E enjte, 03.10.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani & Emin Sallahu: Oxhaku në shtëpinë e fortifikuar të Fazli Bllatës

E merkure, 15.12.2021, 09:38 PM


Dr. Qazim Namani (djathtas) dhe Mr. sc Emin Sallahu (majtas)

Oxhaku në shtëpinë e fortifikuar të Fazli Bllatës

Nga Dr. Qazim Namani & Mr. sc Emin Sallahu

Shtëpia e Fazli Bllatës gjendet në fshatin Rashan, të komunës së Mitrovicës. Kjo shtëpi e ndërtuar me një teknikë të lartë të ndërtimit në një kodrinë piktoreske që shtrihet diku rreth 500m në anën e djathtë prej shkollës së fshatit pasqyron vlerat etno-kulturore të rajonit.

Shtëpia është ndërtuar në mes të dy luftërave botërore, e cila i ka ruajtur tiparet e fazës fillestare të ndërtimit. Objekti është ndërtuar në dy kate, ku në katin e parë ishte shtëpia e zjarrit me oxhak, ndërsa në katin e dytë po ashtu kthina e pritjes me oxhak të punuar me ornamente monumentale nga mjeshtër vendor. Lidhja në mes të kateve bëhej përmes shkallëve të brendshme. Muret e shtëpisë ishin punuar me gurë të gdhendur rrethanor, dhe në disa kënde e kishte edhe sistemin mbrojtës të frëngjive.

Arkitektura dhe stili i ndërtimit të kësaj shtëpi tregon më së miri për kulturën e banimit dhe aftësitë e mjeshtrit shqiptar për të realizuar vepra të artit siç paraqiten në oxhakun e kthinës së kësaj shtëpie në katin e sipërm.

Foto 1. Shtëpia e fortifikuar e Fazli Bllatës

Guri i oxhakut i punuar në vitin 1934, tregon më së miri për traditën e skalitjes së gurëve nga mjeshtër popullorë të kësaj ane. Motivet e skalitura në këtë gurë janë të punuara në mënyrë   përsosur ku kemi paraqitjet simetrike të figurave dhe simboleve me domethënie që i japin kuptim të plotë gjendjes politike, sociale dhe ekonomike për popullatën shqiptare në mes të dy luftërave botërore.

Siç shihet poshtë në të dy anët e gurit të skalitur paraqiten brinjët e cjapit si simbol i lashtë te popullata iliro-dardane. Sipër gurit ku ndizej vatra në të dy anët është skalitur ena e ushqimit dhe simbolet e lashta astrale të hënës dhe diellit, që tregojnë mikpritjen dhe bujarinë e familjeve shqiptare.

Foto 2. Oxhaku në shtëpinë e Fazli Ballës

Në pjesën qendrore të gurit është skalitur ylli gjashtëcepësh, duke u plotësuar në mes të brinjëve më yllin pesëcepësh, ndërsa në qendër të bashkimit të dy trekëndëshave barabrinjës është paraqitur rozeta si simbol i diellit.

Në mes të dy simboleve të yllit gjashtëcepësh është shkruar numri i datës, muajit dhe vitit të punimit të gurit, ndërsa poshtë këtij shkrimi po ashtu janë skalitur dy yje pesëcepëshe, brenda rrethit, që paraqesin fazat e para të lëvizjes komuniste në këto anë. Mbi përshkrim janë skalitur dy katrore që peshojnë në brinjë, ndërsa mbi këta dy katrorë prapë janë skalitur dy yje pesëcepëshe po ashtu të mbyllura në rreth. Paraqitja e katrorit  në gur përfaqëson tokën, vendin në besim, ku në rastin konkret në mënyrë figurative shprehet rreziku i humbjes së tokës që përkon me atë periudhë kohore të kolonizimit. Në të dy anët e këtyre dy yjeve pesëcepëshe është skalitur nga një katërkëndësh dhe nga një rozetë në lëvizje në drejtim të kundërt të akrepave të orës. Edhe pse rozetat paraqiten në drejtim të kundërt me akrepa të orës, këtu katërkëndëshi na paraqitet në formë të rregullt, që simbolizon shpresën e unitetit, bashkimit të fiseve që na paraqiten të punuara sipër dy katërkëndëshave.

Foto 3. Skalitja e simboleve dhe figurave në mënyrë simetrike në oxhakun e shtëpisë

Lëvizja e rozetës në drejtim të kundërt me akrepat e orës tregon në mënyrë figurative për gjendjen e vështirë dhe pa perspektivë për jetë  të popullatës shqiptare gjatë këtyre viteve të sundimit nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, periudhë kjo që karakterizohet me fazat e kolonizimit të tokave shqiptare me serbë, torturave, burgosjes, vrasjes dhe shpërnguljes më dhunë të popullatës shqiptare për në Turqi. Në pjesën e sipërme të gurit është punuar rozeta duke i bashkuar dy trekëndëshat barabrinjës, katrorëve të plotësuar dhe trekëndëshave tjerë mes brinjëve me lulen e jetës në mes,  të cilat paraqesin bashkimin  e dymbëdhjetë fiseve shqiptare brenda një rrethi që simbolizon kultin e diellit.

Foto 4. Paraqitja e bashkimit të dymbëdhjetë fiseve shqiptare te vatra në shtëpinë e Fazli Balës

Me realizimin e veprave të tilla dëshmohet se mjeshtri i jonë i traditës popullore edhe pse në kushte shumë të vështira në vazhdimësi ka treguar aftësitë e tij për ta paraqitur gjendjen shpirtërore dhe emocionale ndaj vuajtjeve të popullit në përgjithësi, përmes simboleve astrale, htonike dhe gjeometrike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, duke i realizuar në veprat e artit aplikativ në tekstil, dru dhe skalitjes në gurë.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Falsifikimet e hartës së atlasit të V. M. Coronelli-t të botuar më 1689 në Venedik Qazim Namani: Gjurmë të mbishkrimeve në gurë në territorin e Dardanisë Qëndrore Qazim Namani: Rrënimi i kishës katolike në fshatin Keqekollë Qazim Namani: Falsifikimet dhe gënjeshtrat serbe për veshjet popullore! Qazim Namani: Gjurmët historike dhe arkeologjike në qytetin mesjetar të Bërvenikut Namani & Sallahu: Fortifikimet në anën e majtë të Lumit Llap - gjurmët arkeologjike në fshatin Majac Qazim Namani: Trashëgimia e jonë kulturore në rrezik Qazim Namani: Lotë dhe kujtime te varri i babës Qazim Namani: Si u asimiluan ortodokset shqiptar në dekadat e fundit të shekullit XIX Namani & Sallahu: Mërgata dhe roli i saj në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare gjatë viteve 1970-2000 Qazim Namani: Kontributi i Shqiptarëve për Shpëtimin e Hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore Qazim Namani: Masakrat në fshatin Prapashticë sipas burimeve historike dhe rrëfimeve nga familjarët e mi Qazim Namani: Kisha në Boletin është katolike shqiptare Qazim Namani: Familja shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botrore e strehoi hebreun Ahim Kohen Qazim Namani: Prishtina sipas shkrimeve të oficerit serb Milivoj J. Nikolajevi? dhe historianit osman Sylejman Kylçes Qazim Namani: Shtëpia që e sfidojë inteligjencën në Prishtinë Qazim Namani: Rrugët e vjetra që kalonin nëpër Dardani, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri dhe Familja Vojinoviç Qazim Namani: Si u detyruan shqiptarët për të ndërruar fenë Qazim Namani: Konservimi i Kështjellës së Artanës gjatë viteve 2015-2017 Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Ulpianë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora