Mendime
Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!
E enjte, 25.04.2024, 07:56 PM
Kolektivisht
të përhumbur!
Nga
Ilir Sefaj
“Do
të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, është
një thënie gjeniale që e kemi parë jo rrallë duke qarkulluar në rrjetet
sociale. Nuk e di vulën e kujt emër e mban kjo thënie profetike, por se
qytetari ynë ka ardhur në këtë pikë, nuk ka asnjë dilemë. Shoqëria kosovare
është në krizë, madje në krizë të thellë, në krizë shumëdimensionale, do të
thosha. Është e vështirë të flasim për zanafillën e kësaj krize, veçse me apo
pa vetëdije kemi hyrë në një fazë që unë po e quaj, përhumbje kolektive.
Nuk
e di nëse ky term është më adekuati, veçse kujtoj se secila sferë e jetës sonë
shoqërore tashmë është kapluar nga kjo përhumbje, që siç e thashë, po zgjedh ta
quaj, kolektive.
Në
dy dekada e gjysmë liri, e në 16 vjet shtet, qytetari i Kosovës kurrsesi ta
gjejë rrugën drejt një emancipimi shoqëror, i cili do të ndihmonte në tejkalimin
e këtyre situatave të pakëndshme me të cilat po ballafaqohemi në përditshmërinë
tonë, e që fatkeqësisht nga një pjesë e njerëzve kanë filluar të shihen si
normale.
Por,
ku është zanafilla e krejt kësaj? Ku çaluam si shoqëri, si shtet?!
Në
dukje të thjeshta, por këtyre pyetjeve vështirë t’u jepen përgjigje meritore.
Megjithatë, disa gjëra janë të pastra si loti. Në një përkufizim të parë, do të
thoshim se kjo përhumbje kolektive ka ardhur si rezultat i asaj që qysh me
përfundimin e luftës ngarendëm të marrim atë që nuk na takon, e të jemi aty ku
nuk na përket.
Dhe,
kësaj i kontribuuam të gjithë, kush më shumë e kush më pak. Në Kosovën e
pasluftës u shit e u ble çdo gjë! U shiten diplomat, u shiten titujt, u shiten
gradat, u shit gjithçka, madje shumë lirë, çmimin e lirë të të cilave po e
paguajmë shtrenjtë sot.
Sigurisht
se në dhjetëvjetëshin e parë të pasçlirimit të vendit nga një regjim i ashpër e
kriminal siç ishte ai i Milosheviqit, që disa preferojnë ta quajnë si fazë
tranzitore, disa paudhësi edhe do të mund të gëlltiteshin më me lehtësi, mirëpo
në Kosovën e 2024-ës nuk mund të qëndrojmë indiferentë kundrejt fenomene me të
cilat ballafaqohemi si shoqëri, në të kundërtën, siç me të drejtë e tha dikush,
“do të shkojmë për lesh”.
Të
hapësh një temë, një çështje, një dilemë është shumë e lehtë. E vështirë është
të mbyllësh tema, çështje, dilema. Kujtoj se si individë, si shoqëri, por edhe
si shtet nuk duhet të mjaftohemi të merremi dhe t’i përmbushim egot tona nëpër
studio televizive duke trajtuar fenomene nga më të ndryshmet, më shumë për t’i
vënë në pah “(pa)aftësitë” tona në trajtimin e çështjeve sesa për të zgjidhur
diçka në përditshmërinë tonë.
Diskursi
i ashpër politik (normal, sa për sy e faqe), që haset në forumet ku bëhet
politikë ditore e që është zanat për politikanët, nuk duhet të bëhet normë edhe
kur flasim për vrasjet, përdhunimet, ngacmimet seksuale, e fenomenet e tjera të
shëmtuara me të cilat ballafaqohemi si shoqëri.
Është
e shëmtuar kur në një studio televizive, gratë vetëm sa nuk ia nxjerrin sytë
njëra-tjetrës kur flasin për vrasjen e një gruaje tjetër, vetëm sa për të
përmbushur egot e tyre me bindjen se dikush atje në kafene apo në ndeja mes
miqsh, do të thotë: e pe çfarë i tha ajo kësaj, ose e pe çfarë i tha kjo asaj.
Fenomenet
negative me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare duhet të trajtohen nga
profesionistë të lëmive të caktuara dhe jo të shndërrohen në tema ku gjithkush
thotë çfarë të dojë, dhe askush nuk i përgjigjet askujt për atë që bën e thotë.
Pra,
vetëdijshëm ose pa të, kur njeriu rreket pas asaj që nuk është vokacion i tij, do
të ngjallë dyshime, dilema e padijeni. Dhe, nëse jemi më të përmbajtur në ato
që themi e bëjmë, sidomos kur çështja nuk na përket neve, direkt ose indirekt
ndihmojmë në vënien në binarë të gjërave.
Intencë
e kësaj përqasjeje nuk është moralizimi, ose tendenca e krijimit të “shtetit
ose shoqërisë ideale”, sepse fenomenet negative hasen në të gjitha shoqëritë,
edhe në ato më të përparuara se ne, mirëpo është koha e fundit që edhe ne si
shoqëri t’u japim emër e mbiemër problematikave që na shoqërojnë në rrugëtimin
tonë, e këtë duhet lënë kompetentëve. Përndryshe, letargjia, ose kjo përhumbje
kolektive, që unë zgjodha ta quaj, do të na shoqërojë edhe për një kohë të
gjatë!