Speciale » Namani
Qazim Namani: Gjurmëve të qytetit të Damastionit në trevat e Dardanisë qendrore
E diele, 30.04.2023, 08:00 PM
Gjurmëve të qytetit të Damastionit në trevat e Dardanisë qendrore
Nga
Qazim Namani: Dr.
Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
Damastioni ishte qendër e madhe xehëtare me rëndësi në Dardani, ku
që nga shekulli i IV p.e.re, preheshin monedha prej argjendi. Në simbolet e
përdorura mbi monedha është çekani i minatorit, që dëshmon se qyteti ishte
qendër e një treve të pasur me miniera të arit dhe argjendit.
Damastioni është njëri nga qytet e
rëndësishme ilire i cili ende nuk është zbuluar se në cilën treve ilire ishte
ngritur. Bazuar nga burimet antike ky qytet ishte bërë i njohur për përpunimin
e arit dhe argjendit.
Minierat për rreth, dhe përpunimi i
metaleve fisnike në këtë qytet kishin një rol mjaft të rëndësishëm në
zhvillimin ekonomik, të jetës sociale e kulturore të asaj treve.
Gjurmët e vendndodhjes së këtij qyteti
ende nuk janë të përcaktuara qartë, lidhur me këtë çështje janë ngritur shumë
hipoteza, por nga mungesa e hulumtimeve në terren, nuk është vërtetuar, ku kanë
ekzistuar gjithë ato miniera, dhe ku ka lulëzuar ky qytetërim.
Hipotezat e ngritura deri më tani
dallojnë shumë mes veti, duke e kërkuar në disa qytete dhe vendbanime të
ndryshme nëpër trevat e Ilirisë dhe Dardanisë antike.
Shumë studiues për këtë qytet dhanë
mendime, duke e kërkuar nga viset jugore të Shqipërisë, në Maqedoninë e sotme,
në Kosovë dhe në Serbinë e sotme.
Nga burimet e më hershme mësojmë se në
këtë qytet përveç përpunimit të metaleve fisnike, u prenë edhe monedha me emër
të qytetit dhe çekanin e minatorit, të cilat sot hasen në shume vendbanime të
Gadishullit Ballkanik.
Nëse bazohemi në shkrimet e studiuesve
antik, por edhe në mendimet e studiuesve tanë nga Kosova si: Zef Mirditës, Edi
Shukriut etj, të cilët mendojnë se qytetin ilir Demastionin duhet kërkuar në
Dardani, e pikërisht në lokalitetet e përpunimit të metaleve në rrethinën e
Artanës, dhe bazuar në gjurmët arkeologjike dhe minerare, mundë të konstatohet
se kjo trevë, pa tjetër duhet të ketë qenë qendër primare për ekonominë
dardane.
Përveç shumë lokaliteteve tjera arkeologjike, monedha të Damastionit
janë gjetur edhe në Kështjellen e Veletinit afër Janjevës.[1]
Rëndësia e këtij territori të Dardanisë
dëshmohet edhe nga ekzistimi i shumë kështjellave dhe gradinave pranë
galeriveve minerare që sot i hasim në terren.
Mbarimi i kulturës së bronzit që në
malësinë e Galabit, dëshmohet me nekropolet e zbuluara në fshatin Bërnicë të
poshtme, Grashticë e Keqekollë, afër Prishtinës, filloj një kulturë e re ajo e
hekurit.
Mbi fshatin Bërnicë, ngrihet kështjella
e Siçevës, në Grashticë është fortifikata dhe vendbanimi antik i shtrirë ne
disa hektarë. Në fshatin Keqekollë, ekziston një fortifikat që mendohet të jëtë
Kështjella e Kekollës.[2] Qytetrimi
dardanë në këtë trevë dëshmohet me një numër të madh të fortifikimeve dhe
monumenteve të zbuluara.
Në periudhën e hekurit, në këto treva
jetonin dardanët, të cilët ishin bartës të qytetrimit të ri, duke dëshmuar
kontinuitet qytetrimi që nga parahistoria.[3]
Kjo periudhë e qytetrimit dardanë
dëshmohet me vendbanimet e fortifikuara (qytezat), të cilat sot i gjejmë në
tërë territorin e Kosovës së sotme e më gjërë.
Vendbanimet e tipit të fortifikatave në
territorin e Kosovës, na shfaqen që nga mbarimi i periudhës së neolitit.[4] Kultura
materiale e zbuluar në fshatin Damarocë, pranë lumit Morava Jugore, dhe në
fshatin Vlashnje afër Prizrenit, i përkasin grupit: Iodertaro-humusor.[5] Supozohet se
këto fortifikime të ngritura në epokat e hershme të historisë, kanë vijuar
zhvillimin e tyre gjatë tërë epokës së bronzit, në mënyrë që në epoken e
hekurit të bëhen si vëndbanime dominuese në zonat për rreth ku shtriheshin.[6]
Në trevëne burimit të Moravës Jugore,
mund ta kërkojmë qendrën kryesore të qytetrimit në këtë zonë, dhe se zbulimet e
kulturës materiale të epokës së hekurit, në këto anë ju përkasin dardanëve.[7]
Duhet theksuar se xeheroret e Kosovës
janë shfrytëzuar që nga periudhat e hershme të metaleve, dhe kjo dëshmohet në
tërë territorin e Kosovës.
Xehetaria si degë e rëndësishme
ekonomike gjatë Mbretërisë së Dardanisë gjatë shekullit IV-III para erës sonë,
ishte zhvilluar edhe jashtë kufijve verilindor të Kosovës së sotme. Minierat në
rrethinë e Leskocit, Medvegjës, Vrajës, Bujanocit, Preshevës dhe Kumnovës,
ishin degë kryesore të ekonomisë që ndikuan në zhvillimin e qyteteve në këto
anë, gjatë periudhës helenistike, në antikitetin e vonë dhe mesjetës.
Emil Cershkov: gjatë hulumtimeve në
terren ka shkruar se, në territorin mes Gjilanit dhe Bujanocit janë ruajtur gjurmët e xehetarisë së vjetër antike e mesjetare, të cilat me vështirësi
dallohen, sepse gropat dhe galeritë janë shembur që moti dhe mezi mundë të
shihen në terren.[8]
Për minierat e kësaj treve kemi të dhëna edhe nga autorët
antik. Shkrimtari romak Straboni, i cili jetoi ne shekullin e parë para erës
sonë, në librin e tij VII, ka shkruar se, dardan janë dhe Galabrët tek të cilët
…..(mungesë në test), është një qytet i vjetër …. këta pra banojnë në
thellësi të vendit.[9]
Është një fakt se Straboni e dinte për atë qytet, dhe e
gjeti të udhës ta citonte me epitetin Arhaia e kjo tregon se nuk mund të
bëhet fjalë për ndonjë fortesë të zakonshme.[10]
Dardanët kanë qenë të organizuar në jetën politike,
ekonomike dhe sociale prandaj si duket ky polis Arhaia ka qenë qendër e
rëndësishme e fisit dardan Galabroi.[11]
Edi Shukriu, për ekzistimin e qyteteve në Dardani
shkruan: Sipas burimeve antike në Dardani kishte qytete, kështu në shek. I
p.e.re, autori antik Tit Livi bënë dallim midis vendbanimeve, duke i quajtur
disa prej tyre me nacionin urbus, përderisa Straboni përmend një qytet
të vjetër tek Galabrët dardan, pra një qytet që në shekullin e I p.e.re
ishte i vjetër.[12]
Hatat
që tregojnë shtrirjen e fisit të lashtë dardan Galabri
Dardanët kishin
zhvilluar njësi minerare të ashtuquajtura fines,
njësi këto që posedonin njësine administrative të quajtur vicus metallic.[13]
Monedha të prera dhe të
prodhuara në qytetin e Damastionit, përveç Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë,
janë gjetur edhe në shumë lokacione të tjera, si: tetradrahma në Kulinë
(ndërmjet Nishit dhe Leskovcit).[14]
Autori Petar Popovi? paraqet tri monedha të zbuluara ne
Kërshevice, ndër të cilat një e prerë në Damastion kurse dy në Pelagia.[15]
Banja Luka. Siç thamë më lart,
monedhat e Damastionit u zbuluan në Dalmaci, Bosnje dhe Hercegovinë. Në
Shqipëri, përveç Shkodrës, monedhat e Damastionit u zbuluan në zonën e
Elbasanit.
Sipas Imhoof-Blumer, monedhat
e Damastionit u gjetën, afër Stobit, Shkupit, Vranjës, Kumanovës dhe Karatovës
perëndimore. Paraqitja e monedhave Damastion u dëshmua në Janjevë, Prizren,
Gjakovë dhe Pejë. Krahas lumit Morava në veri-lindje nga Vranja dhe Kumanova,
konkretisht në Kulinë, afër Leskovcit në vitin 1923 u zbulua një grumbull i
madh me monedha Damastion. Duke shkuar më tutje në lindje, gjenden 11 monedha
të Damasionit në Muzeun Kombëtar të Sofjes në Bullgari. Të gjitha ato 11
monedha janë zbuluar në territorin e Bullgarisë. Edhe në Rumani u zbuluan
monedhat e Damastionit. Sa i përket Shqipërisë në Shkodër u zbuluan 3 monedha
të Damastionit. Në Dalmaci në Sinj, rreth 25 km afër Splitit, u zbuluan 30 monedha,
në Risan (Rhizoni i lashtë), në Bocche di Cattarro, u zbulua një grumbull me
monedha të Damastionit. Në disa monedha të Damastionit është shfaqur çekiçi i
minatorit, i cili dëshmon se qyteti ishte qendra e një rajoni të pasur me
minerale argjendi. Përderisa monedhat e Damastionit janë kryesisht monedha ari
dhe argjendi, atëherë lirisht mund të pohojmë se Damastioni gjendej afër
minierave të arit dhe argjendit, gjë që dëshmohet nga gjurmët e minierave që
gjenden edhe sot në miniera të ndryshme, lumenj edhe të rajonit të Kosovës.[16]
Rreth ubikimit të qytetit të Damastionit, në mungesë të materialit tjetër të shkruar
arkeologjik, janë shprehur disa mendime të kundërta, lokalizimi i këtij qyteti
është përcaktuar në sajë të monedhave të gjetura që janë prerë në shek. IV-III
p.e.re. Sipas tipit, stilit dhe emrit të monedhës, Imhoof-Blumers dhe Gaebleres
“Zeitshrift fur numismatic I “ 1874,99 ss dhe “Zeitshrift fur numismatic
37 “ 1927 pag 245 ss, kanë menduar se ky qytet duhet të jetë diku afër
Peonisë, madje Dyestoi sipas Gaeblerit, Dinastet do të jenë Peon. Më vonë Imhoof-Blumes
e lypin diku në jug të Shqipërisë te Antigoneja respektivisht te vendi Dames
nja 10 km në veri të Tepelenës, te lumi Vjosa. Philipson është i
mendimit se Damastioni mund të
identifikohet me Gjirokastrën e sotme.
Karl Paçi po ashtu mendon se duhet të gjendet në jug të
Shqipërisë. V. Tomashek këtë qytet e lypë diku në trevën e Pirustëve,
respektivisht në Mirditë, ku ka qenë i njohur aktiviteti i xehetarisë. Të
njejtin mendim por më preciz e ka edhe R.L.Beau Mond, sipas të cilit Damastioni duhet të lypet diku
në Mirditë ose në Dukagjin.
Megjithatë duhet theksuar, që me sa dihet deri me tani,
në Shqipëri janë gjetur vetëm tri copa monedha të Damastionit, gjë që është e pa kuptueshme të pranohet hipoteza e
ubikimit të këtij vendbanimi, kudo qoftë në Shqipëri.
Vetë fakti se lokalizimi i këtij vendbanimi ka nxitur
interes të madh, dhe mendimet për shtrirjen e tij, prej një vendi në një vend
tjetër, tregon jo vetëm rëndësinë por dhe vështirësinë e kësaj qasje. Kështu
Konstantin Jeriqeku mendon se ubikimi i tij duhet të lypet diku në veri të
Dibrës. Mendimeve të K. Jeriqekut, ju afrohet dhe A. Majeri i cili këtë e lyp
në veri të qytetit të Ohrit.[17]
Me gjithë mendimet e kundërta rreth ubikimit të këtij
qyteti duke ndjekur metodën e rrahur deri më tani, bazuar në gjurmët e eksploatimit
të xeheve dhe fortifikimeve, mendojmë se Damastionin duhet ta lypim në trevën qendrore të Dardanisë,
respektivisht në trevën e sotme të Kosovës, Serbisë jugore dhe Maqedonisë perëndimore.
Në vitin 1961 në jug-perëndim të Janjevës në vendin e
quajtur “toka e bardhë” janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik,
dhe me qenë se kjo trevë me Artanën
(Bovo Brdo)[18],
dhe minierat e Kishnicës janë të njohura si vende të pasura me minerale.
Është me rëndësi të dihet, se në këtë trevë janë gjetur
më së shumti monedha të Damastionit, kurse si Straboni ashtu edhe Palimpsesti i
Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit. Pikërisht këto të dhëna e
bëjnë ta lypim këtë qytet në afërsi të Kishnicës respektivisht Janjevës apo të
Prishtinës shkruan Zef Mirdita.[19]
Nga ky shkrim shihet se Zef Mirditës i kanë munduar hulumtimet në terren, në
fshatrat tjera të kësaj treve.
Mendoj se mendimi i Zef Mirdites për ubikimin e Demastionit në pjesën qendrore të
Kosovës, e pikërisht në malet e Galabit, është i qëlluar, duke u bazuar te
gjurmët xehetarie të cekura më lartë në rrethinën e Janjevës, Artanës
dhe të Prishtinës. Është me
rëndësi të shtohet edhe fakti se trevat veri-lindore dhe jugë-perëndimore
të Artanës janë shumë të pasur me lokalitete xehetarie, dhe gjurmë të lashta
antikiteti për të cilat nuk është shkruar nga autorët bash kohor, pasi nuk janë
bërë hulumtime të duhura në këto treva.[20]
M. Suici mendon se ky polis ishte qendër e një bashkësie
territoriale. Identifikimin dhe ubikimin e kësaj qendre e ka dhënë edhe Ivan
Mikulcici duke e lokalizuar me kalanë e Shkupit, e që me rezervë këtë mendim e
merr edhe Fanula Papazoglu.[21]
Mendojmë se Ivan Mikulcici dhe studiuesit tjerë të cekur
më lartë, për ubikimin e këtij qyteti kanë ndjekur rrugën e gabuar, sepse duhet
besuar se fisi i njohur dardan, Galabroi ka jetuar në territorin e Galabit të sotëm,
pra në thellësi të Dardanisë antike, kurse qyteti i Shkupit nuk shtrihet në
territorin e malësisë së Galabit, e as në pjesën qendrore të Dardanisë antike
dhe kjo bie ndesh me të dhënat e Strabonit.
Bazuar në rezultatet e terrenit mendojmë se në të ardhmen
këtë qytet duhet kërkuar në rrethinën e Artanës
e pikërisht në Malësinë e Galabit.
Në bazë të burimeve të mbledhura nga terreni, del se edhe
ana veriore e Prishtinës, nuk ka qenë mbrapa për nga zhvillimi i
xehetarisë, krahasuar me anën përendimore, ku mund ti cekim gjurmët xehëtare
dhe fortifikimet në fshatrat: Samaderxhë,
Barilevë, Lupçë të ulët, Besi
Tenezhdoll, Majac ( Kështjella dhe Gradina), Popovë, Patok, Kacanoll,
Llapashticë, Pakashticë, Zhiti, Marincë, Murgullë, Bollostenë etj.
Gjatë hulumtimeve në terren në malësinë e Galabit, kemi
hasur në mjaftë toponime që në njëfarë mënyre lidhen me minierat e argjendit,
arit dhe qytetin e parë dardan Aria.
Është me rëndësi të ceket se lugu i “Gjytetit të Rimit”
në fshatin Prapashticë sot quhet lugu i Arushës, ku tek banorët e kësaj
ane nuk mbahet në mendje të jetë parë ndonjëherë ari në këtë lokalitet, kësaj
duhet shtuar se në anën jug-perëndimore të këtij lokaliteti fillon territori i
fshatit Keqekollë ku kroi i këtij fshati quhet Kroi i Kikollit (Kroi i Gjytetit).
Në këtë fshat është zbuluar një kështjellë që mendohet të
jete Kështjella e Kekollës, e cila gjendet në listën e rindërtimeve nga
perandori Justinian.[22]
Në fshatin Keqekollë rreth 1km në anën jugore nga kroi i
qytetit, një hyrje e galerisë nga popullata quhet “Shpella e Argjentit”. Në
këtë fshatë janë regjistruar gjashtë vende, ku ishin tubuar skoriet (zgjyra e
metaleve), nga përpunimi i xeheve. Sasia e grumbulluar e skorieve në Keqekollë,
Ballaban, Barainë, Herticë, Prapashticë, Dabishec, Hajkobillë, Kremenatë,
Strezoc, Bugjenicë, Gjyrishec, Kronidel, Krilevë, Marec dhe fshatrave në
rrethinën e Janjevës e Gjilanit, është bartur dhe dërguar në shkritoren e
Trepçës në vitet pesëdhjeta të shekullit XX.
Në Prapashticë ekzistojnë gërmadha të vendbanimit të
lashtë, themelet e disa kishave, zgjyrë xehesh, varreza me trup vendosje dhe
tumulare, kurse në hyrje të këtij lokaliteti një luginë quhet “Lugut të
Arushës” ku është evidentuar rruga që ka ekzistuar që në kohët e lashta.
Në anën jug-lindore në fshatin Marec jo larg këtij
lokaliteti gjendet lokaliteti arkeologjik i quajtur gradinë. Një mikrotoponim i
ngjashëm e gjejmë edhe në fshatin Mramur, me emrin “Fusha e Arushës”.
Në këtë fshat janë gjetur gjurmët e një qytetërimi antik, që vetëm e përforcon
mendimin se qyteti Aria duhet kërkuar në vargun e mikrotoponimeve të ruajtura për
“Gjytete (Qytete)”, në këtë trevë, që dëshmojnë një zhvillim të pa
kontestueshëm në lashtësi, duke filluar prej Gjytetit të Istrinës (Grashticës),
pikërisht lokalitetit arkeologjik që shtrihet dhe në territorin e fshatit
Mramur.
Një fortesë e rindërtuar në Dardani nga mbreti Justinian
quhej ARIA, që mendojmë se duhet
ubikuarë me ndonjërën nga kalatë që ngritën mbi Gradinën e fshatit Siarinë.
Në fshatrat rreth Siarinës, pothuaj se në çdo fshat edhe
sot vërehen gjurmët e përpunimit të metaleve, dhe gjatë rrjedhës së ujit në
këto anë, kudo hasen skorie të mbetura nga përpunimi i metaleve. Në këtë zonë
është e njohur miniera në fshatin Lece.
Pranë Gradinës së Siarinës në fshatin Sfircë, janë
ruajtur toponimet “Birat e Arisë”, në fshatin Zajçec edhe sot ruhet toponimi
“Bashqja e Arisë”, mikrotoponime këto që e përforcojnë mendimin tonë. Në
fshatin Marec, është gradina, lokalitet ky i rrethuar me shumë fortifikime dhe
miniera. Pranë kësaj gradine ka sasi të madhe të zgjyrës.
Në fshatin Gjyrishec, Velegllavë në kufi me fshatin
Marocë, një vend shkrirje e mineraleve quhet “Shpella e Argjendit”, në këtë
vend vërehen gjurmët e një galerie.
Pranë gradinës së Siarinës, një kështjellë sot quhet
“Quka e Dukatit”, që mendojmë se emrin dukat (ari)[23],
kjo kështjellë e mori pas pushtimit Osman, duke lënë të kuptohet se më parë
është quajtur “Quka e Arit”.
Fshati Siarinë është lokalitet i njohur arkeologjik dhe i
vetmi vendbanim i lashtësisë që karakterizohet me gejzerin me ujë shërues.
Gradishta e këtij fshati që nga kohët e antikitetit dëshmon për një vendbanim
të lashtë, që e kishte edhe banjën shëruese, prandaj deri më sot janë ruajtur
emërtimet e fshatrave ‘’Banja e Vjetër’’ dhe ‘’Romabaja’’. Të dyja këto
fshatra, duke i përfshirë edhe fshatrat përreth Siarinës, janë të njohura si
vendbanime minerare të antikitetit.[24]
Nga
shumë harta të botuara gjatë shekullit XIX, dëshmohet se malet e rrethinës së
Artanës (Novo Brdës), janë quajtur Malet e Argjendit
Vërehet se edhe në përshkrimet e Ptolomeut për katër
qytete urbane në Dardani Aribantioni
është i renditur në relacionin rrugorë mes Naissusit (Nishi i sotëm), dhe Ulpianës pranë Prishtinës, çka i përgjigjet lokalitetit “Quka e
Dukatit”.
Mita Rakiqi, në librin e tij “Iz Nove Serbije”, Malësinë
e Galabit, nganjëherë e quante edhe Gulab i cili thekson se në bjeshkët e
Galabit, duke e pasur parasysh trevën e Jabllanicës, jetonte elementi
shqiptarë, ose siç ai e quante elementi arnaut.[25]
Prania e dardanëve në rrethinën e Medvegjës është vërtetuar me gërmimet
arkeologjike në tumat e kësaj treve, që kronologjikisht janë të kohës së
mbarimit të periudhës së bronzit. M. V. Garashanin thotë se rajonin e Lebanit
të Leskocit e kanë banuar pa dyshim dardanët.[26] Në vitin 1858 disa fshatra të “Pustarekës”
dhe të “Jabllanicës” i ka vizituar edhe Johann Georg Von Hahn. Hahni duke u bazuar në shënimet e
Strabonit, thotë se në viset e Galabit ishte një qytet shumë i rëndësishëm antik,
ai Artanën e quajti “E ëma e
të gjitha qyteteve”. Hahni
në Malësinë e Galabit qëndroi disa ditë, dhe vizitoi shumë fshatra.[27]
Në bazë të këtyre të dhënave mundë të pohojmë se Hahni duke u bazuar në shënimet e Strabonit është nisur në kërkim të qytetit Arhaia (Aria) dhe Damastionin.
Mendojmë se në kërkim të Damastionit, nuk duhet
anashkaluar fortifikimet dhe në fshatrat e pasura me minerale në “Mailin e Zi”
të Shkupit, në fshatrat e Komunës së Kumanovës, Preshevës, Gjilanit e Vitisë.
Në këto fshatra janë zbuluar gjurmë të eksploatimit të mineraleve. Në këtë zonë
një numër i fortifikatave kanë dëshmuar për gjurmë të qytetërimit të hershëm.
Në fshatin Llojan, Likovë janë gjurmët e minierave të vjetra. Në Vllanishtë
afër Kështjellës së Brecës, janë gjurmët e një miniere. Në Dumanoc, ka gjurmë
të qytetrimit, ky fshat shtrihet në mes tre fortifikimeve, Likovës, Patlishanit
dhe e Brecës. Llojani po ashtu është afër me Keshtjellen e Stanecit në komunën
e Preshevës. Në Rahavicë të Preshëvës janë zbuluar monedha të shekullit të
katër para erës sonë. Në këto male në territorin e Kosovës gjenden disa
fortifikime si: Kështjella e Pogragjës, Zhegrës, Vërbocit, Binçës Gërnçarit etj.
Pranë këtyre kështjellave në rrjedhat e ujit hasen mbetje të zgjyrës nga
përpunimi i metaleve.
Bazuar në numrin e madh të fortifikimeve të identifikuara
dhe atyre që janë bërë gërmime arkeologjike deri me tani, mund të supozojmë se
në trevën e Mbretërisë së Dardanisë, të ketë pasur disa dhjetëra qytete, e të cilat
për kah zhvillimi kulturor e urban nuk qëndronin prapa qyteteve të zhvilluar të
kohës në Greqinë e sotme, Turqi, Shqipëri, Maqedoni, Bullgari e Rumuni.
Kohëve të fundit, në lindje të Bujanocit, përkatësisht në
kështjellën e Kërshevicës gërmimet arkeologjike, kanë dëshmuar material mjaftë
të pasur arkeologjikë, andaj në bazë të zbulimeve shumë arkeologë këtë qytetërim
e lidhen me qendrën e Damastionit. Përveç arkitekturës dhe themeleve të
zbuluara të kësaj kështjelle, atje është gjetur edhe një monedhë e Damastionit,
qeramikë dhe enë luksoze të kohës.[28]
Qyteti antik mes Bujanocit dhe Vranjës, ku u zbuluan
mbetjet e një vendbanimi urban të shekullit të IV para Krishtit. Njihet në
literaturën arkeologjike që nga viti 1966 dhe është hulumtuar që nga viti 2001
e deri në vitin 2011. Sipas rezultateve të deritanishme, vendbanimi mbulonte
rreth pesë hektarë dhe ndodhej në një vend dominues pranë rrugës së rëndësishme
që lidh Evropën Qendrore me Greqinë përmes luginës Moravio-Vardar.
Monedha e Damastionit dhe enë të zbuluara në
Kështjellën e Kërshevicës.4[29]
Popullsia gjatë asaj kohe përdori të gjitha arritjet
moderne të mënyrës së jetesës. Ata jetonin sipas parimeve që ishin përcaktuar
tashmë në qytetet greke në Egje dhe Jon.[30]
Pas fillimit të gërmimeve në
vitin 2001, arkeologët serbë, për këtë qytet dardan, dhanë opinionet e tyre
duke u munduar ta nxjerrin si qytetërime grekë, maqedonas e keltë. Këto
pretendime të tyre, binin ndeshë edhe me të dhënat e autorëve antik të cilët
Damastionin e quajtën qytet ilirë.
Nuk ka dyshim se në atë periudhë,
në mes të poliseve të Mesdheut dhe dardanëve kishte shkëmbime të mallrave,
andaj gjurmë të kulturës helenistike janë hasur në tërë territorin e Kosovës së
sotme. Emil Çerskov, ndër të tjera shkruan se në kështjellen e Tenezhdollit, në
mes të Prishtinës dhe Podujevës, dhe në Gumnishtëne arit (Zlatno gumno), në
lindje të kështjellës së Artanës (Novo Bërdës), janë zbuluar gjurmë të kulturës
material nga periudha helenistike.[31]Kjo
në e vënë aspak në dyshim se qytetërimi në kështjellën e Kërshevicës afër
Bujanocit, të jetë qytetërim që ka lulëzuar në kohën e mbretërisë së Dardanisë.
Gjithnjë e më shumë ka dëshmi se
qyteti ka shumë të ngjarë të jetë Damastioni i lashtë, tha. Nenad Radojçiq,
këshilltar i Muzeut Kombëtar në Beograd. Sipas tij, një nga zbulimet më të
mëdha që dëshmon për aftësinë e ndërtuesve të tij, është një cisternë me fuçi
dhe qemer të harkuar që supozohet se është përdorur për furnizim me ujë. Qyteti
kishte të paktën tre mijë banorë dhe vendbanim që i mbulonte katër ose pesë
hektarë. Ai deklaroi se aty jetonte një popullsi autoktone që nuk mund të quhej
barbare, por një popullsi me një kulturë dhe mënyrë jetese aristokrate, tha
Radojçiq.[32]
Këshilltari në Muzeun Kombëtar në
Vranjë, Goran Mitroviq, tha se banorët e këtij qyteti, jetonin sipas parimeve
dhe standardeve që ishin përcaktuar tashmë në qytetet greke në Egje dhe Jon.
Aty jetonte një popullsi shumë e pasur dhe që kishte një arsye pse ata ndërtuan
një vendbanim të fortifikuar në atë vend që dominon zonën e pellgun e Vranjës.[33]
Sipas rezultateve të
deritanishme, vendbanimi mbulonte rreth pesë hektarë dhe ndodhej në një vend
dominues, pranë rrugës së rëndësishme që e lidhë Evropën Qendrore me Greqinë
përmes luginës Moravës dhe të Vardarit. Ka gjithnjë e më shumë arsye për të
supozuar se Damastion ndodhej në luginën e Moravës Jugore, në vendin e Kalesë
në Kërshevicë, por vetëm gërmimet e mëtejshme do të japin përgjigjen
përfundimtare pohojnë arkeologët.[34]
Bazuar në zbulimet arkeologjike
të deri tanishme në Dardani dhe rezultate, por edhe numrin e madh të
fortifikimeve dhe gradinave të evidentuara, vërehet qartë se qytetërimi dardan
nuk qëndronte mbrapa qytetërimit mesdhetar. Po ashtu zbulimet arkeologjike në
territorin e Bullgarisë dhe të Rumunisë, dëshmojnë bindshëm se dardanët, dakët
dhe traket, kishin qytetërim shumë të avancuar, andaj nuk qëndrojnë hipotezat
se këta popuj ishin mbrapa qytetërimit me poliset greke.
Përkundër rezultateve arkeologjike në Kështjellën e
Kërshevicës afër Bujanocit, është vertetuar se Kërshevica si kështjellë, është
njëra ndër fortifikimet e zhvilluara të asaj periudhe, por bazuar në numrin e
madh të fortifikimeve në veriperëndim të kësaj kështjelle, pozitës gjeografike
dhe strategjike të fortifikimeve tjera, mendojmë se Damastionin duhet kërkuar
në pjesën më të thellë të maleve në Malësinë e Galabit.
Shumë studiues dhe arkeologë tjerë, e kanë shprehur
mendimin e tyre, se qyteti i Damastionit, duhet të ketë qenë Artana (Novo Brda)
e sotme, duke u bazuar në disa gjetje arkeologjike në lokalitetin Gumnishtë,
rreth 3 km në lindje të Kështjellës së Novo Brdës.
Mendojmë se ka plotë arsye të mendojmë se Damastionin,
duhet kërkuar në ndonjë lokalitet tjetër.
Damastioni nuk është lokaliteti arkeologjikë në
Gumnishtë, pranë Artanës, sepse zbulimet arkeologjike që janë bërë në këtë
lokalitet, nuk kanë dhënë dëshmi të mjaftueshme se kemi të bëjmë me një
qytetërim të zhvilluar në këtë lokalitet në krahasim me lokalitetet tjera
arkeologjike për rreth.
Kur bëhet fjalë për lulëzimin e Damastionit, në periudhën
e Mbretërisë së Dardane, shekullin IV-III para erës sonë, qytetërim më të
zhvilluar se Novo Brda, dëshmojnë dhjetëra fortifikime dhe lokalitete
arkeologjike në këtë rajon. Mendojmë se Kështjella e Novo Brdës dhe ajo e
Cassovës, rreth 10 km në verilindje të Prishtinës, filluan të zhvillohen pas
dyndjeve barbare që ndodhën në antikitetin e vonë, dhe shkatërrimin e qytetërimit
në Justiniana Primë afër Medvegjës, Justiniana Secondës (Ulpianës afër
Prishtinës) dhe Vendenisit afër Podujevës së sotme.
Një rrugë që e lidhte qytetin e Nishit me Shkupin,
kalonte nëpër një vijë fortifikimesh e lokaliteteve arkeologjike në Malësinë e
Gollakut (Galabit), e cila degëzohej në trevat e burimit të Moravës së Jugut,
duke u bashkuar në afërsi të vendbanimit antik Statio Vectigalis, në fshatin
Runjevë, me rrugën që vinte nga drejtimi i Ulpianës dhe qonte në qytetin e
Shkupit.[35]
Duke i pasur për bazë gjurmët e xehetarisë në anën
jugore, të Artanës, duke filluar
që nga kështjella e Veletonit, Vogoçincës, Vërbicës, Gadimës, Gadishit,
Kishnopoles (Fusha e Kishës), Terpezës, dhe kështjellat tjera në fshatrat e
komunës së Gjilani, Vitisë, Preshevës e Kumanovës, nuk përjashtohet mundësia që
ky qytet të kërkohet edhe në këtë zonë.
Gjurmët e minierave në rrethinën e Medvegjës së sotme,
vendet e cekura më lartë në anën veri-lindore të Janjevës dhe
Prishtinës, si dhe gjetjen e monedhave të Damastionit në rrethinën e Artanës,
kemi arsye të plotë që ky qytet Ilir të kërkohet në Kosovën e sotme, pikërisht në fshatin Domarocë, që shtrihet rreth 15 km
në lindje të Artanës (Novo Brdës).
Duke mos i lënë anash fshatrat tjera të cekura më lartë,
për ta zbuluar vendndodhjen e qytetit të Damastionit vëmendja e arkeologëve
duhet të përqendrohet në vijën e rrjedhës së lumit Morava Jugore, e pikërisht
në fshatin Domarocë.
Në fshatin Domarocë janë dy gradina, të cilat kanë
distancë mes veti më pak se 100m, ku njëra prej tyre sot njihet si Gradeci i
Topanicës. Këto gradina janë ngritur pranë tarracave të lumenjve, Morava e
Kamenicës dhe Hodonocit.
Duke qenë pranë, lumenjve, tokave pjellore dhe të
rrethuara prej kodrinave të pasura me minerale, kanë krijuar parakushte për tu
zhvilluar si vendbanim i hershëm.
Fotot
e dy gradinave në fshatin Domarocë që sot njohen: Foto 1. Gradeci i Topanicës dhe
Foto 2. Gradina e Domarocit
Hulumtimet arkeologjike dhe gjetjet e rastit që janë
zbuluar deri me tani, kanë dëshmuar se ndërtimi i gradinave në trevën e
Dardanisë, daton që nga koha e neolitit. Emil Cerskov, në mesin e gradinave në
Kosovën e sotme e përmend edhe Gradinën e Domarocit, i cili shkruan se bënë
pjesë në grupin e atyre që ka vijimësi kulturore, të Bubanj-Humit, Hallshtatit,
dhe ato të më vonshme.[36]
Pozita
gjeografike e fshatit Domarocë, mes Kështjellave, minierave, tokës pjellore dhe
lumenjve
Këto dy gradina pranë njëra tjetrës, gjenden në një pikë
strategjike, ku pranë tyre në një distancë prej rreth 200m bashkohen, dy degët
e burimit të Lumit Morava, ajo që vjen prej Malit të Zit ë Shkupit (Morava e
Binçës), dhe ajo që vjen prej Malësisë së Galabit (Morava e Kamenicës).
Fartifikimet
në anën veri-perëndimore rreth Gradinës dhe Gradecit (Kështjellës), në fshatrat
Domaroc e Topanicë
Siç shihet nga harta e paraqitur më lartë, vetëm në anën veriperëndimore,
në drejtim të Artanës (Novo Bërdës) dhe Kamenicës, në një distancë, prej rreth
15 km, gradinën e Domarocit e rrethojnë më shumë se dhjetëra fortifikata.
Sistem i ngjashëm i fortifikimeve rreth Domarocit është edhe në anën jugore e
lindore, andaj duke u bazuar edhe në gjetjet arkeologjike që i ka përshkruar
Cerskovi, kemi shumë arsye që vëmendjen ta përqendrojmë në këtë lokalitet
arkeologjikë.
Domaroci, si vendbanim shtrihet në distancë prej rreth
15km, në lindje të kështjellës së Artanës (Novo Brdës), rreth 5 km në jugë të
Kulinës së Kamenicës, rreth 3 km në perëndim të Kështjellës së Konçulit, dhe
rreth 5 km në verilindje të Kështjellës së Pogragjës, lokalitete këto, që kanë
dhënë dëshmi për një qytetërim të zhvilluar në këtë zone, këto gradina mund të
kenë qenë qendër që i bashkon fortifikimet tjera për rreth.
Duke ju bërë një vështrim gradinave dhe gjurmëve
arkeologjike, onomastike, gjeografike e strategjike mendojmë se Gradinat në
fshatin Domoroc, ofrojnë më shumë argumente për të menduar se pikërisht këtu
ishte Damastioni si qendër e minierave në Malësinë e Galabit dhe Malit të Zi të
Shkupit. Kjo e dhënë dëshmohet edhe nga disa harta të publikuara gjatë
shekullit XIX, në të cilat vërehet qartë se këto, quheshin Damantza, që në
aspektin etimologjikë i përafrohet shumë emrit të Damastionit si dhe gradinave
në fshatin Domarocë, (shih fotot).
Në hartat e publikuara nga disa gjeografë gjatë shekullit
XIX, malet në verilindje të Prishtinës dhe Artanës (Novo Brdës ), i gjejmë të
shënuara edhe si malet Domantza-Domacza, që lënë hapësirë të supozojmë se kemi
të bëjmë me qytetin ilir Damastion
Përfundim:
Si përfundim mund të themi se qytetin ilirë Damastionin
duhet kërkuar në territorin e Dardanisë qendrore, e pikërisht në dy gradinat e
fshatit Domarocë.
Gjurmët arkeologjike kanë dëshmuar se kemi të bëjmë me
një vendbanim të hershëm, me kulturë material që nga periudha e neolitit,
bronzit, hekurit e antikitetit.
Pozita gjeografike, dëshmitë arkeologjike, e minerare,
numri i madh i fortifikimeve dhe galerive të minierave për rreth, burimet
etimologjike dhe së fundmi edhe ato hartografike e përforcojnë mendimin se
gradinat e Domarocit duhet të jenë qendra minerare ne Dardaninë qendrore.
Këto dy gradina, të ngritura pranë lumenjve, dhe tokave
pjellore, në të dy degëzimet e burimit të Moravës Jugore, si dhe përpunimi I
metaleve në atë zonë, janë parakushte që plotësohen tërësisht, për të menduar
se kemi të bëjmë me qytetin e Damastionit.
[1] Edi Shukriu: “Kosova Antike”, Prishtinë
2004, faqe 69
[2] Qazim Namani: Arkivi i Kosovës, “Vjetari
XXIX-XXX”, Lashtësia Iliro-shqiptare në Malësinë e
Galabit, Prishtinë, 2003, faqe 47
[3] Bashkësia e institucioneve shkencore të
Kosovës: “Studime Libri 26”, Emil Cerskov: “Romakët në
Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica, e përkthyar
nga Gani Luboteni, Prishtinë, 1973, faqe 13
[4] Po aty, faqe 13
[5] Po aty, faqe 13
[6] Po aty, faqe 13
[7] Po aty, faqe 15
[8] Emil Qershkov: “Romakët në Kosovë dhe
municipiumi D.D te Soçanica”, Prishtinë
1973 faqe 51-52.
[9] Ilirët dhe Iliria te autorët antik”, Prishtinë 1979 faqe155.
[10] Fanula Papazoglu: “Srjednoballkanska
Plemena u predrimsko doba”, Sarajevë 1969 faqe.367.
[11] Zef Mirdita: “Studime Dardane” Prishtinë 1979 faqe 97,
[12] Edi Shukriu: “Arkivi i Kosovës”, “Vjetari XXVII-XXVIII”, “Gradina e Gushicës
dhe municipiumi
Labutza”, Prishtinë 2002, faqe 23.
[13] Slobodan Du?ani?: “Roman mining in
Illyricum”, Historical Aspects, faqe, 257.
[14] Margaret Thompson, Otto Morkholm, Colin
M. Kraay: “An Inventory of Greek Coin Hoards”.,Neë York 1973, faqe, 59-64.
[15] Petar Popovi?: “Numismatic finds of th 4th – 3rd centuries BC from Kale at Krševica (southeastern Serbia)”, “Arheološki vestnik 58”, 2007, faqe, 156 - 416
[16] Margaret Thompson, Otto Morkholm, Colin
M. Kraay: “An Inventory of Greek Coin Hoards”.,Neë York 1973, faqe, 59-64.
[17] Z. Mirdita: “Studime Dardane”, Prishtinë
1979, faqe 104
[18] Emërtimi në gjuhën shqipe dhe sllave për
këtë kështjellë.
[19] Po aty fq.106
[20] Qazim Namani:
Arkivi i Kosovës, “Vjetari XXIX-XXX”, Lashtësia Iliro-shqiptare në Malësinë e
Galabit, Prishtinë, 2003, faqe 47
[21] Zef Mirdita: “Studime Dardane”, Prishtinë
1979 faqe 97.
[22] Qazim Namani: Qazim Namani: Arkivi i
Kosovës, “Vjetari XXIX-XXX”, Lashtësia Iliro-shqiptare në
Malësinë e Galabit, Prishtinë, 2003, faqe 58
[23] Dukat, emërtim për arin në gjuhën turke.
[24]Qazim Namani: “Punim i doktoratës”, ‘’Trashëgimia Kulturore dhe Historike e
Kosovës gjatë shekujve
XIX,XX,XXI”, Tiranë, 2016, pp. 165
[25] Mita Rakic, Mita Rakic: “Iz Nove Serbije”, Leskoc 1987, faqe 17,
[26] Zef Mirdita: “Studime Dardane”, Prishtnë, 1979, faqe 37.
[27] Sabit Uka: Materiale nga sesioni shkencor i mbajtur në Prishtinë me 7-8 dhjetor 1989, Prishtinë 1990, fq
385-386.
[28] https://www.blic.rs/kultura/vesti/izgubljeni-gradovi-u-srbiji-damastion-aleksandra-velikog/fezdzx7
[29] https://www.blic.rs/kultura/vesti/izgubljeni-gradovi-u-srbiji-damastion-aleksandra-velikog/fezdzx7
[31] Bashkësia e institucioneve shkencore të Kosovës: “Studime Libri 26”, Emil Cerskov: “Romakët në
Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica, e përkthyar nga Gani Luboteni, Prishtinë, 1973, faqe 17
[32] https://www.blic.rs/kultura/vesti/srebrni-grad-aleksandra-velikog-izranja-iz-rusevina-kod-vranja/knvlkx4
[33] https://www.blic.rs/kultura/vesti/srebrni-grad-aleksandra-velikog-izranja-iz-rusevina-kod-vranja/knvlkx4
[35] Bashkësia e institucioneve shkencore të Kosovës: “Studime Libri 26”, Emil Cerskov: “Romakët në
Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica, e përkthyar nga Gani Luboteni, Prishtinë, 1973, faqe 51
[36] Emil Cerskov: “Kosovo i Metohija u rimsko doba”, Beograd 1969, faqe 15