Speciale » Basha
Sabile Basha: Bajram Bahtiri - Jeta pa luftë nën robëri nuk kishte kuptim
E merkure, 20.03.2024, 09:19 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
BAJRAM BAHTIRI- JETA PA LUFTË, PA PËRPJEKJE PËR T’U
ÇLIRUAR DHE PA RREZIQE, PËRDERISA POPULLI SHQIPTAR ISHTE I ROBËRUAR NUK KISHTE
KUPTIM
(1961 – 1984)
Nga Prof. Dr.
Sabile Keçmezi-Basha
Në vitin 1945, nuk ishte hera e parë që shqiptarëve iu
mohua një e drejtë e ligjshme e tyre, por ky do të ishte mashtrimi më i madh që
komunistët jugosllavë u bënë shqiptarëve. Prandaj rezistenca ishte fati ynë
historik. Deri vonë historiografia shqiptare nuk u mor me këto ngjarje, jo
vetëm se okupuesi u kujdes që t’i shpallte tema tabu, siç e patën shpallur
gjithë rezistencën shqiptare kundër robërisë, por edhe ngaqë ende nuk ishte
mbyllur fleta e fundit e kësaj historie, e cila vazhdoi të rridhte gjithnjë e
më bujshëm në vitet e mëvonshme në të gjitha viset etnike shqiptare.
Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale shënon manovrimin
sllavo-nacionalist dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej
kufirit. Shqiptarët e Kosovës përkundër sakrificave të mëdha në luftën
antifashiste nuk përfituan nga rasti në përmbushjen e ëndrrës së tyre të
çlirimit kombëtar dhe të bashkimit me Shqipërinë. Ata pas legalizimit të ri
okupimit në Kuvendin e Prizrenit (1945), u detyruan të ndiqnin një politikë më
të zakonshme dhe të pranuar përgjithësisht, por lufta për çlirim dhe për të
ardhmen e tyre kombëtare nuk pushoi, natyrisht me forma të reja e me emra tjerë
të imponuar nga situata e krijuar. Populli i Kosovës kur hetoi tradhtinë,
filloi të shprehte pakënaqësinë e vet në forma të ndryshme të veprimit. Ato
forca dhe ata patriotë që kishin luftuar
gjatë gjithë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në
mënyrë të organizuar, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për
bashkimin e tokave shqiptare. Për këtë, ishte e natyrshme që të bëhej një
organizim i tillë, pasi ku ka okupim dhe robëri, lind rezistenca dhe qëndresa e popullsisë.
Edhe më vonë duke kaluar nëpër vite, kohën e informbyros,
kohën e Rankoviqit, aksionin i mbledhjes së pushkëve e shpërnguljet e
shqiptarëve me dhunë për Turqi e edhe shumë e shumë etapa të errëta të
historisë sonë, shqiptarët kaluan dhe
kalonin etapën më të errët, dhe një kalvar të vërtet. Edhe pse Kosova ishte e
pushtuar, ajo trajtohej vazhdimisht si zonë e rrezikshme dhe e pasigurt për
shkak se banohej nga një popullsi jo sllave, e shtypur dhe e diskriminuar
shqiptare, prandaj dhe ekzistonte frika tek okupuesit. Me këtë gjendje të
imponuar, ku “liria” dhe “barazia” e popullit shqiptar ishin shndërruar në
robëri nga një pakicë kombëtare - serbët dhe malazezët, kuptohet që populli
liridashës nuk ishte i kënaqur. Meqë shqiptarët e Kosovës përgjatë gjithë
kufirit me shtetin amë, edhe zyrtarisht ishin shpallur si element i
pabesueshëm, për këtë arsye ndiqeshin, burgoseshin, torturoheshin, detyroheshin
të shpërnguleshin, madje edhe vriteshin dhe askush nuk merrej në përgjegjësi.
Gati një shekull, rezistenca e lëvizjes ilegale në territorin etnik shqiptar e
mbajti të ndezur flakën e lirisë dhe të bashkimit kombëtar. Në të gjitha periudhat
e këtij okupimi lëvizja për çlirim e bashkim kombëtar i është kundërvënë kësaj
politike antishqiptare. Këtë rezistencë, të avancuar deri në luftë të
suksesshme çlirimtare, e bënë dhe e udhëhoqën personalitete të shquara
kombëtare, të përparuara politikisht, luftëtarët më të guximshëm të popullit
shqiptar në territoret e pushtuara etnike. Ata bënë një luftë dhe një
rezistencë me forca dhe mundësi shumë më të vogla se sa armiku. Dhe ky armik e
ndoqi pamëshirshëm këtë lëvizje ilegale patriotike. Anëtarët e saj i burgosi, i
torturoi dhe i dënoi me burgje të gjata e të rënda, i likuidoi, herë hapur,
herë tinëzisht dhe herë-herë edhe i pushkatoi. Pavarësisht nga përdorimi i të
gjitha mjeteve, Beogradi kurrë nuk arriti ta shuaj dhe ta asgjësojë këtë
lëvizje. Lëvizja ilegale patriotike, me largpamësinë e vet, me qëndrueshmërinë
e vet po sidomos me vetëdijen e paluhatshme për nevojën e vetëflijimit për
çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, arriti të triumfojë ndaj
shtetit dhe politikës jugosllave.
Në këto kushte dhe në këtë klimë politike u lind e u rrit
atdhetari e trimi Bajram Bahtiri. Bajram Bahtiri u lind me 4 mars 1961, ne
Prishtinë, nga babai Hajrush dhe nëna Naile. Familja Bahtiri kishte 10 fëmije, ndërsa Bajrami ishte fëmija i
shtatë sipas radhës. Ai kishte tre vëllezër dhe gjashtë motra. Prindërit e
Bajramit ishin familje e mirë dhe e ndershme, . Ishin atdhetar të cilët shumë
rëndë e përjetonin peshën e robërisë. Andaj të gjithë fëmijët i kishin edukuar
me taban kombëtar. E tërë familja shërbente si model e shembull i mirë. Bajrami
dallohej nga fëmijët e tjerë me guximin dhe krenarin që kishte në vete. Ishte i
zgjuar dhe me fillimin e mësimit në klasën e parë e në vazhdim u dallua me
sukses të shkëlqyeshëm. Iu ndihmonte shokëve dhe shoqërohej me ta. Në Prishtinë
e kreu shkollën fillore e më vonë u regjistrua në shkollën e mesme ekonomike,
të cilat i kreu me afat dhe u dallua për notat e mira që i kishte.
Ai ishte shumë i çiltër dhe kishte dhuntinë që të
bisedonte me shokë dhe ti dëgjonte gjatë të tjerët. Fjalët i peshonte mirë e
ishte serioz. Prezenca e tij në takime ilegale kishte rendësin e vet. Shokët e
dëgjonin dhe këshilloheshin me të. Me urtësi i
këshillonte të tjerët dhe shokët kishin besim tek ai. Kryesisht
shoqërohej me shok që kishin të njëjtin ideal siç ishte edhe ai. Bisedonte me
shok për situatën politike në vend, dhe vazhdimisht e brente dëshira që një
ditë Kosova të jetë e lirë dhe populli i saj të jetë i barabartë me të tjerët.
Bajrami gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë ilegale kishte
gjetë përkrahjen e vëllezërve e motrave më të mëdhenj se ai. Dhe, mu këtu, nga
vëllai Rrahmani kishte njohuri se po vepronte organizata ilegale patriotike
shqiptare Fronti Nacional Çlirimtar i Kosovës. Menjëherë ai u imponua dhe i
ndihmonte vëllait në shkrimin dhe shpërndarjen e parullave. Lexonte literaturë
ilegale që i sillte vëllai dhe ishte i pandashëm në çdo aksion që ndërmerrte
grupi. Pas zbulimit dhe arrestimit të grupit prej 20 vetave të cilën e
udhëhiqte Sejdi Veseli, edhe Bajrami arrestohet me grupin. Më 31 mars dhe më
tej situata politike në Prishtinë ishte
e nderë. Bojkotimi i mësimit në fakultete vazhdonte. Një numër i madh i
studentëve dalëngadalë kishin filluar të manifestonin pakënaqësinë e tyre.
Gjithashtu nuk mungonin edhe nxënësit e shkollave të mesme që vepronin në
qytet. Sipas informatës së Kryesisë së KK të LKK-së, më 31 mars mësimi u
bojkotua në të gjitha fakultetet e Prishtinës. Në mësime mungoi edhe kuadri
arsimor të cilët ishin urdhëruar që nga ora 7.00 e mëngjesit e deri në ora 19
në mbrëmje, të ishin në fakultete.
Gjatë kohës sa zgjatën demonstratat në Komitetin Krahinor
të LKK-së po ashtu edhe në Komitetin Komunal të LK-së të Prishtinës çdo ditë
mbaheshin mbledhje, ndodhte të mbaheshin
edhe nga dy a tri takime. Më 31 mars 1981, Komiteti Komunal dhe Komiteti i
Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe Vetëmbrojtjes Shoqërore, në marrëveshje
me organet e mbrojtjes territoriale, urdhëruan që të forcohet sigurimi i
objekteve. U organizuan mbi dhjetë grupe me nga 30 aktivistë në punkte të
ndryshme në qytet. Këto grupe ishin të mobilizuara gjatë gjithë kohës. Ndryshe,
nga më parë, pas 26 marsit, ishin organizuar kujdestari dhe ishte
urdhëruar aktivizimi i Komitetit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe të
vetëmbrojtjes shoqërore dhe azhurnimi i planeve të tyre për situatat e krizave
në të gjithë Kosovën.
Më 1 prill 1981, në orën 12.30 minuta në Prishtinë
shpërthyen demonstratat më masive deri më atëherë. Një grup nxënësish të
shkollës së mesme ekonomike në mesin e të cilëve printe Bajram Bahtiri dhe të
shkollës bujqësore, por edhe studentësh u nisën nga oborri i shkollës në
drejtim të qytetit, duke thirrur parullën “Republikë”. Për ta penguar hyrjen e
grupit në qytet, forcat e Sigurimit e kishin bllokuar dhe i ndanë demonstruesit
në shumë grupe të vogla. Duke u shpërndarë demonstruesit, kërkuan që atyre t’iu
bashkohen edhe punëtorët. Bajrami gjatë tërë kohës bënte thirrje që t’iu
bashkoheshin edhe punëtorët e ndërtimtarisë, të cilët punonin në objektet e
lagjes “Dardania”, çka bëri që demonstruesit u shtuan dukshëm në numër. Grupi i
punëtorëve vazhdoi në drejtim të Konvikteve të studentëve, kur arritën
afër mensës, ata filluan të thërrasin
“Studentë”... “Studentë”. Punëtorët vazhduan marshimin e tyre në rrugën “Ramiz
Sadiku” në drejtim të fakulteteve dhe të qendrës së qytetit. Në ecje e sipër
atyre iu bashkuan me mijëra studentë, qytetarë e nxënës, kështu që deri në orën
15, grupi numëronte mbi 5000 veta. Në udhëkryqin mes Fakultetit Teknik dhe atij
Juridik, demonstruesve iu bashkëngjitën
punëtorët e ndërmarrjeve ndërtimore, të Fabrikës së Amortizatorëve dhe
të Kombinatit të Obiliqit. Disa prej tyre ishin edhe të armatosur me shkopinj
gome, shufra hekuri, me helmeta të punëtorëve dhe me sende të tjera për t’u
mbrojtur.
Po atë ditë, disa qindra punëtorë të Mihjes sipërfaqësore
të Bellaqevcit, u tubuan para drejtorisë dhe
kërkuan që të bisedohet me udhëheqësit më të lartë krahinorë. Kuadrot
përgjegjëse të Krahinës kishin biseduar me ta afro 1 orë. Gjatë bisedave me
udhëheqësit krahinorë, edhe punëtorët e Bellaqevcit përkrahën demonstratat
studentore dhe shprehën pakënaqësinë e tyre për ndërhyrjen e policisë ndaj
studentëve. Pra takimi i funksionarëve partiakë me punëtorët kishte dështuar.
Pas orës 16 demonstratat në qytet u bënë më të fuqishme, ndërsa presioni ndaj
forcave të Sigurimit shtohej. Policia kishte marrë urdhër nga lart që të
ndërhynte, gazi lotsjellës me një shpejtësi të paparë u hodh ndaj
demonstruesve. Turma nuk shpërndahej. Ata vazhduan marshimin deri te ndërtesa e
Këshillit Ekzekutiv, e pastaj u drejtuan para ndërtesës së KK të LKK-së. Rinia
studentore e shkollore nuk ndalej dot. Pa ndërprerë dëgjoheshin parullat. Për
herë të parë u dëgjua parulla “Rroftë Adem Demaçi” (irredentist i njohur e i
përbetuar, i cili gjendej në burg si i dënuar), kurse para KK u shkrua parulla
“Rroftë Adem Demaçi”, “Duam Republikë”, “Kosova Republikë”, “Të lirohen shokët”
etj.
Numri i demonstruesve ishte shumë më i madh se sa ai të
cilën e prezantojnë organet krahinore. Ata thonë se në këtë demonstratë kishin
marrë pjesë 3000 demonstrues, por numri duhet të ketë qenë trefish më i madh.
Në këtë demonstratë gjithashtu përsëri zyrtarisht përgjysmohet numri i të
lënduarve duke dhënë këto shifra: u lënduan 17
punëtorë të policisë, nga ata dy ishin të lënduar rëndë dhe 15
demonstrues, nga ata tre ishin lënduar rëndë. Asnjëri nuk ishte i lënduar nga
armët e zjarrit.
Në të gjitha demonstratat që u organizuan në Prishtinë, i
riu Bajram Bahtiri ishte i pari dhe pjesëmarrës i tyre, bashkë me vëllezërit e
motrat. Edhe pse ishte përdorur dhunë e paparë ndaj demonstruesve nxënësit e
studentët i vazhduan ato edhe ditën e nesërme më 2 prill 1981. Në orët e
hershme të mëngjesit (ora 6.00), një turmë e madhe e punëtorëve të KNI ‘Ramiz
Sadiku” ishin tubuar para stacionit të
autobusëve, e më vonë këtyre iu bashkuan edhe punëtorët e Organizatës Punonjëse
Ndërtimore “Kosova” të Vushtrrisë, që pastaj marshuan në drejtim të qytetit.
Policia kishte marrë masa me kohë. Urdhëratë nga lart nuk mungonin, punëtorëve
iu dolën përpara. Turma nuk u ndal. Pastaj policët përdorën gazin lotsjellës
dhe në lagjen “Dardania” arriti që t’i shpërndante. Edhe pse u shpërndanë në
grupe të vogla, pas një kohe filluan të bashkohen duke iu bashkangjitur edhe
punëtorët e “Voçarit”, të PUT-it, të Fabrikës së Tullave e të tjegullave,
nxënësit e qendrës së arsimit të orientuar “Xhevdet Doda”. Aty dolën në demonstrata edhe nxënësit e Qendrës
Teknike “19 Nëntori” dhe dihej
vendqëndrimi, që ishte qendra e qytetit. Po atë ditë, duke parë se demonstruesit
ishin në avantazh, organet shtetërore me në krye, Komitetin e Mbrojtjes së
Përgjithshme Popullore dhe i Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës nxorën
tanket në rrugët e Prishtinës për të trembur demonstruesit.
Pas përhapjes së lajmit se në rrugët e Prishtinës kishin
dalë tanket, drejt qytetit ia mësyn nga çdo anë qytetarët e Kosovës. Rreth orës 11 një grup qytetarësh afër
fshatit Devet Jugoviq, sulmuan forcat e Sigurimit. Po ashtu një grup tjetër
qytetarësh ishte nisur nga Obiliqi për në Prishtinë duke u përleshur me forcat
policore.
Po ashtu edhe në qytet rreth orës 1500-1600 një grup i
madh demonstruesish ishte ndalur para gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Ato ishin kryesisht punëtorë të Fabrikës së
tullave e tjegullave me të cilët u bashkuan edhe demonstruesit që vinin nga
Podujeva. Ky grup ishte shumë aktiv dhe me këmbëngulje kërkonte që të thyhet
bllokada dhe të kalonin para ndërtesës së Këshillit Ekzekutiv, ku kishin
depërtuar shumë demonstrues. Sipas të dhënave zyrtare, thuhej se me ndihmën e
forcave policore në orën 2000 e mbrëmjes demonstruesit u shpërndanë.
Gjatë gjithë kohës sa zgjatën demonstratat në qytet
hetuesit e organeve ndjekëse filmonin dhe fotografonin demonstruesit. Askush
nga të rinjtë nuk lodhej për fotografit që bënin ata. Por, pas përfundimit të
demonstratave, hetuesit filluan gjahun ndaj pjesëmarrësve. Në bazë të fotove i
kërkonin, i identifikonin dhe i arrestoni, duke i dënuar me shumë vite burgu.
Kështu kishte ndodhur edhe me Bajram
Bahtirin, të cilit nëpër mes të fotove i bien në gjurmë ngase fotoja e tij dukej
kudo në aksione e demonstruesve. Duke e ditur se po e kërkonin, Bajrami kalon
në ilegalitet për ti ikur arrestimit të sigurt. Pas një kohe e zbulojnë se ku
fshihej, e arrestojnë dhe gjykata komunale e Prishtinës e dënon me 60 ditë
burg. Dënimin e kishte mbajtur në Ferizaj e Smrekovnicë. Torturat dhe
maltretimet që i bënin Bajramit gjatë kësaj kohe kishin vetëm një qëllim ngase
hetuesit nga ai kërkonin që të pendohej dhe të tregonte shokët. Dhe mu kjo
ishte ajo, që Bajramin e bënte më të fortë dhe më të rezistueshëm. Nuk pendohej
jo se jo... por hetuesve iu thoshte hapur se po qese nuk plotësohen kërkesat e
tyre, po qese nuk shpallej Kosova- Republikë, përsëri do na keni në rrugë.
Në burg u takua me shumë djem të rinj, moshatar të tij të
cilët kishin lidhur besën se edhe pasi të dalin nga këto skuta të pista do ta
vazhdojnë luftën për liri dhe bashkim kombëtar. Tani, Bajrami i kishte të qarta
qëllimet e tija. Ishte i përkushtuar në lëvizje dhe shumë më serioz në
aktivitetin ilegal. Ishte i kujdesshëm dhe çdo veprim që bënte e bënte pa i rrezikuar shokët e të afërmit.
Ishte konspirativ dhe i fjalës. Ai ishte i vetëdijshëm se udbashet po e
përcillnin çdo kund dhe ishte i survejuar nga ata, andaj kujdesi ishte tejet i
nevojshëm. U angazhua tej mase që të angazhonte sa më shumë anëtar në ilegale.
Organizonte aksione kundër pushtuesit dhe edhe më tej shpërndante parulla në
qytet.
Ai shpesh në takime me shokët iu thoshte se liria pa gjak
nuk fitohet dhe ajo nuk fitohet pa derdhur gjak. Kundër okupuesit duhet luftua
i madh e i vogël, duhet të ketë luftëtar për të luftuar. Andaj, vëllezërit Rrahman e Bajram Bahtiri e kishin
organizuar dhe aktivizuar tërë familjen. Bajrami angazhohej edhe në fusha të
tjera. Ishte për angazhimin e gruas në çdo fronte të luftës pa kushte.
Shkollimin e vajzave e shihte si shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar dhe
thoshte se vetëm të shkolluara ato do të jenë të dobishme për familjen dhe
atdheun. I demaskonte tradhtarët dhe angazhohej në propagandimin e idesë për
bashkimin kombëtar.
Ai ishte i palodhur
në organizimet ilegale, por edhe kishte përkrahjen e vëllait, i cili po
ashtu ishte i organizuar në organizatën e FNÇK. Udbashët e dinin se Bajrami nuk
ndalej në aktivitete, andaj e arrestuan përsëri më me 27 dhjetor 1983. Në burg e mbajtën deri më
30 janar 1984. Ndërsa vëllain e tij Rrahmanin e dënojnë me 10 vite burg të
rëndë. Bajramin udbashët e kishin burgosi dy herë. E kishin torturoi rënd.
Trupin e tij të njomë e kishin la me gjak, por ai gjatë tërë kohës qëndroi i
pathyeshëm. Sapo dilte nga burgu ende me plagë në trup e vazhdonte punën
patriotike. Për Bajramin, jeta pa luftë, pa përpjekje për t’u çliruar dhe pa
rreziqe, përderisa populli shqiptar ishte i robëruar nuk kishte kuptim. Lufta e
Bajramit dhe përpjekjet e tij, brenda radhëve të organizuara u bënë model edhe
për brezat që erdhën e që do të vijnë pas tij.
Lirimi i Bajramit nuk ishte bë për shkak që ai nuk kishte
veprua në ilegale, se dosja e tij ishte e mbushur me plotë veprimtari anti
jugosllave, e anti shtetërore, porse udbashët llogaritnin që me daljen e tij në
liri ai përsëri do të filloj veprimtarin ilegale dhe në këtë mënyrë do të
zbulohen edhe anëtarët që nuk i zbuluan të akuzuarit. Bajramin e kishte regjur
puna ilegale dhe i kishte mësua hilet e okupatorit, andaj edhe nuk lejoi që të
arrestohen edhe të tjerë. Dhe me 8 shkurt 1984, në Lagjen e Trimave, ku ende
nuk ishte bë një muaj nga vrasjet e dy trimave Rexhep Malës e Nuhi Berishës,
rrethohej shtëpia e Hajrush Bahtirit, duke kërkuar që të hynë brenda dhe të
arrestojnë djalin e tij- Bajramin sypatrembur. Familjaret barrikadohen dhe nuk
lejojnë që të arrestohet Bajrami. Djali i tyre trim me një pushkë të vjetër,
trashëgim nga babagjyshi, siç shkruan Sejdi Veseli, e palosi për tokë
denoncuesin shqipfolës të armikut dhe
çau rrethin e parë me forcën e armës së tij. Tërhiqet drejt vendit të quajtur
Majdeni i Sali Bullakut, që gjendet jo larg shtëpisë së tij. Por, aty përballet
me rrethin e dytë të forcave armike, të cilat pa paralajmërim hapen breshëri
zjarri të kryqëzuar drejt pozicionimit të tij. Në pamundësi për ta ndërruar
vendin e pozicionimit, Bajrami kishte
vendosur për të rezistuar, deri në fishekun e fundit.
Andaj kriminelët, përdorën taktikën e vjetër duke thirrë
me megafon që të dorëzohej, por në ndërkohë snajperisti kërkonte vendim më të
përshtatshëm për ta qëlluar djaloshin trim. Bajrami edhe pse e dinte se ishte i
rrethuar, për një moment iu kujtuan trimat Rexhepi e Nuhiu që me këngë kishën
rënë në altarin e lirisë, edhe ai filloi këngën dhe sa mundte gjuante në
drejtim të policisë deri sa e goditi për vdekje predha e snajperistit që kishte
ardhur nga Beogradi, enkas për të likuduar shqiptarët që luftonin për Kosovën e
lirë.
Siç bënin zakonisht udbashët edhe kësaj radhe në varrimin
e dëshmorit nuk lejuan që të merrnin pjesë populli, andaj trupi i Bajramit u
varros me nderimet më të larta nga familja e tij e ngushtë, të cilët e deshën
shumë, varrimi u bë nën rrethimin e hekurt të forcave të shumta të sigurimit të
pushtuesit. Bajramin e vranë por në zemrat e popullit asnjëherë dhe kurrë nuk
mundën ta vrasin dashurin dhe nderin që gëzonte ky trim i Kosovës.