E hene, 29.04.2024, 09:00 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Letër e hapur për nënkryetarin e PD-së, Gazmend Bardhi!

E marte, 16.04.2024, 07:54 PM


Letër e hapur për nënkryetarin e PD-së, Gazmend Bardhi!

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

I nderuar zoti Bardhi,

Jam i impresionuar dhe e respektoj sinqerisht përpjekjen tuaj për t’u përballur me qeverisjen e mafies – shtet të Edi Ramës. Besoj në sinqeritetin dhe pastërtinë tuaj në këtë përballje. Ju mbështes me gjithë zemër në aksionet politike që zhvilloni kundër kësaj qeverie të korruptuar dhe inkriminuar deri në palcë. Përballja me Edi Ramën është jo vetëm kontribut opizitar, por edhe patriotik.

Por shpesh herë pyes veten nëse mjafton kjo që opozita të vijë në pushtet?! Rikthimi juaj dhe grupit të deputetëve që ju mbështesin në strukturat e Partisë Demokratike është fitore e opozitës. Ndërkohë unë besoj se opozita konfirmohet jo duke e patur në izolim kryetarin e saj, por duke e liruar atë nga izolimi! Në këtë pikëpamje personalisht jam i zhgënjyer nga përpjekjet tuaja për ta rikthyer liderin e Partisë Demokratike dhe të opozitës në veprimtarinë normale politike dhe parlamentare.

Njeriu është qenia më e komplikuar. Nga kjo nuk bëjnë përjashtim as politikanët. Instiktivisht ose në subkoshiencë veprojnë disa procese, të cilat ndoshta nuk i kontrollojmë dot. Kam përshtypjen se ju nuk kontrollini p.sh instiktin e të shpejtuarit për te ardhur më shpejt se duhet në krye të Partisë Demokratike. Izolimi i kryetarit ju jep shansin që të besoni se keni sukses në këtë ambicie, të cilën ndoshta nuk e vini re as vetë ju. Unë besoj se kjo është arsyeja pse qëndroni larg betejës për kryetarin tuaj.

Por e ritheksoj: - Vetëm me Sali berishën opozita nuk vjen në pushtet. Megjithatë, po të ishte për interesin personal të tij, ai mbijeton në politikë edhe me një opozitë të fuqishme. Ndërsa pa Sali Berishën nuk ka e nuk do të kishte më opozitë në Shqipëri. Opozitat soroiste të Llallajve apo Shabanajve kurrë nuk do të bëhen opozitë, edhe nëse do kishin 40 përqind të votave në parlament. Aq sa u bë opozitë Lulzim Basha.

Për këtë arsye, me qëllim që opozita të forcohet e madje sa më shpejt të jetë e mundur, ju sugjeroj ju dhe gjithë deputetëve të tjerë të opozitës, po ashtu strukturave të Partisë Demokratike e madje edhe partive aleate opozitare, që filloni menjëherë aksionin politik të lirimit të Berishës nga arresti shtëpiak. Ju duhet të vini menjëherë në krye të axhendës lirimin e kryetarit tuaj! Ky është kushti themelor i të bërit opozitë në Shqipëri. Në të kundërt, edhe pse duket se po luftoni aq fort kundër Ramoviqëve (Edi e Olsi), përsëri ata do tallin menderen me opozitën dhe me ju!

Një opozitë e dhunuar dhe e poshtëruar me kryetarin e saj në izolim, nuk ka asnjë shans të fitojë ndonjë betejë politike, përveçse ndonjë beteje dhuratë nga pushteti. Arresti shtëpiak i Sali Berishës është testi i suksesit të qeverisë dhe lirimi i tij është testi i opozitës! Ndryshe unë shoh hipokrizi në aksionin politik opozitar! Kjo do të thotë se duhet ndarë gjithashtu mendja: - Ose me SPAK-un politik në duart e Ramës, ose me liderin e opozitës. Nëse besoni se Berisha qenka i fajshëm, deklarojeni publikisht dhe mbrojeni SPAK-un. Ndryshe, po publikisht denonconi persekutorët e tij!

Me shumë respekt dhe konsideratë,

Prof. Dr. Enver Bytyçi

Tiranë, 16.04.2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora