E shtune, 22.06.2024, 07:03 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Ndok Pistulli, nuk t'harron Shkodra!

E shtune, 06.04.2024, 07:58 PM


NDOK PISTULLI, NUK T’HARRON SHKODRA!

Nga Fritz RADOVANI

Edhe pse qyteti i vjeter i Shkodres po kalonte një prej diktaturave ma të mnershme komuniste të Shekullit XX, ajo do të mbetet nder qytetet ma të nderueme dhe të pamposhtuna të Europës së robnueme. Ishte qyteti i 26 burgjeve dhe hetuesive komuniste që nuk flente asnjëherë e qetë. Pak e aspak familje Shkodrane nuk kanë provue terrorin vrastar komunist.

Po, asnjëherë Shkodren nuk e ka pushtue pesimizmi e vujtja komuniste!

Prindët tonë perdorshin një thanje: “Hajt, se Zoti do ta bajnë mirë!”.

I atij brezi optimist ishte dhe Ndok Pistulli, i njohun“djaloshi muzikant”!

Ishe shumë i rij kur e njofta Ndokun e Pistullorve të Shkodres, edhe pse Ate nuk e lidhte mosha me Gac Çiurçinë e Lek Gjeloshin, po prirja e Tij në artin muzikor e shoqnonte me Franc Palin, Viktor Jubanin etj., që do të ringjallnin shpresa të mëdha në brezat e ardhëshem të Shkodres.

Ndokun e njofta aso kohe kur Ai shkonte dhe bante mësim në pjano tek mësuesja Ida Melgushi, mbasi dyert e shkollave shtetnore ishin krejtë të  pamujtuna me u hapë per Ndok Pistullin dhe rrethin e Tij shoqnor, i cili mërrijti me u njoftë si grup muzikantash vetem me perpjekjet private. Ai ishte talent i rrallë dhe njihej per veshin e Tij absolut, që pavështirsi Ai i dallonte notat muzikore që kushdo mujte me prekë në një pjanofortë. Ndoku vertetë se qyshë fëmijë ishte i talentuem po, ajo që e dallonte Ate në shoqni, ishte perpjekja autodidakte e tij që e bani të njoftun muzikant.

Ndoku jo vetëm në studimin e pianofortës, por edhe të harmonisë e kompozicionit ishte i paisun me vullnet e talent të rrallë dhe mërriti të njifet nder pjanistët e nivelit të naltë që aso kohe kishte Shkodra.

Ai ishte disa vite edhe në orkestrën sinfonike të Shtëpisë së Kulturës në Shkoder. Por muzikanti i ri Ndok Pistulli ishte aq i talentuem sa  ndinte si nevojë të domosdoshme shpirtnore me kompozue. Prirja muzikore tek Ndoku nuk kishte kufi të caktuem, Ai ecte vetem perpara pa u ndalue.

Ndok Pistulli u ba  me të vertetë i njoftun nga mësimet që Ai mori nga zonjusha Ida Melgushi, po një ndihmesë e madhe per Ndokun ka kenë edhe lidhja e Tij me muzikantet Tonin Harapi, Tonin Guraziu, Nino Saraçi dhe së fundi me të madhin kompozitor Prenk Jakova, ku afirmoi vedin si muzikant i perkryem dhe shumë i talentuem.

Ndok Pistulli asht e vertetë se nuk u lejue të perfundonte asnjë shkollë artistike, po prirja e Tij nuk e perjashtoi asnjëherë nga artistët e njoftun e të talentuem të atij qyteti që e vendosi në vendin e merituem per të gjitha cilsitë e Tij e kryesisht, per karakterin e mrekullueshem në shoqni. E mos harroni asnjëherë se formimi i njeriut në shumë familje qytetare shkodrane asht kenë themeli i perjetshem i edukatës së mrekullueshme n’ Shkoderlocen tonë! Kam frikë se pikrisht këte cilsi po punohet me e shkatrrue me kamngulje edhe sot në të gjitha drejtimet nga qeverisja aktuale atje. Kjo asht fatkeqsi që po i humb Shkodres pikrisht atë cilsi që nuk ka mujtë me ia zhdukë as diktatura  ma barbare dhe terroriste e komunizmit të diktatorve Ever Hoxha dhe Ramiz Alia, të cilët kishin si piksynim shfarosjen kulturore dhe qytetare të atij qyteti martir e Hero!

Heren e fundit unë e takova Ndokun tek Dugajt’ e Reja dhe u ndalueme e bisedueme kryesisht per t’ ardhmen tonë që s’ na jepte asnjë shpresë. Më çuditi shumë optimizmi i Tij, dhe shpresa e madhe per një t’ ardhme!

As nuk mund të mendojshe atë ditë se nuk kam per me e takue kurrma!

Asht e vertetë që Ndoku e mbylli jeten shumë para kohe, po ajo forcë e madhe e optimizmit të Tij nuk më largohet kurr nga mendja e ndoshta, sot mbas kaq shumë vitesh, ajo më shtynë me e kujtue kryesisht si artist dhe njeri me formim të mrekullueshem Shpirtnor, qytetar e atdhetar!

Jam i sigurt se sot shokët e miqtë e Tij e kujtojnë me dhimje largimin e Ndokut nga kjo jetë, mbasi karakteri i Tij ishte i veçantë e mreslanës.

Kujtimet per Ndok Pistullin janë të perjetëshme se i atillë ishte Ndoku! Dhe kam bindje se as Shkodra nuk e harron asnjëherë Ndok Pistullin!

Kujtimi i Ndokut nuk shlyhet asnjëherë nga Shkodranët e moshës së Tij dhe, t’ atyne që ndoshta, e kanë pa vetem njëherë tue kalue rrugës!

Ky ishte pra, Ai Shkodrani i paharrueshem e muzikanti Ndok Pistulli!

Melbourne, 6 Prill 2024.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora