E hene, 29.04.2024, 08:48 PM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Zanafilla e Kulturës materiale dhe historike në Kosovë

E enjte, 04.04.2024, 09:00 PM


ZANAFILLA E KULTURËS MATERIALE DHE HISTORIKE NË KOSOVË

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji Trashëgimi Kulturore

Zanafilla e Kulturës materiale

Bazuar në hulumtimet e gjertanishme, gjurmët e para të trashëgimisë kulturore në truallin e Kosovës së sotme fillojnë që nga kulturat e neolitit të hershëm. Që nga kjo periudhë kemi kulturë të pandërprerë të jetës dhe civilizimit deri më sot. Këto kultura ndeshen me gërshetime të elementeve të hershme indoevropiane, para krijimit të etnosit ilir në epokën e bronzit, për të vazhduar deri më sot, të shoqëruara me ndikimet e kulturave më të zhvilluara të kohës, si janë: helene, romake, bizantine, osmane dhe sllave. Ndikimi i këtyre kulturave la gjurmët e trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe materiale me vlera të llojllojshme kulturore dhe historike.

Në këto rrethana, lindën kultet pagane-kulti i natyrës për objekte, kafshë, ndryshime periodike, vende, fenomene të veçanta tronditëse dhe u visheshin cilësi të mbinatyrshme, të thurura me enigma. Sipas besimit të njeriut në lashtësi për këto dukuri, kanë lindur e ruajtur nderim i veçantë për lutjet ceremonitë, flijimet, tabutë kushtuar objekteve e vendeve te kultit[1].

Nga këto besime të lashta vlen të veçohen besimet në diell dhe hënë e të cilat na paraqiten shpesh në trevat shqiptare të skalitura në objekte të ndryshme që nga parahistoria.

Për besimet dhe simbolet e kultit kanë shkruar edhe rilindësit shqiptarë. Mark Tirta shkruan se Pashko Vasa në vitin 1879, vë në dukje se shqiptarët betoheshin në diell, në hënë, në qiell, në dhe, në gur dhe elemente tjera të natyrës e jo në perëndi e shenjtorë të krishterimit e të islamizimit. Këto betime Pashko Vasa i shpjegon si të lashtësisë shqiptare e më burim vendës[2].

Besimet e shoqërisë primitive lindën gjatë ndeshjes së njeriut me natyrën dhe fenomenet që ngjanin në të. Ato janë pasqyrim i dobësisë së njeriut në marrëdhënie me mjedisin që e rrethonte, dobësive që vinin për shkak të nivelit shumë të ulët për të kuptuar misteret e fenomeneve natyrore[3]. Këto dukuri në territorin e Kosovës janë të paraqitura në plastiken gurore dhe datojnë që nga koha e vjetër e gurit e që u bartën brez pas brezi deri në kohët moderne.

Në besimet popullore gjejmë përfytyrimet e hënës si grua dhe të diellit si burrë, e ku flitet edhe për fëmijët e tyre. Në një legjendë popullore tregohet se hëna me diellin kanë qene motër e vëlla, ndërsa në ndonjë variant tjetër paraqiten si burrë e grua. Në popullin tonë të zënët e hënës a të diellit mbahej si një shenjë shumë e keqe[4].

Kulti i hënës edhe diellit te popullata shqiptare pasqyrohet edhe me betë e tyre në gurë. Këto elemente të lashta të besimit në traditën tonë popullore i shënoi edhe Shtjefën Gjeçovi. Shtjefën Gjeçovi, po ashtu la në dorëshkrim të dhëna të shumta për trashëgiminë shpirtërore të popullit tonë. Po japim disa të dhëna nga Gjeçovi për doke, zakone dhe tradita shqiptare.

Doke dasmash, shkruar nga Shtjefën Gjeçovi[5]

Beja me gurë shkruar nga Shtjefën Gjeçovi [6]

Paraqitja e Hënës në qiell me tre forma të ndryshme, krijoi një sërë mitesh dhe besëtytnish, që shprehnin tri periudhat kohore të njeriut: jetën, vdekjen-botën e përtejme dhe ringjalljen. Ndërgjegjësimi se i vdekuri nuk ringjallej, nuk do ta ndalonte njeriun e lashtësisë të kërkonte “pavdekësinë”. Edhe në trupin e tij duhej të ndodhej pjesa “e pavdekshme” (energjia krijuese), siç kishte edhe Hëna. Kështu, lindi ideja e “shpirtit të përjetshëm”, që shkëputej nga trupi i të vdekurit, i cili i përkiste dheut për t’u ngjitur në botën e përtejme dhe ky vend ndodhej në yllin e afërt dhe të madh tokësor - në Hënë[7].

Njeriu dhe Hyjnizimi i hënës dhe diellit si simbole kulti

Dielli, Hëna, Yjet në mite, rite e besime të popullit tonë në plot rast na dalin të lidhura me pjellorinë në bujqësi e blegtori[8].

Guri ”Hënor” i zbuluar në fshatin Pogragjë në komunën e Gjilanit, dëshmon bindshëm për gjurmët e civilizimit të hershëm në vendin tonë.

Në të gjitha trevat shqiptare, kur lind hëna e re, fëmijët i këndonin këngë: “Hënë e re/ vashë e re, unë në punë/ti në gjumë, unë shëndet/e ti gërshet[9].

Mendojmë se hyjnizimi i hënës në popullin tonë më një masë kaq të madhe ka të bëjë me ndonjë hyjni të lashtë htonike vendëse me atribute të bujqësisë dhe të jetës familjare[10].

Në shtëpinë e re nuk mund të hyhet në çdo ditë të javës, por vetëm në ditë të mbara. Si ditë të mbara konsideroheshin dita e hënë, e mërkurë, e enjte dhe dita e shtunë. Në aspektin tjetër hyrja në shtëpi të re lidhet edhe me hënën si objekt qiellor. Në disa rajone thuhet se në shtëpi të re hyhet për herë të parë me hënë të re, diku me hënë drapër, diku me hënë në rritje dhe diku haste më rrallë edhe me hënë të plotë[11].

Në traditën tonë popullore ruhen thëniet për besimet e lashta që lidhen me Hënën:

Lëndët e drurit për ndërtimin e shtëpive duhet të prehen me hënë të vjetër.

Hunjtë e gardhit duhet të prehen me hëne të vjetër.

Plehu ne arë edhe nëse është qitur sa ka qenë hëna e re, është dashur që ara të livrohet  vetëm kur të bëhet hëna e vjetër.

Po të ndodhë që të livrohet ara me hënë te re, është e njëjtë sikur mos të plehërohet toka fare.

Muaji Hënor ka 29 ditë.

Dita e hënë dhe e enjte asnjëherë nuk janë pa hënë

Kur ndërrohet hëna vetëm një ditë nuk duket, pra një ditë e muajit është pa hënë

Kjo ditë pa hënë mund të jetë pa hënë dita e martë, e mërkurë, e premte, e shtunë, e diel, por nuk mund të jetë dita e hëne dhe dita e enjte[12].

Kur hëna merr formën e gjysmë hënës së plotë dhe është e ndritshme pa njolla, në popull thuhet se koha është e qetë.

Kur hëna është e plotë me njolla ose hëna pesëmbëdhjetë, në popull thuhet se koha do të ketë ndryshime (jo e qetë) [13].

Guri me simbolikë të lashtë i zbuluar në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit

Në territorin e Kosovës është shumë i pranishëm edhe kulti i gjarprit. Kulti i gjarprit është evident edhe te shumë popuj të botës që nga Azia Lindore e deri në Amerikë. Shumë e njohur dhe e famshme është legjenda e Gjarprit Hitit, emri i të cilit ishte Illurjanka, që për disa autorë shërben si burim nga rrjedh edhe emri ilir[14]. Kulti i gjarprit si kult botëror, daton prej kohës së paleolitit dhe vjen deri në ditët tona, ndërsa në trevat ilire ai evidentohet qysh nga koha e neolitit. Kulti i gjarprit Kosovë haset në objekte të kultit, shtëpi të banimit, në drugdhendje, në qeramikë që dëshmon një periudhë të gjatë të besimit dhe traditës popullore.

Gjarpri është kafshë toteme dhe kryetar i fisit ilir, simbol i mençurisë, i së keqes, shëndetit, pjellshmërisë, personifikim i shpirtit të  ndjerit, mbrojtës i vatrës së shtëpisë e, mbi të gjitha, kafshë mitologjike[15].

Mbrojtja institucionale e trashëgimisë kulturore në Kosovë

Me ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe krijimin e kombeve në Evropë, filloi edhe përvetësimi i vlerave kulturore, duke humbur kriteret njerëzore dhe humane.

Në shekullin XIX e sidomos ne shekullin XX, trashëgimia kulturore dhe historike e shqiptarëve të Kosovës u shkatërrua për qëllime politike, duke përdor praktikat shkatërruese nga pushteti dhe administrate turke dhe sllave në këto hapësira.

Mos respektimi i konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë me ligje dhe kritere universale, ndikuan që Shtjefën Gjeçovi, me tërë forcën e tij intelektuale dhe materiale të vihet në mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjarpërinjtë në gur, pranë kishës së vjetër në fshatin Firiqevë, në Malësinë e Galabit

Gjeçovi u shqua për studime folklorike, etnografike, arkeologjike dhe të drejtën zakonore. Avni Alcani shkruan se Shtjefën Gjeçovi, është i pari arkeolog shqiptar që zhvilloi kërkime dhe sondazhe në terren brenda territorit të Shqipërisë që në vitin 1920. Ai e botoi shkrimin e parë në fushën e arkeologjisë me titull “Argëtim Arkeologjik[16].

Gjeçovi ngriti dy muze në Shkodër të jezuitëve dhe të françeskanëve, është fjala për dy koleksione antikitetesh që ishin grumbulluar për të zbukuruar dy dhoma të klerit katolik. Këto muze u themeluan rreth viteve 1880 dhe 1890. Gjeçovi ishte etnografi, arkeologu dhe studiuesi i parë shqiptar i kulturës ilire.

Përballë Gajtanit në Shqipëri sot ndodhet një shpellë që e mban emrin e Gjeçovit, sepse në këtë shpellë i bëri gjurmimet, ku e la edhe një mbishkrim të vetin[17].



[1] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq. 50

[2] Po aty, fq. 68

[3] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004, fq.49

[4] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004,  fq. 72-73

[5] Arkivi Qendror Shtetëror, Tiranë, F.58, V, D. 76, fl. 1.

[6] Arkivi Qendror Shtetëror, Tiranë, F 58, V, D, 70, fl.25

[7] Fatbardha Demi, www.pashtriku.org, “Besimi Hënor – Dëshmi e Autoktonisë së Kombit Arbër”, e enjte, 19 dhjetor , 2013

[8] Mark Tirta, “Etnologjia Shqiptare”, Tiranë, 2003, fq.443

[9] Po aty, fq. 74

[10] Po aty, fq. 74

[11] Ali Muka, “Ndërtimet tradicionale fshatare”, Tiranë, 2007, fq.538

[12] Shaban Hajzeri, (1936), fshati Vllahi, Komuna e Mitrovicës.

[13] Vehbi Reçica, (1946), fshati Llugagji, Komuna e Lipjanit.

[14] Aleksander Stipçeviq, “Ilirët, Historia-jeta-Kultura Simbolet e Kultit”, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 17

[15] Po aty, fq. 321

[16] Frrok Kristaj, “Gjurmë të Gjeçovit”, Janjevë, 2001, fq, 49 - 50

[17] Stilian Adhami, “Muzeologjia Shqiptare”, Tiranë, 2001, fq. 24 - 26



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Tipologjia e banesës popullore në trevat veri-lindore të Kosovës Qazim Namani: Perandoria Osmane zbatonte politika diskriminuese vetëm ndaj popullit shqiptar Qazim Namani: Organizimi i shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane gjatë reformave të Tanzimatit 1826-1856 Qazim Namani & Faik Sahiti: Familja shqiptare nga Leskoci që gjatë Luftës së Dytë Botërore e strehoi hebreun Ahim Kohen Qazim Namani: Përndjekja e hebrenjve nga çetnikët serbë nëpër vendbanimet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore Qazim Namani: Serbët gjithmonë gënjejnë dhe falsifikojnë Qazim Namani: Objektet kishtare brenda citadelës në Kështjellën e Artanës Qazim Namani: Tradita të moçme dasme dhe nga jeta te popullata shqiptare në fshatrat e Medvegjës Qazim Namani: Qytetet Urbane gjatë sundimit osman në Kosovë Qazim Namani: Gjurmëve të qytetit të Damastionit në trevat e Dardanisë qendrore Qazim Namani: Shqiptarët dhe hebrenjtë në Kosovë gjatë sundimit serbë 1912-1945 Qazim Namani: Prania dhe regjistrimet e komunitetit hebre në Kosovën e sotme nëpër shekuj Qazim Namani: Historiku i shkurtër dhe trashëgimia kulturore në qytetin e Pejës Qazim Namani: Roli i Vojsllav Tankosi?it në pushtimin e Kosovës gjatë luftërave ballkanike 1912 Qazim Namani: Presionet e pushtuesve për ndryshimin e kostumeve popullore shqiptare Qazim Namani: Ndryshimi i veshjes brenda një fisi dhe familje shqiptare pas krizës lindore 1879/1880 Qazim Namani: Veshja kombëtare e popullit tonë dëshmi e vlerave më të larta të artit evropian Qazim Namani: Gjurmët historike dhe ruajtja e traditës së krishterë në veshjen e Medvegjës Qazim Namani: Dëshmi e artit tradicional parahistorik dhe atij dardan Qazim Namani: Simbolet e kultit te veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora