Speciale » Namani
Qazim Namani: Prania dhe regjistrimet e komunitetit hebre në Kosovën e sotme nëpër shekuj
E hene, 24.04.2023, 06:59 PM
Prania dhe regjistrimet e komunitetit hebre në Kosovën e sotme nëpër shekuj
Nga
Dr. Qazim Namani
Territori
i Kosovës së sotme, shtrihet në pjesën qendrore të Dardanisë së dikurshme,
andaj ne po e japim një pasqyrë të raporteve të këtyre dy popujve që nga
lashtësia e deri në kohën e sotme. Fisi Ilir i dardanëve për herë të parë
përmendet më 1274 para erës së re kur në betejën e Kadeshit si aleatë të
Hititëve kundër egjiptianëve. Më qenë se dardanët në këtë periudhë përmenden në
lindjen e mesme, mendojmë se raportet mes hebrenjve dhe dardanëve vazhduan pa
ndërprerje edhe në periudhat e më vonshme.
Besimi
fetar i parë monoteist (Krishterimi), kishte karakter apostolik i cili erdhi
dhe u përhap në Iliri nga Shën Pali ishte krishterimi. Nga zbulimet
arkeologjike, dy sinagoga të periudhës së antikitetit të zbuluar në
Stobi dhe tjetra në Sarandë, dëshmojnë për praninë e hebrenjve
në Iliri.
Bashkësitë
e hebrenjve në qytetet e Kosovës së sotme, dokumentohen që nga shekulli i
XIII, kur ipeshkvi i atëhershëm në Prizrenit Abrahami i cili së
bashkë me ipeshkvit tjerë provincial e nënshkroi letrën të cilën ia dërguan
Papës Inoçentit të III.
Pas
betejës së Kosovës më 1389, sulltan Bajaziti i parë i vendosi disa
hebrenj në Prizren dhe në Artanë. Të dhënat historike dëshmojnë arritjen e
hebrenjve në Prishtinë në shekullin XV, ku në vitin 1442 në doganë të këtij
qyteti punonte një hebre. Në këtë periudhë shumica e hebrenjve në trevat tona,
vinin nga Spanja dhe Sicilia.
Numri
i tyre në trevat shqiptare u shtua sidomos pas dëbimit të hebrenjve nga
Hungaria më 1360. Një valë tjetër hebrenjsh “Ashkenazi”(nga Evropa e mesme dhe
veri-lindore) erdhi në vitin 1470, dhe pas dëbimit nga Spanja dhe Portugalia më
1492 hebrenjtë “Sefardik”(folës të gjuhës spanjolle) vërshuan këto treva, duke
e kaluar numrin e hebrenjve “Romaniot”. Në vitin 1526 është i regjistruar një
grup hebrenjsh prej 6 shtëpish në Artanë. Hebrenjtë e Artanës përmenden deri në
vitin 1610, kur nga kjo qendër shpërngulen për shkak të rënies së rëndësisë
tregtare e xehetarisë si degë e rëndësishme ekonomike.
Pas
trazirave ndërmjet viteve 1690-1737 me sa duket bashkësia e hebrenjve mbijetoi
në Kosovë. Nga mesi i shekullit XIX kishte tregtarë çifut në Prishtinë,
Gjakovë, Prizren dhe qytete tjera duke përfshirë dhe 10 shtëpi hebrenjsh në
qytetin veri-lindor të Kosovës Prokuplje.
Gjatë
shekujve XVII, XVIII, pjesa më e madhe e hebrenjve jetuan në qytetin e
Prishtinës. Gjatë shekullit XIX hebrenjtë më shumë jetuan në Prishtinë, ndërsa
pas ndërtimit të hekurudhës, disa nga hebrenjtë e Prishtinës u vendosën në
Mitrovicë. Nga mesi i shekullit XIX, kemi edhe statistika për popullatën
hebraike në Vilajetin e Kosovës.
Gjendja
shoqërore dhe ekonomike e popullsisë së qytetit të Prishtinës, sipas
regjistrimit turk të vitit 1844, tregon se në Prishtinë jetonin 73% mysliman,
26% të krishterë dhe 1% hebrenj.
Statistika
e popullsisë në tërë Vilajetin e Kosovës e bërë në vitin 1880, vetëm për
meshkuj, kishte gjithsejtë 475 hebrenj, Prej tyre në Prishtinë ishin
regjistruar 62 vetë, kurse sipas regjistrimit të vitit 1900, Prishtina kishte
179 meshkuj hebrenj dhe 183 femra. Studiues të ndryshëm kanë shënuar se në fund
të shek. XIX në Prishtinë kishte pasur 350 hebrenj folës të gjuhës spanjolle.
Gjatë
kësaj periudhe, në legjislacionin e Serbisë, ka pasur disa nene anti semitike
që u anuluan vetëm pas presionit diplomatik të perëndimit më 1889.
Sipas
dokumenteve ushtarake serbe në vitin 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000
hebrenj, më 1910 jetonin 3200, më 1915 vetëm 298 hebrenj jetonin në Vilajetin e
Kosovës, çka do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur në Turqi.
Sipas
disa studiuesve në vitin 1910 në Kosovë kishte gjithsejtë 3000 hebrenj.
Sipas Branisllav Nushicit, Prishtina në vitin 1902 kishte 500 hebrenj.
Nushici shkruan se në Prishtinë hebrenjtë e kanë komunën e tyre dhe shkollën me
shtatë nxënës dhe janë në shërbim të administratës turke.
Sipas
statistikës turke në vitin 1911 në fondin Komiteti i Kosovës në Arkivin e
Shqipërisë, dosja 27 theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetonin 2009 hebrenj,
prej tyre në Shkup 1343, në Prishtinë 547, në Kumanovë 93, në Mitrovicë 26 dhe
disa persona te vetmuar ne Prizren, Pejë dhe Gjakovë.
Sipas
statistikës turke në vitin 1911 në fondin Komiteti i Kosovës në Arkivin e
Shqipërisë, dosja 27 theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetonin 2009 hebrenj,
prej tyre në Shkup 1343, në Prishtinë 547, në Kumanovë 93, në Mitrovicë 26 dhe
disa persona te vetmuar ne Prizren, Pejë dhe Gjakovë.
Pas
pushtimit Serbo-Malazez të Kosovës më 1912, disa nga këta hebrenj u shpërngulën
në Turqi.
Sipas
Almanakut Hebraik të vitit 1913 në Prishtinë shënohen 425 hebrenj, ndërsa në
vitin 1921 ishin 322.
Në
regjistrin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenj, në
Mitrovicë 104, në Prizren 1, dhe 1 në Rahovec. Në regjistrimin e vitit 1931 në
Prishtinë jetonin 373 hebrenj, në Ferizaj 3, Në Mitrovicë 110, në Prizren 11,
në Gjakovë 6, dhe në Pejë 3 hebrenj.
Sipas
të dhënave arkivore në territorin e Kosovës në vitin 1937 jetonin 506 hebrenj.
Sipas
Çedomir Prilincevicit deri në vitin 1941 në Kosovë, jetuan 92 familje
hebraike me 418 banorë.
Kur
në vitin 1942 gjermanët urdhëruan kapjen e hebrenjve në Kosovë, autoritetet
shqiptare i urdhëruan çifutët që të shkojnë në Shqipëri. Rreth 500 çifut sa
ishin në Kosovë në atë kohë kaluan në Shqipëri.
Me
23 gusht 1942 autoritetet e qeverisjes vendore në Prishtinë me anë të një letre
drejtuar Ekrem bej Vlorës e përgëzoi qeverinë për vendimin e marrë më
29 maj 1942 për largimin e hebrenjve nga Prishtina për në brendi të Shqipërisë.
Ky letër këmbim zyrtar shoqërohet edhe me listën e plote të 94 familjeve dhe 87
individëve hebrenj të larguar nga Prishtina në Shqipëri.
Prenk
Uli që kishte qenë sekretar i Prefekturës së Prishtinës gjatë luftës së
dytë botërore njihet si shpëtimtari më i madh i hebrenjve në Prishtinë, këtë e
dëshmoi Josif Levi i cili kishte qenë rabin hebraik në Prishtinë kur
thotë se Prenk Uli me trimëri të pa shoqe i shpëtoi 52 hebrenj.
Në
fillim të vitit 1943 për pak javë, thuajse e gjithë bashkësia hebraike e
Selanikut, prej afro 50.000 banorësh u depërtua në Aushvic. Vetëm një
numër i vogël i tyre mbeti gjallë.
Sipas
statistikës së luftës së dytë botërore për Holocaust në shtetet
evropiane jetonin 9.508.340 hebrenj prej tyre janë vrarë 5.962.129 ose 63% kanë
mbijetuar 3.546.211. Nga kjo statistikë shihet se në jugosllavi nga 78. 000
hebrenj janë vrarë 63.300 apo 81% vetëm 14.700 kishin mbijetuar. Në Greqi nga
77.380 ishin vrarë 67.000 apo 87%, kishin mbijetuar 10.380. Në Itali nga 44.500
ishin vrarë 7.680 apo 17% kishin mbijetuar 36.820.
Pas
Luftës së Dytë Botërore në territorin e Kosovës mbetën shumë pak banorë të komunitetit
hebraik. Disa qytetarë të këtij komuniteti që mbeten për të jetuar në Kosovë
kishin lidhur më parë martesa me shqiptarë dhe serbë.
Pas
vitit 1999, ata hebrenj që kishin lidhur martesa me qytetarë të pakicës serbe u
larguan nga Kosova, ndërsa ata që kishin lidhje të martesave me shqiptarët, që
numri i tyre është fare i vogël, edhe sot jetojnë në Kosovë.