Speciale
Feti Tunuzliu: Nacionalistë shqiptarë të likuiduar, pushkatuar dhe burgosur në Mitrovicë nga gjyqet ushtarako-komuniste, 1945
E diele, 03.03.2024, 08:59 PM
NACIONALISTËT SHQIPTARË TË LIKUIDUAR, PUSHKATUAR DHE TË BURGOSUR NË MITROVICË NGA GJYQET E KURDISURA USHTARAKO-KOMUNISTE MË 1945
Nga
Feti TUNUZLIU
Për
ndriçimin e plotë të procesit penal mbajtur në gjysmën e parë të vitit 1945 së
pari në gjyqësorin ushtarak në Mitrovicë (tani: Mitrovica e Jugut) e më pas në
Beograd, kontribut të veçantë ka dhënë tani i ndjeri Ramadan Rexha, njeri ndër
protogonistët fatkeq të këtij procesi, proces i cili, çuditërisht, nuk është
gjurmuar sa dhe si duhet deri më tani. E quajmë kontribut të veçantë, ngase
përmes monografisë “Kujtimet e mia -
Dëshmi historike”, mbarështuar nga Abdullah A. Bytyqi (Prishtinë, 2004, 263
fq), autori Ramadan Rexha, si askush nga të tjerët, ofron përjetime të drejtpërdrejta
dhe autentike. Me dëshmi rrënqethëse ai vërteton në mënyrë origjinale, burimore
por edhe përkujton një gamë dramash enigmatike, tragjike dhe tronditëse të
procesit në fjalë. Ky hartim i gjërë autorial
dëshmon se tema e monografisë ka të bëj me çështjet që zënë fill nga momenti i arrestimit (lexo:
rrëmbimit) të Ramadan Rexhës, këtu autor i librit, e përmes tij edhe 13
bashkëvuajtësve deri në likuidimin e dy anëtarëve gjatë hetimit, pushkatimin e
shtatë anëtarëve, dënimet e shqiptuara
me burgim mbi pesë dekada të katër anëtarëve të grupit. Fare në fund, vetëm
njeri prej tyre qe liruar.
Ndërkohë
që, nga hulumtimet tona prej nëntori 2023 deri tani, rezulton se e vërteta e
historisë tragjike dhe tronditëse e këtij procesi penal u fiksua në në një apo
tjetër mënyrë në kuadër të monografive: “Mustafë Venhari - Mësues qëndrese” të
Tafil Morinës (Prishtinë, 1998); “Bedri Gjinaj – Mësues dhe atdhetar i shquar”,
të Fazli H. Hajrizit, (Prishtinë, 2014);
“Bajraku i Llaushës – vendi i tij në historinë kombëtare në shekullin e XIX dhe
në shekullin XX” të Islam Dobrës e Kajtaz Rrecajt (2010)
etj. si dhe artikujve: ”Hamdi Gashi
luftëtar me pendë e pushkë” të autorit Bedri Xhema (“wwwzemrashqiptare.net” më
28.1.2016); “Janari i vitit 1945 i kobshëm edhe për mësuesin e devotshëm Bedri
Gjinaj” të autorit Ismet Azizi, (“wwwbotasot.info”, më 23 janar 2017); “Homazh për martirin e lirisë
Ethem Ferati – Prekazi (1913-1945), revista letrare 10 “Fjalë e vale”
(Mitrovicë, 2004); dy artikuj të prof. dr. Sabile Keqmezi-Basha në “wwwzemra shqiptare.net”, i pari: “Hamdi
Gashi – Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria”,
(18.10.2023) dhe i dyti: ”Ethem Ferati Prekazi - Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria”,
(29.10.2023).
Përkrah
faqeve librare dhe mediale të mbuluara me shkrime për “drejtësinë” komuniste në
raport me 13 atdhetarët shqiptarë pjesë të këtij grupi, për këtë shkrim jam shërbyer edhe me të vërejturit empirik në terren. Fatkeqësisht, fare pak
sepse ata që do të dinin për këtë proces artificial gjyqësor nuk ndodhen më në
mesin e të gjallëve ose kanë emigruar jashtë Mitrovicës dhe Kosovës. Tutje, të
dënuarit kanë ndërruar jetë kurse pasardhësit e tyre nuk ofrojnë ndonjë dëshmi
shumë të besueshme.
Për
t’u njohur me disa dokumente zyrtare shumë të rëndësishme formale të natyrës
procedurale-penale në autorësi të autoriteteve gjyqësoro-ushtarake më ka
ndihmuar Luan Rexha nga Prishtina, i biri i Ramadan Rexhës. I njejti më ka
siguruar fotokopje të aktgjykimit dhe të shkresave gjyqësore të karakterit
procedural-penal në posedim të fondit arkivor të familjes Rexha dhe shumëçka më
ka kumtuar rreth këtij gjykimi. Tutje, ndihmë të madhe më ka dhënë edhe
profesori i historisë Bedri Xhema nga
Vushtrria me sigurimin e tekstit të sipërtheksuar “Kujtimet e mia – Dëshmi
historike”(fotokopje) të autorit Ramadan J. Rexha. Pastaj, më kanë ndihmuar
mitrovicasit: Muhedin Zhubi përmes ofrimit të shenimeve gjenealogjikë të
familjes se të dënuarit Abdyl Zhubi dhe Emir Prekazi, nipi i të dënuarit Et’hem
Ferati (Prekazi) përmes paisjes me
literaturë respektive publicistike. Të gjithë këtyre ndihmëtarëve të
nderuar, ju shprehi falenderime nga
zemra për ndihmat e siguruara për ç’gjë u jam edhe shumë mirënjohës.
Ndonëse
grumbullimi, sistemimi dhe korrektësia gjatë hartimit të këtyre rreshtave
ojektivisht ka gjeneruar vështirësi të prekshme, megjithatë nuk jemi
ndalur. Kam shfrytëzuar edhe ato pak
informata historike sado të përcipta mediale përgjatë punës tonë kemi gjakuar
dhe kemi arrirë aq sa kemi mundur që të
ruajmë sa më shumë nga harresa gjyqin në fjalë dhe ate për dy shkaqe të
ndjeshme që ngacmojnë ndërgjegjen e çdo njeriu: i pari, se ky gjyq reflektonte
vazhdimësinë e humbjes së atdhetarëve të pafajshëm shqiptarë dhe persekutimet e
tyre nga regjimi komunist dhe i dytë, se ky gjyq ka shpalosur qëndrimet stoike,
rezistencën dhe sakrificat e këtyre burrave të guximshëm të ndershëm e
liridashës në kushte ekstremisht të rënda filluar gjatë paraburgimei nëpër
biruca burgjesh hetuese deri te mbajtja e dënimeve nëpër kazamate serbe.
Arrestimi, paraburgimi,
hetimi dhe akuzimi i të pandehurëve
Grupin
prej 14 të arrestuarish gjatë harkut kohor prej fillimit të janarit deri mesin
e majit 1945 i pllakosi një mynxyrë shumë e madhe. Si pasojë e ekspeditave
policore dhe të Shërbimit të sigurimit shtetëror (UDB-a), nacionalistët shqiptarë u arrestuan përmes
metodave tinzare e tradhëtare komuniste. Pasojisht, u bënë objekt hetimi të
inskenuar shoqëruar me privim të rëndë
të lirisë fizike, lëndime të rënda të trupit dhe të shëndetit fizik e
mendor, me dhembje e vuajtje, zhdukje
njerëzish, etj.
Ç’është
e vërteta, duke iu atribuuar “indicjeve” e “provave” prokuroriale dhe duke i
marrë ato shkas, gjatë stadiumit të hetimit në këtë proces penal, rezulton se u
sajuan varg e vistër pista “dyshimesh”
nga më të ndryshme. Pikërisht prej tyre
do pasojë kalvari i mundimeve të mëdha për këta bashkëvuajtës të skëterrës
komuniste.
Së
këndejmi, kinse nën pretekstin e “dyshimeve” për “krimet” të kryera kundër
diktaturës komuniste, do ngjizet dhe aplikohet procesi artificial i arrestimit
dhe hetimit nga prokurori ushtarak, major Vllado Popoviq i cili, mbase
përfaqësonte majën më të lartë të hetimeve penale gjashtë mujore e që do
finalizohet brenda gjyqi një ditor.
I
zhvilluar me urrejtje kryekëput dashakeqëse gjatë diktaturës ushtarake, procesi
hetimor, referuar veprës “Kujtimet …” të
Ramadan Rexhës dhe disa burimeve të sipërcituara, u zbatua kundër këtyre 14 të
pandehurëve:
1. Osman Ibrahimi (Solidi) nga Mitrovica, i lindur më 1907 në
Prishtinë nga prindërit Ali Jamke Nuradije, i martuar – babë i dy
fëmijëve,Shqiptar, tregtar, në
paraburgim në Burgun e Mitrovicës;
2. Et’hem Ferati (Prekazi), i lindur në
Mitrovicë më 1913, nga prindërit Arif dhe Bahtishe Shaqiri, ka të kryer shtatë
klasë të Medresës së Madhe në Shkup, nënprefekt i Mitrovicës, i martuar - babë
i dy fëmijëve, Shqiptar, në paraburgim në Mitrovicë;
3. Tefik Bekteshi nga Mitrovica, i lindur më 1914 në
Mitrovicë, nga prindërit Beqir dhe Hamide Rexhepi, i martuar - baba i katër fëmijëve,
Shqiptar, ka të kryer Akademinë Ushtarake në Romë, toger, Komandant i Xhandërmerisë dhe agjutant i
Pajazit Boletinit, në paraburgim në Mitrovicë;
4. Todor Cvetkoviqi i lindur më 1905 në
Topoliçan, komuna Prilep, jeton në Mitrovicë, ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë,
mjek në minierën “Trepça” në Stantërg, në paraburgim në Mitrovicë;
5. Hamdi (Hysen) Gashi i lindur më 1883 në
Vushtrri, ku edhe jeton, nga prindërit
Husen dhe Ajshe Arifi, i martuar
– baba i një fëmiu, Shqiptar, ka të kryer Akademinë Ushtarake – Drejtimi
policor, me gradë ushtarake - major, Komandant i Xhandërmerisë në Fier
(1933-1939), Nënprefekt i Fierit
(1939-1941), Vushtrrisë (1941-1943) Nënprefekt i Skenderajit
(1943-1945), i arrestuar nga OZN-a në
Prishtinë në paraburgim në Mitrovicë;
6. Abdyl Zhubi i lindur në Gjakovë më
1916 nga prindërit Murat dhe Naze Salihu, jeton në Mitrovicë, i martuar, shef i Logjistikës së regjimentit
të Kosovës, Shqiptar, i arrestuar më 18 janar 1945 në fsh. Kryshevc të
Skenderajit, qëndroi në paraburgim në Mitrovicë;
7. Xhevdet Bajrami i lindur në Mitrovicë më
1907 nga prindërit Bajram dhe Rabije Hasani, i martuar – babë i katër fëmijëve,
Shqiptar, ka të kryer Akademinë ushtarake
në Romë, kapiten i Klasit I, Komanant i Xhandërmerisë në Pazarin e Ri dhe Skenderajit, në paraburgim në
Mitrovicë;
8. Musa Qollaku i lindur më 1921 në Pazarin
e Ri, nga prindërit Shaban e Akife Haxhiq, i nga Mitrovica, i lindur më, i
martuar - babë i një fëmiu, Shqiptar, ka të kryer katër klasë të gjimnazit dhe
shkollën e tregtisë, nënprefekt i Pazarit të Ri, në paraburgim në Mitrovicë;
9. Ramadan Rexha i lindur më 11 mars 1921 në
Mitrovicë ku edhe jeton, nga prindërit
Jusuf dhe Anushe Fejzullahu, i pamartuar,
ka të kryer gjysëmaturën në Medresen e
Madhe “Gazi Isa Beg” në Shkup, Shqiptar, sekretar i Nënprefekturës së
Vushtrrisë, i arrestuar më 18 maj 1945, në paraburgim në Mitrovicë;
10. Nebi Hoda (Kuqi) i lindur në Suharekë më
1912 nga prindërit Hoda dhe Gjyle Jashari, i martuar - babë i katër fëmijëve,
ka të kryer tetë klasë të gjimnazit,
Shqiptar, Udhëheqës financiar në Nënprefekturën e Vushtrrisë, në paraburgim në Mitrovicë;
11. Bahri Abdurrahmani i lindur në Pazarin e
Ri më 1911, ka të kryer Fakultetin e tregtisë në Vjenë, i martuar - baba i dy
fëmijëve, tregtar, Shqiptar, në
paraburgim në Mitrovicë;
12. Shaban Mustafa nga i ati Mustafë, i lindur në Mitrovicë më 1908,
ku edhe jeton, kryetar i Bashkisë së
Mitrovicës Shqiptar, në paraburgim në Mitrovicë;
13. Bedri Gjinaj i lindur më 21 maj 1913 në
Mitrovicë, nga prindërit Ibrahim dhe Ajshe, ka të kryer Shkollën Teknike në
Tiranë, mësues dhe ekonomat në shkollën fillore në Burrel të Matit, mësues në
Mitrovicë, sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Shqiptar, i arrestuar në
fillim të janarit 1945 në paraburgim në Mitrovicë dhe
14. Idriz
Rexha, nga i ati Shaban, i lindur në Koshtovë të Mitrovicës, ku edhe
jeton, Shqiptar, Komandant i Batalionit
IV të Brigadës së Drenicës në paraburgim në Mitrovicë;
Hetimi
i filluar ngeli i tillë ndaj dy anëtarëve të grupit: Bedri Gjinaj dhe Idriz
Rexha sepse u likuiduan pa gjurmë gjatë
paraburgimit. Për zhdukjen fizike të tyre dyshimi hedhet në Shërbimin e
Sigurimit të Shtetit (UDB) . Rrjedhimisht,
për fatin e tyre nuk dihet as sot e kësaj dite, tani e 79 vite. Ndërkaq,
hetimi i filluar kundër 12 të tjerëve, do i çoi këta në “aktakuzë”.
Ngritur
kundër këtyre të përndjekurve të regjimit komunist, aktakuza absurde do
ngjeshet me insinuata e narrativa hipotetike të cilësuara lehtësisht “krime” të
sanksionuara me nenet 13 e 14 e të ndëshkuara me nenet 16 e 17 të Dekretit të
gjykatave ushtarake të Shtabit Suprem
(1944). E për këto “bëma kriminale” prokurori ushtarak kishte propozuar që 12
të pandehurit e listuar në “aktakuzë” të dënohen.
Seanca kriminale
gjyqësore në Mitrovicë
Siç
u tha, me përfundimin e hetimit të inskenuar penal u ndërtua “padia” publike
penale që determinoi gjykimin e inskenuar penal. Në këtë stadium kryesor të
procesit penal, akterët e targetuar u ulën në bankën e zezë ku i pritte
përballja me “drejtësinë” komuniste instaluar nga estabilishmenti serbosllav.
“Gjyqi”
njëditor u mbajt më 18 maj 1945 dhe, sa për saktësi, filloi n’ora 8.00, mbaroi
n’ora 15.00. Séanca penale u mbajt në sallën e ish-hotelit “Jadran”, më vonë
“Adriatiku”, në qendër të Mitrovicës, improvizuar
si gjykatore. Trupi gjykues i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Kosovës
e Metohisë, pranë Komandës së Vendit Mitrovicë e Kosovës (tutje: Gjykata
Ushtarake e shkallës së parë) përbëhej nga :major Mirko Peroviq – kryetar dhe
Millosh Gjudoviq – gjyqtar, kapiten Hasan Qerkezi, Mustafa Xhabiri dhe Murat
Aliu – porotë. “Aktakuzën” e përfaqësonte prokurori ushtarak Toma Popoviq.
Kjo
lukuni gjyqtarësh e porotësh ushtarako-komunist në koordinim me prokurorin
ushtarak zhvilluan shqyrtimin gjyqësor me dyer të hapura. Pas leximit të
“aktakuzës” nga prokurori ushtarak, trupi gjykues kishte proceduar të
akuzuarit. Pastaj, gjithnjë sipas verdiktit të Gjykatës Ushtarake të shkallës
së parë, ishin intervistuar dëshmitarët:
Strahinja Sandeviq, Aleksandar Fërtuniq, Gjine Gariq, Dobrivoje
Maksiq, Ilija Sminiq, Konstantin
Pllavshiq, Josip Ruben, Isak Koen, Qazim Deva,
Çeda Cvejiq, Nikolla Markoviq, Bozidar Malokoviq, Bllagoje Dimitrijeviq, Kërsta
Staniq, Menka Milkoviq, Millan Iliq, Strahinje Sandoviq, Nikolla
Markoviq, Angja Tanaskoviq, Sreten
Savoviq, Dobrilla Popoviq. Përtej
rrëfimeve të tejmbushura me rrena të kulluara të dëshmitarëve të rekrutuar
serb, trupi gjykues kishte demonstruar “prova” shkresore të ofruara nga
paditësi ushtarak duke mëtuar vërtetimin e autorësisë për “krimet” që i
atribuuoheshin të akuzuarëve me “aktakuzë”.
Ç’është e vërteta, me këto mjete “provuese” po vendosej fati i pjesës së
mbetur të jetës së të akuzuarëve, fat të cilin këta sikur e ndjenin thellë në
lëkurën e tyre.
Duke
iu referuar “aktgjykimit” të Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë është
konstatuar pothuajse për secilin të akuzuar nëse ka patur apo jo rrethana
lehtësuese, përkatësisht nëse kanë pranuar apo jo fajësinë. Në këtë kuptim, për
të pandehurit: Osman Ibrahimi, Et’hem Ferati, Tefik Bekteshi dhe Todor
Cvetkoviq, theksohet se s’ka rrethana
lehtësuese, ndërkaq për të akuzuarit: Hamdi Gashi, Abdyl Zhubi, Xhevdet
Bajrami, Musa Qollaku, Ramadan Rexha dhe Nebih Hoda, thuhet se këta kanë
pranuar “krimet”.
Ndërkaq,
vizavi këtyre deklarimeve të dala nga “aktgjykimi” në fjalë, sipas autorit të
monografisë “Kujtimet …” të Ramadan Rexhës, gjendja rezulton më ndryshe.
Ç’është e vërteta, tezat dhe pohimet e
veta, autori Ramadan Rexha, shpjegon dhe
argumenton vijimisht duke pretenduar se:
fjala mbrojtëse e Osman Ibraimit, Et’hem Feratit dhe Tefik Bekteshit – “nuk dëgjohet” nga zhurma e masës në
“gjykatore”; se fjala e Hamdi Gashit
mbyllet “pa pëgjegje”; se Abdyl Zhubi ka
pretenduar që me “plaçkitje nuk jam marrë”; se Xhevdet Bajrami është deklaruar
paksa ngjashëm, se “nuk kam bërë kurrfarë krimi”; se Musa Qollaku poashtu është shprehur se
“askend nuk e kam dëmtuar; Ramadan Rexha ka mohuar fajësinë duke u shprehur
troç: “nuk e ndjej veten fajtor”; Nebih Hoda poashtu ishte mbrojtur duke
pretenduar shkurt: “Nuk i kam plaçkitur qytetarët” ashtu sikundër edhe Bahri
Abdurrahmani “nuk jam pasuruar në dëm të
qytetarëve”.
Sipas
këtyre dromcave të mbrojtjes juridiko-penale të të akuzuarëve të dala nga libri
“Kujtimet …” të Ramadan Rexhës, të gjithë të akuzuarit sikur me një gojë
mohonin fjalëprerë fajësinë për “krimet” e specifikuara në “aktin akuzues”
prokurorial. Në këtë sens, qëndrimet e
të të akuzuarëve me shpirt solidar sikur përkonin katërcipërisht njera me
tjetrën sepse këmbëngulnin se nuk kishin realizuar asnjë aktvitet ndesh me
ligjin. Ndaj, nuk kishin si t’i honepsnin veprimet e mveshura inkriminuese sipas versionit
prokurorial. E mu në këto çaste, prishte qetësinë në “gjykatore” uturima e
audiencës që shpërtheu përmes sloganeve propaganduese në serbishte: “Smrt,
Kolac, Konopac !” (“Vdekje në hu, në litar !”). Me pretekst pushkatimi në këtë
atmosferë të ndezur skajshëm para subjektëve procedural penal (gjykatësve,
prokurorit dhe publikut), të akuzuarit të dekurajuar pritnin që trupi gjykues
do iu falë ndonjë besim eventual pretendimeve të tyre. Kjo atmosferë shpërfaqte
egërsisht simbolikën e së keqes. Njëherit ishte këmbanë alarmi se diçka
ekstremisht e keqe mund t’iu ndodh.
Shkërmoqja
formale penale e grupit si e keqja e radhës nga bisha komuniste që po
shkaktohej prej mekanizmave ordinerë represiv diktatorial e ushtarak: policisë,
prokurorisë e gjyqësisë, po reflektohej egërsisht me “aktgjykimin” e Gjykatës
Ushtarake të shkallës së parë nr.
323/45, etj., të 18 maj 1945.
Kështu,
referuar arsyetimit të “aktgjykimit”,
del se ,”gjykata ka gjetur se veprimtaria e të akuzuarëve ngushtësisht e
lidhur përbën tërësinë unike të punës së
tyre tradhëtare kundër Lëvizjes NÇ”.
Ndaj, anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake të shkallës së
parë bijnë në ujdi dhe “në emër të
popujve të Jugosllavisë”, katër të akuzuar i dënojnë me vdekje – pushkatim ,
njëherit edhe ua humbin përgjithmonë të drejtate morale e politike dhe ua
konfiskojnë tërësisht pasurinë, sepse janë fajtorë:
1. Osman Ibrahimi:
sepse
ka realizuar një varg veprimesh, se: “gjatë okupimit fashist ka qenë në shërbim të okupatorit”. Pastaj,
“ka marrë pjesë në torturat e
drejtpërdrejta të idhëtarëve të lëvizjes
NÇ”. Tutje, se paska qenë ”spiun dhe organizator i shërbimit të spiunimit në
qarkun e Mitrovicës”. I njejti, paska“kontribuuar që numri i madh i banorëve e sidomos adhuruesit e Lëvizjes NÇ të burgosen, internohen, dërgohen në llogore, në punë të
detyrueshme nëpër miniera e disa edhe të pushkatohen”. Më tej, paska
“kontribuuar si anëtar i agjenturës
Abvershtel – dega Gestapoja dhe me ndihmën e gjermanëve organizoi Xhafer Deva
që një numë i pakufizuar i krimeve të shlyhen”. Poashtu, paska “kryer
deportimin dhe plaçkitjen e jevrejëve”
dhe se “ka qenë pjesëmarrës dhe njeri
nga kriminelet me të njohur … që ka
organizuar Xhafer Deva dhe Bajazit
Boletini duke kryer në Pejë 59 vrasje,
numër të madh në Gjakovë, dhe Prizren, e
disa qinda në Shkodër dhe Tiranë.”
2. Et-hem Ferati:
sepse
“si nënprefekt i qarkut gjatë kohës së okupimit fashist” ka realizuar një varg veprimesh
inkriminuese në Mitrovicë: “ka ndihmuar okupatorit që të mbaj rendin fashist,
ka bashkëpunuar me policinë dhe ka qenë
ngusht i lidhur dhe ka bashkëpunuar me Ferat Beg Dragën, Lutfiun dhe Xhafer
Devën, kriminelë të njohur lufte dhe armiqë të popullit” si dhe ishte agjitator
në luftën kundër Lëvizjes NÇ”. Tutje,
kur “më 6 shtator 1944 kur nga reakcioni shqiptar qe formuar Komiteti i
Mbrojtjes së Kosovës nga Lëvizja NÇ”. I njejti ishte “bërë anëtar i tij dhe bashkëpunëtor aktiv”.
Poashtu, “ka nxitur urrejtjen dhe mosdurimin kundër serbëve dhe ka punuar në
mobilizimin e shqiptarëve kundër ushtrisë Nacional Çlirimtare”. Së fundmi,
fajësohej se “i ka dërguar qarkut të Prefekturës Listën e idhtarëve të lëvizjes
NÇ” dhe për pasojë “policia ka
kryer burgosje të mëdha dhe të burgosurit janë dërguar në llogore dhe fati i shumicës është
i pasigurtë”, theksohet në aktakuzë.
3. Tefik Bekteshi:
sepse
“ka qenë në shërbim të okupatorit së pari si sekretar i Nënprefekturës në
Vushtrri e pastaj si sekretar të Qarkut
të Mitrovicës dhe ka qenë ngusht i
lidhur me Xhafer Devën e Ibrahim
Lutfiun”. I njejti “përgjegjës është për
shumë krime që janë kryer në Mitrovicë dhe rrethinë.” Më tej, ky, “ishte agjent
i policisë dhe është dalluar në mobilizimin e njerëzve për SS Divizionin “Skenderbeg”. Duke qenë me
gradën toger, ishte pjesëmarrës “në ekspeditën e Xhafer Devës dhe Bajazit
Boletinit”. Poashtu, ka vrarë në Pejë 59 idhtarë të Lëvizjes NÇ dhe ka qenë
anëtar i gjyqit të nderit” në disa vende në “Prizren dhe Gjakovë” ku janë vrarë me “qindra edhe në
Tiranë dhe Shkodër.
4. Todor Cvetkoviqi:
sepse
“ka qenë në shërbim të okupatorit si
mjek në minierën “Trepça” dhe i ka ndihmuar okupatorit ashtu që
çnjerëzisht ka eksploatuar fuqinë punëtore në punë të detyrueshme të
njerëzve që i kanë sjellë aty, ka qenë
adhurues i organizatës së Drazha Mihajloviqit dhe … me administratën gjermane
në minierë i ka ka rekrutuar për aradhën e Drazha Mihajloviqit …”
Pas
këtyre 4 të akuzuarëve të dënuar me vdekje – pushkatim, me të njejtin
aktgjykim, anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake e shkallës së parë
bijnë në ujdi se janë fajtorë edhe 7 pjesëtarë të tjerë të grupit që paralelisht me humbjen e të drejtave
morale e politike dhe konfiskim të pasurisë, dënohen:
5. Hamdi Gashi:
dënohet
me burgim të përjetshëm dhe me humbjen e të drejtave morale e politike –
sepse
“si nënprefekt i qarkut të okupatorit
në Vushtrri ka qenë organizator dhe fajtor për të gjitha vrasjet që janë
kryer ndaj popullatës serbe me ç’rast kanë vdekur një numër i madh njerëzish në Vuçiternë dhe
rrethinën e saj”. Pastaj, i njejti “ka kontribuuar të krijohet urrejtja nga ana e popullatës serbe ndaj
shqiptarëve”. Poashtu, “është si i korruptuar dhe armik i ashpër i popullatës
serbe.”
6. Abdyl Zhubi:
dënohet
me 20 vjet burgim dhe me humbjen e përhershme të të drejtave morale e politike
dhe konfiskimin e 70 % të pasurisë
sepse
“si toger i Regjimentit të Kosovës ka marrë pjesë në të gjitha vendet ku ky regjiment ka kryer krime në Kosovë dhe Shqipëri për çka ka fituar
gradën toger”. Poashtu, ka bashkëpunuar
me policinë në spiunimin dhe keqtrajtimin
e idhtarëve të Lëvizjes NÇ.”
Tutje,
anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake të shkallës së pare bijnë në
ujdi se janë fajtorë dhe dënohen me nga 15 vjet burgim dhe humbjen e të
drejtave morale e politike për periudhën prej 10 vitesh dhe konfiskimin e
pasurisë prej 60 %, veç e veç:
7. Xhevdet Bajrami:
sepse
“si komandir i çetës së Xhandermerisë në Mitrovicë ka qenë njeri ndër
bashkëpunëtorët e okupatorit për kryerjen e krimeve”. Pastaj, “ishte i njohur
si armik i Lëvizjes NÇ që ka bashkëpunuar me
organizatën tradhëtare të Drazha Mihajloviqit përmes Zhika Markoviqit
dhe majorit Cvetiq me qëllim të luftës së përbashkët kundër Lëvizjes NÇ.”
8. Musa Qollaku:
sepse
“ka qenë anëtar i Abvershtel – Dega e
Shërbimit informativ gjerman”. Në këtë pozitë ”ka spiunuar dhe
zbuluar idhtarët e Lëvizjes NÇ që
kanë qenë të burgosur, të internuar e të
dërguar në punë të detyrueshme dhe të
pushkatuar”. Tutje, “ka kontribuuar në
shfaqjen e urrejtjes midis popullatës ortodokse dhe muslimane”
9. Ramadan Rexha:
Sepse
“ka qenë njeri ndër ndihëmsit e kriminelit të luftës dhe armikut të popullit
Ibrahim Lutfiut i cili ka qenë i
besuari i tij duke i dërguar raporte kundër idhtarëve të Lëvizjes NÇ”. I njejti “ka
punuar në organizimin e rinisë në frymën fashiste”. Poashtu, i është
përafruar edhe UNÇ dhe është caktuar
komesar i çetës duke u përgatit me rrobe
gjermane e duke u armatosur për luftë kundër
Lëvizjes NÇ dhe pas një kohë të shkurtër
ka dezertuar”. Më pas, “i është bashkangjitur grupit grabitqar të Shaban Polluzhës ku ka qenë një kohë të
gjatë duke luftuar kundër UNÇ.”
Anëtarët
e trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake të shkallës së pare bijnë në ujdi se
janë fajtorë dhe dënohen nga 10 vjet burgim, humbjen e të drejtave morale e
politike për periudhën 5 vjeçare dhe me konfiskim pasurie prej 60 %:
10. Nebih Hoda:
sepse
i cili duke qenë në nënprefekturën e Vu?itërnës “shef i
administratës tatimore i ka ndihmuar okupatorit të mbaj pushtetin”. Pastaj, “në
jetën publike i ka ndihmuar fashizmit në
organizimin e rinisë sipas modelit fashist”. Tutje, “ka edukuar me frymën
fashiste dhe ushtarakisht i ka përgatitur kundër Lëvizjes NÇ”. I njejti, “ishte
sekretar i rinisë fashiste dhe anëtar
aktiv i grupit shqiptar që ka pas për
detyrë ruajtjen e regjimit të okupatorit
në Kosovë e Metohi, për ç’gjë ky grup më
vonë ka formuar ushtrinë e vet e cila ka luftuar kundër Lëvizjes NÇ”. Si i
tillë, “në vitin 1943 ka qenë sekretar i këtij grupi”.
11. Bahri Abdurrahmani:
sepse
i cili “aktivisht i ka ndihmuar okupatorit ashtu që ka qenë njeri ndër armiqët
e njohur të popullatës serbe, duke përhapur urrejtjen e shqiptarëve ndaj
serbëve ku ka qenë synimi”. I njejti, “shpesh herë është shfaqur në diskutime
publike ashtu që në një rast në diskutimin e vet ka theksuar: “Më falni vëllëzër
që nuk di të flas me gjuhën time amtare por flas me këtë gjuhë të qenit –
serbisht” me ç’rast ka inkurajuar shqiptarët e prirur të grupit fashist dhe
prandaj kanë sulmuar serbët e malazezët”. Poashtu, “duke shfrytëzuar ndikimin e
vet që ka patur tek pushteti fashist është marrë me tregti sidomos berzën e
zezë dhe është pasuruar shumë”. Përndryshe, “është i njohur në Pazarin e Ri si
njëri nga pjesëtarët e shquar të
reakcionit fashist shqiptar i cili bashk me Aqif Blutën dhe Ahmet Dacin, këta armiq të
njohur të popullit dhe kriminel lufte të cilë janë pushkatuar si kriminel, ka djegur fshatra të serbëve ka ndërsyer arnautë kundër serbëve … sepse gruan e ka
patur gjermane”.
12. Shaban Mustafa:
Së
fundmi, anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës
Ushtarake në shkallë të parë bijnë në ujdi
që i akuzuari Shaban Mustafa të “Lirohet nga akuza sepse, gjatë gjykimit
nuk janë provuar veprimet “inkriminuese”: që si kryetar i Komitetit shqiptar,
të ashtuquajtur Lidhja e II e Prizrenit, ka vepruar në Kosovë e Metohi për t’u mbetur nën okupimin fashist”. Poashtu, “ka ndihmuar luftën
kundër Lëvizjes NÇ e si anëtar i Komitetit për mbrojtjen e Kosovës ka
grumbulluar ushtarë për luftë kundër LNÇ
në Prepolc dhe Shalë”.
Kësisoj,
del se në rrugën e vështirë të kërkimit
të së vërtetës nga të akuzuarit, trupi gjykues pa asnjë hamendësim juridik po
mbështeste në plotëni dëshmitë e gënjeshtërta, rrëfimet banale, makinacionet e
dëshmitarëve të fabrikuar e puthadorë që kishin shkapuritë tregimet e trilluara
për të gjithë të akuzuarit, hiq vetëm të akuzuarin e fundit, Shaban Mustafa.
Përndryshe, Tafil Morina në monografinë “Mustafë Venhari …, (fq. 16)” , duke
transmetuar prononcimin e Ramadan Rexhës, shkruan: “Shaban Mustafa u lirua,
meqë për te – disa tregtarë serbë nga Mitrovica (Voja dhe Llazar Jevtiqi),
dëshmuan që ai në atë kohë, i ka mbrojtur ata dhe të tjerët nga persekutimet e
pushtetit të atëhershëm”.
Hiq
rastin e Shaban Mustafës që sapo u përmend, ky trup apo thënë ndryshe ky turp gjykues, pa
ekuivoke po i besonte lehtësisht pothuajse të gjithë dëshmitarëve. Ngjashëm po
i besonte edhe dokumenteve formale të servuara nga akuzuesi ushtarak. Me të
gjitha këto “prova” (personale e materiale ) kinse “hedhej dritë” mbi “krimet”
e kryera nga të akuzuarit dhe krijohej mirazhi i fajësisë së tyre. Kësisoj
ishin “shpalosur dhe ndriçuar” specifikisht “bëmat kriminale”. Për pasojë, në qarqe të ndryshme,
të dënuarëve të këtillë u atribuuoheshin togjalëshat terminologjik të tipit:
“armik i popullit”, “kriminel lufte”, “bashkëpunëtorë nazifashistë” e të
ngjashëm.
Me
këtë butafori mashtruese dhe mori “provash” përqohej porosia në opinion se
hipotezat dhe tezat e stivuara prokuroriale të dala gjatë hetimit, pastaj nga
“aktakuza” e projektuar si dhe nga pretenca e prokurorit ushtarak - gjoja paskan “vërtetuar” kryerjen
e “krimeve” të natyrës politike.
Rrjedhimthi,
qenka “provuar” përgjegjësia penale e të pandehurëve si “autorë” krimesh.
Marrë
shkas të gjitha këto djallëzira, trupi
gjykues çmontoi pretendimet e të pandehurëve.
Stisi edhe shpifje vetëm e vetëm për të justifikuar bindjen e vet me të cilën
përmbyste totalisht realitetin objektiv. Këtej, me ambicje të shfrenuara - në
njerën anë dhe me thellësinë e ndërgjegjës së errët të anëtarëve të trupit
gjykues – në tjetrën anë, u reflektua sertë gjyqi përmes të zezës mbi të
bardhën. Ç’është e vërteta, sipas
përmbajtjes së verdiktit penal të
Gjykatës ushtarake të shkallës së parë, pjesëtarët e grupit “kriminel” me
veprimtarinë e tyre “inkriminuese” paskan rënë “ndesh” me norma penale
pozitive. Andaj, pothuajse të gjithë të pandehurit së koti i kishin vënë në
sprovë mbrojtjet e tyre, ndonëse pa mbrojtës profesional (avokatë), përveç
njerit (Todor Cvetkoviq) që mbrohej nga Gojko Cvetkoviq, sikundër del
nga përmbajtja e aktgjykimit në fjalë.
Procesi kriminal në
Beograd vulosi epiloun kriminal
Të
pandehurit ankues, sfiduan Gjykatën
ushtarake të shkallës së parë përkitazi me akgjykimin e shpallur. Këtu, nuk ka
si të mos vihet në spikamë e dhëna se në arealin shqiptar shumë zor pritej që
ankesat e depozituara do të shenojnë ndonjë sukses eventual. Përkundrazi. Duke
iu atribuuar fotokopjes së dokumentit nr.
971/45, datë 12 qershor 1945 besnik me origjinalin, mësojmë se Gjykata e
Lartë e Armatës Jugosllave – Kolegji pranë Shtabit të Përgjithshëm në Beograd,
si shkallë e dytë kishte vënë drejtësinë finale
ashtu që: disa dënime të shqiptuara nga Gjykata Ushtarake e shkallës së
parë i kishte vërtetuar, sikundër edhe lirimin nga akuza, rrjedhimisht
mos-humbjen e të drejtave morale e politike dhe moskonfiskimin e pasurisë për
të akuzuarin Shaban Mustafa, ndërkohë që dënimet tjera i kishte ndryshuar në
kuptim të ashpërsimit të tyre.
Me
të përfunduar procedura e ankimimit në
Gjykatën e shkallës së dytë dhe kthimin e dosjes penale mbrapsht, kryegjykatësi i trupit gjykues të Gjykatës
Ushtarake të shkallës së parë, Mirko
Peroviq, në pasditën e 22 qershori 1945 ngutej të prononcohej. Lexoi pjesët kruciale të “aktgjykimit” dizajnuar
nga Gjykata e Lartë e Armatës Jugosllave adresuar vetëm atij - jo edhe
pjesëtarëve të grupit. Kësisoj, ua transmetoi të dënuarëve epilogun e ankimimit
shpërfaqur përmes aktgjykimit, përkatësisht, vendimit mbi dënimet, një vëndim
tronditës përfundimtar dizajnuar nga gjykata instanciale. E këtë akt nuk e bëri në “gjykatore”, ku ishte mbajtur séanca penale. Parapëlqeu ta
bëj në korridorin e podrumit të hotelit “Jadran” Burgut (!?),
ku ndodheshin dhomat e errëta e të ftohta (lexo: qelitë) e të
paraburgosurëve, përkatësisht të akuzuarëve. Ndërkohë që, qëndronte përball të
akuzuarëve, përkatësisht të paraburgosurëve të cilët me gjakftohtësi
shembullore vëmendshëm përcillnin leximin e verdiktit përfundimtar gjyqësor që
kishte epilog tronditës. E pas kësaj pritshmërie, ua kumtoi se:
• për katër të pandehur: Et’hem Ferati,
Osman Ibrahimi, Tefik Bekteshi dhe dr. Todor Cvetkoviq konfirmoi vendimin e
dënimit të Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë – dënim me vdekje – pushkatim
dhe humbjen e të drejtave morale e politike dhe konfiskimin e pasurisë
• për tre të pandehur ndryshoi
aktgjykimin e Gjykatës Ushtarake të
shkallës së parë në kuptim të dënimit dhe i dënon me vdekje – pushkatim dhe me
humbjen e përhershme të të drejtave morale
e politike dhe të konfiskimit të pasurisë sepse ka cilësuar rënduese një
vistër rrethanash të cilat ka “dështuar” së vlerësuari Gjykata Ushtarake e
shkallës së parë dhe ate se:
• Hamdi Gashi: “si nënprefekt i qarkut
ishte njeri ndër ndihëmsit në edukimin e Komitetit të qarkut të Kosovës,
se këtij Komiteti çdokund i ka ofruar
çdo lloj ndihmë dhe ka ndihmuar punën e tij”. Pastaj, “se në qarkun e
tij janë vrarë numër i madh serbësh që
gjithsesi është rezultat i ndihmës së tij dhe
të tjerëve që kanë qenë në shërbim të fashizmit e që kanë shkuar në shfarosjen
e banorëve serb”. Tutje, rrethana rënduese ka cilësuar edhe këto: se “ka
ndihmuar formimin e regjimentit të
Kosovës që ka kryer shumë krime në regjionin e Drenicës”; se “ka marrë
pjesë në udhëheqjen e akcioneve rreth
organizimit e zbatimit të të gjitha
masave që fashistët e atij regjioni kanë
kryer” dhe se “ka bërë shumë krime duke i likuiduar dhe detyruar popullatën
serbe që të shpërngulen nga Kosova”;
• Xhevdet Bajrami: se: “si personalitet i
besuar i okupatorit ka ardhë nga Tirana si ekspert special për organizimin e
xhandermerisë sipas direktivave të okupatorit; se “ka ushtruar shumë dhunë
ndaj banorëve të asaj ane”; se “ka organizuar bisedime si ndërmjetësues
të grupeve okupatore-tradhtare me qëllim të
akcioneve të përbashkëta kundër LNÇ; se “ka zhvilluar bisedime para
grupeve tradhëtare të Ibraim Luftiut dhe Ali Dragës me udhëheqësit e
organizatave tradhëtare dhe ate Zhika Markoviq dhe major Cvetiq.”
• Musa Qollaku: se “ishte në shërbim të policisë informative
gjermane”; “ka zbuluar idhtarët e LNÇ prej të cilëve disa janë burgosur,
internuar dhe pushkatuar”; se “ka
qenë personaliteti më me ndikim pas
Xhafer Devës, Ibrahim Lutfiut dhe Ethem Feratit në territorin e Kosovës dhe
Metohisë” dhe se “ka qenë anëtar i Gestapos dhe organizator i Shërbimit të
spiunimit në Mitrovicë”.
Ndryshe,
dënimet e shqiptuara nga Gjykata Ushtarake e shkallës së pare i vërtetoi ndaj
të pandehurëve:
• Abdyl
Zhubi, i dënuar me burgim prej 20 vitesh, me humbjen e përhershme të të
drejtave morale e politike dhe konfiskimin e pasurisë prej 70 %;
• Ramadan Rexha, i dënuar me burgim prej 15 vitesh, me humbjen
e të drejtave morale e politike për 10 vjet dhe konfiskimin e pasurisë 60 %;
Pastaj,
për dy të pandehurit:
• Bahri Abdurrahmani dhe Nebih Hoda
konfirmoi
dënimet e Gjykatës Ushtarake të shkallës së parë nga 10 vjet burgim, humbjen e të drejtave
morale e politike gjatë 5 viteve dhe
konfiskimin e pasurisë prej 60 % të secilit veç e veç;
Çuditërisht,
Gjykata e Lartë të Armatës Jugosllave në dokumentin II nr. 971/45, datë 12
qershor nuk bën fjalë fare për të pandehurin e liruar nga akuza Shaban Mustafa
listuar nën nr. 12 të aktgjykimit të ankimuar të Gjykatës Ushtarake të shkallës
së parë, datë 18 majit 1945 nr. 323 …/45.
Ekzekutimi i dënimit me
vdekje – pushkatim
Për
aktgjykimin e trishtë të formës së prerë të shkallës së dytë i cili tani më
quhej i ekzekutueshëm, shtatë të dënuarit me vdekje – pushkatim, siç u tha,
ishin vënë në dijeni një ditë më heret (22 qershor 1945) se të nesërmen do
realizohet kjo sekuencë makabëre e privimit të dhunshëm nga jeta. Mirëpo,
autoritetet kompetente juridike nuk i kishin vënë në dijeni të dënuarit edhe
për mundësinë eventuale të ushtrimit të ndonjë mjeti të jashtëzakonshëm juridik
nga ana e të dënuarëve !
Kështu
që, në mëngjesin 23 qershori 1945, shtatë të dënuarit me dënim kapital -
pushkatim, të prangosur në duar dy nga dy, u mbërthyen barbarisht jashtë
hapësirave të bodrumit të hotelit “Jadran” në Mitrovicë, ku i nënshtroheshin
torturave dhe regjimit mizor.
Tani,
le ta sjellim në vëmendje faktin se kur shtatë të dënuarit me vdekje u
ekspozuan publikisht, masa e qytetarëve të frustruar përballë godinës së
hotelit sakaq filloi të shpërfaq revoltin agresiv me vërshëllima e britma
kushtrues, me ovacione e zëra ekzaltues. Me sjellje të përçmuara transparente
një numër i madhë “serbësh, romësh, turqish e tek-tuk edhe ndonjë shqiptar”,
sipas prof. dr. Sabile Keqmezi-Basha, kësisoj po solidarizohej me vendimet
kriminale për pushkatim që ishte sanksioni më i rëndë penal. Veç kësaj,
represioni i imponuar nga gjykatat ushtarake të sistemit komunist po shoqëroheshin edhe me fyerje e
ofendime nga ushtarët e Njësitit partizan nga Rahoveci.
Sipas
shkruesit të monografisë “Kujtimet …” Ramadan Rexha, Rasim Qerkezi - eksponent
i regjimit gjakatar ia kishte hjek plisin nga koka të dënuarit Osman Ibrahimit,
e kishte shtrydh e pështy duke i thënë: “Ju jeni kriminel, …tradhëtar, … gjyqi komunist është gjyq i
popullit”. Kur tentoi t’ia rrëmbej plisin nga koka edhe të dënuarit Tefik Bekteshit,
ky i fundit e kishte pështy fytyrës dhe goditur shqelm në vend të
ndjeshëm. Arrogancë dhe urrejtje deri në
palc spikaste oficeri rahovecas Vahid Ramadani kur pas shpine ua hiqte me
brutalitet plisat prej koke të dënuarëve të prangosur.
Zyrtarëve
të këtillë të papërmbajtur, shqipfolës e hundëpërpjetë të ngrehinës komuniste
sllave të cilët po ngjallnin potencialisht sentimente armiqësore - as që po ua
vriste ndërgjegjën shëmtia e veprimeve botërisht të shpërfaqura, degradimi
moral e njerëzor tok me servilizmin e arrirë deri në poshtrim. Pikërisht
kësisoj, këta kishin humbur fare kredibilitetin kombëtar që ishte imazh i një
të vërtete të idhët.
Sipas
memorjes kolektive, inskenimi i “proceseve gjyqësore” ishte ndër misionet më
pikante me të cilat regjimi komunist diktatorial i kohës shprehte fenomenin e
likuidimit fizik të njerëzve që ishin pre e përndjekjeve të këtij regjimi
famëkeq. Kësisoj duhet kuptuar e kujtuar edhe kjo epizod e gjyq kriminal.
Duke
realizuar agjendën tronditëse të kauzës kriminale, shtatë të gjykuarit që i
priste vdekja, të veshur me kostume të
reja dhe plisa të sjellur nergut për këtë rast nga Arif
Prekazi, babai i të dënuarit Et’hem
Ferati-Prekazi dhe i vendosën nxitimthi në kamionin e zbuluar. Ndërkaq,
artikullshkruesi Fazli Hajrizi në
shkrimin e sipërpërmendur “Homazh për …”
(fq.173), bën përshkrimin e një situate
të rrallë: “E ëma e Todor Cvetkoviqit iu afrua të birit të vet për t’u përshëndetur dhe për ta kryquar. Mjeku e përqafoi t’ëmën,
mirëpo nuk e lejoi t’i bëj kurrfarë ritesh fetare, duke i thënë se unë do të veproj vetëm ashtu si më udhëzon Ethem
Ferati”.” Tani, transporti i
kontigjentit me të dënuar politik përcillej me gumëzhinën e motocikletave
drejtuar prej policëve e ushtarakëve dhe me britmat e qytetarëve që mezi
prisnin pushkatimin. E, duke qëndruar të pamposhtur dhe të rrëmbyer nga ndjesia
e idealeve të larta, shpërthyen edhe brohoritjet e forta artikuluar nga të
viktimizuarit. Kështu, i dënuari Et’hem Ferati iu drejtohet me fjalët: “Ne nuk
jemi fajtorë, aq më pak tradhëtarë. As kriminel nuk jemi … kemi derdhur gjak
për t’i mbrojtur këto troje … nesër do të kuptoni të vërtetën … Rroftë Kosova !
Rroftë Shqipëria ! Ndërkohë, kolona mori drejtimin prej hotelit “Jadran” kah
ura e Sitnicës për te vendi i destinacionit. Me të arrirë te kodrina përball
varrezave serbe në Mitrovicë, aty pranë skenës trishtuese të përgatitur ditë më
parë për ekzekutim zbresin nga makina shtatë fatkeqët e prangosur që të
finalizohet agjenda kriminale komuniste. Pastaj, sakaq i lidhin një nga një në
shtatë shtylla të ngulitura para gropës së hapur. Shënjestruan nga tytat e
armëve të zjarrit prej efektiveve të
armatosur të togut pushkatues. Sipas agjendës së gjyqësorit ushtarako-komunist,
eventi tragjik kulmoi në vendvarrim në ora 10,00: nishanxhijntë e armëve të gjata rreshtuar përball shtatë të
dënuarëve shkrepën pamëshirshëm rrëbesh predhash mizore në trupat e tyre. Madje,
në këto caste, Ramadan Rexha në veprën “Kujtimet …” (fq. 199), shpalos një gjest çmendurie, një shfryrje dufi mbi baza politike por edhe etnike, do
thoshim, kur thekson : “Njera prej
ekzekutoreve të togës, partizanja Dara Neradoviq, e cila pasi ua shkrepi edhe
nga një plumb secilit, thirri: ”Hajt, tashti folni edhe një herë për Kosovën
!”. Jehona e dhembshme e batareve të pushkëve që u zbrazën u përhap n’ato kodra
që dominojnë relievin kodrinor të fshatit Shupkovc të komunës së Mitrovicës. Në
mbarim të aktit të ekzekutimit realizuar nga thellësia e entuziazmit të krisur
të ekzekutorëve, kufomat i hodhën në gropën e përbashkët. I mbuluan sakaq me
dhe. Më pas, togu u kthye mbrapsht.
Në
materialin që kemi shfrytëzuar përkitazi me këtë proces gjyqësor, nuk kemi
arritur të vërtetojmë nëse është përpiluar ndonjë dokument formal rreth aktit
të ekzekutimit me të dhëna relevante p.sh. koha, vendi, identiteti, i të
ekzekutuarëve politikë, identiteti dhe funksionet e zyrtarëve të pranishëm, nr.
dhe data e aktgjykimit t të formës së prerë, përkatësisht të ekzekutueshëm,
etj.
“Pas
disa ditësh plaku Vesel Maloku kishte kaluar pranë vendit ku ishte bërë
krimi dhe ku ishin varrosur
“kriminelët”. Kishte parë gropën e
përgjakur e të mbuluar shkel e shko, ku diku dilte një këmbë e diku një dorë …
I kishte mbuluar me dhe dhe sipër vendit
kishte vënë disa ferrra që të mos i shqyenin qentë …” citohet të ketë thënë autori Rexha në përshkrimin
rrënqethës në librin e vet “Kujtimet …”
(fq. 199).
Pas
këtij misioni heroik vazhdojnë të prehen në qetësi qe 79 vjet gjashtë martirët shqiptarë:
Osman Ibrahimi (38 vjeçar); Et’hem Ferati (32 vjeçar); Tefik Bekteshi (31 vjeçar); Hamdi Gashi (63 vjeçar); Xhevdet
Bajrami (38 vjeçar); Musa Qollaku (24 vjeçar). Vendndodhja e varreve të këtyre viktimave të komunizmit nuk u
zbulua kurrë ! Me këtë akt makabër dhe revansh komunist - se po gjykohen
bashkëpunëtorët e regjimit, regjimi shtypës i kohës ia doli mbanë eliminimit të
intelektualëve nacionalistë shqiptarë me
orientim properëndimorë. Kësisoj, ky regjim sllavokomunist realizoi edhe një
skenar të përgjakshëm të projektit kriminal në vazhdën e skenarëve tjerë,
projektuar e sponzoruar nga ai vet.
Vetëkuptohet se, me realizimin e këtij eventi të rëndë, regjimi mëtoi se shkundi nga
kurrizi edhe një grup kundërshtarësh politik shqiptar në zingjirin e gjatë të
aksioneve ekstremisht të egra.
Ekzekutimi i dënimeve
me burgime periodike
Pas
pushkatimit të shtatë të pandehurëve më 23 qershor 1945, sakaq u dërguan nëpër
burgje serbe ku prapa grilave do dergjen dhe vuajnë ndër vite katër të
dënuarit: Abdyl Zhubi (i dënuar 20 vjet burg), Ramadan Rexha (i dënuar 15 vjet
burg), Bahri Abdurrahmani (i dënuar 10 vjet burg) dhe Nebih Hoda (i dënuar 10
vjet burg). E historiku i vuajtjeve dhe torturave çnjerëzore nga dora e hekurt
diktatoriale për këta të katërt, vetëkuptohet se do vijojë paskrupull.
Kështu,
pas qëndrimit në burgun e improvizuar në hotelin “Jadran” në Mitrovicë, katër
të dënuarit me burgim do i dërgojnë në Burgun e Prishtinës. Pas një nate, do i
çojnë në Burgun e Kurshumlisë, ku poashtu do kalojnë një natë. Më pas, do i
dërgojnë në Burgun e Prokuples ku do qëndrojnë disa javë. Prej këtu do dërgohen
në Burgun e Pozharevcit. Ky rravgim i mundimshëm nga njëri në tjetrin burg do
mbaroi më 18 shtator 1945 me transferimin e fundit të patriotëve shqiptarë (dhe
një serbi) në Burgun famëkeq në Mitrovicë të Sremit. Në ambientet e këtij
institucioni famëkeq penitenciar ndodheshin në vuajtjen e dënimeve edhe një
numër jo i vogël i bashkëkombasëve të këtyre katër atdhetarëve. Po aty, më pas
transferoheshin sukcesivisht edhe të burgosur të tjerë shqiptarë prej burgjeve
jugosllave.
Nga
mbajtja e mëtejme e dënimit me burgim në
Mitrovicën e Sremit do lirohen: Abdyl Zhubi, pas gati 9 vitesh, pikërisht më 29
nëntor 1953 duke u amnistuar nga Qeveria jugosllave. I njejti, pas nëntë vitesh tjera në liri do
ndërroi jetë nga sëmundja e zemrës në moshën 46 vjeçare dhe ate pikërisht më 28
shkurt 1962. Ramadan Rexha pas gati 15 vitesh, më 30 nëntor 1958 përmes
amnistisë. E quajmë të domosdoshme që këtu të shtojmë edhe diçka: dy vite e
gjysmë pasi u lirua nga ky burg, i njejti,
do arrestohet sërish, më 22 maj 1961. Gjykata e Qarkut në Prishtinë do e
dënoi për vepër penale politike me një vit burgim duke u liruar nga paraburgimi
pas një muaji në pritje të aktgjykimit të formës së prerë. Më vonë fillon
mbajtjen e dënimit. Lirohet nga Burgu i Nishit, më 18 shtator 1961. Vdes në
moshën 91 vjeçare, më 4 prill 2012. Bahri Abdurrahmani – sapo ishte liruar nga
mbajtja e dënimit me burgim lëshoi vendin. Vdiç në moshë 60 vjeçare, më 19
korrik 1972 në Stamboll. Për të dënuarin nebih Hoda, s’kemi arritur të
sigurojmë asnjë të dhënë rreth lirimit nga burgu dhe jetës në liri.
Do
përfundoj këtë copë shkrimi me një citat nga vepra “Kujtimet …” (fq. 57) të Ramadan Rexhës ku përshkruan fundit misterioz të dy
nacionalistëve shqiptarë Bedri Gjinajt dhe Idriz Rexhës:
“Sipas
asaj që është thënë më lart, del se në paraburgim së bashku me këta që janë
dënuar, ishte edhe Idriz Rexha por atë nuk e sjellin para trupit gjykues.
Megjithatë, sipas Ramadan Rexhës ai ishte dënuar me vdekje sipas një procedure
të shkurtër dhe është ekzekutuar pak kohë para këtyre. Para trupit gjykues nuk
u nxor as Bedri Gjinaj. Edhe ai kishte qëndruar një kohë në burg me ta. Një
ditë ishte sëmurë shumë. Mjeku Cvetkoviq kishte alarmuar rojën se i burgosuri
është i sëmur nga tifoja dhe se ka rrezik që të infektohen të gjithë. E nxorën
dhe e dërguan në spitalin e Mitrovicës. Atje e helmuan. Kurrë nuk u dit për
eshtrat e këtyre dy martirëve, Iidriz Rexhës dhe Bedri Gjinajt”.