Speciale » Namani
Qazim Namani: Tipologjia e banesës popullore në trevat veri-lindore të Kosovës
E diele, 18.02.2024, 09:00 PM
Tipologjia e banesës popullore në trevat veri-lindore të Kosovës
Nga
Qazim Namani: Dr. Arkeologji
Trashëgimi Kulturore
Arkitektura
e banesave fshatare, zë vend të rëndësishëm në trashëgiminë kulturore të
Kosovës. Përmes studimit të saj kuptojmë mënyrën e jetës së popullit, vlerat
historike dhe arkitektonike të objektit, si dhe traditën e punimeve të
mjeshtërve tanë.
Arkitektura
fshatare është larg çdo falsiteti dhe pretendimi të ashtuquajturave “Stile arkitektonike”, larg çdo kopjimi dhe futje formash të
gatshme. Ajo thjeshtë është e lindur në kushte të caktuara të cilat i pasqyron
me besnikëri, e ndërtuar me materiale rrethanore në përshtatje me kushtet
klimatike dhe të terrenit[1].
Trashëgimia
arkitektonike shqiptare përfshin gjini të ndryshme ndërtimesh, ku vend të
posaçëm zë arkitektura e ndërtuar nga mjeshtrit shqiptarë, pa emër e të pa
shkolluar. Këta mjeshtër krijuan vlera kulmore arkitektonike.[2]
Qendrat tona të
banuara fshatare e qytetare u ngritën në troje të rrafshëta, dhe më tepër në
troje të pjerrëta kodrinore e malore. Banesat në troje të rrafshëta
karakterizohen nga kompozimet e shtrira, shpesh që rrethohen me oborre të gjëra
dhe gjelbërim të dendur[3]. Banesat në troje të pjerrëta
veçanërisht ato shkëmbore, krijojnë vështirësi të dukshme në mënyrën e
shtrirjes së vendbanimit. Ndërtimet sipas pjerrtësisë së truallit, paraqesin
dendësi dhe zgjidhje të ndryshme urbanistike në lidhjen rrugë-banesë[4].
Në
fshatrat shqiptare, kur fillonte ndërtimi i objekteve, pas hapjes së themeleve,
therej një kurban dhe koka e bagëtisë së prerë me kokë të mbushur me bereqet
futej në themel[5].
Arkitektura
popullore e popullit tonë është mjaft e zhvilluar, ajo përfshin si ndërtimet
fshatare ashtu edhe ato qytetare. Kosova tanimë është dëshmuar se është një
rajon i pasur nga pikëpamja etnografike, që krahas krijimtarisë së ndryshme popullore, ruan edhe një thesar
të rëndësishëm të ndërtimeve arkitektonike popullore. Këto vepra përbëjnë një
kulturë të rëndësishme historiko-arkitektonike që dëshmojnë një shkallë të
lartë të zhvillimit të arkitekturës popullore shqiptare.
Është me rëndësi
të ceket se deri më tani nuk është kryer ndonjë studim i përgjithshëm lidhur me
kulturën e banimit dhe banesën popullore në tërë territorin e Kosovës.
Në rrethanat e
pushtimeve të ndryshme ishte e pamundur që të bëhet studimi i detajuar i
banesës shqiptare në truallin e Kosovës. Studiuesit e shteteve që na sunduan me
shekuj edhe kur kanë shkruar për trashëgiminë e popullit shqiptar, duke e përfshirë
edhe banesën, i kanë mohuar vlerat burimore të trashëgimisë kulturore
shqiptare, duke tentuar që përmes publikimeve këto vlera të përvetësohen.
Trashëgimia
jonë arkitektonike në fushën e ndërtimeve popullore në fshat dhe në qytet,
krahas vlerave madhore dhe tipareve thelbësore të saj, shquhet edhe për lidhjen
e ndërtimeve me truallin shkruan Emin Riza një studiues i banesës shqiptare në
Shqipëri dhe Kosovë[6].
Në arkitekturën
popullore, përveç faktorëve ekonomiko-shoqërorë, një rol të rëndësishëm në
karakterin e saj luajnë edhe kushtet klimatike dhe materialet rrethanore të
ndërtimit[7].
Arkitektura
fshatare në disa vise të Kosovës dallon
për kah mënyra e kompozimit të tyre me ambientin. Banesa fshatare e Kosovës për
kah funksioni arkitektonik na paraqitet me elemente të tipit të hapur dhe tipit
të mbyllur. Banesa e tipit të hapur përbëhet me një numër të objekteve tjera
përcjellëse që e begatojnë ambientin dhe shfrytëzohen në mënyrë racionale duke
e formuar një kompleks urbanistik të banimit dhe duke ju përshtatur terrenit.
Karakteristikat
dalluese të banesës fshatare të Kosovës, janë të lidhura ngushtë dhe me vetë
fatin e një popullate të okupuar, të përndjekur dhe vrarë për shumë shekuj në
pragun e shtëpisë. Nga nevoja për t’u mbrojtur nga armiqtë shekullorë,
shqiptarët e Kosovës i ndërtuan banesat e fortifikuara. Ky tip banese pothuaj
haset në tërë hapësirën gjeografike të Kosovës dhe më gjerë, por në disa vise
me numër dukshëm më të vogël, dhe përmasa vëllimore më të vogla. Kjo ka
rrjedhur si pasojë e djegieve të disa fshatrave shqiptare për 4-5 herë që nga
pushtimi i Kosovës më 1912 e deri në luftën e vitit 1998/99.
Në
trevat veri-lindore të Kosovës, kullat shqiptare u dogjën nga pushtuesit serbë
e bullgar në vitet 1878, 1912, 1944, andaj numri i tyre në këto treva pas
këtyre luftërave mbeti i vogël.
Deri
në luftën e fundit banesat fshatare të Rrafshit të Dukagjinit i kishin
mbijetuar pushtimit serb, por tani u dogjën mbi 500 kulla në fshatrat e kësaj
zone, dhe vetëm një numër fare i vogël i tyre mbijetoi, kurse në viset tjera ky
tip banese fshatare pothuaj ishte shkatërruar ma herët.
Familjet shqiptare pas djegies së shtëpive
të tyre, ishin të detyruar që me materiale të rëndomta rrethanore, të
rindërtojnë në truallin e tyre banesat me Pallzina (Çatma).
Në përgjithësi banesat shqiptare ishin të
mbuluara me rrasa guri, ndërsa në rajonet ku kishte mungesë të rrasave të
gurit, banesat mbuloheshin me barishte të fierit apo edhe me kashtë tërshëre
dhe kultura tjera bimore.
Duke u
bazuar në praninë më të madhe të kullave në Rrafshin e Dukagjinit, arkitekti
Zoran B. Petroviq në punimin e tij: Seoska “Kuça” i Ognjista na Kosovu i Metohiji,
të botuar në “Gllasnikun” e Muzeut të Kosovës të vitit 1962/63, nuk ishte objektiv
në studimet e tij sepse, ndërtimet e shtëpive fshatare në Kosovë i ndanë në dy
tipe: “tipi kosovar” dhe “tipi metohik”. Sipas tij tipi kosovar ishte me palëzina
(çatma), kurse ai metohik me gurë. [8] Arkitekti serbë, nuk i
merr për bazë djegën e vendbanime shqiptare disa herë në Rrafshin e Kosovës,
vetëm gjatë shekullit XX.
Banesa me Çatma, është me e vjetër e cila
me vone është zëvendësuar me banesën me Pallzina, Dallimi mes tyre është sepse
te banesa me çatma shume rralle apo fare pak përdoreshin gozhdët. Në këto
banesa trajtë ishin ne distance me të vogël dhe bërja e mureve behej me çatma
me te holla se sa Pallzinat, ku çatmat përforcoheshin në mënyre bistaku duke
kaluar nga njëra ane e traut ne anën tjetër, pa përdorur përforcime me gozhda. Një
thurje e tille është përdorur deri vone te objektet tjera përcjellës të banesës
shqiptare, si dhe për thurjen e avllisë se oborrit.
Banesa me Pallzina edhe pse ne shikim të
parë duket objekt i thjeshte, po të analizojmë detajet arkitektonike që i ka
përdorur mjeshtri shqiptar, arrijmë në përfundim për zanafillën e traditës
popullore në fushën e ndërtimeve dhe arkitekturës në përgjithësi.
Kjo banesë edhe pse ndërtohej kryesisht me
materiale rrethanore, kishte një ngrohtësi dhe stil të ndërtimit që e bënin të
lakmuar edhe për popujt tjerë.
Ndërtoheshin zakonisht pas djegieve dhe
luftërave mbi themelet e objekteve paraprake, ose edhe për qifte të reja në
rrethana shumë të rënda ekonomike krijonin vendbanim të ri, për ta zhvilluar
dhe zgjeruar familjen e tyre.
Kishte raste kur këto objekte ndërtoheshin
mbi themelet e bodrumit të shtëpisë së vjetër. Në këto raste pasi
konsolidoheshin themelet paraprake, zgjidheshin trajtë bungu të cilat
shtriheshin mbi themele të gurëve. Mbi trajtë ngiteshin trajtë tjerë në mënyrë
vertikale, të cilat në lartësinë e katit lidheshin me trajtë tjerë horizontal.
Trajtë vertikale më të mira vendoseshin në kënde të mureve, ndërsa distanca në
mes tyre sillej prej 1.5 deri në 2 m. Trajtë përforcoheshin në mes veti me
përforcime tjera në formë diagonale, që e formonin sistemin e skeletit të
objektit prej drurin në formë kapriate.
Pas këtij procesi punohej kulmi, i cili më
pas mbulohej me materiale rrethanore. Pas mbulimit të çatisë (kulmit). Trajtë
lidheshin mes veti me Pallzina apo çatma në formë horizontale.
Trajtë edhe Pallzinat punoheshin me sëpatë.
Pallëzinat punoheshin prej drunjtëve të hollë me deri në 15 cm, që
përforcoheshin me gozhda. Trajtë kishin trashësi deri në 30cm dhe
përforcoheshin mes veti, me gozhda, kllampa metali e rrallë herë shpoheshin me
Turjelë, për ta krijuar lidhjen me kunja të drurit me cilësi të fortë dhe
rezistueshme ndaj lagështisë.
Distanca prej Pallzinës e deri të Pallzina
tjetër sillej rreth 10 cm. Pallzinat në anën tjetër të trajëve, ngjiteshin në
atë formë që e shkonin paralel me hapësirat e lira të anës së kundërt në mënyrë
që materiali lidhës që futej në mes Pallzinave të ketë mbështetje në to, dhe të
mbaj sa më të qëndrueshëm lidhjen e materialit mbushës në mes tyre. Kryesisht hapësira
në mes të Pallzinave mbushej me baltë, të cilësisë më të lartë, e ndonjëherë
edhe me tulla të pjekura apo të pa pjekura. Dheu (bota), për ta bërë balten për
mbushjen e këtyre hapësirave, zgjidhej të jetë më i miri rreth truallit. Bota e
përzgjedhur përzihej me kashtë, zakonisht përdorej kashta e thekrës cila
përzihej me dheun dhe formohej masa e qulltë për krijimin e murit. Po ashtu me
të njëjtën masë bëhej lyrja e mureve në të dy anët. Pas terjes së mureve, në
shumicën e rasteve lyheshin me gëlqere te shuar.
Qëndrueshmëria e kësaj banese varej shume
nga pozita e saj që e zinte në terren. Nëse objekti ndërtohej me bodrum, të
punuar prej gurëve, dhe mbi bodrum ndërtoheshin dhoma për familjarë, të cilat
ishin të mbrojtura nga lagështia, objekti me pallëzina i mbijetonte kohës më
shumë se pesëdhjetë vite, ndërsa nëse objekti ishte ngritur mbi themelin që nuk
ishte i siguruar nga reshjet atmosferike dhe lagështia, varësisht nga trajtë e
përdorura mbi themelin e gurëve i mbijetonte kohës më pak se pesëdhjetë vite.
Pallzinë, është përdorur nga e folmja
popullore në brezin veri-lindor të Kosovës.
Kjo
banesë i përket tipologjisë së banesës së hapur, e cila shoqërohej me objekte
tjera përcjellëse për ekonominë familjare, të cilat ndërtoheshin brenda një
oborri të thurur, dhe në pozicione të planifikuara sipas shijes dhe mendjes për
ta krijuar një kompleks urban më funksional. Përveç odës së burrave që
zakonisht ndërtohej te dyert e hyrjes së oborrit, objektet tjera zinin vendin e
tyre, pa e penguar funksionin e njëra tjetrës. nyjat sanitare si dhe plehrat e
bagëtive, caktoheshin në një distancë nga objektet e banimit dhe burimet e
ujit, kroit apo pusit në oborrin e shtëpisë. Ky planifikim i vendosjes së
objekteve në hapësirën e oborrit, banesën e tipit të shpërndara apo hapur e bënte
shumë më higjienike se sa kullën si objekt i tipit të mbyllur.
Banesat
fshatare të hapura formojnë një grup të objekteve të veçanta dhe me funksione
të ndryshme në një oborr të rrethuar me mur ose avli. Ky kompleks i objekteve
ndahet në banesa të banimit dhe objekte tjera ndihmëse. Në banesat e banimit
hyjnë shtëpia e zjarrit, shtëpia e miqve-oda, dhe dhomat e fjetjes. Në objektet
ndihmëse bëjnë pjesë hambari, koshi i drithit, qilari (çarraniku) vendi ku
mbahet bulmeti, ahuri ose pojata e bagëtive, torishta, koteci i shpezëve plemja,
dhe objekte tjera të nevojshme që i plotësojnë në tërësi nevojat familjare
brenda një kompleksi urban të një vendbanimi.
Oda e
burrave, e cila zakonisht shërbente për pritjen e miqve, tubimeve dhe kuvendeve
të ndryshme për burra, ndërtohej me shije të veçantë, për të treguar
autoritetin familjar. Madhësia e odës sillej nga madhësia e familjes dhe fuqisë
ekonomike që e kishte arritur familja. Zakonisht planimetria e odës përbëhej
nga një dhomë e madhe apo sallon, e cila shoqërohej me një para hyrje apo dhomë
tjetër ndihmëse. Kjo tipologji e banesës që haset po thuaj te çdo familje
shqiptare në anën veri-lindore të Kosovës së sotme, asaj qendrore dhe te
familjet shqiptare jashtë kufijve të sotëm të Kosovës, si duket ka një traditë
të lashtë të ndërtimit me zanafillë të banesës me megaron që nga epoka e
bronzit.
Deri
me tani nuk kemi ndonjë studim të mirëfilltë arkeologjikë për shtrirjen e kësaj
banese në hapësirën gjeografike të Kosovës së sotme, por gjatë përnjohjes së
terrenit në vitin 2004, themele me gurë kënd drejta të kësaj banese janë
evidentuar në hapësirën e lokalitetit arkeologjikë të periudhës së neolitit në fshatin Runik,
komuna e Skenderajt. Duke i pasur parasysh këto fakte dhe përhapjen e odës në
territoret e sotme shqiptare, mund të pohojmë se oda e kësaj tipologjie të
banesës është pasardhëse e banesës me megaron.
Në
rajonet ku kishte rrasa guri të cilësisë së lartë, çatia e shtëpisë dhe
objekteve tjera ndihmëse mbuloheshin me rrasa guri. Kjo veçori e mbulimit të
pullazeve me rrasa guri, i ka shtyrë udhëpërshkruesit e huaj që të lënë
shënime. Kulmet e shtëpive më rrasa, sipas mendimit të shqiptarëve, kanë
përparësi sepse nuk i shpon plumbi.[9]
Një studiues
tjetër serbë, N. Nikolajeviqi në librin e tij “Severna Stara Serbija”, kur bën dallimin në mes shtëpive serbe dhe
shqiptare, shkruan se shtëpitë shqiptare nuk janë të zbukuruara, janë të
ndërtuara prej guri dhe të mbuluara po ashtu me rrasa guri, kurse shtëpitë
serbe janë të rregulluara dhe të ndërtuara prej druri, qerpiçëve (tullave të pa
pjekura) dhe të mbuluara me kashtë. Po ashtu kur shkruan për shtëpitë fshatare
në hapësirën në mes të lumit Ibër dhe Lim, thotë që janë të tipit si në Bosnje
dhe, në përgjithësi, të ndërtuara prej druri[10].
Nga përnjohja e terrenit vërehet se shkrimet e
Nikolajeviqit dhe të shumë autoreve tjerë serbë janë shkruar të shtyrë nga
pushteti, ose nga urrejtja për popullin shqiptar me të vetmin qëllim
përvetësimin e kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit tonë.
Në terren hasen shumë shtëpi të ndërtuara nga shqiptarët
me një stil të lartë të ndërtimit që vërehet stili arkitektonik i ndërtimit, muret
e ngritura me gurë në drugdhendje, në mure me tulla të pjekura e të kombinuara
dhe gurë, që e përbejnë një planimetri të banesës shumë të avancuar për kohën e
ndërtimit. Duke u bazuar në këto argumente të hasura në terren, mendoj se
përdorimi i rrasave, për mbulimin e kulmeve të shtëpive, dhe objekteve të
kultit bëhej për mbulimin e objekteve me
stil të lartë arkitektonik, për këtë arsye bëhej përzgjedhja e llojit të rrasave që
gjendeshin sa më afër truallit të ndërtimit në Kosovë dhe kualitetit dhe qëndrueshmërisë së tyre nga kushtet klimatike
dhe zjarri.
Nga stilet e ndërtimit të banesës nga popullata shqiptare
e Kosovës, duke përfshirë edhe ndërtimet e shtëpive më gurë, kuptojmë se
shqiptarët janë bartës të traditës së ndërtimeve me gurë, ndërtues të
kështjellave dhe përpunues të mirë të gurit. Ndërtimet e këtij lloji si dhe
simbolika gjeometrike e kozmologjike me lloje të ndryshme të simboleve të
kultit, të bartura nga tradita popullore edhe në materiale të drurit e
tekstilit, e dëshmojnë bindshëm autoktoninë e popullit tonë në hapësirat gjeografike të
Evropës jug-lindore.
Gjatë hulumtimeve në terren, është vërtetuar se ndërtues
të banesave popullore në territorin e Kosovës, kryesisht ishin mjeshtër
shqiptarë nga vise të ndryshme të Gadishullit, andaj me plotë të drejtë
udhëpërshkruesit e huaj që vizituan vendbanimet shqiptare gjatë shekullit XIX,
lanë shënime të rëndësishme, për ta njohur traditën e mjeshtërve tanë dhe
kulturën e traditën e artit tonë popullorë.
Ndër mjeshtërit që vlen të veçohen, janë mjeshtër
vendorë, mjeshtër shqiptarë nga Dibra, Tregu i Ri (Novi Pazari), mjeshtër
shqiptarë nga Selaniku, të cilët ndërtuan në Kosovë deri në mesin e shekullit
XIX, si dhe mjeshtër shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit (Rajoni i Medvegjës).
Mjeshtër të gdhendjes në gurë kryesisht janë shquar shqiptarët e rajonit të
Shalës së Bajgorës.
Gjatë shekullit XIX në territorin e Kosovës shqiptarët,
përveç ndërtimeve të banesës me stile tjera, ndërtuan edhe shtëpi me qoshk,
hajat e çardak. Këto tipa të banesës, përveç në qytete, i hasim edhe në shumë fshatrat
e Kosovës.
Për nga
mënyra e punimit dhe përzgjedhjes së materiali, kemi vërejtur se banesat deri
në vitet shtatëdhjeta të shekullit XX, ndërtoheshin kryesisht ishin ndërtuar prej
guri, druri dhe baltës. Themelet kryesisht punoheshin prej guri të lidhura me
llaç balte, dhe me breza druri të mbushura me llaç balte. Pullazet ishin prej
kashte, fieri, rrasa guri dhe tjegullave tradicionale, që prodhoheshin me dorë,
dhe piqeshin në furra të vogla familjare.
Nëpër
fshatrat e Kosovës, që nga vitet gjashtëdhjeta të shekullit XX, për ndërtimin e
banesës familjare kishin filluar të përdoren edhe materiale industriale,
çimentoja , beton armeja dhe tjegulla që tani prodhoheshin në tjegullore
shtetërore.
Objektet
arkitektonike të banesës fshatare të ndërtuara në Kosovë, nga periudhat e
hershme, përkatësisht nga shekujt XV, XVI e XVII nuk kanë mbetur. Mirëpo duhet
theksuar se pa dyshim ndërtimet e mëvonshme, të realizuara nga mjeshtër lokale,
kanë përcjellë skemat kompozicionale të ndërtimeve të mëparshme[11].
Mendohet
se oxhaku në dhomë dhe në shtëpi ka nisur të përdoret më shumë në këto anë të
Kosovës pas ardhjes së muhaxhirëve shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit. Nga burimet
historike kuptojmë se vendbanimet shqiptare për gjatë rrugëve tregtare nga
Nishi në Kostandinopojë e Selanik, kishin arritur shkallë të lartë të
zhvillimit urbanistik të banesës popullore. Përveç mjeshtërve lokal në këto anë
ndërtimet kryesisht bëheshin nga mjeshtër shqiptar të Dibrës dhe të Selanikut.
Për
mjeshtrit dibran që ndërtuan banesën popullore gjatë shekullit XIX e XX, kanë
shkruar edhe udhëpërshkrues të huaj të cilët i vlerësojnë si mjeshtrit më të
mirë në Turqinë Evropiane.
Në
shekujt XIX e XX-të, Shtëpitë e zjarrit punoheshin me oxhak, dhe kishte filluar
të përhapet stili i ndërtimit të shtëpive fshatare me verandë (Çardak).
Shqiptarët
muhaxhirë i kishin odat si dhoma të posaçme, në të cilat flinin meshkujt dhe
aty prisnin mysafirët. Oda u zhvillua
shumë dhe tani nuk përbëhej vetëm prej një kthine me para hyrje apo dhomë
ndihmëse. Si risi ata e sollën dhe gëlqerosjen e shtëpive[12]. Mendoj se oxhaku është
përdorur edhe para ardhjes së muhaxhirëve, por ndoshta me përmasa shumë më të
vogla, nëpër fshatra sesa në qytetet e Kosovës së sotme.
Kthinat
e banimit kishin një kompozim e pajisje karakteristike. Në këndet e dhomave të
çifteve ishte hamami (hamamxhiku)[13]. Në dhomën e zjarrit në
muret ballore ndodhej oxhaku, aty pranë ishte magjja ku përgatitej buka, anash
në mure ishin dollapët për mbajtjen e enëve të ndryshme. Në të shumtën e
rasteve, në një kënd të shtëpisë së zjarrit, ishte gropa për ruajtjen e patateve
nga acari. Shtëpia e zjarrit kishte hapësirë zakonisht më të madhe sesa dhomat
tjera të zakonshme. Në mes të shtëpisë qëndronte qyprija (Trau mbajtës i
dyshemesë) e punuar prej drurit të bungut dhe në të shumtën e rasteve e
dekoruar me ornamente të ndryshme. Këto ndërtime zakonisht ishin përdhese, por
kishte raste kur ishin në kat dhe gjysmë kat. Te banesat në kat, në të shumtën
e rasteve në katin përdhese mbaheshin bagëtia, kurse në katin e dytë ishin
dhomat e gjumit, por nga përnjohja e terrenit vërejmë se shtëpitë e tilla janë
përdorur vetëm për banim, kurse kafshët mbaheshin në objekte tjera.
Bashkekzistenca
e tipareve fshatare me ato qytetare është fakt i njohur në të gjitha trevat
shqiptare, kur gjatë shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, ndikimi i
banesës fshatare mbi atë qytetare ishte mjaft i ndjeshëm[14]. Marrëdhëniet ndërmjet
banesës fshatare dhe asaj qytetare, duhet shikuar kryesisht lidhur me huazimet,
me kahen dhe me dendësinë e tyre, që pa dyshim janë pasqyrim i raporteve
fshat-qytet, që në formacionet e shoqërisë me klasa paraqesin gjithmonë
kontradiktat dhe dallimet e natyrës ekonomike[15].
Raporti i
tipologjisë së banesës qytetare me atë fshatare nuk është i njëllojtë jo vetëm
në kohë, por edhe në shtrirjen tokësore.
Në
arkitekturën fshatare dallojmë këto lloje të objekteve të banimit që ju
përkasin kryesisht shekujve XIX dhe XX.
-Banesa përdhese;
-Banesa në gjysmë kat;
-Banesa në kat;
-Banesa me Pallzina dhe Çatma
-Banesa me hajat dhe çardak;
-Banesa me qoshk, dhe
-Kullat si banesa të fortifikuara.
Banesa
fshatare me një kthinë e përdorur në fshatra të ndryshme deri në ditët tona, ka
përfaqësuar gjithnjë ndërtesën karakteristike të familjes së vogël me një
kurorë dhe një ekonomi fshatare të varfër. Këto banesa kanë qenë të ndërtuara
në kat ose përdhese. Në shumë vise ky tip banese quhej shtëpia e zjarrit ose
shtëpi buke[16]. Këto banesa kanë
planimetri katrore dhe drejtkëndëshe. Në këtë tip banese që përdorej si shtëpi
zjarri, gjithmonë është vatra e zjarrit. Në banesa të vjetra vatra është
vendosur në mes të objektit. Në këto raste vatra e zjarrit ishte pa oxhak dhe
tymi dilte nëpër hatulla. Vendosja e vatrës në mes të objektit tregon për një
trashëgimi të traditës shumë të lashta në ndërtime e zakone. Këto banesa e kanë
një hyrje kryesore të vendosur në murin gjatësor afër qoshes së krahut të
djathtë. Dera në shumë raste është e drejtuar nga harku diellor
lindje-perëndim, dhe ndriçoheshin me nga një dritare në murin e derës apo të
oxhakut[17]. Dyshemetë e këtyre
banesave shtroheshin, duke e ndarë kthinën në dyshe, ndahej hapësira për
qëndrim dhe fjetje me një tra druri. Në pjesën ballore të ndarë shtrohej kashtë
ose fieri i tharë, kurse mbi to shtroheshin sixhade[18], Jana[19], qilima nga leshi të punuara në vek, dhe postiqe
lëkure nga bagëtitë e imëta (zakonisht të ogiçëve). Dyshemeja e shtruar
zakonisht qëndronte në murin përballë derës hyrëse, kurse pjesa tjetër e ndarë
në afërsi të derës zakonisht dyshemetë i shtronin me llaç balte. Tavanet zakonisht
ishin të punuara me tra kryesisht prej bungu apo ndonjë dru tjerë, dhe mbi to
shtrohej dysheme prej dërrasave mbi të cilat bëhej lyrja me llaç balte, për ta
izoluar nga depërtimi i temperaturave të ulëta.
Oda përbën
hapësirën themelore të banesës që shërben për pritje të mysafirëve, qëndrim dhe
për fjetje. Veçantitë e saj shprehen
kryesisht në trajtim dekorativ të elementeve të saj[20].
Në
shumë vise të territorit të Kosovës objekti prej një kthine ishte oda e
burrave, e cila zakonisht ndërtohej afër dyerve kryesore të oborrit për pritje
të mysafirëve.
Banesat
në kat ose gjysmë kat janë ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, XIX, XX
e deri me tani nga familjet me ekonomi
të vogël apo dhe mesatare.
Trajtimi
arkitektonik i pamjeve dhe kompozimi i elementeve të banesave në kat ishin mirë
të kombinuara dhe të shfrytëzuara. Në katin e parë janë vendosur bagëtia, kurse
në të dytin oda e burrave dhe magjëria. Këto banesa zakonisht shkallët i kishin
prej guri[21].
Banesat me hajat
dhe çardak të hapur dhe të mbyllur të ndërtuara gjatë shekullit XIX, i ndeshim
në mbarë hapësirat shqiptare në fshat dhe qytete[22].
Banesa me qoshk në
trojet shqiptare është shfaqur në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XIX[23]. Këtë tip të banesës në viset rurale
të Kosovës e hasim të ndërtuar që në mesin e shekullit XIX.
Kur është fjala
për zgjerim të madh të qoshkut te banesat popullore shqiptare, është me interes
të vërejmë se një zgjidhje më të zhvilluar të këtij koncepti kompozicional,
paraqitet si një nen variant i përhapur në qytetet e Kosovës dhe Rrafshit të
Dukagjinit. Banesa me qoshk ishte mjaft e përhapur edhe në trevat tjera
shqiptare të Gadishullit, por përveç qyteteve kishte arritur të ndërtohet edhe
nëpër fshatra (Q.N).
Qoshku duke dalë
përpara jo më një formë konzoli, por mjaft dukshëm, për këtë arsye qoshku
mbahet me shtylla druri. Në këto rast kjo zgjidhje diktohet nga ngushtësia e
vëllimit të çardakut, i cili nuk mund të mbajë edhe qoshkun[24].
Me banesën
popullore shqiptare konsideroj banesën e ndërtuar prej shqiptarëve për
shqiptarët[25]. Banesa popullore e Republikës së
Kosovës, banesat popullore të hapësirave me popullsi shqiptare me shumicë, në
Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, dhe Greqi, janë pjesë përbërëse e banesës shqiptare[26].
Sa i përket
banesës popullore në trojet shqiptare, gjatë sundimit osman, Emin Riza thekson
se: në asnjë rast këto banesa nuk mund të cilësohen si banesa turke, lidhur me
këtë çështje kjo tipologji nuk mund të zëvendësohet prej banesës së pa qenë
turke, ashtu siç nuk do të zëvendësohej eventualisht prej banesës mongole etj.
Në banesën tradicionale shqiptare pati ndikime tejet anësore në kompozim,
thelbit të koncepcionit të kësaj kategorie ndërtimore[27].
Për banesën
popullore në trevat e Ballkanit gjatë sundimit osman, Emin Riza përmend
mendimin e një studiuesi francez, i cili ka shkruar: “Të flasësh për banesën turke është po aq abuzive sa të flasësh për
banesën romake”. Po ashtu edhe studiuesi turk Reha Gunai shkruan: “Banesa turke mund të definohet si tip i
banesës në të cilat turqit kanë jetuar gjatë historisë[28].
Lidhur me mendimet
e këtyre autorëve, Emin Riza mendon se në këtë kontest studiues të
sipërfaqshëm, të cilët besojnë se vështrimi
i një ndërtimi, apo banese në rastin në shqyrtim, mund të përcaktojë lidhjen e
kësaj, apo këtyre veprave me etni sunduese të një bashkësie politike, është me
të vërtetë një guxim prej të padituri[29].
Shtëpitë
fshatare me vlera të larta arkitektonike janë të murosura në muret e jashtme me
gurë rrethanor të skalitur dhe trashësia e mureve sillet prej 60-80cm. Në të
shumtën e rasteve muret e brendshme në katin e parë po ashtu punoheshin prej
materialit të gurit e të cilat suvatoheshin me llaç gëlqereje të shuar.
Muret
e jashtme ishin të përforcuara me breza druri me një distancë 1m njëra prej
tjetrës. Muret e brendshme në katin e dytë zakonisht punoheshin nga
konstruksioni i drurit të mbushura me tulla ose me llaç balte. Hyrja kryesore e
objektit preferohej të ishte në lindje të diellit.
Në
shtëpitë fshatare me kat, në katin e parë zakonisht është shtëpia e zjarrit e
pajisur me oxhak dhe rafte për vendosjen e enëve shtëpiake, shpeshherë shtëpia
e zjarrit në katin e parë shoqërohej edhe me një dhomë tjetër për qëndrim ditor
ose për mbajtjen e kafshëve të imëta të po sa lindura, shtazë të sëmura, lopë
për mjelje dhe më shpesh ati i preferuar për familje.
Në
katin e dytë janë dhomat e fjetjes që në shumë raste i ndanë një korridor për
gjatë gjithë gjatësisë së brendshme të objektit, përmes të cilit shfrytëzohej
nyja sanitare e cila ishte punuar me dalje nga muret periferike në anën e
kundërt të hyrjes së shtëpisë. Lidhja e kateve bëhej përmes shkallëve të
brendshme ose të jashtme të punuar prej druri.
Te
shqiptarët e Kosovës besohej se gjatë ndërtimit të shtëpisë apo edhe ndërtime
tjera nuk është mirë të përdoret “Druri i Brekisë” sepse besohej se sjellë
vdekje në familje.[30] Po ashtu besohej se nuk
është mirë për familje që të ndërtohet shtëpia me material të ndonjë kishë të
vjetër, nga materiali i mureve të tyre dhe objekteve tjera të shenjta. Besohej
se familja që jeton në këto shtëpi do të ketë fatkeqësi dhe vdekje.[31]
Në
familjet shqiptare kur fillonte të ndërtohej shtëpia së pari ftoheshin dy të
moshuar të afërm apo fqinjë për të dhënë mendimin dhe vlerësuar vendin e
ndërtimit të shtëpisë.
Kur
ndërtohej shtëpia e re zakonisht therej një kafshë dhe me gjakun e kafshës së
herrur përgjakej ana jugore e themeleve të shtëpisë. Në kokën e shtazës së
therur vendosej një monedhë e vjetër nga metalet fisnike ku preferohej monedhë
argjendi dhe murosej në muret e shtëpisë. Familja kur vendosej për të banuar në
shtëpinë e re i ftonte fqinjët dhe miqtë për darkë. Në oborrin e shtëpisë
therej ndonjë shtazë shtëpiake dhe me mishin e saj ju përgatitej darka të
ftuarve. [32]
Për
të banuar në shtëpinë ë re familjarët jetën e fillonin ditën e diel në mbrëmje
apo ditën e enjte në mbrëmje, sepse këto ditë konsideroheshin se janë ditë të
lumtura që sjellin fat për banorët e shtëpisë së re.[33]
Pas
ndërtimit të shtëpisë nëse nuk shkonin punët mirë në familje preferohej të
ndërrohet trualli, shtëpia të rrënohej dhe të kërkohet vend tjetër për të
rindërtuar shtëpinë.
Deri në mesin e
shekullit XIX, ornamentika arkitekturore realizohej mbi sipërfaqe të elementeve
të ndryshme të banesës, si: dyer, dollapë muri, musëndra, mure dhe realizime të
arritura dhe në tavane.[34] Në banesat e shtresave të pasura
ornamentika ka qenë e hapur dhe me paraqitje të simboleve tejet të lashta
pagane[35].
Në
banesat fshatare shqiptare hasen shenjat dhe motivet simbolike të bëra me gdhendje
në gurë, në derë a në oxhak të vatrës familjare. Vatra është e lidhur me kultin
e të parëve, me zjarrin. Këto motive zakonisht paraqiten me një gjarpër, një
ose dy duar njeriu, takëmet e kafesë, armë, fytyra njerëzish, objekte të
ndryshme të jetës familjare, bimë, lule, vegla pune, trupa qiellor, kafshë,
shpendë dhe shenja të simboleve të kultit. Këto motive ndahen në dy grupe: me
zanafillë vendore dhe me motive me prejardhje të huaj. Kemi dhe motive që janë
shartim i traditës së lashtë vendore por me ndikime të huaja[36].
Flamur
Doli gjithashtu
përshkruan ornamentet popullore mbrojtëse të shtëpisë, siç janë: motive nga
kulti i diellit, kulti konik i gjarprit, kulti i
gjinjve të gruas, e tjera që janë bartur gjerë në ditët e sotme si traditë e
besimit pagan që hasen në fshatin Vërmicë. [37]
Shtëpia e Selim
dhe Bajram Ndreci-Rexhës, në fshatin Barilevë, Komuna e Prishtinës, është
ndërtuar në vitin 1912. Ky objekt konsiderohet te jetë një nga objektet më
luksoze të kohës në këtë rajon.
Kjo shtëpi edhe
pse u ndërtua në kohën e luftërave ballkanike, për fat të mirë nuk u
shkatërrua.
Për kah stili i
ndërtimit kjo shtëpi është e veçantë dhe dallon me shumë shtëpi të ndërtuara në
atë kohë në Kosovë. Shtëpinë e kanë
ndërtuar mjeshtër shqiptarë nga Tregu i Ri, shtëpia ende ruan stilin e
ndërtimit të gjendjes fillestare.. Në ndërtimin e saj vërehet se kishte ndikim
kultura perëndimore.
Shtëpia kishte
hapësirë të mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e banimit të një familje
relativisht të madhe, por edhe për të shërbyer si objekt ndihmës për popullatën
e dëbuar në kohë luftërash. Shtëpia karakterizohet me një punim të veçantë me dekorime nga druri dhe piktura në mure.
Luani i vizatuar
me ngjyrë të kuqe në fasadën e kësaj shtëpie na shtyn të mendojmë se në heraldikën
shqiptare nëpër shekuj, përveç gjarprit si simbol mbrojtës i shtëpisë,
shqiponjës dhe simboleve tjera, te familjet fisnike shqiptare është përdorur
mjaft shumë edhe Luani. Po ashtu Luani me ngjyrë të kuqe si simbol ishte shumë
i pranishëm edhe te dardanët. Në heraldikë ngjyra e kuqe njihet si ngjyra më
fisnike, ku e kuqja simbolizon Martin, Zotin e luftës për planet.
Bazuar në burimet
e deritanishme për heraldiken shqiptare, mund të pohojmë se simboli i Luanit të
kuq ishte e pranishme te familjet fisnike arbërore. Luani na paraqitet në
stemat e shumë principatave shqiptare, si: Stema e Karl Topisë, Emblema e
familjes Jonima, Stema e Durrësit, Stema e Avlonitëve, Stema e Basanëve, Stema
e Prosalentëve, Stema e kapitenëve Bulgari, Stema e Gropajve, Shkurrajve,
Balshajve, Muzakajve etj.[38]
[1]
Pirro Thomo, “Mjeshtrit dhe arkitektura
popullore”, Banesa shqiptare në Shqipërinë e veriut, Tiranë, 1976, fq.143
[2]
Flamur Doli, “Arkitektura vernakulare e
Kosovës”, Prishtinë, 2009, fq. 17
[3]
Emin Riza, “Vepra të mjeshtërve tanë”,
Tiranë, 1983, fq. 3-4
[4] Po
aty, fq. 3-4
[5] Ali Muka, “Vepra të mjeshtërve tanë”, Mbi
karakterin e banesës popullore në fshatin Romajë , (Prizren), Tiranë,
1983, fq. 21
[6]
Emin Riza, “Vepra të mjeshtërve tanë”,
Lidhja e ndërtimeve popullore me truallin, Tiranë, 1983, fq. 3
[7]
Faruk Zarshati, “Vepra të mjeshtërve
tanë”, Tiranë 1983, fq. 98
[8]
Zoran B. Petrovi?, “Seoska Kuça i
ognjista na Kosovu i Metohiji”, Glasniku i Muzeut të Kosovës, Prishtine,
1962/63 Prishtinë, 1962/63 fq.369-381
[9]
Franz Baron Nopsca, “Shqipëria katolike e
veriut”, Prishtinë 2009, fq.44
[10]
Mill. J. Nikollajevi?,“Severna stara
serbija Vojno geografska i istorijska studija, Beograd”, 1892, fq. 102
[11] Fejaz
Drançolli, “Rrënimi i kullës shqiptare”,
Prishtinë, 2004, fq .59
[12]
Sabit Uka, “Jeta dhe veprimtaria e
sanxhakut të Nishit”, Prishtinë, 2004, fq. 228-229
[13]
Banjo (Hamamxhiku në gjuhen turke), ishte banjo e punuar kryesisht në kënd të dhomës së fjetjes, e që
përdorej
për pastrim
[14]
Pirro Thomo, “Tradita e ndërtimeve në
Shqipëri”, Tiranë, 1981, fq. 17
[15]
Emin Riza, “Pasuri e trashëguar në shekuj”,
Banesa fshatare dhe ajo qytetare në raportet midis tyre, Tiranë 1984,
fq. 89
[16]
Koço Zheku, “Pasuria e trashëguar në
shekuj”, Banesa fshatare me një kthinë, Tiranë, 1984, fq. 55
[17] Po
aty, fq. 55
[18]
Sexhadet dhe qilimat janë shtroja që punohen në vek nga leshi i deleve
[19]
Jana – Janat janë shtroja (tepih) me cukla, i punuar me dorë në vek nga leshi i
deleve
[20]
Aleksandër Meksi, Apollon Baçe, Emin Riza, “Berati
historia dhe arkitektura”, Tiranë, 2011, fq.176
[21]
Leonard Suli,“Pasuri e trashëguar me
shekuj”, Banesa e vjetër fshatare e zonës së Vurgut, Tiranë, 1984, fq. 128-
129
[22]
Emin Riza, “Banesa popullore shqiptare”,
Tiranë 2010, fq. 82
[23]
Emin Riza, “Arkitektura popullore dhe
vlerësimi i saj”, Tiranë, 2013, fq. 56
[24]
Emin Riza, “Qyteti dhe banesa shqiptare e
mesjetës së vonë”, Tiranë, 1991, fq.138-139
[25]
Emin Riza, “Arkitektura popullore dhe
vlerësimi i saj”, Tiranë, 2013, fq. 53
[26] Po
aty, fq. 53
[27]
Emin Riza, “Banesa popullore e Prizrenit”,
Tiranë, 2013, fq. 33
[28] Po
aty, fq. 33
[29] Po
aty, fq. 33
[30]
Ilaz Namani ( i lindur 1936), Prishtinë
[31]
Ferat Musa (i lindur 1935), Prapashticë
[32]
Naile Cakolli ( e lindur 1923), Krilevë
[33]
Shaban Kosumi ( i lindur 1919), Tuxhec
[34]
Emin Riza, “Arkitektura popullore dhe
vlerësimi i saj”, Tiranë, 2013, fq. 58
[35] Po
aty, fq. 58
[36]
Mark Tirta, “Pasuri e trashëguar me
shekuj”, Mbi prejardhjen e disa motiveve në gurgdhendje në shtëpitë shqiptare
, Tiranë 1984, fq. 64-65
[37]
Flamur Doli, “Mitologjia Shqiptare në
arkitekturën popullore”, Gazeta “Lajmi”,
Prishtinë, 26, Janar, 2008
[38]
Gjin Varfi, “Heraldika Shqiptare”,
Tiranë, 2000, fq. 35-90.