E hene, 11.11.2024, 01:22 PM (GMT)

Speciale

Jusuf Buxhovi: Konferenca e Rambujesë

E marte, 19.03.2024, 07:58 PM


KONFERENCA E RAMBUJESË  SHKURT- MARS 1999

Nga Jusuf Buxhovi

Konferenca e Rambujesë, ishte paraparë si rast i fundit i shpëtimit të paqes, me anën e një marrëveshje të detyrueshme, ku edhe Shqiptarët e edhe Serbët do të duhej të hiqnin dorë nga “qëndrimet e skajshme”, për të ardhur te një marrëveshje, qoftë edhe e përkohshme, me të cilën u hapeshin dyert çështjeve të tjera që mendohej se u duhej koha e shtendosjeve të dyanshme.

Edhe pse kishte shumë dyshime dhe skepticizëm nga të gjitha anët dhe me të drejtë madje, megjithatë besohej se ishte angazhimi amerikan dhe trysnia e hapur e përdorimit të forcës nga ana e NATO-s, që mund të sillnin hapin e parë drejt një marrëveshjeje të mëtutjeshme midis Shqiptarëve dhe Serbëve, e cila do të mundësohej me pranimin e asaj që merrej si “zgjidhje kalimtare”, ku askush nuk mund të thirrej në fitore të plotë, por as në dështim, dhe kufiri midis pajtimit dhe mospajtimit nuk varej nga përmbajtja po nga përshtypja e vlerësimit të çështjes dhe trajtimi i saj.

Sidoqoftë, vetë fakti se në Rambuje, nën diktatin e faktorit ndërkombëtar të nivelit më të lartë, do të gjendeshin përfaqësuesit e Shqiptarëve dhe delegacioni  serb, thoshte diçka, edhe pse, me këtë rast, ata shfaqeshin në nivel të përfaqësimit jashtinsitutcional mbi baza partiake dhe grupime pa ndonjë mandat  ndërsa serbët si shtet (ndonëse në Kosovë ai ishte rrudhur në rolin e pushtuesit).

Ardhja te kjo pikë, për Beogradin do të thoshte humbje e Kosovës, me paqe, ose me luftë. Diplomacia e forcës e kishte bërë të veten dhe pritej që ajo ose të konvertohej në forcë të diplomacisë dhe t’i jepte shansin politikës që çështjet të kthehen në marrëveshje, ose të ndodhte e kundërta, që kjo e dyta, pra diplomacia përfundimisht t’ia lëshonte vendin forcës dhe veprimit të saj.

Pra, Rambuje shfaqej si Rubikon për të dyja palët.

Bazuar në dhjetë pikat ultimative të Grupit të Kontaktit, Shqiptarët e kishin shumë të vështirë ta kalonin Rubikonin. Sepse duhej të pajtoheshin për autonomi në përbërje të Jugosllavisë (pa marrë parasysh se nga ana e Amerikanëve pas tri vitesh u premtohej “shqyrtimi i vullnetit të popullit”, që ishte mbështetje politike pa garanci ndërkombëtare).

Në përballjen e tyre të parë të tillë me bashkësinë ndërkombëtare, veçmas me Amerikanët, mund të thuhet se Shqiptarët ia kishin dalë që t’i nënshtroheshin në tërësi diktatit ndërkombëtar, meqë kishin kuptuar mirë se çështja e tyre kishte filluar t’i nënshtrohej lëvizjes së ndërkombëtarizimit për të cilin qysh moti ishte punuar, por që edhe kjo kishte limitet deri ku mund të shkohej dhe me çfarë pasojash përballon  kundërshtimi.

Para se ta bënin këtë, është dashur që së pari të pajtohen që në Rambuje të paraqiten si delegacion i përbashkët. Dhe së dyti, është dashur të pajtohen rreth konceptit të konferencës, me çka ata assesi nuk duhej të ktheheshin në refuzues të saj, sepse ashtu pengonin intervenimin e NATO-s ndaj forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe me këtë humbnin edhe përkrahjen ndërkombëtare.

Edhe pse pajtimi për delegacionin e përbashkët, nga jashtë dukej si çështje teknike, meqë Shqiptarët nuk kishin alternativa të tjera, megjithatë kishte edhe telashet e veta. Sepse fjala ishte për pozicione në dukje diametralisht të kundërta, në njërën anë, midis vijës institucionale që mbronte zgjidhjen politike në përputhje me Deklaratën Kushtetuese, Kuvendin e Kaçanikut, Referendumin për Pavarësi dhe, në tjetrën anë, të  asaj që ishte përcaktuar për zgjidhje me mjete radikale (luftës së armatosur) nën moton e “çlirimit dhe të bashkimit kombëtar”, që për pikënisje kishte pikërisht mosnjohjen e shtetit paralel dhe gjithë asaj që për vite të tëra ishte ndërtuar me vullnetin dhe përkrahjen plebishitare të popullatës së Kosovës.

Në prag të Rambujesë dhe gjatë saj, përfaqësuesit e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, të cilët gjatë fushatës së fundit ushtarake serbe ishin përballur me limitet e veta dhe qëllimet e Beogradit që lufta të shfrytëzohet si mjet për ta zbrazur përfundimisht Kosovën nga Shqiptarët, do të vetëdijesohen për këtë, gjë që  Konferencës do t’i qasen me logjikën e politikës, pra të arritjes së të mundshmes. Te kjo pikë ata do të barazohen, por edhe do të pajtohen me institucionistët.

Në këtë atmosferë, Konferenca filloi punimet me 6 shkurt me bujë  në kështjellën mesjetare të Rambujesë, afër Parisit, e njohur për vlime dhe ngjarje që lidhen me historinë e Francës gjatë dy shekujve të fundit. Një kohë aty ishin mbajtur të mbyllur kundërshtarët e ndryshëm politikë, të shumtën që të “përpunoheshin”, por jo edhe të likuidoheshin, siç do të ngjasë në kohën e Revolucionit Francez e këndej.

Presidenti frances Zhak Shirak, në fjalën përshëndetëse, përkujtoi simbolikën e Rambujesë, duke e lidhur për një fillim që mund të jetë historik, jo vetëm për Serbët dhe Shqiptarët, por edhe për rajonin në përgjithësi dhe uroi që në këtë frymë të shkojnë gjërat. Bashkëkryetarët e Konferencës Amerikani Hill, Austriaku Petriq dhe Rusi Boris Majorski para grazetarëve “promovuan” dokumentin bazë të konferencës si projekt i “Kornizës së marrëveshjes së përkoh-shme për paqe dhe vetëqeverisje në Kosovë”, i hartuar nga Grupi i Kontaktit.

Marrëveshja paraqiste një kuadër të sistemuar të ideve të shfaqura gjatë muajve të fundit. Në disa kapituj përfshihen parimet e përgjithshme, ndërsa në të tjerët ato që trajtojnë çështjet e sigurisë, të institucioneve të vetëqeverisjes në Kosovë, të pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Projekti parashikonte që garant për zbatimin e marrëveshjes të jenë forcat ndërkombëtare që do të vendosen në Kosovë. Gjithashtu theksohej se marrëveshja, e cila paraqiste pas tre vjetësh do të rishikohej. Çështjet e statusit të Kosovës, do të përmenden me shumë ndjeshmëri, ose do të kamuflohen me formulime tepër perfide dhe kjo ishte bërë qëllimisht, por ato nuk anashkalonin faktin se fjala ishte për një autonomi nën Serbinë nën nivelin e vitit 1974.

Në të vërtetë pikat më të diskutueshme do të jenë ato për të cilën Shqiptarët ngulmonin që koha kalimtare të përcaktohej dhe pas saj të parashikohej mbajtja e referendumit dhe të stacionimit të forcës ndërkombëtare, e cila gjatë kësaj kohe do të shfaqej edhe në rolin e garantuesit të paqes, por edhe të faktorit që do të mundësojë rikthimin e besimit, me të cilin pastaj lidhej edhe rikthimi i popullatës së shpërngulur nga dhuna serbe gjatë viteve të fundit dhe shumëçka tjetër.

Fillimisht, Shqiptarët do të përqendrohen tek referendumi pas tri vitesh dhe tek stacionimi i trupave të NATO-s në Kosovë, strategji kjo nga e cila nuk do të hiqet dorë dhe ajo ishte edhe në përputhje me konceptin amerikan rreth të cilit dihej se tek Shqiptarët kishin lobuar me kohë dhe, në mënyra të ndryshme, kishin investuar nga Dejtoni e këndej, veçmas gjatë vitit të fundit, kur do të për-qendrohen te problematika e Kosovës dhe zgjidhja e saj me mjetet e trysnisë ndaj regjimit të Millosheviqit, ku edhe rezistenca e armatosur e Shqiptarëve do të kalkulohet, por edhe do të shfrytëzohet më tepër si mjet i qëllimit se sa në funksion të qëllimit.

Për Shqiptarët më shumë kishte rëndësi prania e trupave të NATO-s në Kosovë, qoftë edhe me një përcaktim autonom, çfarë në të vërtetë përbante teksti bazë, se sa një republikë në Federatën Jugosllave ku do të ishte Armata dhe policia jugosllave masë e gjërave.

Ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher, i cili ishte njëri ndër ideatorët e asaj që ai do ta quajë Dejton II dhe kishte bërë shumë në përgatitjen e dokumenteve bazë të Konferencës, kishte mendimin se Shqiptarët “kishin një strategji të përpunuar mirë”, kur kërkesat e tyre maksimaliste, siç ishte pavarësia e Kosovës, nga betimi i së cilës nuk do të largohen dot, do t’i “transformojnë” në atë të një statusi autonom kalimtar, që do të kushtëzohej me përcaktimin e datës së referendumit dhe po ashtu do të kushtëzohej me stacionimin e trupave të NATO-s si garantuese të tranzicionit. Ndërsa për Serbët, ministri i jashtëm gjerman, thotë se ishin të pozicionuar fanatikisht kundër pranisë së çfarëdo force ndërkombëtare në Kosovë, meqë ishin të bindur se, siç kishte ndodhur në Bosnje, kjo do t’u kushtonte me humbjen përfundimtare të Kosovës.

Joshka Fisher, megjithatë, vlerëson se pikërisht prania e NATO-s në Kosovë me anën e një marrëveshjeje do t’i ndihmonte Beogradit që së paku formalisht të ruante sovranitetin ndaj Kosovës, edhe pse ajo do ta humbte gjithë mbikëqyrjen në të, por do t’i ndihmonte që Serbët të mbeteshin atje, sepse NATO do t’i mbronte ata nga çfarëdo trysnie që do t’u vinte nga Shqiptarët.

Para se të ndodhte epilogu i Rambujesë, vlen të thuhet se faza e parë e bisedimeve të Rambujesë e paraparë për dy javë dhe e shtyrë edhe për një, do të rrezikonte dështimin e plotë, ashtu siç kishte paraparë Millosheviqi, që Shqiptarët të refuzonin nënshkrimin e marrëveshjes dhe ata të mbanin përgjegjësinë për këtë. Kjo Beogradin do ta shpëtonte nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Sipas ministrit të jashtëm gjerman, Fisher, i cili ishte kryesues i Grupit të Kontaktit dhe njëherësh edhe kryesues i radhës së Këshillit Ministror të Bashkimit Europian, Grupi i Kontaktit u mblodh në Paris më 20 shkurt 1999 dhe për befasinë e të pranishmëve, Medlin Ollbrajt hapi çështjen “e vështirësive që kishte me Shqiptarët”. Sipas Ollbrajt, Shqiptarët “refuzonin ta nënshkruanin marrëveshjen pa u përcaktuar referendumi pas kohës kalimtare dhe pa u përcaktuar prania e forcave të NATO-s dhe stacionimi i tyre në Kosovë”.

Edhe përkundër shenjave inkurajuese që Millosheviqit iu dërguan nga hezitimi i delegacionit të Shqiptarëve që të nënshkruhej marrëveshja, Konferenca, megjithatë “u shpëtua” në çastet e fundit në saje të ndërhyrjes amerikane, çka tregon se edhe Amerikanëve u duheshin paksa “ojnat” e Shqiptarëve për të treguar se edhe ata, njësoj si Rusët me Serbët, nuk e kishin të lehtë me Shqiptarët.

Dhënia e pëlqimit nga ana e Shqiptarëve për dokumentin e Rambujesë dhe paralajmërimi se ai do të nënshkruhej në Paris pas dy javësh, do të ketë anën e mirë, por edhe telashin, të ndërlidhura mes veti. Sepse, shtyrja për dy javë Shqiptarët paksa i lironte nga trysnia e jashtme, por jo edhe nga vështirësitë e brendshme, ngaqë marrëveshja e Rambujesë kundërshtohej “nga baza”, pra nga radhët e komandantëve vendorë, të cilët kishin ndikim të madh, veçmas pse në plan të parë kishin qitur Adem Demaçin, i cili ushtronte detyrën e zëdhënësit politik të UÇK-së publikisht dhe në qendër të Prishtinës madje.

Sidoqoftë, liderëve të UÇK-së që kishin marrë pjesë në Rambuje, me të kthyer në bazë do t’u bjerë barra që patetikën e luftës që e kishin përdorur jo rrallë, ta kthejnë në gjuhë politike dhe rezon të saj, gjë që nuk do të bëhet pa shqetësime në radhët e trupit komandues. Kjo do të shpjegohet edhe me dorëheqjen e Adem Demaçit nga funksioni i përfaqësuesit politik të UÇK-së, i cili edhe më tutje do të vazhdojë  të quajë gabim nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.

Pajtimin në parim me marrëveshjen e Rambujesë do ta japin shumë nga komandantët vendorë, me përjashtim të Ahmet Isufit, komandant i Zonës Operative të Karadakut.  Por kjo nuk do të mbyllë të çarat në radhët e rezistencës së armatosur rreth “autoriteti qendror” të UÇK-së dhe për Shtabin e Përgjithshëm jashtë vendit.

Vazhdimi i Konferencës në Paris më 15 mars, siç pritej, nuk solli asgjë të re. Shqiptarët konfirmuan nënshkrimin, që para se të largoheshin nga Parisi për në Kosovë e kishin kovertuar.

Më 18 mars 1999, në qendrën Kleber në Paris, në një ceremonial pa pompozitet të pritur, Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi, në emër të delegacionit të Shqiptarëve të Kosovës i sajuar nga ndërkombëtarët, nënshkruan marrëveshjen.

Atë nuk e nënshkruanë delegacioni i Beogradit, ndërsa aty nuk do të jetë i pranishëm as bashkëkryesuesi i konferencës, rusi Majorski.

Kështu, të ballafaquar me këtë realitet si dhe me trysninë amerikane, Shqiptarët u pajtuan që heqjen dorë nga qëndrimi maksimalist, siç ishte shteti i pavarur i Kosovës ta transformojnë në atë të një statusi autonom kalimtar, që do të kushtëzohej me përcaktimin e datës së referendumit, i cili do të mbahej pas tri vitesh, që po ashtu do të kushtëzohej me stacionimin e trupave të NATO-s si garant të tranzicionit.

Pas dy ditësh, një numër i madh i forcave ushtarake dhe policore serbe filluan ofensivën në Kosovë, të planifikuar dhe të përgatitur me përpikëri që më parë. Ndaljes së saj nuk do t’i ndihmojë as udhëtimi i fundit i Hollbrukut në Beograd ditën e njëzet e tretë të marsit, kur do të takohet me Millosheviqin dhe edhe një herë do t’ia japë rastin t’i ikë më të keqes, madje duke i bërë edhe disa lëshime, që më vonë do të merret vesh, se nuk ishin në përputhje me konceptin e marrëveshjeve të Rambujesë dhe të asaj që Shqiptarët kishin nënshkruar. Dhe pas kësaj, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Havier Solana, ia përcolli urdhrin komandantit suprem të forcave të Aleancës Veriatlantike, gjeneralit Vesli Klark që t’i fillonte sulmet ajrore kundër Serbisë, gjë që do të bëhet të nesërmen.

Perëndimi, pra, hynte në luftë kundër Serbisë për Kosovën dhe këtë e bënte me pretekste humanitare, por siç do të shihet, në luftë hynte edhe për hesapet e veta, të cilat pajtoheshin me ato të Shqiptarëve.

Ishte ky, ai shkaku, që do ta prodhojë Konferenca e Rambujesë, që pa nënshkrimin e Shqiptarëve nuk do të krijohej, ndërsa nënshkrimi i Serbëve atë do ta anulonte.

Mosnënshkrimi i dokumenteve të Rambujesë nga ana e Serbisë,  me çka NATO-s iu krijua casus-belli  për ndërhyrje ushtarake, Shqiptarët i liroi nga sjellja e gabueshme politike, por jo edhe nga pesha e përgjegjësisë  ndaj një vendimi, i cili binte ndesh me përcaktimin e popullit për shtetin e pavarur të Kosovës, në përputhje me shpalljen e tij në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe  me  Referendumin për Pavarësi të majit të vitit 1991.

Andaj, çfarëdo shikimi i kësaj Konference dhe i dokumenteve të saj jashtë këtij fakti, nënshkruesit e Rambujesë, i ngarkon me fajësi historike.

(Shkëputje nga libri "Kosova - histori e shkurtër", boti "Faik Konica"&"Jalifat Publishing", botimi i dytë, 2021, faqe  694-700).



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Afrim Abazi - Duhet ndryshuar kjo histori, Kosova e Bashkuar me Shqipërinë Xhemaledin Salihu: Perandoria Osmane nuk mundësoi arsimimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës Sabile Basha: Shaqir Ali Keçmezi - Kosova do të bashkohet me Shqipërinë Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (II) Sabile Basha: Ali Ajeti – Dita për me vdekë për Kosovën Jusuf Buxhovi: Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 dhe dinamizimi i kërkesës për Republikën e Kosovës Sabile Basha: Afrim Zhitia - Do të punoj për Kosovën e Lirë deri në vdekje Sabile Basha: Fahri Fazliu - Bëni të fala nënës, i thoni se Fahriu po vdes për Kosovën Sabile Basha: Murat Mehmeti - Duam vetëvendosje deri në shkëputje Feti Tunuzliu: Nacionalistë shqiptarë të likuiduar, pushkatuar dhe burgosur në Mitrovicë nga gjyqet ushtarako-komuniste, 1945 Sabile Basha: Heroi i Kombit Prof. Xhemajli Berisha Sabile Basha: Rexhep Elmazi - Edhe sikur të më vrasin, nuk do të heq dorë nga liria e vendit tim Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (I) Sabile Basha: Hysni Rudi - Kapiteni që jetoi e vdiq në mbrojtje të tokave shqiptare Sabile Basha: Fazli Grajçevci - Për të mbrojtur kombin duhet të falet jeta Qazim Namani: Tipologjia e banesës popullore në trevat veri-lindore të Kosovës Sabile Basha: Shaban Shala – Rroftë Shqipëria Etnike! Poshtë klika e Titos dhe e Rankoviqit Bedri Tahiri: Hambari i Gumnishtës Sabile Basha: Tahir Deda - Shqiptarët dolën në luftë për të Bashkuar Kosovën me Shqipërinë Sabile Basha: Betimi i Jasharajve para varrit të Tahir e Nebih Mehës

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora