Speciale » Namani
Qazim Namani: Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale
E marte, 04.01.2022, 09:15 PM
Prishtina
në fillim të viteve shtatëdhjeta të shekullit XX
Historia e qytetit të
Prishtinës dhe kultura materiale
Nga
Dr. Qazim Namani,
Arkelogji/Trashëgimi Kulturore
Prishtina
shtrihet në mes të përroit të vegjël Prishtinës, Vellushës dhe Matiqanit, që
rrjedhin nga kodrinat xehetarie në anën perëndimore të malësisë së Galabit. Në anën jugore dhe perëndimore
Prishtina kufizohet me toka pjellore të fushës së Kosovës. Lartësia mbidetare
sillet prej 585m , 640, 670 dhe rreth 700 m lartësi në disa lagje të qytetit.
Studimet
shkencore për etimologjinë e emrit Prishtina ende nuk e kanë dhënë një
përfundim të qëndrueshëm, por shumë studiues emrin e Prishtinës (Pristina
castra) e shpjegojnë nga gjuhët e lashta indoevropiane, që ka kuptimin i lashtë,
i fazës fillestare, diçka e vjetër.
Territori
i qytetit të Prishtinës ishte i banuar që para 7000 viteve. Gjatë punimeve të
rastit në qytet janë hasur gjurmë të qytetërimit që nga kultura e neolitit të vjetër:
Kompleksi i spitalit të Prishtinës, Glladnica te Graçanica. Kultura e neolitit
të ri: te tjerrtorja, Bërrnica, Matiqani.[1]
Kultura
materiale e bronzit: Fusha e Badocit, Bërrnica e Poshtme, Kolovica, Grashtica,
Keqekolla. Periudha e hekurit: Badoc, Matiçan, Tauk-Bahçe, Shkolla normale.
Periudha romake: Ulpiana, Grashtica, Siqeva, Keqekolla, Periudha Bizantine-
mesjeta e hershme: Matiqani.
Nëpër
qytetin e Prishtinës kanë kaluar shumë rrugë të rëndësishme, rrugët që vinin
nga Bosna, rruga Naissus-Lissus, nga Scupi etj.
Sipas
Tabula Peutingeriana stacioni rrugor Viciano
i rrugës Naissus-Lissus ka qenë
ndërmjet fshatrave Uglar dhe Çakllavicë në afërsi të Prishtinës.[2]
Diku
rreth 7 km në jug-lindje të Prishtinës gjendet qyteti i madh antik Ulpiana. Si
duket Ulpiana e rrënuar dhe e plaçkitur në mesjetën e hershme ia lëshon rëndësinë
Prishtinës si lokalitet në afërsi të saj. Tokat pjellore në Fushën e Kosovës
dhe trevat minerare në malësinë e Gallapit ndikuan në përparimin dhe zhvillimin
e këtij vendbanimi.
Shkrimet
e para deri me tani të publikuara për Prishtinën si toponim janë nga një
dokument të kinezit kroat Mutimirit të vitit 892, ku thuhet se me pallat ka qenë
edhe Prishtina si shpatë-mbajtës.[3]
Nga
literatura dhe dokumentet tjera arkivore, Prishtina përmendet nga kontaktet e para raguzane me Prishtinën që i gjejmë të shënuara në fund të viteve të
shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë
shqiptare Gregorius Marini de Petrana (1253-1280) emërohet konsull në
Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë Gregorius
M. De Petrana kalon ndër vende tjera edhe nëpër Prishtinë.[4]
Në një dokument të lëshuar nga Prishtina në vitin 1325, ju
kërkohet targa e Shën Mitrit dubrovnikasve.[5]
Për Prishtinës ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342, i cili një atë kohë ka dhënë disa
të dhëna të rëndësishme për lokalitetin.[6]
Sipas shkrimeve të Johan Kontakuzenit
thuhet se në Prishtinë ka pasur pallat me oda të mëdha, për tubime shtetërore,
për procese gjyqësore, për solemnitete dhe gostitje.[7] Prishtina e kishte edhe
kalanë, të cilën e kishte rrënuar Sulltan
Mutati I gjatë rrethimit të qytetit në vitin 1389.[8]
Këtë e pohon edhe Evlija Çelebiu në vitin 1662 kur shkruan se
kalanë e Prishtinës të ndërtuar nga mbreti Millutin e rrënoi Sulltan Murati I pas hyrjes në Prishtinë.[9] Sipas burimeve serbe
pallatin e ka ndërtuar mbreti Millutini në mes të sahat kullës së sotme dhe
xhamisë së çarshisë.[10] Një qytetar gjatë bartjes
së dheut pas hapjes së një themeli afër entit të statistikës dhe xhamisë së
gurit (çarshisë), nga ky vend kishte bartur edhe disa gurë të mermertë. Gurët
kanë plastikë gurore dhe të rrethuara me kanelyra dhe sipas ekspertëve janë të
punuar në periudhën antike. Se a janë bartur nga Ulpiana apo ndonjë lokalitet
tjetër mundë të vërtetohet vetëm pas vëzhgimit të gërmimeve për ndërtime në atë
hapësirë. Bazuar nga të dhënat e cekura më lartë për vendin e ekzistimit të kalasë ndërmjet sahat kullës dhe xhamisë së
çarshisë, mundë të pohojmë se këto të dhëna janë të vonshme pas ndërtimit të
xhamisë dhe sahat kullës. Këtu kur bëhet fjalë për xhaminë e çarshisë duhet
pasur parasysh Xhamin e Llukaqit që ishte e ndërtuar te teatri, afër çarshisë së
mbuluar të Prishtinës.
Sido që të jetë për vendin ku thuhet se ka ekzistuar kështjella e
qytetit dëshmojnë edhe këta gurë të zbuluar që lënë të kuptohet se Prishtina e
kishte kështjellën e saj që nga periudha romake apo bizantine e hershme. Kjo
mbetet të vërtetohet vetëm pas gërmimeve arkeologjike në këtë lokalitet.
Po ashtu gjatë bartjes së dheut nga ndërtimet në Prishtinë gjatë
vitit 1997, është gjetur një bazament shtylle në të cilin janë të skalitura
pranë njëri tjetrit simboli i kultit të diellit dhe kryqi. Vërehet se ky guri i
punuar me llaç gëlqeror dhe i përzier edhe me qeramikë të bluar është ka edhe
shenja të djegies çka lenë të kuptohet se kemi të bëjmë me një shtyllë të
ndonjë objekti të kultit që përveç kryqit ka edhe simbole astrale të periudhës
së paganizmit e i cili edhe është djegur. Vend gjetja e këtij guri nuk dihet
por është gjetur i hedhur në greminën e hapur nga fabrika e tjegullave në
Prishtinë. Gjetje e këtij guri është edhe një dëshmi tjetër për të besuar se
Prishtina ishte vendbanim para mesjetar.
Gurë i mermerit i gjetura
në Prishtinë në vitin 1996 nga Qazim Namani, guri është zbuluar gjatë gërmimit
të një themeli afër Entit të Statistikës dhe xhamisë së Çarshisë.
Prishtina
gjatë mesjetës u bë seli e rëndësishme. Para betejës së Kosovës Prishtina ishte
bërë kryeqytet i provincës dhe si i tillë mbeti edhe shumë kohë pas kësaj
beteje.[11]
Përveç
ndërtimeve në Prishtinë në afërsi
ndërtohet mbi themele të një kishe
më të hershme, manastiri i Graçanicës, si monument i kulturës me rëndësi
të veçantë.
Shihet
se Prishtina me rrethinë në atë kohë kishte shumë monumente, dhe prania e
këtyre monumenteve të kulturës siç është manastiri i Graçanicës, për nga vlerat artistike hynë në krijimtarinë
më të përsosur të Evropës dhe Botës.[12]
Për
zhvillimin e Prishtinës flasin edhe
faktet e vendosjes së tregtarëve të huaj
edhe nga Dubrovniku në vitin 1387. Po këtë vit qytetari nga Dubrovniku, Marko
Zvizdic, i cili jetonte në Artanë, me vullnetin e tij me 9 nëntor 1387 ka
dhënë 5 dukatë për mirëmbajtjen e kishës së Shën Marisë në Prishtinë. Kjo tregon se Prishtina ishte qendër e
zhvilluar tregtare edhe para betejës së Kosovës.[13]
Përveç kishës së Zojës Mëri, në
vitin 1421 në regjistra të këshillit të vogël raguzan, përmendet edhe një kishë
tjetër pa emër.[14]
Zejet e vjetra në çarshinë e Prishtinës
Në Prishtinë në vitin 1426 e kishte edhe konsullatën dubrovnikase.[15] Në Prishtinë, në shekujt
XIV dhe XV, vepronin një numër i madh i tregtarëve dubrovnikas, të cilët bënin
tregti me qytetet më të zhvilluara në rajon.[16] Tregtarët dubrovnukas,
gjenovas, hebrejë etj kryesisht merreshim me metale fisnike si ari argjend dhe
gllamë. Pas pushtimit
osman, në Prishtinë u ndërtuan disa objekte sakrale dhe profane të stilit
oriental si xhami, hamame, teqe, tyrbe, shtëpi qytetare etj. Sipas regjistrimit
të sanxhakut të Vushtrrisë nga viti 1477, Prishtina në këtë kohë i kishte 9 mëhallë,
të cilat sipas emrave tregojnë se kishte vetëm popullsi të krishterë.[17]
Gjatë
shekullit XV në kazanë e Prishtinës përfshiheshin disa xeherore të njohura për
kohën. Në këtë kohë nga Prishtina kanë dalë edhe dijetar të shquar si Mesihi Prishtina
i cili me veprat tij “MesihiDivani” edhe pse
e shkruar me vjersha në gjuhën turke ka vlera të mëdha letrare dhe
historike. Mesehi Prishtina vdes në Bosnje në vitin 1512.[18]
Në shekullin e XV Prishtina i kishte gjithsejtë 20 lagje.
Sipas
Shtjëfën Gasprit (1671), relator shqiptar, Prishtina ishte një ndër qytetet
kryesore të Kosovës. Në Prishtinë ishte qendra administrative e xehetarisë së
Kosovës dhe e krahinës xehetarë të Artanës (Novobërdës).[19]
Gjatë
mesjetës së vonë, në Prishtinë, kanë qëndruar dhe kanë shkruar shumë
personalitete të njohura të kohës si; Jovan Kontaguzeni, mbreti hungarez
Vlladisllavi II, Pjetër Bogdani, Haxhi Kallfa, Evlija Çelebiu etj. Pjetër
Bogdani me origjinë shqiptare, kryeipeshkvi i Shkupit dhe Sofjes i raporton Vatikanit që Prishtina kishte 3000
shtëpi. Evlija Çelebiu shkruante në atë kohë për 2600 shtëpi të mëdha dhe të
bukura duke veçuar sarajin e Allaj Begut
dhe pallatin e gjyqit, dy hamamet e mëdha, mikpritjen dhe kulturën qytetare.[20]
Në Prishtinë ka 11 hane, ndër të cilët më me i njohuri në atë kohë ishte hani i
Haxhi Beut.
Bazuar
në të dhënat në vitin 1689 që i jep Coronelli në “Iliricum”dhe në “Corso delli
fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia” në vitin 1689 Prishtina i kishte 4000 shtëpi.
Në këtë kohë Prishtina i kishte 360 fshatra dhe një numër i tyre ishte djegur.[21]
Qyteti
ka dy banja, njëra është banja e Fatihut në treg, e tjetra është banja e
vjetër. Në një qoshe të banjës së Fatihut ekziston një shenjë, për këtë arsye
kjo banjë quhet si e shenjtë dhe vizitohet shumë. Në Prishtinë ka 3000 dyqane
që janë pak për këtë qytet, këtu ka rrush dhe dardha shumë të mira shkruajnë
udhëpërshkruesit që e vizituan Prishtinën në shekullin e XVII.[22]
Në
vitin 1690 me ardhjen e osmanëve dhe tatarëve, pësoi rëndë krejt vendi,
veçanërisht ai i rrethit të Prishtinës. Atje shumë katunde mbetën shkretë,
shumicën e tyre i dogjën dhe i zhdukën turqit dhe tatarët.[23]
Prishtina
u dobësua gjatë luftës Austro-turke, kur Prishtina ishte bërë qendër e shtabit
të gjeneralit austriak Pikolominit. Në mbarim të luftës austro-turke 1689-1690
trupat osmane dhe tatare hynë në Prishtinë dhe e bënë një hakmarrje të madhe
ndaj shqiptarëve. Siç ka shkruar më vonë Gjergj Bogdani nipi i argjipeshkvit Pjetër
Bogdani, edhe pse Pjetër Bogdani kishte vdekur dhe ishte varrosur, ai u
zhvarros nga osmanët dhe u hodh si ushqim qenesh në mes të sheshit të Prishtinës.[24]
Prishtinën gjatë shekujve XVIII dhe XIX e kanë sunduar Gjinollët.
Pas
vrasjes së Maliq Pash Gjinollit më 1809, njëra nga odat e tij u bë muze. Muzeu
i familjes feudale Gjinolli me origjinë shqiptare ishte institucion kulturor
mjaftë interesant dhe i ngjashëm me ato të oborreve feudale nëpër shtetet e
Evropës, i cili është shkatërruar në kohën e luftërave Ballkanike me 1912.[25]
Koleksioni muzeor i familjes Gjinolli ka pasur një numër të konsiderueshëm të
eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike në mesin e tyre ka qenë edhe
gijotina e Jashar Pashës.
Prishtinën
e përmend edhe Feliks De Bozhur, sipas të cilit me 1812, Prishtina kishte dy
panaire, të vjeshtës dhe të pranverës, ku merrnin pjesë shumë tregtarë nga
lindja dhe perëndimi.
Në
vitin 1822 rreth 3000 shqiptarë nga Kosova bënë përpjekje që të shkojnë në
Stamboll për të kërkuar dorëheqjen e Maliq pashë Gjinollit i cili në atë kohë
njihej si tiranik dhe e sundonte Prishtinën.[26]
Në
Prishtinë ishin të zhvilluara shumë zeje të lashta e ndër to ishte edhe zeja e hasrave.[27]
Përveç këtyre zejeve ishin të njohura edhe zejet e lëkur punuesve, kazangjijëve,
punimi i enëve shtëpiake nga argjila dhe metalet, orë ndreqës, shportagji,
qadragji, Farkatar, këpucëtar, jograngji punimet e veshjeve tradicionale etj.
Prishtinës sot i mungon muzeu i qytetit, gjatë ndërtimeve në qytet nuk janë përcjellë gërmimet për hapjen e themeleve nga institucionet kompetente, andaj si rezultat i kësaj gjendje shumë eksponate të lëvizshme janë hidhur në gremina dhe janë mbuluar me dhe e mbeturina. Në vitin 1997 në greminën e fabrikës së tjegullave ku hidhej dheu gjatë gërmimeve në qytet janë gjetur edhe enë të emaluara me argentius-gllama.
Foto nga zejtaria në
Prishtinë
Reformat
në Perandorinë Osmane filluan në vitin 1892 dhe komisioni i ri i reformave
përbëhej nga persona të njohur dhe të
respektuar me përkatësi shqiptare. Nga Prishtina ishte Danish Beu i cili më
vonë u bë ministër i punëve të brendshme të Perandorisë .[28]
Në
gjysmës e parë të korrikut të vitit 1844, ushtria turke në krye me serasqerin
valiun e Rumelisë dhe Omer Pashën hynë në Prishtinë për ta shuar kryengritjen e
shqiptarëve. Selia e serasqerit u bë Prishtina. Kryengritësit u tërhoqën në
malet e Prishtinës. Omer Pasha i kishte deklaruar konsullit anglez se 7000
shqiptar kryengritës ishin tërhequr në malet afër Prishtinës. Osmanët bënin
regjistrimin e myslimanëve të Prishtinës të cilët refuzonin të jepnin rekrut
për nizam. Më 8 mars 1845 konsulli anglez në Selanik njoftoi se shqiptarët e
rrethinës së Prishtinës nuk do të japin rekrut pa forcë. Nga plaçka që bënë
ushtarët osman gjatë shuarjes së kësaj kryengritje u pasuruan shumë.[29]
Konsulli
austriak shkruan se kryengritësit shqiptar e pushtuan Prishtinën në Pranverën e
vitit 1844. Prishtina ra në duar të kryengritësve në mars të vitit 1844, kur
Abdyrrahman Pasha i Prishtinës u largua në Prizren te miku i vet Izet Mehmet
Pasha. Izet Pasha i kishte dhënë 6000 njerëz për ta kthyer Andyrrahman Pashën
në Prishtinë, por kryengritësit e ndalën këtë sulm dhe e mbanin në kontroll
Prishtinën.[30]
Në
Prishtinë, në qershor e gusht të vitit 1837 çdo ditë vdisnin nga mortaja 80-140
persona.[31]
Në
vitin 1846 Maliq beu vendosi që të gjithë kryetarët e familjeve shqiptare
katolike ti dërgoi në një vend të rrethuar në Prishtinë. Ë gjithë të burgosurit
i futen në pranga të rënda në duar dhe në këmbë, me një zinxhirë të rëndë për
mjedisi dhe të lidhur për një këmbe. Kjo ishte një peshë prej 40 okësh turke, përafërsisht
5o kg. Jashar Pasha i Prishtinës këta të burgosur i mbylli në një burg edhe më
të rëndë dhe urdhëroi që në burg të lëshohet edhe uji. Këta të burgosur nga
Prishtina u transferuan në Shkup dhe përmes Selanikut u dërguan në Azi të vogël.[32]
Në
Prishtinë janë kultivuar, lojëra fisnike në fushën e quajtur Poteçishtë. Këto
gara janë organizuar çdo vit të ngjashme me hallkën e Sinjit-vetëm me një
dallim në vend të hallkës është përdorur dorëza, të cilën kalorësit e kanë
pasur për detyrë ta qëllojnë me shpatë, shigjetë ose topuz. Në Prishtinë janë mbajtur edhe bejlege (dyluftime) të
ndryshme. Prishtinën e kapluan dy zjarre të mëdha më 1859 dhe 1863. Sipas
banorit Gamer, Prishtina është qyteti më i madh që gjendet mes Selanikut dhe
Sarajevës.
Në
vitin 1874 selia e Vilajetit të Kosovës kalon në Prishtinë dhe 3 vite më vonë
filloi të botohet revista në gjuhën turke “Kosova”.[33]
Në
Prishtinë në vitin 1887 u hap konsullata serbe, dhe në vitin 1890 u vra
konsulli serb Lluka Marinkoviq.[34]
Sipas Cvijiqit, Prishtina në fillim të shekullit XX kishte 4000 shtëpi.[35]
Prishtina,
foto e vitit 1914
Përgjatë shekullit XIX, në qytetin e Prishtinës, ishin përhapur
disa epidemi, dhe në burimet e shkruara janë dokumentuar epidemitë e Lisë, Lules,
Tifos dhe shumë tjera, si epidemitë nga më të rrezikshme të kohës, të cilat ju
morën jetën e shumë qytetarëve. Ne vitin 1890 ne burgun e Prishtinës për shkak
te epidemisë një repart i burgut ishte shndërruar në spital, ku trajtoheshin të infektuarit. Nga Prishtina në
1896, u kërkuan vaksina kundër infektimit me sëmundjen e Lisë. Në vitin 1903,
me kërkesën e ndihmës Prokurorit te Përgjithshëm ne spitalin e Prishtinës ishte
dërguar aparati avullues për trajtimin e Lisë.
Për
epidemitë në Prishtinë ka shkruar edhe Branisllav Nushiqi, që ishte konsull
serbë në fund të shekullit XIX në Prishtinë. Ndër tjera ai shkruan se pas
dëbimit të hebrenjve nga Rusia, nga të cilët50 shtëpi erdhën në Prishtinë, dhe
për çudi brenda dy viteve të gjithë vdiqën nga epidemitë. Në Prishtinë në atë
kohë jetonin 305 hebrenj.[36]
Shekulli
XX e gjeti Prishtinën të varfër dhe pa ndonjë ekonomi të qëndrueshme, sidomos
gjendja u vështirësua kur forcat e ushtrisë serbe, hynë në Prishtinë, në
luftërat ballkanike. Ushtria serbe prej kufirit e deri në Prishtinë, lanë rreth
5000 shqiptar të vrarë.
Xhamia e Jashar pashës
dhe Kulla e Sahatit në Prishtinë, në kohën e hyrjes së ushtrisë serbe në
Prishtinë, gjatë vitit 1912-1913
Prishtina
pësoj shumë ndryshime edhe pas Luftës së Dytë Botërore, objektet më të rëndësishme
në bërthamën e qytetit të vjetër u rrënuan.
Në
këtë rast nuk u kursyen as objektet e kultit, ku r u rrënua Kisha atolike e
Stakajve dhe Xhamia e Llokaqit, e cila ndodhej para hyrjes së çarshisë. Kjo
xhami ndryshe edhe njihej me emrin Xhamia e Çarshisë.
Çarshia e mbyllur e
Prishtinës dhe Xhamia e “Jonuz Efendi Moflezi”(Xhamia e Llokaqit) e ndërtuar në
vitin 1551 dhe e rrënuar në vitin 1954
Prishtina
e kishte edhe çarshinë e vjetër të mbuluar. Nga monumentet publike në
Prishtinë, veçohet objekti ku është sot Muzeu i Kosovës, objekti ku është
vendosur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hamami i Madh, Kulla e
Sahatit, Kompleksi i Emin Gjikut etj. Nga objektet sakrale veçohet xhamia e Çarshisë,
Xhamia e madhe, Xhamija e Jashar Pashës etj. Në Prishtinë ekziston Teqja e
Prishtinës dhe Kisha evangjeliste. Në periferi të Prishtinës , në fshatin
Shkabaj ekziston tyrbja e vogël dhe në fshatin Mazgit është tyrbja e sulltan
Muratit. Prishtina u shkatërrua shumë gjatë luftës ballkanike, kur forcat serbe
hynë në qytet.
Shtëpi qytetare të
shekullit XIX në qytetin e Prishtinës
Xhamia
e çarshisë (Gurit) në Prishtinë, është ndërtuar në fund të shekullit XIV dhe
fillim të shekullit XV. Këtë xhami e ndërtoi Sulltan Bajaziti në shenjë të
fitores së forcave osmane kundër koalicionit ballkanik në vitin 1389. Ky objekt
është ndër monumentet më të vjetra të kulturës[37].
Xhamia gjendej mbi çarshinë e vjetër të mbuluar të Prishtinës, andaj edhe e
mori emrin “Xhamia e Çarshisë”[38].
Gjatë
shekujve në këtë xhami u bënë ndërhyrje restauruese dhe u kryen punime dhe
riparime që e ndryshuan pamjen origjinale të saj. Karakteristikë e kësaj xhamie
janë kupola me gjerësi prej 10 m dhe minarja të ndërtuara prej gurit, që i
mbijetuan kohës përreth 600 vjet. Kjo xhami quhet edhe “Tash Xhamia” që në përkthim do të thotë “Xhamia e Gurit”.[39]
Xhamia
e Jashar Pashës në Prishtinë, ka hyrë në mbrojtje të shtetit në kuadër të
kompleksit të Çarshisë së vjetër ku bënin pjesë: Xhamia e Jashar Pashës,
Shatërvani i vjetër, Ndërtesa e Divizionit dhe Sahat Kulla me nr. v. E. K. 02.
278/67[40].
Xhamia
e Jashar Pashës është objekt me arritje i arkitekturës islame. Nuk kemi të
dhëna të sakta për kohën e ndërtimit të saj, megjithatë vetë stili i ndërtimit
të saj, kupola, minarja dhe dekorimet e brendshme, të shtyjnë të mendohet se
objekti është ndërtuar në shek. XVI, apo më herët.
Ylli gjashtëcepësh në
xhaminë e Jashar Pashës në Prishtinë
Shkrimi
i emrit të Jashar Pashës në portalin e
kësaj xhamie në vitin 1835-1836, lehtë mund të kuptohet për një konservim apo
rikonstruktim në këtë kohë. Ndërhyrjet e mëvonshme, vërehen në kupolë, minaret
dhe mure. Konservim në një pjesë të minares është bërë gjatë viteve 1976-1979[41].
Jashar Mehmet Pasha, ishte feudal i pasur dhe guvernator i Shkupit në vitin
1842. Porta origjinale e kësaj xhamie është shkatërruar për ta zgjeruar rrugën.
Ndërtesa sot gjendet në gjendje të keqe dhe është rrezikuar nga çarjet dhe
lagështia[42].
Kohët
e fundit Xhamia e Gurit ka hyrë në vitin e katërtë të renovimit ku janë dëmtuar
shtresa të rëndësishme historike, ndërsa Xhamia e Jashar Pashës ka filluar të
restaurohet në vitin 2014 me financimin e OJQ turke Tika
Tyrbja-Teqeja e
Shehlerëve në Prishtinë, Kjo tyrbe është e njohur sipas Sheh Mehmet Hafëz Efendisë,
pronar i objektit. Tyrbja është një objekt i vogël që ndodhet pranë Kullës së
Sahatit. Sheh Mehmeti i varrosur në këtë tyrbe njihet si njeri me shumë
autoritet në qytetin e lindjes së tij Prishtinën.
Sheh
Mehmeti është njeriu që bëri propagandë në baza fetare për të mos u shpërngulur
popullata e qytetit në Turqi. Teqeja e Sheh Mehmetit thuhet se është ndërtuar
diku rreth viteve 1925-1929, ndërsa për tyrben nuk dihet data e saktë e
ndërtimit[43].
Tarikati
i Sheh Mehmet Hafëz Efendisë ka qenë kaderinj, ai vdiq në vitin 1947. Në
objektin e teqesë ndodhet edhe biblioteka e Sheh Mehmetit me libra të vjetër
deri 700 vjeçar, të shkruara në gjuhën arabe, turke, perse dhe frënge, si dhe
dorëshkrime, që ende nuk janë studiuar[44].
Familja
e Sheh Mehmetit në oborr e kishte në oborr një Dud të moçëm të njohur si
Dud-shami ose Sham –dudi, i sjellë nga Siria para rreth 200 vjetësh. Nga ky
Dud i njohur si Dud-ilaçi (ilaçi i
manit) ku nga frytet e tij përgatitet një lëng shërues dhe thuhet se nuk gjendet
askund në Gadishullin Ballkanik. Lëngu i përgatitur jepej falas për qytetarët
që e kërkonin për shërimin e gojës, të fytit dhe të lukthit[45].
Sylejman
Kylqe shkruan se në telegramin e 29 mars 1910 është organizuar kryengritja prej
2000 vetë nga populli i kazave të Prishtinës dhe Vushtrrisë dhe i okupuan
rrugët e Llapit dhe Gallapit duke i ftuar popullatën të ju bashkoheshin.
Kryengritja ishte bërë për heqjen e taksës së otrovës (taks në administratën
osmane).[46]
Në
telegramin e datës 19 prill 1910 njoftohet se para kryengritjes së Llapit dhe
Gallapit, Jahja Efendiu nga Prishtina në dyqanin e Kafexhi Rifatit i ka varur
në qafë një fletë kalendari pulës që një shqiptar po e sillte për ta shitur në
tregun e Prishtinës, duke kërkuar taksë prej tij. Çallak Mahmudit nga lagjja e
Prishtinës ramazanije i ka marrë për taks otrove një kokërr nga 8 kokrra vezë,
dhe se ka gënjyer një shqiptar për tu kthyer në fshat, duke i thënë se do ti
merren 9 grosh e gjuamë taksë për mjekër. Kjo gënjeshtër kështu është përhapur
në popull.[47]
Pas
hapjes së fjalëve se do të merret taks nga pulat dhe për mjekër, është
organizuar tubimi i fshatrave në luginën e fshatit Dyz, Llap dhe kulinë dhe ka
filluar lufta me Shefki Pashën.[48]
Prishtina e fotografuar
prej lagjës së Arbërisë
Me
21 maj 1910 erdhi Mahmud Shefqet Pasha , ministër i luftës i Turqisë i cili
filloi mbledhjen e armëve në popull. Me 30 maj 1910 pasi u krye kontrolli mbi
popullatën e Vushtrrisë, Prishtinës dhe Drenicës, nga komanda e trup armatës së
posaçme u përgatit një detashment i përbërë nga 8 batalioneve dhe filloi
kontrollimin e rajoneve Llap e Gallap. Mahmud Shefqet Pasha me 30 mars 1910
njoftoi se sasia e armëve të mbledhura ka arritur shumën 8000 dhe parashikonte
që sasia e armëve që do të mblidhet në prefekturën e Prishtinës do të kaloj
numrin 15.000 armë.[49]
Prishtina u pushtua nga serbet më 12 tetor 1912.[50] Gjatë rrugës deri në
Prishtinë ushtria serbe i kishte vrarë dhe plagosur 1448 shqiptar. Një gazetar
danez në atë kohë raportoi nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë edhe 5000 shqiptar
pas pushtimit të qytetit.[51]
Pas pushtimit të Prishtinës nga armata serbe në vitin 1913,
argjipeshkvi Mjeda bëri ankesë se 1200 besimtarë të tijë ishin konvertuar me
dhunë në ortodoksë. Në maj të vitit 1913 komandanti serb i zonës së Prishtinës
e informonte me mburrje Beogradin se 195 shqiptarë mysliman ishin konvertuar në
Prishtinë.[52]
Prishtina,
tani rruga e UÇK
Në fillim të vitit 1913 u bë regjistrimi i popullatës dhe në
Prishtinë nuk regjistrohet asnjë shqiptar. Në vitin 1915 një gazetar rus kishte
raportuar se gjysma e popullatës ishte shqiptare. Në vitin 1916 sipas
regjistrimit bullgar në Prishtinë u regjistruan 11.486 shqiptar.[53]
Në
muajin shkurt të vitit 1914 Qeveria Serbe e nxori dekretligjin për rregullimin
e rajoneve të porsaçliruara, kështu për vendosje të kolonëve serb Nikolla
Pashiqi i bleu 3000 hektar tokë afër Prishtinës.[54]
Në
fshatrat e kolonizuara u dëbuan shqiptarët dhe përveç këtyre serbet ndërtuan
edhe fshatra të reja për kolon serb dhe
i emërtuan sipas mitologjisë serbe. Në afërsi të Prishtinës themelohet
Çakllavica, Devet Jugoviqi etj. Pas luftës së dytë botërore.
Në
mes dy luftërave, nuk kishte ndonjë zhvillim të hovshëm. Në Prishtinë dhe
rrethinë u vendosën shumë kolonë, u përvetësuan tërësisht objektet e kultit
ortodoks dhe filloi shpërngulja e popullatës shqiptare për Turqi. U ndërtuan
objekte për pushtetarë serbë dhe argëtim të tyre. Shumë shtëpi qytetare
shqiptare u bënë prona të serbëve kolon. U ndërtua ndërtesa e sotme e Unionit
në vitin 1927, sipas stilit barok perëndimor, e cila përdorej si hotel për
argëtimin e pushtetarëve nga garda ushtarake muzikore e Mbretërisë SKS[55].
Kisha katolike e
“Stakajve” në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1927 dhe e rrënuar në vitin 1957
Si
pas shumë qytetarëve të Prishtinës që përjetuan dhunën në atë kohë, në pjesën e
prapme të këtij objekti, torturoheshin për vdekje shqiptarët.
Prishtina
u bë qendër administrative e Kosovës në vitin 1947, dhe u zhvillua me një
dinamikë të shpejtë duke mos i ruajtur objektet tradicionale të periudhës
osmane. Sot Prishtina si qytet urban i kësaj periudhe ka ndryshuar plotësisht,
në përjashtim të disa rrugëve të ngushta, ku kanë mbetur disa ndërtesa të
rralla me vlerë arkitektonike të periudhës osmane.[56]
Eduard
Kardeli duke i pranuar shfaqjet e nacionalizmit serb pas luftës së dytë
botërore tha në vitet gjashtëdhjeta: Edhe shokët tanë të partisë u përfshinë në
persekutimet shoviniste ndaj shqiptarëve, grave dhe fëmijëve të tyre.[57]
Urrejtja
ndaj shqiptarëve në Prishtinë u arrit në atë pikë, saqë në vitin 1992 në Grand
Hotel u u var një shkrim i poshtër “për kroat, shqiptar dhe qen ndalohet
hyrja”.[58]
Shtëpi e vjeter qytetare
në Lagjen Biklia të Prishtinës
Në
traditën qytetare për vlerat e artit, dhe dekorimet e brendshme në shtëpitë
qytetare, por edhe në fshatra të komunës së Prishtinës, ishin të njohur
mjeshtrit shqiptar, që lanë vepra të çmuara të traditës tonë popullore. Në
gdhendjet e drurit, ashtu sikurse në gurë dhe pëlhurë, mjeshtri popullore
shqiptarë, arriti të realizoj vepra të përsosura për kohën. Kryesitë në
gdhendje hasim simbolet astrale, që i përdorën popujt e lashtë që nga periudhat
e hershme të historisë. Zakonisht është skalitur ylligjashtëcepësh, pastaj tetë
cepash, hëna, dielli, gjarpri dhe dekorime me motive bimore.
Dekorimet në dru te shtëpitë
qytetare në Prishtinë
Në
Prishtinë, pas Luftës së Dytë Botërore, filloi të ndërtohet infrastruktura
institucionale dhe urbane, me moton e ndërtimit të një qyteti me pamje urbane.
Me planin urban të qytetit të vitit 1953, u rrënuan lagje të tëra së bashku me
çarshinë e vjetër, duke e shkatërruar arkitekturën popullore shqiptare të
periudhës turke.
Në
këtë periudhë, shumë pak shtëpi qytetare arritën të shpëtojnë nga planet e
qëllimshme urbane, të përpunuara në Beograd. Me këtë plan u rrënua kisha
katolike e Prishtinës, Xhamia e Llokaqit, Sinagoga e hebrenjve etj. Në vend të
xhamisë u ndërtua Teatri i Kosovës sipas
arkitekturës dhe modelit sllavo-rus. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin
1945, filloi edhe rrënimi i varrezave të vjetra të qytetit.
Dy
vite pas luftës, në kompleksin e varrezave, filloi të gërmohet dheu dhe me
vagonë të dërgohet në tjegulloren e Shkupit. Në vitin 1947 u hartua plani që në
këtë lokalitet të ndërtohet tjegullorja e Prishtinës . Punëtorët që kanë punuar
në atë kohë, mbanin mend se gjatë gërmimit kanë hasur në varreza. Gërmimet i
filluan edhe nën kompleksin e varrezave te shkolla e sotme fillore “Asim
Vokshi” në qytet tej urës së gurit mbi hekurudhë në rrugën Prishtinë-Podujevë.
Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë ka vazhduar edhe në vitet
shtatëdhjeta, në kohën kurë ndërtohet tjegullorja e re e qytetit. Më kujtohet
që si fëmijë i kemi parë buldozerët kur rrokullisën në oborrin e sotëm të
tjegullores, disa dhjetëra varreza të vjetra me epitafe të shkruara në gjuhën
osmane. Aty ishte edhe një varr i punuar shumë mirë me një kapak të rëndë prej
metali. Prej këtyre varrezave, vetëm një familje arriti të zhvarrosë të afërmit
e vetë atë kohë. Gërmimet i udhëhiqte një student shqiptar nga Maqedonia, që
studionte në fak. e makinerisë. Edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, në greminën e
gërmimeve të kësaj tjegulloreje u shembën afër 100 varreza të shqiptarëve nga
kompleksi i varrezave të sotme të
qytetit.
Foto të vjetra nga
Prishtina
Sipas Shaip Berilës, katër lagjet e Prishtinës së vjetër i kishin
edhe varrezat e veta. Varrezat ishin përmbi varosh, te oxhaku i fabrikës së
tjegullave, te Xhamia e Llapit dhe....këto varreza u rrafshuan dhe këto toka ju
dhanë serbëve, por atë kohë askush nuk guxonte as të pyeste pse po bëhej kjo
thotë Berila.[59]
Po ashtu edhe parku i sotëm i qytetit të Prishtinës ishte kompleks i varrezave
të shqiptarëve, e sidomos atyre që ishin shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit.
Varreza të sheshta janë hasur edhe te “Fusha e Pajtimit”, afër bunarit të
hajratit.
Në
Prishtinë janë dy lokalitete me varreza të hebrejëve , varret e vjetra në Tauk
Bahqe në madhësi 10 ari në të cilën janë varrosur 800 hebrej të varrosur që nga
vitet 1850. Në varrezat e reja janë varrosur 200 hebrej prej vitit 1922.[60]
Sinagoga që mendohet se
është bartur në hyrje të kompleksit“Emin Gjiku
Varrezat herreje në Touk
bahçe
Pllaka të hebrenjve
me mbishkrim të zbuluar në lagjen Tophane, foto nga Arsim Mehmeti
Fatin e varrezave të vjetra të Prishtinës, e përjetuan shumë lokalitete
dhe qytete të Kosovës. Lokalitetet me kulturë materiale jo sllave, u kolonizuan
me kolon të sjellë nga Serbia, të cilët ndërtuan objekte banimi mbi kulturat e
qytetërimit dhe civilizimeve më të hershme në këto troje. Pas pushtimit të
Kosovës, kolonët u vendosen në tërë territorin e saj, në rrethin e Prishtinës
përveç qytetit, kolon u vendosen edhe në Graqanicë. Bërrnicë, Bardhosh, ku u
përvetësuan varrezat, pronat, shtëpitë e banimit dhe objektet e kultit. Në
Berrnicë, u përvetësuan varrezat e hershme të shqiptarëve, që sipas popullatës
vendore ishin të shqiptarëve, u morën
gurë varresh, pjesërisht u falsifikuan dhe me to serbët krijuan mitin
për Nëntë Jugoviqët.[61] Këta gurë janë të
publikuar edhe në librin e Dragan Cukiçit dhe Milan Ivanoviqit të botuar nga
Enti për Përmendore të Kulturës së qytetit të Prishtinës në vitin 1996.[62] Përshkrimi i autorëve
është shumë i dyshimtë, prandaj kjo çështje mbetet të studiohet nga ekspertët
eminent të kësaj fushe. Popullata autoktone shqiptare e fshatrave për rreth, ka
ruajtur të dhënat se raja e Kolovicës dhe e Bërrnicës, të cilët kishin jetuar
edhe gjatë sundimit osman në këto fshatra, janë shqiptar, të fisit Krasniqe dhe
vëllazëri me shqiptarët e fshatit Makoc e Llukar.[63]
Prishtina,
pas Luftës së Dytë Botërore, e fitoi funksionin e qytetit të rëndësishëm
ekonomik dhe administrativo-politik, që i krijuan bazë materiale solide.
Madhësia e qytetit matej me shkallën e inkuadrimit, numrin e kuadrove,
specialistëve, shkencëtarëve, politikanëve dhe profesioneve të lira intelektuale.[64]
[1] Dragan Cukic “Kosovo znamenitosti i
lepote”, Prishtinë, 1971, fq. 31
[2] Emil Çershkov,
Rimski put Naissus-Scupi i stanica Viciano, Glasnik Muzeja Kosova i Metohija, Prishtina, 1961, fq.130
[3] Kosova dikur
dhe sot,
[4] Jahja
Drançolli, raguzanët në Prishtinë gjatë shekujve XIV-XV, Vjetari nr.XVIII-XIX,
Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1984, fq.10
[5] Kosova dikur
dhe sot,
[6]
[7] Kosova dikur
dhe sot,
[8] Bibloteka Kombëtare, “Vendbanimet Ilire dhe Shqiptare”, Bibliografi: Vepra të shekullit XVI-XVIII, Tiranë, 1972
[9] Skender Rizaj,
Kosova gjatë shekujve XV,XVIdheXVII, Prishtinë 1982, fq248
[10]
[11] Skender Rizaj,
Kosova gjatë shekujve XV,XVIdheXVII, Prishtinë 1982, fq.243
[12] Grup Autorësh, “Monografi për
Prishtinën”, Beograd, 1965
[13] Desanka Kovacevic-Kojic, “Istorijski Casopis”, knj.XXII, Beograd, 1975, fq.46
[14] Prof.Dr. Jahja Drançolli, Krishterimi ndër Shqiptarë-Simpozium Ndërkombëtar-Tiranë, 16-19
Nëntor 1999, Seksioni i Historisë dhe Arkeologjisë.
[15] Skender Rizaj,
Kosova gjatë shekujve XV,XVI dhe XVII, Prishtinë. 1982, fq.243
[16] Desanka Kovaceviq-Kojiq. “Istorijski casopis”, Beograd,knj,XXII, 1975, fq.49,50
[17] Gaspër Gjini,
Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj,
[18] Skender Rizaj,
Kosova gjatë shekujve XV,XVI dhe XVII, Prishtinë. 1982, fq.245
[19] Skender Rizaj,
Kosova gjatë shekujve XV,XVI dhe XVII, Prishtinë. 1982, fq.248
[20] Evlija Celebi, “Shqipëria 350 vjet më parë” Tiranë, ribotim 2003, fq,118
[21] Skender Rizaj,
Kosova gjatë shekujve XV,XVI dhe XVII, Prishtinë. 1982, fq.249
[22] Po, aty, fq. 118
[23] Gaspër Gjini,
Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj,
[24] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.163
[25] Vasilije Kozarac, “Gllasnik Muzeja Kosova i Metohije”, Prishtinë 1956.
[26] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.189
[27] Vidosava
Milosavljeviq, “Pristinske Asurdzije”, Gllasnik Muzeja Kosova i Metohija,
Prishtina, 1964, fq. 586
[28] Sylejman
Kylqe, Shqipëria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq. 219
[29] Aleksander
Matkovski, Kryengritja e Dervish Carës, Shkup 1985, fq.181
[30] Arkivi I
Zarës, Letër e datës 22.V.1844 shkruar nga vicekonzulli austriak Balarini në
Shkodër, që ja
dërgon Stefano Doimit në Kotor.
[31] Vlladimir
Stojanoviq, Velike epidemije, Leskovaqki zbornik, XIII, Leskovc 1973, fq.16
[32] Gaspër Gjini,
Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj,
[33] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.200
[34] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.239
[35] Grup Autorësh, “KOSOVA”, Beograd, 1973 fq. 858-860
[36] Branisllav Nushiqi, “Kosova” perkthyer nga Rrahim Sadiku, Prishtinw 2015, fq, 100, 101, 102
[37] Arkivi i IKMM (Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve) , në Prishtinë
[38] IKS/ESI, Iniciativa e Kosovës për Stabilitet/European /stability Iniciative “Një e ardhme për të kaluarën e
Prishtinës”, Prishtinë, 2006, fq.11
[39] Arkivi i IKMM në Prishtinë
[40] Arkivi i IKMM, në Prishtinë, „Lista e Monumenteve të kulturës në mbrojtje të shtetit para vitit 1991”.
[41] ARKIVI i IKMM, Prishtinë
[42] Iniciativa Kosovare për stabilitet, „Një e ardhme për të kaluarën e Prishtinës”
[43] Sanije Gashi,
“Prishtina e fëmijërisë sime”, Prishtinë, 2013, fq. 45
[44] Po aty, fq. 45
[45] Po aty, fq. 46
[46] Sylejman
Kylqe, Shqipria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq.198,199
[47] Sylejman
Kylqe, Shqipria në Historinë Osmane, Tiranë 2004, fq. 199, 200
[48] Sylejman Kylqe, Shqipria në Historinë Osmane,
Tiranë 2004, fq. 209
[49] Sylejman Kylqe, Shqipria në Historinë Osmane,
Tiranë 2004, fq. 201, 202
[50] Stefan
Karastefanovi, Kosova, Shkup 2007, fq 123
[51] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.265
[52] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.266
[53] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.267
[54] Noel Malkolm,
Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë 1998, fq.290,291
[55] SKS- Serbo-Kroato-Slovene
[56] Organizata Joqeveritare Suedeze, CHWB (Trashëgimia Kulturore pa kufij), “Trashëgimia e
Prishtinës”, Prishtinë, 2008, fq.21
[57] Stefan Karastefanovi, Kosova, Shkup 2007, fq
169
[58] Stefan
Karastefanovi, Kosova, Shkup 2007, fq.200
[59] Gazeta e përditshme “Zëri”, Prishtinë, 30 Dhjetor, 2006
[60] Çedomir Prilinçeviq, Punim Maxhistrature, Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 1985 fq.29
[61] Raif Berisha, i lindur më 1938 në fshatin Siqevë, Komuna e Prishtinës
[62] Dr. Dragan Cukic & Milan Ivanovic, “Stari nadgrobni spomenici i crkva na srpskom groblju u
Gornoj Brnici kod Prishtine”, Zavod za zastitu spomenika kulture grada Pristine, Prishtinë, 1996, fq.
12
[63] Ibrahim Namani, i lindur në vitin 1909, në fshatin Prapashticë, komuna e Prishtinës.
[64] Dr. Qazim Lleshi, “Qytetet e Kosovës”-Studim Urbanologjik”, Prishtinë, 1977 fq. 293, 294