas
demonstratave në lëvizjen ilegale shqiptare filloi një etapë e re e
bashkëpunimit. Të gjitha ato organizata që vepronin në Kosovë deri atëherë në
programet e tyre parashihnin shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e
saj me Shqipërinë. Mirëpo, me kërkesën gjithëpopullore “Kosova-Republikë",
u pajtuan edhe organizatat e tjera dhe bënë në mënyrë afirmative kërkesën e
studentëve. Filloi një bashkëpunim i madh ndërmjet tyre dhe me të madhe u mor
iniciativa për bashkimin e tyre në një organizatë të përbashkët. Marrëveshja
për bashkimin e organizatave për lëvizjen do të kishte një rëndësi të madhe,
andaj okupuesi mu për këtë shkak ishte tmerrësisht i shqetësuar. Shtoi
gjurmimin e anëtarëve të organizatave ilegale, arrestonte dhe dënonte me vite
marramendëse anëtarët e tyre. Ndaj atyre që ishin më të rrezikshëm filloi të
kryente atentate dhe t'i likuidonte, duke shpifur se “shqiptarët vriteshin duke
i qëruar hesapet mes vete”. Po, a u besonte kush këtyre trillime të pakripë.
Megjithatë, qëllimi u arrit. Më 17 shkurt 1982, pas një pune të gjatë e të
vështirë, u bashkuan organizatat LÇKVSHJ e OMLK me PKMLSHJ-në në LËVIZJEN PËR
REPUBLIKËN SOCIALISTE TË SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVI. Angazhimi i këtyre
organizatave ishte jashtëzakonisht pozitiv dhe dha rezultate të lakmueshme,
sepse Lëvizja për Republikë u bë lumë që më nuk u ndal. Numri i anëtarëve të kësaj
lëvizjeje shtohej dita më ditë.
Edhe
pas përfundimit të demonstratave, PKMLSHJ dhe Afrim Abazi nuk qëndruan
duarkryq. Pas sulmeve që filluan të bëheshin ndaj demonstratave dhe
demonstruesve, duke i quajtur “kontrarevolucionare” e shumëçka tjetër, anëtarët
e kësaj organizate konstatuan se edhe këta duhet të bëjnë propagandë në fushën
politike. Afrimi më pas veproi vazhdimisht në masivizimin e radhëve të ORK,
ndërsa veprimtaria e tij prej revolucionari do të intensifikohej përmes
shpërndarjes dhe propagandimit të trakteve dhe materialeve tjera të Organizatës
së Rinisë dhe Partisë, si gazetat “Revolucioni”, “Zëri i Atdheut”, “Teoria dhe
praktika e Revolucionit” si dhe materialet tjera.
Policia
dhe UDB-ja serbe nuk kishin arritur të zbulonin shumë veprime të ilegales në
Ferizaj dhe rrethinë. Nuk kishin arritur të zbulonin se kush i kishte vënë
zjarrin makinave të policisë në vitin 1980, para hundëve të policisë. Nuk
dihej, plotësisht, kush ishte implikuar në organizimin e demonstratës së 29
marsit dhe të 3 prillit 1981. Nuk dihej kush i kishte vënë zjarrin shtëpisë së
shefit të UDB-së në Ferizaj, në vitin 1981. Nuk dihej, po ashtu, se kush po e
përgatiste shënimin e një vjetorit të demonstratave të vitit 1981, më 3
prill 1982. Dhe, duhet thënë se Afrim Abazi bashke me shoke e shoqe kishte
marrë pjesë, i kishte propozuar dhe i kishte organizuar disa nga veprimet e
lartpërmendura.
Prandaj,
edhe hetimet që i zhvillonte UDB-eja, për t’i zbuluar aktorët e veprave të
tilla, ishte tepër e madhe. Për zbulimin e këtyre aksioneve, që kishin
zhvilluar anëtarët e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në
Jugosllavi në qytetin e Ferizajt, të cilës i takonte edhe Afrim Abazi, regjimi
serb dhe spiunët vendosën të shkonin deri në atë shkallë sa të ushtronin tortura
shtazarake ndaj Afrim Abazit, të burgosur më 11 mars 1982.
Arrestimi
i Afrimit ishte bërë me vendim personal të Sekretarit Krahinor të Sekretariatit
të Punëve të Brendshme të Kosovës, Mehmet Maliqi. Në përvjetorin e këtyre
demonstratave, më 11 mars 1982, Afrimi, së bashku me shokun e klasës, Ymri
Ilazi nga Shtimja, kishte organizuar të gjithë nxënësit e Shkollës Teknike të
Ferizajt që të dilnin në qytet për t`i përkujtuar demonstratat historike të një
viti më parë. Mirëpo, udbashët kishin rrjetin e vet në çdo cep të Kosovës,
andaj edhe kishte informata se në
Shkollën Teknike po përgatiteshin demonstrata për të shënuar përvjetorin e tyre
të një viti më parë. Pas këtij njoftimi, policia e kishte bllokuar shkollën dhe
kishte arrestuar trimin e pashoq Afrim Abazin dhe Imri Ilazin. Gjatë hetimeve
në hetuesi, Afrimin e malltretuan dhe e torturuan me metodat më të egra të
dhunës. Edhe pse e torturuan, e fyen e shanë dhe e rrahën, Afrimi i ri, nuk
foli, nuk i tregoi shokët, po çdo përgjegjësi e merrte mbi vete. Pas nëntë dite
të kaluara në birucën e pistë të burgut të Ferizajt, më 19 mars 1982, në orën
13.30, UDB-ja hodhi trupin e pajetë të Afrim Abazit nga dritaret e katit të
pestë të ndërtesës së re të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Ferizajt.
Thanë
udbashët se Afrimi “Bëri vetëvrasje”, e populli e dinte fortë mirë dhe ishte
mësuar me “vetëvrasjet” e shpifura që bënte UDB-eja ndaj bijve të shqipes. Sa
shpifje monstruoze ishte kjo që e thanë shefi i UDB-së së Ferizajt Milorad
Stankoviq – Lacki me bashkëpunëtorët e tij shpirtshitur.
Bijtë
e Kosovës e kanë dashur dhe e duan jetën dhe ata vdesin për të jetuar, por
kurrë duke vrarë veten!
Kujtimi
për Afrim Abazin rron prej vitesh, andaj kujtesa tek populli shqiptar për
figurën e ndritshme të Afrim Abazit jeton dhe do të jetoj në zemrat e popullit
shqiptar, që do i thur lavdi të përjetshme.