E shtune, 22.06.2024, 07:02 AM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Historiku i shkurtër dhe trashëgimia kulturore në qytetin e Pejës

E diele, 23.04.2023, 07:57 PM


Historiku i shkurtër dhe trashëgimia kulturore në qytetin e Pejës

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji/Trashëgimi kulturore

Qyteti i Pejës ndodhet në Rrafshin e Dukagjinit dhe në perëndim të Kosovës. Peja luante rol të rëndësishëm në pikëpamje politike, ekonomike shoqërore dhe kulturore, për arsye se treva e qytetit ka pozitë gjeostrategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme. Lumi Lumbardhë (Bistëricë) që buron në malet e Rugovës, e ndan qytetin në mes.

Peja me rrethinë paraqet një burim të begatshëm të trashëgimisë kulturo-historike, materiale dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme, të cilat veçohen për nga vlerat, cilësitë, karakteristikat, rëndësia historike etj. Peja është një qytet me origjinë që nga thellësitë e antikitetit, i njohur me emra të ndryshëm në histori, por me rrënjën emërore të pandryshuar. Në kohët antike ky qytet quhej Siparutum, ndërsa në periudhën e Mesjetës njihet me emrin Pech-Peka. Në dokumentet latine Peja-Pech përmendet për herë të parë në vitin 1202. Në kohën e Perandorisë Osmane qyteti mbante emrin Pejë.

Në Mesjetë Peja zhvillonte tregti të rregullt me Dubrovnikun dhe Kotorrin.

Duke qenë një vendbanim i hershëm, në qytetin e Pejës hasen kultura nga periudha të ndryshme historike. Në jugperëndim të qytetit, janë zbuluar mbetje nga ndërtimet dhe varrezat antike si dhe mbishkrime. Gjurmë antike dhe ndërtime funerale të antikitetit të vonë janë gjetur në banjën termale të Pejës.

Me rëndësi të veçantë janë Patrikana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit.

Mjaft monumente të gjinive të ndryshme që ruhen ende në Pejë, i takojnë periudhës Osmane. Në defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, Peja ndodhej në varësinë e këtij sanxhaku deri në vitin 1540, kur ajo bëhet qendër e Sanxhakut të Dukagjinit, i cili shtrihej deri në Lezhë. Mbështetur në regjistrat Osmane, në vitin 1491, Peja kishte rreth 3000 familje, ndërsa në vitin 1555 Peja numëronte 3900 familje.

Ndër monumentet më të hershme të ndërtuara në periudhën Osmane, janë: “Bajrakli Xhamia“ ose “Xhamia e Çarshisë” e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II (1451-1481), Hamami i Haxhi Beut në fund të çarshisë, pranë xhamisë, i cili e ka marrë emrin Hamam Xhamia. Ky hamam përmendet në defterin e Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1485.

Si monument me rëndësi është edhe Defterdar Xhamia, e ndërtuar në vitin 1570 dhe e djegur në vitin 1999, pastaj Kurshumli Xhamia, Xhamia Kullës së Sahatit, Xhamia e Pehlivan Mejdanit, Shuster Xhamia (te shtëpia e mallrave) e shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Taftali Xhamia, Xhamia e Kërshllarëve, Xhamia e Kleqkës, Mejtepi, Kisha e Shën Katerinës, Kisha katolike e Fretërve, Kulla e Zenel Beut, Kulla e Sheremetit, Kulla e Goskajve, Kulla e Kurtulve, Kulla e Gegajve, Kulla e Tal Brahimit, shtëpi qytetare, konaqe, Ura në Gurë, Ura në Çakorr, Ura në Gryk137 të Rugovës, etj. Peja ka monumente të arkitekturës popullore si kullat e gurit, kompleksin tregtar “Çarshia e Vjetër” që përbënte një unitet në qendër të qytetit. Peja në vitin 1871, e kishte edhe Kullën e Sahatit të mëhallës në lartësi prej 10 m, dhe Kullën e Sahatit tjetër në çarshi.

Në shekullin XIX, si monumente kulture veçohen edhe Kompleksi i Mullirit të Haxhi Zekës, Kulla e Haxhi Zekës në fshatin Leshan. Sipas studimit të bërë, në Pejë deri më sot kanë mbetur disa kroje të punuar në shekujt XIX dhe XX, si: Kroi i Jashar Pashës, Kroi i Reshid Agës, Kroi i konakut të Tahir pashës, Kroi i Çarshisë së Vjetër, Shatërvani i Fatih Xhamisë etj.

Çarshia e vjetër e Pejës, para lufte ruante mjaft segmente dhe elemente origjinale që kishin vlera cilësore të komplekseve të vjetra të këtij lloji. Kompleksi i çarshisë së vjetër në Pejë është bërthama e qytetit me një sipërfaqe prej 15 ha, me planimetri funksionale, qendër zejtare-tregtare e themeluar që nga shekulli XIV, në evolucion si konglomerat urbanistik së bashku me xhamitë dhe ansamblet e banimit.

Çarshia e Pejës ishte qendra ekonomike e qytetit, si dhe pjesa ma e vjetër, ku ishte përqendruar prodhimi i zejeve, shitja e mallrave dhe prodhimeve bujqësore.

Kompleksi i këtij fenomeni unik i aglomeracionit historik urban në kohë para shekullit XV e deri në dekadën e pestë dhe gjashtë të shekullit XX, përbëhej prej dy tërësive urbane-arkitektonike, por organikisht dhe fizikisht mirë të lidhura mes veti. Kompleksin e sipër cekur e formuan Çarshia e Sipërme dhe Çarshia e Gjatë. Çarshia e Sipërme, e cila në qendër e kishte Xhaminë, u dogjën në vitin 1943.

Pas Luftës së Dytë Botërore u bë rrënimi i tërë i kësaj çarshie sipas planit urbanistik të kësaj pjese të qytetit, ku u ndërtua posta e qytetit, banesa shoqërore, shtëpia e mallrave, pompa e derivateve të benzinës etj. Te posta kryesore e qytetit kishte qenë Konaku i Tahir Beut, i cili u dislokua në vend tjetër.

Çarshia e Pejës është djegur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bërthamën e Çarshisë së Vjetër-Çarshisë së Gjatë e paraqesin tregu dhe Xhamia e Bajrakut, e cila ka lidhje efikase me shtatë rrugët e çarshisë.

Duhet cekur se karakteristike kohës për këto komplekse ishte ndërtimi i dyqaneve me lloje të ndryshme përreth xhamive. Dyqanet në çarshinë e Pejës, kryesisht ishin të ndërtuara me konstruksion prej druri e të mbushura me baltë dhe tulla, por kishte edhe me material të qerpiçit (tulla të pa pjekura).

Themelet e dyqaneve, kryesisht ishin të punuara nga guri dhe te lidhura me llaç balte. Kishte dhe dyqane në kat që ishin më karakteristike, kati pos që kishte parmakë të drurit, sigurohej dhe me nga dy qepena (kapakë) që lëviznin rreth boshtit horizontal. Dyqanet e tipit përdhes kishin qepena në formë të harmonikës dhe vendoseshin veç e veç në boshtin horizontal të pamjeve të dyqaneve, të cilat strehët i kishin mjaft të gjera.

Meqë kompleksi i çarshisë së vjetër në Pejë pothuaj në tërësi u plaçkit, u dogj dhe u rrënua, IKMMK me seli në Prishtinë e realizoi studimin e projektit për regjenerimin dhe rigjallërimin e këtij aglomeracioni urban.

Çarshisë së vjetër në vitin 1955, i caktohen kufijtë dhe evidentohet, kurse me vendimin e dt. 02.05. 1970 shpallet monument në mbrojtje të shtetit.

Foto: 1 dhe 2- Çarshia e vjetër në Pejë

Gjatë luftës së viteve 1998/99 çarshia është djegur tërësisht. Në vitin 2006 u hartua projekti nga IKMM dhe Kuvendi Komunal në Pejë, dhe çarshia është rinovuar nga vetë pronarët.

Sqarim për lexuesit: Fusnotat janë të njohura për autorin e shkrimit!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Roli i Vojsllav Tankosi?it në pushtimin e Kosovës gjatë luftërave ballkanike 1912 Qazim Namani: Presionet e pushtuesve për ndryshimin e kostumeve popullore shqiptare Qazim Namani: Ndryshimi i veshjes brenda një fisi dhe familje shqiptare pas krizës lindore 1879/1880 Qazim Namani: Veshja kombëtare e popullit tonë dëshmi e vlerave më të larta të artit evropian Qazim Namani: Gjurmët historike dhe ruajtja e traditës së krishterë në veshjen e Medvegjës Qazim Namani: Dëshmi e artit tradicional parahistorik dhe atij dardan Qazim Namani: Simbolet e kultit te veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës Qazim Namani: Hebrenjtë në Kosovë mes dy luftërave botërore 1918-1941 Qazim Namani: Çetnikët serbë, ndjekës të popullatës hebraike në Serbi dhe Kosovë, shqiptarët rrezikuan për mbrojtjen e tyre Qazim Namani: Shpëtimi i hebrenjve nga popullata shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore në Malësinë e Galabit Qazim Namani: Kisha e familjes Boletini nuk është serbe Qazim Namani: Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale Qazim Namani: Serbizimi i familjes Gjaka në fshatin Shillovë të Gjilanit Qazim Namani: Raportet e Mustafa Pashë Bushatliut me Rusinë sipas historiografisë serbe Qazim Namani & Emin Sallahu: Oxhaku në shtëpinë e fortifikuar të Fazli Bllatës Qazim Namani: Falsifikimet e hartës së atlasit të V. M. Coronelli-t të botuar më 1689 në Venedik Qazim Namani: Gjurmë të mbishkrimeve në gurë në territorin e Dardanisë Qëndrore Qazim Namani: Rrënimi i kishës katolike në fshatin Keqekollë Qazim Namani: Falsifikimet dhe gënjeshtrat serbe për veshjet popullore! Qazim Namani: Gjurmët historike dhe arkeologjike në qytetin mesjetar të Bërvenikut

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora