Mendime
Florim Zeqa: A do ta mbrojë NATO Kosovën!?
E hene, 15.04.2024, 07:57 PM
A
do ta mbrojë NATO Kosovën!?
Shkruan:
Florim Zeqa
NATO është duke e përforcuar KFOR-in me ushtarë
dhe artileri të rëndë ushtarake. Në anën tjetër edhe Serbia është duke
pozicionuar forca të mëdha ushtarake përreth kufirit me Kosovën! Këto zhvillime
paraqesin rrezikun e lartë të një luftë të re në Kosovë! Askush nuk mund ta
thotë me saktësi, se a do të jetë kjo luftë e përmasave ballkanike apo fillimi
i luftës së tretë botërore!?
Hyrja e NATO-s në Kosovë
pas marrëveshjes me gjeneralët e Serbisë
Më
fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në 24 marsin 1999, i cili
zgjati 78 ditë e netë, filluan edhe masakrat më të mëdha të policëve, ushtarëve
dhe paramilitarëve serb ndaj civilëve të pambrojtur shqiptarë gjithandej
Kosovës.
Pas
fillimit të bombardimeve të NATO-s u dëbuan rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës
për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe gjithandej shteteve evro-perëndimore e
deri në Amerikë dhe Zelandë të Re.
Ky
dëbim i popullatës shqiptare ishte i planifikuar nga Serbia dhe ndodhi para
syve të mbarë botës demokratike. Kësisoji, brenda 78 ditësh të bombardimeve të
NATO-s u dëbuan nga shtëpitë e tyre më shumë se gjysma e popullatës së Kosovës.
U boshatisen shumë fshatra dhe vendbanime, u dogjën më qindra shqiptarë nëpër
shtëpitë e tyre, të cilat u shkatërruan në themel.
Edhe
përkundër bombardimeve 78 ditëshe të NATO ndaj caqeve serbe, hyrja e forcave
paqeruajtëse të NATO-s ndodhi vetëm pas marrëveshjes tekniko-ushtarake të
Kumanovës mes gjeneralëve të NATO-s dhe gjeneralëve të Serbisë!
Edhe
pas asaj marrëveshje të 25 viteve më parë, situata është kjo; çizmen e ushtrisë
serbe e zavendëzuan çizmet e dhjetra shteteve të NATO-s, ne e rishpallën
pavarësinë e shtetit dhe fituam njohjen ndërkombëtare të shtetit, kurse synimet
dhe aspiratat serbe mbeten të njëjta për ripushtimin e Kosovës.
Politikanët e
papërgjegjshëm kosov(r)arë
Si
pasojë e agresionit politik të Serbisë në njërën anë dhe mungesës së diplomacisë
aktive të shtetarëve tonë, sot Kosova është shteti i vetëm në Ballkan që
ndodhet nën sanksione ekonomike të BE-së dhe SHBA-së!
Politikanët
e papërgjegjshëm kosov(r)arë, njëri pas tjetrit e ndihmuan politikën
hegjemoniste të Serbisë me amnestimin e kriminelëve serb të luftës, me
decentralizimin etnik dhe enklavizimin e Kosovës, me mbrojtjen e trashëgimisë
kulturore serbe, me themelimin e Gjykatës Speciale, me ratifikimin e
marrëveshjes në Kuvend për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në veri
të vendit, me rritjen sipërvaqësore dhe fuqizimin e Kishave dhe Manastireve
serbe gjithandej Kosovës, duke e kthyer minoritetin serb në minoritetin më të
privilegjuar në botë.
Aq
shërbime të mira i ka bërë politika kosovare shtetit serb, saqë, fare lehtë mund
të ndodhë në të ardhmen e afërt, që disa prej liderëve shtetëror të Kosovës së
pasluftës të shpërbledhen dhe të dekorohen nga shteti i Serbisë me ‘Medalje të
Artë” për veprime antikombëtare dhe antishtetërore ndaj shtetit të Kosovës.
Lufta po na troket të
dera, partitë tona politike vrapojnë pas pushtetit
Për
dallim nga Millosheviqi, pasuesi i tij, Aleksandër Vuqçiq është duke e ruajtur
balancin politik mes SHBA-ve dhe Rusisë, duke investuar në rikthimin e regjimit
të Millosheviqit në Kosovë. Pra, regjimi aktual në Serbi, ndryshe nga
Millosheviqi, me mençuri është duke e shmangur përballjen e drejtëpërdrejtë me
komunitetin ndërkombëtar duke i fajësuar shqiptarët për moszbatim të
marrëveshjeve të Brukselit dhe për prishje të stabilitetit politik në Ballkan,
gjë të cilën po e ritheksojnë edhe liderët e shteteve evro-perëndimore!
Përderisa
NATO e ka ngritur alarmin e kuq për rrezikun e sulmeve të ushtrisë serbe ndaj
Kosovës, partitë tona politike ende bëjnë fushatë parazgjedhore për mbajtjen,
gjegjësisht marrjen e pushtetit në pragë të një lufte me përmasa
shkatërrimtare!
Andaj,
bazuar në politikën e jashtme disfatiste të Kosovës dhe ftohjen e raporteve të
lidershipit aktual me SHBA-të, shtrohet pyetja sa logjike po aq hipotetike, “A
do ta mbrojë NATO Kosovën në rast të një sulmi eventual të Serbisë” dhe pyetja
e fundit, “A e meritojmë ne shqiptarët mbrojtjen nga NATO, kur ne nuk e duam
dhe e trajtojmë shtetin tonë si plaçkë lufte vetëm për pushtet dhe pasurim
personal!?
Si
përgjigje ndaj pyetjeve të ngritura, përpara më doli thënja e të madhit dhe të
pavdekshmit, Akademik, Mark Krasniqi, po citoj: “Mrekullia vetëm një herë ka
zbritur nga qielli për shqiptarët”, duke aluduar në intervenimin ushtarak të
aleancës më të madhe ushtarake në botë.